Tuesday, April 17, 2012

PER ITAKA BRENDA MEJE


ITAKA BRENDA MEJE

Nga Thanas Boçi

Libri më i ri i shkrimtarit  Pirro Loli “Itaka brenda meje” është një nga krijimet më të arrira të tij në inventarin letrar që ai ka krijuar. Ky libër përkon edhe me 60-vjetorin e tij, si një kurorë  dafinash që i qendron mbi krye. Si eseist dhe analist, si shkrimtar dhe poet, si estet dhe filozof, gjithë kujtimet  dhe përsjatet për vendlindjen, Zagorien, me një stil të veçantë i ka ravijizuar në këtë vepër, që unë do ta quaja roman për veten, pse jo edhe për të tjerët. Them se është roman se në të ka ngjarje e situata, personazhe e karaktere, subjekte narative e meditime, kontradita zhvillimi e detaje të përzgjedhura, gjë që për këtë të fundit dua të sqaroj se shkrimtari Pirro Loli, jo vetëm që di t’i përzgjedhë ato më interesantet edhe më me intensitet, më tipiket edhe më të qensishmet që bartin në vetvete një impuls të tillë, që sa herë ndeshej me to, ndjen një kënaqësi të veçantë që të emocionojnë. Shkrimatari nuk i përdor ashtu bruto, por pasi i përpunon hollë e hollë, si kur të jenë prej një meteriali plasteline, u  jep formë e i vendos aty ku duhet, gjithmonë në funksion të idesë e mesazhit që do të transmetojë, por edhe brendisë që do të zbërthejë. Njëkohësisht, duke qenë edhe shkrimtar edhe poet, proza e tij merr nota të fuqishme poetike, dhe, duke futur dhe shkrirë edhe poezi në mënyrë sa më organike, krijohet një harmoni që s’dihet ku ndahen këto  gjini, që për mendimin tim është një nga parimet estetike që përdor autori. Këtë risi (poetikën) e kam parë në gjithë prozën e tij  , duke ndjekur të njëjtën kahje që jep edhe esteti i madh francez Zhurden,  kur thekson se midis poezisë e prozës ka shumë elemente të përbashkëta që i përafrojnë këto gjini. Kjo është një veçori e letërsisë së sotme konteporane moderne që po zhvillohet në botë, të cilën Pirrua e njeh më së miri. Pirro Loli, sa është shkrimtar është dhe poet, por prozën e ka më përzemër(Prozën e kam grua, ndërsa poezinë e kam dashnore!- thotë Pirrua).Unë them se është në të njëjtat lartësi që e kam parë jo vetëm në prozat e tij, por edhe në dy ciklet me poezi që botoi së fundi. Në to spikat mendimi i lirë, filozofia e detajit të përzgjedhur  brenda qënies e brenda vetes, poezi brilante me vargje të çliruara e me metafora tepër emocionale e të bukura. Ndërsa si eseist ai ka guximin (Dhe i lumntë për këtë!) që u mor me dy figura të mëdha në epoka krejt të largëta: Sofokliun dhe Kazanzaqin, dy kollosë që në veprat e tyre kanë parashtruar mesazhe e që u vazhdojnë t’u qendrojnë kohërave.  Ndersa si analist e ka treguar veten tek “Saga e Kosovës” me bashkëautorsi,  ku , duke marrë faktin konkret, i ka bërë autopsinë dhe analizën  dhe ka dhënë zhvillimin përspektiv të mëtejshëm.
Por ajo që mua më ka bërë për vete është “Itaka brenda meje”. Të gjithë kemi Itakë e të gjithë kërkojmë ta kemi pranë, sepse atje na ka rënë koka, se u ngopëm me ajrin e tij e mushkëritë na u zmadhuan, atje mësuam të flasim e atje u burrëruam, atje qamë e qeshëm, atje edhe kenduam, ndersa sot, shumë nga ne, jemi larg saj, jo nga dëshira, por nga nevoja. Ndaj shkrimtari e fillon me një metaforë të fuqishme, që është brenda tij: “Atje të lartësohet shpirti e dukesh se je pjesë e qiellit.Dhe përrenjtë dhe honet të hanë. E kokën thyen era...”  E tillë është Zagoria, vend malor, por edhe Shqipëria plot me Zagori të tilla është e përbërë. Në këto vende lindën njerëzit punëtorë e të mënçur, ata që u ngjitën në qiell, por që edhe e zbritën atë poshtë. Ndaj kujtimet e përsjatet e fëminisë për ata janë margaritarë në jetën e çdo njeriu, se ajo është mosha që njeh vetëm drejtësi, sinqertitet, dashuri të pastër për çdo gjë, edhe për sendet pafrymë, edhe për lulet e zogjtë  e qiellit, edhe,edhe ... “ Kujtoj një thëllëzë që kapa me duart e mia në fole tek ngrohte 11 vezë pas një tufe bari në shkembin e kuq. I mbusha xhepat me vezë, e mbajta thëllëzën në dorë si trimërinë më të madhe, i bëra kafaz me tela dhe e vara majë manit. Endërroja që ajo të më nxirrte thëllëza të vogla e oborri im e lagjia ime do të mbushej me kengë e cicërrima. Por thëllëza ishte shumë e brengosur, as hante, as pinte e vezët nuk i ngrohu. “Lëshoje,- më tha nëna-, ajo është mësuar në mal...” E lëshova, e kur fluturoi, më la një klithmë të trishtuar që e kam akoma në vesh...”  Pirrua ishte i vogël e s’kuptonte  që thëllëza donte lirinë e jo kafazin. Liria është gjëja më shenjtë në jetën e njeriut. Por ne patëm kafazin e jo lirinë...
Gjithë romani përbëhet nga pjesë që herë shfaqen si ese e analiza, herë si tregime e novela, por që naracioni rrjedh së brendëshmi, shumë natyrshëm e në mënyrë poetike. Nga mungesa e lirisë, nga nevoja për të,  kanë ndodhur edhe braktisjet e mëdha. Shqiptarët janë endur dhe enden nëpër botë , por me një jetë më të mirë nga ajo që kanë bërë. Autori, si intelektual i ndershëm, e shqetëson një fakt: Në historinë e Shqipërisë kanë ndodhë brakrisje e ikje të mëdha, e jo kthime po të mëdha, ka patur edhe arritje, edhe dështime,edhe njëri-tjetrin e kemi parë herë si vëllezër të një gjaku, e herë si armiq, ndaj ai kërkon që rishikimi i historisë të bëhet jashtë pasioneve e emocioneve të ideologjizuara, por me një konseguencë shkencore e tepër realiste. “ Kjo histori,- thotë autori, -thërret në skenë historianët dhe profesionistët e vërtetë për të ndryshuar e zbardhur të vërtetat...”, sigursht jo duke i parë gjërat bardhë e zi, por ylberi ka shumë ngjyra; pastaj sot nuk ka frikë nga asgjë, demokracia u ka hapur portat të gjithëve e u ka dhënë të drejtën ta thonë fjalën lirshëm. “Demokracia,- thotë Çorçilli,-sa të dalë një tjetër sistem shoqëror, është më i miri...” Dhe këtë mesazh Pirrua e ka zbatuar vetë i pari në këtë libër të bukur, ndaj thotë: “Unë jam kundër erotizmit heroik e historik, jo vetëm se më duken jo realistë e aspak pragmatistë për njeriun e sotshëm, por në gojën e disa që pretendojnë se janë të të vërtetave, më tingëllojnë edhe pseudopatriotike...” Një rol të rëndësishëm duhet të luajë këtu inteligjenca shqiptare, po ajo sot është në krizë e veçanërisht ajo në emigracion, e shpërndarë anembanë botës, duke bërë punë nga më të ndryshmet e duke i vjedhur kohë vetes që të ruajë sadopak intelektin e saj.
Itaka nuk mund të kuptohet pa legjendat, historitë dhe realitetet. Ato janë gurë themeli që qendrojnë e ngrenë mbi të atë që quhet vendlinda dhe atdhe. E bashkë me to i lagin buzët në krojet, gurrat e burimet që u kanë dhenë gjelbërimin pyjeve të mrekullueshme, e veçanërisht mbi të gjitha njerëzve të thjeshtë e punëtorë që përbëjnë në vetvete monumentet e punës. Pra bukurinë më tepër ia japin njerëzit, që përbëjnë gjallërinë, pa të cilët Itaka do të ishte një gjë e ngrirë. Por më shumë mund të themi për gratë, që janë punëtore e nëna të mira “... të pastra e nikoqire, të pagjuma, e të gatshme në sakrifica, deri në sakrilegj...” por jo vetëm ato, por edhe burrat që duart i kanë plot kallo e damarët hera-herës u mblidhen si gunga-gunga. Vërtet këta njerëz kanë mbajtur vendin, por lartësimin ia kanë dhenë njerëzit e mençur, inteligjenca, njerëzit e gojës e të penës, indet e buta, që nuk i kanë munguar Zagories së shkrimtarit, por edhe gjithë Shqipërisë se “intelekti është medalioni më i ndritshëm i zagoritëve”, prandaj ka ardhur koha, sugjeron shkrimatari që “ intelekti i vërtetë nuk duhet t’u shmanget të vërtetave, e, nëse është i tillë,... s’duhet të trembet nga rrëfimi, pendesa e përgjegjësitë që ka pasur e ka...” . Kjo është një domosdoshmëri historike për kohen që po kalojmë. Autori me të drejtë pranon që në ndërgjegjen e psikologjinë  kombëtare ( kjo duhet pranuar nga të gjithë), krahas shumë anëve të mira që ishin pronë e popullit tonë, shpesh forca e mentalitetit i ka mposhtur njerëzit deri në mohimin e kërkesave esenciale të jetës, por sot shfaqet dhe ana tjetër e medaljes: liria po çon edhe në një llumë etikomoral të pazakontë.
Gjithë jetën zagoritin, por edhe shqiptarin, e ka mbajtur gjallë kenga, ajo ka qenë jo vetëm pjesë e saj, e jetës, por ka bartur kurdoherë breda dashurinë për të. Ajo ka qenë historia, por edhe simboli i bukurisë njerëzore. Atje janë parë ngjarjet, tablotë, luftërat, gëzimet, zhvillinet, arritjet, por edhe humbjet.Ato janë këndur në ritualet e dasmës, o në për rrepet ku mblidheshin meçiliset e fshatrave. Motimi i kengës dhe motivi i rrapit janë parë nga autori si simbioza të njëri-tjetrit. Sepse nën rrepet degëgjerë mund të qendronin shumë njerëz, ndaj aludojnë për të “... more rrap, të qofshin falë, more rrap...” .Janë të dëgjuar rrepet e sidomos në Jugë si ai i Mashkullorës, Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës, Nivicës, Qeparoit, Kuçit, Shen Vasilit, Konispolit, i të gjitha fshatrave të Zagorisë e Labërisë. Shkrimtari Pirro Loli, si një studjues i mirëfilltë i foklorit,  por edhe si një etnomuzikolog sklupuroz,mëshon më tepër në kengët erotike e ato të trimërisë. Atje janë shkrirë e harmonizuar e bukura me të madhërishmen, heroikja e tragjikja , ku shpirti e sinqeriteti herë i përngjanë një dallge të shkumëzuar e herë një puhize të qetë. Qoftë ndërtimi artistik i këtyre lirikave popullore, qoftë organizimi e harmonizimi i melodisë, do ta turpëronte ndoshta edhe ndonjë poet a kompozitor. E autori ka ditur ç’ka përzgjedhur këtu:
“o lumi në shtëpi brenda..., Zafiro(hë, Telo)
Zafiro, cullufe frenga...
 e, (të gjithë) lumi në(hë, Dukë)
lumi mu në shtëpi brenda...”

ose... “ Dil, pasha se jam për udhë, dil pasha
Hamit ti, e Hamit unë, dil pasha
ti me det e un’ me lumë, dil pasha
një nga ne do rrojë më shumë, dil pasha...”

Si puna dhe kenga ishin pjesë e jetës së shqiptarit, njëra i duhej të jetonte, e tjetra i duhej ta shlodhte.  Por nuk mund të qendronte jashtë tyre edhe humori i bukur, ato ksenokomet  që hera-herës kanë mbajtur gjallë kuvendet, por edhe historitë. Aty është mençuria e popullit “ e qeshura është mençuria e të gjithëve...,arma e mprehtë e njeriut të shëndetshëm që përballon çdo situatë, që shkatërron fjalën e tjetrit e lartëson të mirën e të mençurën...”
Për patriotizmin shqiptarët nuk janë kursyer kurrë. Kjo ka treguar kurdoherë lidhjet e tij me të. Por gjatë periudhës së dikataturës 50-vjeçare  shumë figura të mëdha që i kanë dhenë atdheut, jo vetëm që mbeten në hije, por u panë në anën tjetër: si fatkeqësia e këtij vendi, si armiq. Këtyre u duhet dhenë vendi që u takon në krenarinë e jetës shqiptare.  
Kur më dhuroi librin Pirrua, më shkroi:“ Lexomë, shijomë, kritikomë, vëllazërisht Pirro Loli”. Unë e lexova, e studjova, e shijova, por  edhe mësova shumë nga mesazhet që parashtron në të. (Ato janë idetë dhe mendimet tij, dhe kushdo që i pëlqen, i merr e i bënë pronë të vetat, ndërsa kush nuk i parapëlqen, edhe mud t’i anashkalojë) . Por Pirrua këtu është treguar jo vetëm historian e analist, por edhe një gjykatës e mbrojtës i së vërtetës. Vepra  shquhet edhe për estetikën dhe strukturën e ndërtimit, paçka se duket si kur kapitujt janë si të ndarë nga njëri-tjetri, ata janë shkrirë në mënyrë harmonike si subjekti e ngarjet, si detajet dhe personazhet, si gjinitë e llojet e ndryshme, eseja me naracionin dhe të gjitha këto i lidh së brendëshmi autori që është dhe personazhi kryesor e që i vetëtregon. Mua më duket ky libër si një risi në krijimtarinë e autorit Pirro Loli. Duke qenë se shkrimtari është usta në prozë, shprehja jo vetëm që ka zhdërvjelltësi, muzikalitet, intonacione, ngyra, por është edhe shumë e thjeshtë dhe e kapshme për të gjithë. Tek ky libër e gjejmë veten të gjithë, e lexojmë dhe e kuptojmë të gjithë, sepse jemi të gjithë nëpër faqet e tij. Ndaj kënaqemi e themi: Të lumtë Pirro!

RROKJE NE KRYQ


ROMANI “RROKJE NË KRYQ”

Shtëpia Botuese “Bota shqiptare”paraqet  për lexuesin  librin e ri të shkrimtarit Pirro Loli, “Rro-kje në kryq”.
Autori është i njohur si poet, eseist e prozator. Të tria këto fusha të krijimtarisë i kanë shërbyer për të shkruar një libër “më vete”, por jo vetëm për veten. “Rro-kje në kryq” është një roman-ese, me ngjarje e personazhe realë,  një rrëfim tronditës për  një dhimbje e fatkeqësi njerëzore, një prozë e guximshme dhe mbresëlënëse. I  vetëdijshëm dhe krenar për kryqin e dhimbjes së vet, autori ngrihet mbi të, për të na dëshmuar se zëri i vërtetë i njeriut dhe shkrimtarit nuk gjendet në laring, por në ujëvarat e shpirtit ku derdhen zërat e tokës të qiellit, të mirësisë e të dashurisë të atyre që ke afër dhe larg, të njohur e të panjohur, të gjallë apo të vdekur.
                Lexuesi merr në duar një roman që përpiqet të zotërojë demonët e gjuhës e të shprehjes, i shkruar midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, për të përballuar sfidat ekzistenciale të qenies dhe krijimit. Lëvrues i talentuar i esesë dhe prozës së gjatë, Pirro Loli përmes një stili të mprehtë e dinamik, ndërthur mjeshtërisht detajin me rrëfimin, realitetin me mitet, të zakonshmen me universalen, deri në udhëkryqet e absurdit.
                Libri “Rrokje në kryq” përshkruan luftën e përpjekjet titanike të njeriut që provon humbjen, por evokon përballjen, vizaton hijet nga kahu i dritës, i qaset vdekjes me gjallërinë e jetës, del nga humbëtirat e frikës për një udhëtim shprese në të ardhmen. Me kredon e autorit që i premton lexuesve “se do të kthehem që andej me një trëndafil të bardhë për ju”.


 Shtepia Botuese “Bota Shqiptare”

iTAKA BRENDA MEJE


MBI “ITAKA BRENDA MEJE”
Nga Spiro Dede
 

I dashur Pirro,
Ty dhe Even ju perqafoj.
Keto dite kam qene ne thelbin e vertete te Zagories dhe jam kaq shume i
prekur e i emocionuar.
Te falenderoj per kenaqesine dhe bukurine e leximit e te perjetimit.
Dmth isha ne Zagorien e lashte e te re permes faqeve te librit tend.
Shume gje e bukur.Pa dyshim.
Nje Poeme dhe Esse,traktat sa historik, aq edhe sociologjik.Te lumte.Lexohet
me endje dhe , duke u munduar te largoj ate c'ka eshte nostalgji e perjetim
personal,(kudo ndjej e shoh vehten, rrenjet,trungun e deget e mia...),duke u
munduar pra te jem sa me i paanshem, botues e redaktor "i ftohte", gjithnje
e me shume me mbushet mendja se ke bere nje nga gjerat me te mira, me te
arrira.Ne stil, ne mendim, ne strukture, konceptim e perjetim.
Eshte teresisht i arrire per shtyp.
Si do te veprojme? Ti kishe mendimin ta shohin edhe Kleanthi Zoto e Pirro
Vito, te cilet une i nderoj e respektoj shume dhe jane padyshim nder njerzit
qe mund te japin mendimet me te sakta .
A t'ua jap?
Asnje te keqe nuk ka, por, me ate qe ke bere,veshtire qe ata ,ashtu si dhe
une,te sugjerojne ndonje gje per permbysje, apo per ta ripare ti.Hapet vetem
nje problem- vonesa, koha e nevojshme qe ta lexojne.
Apo t'ua japim kur te dali liber?!
Gabime ortografike ka nga 5 e 6 per cdo faqe, por ato i pashe une me kujdes,
do t'i shohi edhe Suela.
Ka edhe ndonje gje qe mund te ngjalli diskutim, qe dikush mund te thote psh
"hiqe kete paragraf..", ashtu si nje e dhjete te tjere mund te thone per te
njejtin "lere sic eshte , se ashtu kane qene..", psh byroisti, frika nga
lopa etj..
Por ne nje veper te arrire e serioze,gjera te tilla jane e drejte e autorit
dhe mendimet qe ai hedh, po s'ngjallen diskutim, po s'e ngacmuan tabune,po
s'e thyen tabune,"tipiken', etj, etj- s'meriton te quhet veper.Libri yt i
teri eshte plot shtigje te tilla te lirise se mendimit, te gjykimit e
konceptimit, dhe une kete e quaj nder meritat me te medha.
Edhe nje here te uroj, Ju pershendes ju e femijet, shoket e miqte.

LIRIA E BURGOSUR DHE BURGU I LIRE


LIRIA E BURGOSUR DHE BURGU I LIRË
                                     Mbi librin e ri të Pirro Lolit
                                         “Unë, Agjenti i CIA-s M H.”
Nga:  Zimo KRUTAJ

I njohur si poet, romancier dhe eseist, shkrimtari Pirro Loli sjell për lexuesin librin e tij të ri “Unë agjenti i CIA-s M. H.”, botim i “Globus R”. Kësaj here kemi të bëjmë me një tekst të një lloji të veçantë. Është një histori e vërtetë njerëzore, që ka në qendër një personazh real, jeta e të cilit na vjen në formën e një biografie letrare. Ky përcaktim shpreh vetëm pak nga ajo që ndjen kur e përfundon librin. Ke përshkuar një mjedis surreal, nga ata që mund ta krijojnë e ta përligjin vetëm diktaturat. Muhamet Hoxha, xhandari nga Gjirokastra që u bë agjent i shërbimeve inteligjente perëndimore, zbriti si diversant në Shqipëri, ra në kurthin e Sigurimit dhe për 25 vjet i përshkoi të nëntë rrathët e ferrit të burgjeve komuniste. Në penën e Pirro Lolit jeta e tij kthehet në një negativ filmi për lirinë e burgosur dhe për burgun e lirë, ku gjallonin ata që ishin përtej hekurave. Nëse ia dilje të mbijetoje, të mbeteshe njeri,  do ta gjeje pak liri brenda vetes. Prandaj autori, në esenë hyrëse të librit, thekson “...E pashë që ky “diversant” ishte i mbushur me dashuri, patriotizëm dhe humanizëm kundër dhunës dhe tiranisë dhe e çmonte lirinë individuale si themelin e të gjitha lirive.  Jeta e rrezikshme e detyronte të bëhej “komunist”, “fashist”, “tradhtar” – herë me Zogun dhe Legalitetin, herë “italian”, “gjerman”, rob i kapur nga gjermanët, italianët, rusët etj. Por thelbi i pandryshueshëm dhe i patundur i tij, që nuk e prek asnjë maskë e ekzistencës për mbijetesë, mbeti atdhedashuria, Shqipëria dhe antikomunizmi. Mu për shkak të antikomunizmit, jeta e Muhamet Hoxhës është e lidhur me mijëra fije, pazgjidhmërisht me jetën e Atij, diktatorit “se jeta ime nuk mund të ishte e tillë pa të, dhe nuk mund të shkruhet pa jetën e tij”. Është kjo një përmasë e rëndësishme e librit, errësira e diktaturës, e përfaqësuar nga antinjeriu, që nxin ditët dhe netët e qytetarëve të vet... Pa u zgjatur në këtë pikë, le të kthehemi vetëm për pak çaste në kohë dhe le të kujtojmë se sa me lehtësi “ia falnim jetët tona Partisë dhe Atij”. Herë – herë mendimet  e agjentit M. H. marrin vlerë profetike, ndaj ndoshta edhe ai ka fatin e profetëve: gjithnjë përndiqen e persekutohen në  vendin e vet.
Përmasa tjetër që mban drejtpeshimin e librit është e kundërta e territ, drita. Një dritë e butë që buron nga humanizmi dhe mirësia e “barbës”, por edhe nga befasia që të zgjon figura e Apostol Goçit, një tjetër personazh real, protagonist i dytë i këtij libri. Në figurën e Apostolit kemi të bëjmë me një dëshmi të prekshme të së vërtetës së madhe se thika e diktaturës u ngul në mish, depërtoi thellë në kockë, por fatmirësisht nuk mbërriti dot në palcën e njeriut shqiptar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet qëndrimi i Apostolit ndaj Muhamet Hoxhës, të cilin e ndihmon, e mbron, e përkrah, i hap derën e shtëpisë e të zemrës, kur të tjerët “e tregonin “diversantin” me gisht dhe i trembeshin si kolerës...”
“Personazhi” i tretë jo më pak i rëndësishëm  mund të thuhet pa frikë se është vetë autori Pirro Loli. Jo aq për njohjen me dy të parët (Muhametin ai nuk e ka njohur fizikisht) sesa për përfshirjen e tij të plotë, miratimin e paraqitjen artistike të arrirë të një kredoje njerëzore të përbashkët me ta.
Personazhe të tjerë, pothuaj të gjithë figura historike e persona realë, të luftës, të pasluftës e të pas viteve 90-të, ngjarje, dëshmi e të vërteta tronditëse nuk përbëjnë vetëm sfondin e veprës. Ato janë pjesë e qenësishme e kronikës së kohës për më shumë se 60 vjet, të parë në një këndvështrim të veçantë. Si shembull ilustrues për këtë mjafton të përmendim Gjirokastrën, qytetin ku enden e gërshetohen fatet e të tre personazheve Muhametit, Apostolit e Pirro Lolit. Në libër, për zgjedhje të qëllimtë dhe për meritë të autorit na shfaqet një Gjirokastër tjetër, të cilën pak ose aspak e kemi hasur në letërsinë socrealiste. Qyteti shfaq anën tjetër të tij në kapitullin “Shpërthimi i llagëmeve”. Ky qytet është ende me baltë në sy, bie erë kalbësirë, “dhe kulla e famshme e sahatit ngjan si arkivol vertikal ngjitur mespërmes qytetit”, ku vërshojnë ujërat e zeza... drejt lumit që sjell pemë të sapoprera... Koha e ndarjes me të keqen ia çjerr maskën e gurtë...
Pak më sipër e quajtëm librin e ri të Pirro Lolit biografi letrare, po pa qenë të bindur se ky zhanër i shkon plotësisht për shtat kësaj vepre. Le ta quajmë më mirë sagë, edhe nëse e teprojmë pak. Është saga e tre njerëzve pa asnjë lidhje gjaku me njëri-tjetrin, por me lidhje shumë më të thella e të qëndrueshme, të pleksura nga Providenca e të provuara në rrjedhën e viteve. Është saga e Muhamet Hoxhës, agjentit diversant që zbarkoi në vendin e vet për të rrëzuar diktaturën, pikërisht pse ishte me dekada përpara bindjeve e mendësisë së bashkëkohësve të vet. Dhe koha, ajo që nuk gabon kurrë i dha të drejtë, ndaj ai mund të prehet i qetë në panteonin e martirëve të kombit.
Është  saga e Apostol Goçit, e mbijetesës së shpirtit njerëzor, solidaritetit, mirësisë dhe humanizmit, e shpresës dhe besimit, vlera aq të kërkuara e të çmuara sot në Evropën ku Shqipëria mëton të integrohet.
Dhe, në mbyllje, duhet thënë se është edhe saga e Pirro Lolit, shkrimtarit që iu hoq e drejta e botimit, që ia prenë urat e komunikimit me lexuesin dhe tani, i kthyer nga një mërgim i gjatë, në fillim brenda e pastaj jashtë vendit të vet, nuk fshihet pas “paanshmërisë” së autorit. Plotësisht i vetëdijshëm për këtë ai shkruan: “Sot kultura shqiptare (dhe historia që duhet të ribëhet) kërkon prej intelektualëve të vërtetë vdekjen e skllavit të dikurshëm brenda vetvetes, me qëllim që të qartësojë të vërtetën, paçka se herë–herë kjo dhemb pa shërim...”  
Stili i rrjedhshëm e plot nerv, gjuha e gjallë dhe e pasur, ndërthurja e harmonishme e fakteve dhe ngjarjeve historike me përsiatjet individuale e përfundimet e autorit plotësojnë dinamikën e rrëfimit dhe e bëjnë lexuesin, sado të paanshëm, pjesë të kësaj historie të rrallë, thellësisht e mëvetësisht shqiptare..

KUR TALENTI E SFIDON VDEKJEN


Nga MIHO GJINI (Mjeshër i madh)

KUR TALENTI E SFIDON VDEKJEN*

Mbi romanin e Pirro Lolit “Rro- kje në kryq”

I quajtur nga autori “roman ese” kjo vepër interesante, e shtatëmbëdhjeta e shkruar gjatë shtatëmbëdhjetë vjetësh, pas rropatjesh, privacionesh, mundimesh të shumta e sëmundje sfilitëse, që e çuan Pirro Lolin gjer në kufijtë e vdekjes dhe nuk e dhanë, me ato 320 faqe të shkruara me dhimbje, mençuri e fantazi të pashtershme përfshinë një jetë të tërë që të mbërthen e s’të lë të marrësh as frymë,( kur zëri i tij i iku e i erdhi si në mrekullitë e mistereve të mesjetës) “arriti të zgjojë edhe të vdekurit”, të rilind qeniet e gjalla dhe ta mbush natyrën me këngë zogjsh. Sfida e vdekjes përballet me forcën njerëzore që , këtë herë, qëndron në suazën e botës së një shkrimtari si Pirro Loli. Suksesi është i dukshëm dhe, pse jo, do të jetë si një gur qosheje, në ndërtesën e sotme të letrave shqipe. Kushdo që e njeh Pirro Lolin, do të gjejë tek ky njeri, poet, prozator e eseist i shquar, nga më prodhimtarët që kam njohur midis komunitetit shqiptar në Greqi, jo vetëm forcën krijuese, vitalitetin njerëzor, por edhe krahët e një frymëzimi gjithëpërfshirës. Kam qenë pranë tij gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, duke kërkuar vetveten në punët më të vështira , shpesh i mënjanuar e i përbuzur, derisa mbijetuam e iu imponuam realitetit të këtushëm. Pirron do ta gjeje kurdoherë përballë përpjekjeve për të krijuar një shoqëri intelektualësh, për të botuar një revistë apo për të formuar një organizëm shkrimtarësh e artistësh. Kurajoz, i papërtuar, me atë buzëqeshje të përhershme në fytyrë, edhe kur prognoza e sëmundjes bënte paralajmërime fatale, Pirro Loli debatonte midis miqve të vet për vlerat e vërteta letrare, hera-herës edhe i rreptë, bindës e sugjestionues. Dikur i përjashtuar nga Partia e Punës dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve në Shqipëri, nuk kërkoi kurrë rrugë të tërthorta për të penetruar gjetkë, kur ndërruan stinët, por iu përvesh krijimtarisë letrare, studioi, akumuloi e botoi një sërë librash me vlerë me poezi, tregime, novela, romane dhe ese. Dhe kur në Ambasadën Shqiptare në Athinë erdhi një nga kryeministrat e mëparshëm që kishte qenë shok e bashkëpunëtor, rreth tij u mblodhën “bletët” ndërsa Pirroja qëndronte indiferent, sa më larg nga njeriu i pushtetit, që mund ta ndryshonte jetën e vet. Këtu pranë Akropolit ai kërkoi e gjeti “muzat” e Apollonit. Duke ecur rrugëve të këtij qyteti të çuditshëm që mbanë emrin e perëndeshës Athina, atë e magjepste kultura e lashtë që dukej shpesh nën këmbët e veta, mitologjia e hershme e Helenëve dhe jeta e perëndive pagane që frymëzonte Eskilin, Sofokliun, Sokratin, Platonin, Fidian e Praksitelin. Mirëpo ky shkrimtar shqiptar i emigruar, që adhuronte Kavafin, Elitin, Ricosin e Kazanzaqin nuk harroi asnjëherë Itakën e vet, Zagorinë, ku lindi e u rritë dhe nuk rreshti të shkruante për të, po kaq madhërisht sa edhe për “Qytetin me dy kate”. Dhe, kur pas një alibie të sajuar, do të shpallej si i “mallkuar” e do të dëbohej prej “Zeusit” pa asnjë shpjegim, Pirro Loli nuk e shuajti asnjëherë dashurinë e thellë për këtë vend perëndish, aq sa pjesa më e rëndësishme e romanit “Qyteti me dy kate” do të zhvillohej në rrethinat e Akropolit, midis miqve të tij shqiptarë e grekë, që do të ktheheshin rishtazi në personazhe. Romani “Rrok-je në kryq” do të shkruhej pikërisht në kohën e kthimit të “Odisesë” në “Itakën” e vet.  “Rro-kje në kryq” është një vepër autobiografike, pasqyrë e vetes, për të dalur nga vetvetja, nga një gjendje ekstreme e mos ekzistencës, kur jeta është në grahmat e fundit dhe njeriu përpëlitet për të kaluar në “Botën e përtejme”. Heroi ynë që është vet autori, pështillet prej një kllapie të tmerrshme dhe jeta e tij e mëtejshme i takon etheve të zjarrta, ëndrrave të trazuara e figurave haluçiante të “portave të Hadit”. Dhe partner i tij në jetën e zakonshëm, si gjithmonë do të jetë Eva, bashkudhëtarja e përhershme që i miklon plagën, e shpirtit i lehtëson dhimbjet, si dhe një i çmendur që Çehovi e ka mbyllur në “Pavjonin Nr. 6“ të një spitali të Gubernës Ruse, i cili nëpër ëndrra, herë merr pamjen e një kirurgu, herë të një polici, herë- herë të një tregtari organesh njerëzore. Zhvillohet kështu psiko-analiza frojdiane e mosekzistencës në shtratin e një realiteti absurd. Thyet realja e gjërave, dhe e tërë jetës konkrete e pështjellimi i ëndrrave bëhet një realitet i dytë, më i thellë, më konkret, i pashmangshëm e domethënës. I gjithë romani i Lolit jepet në këto ethe haluçinante, me një vërtetësi të jashtëzakonshme, aq sa artëmizmi real i së shoqes së autorit Evës, ngjanë edhe pse është e mbetet një engjëll mbrojtës, si një ndërhyrje e panatyrshme. Mjeshtëria letrare, vlera e metaforave, përdorimi i alogjizmave, thyerja e reales, për çudi marrin trajta të natyrëshme edhe kur laringu pritet e zëri shuhet, edhe kur bisedohet lirshëm me të vdekurit, edhe kur një i çmendur shëtit bashkë me ty ditën dhe natën, edhe kur deti ngrihet përpjetë me një të shtypur të pedalit, apo kur hëna zbret nga qielli që të mos e humbësh rrugën në terr.Dhe befas, Pirro Loli, del nga shtrati i subjektit surealist dhe rrëmbehet nga fryma e një polemike me vet realitetin e ekzistencës, me shtrëmbimet, me krijimin e miteve të pamerituara në jetën letrare, por edhe në vlerat reale. Ai përpiqet që eset e veta, si ato të mëparshmet dhe ato të shkruara rishtas, t’i bëj pjesë të romanit, të ecurisë vetjake, të ngacmimeve të trurit e të shpirtit. Realisht ngjajnë si “mish i huaj”, po përsëri na imponohen si reflekse të vetvetes, për t’u përfshirë në rrjedhën normale të gjërave , atëherë kur kërkohet zëri i vet krijuesit, që ka të bëj me personalitetin. As ka e as mund të ketë “receta” të gatshme në fushën e begatë të letërsisë, kur “të mbjellat” janë pjesëza të pandara të talentit krijues. Shprehjet letrare janë të pakufishme dhe gjinit i përcakton talenti sipas “demonit” vetjak.  Po ashtu sikundër pema ka nevojë për krasitje, edhe ky roman do të qe më i fuqishëm po të shkurtohej nga etja për të thënë gjithçka për veten... Eset e intervistat e shumta jashtë kontekstit sikur e “mbytin” rrjedhën e brendshme lumore.
Megjithatë, kur autorit i pritet laringu e i humbet jo vetëm zëri po edhe busulla e jetës , duket si e pabesueshme që shkenca të triumfojë mbi natyrën, duke i rikthyer njeriut vlerat e përafërta. Në atë “thertore”, ku u shua jeta njerëzore, do të dëgjohen rishtazi tingujt dhe Pirro Loli do të flas përsëri. Prapë do të ketë po ata të afërm, miq e shok, që nuk iu ndan asnjëherë kur “e keqia” ia zu fytin, siç ishin Eva e tij e shtrenjtë, e motra Afërdita, kirurgu, Xhevoja me Zimon e me Zaken dhe miqtë e tij të penës si Sefan Martiko e Primo Shllaku, Alush Avduli e Miho Gjini, duke ia lehtësuar dhimbjen në jetën reale dhe nëpër ëndrra e kllapi. Kësisoj, zëri i shkrimtarit Pirro Loli, jo vetëm që nuk ka humbur, por bëhet edhe më i fuqishëm.


* Artikulli u botua me daten 13 korrik 2010 në “Tirana observer”

KOHA E LETERSISE


KOHA E LETËRSISË

 - Rreth librit Duumvirati i një stine që shkoi
    Nga  Stefan Martiko

   Unë bashkohem diku dhe ndahem diku tjetër me konceptet e pikëpamjet e Pirro Lolit rreth rolit të dy shkrimtarëve më të mëdhenjë të ralizmit socialist. Kjo gjë më duket krejt e natyrshme, për t'i dhënë vlerë debatit për të shmangur sa të jetë e mundur frazeologjizmin në diskutimet rreth këtij problemi.Pirro Loli ka një vështrim të vetin për ato ngjarje letrare që përcollën Shqipërinë e viteve '50-'90. Unë do ta inkurajoja atë për guximin qytetar e angazhimin në fushën e kulturës e estetikës, e cila siç duket është një terren mjaft i vështirë,i mbartur me plot rreziqe. Në tërë atë çka na ka dhënë Pirroja, unë do ta quaja një begati faktesh e analizash, ku secili mund të gjejë lehtësisht veten në mes një debati, i cili sapo ka filluar e që me sa duket do të zgjasë tepër.
   Rrallë ndër studiuesit e estetët shqiptarë gjen një emër të tillë që me kurajon e tij e ve letërsinë në qendër të një kohe për të shpjeguar vet kohën.Siç mund ta kini vënë re, nga faqja në faqe,nga kapitulli në kapitull, Pirroja me nonsens e le shtegun të hapur për shumë interpretime. Por në fund të fundit shtrohet pyetja:Sa ai ka të drejtë dhe sa s'ka të drejtë në përfundimet që nxjerr? Do të thoshja se konlkuzioni më i rëndësishëm i tij që realizmi socialist, ishte një metodë e imponuar dhe e ideologjizuar në mënyrë të tejskajshme shpjegon edhe faktin pse shumica e këtyre prodhimeve mbeten tepër të diskutueshme. Në kapitujt më të rëndësishëm të librit, i kthehet sidomos fenomenit Kadare, me një përqasje realiste, duke pranuar faktin që ai mbetet shkrimtari më i madh i kohës, por ndërkohë e vendos atë si të tillë në mënyrë bindëse  në vorbullën e rrethanave që e përcaktuan atë si të tillë. Sot për Kadarenë debatet shkojnë sa nga një mohim total të veprës së tij e deri në një panegjeriyëm të thellë. Të dy kahjet si ekstreme e kanë orientuar autorin për të qënë në qendër dhe duke i bërë konkluzionet e tij edhe më bindës. Kadareja e ngjiti letërsinë shqipe në një nga kulmet e saj dhe, ky pohim tashmë është i provuar nga koha, Por rreth fenomenit Kadare ka plot spekulime, në të cilët nuk ka mbetur pa u përfshirë edhe vet Kadareja. Në librin e Pirro Lolit sillen plot fakte e argumente, dëshmi të kohës,përfundime nga libra të veçantë të autorit, që kompleksitetin e këtij fenomeni e paraqesin për lexuesin më të thjeshtë dhe hedhin më tepër dritë,në shkaqet e lindjes së këtij fenomeni. Sqarimi i situatave bën më të kuptueshëm raporte të tillë si Shkrimtari dhe Njeriu, Shkrimtaeri dhe Koha, Kadare dhe Politika,Kdare dhe Enveri, Kadare dhe Agolli.
    Që në fillim të librit lexuesi mund të verë re se ai është thjesht një ftesë e hapur për debat dhe i botuar në kohën e duhur. Sot në shtypin letrar dhe jo atë letrar ka diskutime të shumta rreth letërsisë së realizmit socialist e fenomenit Kadare e Agolli. Siç thashë pak më lart edhe pse këto diskutime herë-herë ekstremizohen, në të vërtet ndihmojnë për të kryer një seleksionim të vlerave të vërteta, si pjesë e shëndoshë e kulturës shqiptare e ushqim shpirëtror i një populli.Duke qënë vend me tre besime fetare, në Shqipëri letërsia e kultura në përgjithësi kanë të paracaktuar një rol të rëndësishëm, siç ka ndodhur në rrjedhat e historisë së saj që nga Rilindja Kombtare e këtej.. Ky libër që vjen edhe si shenjë pjekurie e autorit pas një sërë botimesh të rëndësishme në poezi, romane dhe eseistikë, bëhet edhe një lloj kujtese për mendimin kritik,estetik e letrar shqiptar e për më tepër atë akademik, ku definicionet në këtë fushë duhet të jenë, në mënyrën më të mundshme të pranuara nga të gjithë.
    Atëhere më duhet të shtroj pyetjen bazë:Ç'shërbim sjell ky libër? Sa ai do t'i rezistojë kohës dhe sa të vërteta vallë ai mbart me vete? Të gjitha këto pyetje që nuk gjejnë dot përgjigje aq lehtë në të tashmen, pritet të verifikohen në të ardhmen. Por një gjë është e sigurtë. Ky libër siç mendoj unë është të paktën përpjekja e parë serioze për një analizë të tërësishme të asaj çka ndodhur me letërsinë e përgjithësisht me kulturën shqiptare në 45 vjetët e komunizmit. Duke patur dy korifejtë e letërsisë në qendër, Pirro Loli e ka shpërndarë vështrimin në tërë zhvillimet e saj, duke ftuar në të edhe të shkuarën e largët, e cila së bashku me të sotmen, përvijojnë më mirë edhe konturet e së ardhmes. Deri më sot, siç kam konstatuar unë, asnjë autor tjetër nuk i është afruar  kaq afër pikës më delikate të saj, çka është  në të vërtet realizmi socialist në Shqipëri, mënyrat e zbatimit të tij,si u konsakrua mbi të vullneti ideologjik e politik i partisë. Rreth e rrotull tij, siç thashë pak më sipër, është e shkuara, e cila siç ve re autori, me një të rënë të lapsit u mohuan në masë të madhe. U fshinë nga faqja e historisë Fishta, Koliqi, Trebeshina etj, iu zvogëluan qëllimisht vlerat Poradecit, Kutelit etj. Kjo përqasje i jep librit një dimension tjetër, më të gjerë e gjithëpërfshirës dhe e trajton letërsinë shqiptare si një të tërë, duke i bashkuar asaj edhe ato vlera të mira e të qënësishme, që u krijuan nga autorë të veçantë gjatë realizmit  socialist dhe që i shpëtuan sadopak kontrollit ideologjik të partisë. Këtu kam rastin të ve në dukje objektivitetin e autorit, i cili edhe pse në momente të veçantë e çon gjykimin në skaj të njerës anë apo të tjetrës, më në fund di të gjejë ekulibrin e nevojshëm dhe, i vendos vlerat e vërteta në fokus,si pronë kulturore e një populli. Libri është i mbushur me referenca, të cilat e bëjnë më të kuptueshëm gjykimin e autorit dhe i japin analizës herë-herë një frymë më spikatur shkencore e estetike. Duke shfrytëzuar tërë mundësitë shprehëse të gjuhës shqipe,Pirro Loli kalon sa te analiza e rreptë, në gjykimin e lirë/që i përqaset esesë/ deri në reçensimin e librave të veçantë, të cilat pa dyshim përforcojnë argumentet e autorit, në të mirë të shmangjes së gjykimeve ekstreme e subjektive. Dhe më në fund do të theksoja se libri “Duumvirati i një stine që shkoi” nuk është një libër aq i lehtë e i rrokshëm me një vështrim.Ndoshta shpërhapja mund edhe ta ketë dëmtuar në kapituj të veçantë, por sidoqoftë sprovat e mbartin përherë këtë rrezik dhe, deri diku janë të justifikueshme. Por duke qënë një punë gati prej pionieri, dua të pohoj se Pirro Loli me këtë libër sfidoi indiferencën e përgjithshme të mendimit kritik e akademik shqiptar rreth ca të vërtetave tragjike të kulturës sonë.
 
 6 tetor 2007

DICKA E PATHENE PER PIRRON


DICKA QË S’ËSHTË THËNË PËR PIRRO LOLIN
                 (Rreth eseistikes se këtij autori)

Nga STEFAN MARTIKO

     Pirro Loli plotësinë e vet e ka arritur përmes përpjekjeve që synojnë racionalitetin, pra kapjen e çdo kuote me kujdes për të kuptuar më mirë se ku ndodhesh ; të gjitha fijet, nga jeta te vdekja, nga realiteti te ëndrra, atë e çojnë natyrshëm te letërsia. Krijues me synime që provon të gjitha gjinitë. Mungesën e njerës e plotëson te tjetra dhe në fund , sa për idetë, ato i shfaq hapur e drejtpërsëdrejti në ESSET e tij, që shënojnë një arritje kulmore të krijimtarisë së tij. Eseja  për çdo krijues është sprova përfundimtare, shenja e pjekurisë e do të thoshja dhe kënga e fundit e mjelmës, aristokratja e të gjitha gjinive letrare ku krijuesi ka vendosur të shfaqet e të shpalosë misteret e veta.
     Pirro Loli përmes eseve të tij hedh vështrimin mbi botën dhe ndalet atje ku mungojnë përfundimet e qarta, ku historia është në zgrip, ku herë herë një tabu duhet shkallmuar. Të rimarrësh Kazanxaqin, këtë shkrimtar të madh grek e botëror e përmes Zorbës së tij të kërkosh të thuash diçka që s’është thënë. Po ku e di Pirroja gjithçka që për të është thënë? Them se e di, sepse lexon shumë, s’kam njohur njeri e krijues më gërmues, grricës, të pangopur, ambicioz. Diçka di Pirro Loli që s’e dinë të tjerët, prandaj guxon dhe besoj se më të shumtën e herës ia del mbanë.”Kënga e tokës” është një ese tjetër për botën greke të lashtësisë, por duke përfituar nga liritë dhe mundësitë që të jep kjo gjini e mrekullueshme, Pirroja e braktis lashtësinë një çast e hidhet gjer në kohën tonë për ta bërë rrugën e gjatë të krijimtarisë njerëzore të cilën Eskili e vuri re i pari, duke parashikuar se kjo bashkëjetesë do të ishte e pandalshme. Eshte pasuria që ndoshta i shton lëndën që bëhet objekt i eseistikës së Pirro Lolit siç ndodh në esenë “Poezia kjo foshnjë e thinjur”, “Arti dhe farat e zeza të realitetit”. Lëndë e ngjeshur dhe njëkohësisht e çliruar, shumë dhoma, por të tëra të përshkuara nga ajri e dielli. Poeti ka vendosur të bëjë një udhëtim të një lloji tjetër në esetë e tij për poezinë. Duke qënë poet ai i njeh mirë mekanizmat e krijimit të saj. Në të zotëron mishi, ndjenja ,fryma. Po e marr si shembull këtë, sepse pas leximit të saj dal i mahnitur, takoj edhe veten dhe e braktis rishtas për ta gjetur.
     Brenda një eseje është i pranishëm lumi, lumi si ide e kohës me prurje për të kërkuar një shtrat më të gjerë, nevoja si rrjedhje e vazhdueshme për tu shprehur. E shoh këtë dhe e ndiej te eseja për Zorbën, për eumenidet, për Edipin e frikshëm, për poezinë dhe artet. Kjo do të më interesonte për të zbuluar veçanësitë e Lolit si eseist. Ai nuk “ngopet” me gjëra të lehta dhe e mbush mendimin me lëndë, me referenca të njerëzve më të shquar në plan botëror. Kjo mënyrë ligjërimi e lë esenë varur si kambanë kapur sa te poezia e te filozofia. E pra, mund të dëgjosh tërë tingujt njëherësh, por t’i ndiesh
edhe veç e veç. Një krijim që mëton të sjellë një harmoni të shumë elementeve. Nëse zërat janë fjalët e autorit, muzika ndjehet më në thellësi, ku autori është duke ndjekur ritmin e orkestrës. Ndoshta ndodh si në lojën e futbollit, ku nuk e ndjek dot tërë rrjedhën e lojës, por duke e shoqëruar topin e kupton se loja është në harmoni me të tërë elementet që, s’mund të jenë të tërë në vëmëndjen e shikuesit.. Me fjalët që dua të them dua të zbuloj të qenësishmen që më ofron në esetë e tij autori. Ajo që mbetet sepse kujtesa seleksionon edhe pjesën tjetër ia jep harresës së panginjur. Por shumë ndjesi të jepen, shumë gjëra mbeten për shkak sidomos të fakteve që ilustrojnë idetë., të cilat i ndien në pikën e vlimit të tyre. Që nga marrja e temës e gjer sa bie sipari i saj , Pirro Loli gjendet brenda një uniteti vlertash si një shtëpi që tashmë është bërë e tija.
     Unë duhet të shprehem qartë pse më pëlqejnë esetë e Pirro Lolit. Unë dalloj me lehtësi guximin e autorit me të cilin u afrohet temave të mëdha . Këtij autori nuk i intereson më ato që janë thënë. Në një vështrim kjo duket si një aventurë letrare, por në më të shumtën e herëve është kthyer në një fakt letrar që rigjeneron vetë letërsinë. Autori ka diçka tjetër që do të thotë. Te Zorba psh, (ese me 100 faqe) unë ndjehem mirë, mësoj të reja që më parë nuk i kam njohur, njëkohësisht më ndihmon ta shoh Kazanxaqin dhe Zorbën në raporte të tjerta brenda e jashtë veprës. Më afrohet edhe më tepër në kufijtë e inteligjencës sime, por edhe të kontiunitetit tim shpirtëror si ballkanas, si evropian. Guximi letrar te një talent është garanci për sukses. Por kur Pirro Loli shkon gjer te Xhonsi, kurajoja e tij të lë pa mend. Xhojsianët janë të rrallë dhe i kanë larguar duart prej tij si prej zjarrit. Loli guxon e i afrohet ngadalë, pastaj hyn në të edhe pse e di se në atë zjarr mund të digjet. Sigurisht që asnjë temë nuk mundet të ezaurohet plotësisht, por eseja e lë hapur debatin, nxit diskutime të pafund. Të tilla si te “Everesti mjegullor i letërsisë “, “Proçesi Kafka”, etj për proçesin krijues, poezinë a rrëfimin e rremë në prozë,motorrët e debatit letrar ndizen edhe më shumë. Realizmi gati quhet i ezauruar, (por unë besoj se ai është ende i pranishëm) dhe modernizmi i ftuar ta spjegojë botën në një stad të ri të zhvillimit të saj. Ka kundërshtarë të kësaj ideje ?Siguriusht. Por edhe ata nuk I ndalon kush për tu mbojtur e sulmuar estetikisht. Vetëm se debati  përballet me argumente letyrare më tepër se me ato historike. Sidoqoftë Pirro Loli po thotë atë që ai kupton si të nesërme, si të ardhmen e asaj që tani është e sotme. Në këtë vështrim Pirro Loli më duket se është një hap para kundërshtarëve të vet, sepse çdo zhvillim ka një kahje. Kush e kupton shpejt atë, mbartet natyrshëm për tek e ardhmja...

ME MUZAT A ME SIRENAT


 NJI HERË MBI DYKUPTIMSINË E “ZGJUARSISË”
                                                     OSE
                          DILEMA: A ME MUZAT, A ME SIRENAT

                           (Rreth romanit të P.Lolit Dashnorja misterioze)
                                              Nga Primo Shllaku

     E çuditshme kjo letërsia e sotme shqiptare.E çuditshme dhe frikamane deri në mohim të vetvetes.Nji letërsi që ka ma shum shkrimtarë sesa lexues,a nuk na duket e çuditshme?Nji letërsi e harlisun si bari i ligatinave pa asnji lloj kritike,a nuk na duket frikacake deri në vetmohim.
T’ia varim në gjoks pra ksaj letërsie medaljen e plumbët të vetmohimit dhe ta quejmë me admirim të thellë:vetmohuese.
Isha atje dhe s’âsht aspak nevoja të pyes a të informohem prej dikujt tjetër lidhë me ardhjen e romanit ma të fundit të Pirro Lolit “Dashnorja misterioze”.Romani shkaktoi nji topitje,nji heshtje sikurse të kishte ra bomba në nji shesh plot me njerz.Mbas pak filloi nji murmurimë e gjanë e cila vërtetonte se autori nuk kishte vra,por vetëm sa kishte tronditë.A mund të quhet ky veprim si i përshtatshëm për artistin e artin e tij?
Na mund të jemi edhe të bijtë e heshtjes,por vetëm atëherë kur verbi i lirë jeton në kushte kur s’mund ta shpërthejë barrierën e dhambëve.Heshja në liri(nëse e dimë se çka âsht liria dhe e besojmë atê) âsht krim i randë moral,ven në dyshim të plotë qytetarinë tonë fshatare ose qytetse dhe me zor na mban pa thanë se kush e thirri ketë,lirinë pra,se na nuk kishim nevojë për tê.Heshtja rreth librit të Lolit solli në plan të parë krizën e madhe të fjalës dhe triumfin mbytës të heshtjes dhe, mbas të gjitha ktyne,solli bujshëm për diskutim meritimin tonë të lirisë.
E di se autori merret me krizën e madhe morale e,për pasojë,të identitetit të intelektualit shqiptar në diktaturë.E di prej vetë atij,por edhe prej romanit të vet që e klith ketë zezonë.E dimë të gjithë mollën e kuqe që na e ofroi gjarpni në kopshtin tonë të Edenit.Por dimë edhe prej fushave të pamata të letërsisë e të arteve se ç’epshe fisnike e të nalta njerzore na falin muzat kur “puthemi” me to.Dilema e artistit në diktaturë nuk mund të jetë a të puthet me muzat apo me sirenat.Dilema e madhe dhe burimi i ankthit gjigand âsht gjetja e rrugëve për të mbijetue shpirtnisht e intelektualisht,pa i dhanë kuçedrës luksin e kullufitjes së nji kafshate të çmueshme.Kjo formulë vetëm përkohësisht përkon me humbjen e vetes.Ajo e len të hapun,të paprekun e virgjën pragun e ardhmënisë.Kurse shkuemjen drejt martirit nuk ka askush të drejtë ta rekomandojë përveç kulturave fondamentaliste aziate.Individi shkon drejt martirit për arsye të mbrendshme,njena prej të cilave kishte me qenë ndoshta padurimi për ta sfidue mashtrimin dhe iluzionin.
Romani i Pirros na flet për nji shkrimtar që karrierën e tij e ka ndërtue tue e dorzue veten te nji entitet tjetër që ai as racionalisht,as intuitivisht nuk beson.Kjo punë kryhet për hir “të zgjuarsisë”,për hir të asaj “zgjuarsie “ që i siguron të tashmen,jetën toksore,luksin dhe komoditetin.Ky kishte me qenë kuptimi i parë i ksaj fjale që ka kaq tepër të bâjë me ne.Personazhi i romanit âsht i molepsun me idenë e ksaj “zgjuarsie”.Ky pehlivan ua ka lanë personazheve të vet shpirtin, dëshmorsinë dhe idealet.Ai nuk ka të bâjë me ta.Ata le të vriten,ata le të vdesin,ky vetë duhet vetëm të jetojë.Dhe jo vetëm të jetojë,por të jetojë e të mbretnojë.
Shum prej nesh u trembëm me romanin se ai dukej se sillte në objektivin tonë zmadhues nji shkrimtar të njoftun,bile të madh,bile të paprekshëm,bile të padiskutueshëm,bile tabu.Kjo âsht  e vërtetë vetëm sa frika jonë prej tabuve që lidhet me komoditetin tonë mbrenda miteve dhe përkuljes para autoriteteve dhe aspak ndaj të vërtetave të thella e eksitimeve prodhimtare estetike.Mbasi ka rrethue me kujdesin e vet narrativ nji personazh epoke,nji dylber të epokës së shkatrrimit me sistem,mbasi e ka “lanë” të lirë të zgjedhë mes muzash e sirenash,mbasi ka guxue ai për vete t’ia çojë grykën nalt dhe t’i liberalizojë shinjestrat,ky personazh e ky roman mund të duket me të drejtë se aludon edhe për nji  autor konkret që s’po len me na vû dregëz plaga e jonë e mjerimit shpirtnor.
Romani âsht fryt i nji maratone krijuese drobitëse.Asht fundi i nji epoke ashensionale(ngjitëse) gati vertikalisht përpjetë dhe finishi i nji përpjekje nga ma seriozet për kapërcimin e vetvetes dhe të mbeturinave kryeforta të nji epoke inerciale që ngul kambë sepse ende e pa ndeshkueme prej historisë.Për shkrimtarin Pirro Loli  Dashnorja asht guri miljar që e ndan mëdysh krijimtarinë e tij e shënon fillimin e përmbylljen njiheri të nji stadi të lakmueshëm.Asht fundi i mëdyshjeve e zotnimi i guximit,sepse në liri duhet të guxosh shum e të rrezikosh shum.Jam i bindun se tash e tutje krijimtaria e këtij prozatori pjellor do të shqyrtohet kalendarikisht si para e mbas Dashnores.Artifici fort i sukseshëm i kamuflimit të problemit etik me anë të zbërthimit të perversitetit e deri mjerimit seksual të personazhit qendror të shokon,të rënqeth e të hjedh në tuç.Mbas ktij shoku veç e mbas ktij tuçi,ndihesh se ke ecë nji hap,se e ke lanë edhe pak mbas shpine nji epokë ndamja me të cilën âsht edhe shelbim,por edhe imperativ.Mbrenda kupolës së iluzionit madhor që i kishte shërbye si themel mjerimit tonë galopant,proza e masipërme e P.Lolit vjen si nji përpjekje e mundimshme për ta ça lvozhgën dhe për t’u arratisë prej asfiksisë së ambël të ktij iluzioni.Divorcin e vet me iluzionin Pirro Loli e këlthet edhe për të tjerët që naltsimi i tij të mos jetë i vogël e vetmia e tij të mos jetë kaq e madhe.
                                                 VRIMA DRITE
          Mendime rreth librit poetik "Urdheri i lotit " te shkrimtarit dhe poetit Pirro Loli
                                             Nga Primo  Shllaku

Jemi para nji libri te pazakonte ne pikpamje te temes qendrore. Nane Tereza na con menjihere te feja dhe dikush mund te thote me shume te drejte : cka ka shkrue Pirro Loli,vjersha fetare apo patriotike? Kjo pyetje e thjeshte dhe e vetvetishme qe mund t'i vije cdo njeriu, tregon edhe frikat tona. Frika prej patriotizmit asht nji prej reagimeve ma nevrike te publikut e te lexuesit shqiptar mbas gjithe atij keqperdorimi a perdorje te tematikes patriotike jashte stine e mbrenda propagandes.
Cka lyp sot nji poet te nane Tereza? Forcen konvertuese, dogmen,mrekulline,dimensionin e pavdeksise,dhimbjen per vetveten qe s' pranon me u pajtue me idene se uni i tij s' mund te jete i gatuem prej se njajtes lande si lakna,tulla e plehu,apo, mbrenda nji shoqnie te tehuejtun prej cdo spiritualizmi e dimensioni trashendental, e mberthyeme ne adhurimin e se dobishmes dhe pragmatikes, shembulli i Terezes se Kalkutes vjen si nji zgjim a oferte e rilidhjes me cungun e sakatuem te vetdijes kombtare para se me fillue kultura e mohimit te kulturave?
Ne mes te nji konfuzioni ku theksin kryesor e kane perkatesite, pra nji forme mjaft e sterhollueme e ndjenjes se pronsise, na e vendosim nane Terezen plotsisht e me te drejte ne anen tone e mandej, e lame atje te magazinueme, te pastudiueme, te mbulueme prej pluhnit te indiferences,te nji indiference ateiste, mjaft qe ajo te jete e jona dhe e ruejtun ne nji magazine tonen.
Pirro Loli shtron pyetjet: A asht ne gjendje sot shoqnia shqiptare e ndjeshmenia e saj ta rroke vepren e personalitetin e nane Terezes ne tane plotnine e saj? Ne cilen mase kjo shoqni qe gulcon per ta ndricue perkatsine e saj kombtare, identifikohet a perpiqet te identifikohet me vepren e humanizmin e ksaj grueje te panjoftun per ne deri kah fundi i vjeteve '80 e qe na « ra ne kopsht » pa mbjelle e pa vadite si mane qiellore? Mos valle kultura dhe ndjeshmenia jone jane kthye ne koleksioniste emnash herojsh dhe jo permbajtjesh e shembellytyrash?
Si e shpjegojne intelektualet shqiptare te sotem qe e kane hanger ose jane tue e perfundue cairin e vet mbi ket dhe,kete grue te vogel, xhuxhe pothuej,me vullnet e me veper kaq titanike e mbarenjerzore? Heroine, puntore sociale, individ me ndergjegje te nalte, "njeri i ri" ,pjelle e paprogramatizueme e nji epoke qe tjeterkund mbillte e tjeterkund mbinin ?
Une personalisht mendoj se cdo shpjegim racional i Gonxhe Bojaxhiut do te lente jasht pjese shume te qensishme te jetes se saj. Ksisoj avancoj idene se inteligjencia shqiptare, perfshi edhe ata qe kane luftue sinqerisht per skjarimin e etnise se shejtneshes, fale kufizimeve te botkuptimit e shterpsise qe la mbas vetes ateizmi i adoptuem dhe jo i zbuluem,nuk asht e interesueme kulturalisht ta shpjegoje e aq ma pak ta pervetsoje vepren e saj.
Mjerisht per ta nane Tereza asht nji drite qe s'mund ta shofin, nji flori qe s' mund ta peshojne,nji qiell me ajer te rralluem per krahet e tyne te atrofizuem. E vetmja gja qe mund te bajne ata asht te transmetojne papagalisht veneracionin dhe admirimin e te tjereve pa e pase pervetsue vete nane Terezen ose, cka mund te jete edhe ma skandalozja,pa e pase pranue ate as si te veten,as si model, bile as si fenomen tipik shqiptar.
Pirro Loli ne librin e tij "Urdheri i lotit" ua perqas sot shqiptareve nane Terezen dhe vlerat e saj autentike dhe, tue perdore ndjeshmenite e tij spirituale te origjines, perpiqet te hape nji shteg te thjeshte drejt vlerave e mesazheve te vepres se saj. Kujdesi i tij asht qe ky shteg te jete i tranzitueshem,i frekuentueshem,pa shume perpjeta e mundim, veper kjo iluministe per etjet tona te prapsueme. Ky hap poetik e iluminist njiheri perban te rene e te guximshmen e librit. Me gjithe thatsinen ne tregun e leximit te poezise, ai nuk rreket te zbuloje shijet e gatshme e te shfaquna te atij publiku te pakte qe pertyp sot poezine. Atij ktu i intereson te inicoje ngacmimin e nevojave per dimensionin e thellsise drejt botes trashendentale te shpirtit e te krijeses.Tue e njofte mire shkretinen te ciles i drejtohet,poeti zihet ngusht dhe s’ia lshon frenat pegasit te vet te flutroje atje ku ai fluturon per vete ate. Misioni asht delikat dhe fati i librit varet nga masa e ngarkeses. Autori i ka ece per vije temes fetare,e ka anashkalue me delikatese,ka ndeze dritat mbi vijen e demarkacionit dhe e ka ba te dukshem kufinin.Asht si me thane se ata qe s' kane sy me pa nji far, duhet te msohen me pa tue ia fillue per xixellonjes. Kjo veper filigrani iluminist asht percaktue kshtu prej perplasjes jo te padhimbshme te vetdijes se autorit per caqet e vetes me pafundsine e shkretines spirituale te rretheqarkut qe ushqen iluzionin e rreme te lirise. Duhet ta coptosh driten verbuese te nji fari ne miliona xixellonja,ne mnyre qe syni i topitun ekskluzivisht prej eksperiencave te dites, te marre racionin e vet te ushqimit e te terapise. Duhet te kete qene shume e vshtire per autorin dozimi i mases s e drites, me te cilen ai do te fillonte terapine e do te percaktonte racionin e sakte per te verbtit.
Asht e cuditshme sesi parabola e ktij misioni te tij kaq te mshefet e kaq te hapet njiheri,gjendet e trupzueme ne njenen prej poemave te tij ma te parandsishme me titull Vrima drite :
qe celin vrima drite / tek une e tek ti.
Dhe e pyesim veten pernjimend jo kush ishte nane Tereza, por cka ishte nane Tereza. Po i lejojme vetes kete jokorrektsi gramatikore sepse jemi te bindun se ajo nuk do te kishte kurrfare problemi me sedren e saj, poqese do ta shifte emnin e saj te shkruem edhe shkronje te vogel si te ishte emen i pergjithshem. Tue zbrite tek pjesa prej sendi e subjektit te saj, tek ky rast kemi te bajme me nji sjellje te pazakonte te un-it dhe te libidos. Nji shembull kaq i hatashem i altruizmit e i vetmohimit, ku epshi i te qenit shtojce e nji subjekti tjeter per t'i lehtsue dhimbjen ose per t'i zgjidhe nji problem ekzistencial,tregojne per nji "une" e per nji libido te ndrydhun deri fare afer asgjasimit te tyne. Simbas psikanalizes dobsimi i libidos dhe zbehja e unit edhe ne masa shume ma pak evidente se ky qe po shqyrtojme, shkakton patologji, neuroza te thella e disa lloje psikozash. Subjektet me libido te dobsueme e "une" te shpartalluem shfaqin paperjashtim prirje te pakundershtueshme drejt vetvrasjes. A ka ndonji logjike a arsyetim qe ta shpjegoje vepren e ksaj grueje si nji lloj varianti vetvrasje? Pesedhjete vjet vetvrasje tue sherue, tue shkollue, tue asistue njerz ne castin e mbrame e te vshtire te kapercimit, lkure-me-lkure me gerbulen, smundjen makabre te ronitjes se mishit? Une nuk shof prirje per vetvrasje. Shof sfide ndaj vdekjes, nji te hangun sysh me te,dhamb per dhamb. Dhe vazhdimsine e jetes qe ka shijen e fitores, ku kjo e fundit nuk asht ngjarje por ekuiliber.
Varianti tjeter shpjegues i fenomenit "Gonxhe Bojaxhiu" do te ishte interpretimi i saj psikik si nji individ ku nji "une" tejet i fuqishem vershen dhe permbyt te gjitha kategorite e tjera te struktures se psikes, asgjason deshirat e mdha e te vogla te jetes dhe mbretnon i vetem si monokulture ose si fatalitet. Ky kandveshtrim e perqas shum shejtneshen tone me kategorine e herojve dhe te heroinave. Por edhe ktu me duket se ndryshimi asht thelbsor. Ne castin e hymjes ne luftim herojte perfshihen prej nji eksitimi e paroksizmi qe pak a shum ua deh atyne vetdijen qa ta peshojne realisht se me se jane tue u perballe. Herojve qe hidhen ne beteje u mungon ne at cast kthjelltsia e kjartsia e vetdijes dhe e qellimit, sepse instinkti i vetmbrojtjes ndodhet ne zenit te eksitimit dhe roli i tij shfa qet i pamjaftueshem. Kurse per Terezen e Kalkutes thone se shtrihej, u qasej, i merrte ngryke pa asnji rezerve te smundet e saj dhe rrinte per te gjate nates e perqafueme me ta derisa jepnin shpirt ose baheshin ma mire. E futun ne votren e infeksioneve te llahtarshme, asnji instikt i vetmbrojtjes, asnji pamjaftueshmeni e rolit te tij nuk ia turbullonte vetdijen dhe qetsine asaj. Pervec kohes qe lutej, ajo komunikonte normalisht me te smundin, fliste me te, e inkurajonte, i bante katekizem,gjithsesi nji dialog lucid e i kthjellte.
Pirro Loli qe e ka zvjerdhe me kohe teorine e herojve e te heroizmit, nuk mund te pajtohej as neper mend me etiketimin heroine te nane Terezes. Mllefin e vet per heroizmin jashte epoke dhe keqperdorimin e tij mbrenda stines komuniste, poeti e gjen te trupzuem te modeli absolut joheroik i nane Terezes. Me marifet e zgjuetsi poetike, ai i mpleks idealet e veta me esencen e nane Terezes, dhe si te gjithe moralistet kur gjenden ne nji bote pa virtyt, i sillet nji autoriteti epror, e intrigon ate tue e implikue ne punet toksore. Asht fjala per poemen Lutje jashte lutjeve tek cikli i trete me titull Kenga e gjarperit. Stina joheroike e letersise perkon fatlumnisht me altruizmin joheroik te vepres e jetes se Nane Terezes. Ket fakt autori i poezive nuk e len me i ike. Prirjet historike te letersise bashkekohore,ne rrjedhe te te ciles vozit poeti, perforcohen tue thirre ne ndihme edhe retoriken e heshtun te moralisteve te vendit. Kumbona e mbarimit te eres epike bie ne nji faqe.Por poeti s'asht ende i sigurte:
Vendin tim e kane lodhur heronjte!
Mandej vjen lutja e vertete:
Dhe ruajme nga heronjte!
Me interes me duket ne ket liber edhe shartimi i motiveve e temave.Mbas nji karrelate poetike mbi jeten e castet kryesore te jetes se Nane Terezes,ku vend kryesor zen sa poetizimi por edhe persiatja e kontemplacioni, Pirro Loli hidhet ne motivet e perditshmenise, tue ruejte me kujdes tonalitetin simbolik e ajror te pjeses kushtue Nane Terezes. Poeti kalon nji martir te vetin kur, koken plot me driten fareve qe ndrisin konstante pa e ndie hic fare te ndrruemit e stineve,nder kambe i ngatrrohen zvarranike e ferra,pllumbat metamorfozohen ne gjarpij e stina e lirise ende s' po e cliron shpirtin prej eklipsesh.
Balada e pellumbit asht nji realizim interesant mbi raportin liri-njeri. Ktu s'asht ma fjala per lirine e dhane, por per lirine universale,lirine e krijimit e te vetkrijimit, te kultivimit e te vetkultivimit, per nji naltsim shpirtnor drejt kerkimit personal te te vertetave personale. Mbrenda nji forme disi bukolike e barok (se barokun me kujtojne fjongot) zhvillohet e shperfytyrohet pllumbi i P.Lolit ,i cili nuk duhet pa aspak si njeriu i virtytshem, por thjesht si njeriu i pabame, njeriu ende i papercaktuem ne paradhomen e "procesit social e historik", shndrrimin ne rang specje te te cilit autori do ta paraqese si tragjik.
Tashti due te ndalem pak tek vargjet:
Liria / plas / ne mua / si kryq.
Gjashte fjale. Tue perfshi ne to edhe parafjalen, edhe lidhzen krahasore. Gjashte fjale qe jane shkrue per te krijue nji konfuzion te madh,hutim,ndoshta edhe buzqeshje. Buzqeshja me origjine moskuptimin ose shperfilljen realizohet lehte sepse nji pjese e madhe e lexuesve, edhe e poete-lexuesve nuk jane te stervitun me zberthye strukturat eliptike (hermetiket, mos o Zot!).
E ndiej per detyre ta zberthej kete strofez te thate litotike, sepse ajo pikemasepari te krijon hutim. Dhe hutimi ne lexim ne shumicen e rasteve paralajmron mineral. Strofa ka tri gjymtyre: liria-plasja(eksplozioni)-kryqi. Kurrfare lidhje racionale mes ktyne tri fjale. Nji bujk do ta quente "korr e mos lidh". Ta lame bujkun ne shejtnine e vet e te merremi me shejtnine e poezise. "Liria" koncept mjaft abstrakt, "plasja" shume konkret,"kryqi" aq sa konkret, aq edhe abstrakt sepse simbol. Me duket se fjala "kryq" me sjelljen e vet te dyfishte, sa konkrete edhe abstrakte, futet ne mes "lirise" e "plasjes" dhe e zbut fenomenin e "flakjes" qe shkakton pranevumja e ktyne dy njisive heterogjene ne pikpamje te landesise.Rreshtimi i ktyne tri gjymtyre, mbas hutimit e mbas ngulmimit, nuk rrin ma si ma siper, por kshtu: liri-kryq-plasje.Na duket se me ket spostim vendesh ne aksin e logjikes fjala "kryq" e humb tashma veshtrimin krahasimor dhe fiton te drejten e literalitetit ose te njimendsise. "Liria" deri tashti kishte "ngece" se nuk mund te plaste. E, aq ma pak, "kryqi".Tashti perqasja ndodh dhe ngul kambe mes "lirise" e "kryqit". Kjo perqasje kambengulese shkakton zberthimin e ktyne dy koncepteve dhe, kur ky kryhet,perbameset kuptimore ndodhen ne nji pozicion edhe ma te afert derisa me dhane kuptim pothuejse te njimendet e linear. Shkurt, fjala "liri" zberthehet ne perbameset e veta kuptimore: "zgjedhje","zotnim","krijim", "pergjegjesi", kurse fjala "kryq" si "figure gjeometrike e sajueme prej nderpremjes se drejtzave pingule", "simbol i fese se krishtene", "mundim i pafund", ose si "ndeshkimi ma i eger i pafajsise". Perbamesja "zgjedhje" e gjymtyres se pare perqaset me perbamesen "ndeshkimi ma i eger i pafajsise" dhe prej kndej del edhe kuptimi i poezise Germadhat se individi i paguen shtrejte zgjedhjet e veta te lirise ose,se ata qe gogsijne, aprovojne, konformohen dhe nuk guxojne, e sigurojne luksin e rehatit pikemasepari tue i ba atentat, se pares, lirise se vet.
Mendoj se ide e forma te tilla te mendimit poetik nuk i gjejme edhe aq shpesh ne poezine qe shkruhet sot nder ne e qe mugullon e shndetshme si fara e hithave. Pirro Loli ka prirjen ta distiloje landen e poezise se vet,ta ngjeshe dhe ta baje sa ma te tejdukshme. Ajo asht nji poezi sensuale derisa na con te shijojme ngjyra,tinguj e deri aroma. Pavarsisht prej preteksteve qe rremben, Loli e perdor poezine per te ba propozime,ku kelthitese e ku ne surdine. Nane Tereza ishte nji shkas i bukur per t'i hape poezise nji dimension kah fryma. Ai e di mirfilli se as Nane Tereza, as fryma nuk jane ne mode. Ndoshta mbrenda tij ai nanuris idene e te qenit pararojes, edhe pse sot objektet e vemendjes se tij mund te jene jashte mode.

                       Mbi librin e P Lolit. Dumvirati i një stine që shkoi.
                                               Nga Primo Shllaku.

Librat e mirë gati të gjithë lindin si libra të këqij. Them të këqij sepse ata nuk pëlqehen, dhe ajo që është edhe më e rënda, shqetësojnë. Ky libër është lexuar dhe ka shqetësuar. Bile ja të gjitha gjasat që ushtarëve të përmendur në këtë mega ese, të jenë lajmëruar përmbledhtas për përmbajtjen e këtij libri dhe të kenë shprehur, shpërfilljen e tyre të radhës. Por libra të tillë nuk shkruhen për ata, që përmbahen tek titulli, por për at[ë pjesë të vogël a të madhe të kulturës shqiptare që dëshiron ta bëjë hapin, ka vullnetin dhe mjetet ta kryejë kapërcimin dhe të mbyllë një stinë të thatë, që na shoqëron përtej kufijve të saj historik. Nuk është e vështirë të bëhet diagnoza e të gjithë atyre lexuesve, që ndjejnë dhimbje për idhujt e vet, të një stine që shkoi. Unë them se pjesa më e madhe e tyre, e kanë pas gjetur veten, në atë regjim dhe shihnin tek këta dy idhujt e epokës, një ideal rrekës, që shfrytëzonte specifikat e artit, për të dubluar me saktësi politikat mahnitëse të një partie shtet.
  Këta të dy autori, si Kadareja ashtu edhe Agolli, kanë qenë të kapërthyer kaq ngushtë me diktaturën saqë hapësirat për një letërsi demokratike, humane ishin diku afër zeros. Lidhjet e këtyre autorëve me demokracinë, ishin deri në masën që mund të hapej e të zinte e ashtuquajtura demokraci socialiste. Nëse Kadare tha ndonjë gjë ndryshe, ajo nuk ishte fondamentalisht e tillë, ajo ishte stilistikisht e tillë. Për këta autorë që arritën majën e piramidës, edhe si famë por edhe si pozitë sociale, realisht nuk e ekzistonte hapësira për të thënë gjëra kundër regjimit, ose për të zhvilluar një art sovran e të qëndrueshëm. Askush nuk mund e nuk duhet ti akuzojë për këtë, sepse kur kohët janë të pamundura, gjëja më e mirë që mund të bësh është të ruhesh. Dhe ata nuk i ranë murit me kokë, dhe e ruajtën veten. Por automatikisht lind pyetja. A kishin vallë diçka për të thënë tjetër përveç asaj që thonë zyrtarisht? Siç doli më vonë ata nuk kishin diçka tjetër për të thënë, dhe se arti i tyre ishte një kalimsh pa alternativë, me një kuptim funksional e shërbyes. Në intervista të ndryshme, thonë se nuk ishin guximtarë, se nuk e ndjenin të bënin dëshmorin etj. Shtat të vërtet artistik kanë bërë vetëm ata personalitete që iu janë përgjigjur sfidave të kohës, dhe jo ata që i kanë marrë rrymat e kohës. Kush i qëndron kohës mbetet me kohën, kush rrëshqet me kohën, përfundon me epokën. Ky është për fat të keq çmimi.
   Një pjesë e nostalgjikëve kanë frikë se po të ikin këta të dy, ata mbeten vetëm. Po, na që shkruajmë mbetemi krejt vetëm pa paraardhës të afërt e kulturalisht të frakturuar. Kjo vetmi është e tmerrshme, e rëndë, por dhe e frikshme. Prapë përgjegjësia bie mbi ata që nuk menduan me atë hovin e tyre të përkryer drejt lavdisë dhe pushtetit. Se ata nuk ishin fundi i botës, i historisë e i letërsisë. Historia dhe shoqëria krijuese shqiptare u ka rezervuar dyshimin e deri përbuzjen. Ylli i tyre ka perënduar dhe inercia e elitave kulturore që nuk ndryshuan ende tek ne, i mban në këmbë me kokëfortësi duke injoruar kështu vazhdimësinë dhe logjikat e ripërtëritjes. Idhujt me përcaktim janë të rremë dhe koha jonë sot duhet ti rrëzojë ata, ose ti reduktojë deri tek vlerat mbetëse. Deveja nuk hyn dot në parajsë me gjithë gungat. Libri i P Lolit është një përqasje trimoshe e problemit themelor të kulturës sonë në këtë moment. Çdo të bëhet me produktin e Realizmit Socialist? Do të mbajmë autorët e do të hedhim veprat, do ti mbajmë të dy apo do të presim ndërrimin e elitave dhe pastaj të pastrojmë mesin prej gërmadhash?
   Loli është pararendës dhe s’ka kohë të presë ndërrime elitash. Ai qysh tani po përgatit elitën e re që do vijë. Sepse elitat nuk alternohen si ndërrim turnesh që kur je ti unë s’jam, e kur jam unë nuk je ti. Elitat e tejkaluara qofshin këto të mbështetura edhe nga shteti, e serioziteti institucional e akademik, përleshen me elitarizmin e ri dhe i ndryshojnë raportet në favor të së ardhmes. Loli ka përdorur me elegancë kombinim e lëvdatës e të miklimit me dackën e fortë e dajakun kockëthyes.
   Shepsh më duket se vet Loli trembet nga vet rruga e të pjetat ku e fut arsyetimi i tij luftarak. Ai kërkon argumentet brenda veprave letrare por detyrimisht zgjerohet tek lidhjet e veprës me jetën dhe personalitetin e shkrimtarit. Ai mendon se shkëputja e veprës nga jeta, është një spekulim dinak, i cili minon etiketën universale e atë të autorit. Mëkatarët e mëdhenj mesa duket kanë nevojë për gjykatës të trullosur. Libri nuk bën thirje për po për divorc. Dënimin e kërkojnë të dobëtit, ndërsa divorci do trima, njerëz që pranojnë amputacione të dhimbshme në trupin e tyre. Letërsia shqipe nuk mund të mbetet peng në dorën e një plejade koha e së cilës ka ikur, e kohën e së cilës çdo ditë mundohemi ta dëbojmë.
    Thirrjet për art të kulturuar e për degustinë të pastër estetik, janë sa të pamundura aq dhe jo historike. Na e ndjejmë forcën e talenteve por duhet të mos kënaqemi deri sa të takohemi edhe me realizimin e talenteve. Talenti është aftësi, përvojë, profesionalizëm. Talenti vetëm nuk e presupozon humanizmin. Pozicioni i artistit në jetë, ka reflekse të pa ngatërrueshme te vepra.
      Vende vende P Loli duket sikur t sikur tallet me shpikjet e më të fundit të estetëve të sotëm që na rekomandojnë si rrugë objektive dhe kombëtare që kur të përkulemi ti marrim erë lule qepës, të imagjinojmë karafilin. Këta bij të imagjinatës që i shpëton arsyes e cila shqetësohet po të jetë esëll, nuk mund ti përmbysin ligjet themelore të leximit e të perceptimit. Koha që jetojmë me gjithë turbullirën që e karakterizon është koha e ballafaqimeve dhe jo e mballosjeve. Kultura e sotme shqiptare dhe politika kulture e shtetit shqiptar duhet ta pranojmë edhe në këto fusha pluralizmin forcë që sjell kapërcime dhe vertikalitet. Libri i lolit me gjithë seriozitetin e temës dhe të argumentit, vuan keq nga një sëmundje, që ia rrëzon krahun. Ka shumë pasaktësi korrektimi që tregojnë mangësi të shtëpisë botuese. Një libër që merret me korifej duhet të jetë korife i shtjellimit kritik, siç është në fakt puna e autorit, por edhe korife i paraqitjes gjuhësore dhe redaktoriale.

TRAGJIZMI MIDIS DY POPUJVE


TRAGJIZMI MIDIS DY POPUJVE
                                                          Alush Avdyli

      Besoj se ‘‘Qyteti me dy kate’’i shkrimtarit Pirro Loli është një vepër kurajoze, e padytëshme në procedimin artistik të historisë, analizë zhbiruese, gati patografi.
Në qoftë se historia do të ishte e kthjellët, ky libër nuk do të ishte shkruar. Ngaqë akoma perspektivat ushqehen me tru luani, libra të tillë do të rrezatojnë gjatë...Edhe pse kohët si gjarpërinjtë kanë çaste të bukura ndërrimet e lëkurës. Aq më shumë kur drejtësia është vonesë. Zgjidhjet janë të qullëta, si të ziera. Sa ngjarje u zhvilluan ndryshe nga interpretimet e qorrollisur. Është hipokrizia planifikim i vetvetes në përftesa dinake.
Janë epshet kombëtare për harta dhe histori. Po sikur në mitrën e së sotmes të rritet heshtja që do të lind e vdekur?!.. Kjo do të jetë tragjedia e radhës. Më tej me pikëllim të zbardhur do vështrojmë fantazmën e së vërtetës të pagëzuar si histori. Ne akoma na torturon kompleksiteti se armiqtë që nuk mund të fitohen, janë njerzit e të njëjtit gjak. Për këto arsye ‘‘Qyteti me dy kate’’ na trazon shpesh kujtesën e ndjenjave.
Sa për etimologji: ‘‘Qyteti’’është rrënja boshtore e mbiemrit të përbashkët Lejlekbin. ‘‘me dy kate’’, ndarja, shtesa, toka dhe nëntoka, cilësitë e veçanta të Sagapinëve e Genarbinëve. Popuj të një gadishulli që i mundon identiteti i lashtësisë. Historia e njërit adhuron sinekdok-ën, pa eufemizëm. Dy popuj, protagonistë të sëmurë për vdekje në një lojë groteske. “Thua ku fillojnë çlirimtarët e ku mbarojnë pushtuesit. Koha në krizë, kur pjesa niset për plotësim tek e tëra. Roman dramatik me ngjyrime tragjike. Kohë artistike. Dendësi ngjarjesh, imagjinatë ekspresive dhe oksimoroni. Që në faqet e tij të para griset perdja e dramës: Dekor i pështjelluar, gri .      Befas në doganën e një vendi fqinjë shfaqet një personazh atipik, ( unë ose ti) i çuditshëm, emblematik, i vetquajturi
‘‘burri mbret’’,   i cili vë në lëvizje tërë mekanizmat e ndryshkura të shtetit sagapin. Një genarbin i ditur i bërë njësh me historinë e popullit të tij deri në vetautorësi, kërkon të shkojë tek ‘‘Qafa e diellit’’(prejardhja e tij) përfundon pa pritur i arrestuar. I pa konkretizuar, pa moshë,  një kod vetzbulues dhe i ngecur në kohën e tij si në të tjetrit.  Absurd kur futet në rolin e të vdekurit energjik. Botë retrospektive, përsiatje e saj e dhimbëshme. Brenda domethënies tërësore vuajmë  metaforën rënqethëse të historisë  si mbijetesë njerëzore. Drama që luhen në skenat e errëta të trurit. Sa obligim, si      pjekuri     artistike, qëndrime filozofike, përshkrime mjeshtërore, pasazhe turbulluese, rrjedhë e shpenguar  gjuhësore.. Investime të begata: Mitologjia si kuintenca e dijes dhe përvojës njerëzore, shtresa arkeologjike, legjenda e antropologji, thesare folklorike dhe...Pasuria tejet e hipotekuar në kujtesë : - Kam tokë dhe nën tokë, ara dhe livadhe, mal dhe det, ullinj qindra vjeçarë dhe portokalle, varret e të parëve, kam legjenda dhe këngë, valle, dashuri, mëri, komshinj dhe diçka nga dielli e hëna...
(Pjesë nga deponimet e ‘‘burrit mbret’’ përballë kryehetuesit sagapin Prokop Graçanini, një figurë  e përmasave demoniake).
Në arkitekturën mugëtore të romanit hapësira e narracionit rrezonon deri në hone të largëta kohore.
Pirro Loli ndoshta është një nga shkrimtarët më energjikë të letërsisë shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit, me dhjetra libra me poezi, tregime, romane, memoriale, ese... Pa rënë në grackën e superlativës mund të them se është ndër eseistikët më të spikatur, me cilësi thelbësore të veçanta. Edhe në veprën që bëjmë fjalë, një nder vetitë dalluese të  autorit është edhe guxim krijues, që e çon deri në fusha të ‘‘minuara’’. Eksplorues i të vërtetave  të dhunëshme. Tërë historia e konvertuar në letërsi mbi trapezin e së tanishmes: Origjina, qytetërimet, lufëtrat e gllabërimet, vdekjet e mëdha e ringjalljet, genocidi, mashtrimet, helmime enigmatike, pabesitë  deri tek  krijimi i   komisioneve fantazmagorik të ideve të mëdha genocidiste ose si largpamësi të poshtërsive konstante...Por si do që.... shosha mbetet pamundësi në mbulimin e diellit.
Si fillim dashuria e urrejtja janë të njëjta gjëra, pastaj e përbashkëta dhe e veçanta të aksidentuara. ‘‘Ne kemi gurë të rëndë në kujtesë’’..Në qiellin e mirëkuptimeve lëvizin yje të trembur..Dy popuj nga më të vjetrit e Evropës, në këtë libër, përjetojnë veten tek njëri-tjetri. Është identiteti i lashtësisë që i mundon pafundësisht, deri në ethshmërinë  për ndërtime absurde ‘’qytet mbi qytet’’..Duhet thënë se ekzistojnë dhe dështimet. Ja  në kapitullin ‘’Kataklizma’’  Vasil Gjuhëpreri, kjo fizionomi e dridhur deri në tkurrje nga gjurmë makabre, zë i humbur, rrëfen me pamjen çoroditëse të vështrimit :- ...Qyteti muze i vdekur. Qyteti mijëvjeçar kishte shpërthyer portat e bodrumit dhe kishte dalë duke flakur kokallat e tij në det. Ndoshta kishte bërë zgjidhjen përfundimtare... Por jo, vjen më pas detrrethimi dhe qyteti parreshtur armiqësohet me katet e tij”... Tablo surealiste, polifoni e lashtë, klithma tragjike si të dala nga poema-baladë e poetit Bilal Xhaferi.. Është shpirti i copëtuar i një popullësie nga më vitalet.    
Ke përshtypjen se në kapituj të veçantë,  shkrimtari nxjerr ferrin në epifanie.
Ndjen përqafimet e dritë-hijes në çastin sublim të shkëmbimeve kur lexon : ‘ ‘Një hetues që pushtohet nga viktima e tij...Janë çaste që hetuesi prek lirinë e vet’’.
Metamorfoza vuan gjendjet e saj. Fjala që digjet, jermon gjuhën poetike në këtë roman si pjesë e letërsisë së mirë bashkëkohore. Një mesazh madhor ambiguik, sipëror që shpërndahet gjithandej si trishtim i argjend:
‘ ‘Botën e pushton mëndja, gjuha, arti, jo shpata .Ne edhe mendjen edhe kulturën e varëm në shpatë’’..       Duke përfunduar leximin e ‘‘Qytetit me dy kate’’ të ngërthen ankthi i një pyetje.
Po sa të tmerrshëm janë përbindëshat e shpirtit njerëzor në përplasjet e verbëra..?!
Edhe diçka tjetër. Romani ‘‘Qyteti me dy kate’’ është apeli për zbutje deri në mundësi pajtimi.Të gjitha agullimet premtojnë. Kur guxon, të vërtetat , ato mbulohen nga një ndriçim i dobët.
Duke huazuar Carlos Fuentes do të ritheksoja se, romani na rrëfen atë çka historia nuk e tha, e harroi apo nuk denjoi ta përfytyronte. Kështu ndodh në rastet e librave të tillë, shkrimtari bëhet më i besueshëm se historiani.

                                       ATHINE, 2010.

KONTAKT


Kontakt:
TEL: +355422450605
CEL:              +355693483078      
E-MAIL: pirololi@hotmail.com

QENI PLASTIK


PIRRO LOLI

QENI PLASTIK


”QENI PLASTIK”:(botuar në Tiranë,2001 nga albin) Edhe ky roman ,duke patur në qendër një bërthamë simbolike,shpalos ngjarje sa të ditës e aq të kaluara,gjithsesi me një llogjikë absurdi.Një personazh,ish i deklasuar,zgjidhet kryetar i komisionit qendror të verifikimit të figuravë të larta të shtetit.Në duar ka një qen të vogël plastik(lodër) që e prish dhe e ndreq orë e cast e i jep të gjitha format e dëshiruara. Ky komision merret me gjithçka, përjashto vetëm punën funksionale. Me të shpaloset historia e shqiptarit,një histori sa heroike ,aq aventureske , mbushur me dhunë e intriga udhëheqësish provincialë,një histori që s’ka provuar asnjë përmbysje të vërtetë shoqërore,asnjë jashtëqitje,asnjë të vjellur, e,duke bashkëjetuar me të keqen, është njësuar me të, deri në një tjetërsim plastik. Kryetarit i bije në dorë edhe dosja e një punonjësi të tij((personazhit kryesor të romanit) që, duke dashur të gjëjë persekutorët e tij, hap drama edhe më të mëdha se dramat e ish diktaturës,sepse e ka spiunuar ….
Romani u kushtohet atyre që dinë të falin dhe shpalos artistikisht fatin e një populli,shkruar më një prozë poetike mbresëlënëse.

PIRAMIDA PREJ MJALTI




PIRRO LOLI

PIRAMIDA PREJ MJALTI

”PIRAMIDA PREJ MJALTI”:(Tiranë,2001,nga albin) Është një roman simbolik ,ndërtuar me një arqitekturë krejt të veçanë e plotësisht bindës.Një mjek i deklasuar pushohet nga puna si kirurg dhe dërgohet në fshat për edukim.Atje ai mbyllet në vetvete dhe detyrohet të merret me kultivimin e bletëve për të siguruar jetesën.Një ditë sekretari i partisë i bën propozimin më të çuditshëm: ta detyronte një koshere bletësh të shkruante në reliev me mjaltën e saj, fjalën e dashur PARTI dhe pastaj këtë telajo t’ia shpjerë udhëheqësit për dhuratë në ditlindje.Shkencërisht e pamundur kjo,por puna filloi; e  gjithë kosherja,me të gjitha organikat e saj ,që nga bleta më e thjeshtë punëtore e ushtare nga skuadrat e punës,të mbrojtjes,të sigurimit,të informacionit etj, mobilizohen të shkruajnë fjalën magjike deri në çmendje, ose deri në roitje.E mbetur pa ushqim,mbërthyer me urrejtje brenda vetvetes, gjithë kosherja e trullosur roit në kërkim të një mbretëreshe të re,ose merr rrugët maleve,gërxheve e deteve për ekzistencë. Ashtu si Shqipëria ,ulërin në heshtje autori,ndërsa si bletërritës,me një fshesë të vogël,fshin viktimat që shtohen përditë e bien në hon….

INTERVISTE ME NJE GUR



PIRRO LOLI

INTERVISTË ME NJË GUR


”INTERVISTË ME NJË GUR”:…(botuar në Tiranë,2000 nga albin)  ….Një i ri shqiptar qarkullon rrugëve të Athinës me nje torbë në shpinë.Atje ka kockat e vellait të vogël që ia ka vrarë mafja pasi i grabiti edhe rogën e një muaji.Pas katër vjetësh eshtrat e tij i nxjerrin nga varreza se nuk janë paguar katër milionë dhrahmi që koston sipërfaqja e varrit dhe i vëllai detyrohet ta mbajë mbi shpinë.Është viti i keq 1997.Ngarjet e romanit transferohen në një qytet të gurtë shqiptar ku, në situata të jashtëzakonshme e absurde siç qe ai vit,as atje nuk mund të varrosen kockat e emigrantit sepse është grabitur varreza dhe …. Të gjithë njerëzit e këtij qyteti e kanë mbiemrin guri. Se të ashpër janë si gurët e qytetit.Dikur në radhë e të shtypur ,të vendosur në mur ku i kërkonte i zoti,tani, ashtu të papronë,të paemërt,kanë filluar të lëvizin, e, në kaos,shtyjnë e plagosin njeri tjetrin ;duan të bëhen edhe gurë qosheje e përpiqen të pasurohen me thonj e me dhëmbë sa më shpejt, pa kuptuar që rendi i ri është  zbatim ligji dhe alternativë gurësh…Personazhe krejt origjinale,të përçudnuar ka  ky qytet i vjetër që u ka rezistuar armiqve qindra vjet, por tani po prishet nga  të vetët.

LOTET E DIELLIT




LOTËT E DIELLIT
(Roman)
Është botuar në Athinë nën kujdestarinë e presidentit të arvanitëve, stjuduesit dhe albanalogut të njohur, të ndjerit Aristidh Kola në vitin 1998. Ёshtë pritur me entusiazmë nga lexuesi dhe është nga romanet e rrallë që është shitur pothuajse plotësisht.. Në qendër ka një personazh mafioz që arrin të rrëmbejë ish gruan e tij  të re dhe ta trafikojë bordellove të Athinës. I ati , një njeri i ndershëm shet gjithçka, rregullon një vizë greke dhe i qepet të birit mafioz duke kaluar peripeci dhe pengesa të jashtëzakonshme. Pasi bën të pamundurën për ta kthyer nga rruga, pasi bindet se djalin e tij mafioz e mbron , jo vetëm mafja greke por dhe policia, plaku kthehet në vendlindje dhe var në të gjitha shtyllat e qytetit një nekrologji ku njofton vdekjen e djalit të tij të vetëm. Hap kësodhin në shtëpi dhe pret ngushëllime për të vdekurin, aktualisht mafioz e milioner me paratë e trafikut të femrave.
Romani ngërthen emocione të fuqishme, njerëz , situata , ngjarje nga më absurdet dhe nga më tronditëset që vetë kriminelët mund t’i bëjnë. Ky libër, i pari roman i autorit i flet kohës estetikisht për  një nga dukuritë më të shëmtuara, të pseudodemokracisë, trgëtinë e mishit të bardhë

KITARE E BRAKTISUR NEPER ERE


KITARË E BRAKTISUR RËNKON NËPËR ERË...

Bisedoi J.GJONCAJ


Presidenti shqiptar, zoti Alfred Moisiu dekoron  me “Medaljen e Mirënjohjes” shkrimtarin  Pirro Loli me motivacionin “Për nivel të lartë estetik në krijimtarinë letrare dhe publiçistike si dhe për kontributin aktiv në jetën shoqërore e kulturore në emigracion”


KRIJIMTARIA LERARE

POEZI

DRITA E VETËTIMËS
DHIMBJA E URËS
DRITARET E SHIUT
VDEKJA E TRËNDAFILËVE
URDHËRI I LOLTIT

ROMANE

LOTET E DIELLIT
INTERVISTË ME NJË GUR
QENI PLASTIK
PIRAMIDA PREJ MJALTI
DASHNORJA MISTERIOZE

ESSE-REFLEKSIONE

ITAKA BRENDA MEJE
KOSOVA SAGA E BALLKANIT(Me bashkëautor PRIMO SHLLAKU)


     Zoti Pirro,si e përjetuat dekorimin? Ndërsa jeni nga më të njohurit në emigracionin shqiptar në Greqi, nuk njiheni siç e meritoni në Shqipëri, apo jo ?

Kjo që thoni është e vërtetë. Është një e vërtetë e dhimbshme për të gjithë krijuesit e larguar. Kështu ,shpërndarë nëpër botë,ngjajmë si jetimë pa nënë e pa baba. Por çdo e keqe e ka një të mirë. Unë gjeta vetveten me një punë intensive. Është dhe meritë e gruas sime që,duke mbajtur familjen, nga rrethanat e vështira ,më nxorri mua në “krijimtari ë lirë.”
   Dekoratën e përjetova si një befasi fatlume. Mu duk vetja e rrethuar me mirënjohje. Një zë i ngrohtë më erdhi nga atdheu. E , kur kjo mirënjohje zgjatet në KRIJIMTARI, unë e përjetoj dhe si thirrje për tu kthyer atje. Se vetëm atje, për mendimin tim, verifikohet artisti, atje është drama dhe poezia,frymëzimi dhe nderi. Është shumë pak të themi se atdheun e kemi marrë me vete. Nuk jemi në kohën e Rilindjes. Jetesat e gjata larg atdheut të lënë pa lexues, pa emër, pa vulë. Dhe ana tjetër, atdheu nuk është ai i pari. Ai atdhe që ka dhënë dhe prova persekucioni për shkrimtarët e vet, nuk është më. Me gjithë hallet e shumta, atdheu demokratin, po e kërkon intelektin e vet, fatkeqësisht, shpërndarë keqas nëpër botë.

-Te poezia “Arti” ju thoni; Nuk arrij dot te palca e fjalës/ Ndaj gjuhën e preva....Pse ky pesimizëm ?Mos e kam gabim ?


-Poezia vazhdon;Nuk i dalloj ylberet në ajër/ Ndaj barkun e diellit e çava/ Nuk i prek dot tingujt e dhimbjes/ Ndaj kitarën e theva.../Si kitarë e braktisur/ rënkoj nëpër erë....
Nuk është vetëm pesimizëm.Është edhe përgjegjësi.Dhe gjendje.Dhe vështirësi.Dhe e pamundur ta ngresh fjalën tek vetvetja.
Askush nga ne nuk mund të pretendojë përsosmërinë. Arti është udhëtim drejt mungesës , ose drejt pafundësisë. Poeti është kitarë e braktisur...E thotë bukur poeti William Merwin, “Kur gëzimi i botës i gjen fjalët/ato janë të dhimshme/dhe shpesh kthehemi pas/me duart tona prej loti”...


-Çfarë është talenti? A mund të flasim për talente të shpërfillura e të keqpërdorura?

-Duhet të jetë një dhunti e lindur. Por , pa dyshim, edhe e kultivuar..Mund të jetë një farë elite, por, nëse nuk ka kushtet e mbjelljes, kultivimin, tokën , lagështinë, ajrin, dritën, talenti s’mund të quhet më farë, e ca më pak  elitare.
Talentet e humbura, të shpërfillura e të keqpërdorura janë të gjithë shkrimtarët e talentuar të RS, por talent i shpërfillur dhe i keqpërdorur, mund të jetë kushdo, pamvarësisht nga metoda, nëse nuk shoqërohet me punë dhe vetëm me punë.F.G.Lorka shprehet; “Një vepër cilësore është 97% talent dhe 97 % punë.”Gabojnë të gjithë ata që thonë se poezia bëhet edhe në këmbë...

-Besoni se merrni pjesë në krijimin e një kujtese kombëtare?

-Po.Besoj tek vetvetja.Kur ulem të shkruaj mendoj si egoist se do të bëj diçka të mirë. Kur libri botohet , s’është më imi. Libri kalon te lexuesi, ose te gjykatësi. Është fat kur gjykatësit janë specialistë. Cilësia e lartë intuitive e spontane, por edhe e mirëevidentuar shkencërisht, ka të drejtë të trokasë në dyert e tempullit. Kujtesa kombëtare  nuk është një sfungjer që thith çdo lagështi. Ajo, në mënyrë selektive, thith vetëm “ ujin e rëndë” ose “ ujin mbretëror”. Edhe brenda tempujve ka probleme, sherre e intriga, ashtu siç kishin perënditë e Olimpit, dhe sherret,  diktatët , intrigat i sajojnë ata që gabimisht kanë hyrë atje , mbathur me këpucë me gozhdë e veshur kostume artificiale marrë me qira nga diktatorët ,politikat, ideologjitë...Tempulli është larg, por ca nga ne e bëjnë siç tregojnë për një që...Nuk e pranonin në fshat e ai kërkonte vajzën e priftit për nuse...

-Cila është ajo magji e artit që e bën bashkëkohor në ide, në çdo kohë e brez që vjen?

- Nuk është vetëm njera që ta tregoj me gisht, por e rëndësishme për një vepër që t’i rezistojë kohes dhe brezave si fjala vjen , një Hamlet, një Don Kishot, një Uliks, një Promethe...,është orgjinaliteti i saj, krijimi i figurës artistike, unike në atë vepër, përveçimi i njeriut me vlera universale. Nuk janë vetëm idetë që e bëjnë të pavdekshme një vepër letrare, por forca e sugjestionimit, magjia e artit. Arti i madh prodhon dhe idetë dhe jo e kundërta. Koha e hyjnizon artin e vërtetë ashtu siç e harron atë, të zakonshmin.

-A ka krijimtari  të gabuar?

-Për mendimin tim krijimtari letrare e gabuar është letërsia e dobët. Është ajo që nuk arrin as minimalisht figurën artistike, madje dhe ajo që përsërit dhe ecën verbërisht nëpër gjurmë të paraardhësve, pra ajo që nuk është origjinale. Por letërsi e gabuar është dhe ajo që bëhet mashë e një politike dhe e një ideologjie, pse jo, edhe e një morali. Në kësi rastesh kemi kalimin në tjetër gjë, në funksione  të tjera  jashtë letrare e artistike. Është tjetër gjë  pasqyrimi artistik i një politike , a ideologjie, a morali. Letërsia është e pafundme  sa bota, sa galaktika, sa bota shpirtërore e njeriut, por kjo e drejtë gjithpërfshirëse, është  domosdoshmërisht e kushtëzuar nga krijimi i realiteteve të reja, nga ngritja në art, i cili ka ligjësitë e veta misterioze.
Letërsi e gabuar është edhe ajo që spekulon me lirinë e fjalës, që  bën shëmbëlltirë vese e përçudnime njerëzore.”Njeriu është i lirë të bëjë   edhe keq”- thoshte Bodleri, modernisti i madh francez. Kështu, ndoshta, jemi më të saktë,  të përgjigjemi në mënyrë mohuese –s’ka krijimtari të gabuar,- duke anashkaluar paragjykimet fikse se cila letërsi është e mirë apo e gabuar. Më duket se vetë pyetja juaj mbart një paragjykim.

Cila është sëmundja e letërsisë ?

Nëse do t’i quajmë të metat sëmundje, them se ajo në letërsinë tonë është kronike. Sepse ajo vuan akoma patologjinë e RS, si produkt, si përvojë dhe si metodë. Ajo vuan edhe hijen e dikurshme të bejlerëve të letërsisë. Letërsia e re post komunist vuan dhe pozicionin tranzit të saj, rrezikun e imitimit verbërisht të letërsisë moderniste a postmoderniste. Sot spekulohet me lirinë e në vlerat e vërteta që humbasin në morinë e madhe të mallrave, është dhe libri, libri , i vetmi mall që i mungon pronësia e vertetë dhe që humbet  edhe nga vetvetja e sforcuar e kontrabandë, sasia. Kështu intelekti i vërtetë krijues, letërsia cilësore, paguan  çmimin e lirisë së fituar në demokraci, ku në plan të parë del zullumi dhe paraja. Për mendimin tim, letërsia ka nevojë për çensurë profesioniste, por paraja e ka mposhtur cilësinë dhe çensura është mjerane. Këtë do ta quaja sëmundje jo vetëm të librit, por krejt të kulturës shqiptare.

Ç’është politika për Pirro Lolin ?

Është një stacion i lënë pas, por që fantazma e saj më del përpara kudo.Për ne shqiptarët, që kemi vuajtuar nga politika të mbrapshta, është gjithmonë një rrugë më e mirë në kërkim të shtetit ligjor që ,me sa duket, ka marrë kahjen drejt Evropës. Kështu politika na bëhet e domosdoshme si buka, pamvarësisht se herë e djegur, herë e papjekur e herë bajate. E keqja është se, pamvarësisht nga cilësia e bukës, ne jemi ndarë bardhe e zi dhe votojmë edhe për furrxhiun që na mashtron.

A mund të themi se letërsia ka shpëtuar nga ideologjitë , a paraaprin arti  dhe ,nëse do merreshe ti me politikë, a mund të ndryshonte diçka ?

-Arti nuk i prin ideologjisë. Në historinë e tij ka ndodhur e kundërta. Politikat e kanë përdorur atë për të mbajtur dhe lustruar vetveten. Arti është”parti”gjithmonë në minorancë, gjithmonë pa vota dhe gjithmonë opozitë. Por letërsia nuk i shpëton dot ideologjizmave, të cilat, si çdo gjë tjetër, nuk janë të privuara nga pasqyrimi. Problemi qëndron se, nëse opron me to, duhet t’i pranosh të gjitha opcionet, tezat e kundërtezat, dhe jo të jesh i mbërthyer në një qëndrim, sepse politika, ideologjia ,është shprehje e debateve midis pozicioneve të ndryshme dhe të kundërta. Artisti duhet të jetë i paanshëm dhe jo gjyqtar e prokuror i personazheve të tij. Kjo ka të bëjë me vizionin që kanë krijuesit për lirinë. Idetë fikse i kryqëzojnë poetët.
    Ndërsa po të merresha unë...Asgjë nuk do ndryshonte. Tonin e politikës nuk e japin poetët. Diku kam shkruar : Eh, po të merresha unë me politikë, bari do kish të gjelbër tjetër/ligje të reja do nxirrja për dhimbjen e njeriut dhe pikëllimin e tokës/ poezinë do ta mboja me gardianë të kualifikuar/Do hapja dhe klinika speciale për zogj të plagosur....

Po personazhi në një vepër si mund të bëhet shëmbëlltyrë shoqërore ?

Termi juaj”shëmbëlltyrë shoqërore” më kujton  tipin ose tipikun që mbart mbi vete cilësi( virtute e vese) të klasës a po grupeve shoqërore që përfaqëson. Kjo kërkesë është pjellë e letërsive totalitare. Të kuptohemi :Personazhi është i lirë të mbështetet e të mbrojë çdo ideologji, por s’ka përse t’i kërkojmë që në shpatullat e tij të mbajë pesha që duan të rregullojnë, apo të përmbysin botën.Letërsia dhe arti nuk kanë qëllime utilitare, s’ka përse të jenë “bombe e flamur”. Shëmbëlltyra të vërteta e të paharrueshme, bëhen vetëm personazhet e përveçëm që mbahen mend nga cilësi tepër të veçanta, në ndryshim e në kundërshtim me të zakonshmen shoqërore.


-Çfarë keni ndërmend kur shkruani një vepër të re?

- Kam qindra gjëra që duhet të mishërohen në vepër, por mendoj se më e rëndësishmja është që vepra të jetë  sa më origjinale e kjo do të thotë të jetë sa më e përveçme në ngjarje, personazhe, imazhe, gjetje etj. Problemi më i madh është forma me të gjithë komponentët e saj. Forma, teknika është tregues i sinqeritetit të autorit. Mua më mundojnë më tepër ato që nuk duhet të shpreh, ato që mbartin enigmën, guackat e mendimit, jo mendimet vetë. Libri nuk duhet të jetë i mbyllur si rreth. Në këtë aspekt letërsia bëhet edhe dije, një dije e veçantë që nuk ka për qëllim të ndriçojë një objekt të dhënë apo të fantazuar, por duke luajtur në dritë –hije, teknikisht, bëhet një paradoks që fsheh diçka, atë që Kanti e quan “send në vetvete” jo në mosnjohje për në formën e enigmës. Njeriu i letërsisë, duhet të jetë i veçantë, përtej shfaqjes, pozave, konjukturave dhe dobisë.


-Ç’ rol luan fantazia  në krijimtarinë letrare?


- Fantazia luan rol absolut, kaq sa, pa të nuk ka as letërsi as arte ;ajo është aftësi e lindur për t’i tjetërsuar realitetet. Fantazia është dhunti e kjo bën atë që letërsia të jetë distancë e përhershme ndërmjet shkrimtarit dhe realitetit.Vetëm me anën e saj e mbi krahët e saj krijohen, shpiken ngjarje, njerëz, kafshë në mjedise dhe kohë të tjera. Kjo botë i ka të gjitha sendet të emëruara, letërsia e riemëron botën. Si e qysh ,ky është një problem i ndërlikuar estetik, që kërkon trajtim të veçantë.
....

A ka përsosmëri në krijim, apo ajo që ekziston është kërkimi i përsosmërisë?

- Vetë koncepti “përsosmëri” është i pamatshëm, i papërsosur. Nuk është një majë mali që të duhet ta arrish si alpinist. Asnjë kryevepër nuk është e përsosur. Në letërsi e në arte masa e vlerësimit të cilësisë është subjektive. As kënaqësia artistike, nuk është i vetmi tregues, as pëlqimi nga shumica., bile , ato që pëlqehen lehtësisht nga masa e gjerë, janë më të dobëta e të dyshimta. Poezia, piktura, muzika janë lluks intelektual dhe intelekti që gjykon e vlerëson është në çdo kohë minorancë. Poetët e vërtetë nuk thonë kurrë “jam poet i madh”, se e dinë relativitetin e majave, të vegjëlit priren për epitete e madhështi.



-Cilat janë ato të dhëna  që duhet të ketë  një njeri që të gjejë rrugën e vet në krijimtari?

-Dije, kulturë, shumë punë, e natyrisht , talent. Ruga drejt suksesit në letërsi është një e përpjetë thikë. Shumë nisen por shumë pak arrijnë. Suksesi është pasojë e sakrificave sublime, është ,pse jo edhe vetvrasje.Shpirti i krijuesit është një shpirt që digjet, digjet deri në amshim për të tjerët.Vetëm ky shpirt bëhet i dashur e pikë referimi për shoqërinë.

-Duke u bazuar në përvojën tuaj, besoni se është real e aktual ajo që dëgjojmë “...fatkeqësisht  kjo është e shitshme, këtë kërkojnë njerëzit..”

-Është e vërtetë që lexuesi i rëndomtë kërkon gjera të lehta, sensasionale, çudira, seks, letërsi policore.Por nuk është kjo masa që tregon letërsinë e vërtetë , cilësore. Kjo dëshmon se problemet i ka lexuesi, jo shkrimtari cilësor.Duhet të pranojmë  që sot njeriu është i lodhur, që kohën re lirë e gllabëron televizori , interneti.Duhet të pranojmë që tash për tash, libri është pak i mënjanuar, edhe për shkak të mungesës të kritikës.Libri është mall konsumi krejt i veçantë.Nuk është vetëm çmimi, emri i autorit dhe shitja tregues i cilësisë.Shkrimtari i mirë kur shkruan nuk duhet të mendojë lexuesin, as tregun, por vetëm realizimin cilësor të veprës.Të mos harrojmë se kudo letërsia e madhe cilësore është pritur me spekticizëm, madje edhe me mospërfillje.Shkrimtari i mirë prodhon edhe lexuesin, dhe jo lexuesi shkrimtarin.

-Jetojmë në botën e konsumit.Çuditërisht, kur sot  mbytemi nga reklamat, mungon tërësisht reklamimi i librit që është ushqimi kryesor shpirtëror i njeriut.Cili është shpjegimi juaj?

- Reklama është shpirti i tregëtisë, por dhe mashtrim për mallra të cilësisë së dobët. Reklamë bën ai që ka xhep. Në shoqërinë tonë shkrimtarët janë më xhepgrisurit e, kuptohet, ata që realizojnë reklamën, janë më të shitshëm. Kjo s’ka të bëjë domosdoshmërisht me cilësinë, as me emrin e autorit që shpesh shitet si mall pa reklamë të paguar .Do ishte mirë që reklama e librit cilësor të bëhej nga shteti., sepse libri është ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm mendor e shpirtëror. Poezia është mall dhe produkt i idealistëve dhe i të varfërve. Por poeti e artisti është një kanarinë me pupla të mëndafsha, që cicëron copa këngësh prej dhimbjes e lotit...,por dhe kanarinës i jepen ca thërrime pa e paguar reklamën..


-Dështimi a ka ndonjë përfitim? Po e sukseshmja a ka kosto të lartë?

-               Dështimi është dështim dhe , e shumta, të shërben si përvojë që nuk duhet të përësitet. Edhe suksesi ka kosto të lartë. Ai mund të mos vijë kurrë e shkrimtarit i duhet të ndiejë dhimbjet e Sizifit gjat gjithë jetës. ndaj thashë diku për poetin si Shën Agustini “shpirti i tij digjet, vazhdimisht digjet..”

    Si e përcaktoni temën në një vepër letrare ?

-Më mirë të mos flasim për këtë. Është problem i tejkaluar i letërsive totalitare. Në letërsi nuk kanë rëndësi temat, bile, as idetë, mesazhet, a moralet. Rëndësi ka jo çfarë shkruan ,por si shkruan, si e kthen sendin në fakt artistik.

-Emigrimi  për shkrimtarin është privilegj apo një mangësi?

-               Mërgimet e mëdha demografike formojnë dhe fizionomine e vendeve të tyre, duke u bërë shpesh dhe shpitimi i tyre.(jo vetëm ekonomikisht). Mund të them  se emigrimi  për krijuesit e përkushtruar nuk është mungesë, por  progres. Kontakti  ynë me vende , kulturë, gjuhë të ndryshme e njohje me personalitetet  letraro-artistike, së paku të jep mundësinë e të krahasuarit. Krijuesi emigrant, veç nostalgjisë së përhershme që ka për Atdheun, mendoj se në distancë e me qetësi e shikon me sy më realisht( e pse jo, disi ndryshe) , baladën, mitin, historinë, traditat tona të vyera, aq sa, metaforikisht themi, se
” ndërton” një Atdhe ndryshe, një Atdhe të përjetuar jo vetëm me sllogane historike, epike, heroike;jo vetëm emocionalisht si nostalgji, por edhe meditativ e kundërshtues..
Letërsia që zhvillohet jashtë, nuk duhet konsideruar si periferike, por pjesë integrale e letërsisë shqipe. Për mua termi “shkrimtar emigrant” ,është i pakuptimtë edhe për faktin se shkrimtari edhe në Tiranë të banojë ,është “në emigrim”, ai “ikën” nga realiteti, ikën dhe duke iu kundërvënë. Letërsia i ka të domosdoshme kontaktet, sidomos me letërsitë e mëdha cilësore.


Përse mungon kritika letrare?Mos vallë ka të bëjë me ekonominë e tregut e qëllimin e të fituarit me çdo kusht?

-Natyrisht ka të bëjë dhe me tregun, me shpërblimin.Të bësh analizën kritiketë një romani a vëllimi poetik, kërkon kohë, mund, ballafaqim, dije estetike. Kush e paguan këtë punë?Askush. Atëhere?Kritika kësisoj bëhet paskëtaj nga miqtë .Po mungesa e kritikës letrare vjen edhe nga mungesa e kritikëve profesionalistë.Ne trashëguam një grusht kritikësh me lente zmadhuese në sy për të mos u kaluar asnjë gabim politik e ideologjik.  Fatkeqësisht ,pjesa më e madhe e rtyre ,jo vetëm që nuk është distancuar nga ato kritika, por lundrijnë qetasi në ato mendësi. Me sa kuptoj unë, kritikët më të mirë janë edhe shkrimtarë cilësorë.

-Si mund ta kapërcej frikën njeriu?

-Kjo varet nga objekti i frikës. Frika kapërcehet duke patur frikë.Dmth, duke e vlerësuar rrezikun. Edhe në letërsi duhet të këmi frikë. Frikën e vështirësisë, frikën ndaj të panjohurës dhe të paarritshmes, se, duhet ta pranojmë . që disa nga e, e kanë marrë shumë lehtë letërsinë.

-A ka ndonjë njeri që ka ndikuar shumë në jetën tuaj ?

-Ka plot, por ju kujtoj njeriun që ka ndikuar në jetën e të të gjithëve,diktatori Enver Hoxha. Në jetën time krijuese fuqishëm ka ndikuar miku im, Primo Shllaku.Primoja si estet, poet, prozator, për gati 15 vjet është çensori im më i rreptë.Kjo është kaq e vërtetë , sa unë e kam frikë atë dhe e dua siç dua veten time krijuese. Dhe vetvetja krijuese ndikon fuqishëm edhe tek qënia.Deri në bashkëautorësi.

-Njerëzit që janë mësuar me  gënjeshtrën , po të takojnë të vërtetën, a do të kenë mundësi ta zbulojnë?

- S’jam i sigurtë në bërthamën e pyetjes, por them se gënjeshtra është një rrugë e zgjedhur me vetëdije ; ajo nuk është mosdije, por tendencë e disa njerëzve që sendeve, ndodhive, fakteve t’u japë emra të tjerë me qëllime të caktuara. Gënjeshtari që gënjen nga padija është gënjeshtar i falur. Duhet të pranojmë që për disa njerëz gënjeshtra bëhet mënyrë të jetuari. Gënjehet edhe në histori dhe “shkencë”, gënjehet kudo ,sidomos në politikë. E lejuar ajo(gënjeshtra ) është vetëm në letërsi.
Lexuesi e kupton fort mirë se ajo që lexon ,nuk është e vërtetë, megjithatë e pëlqen si “tjetër “gjë, si alternativë shpirtërore apo si një formulë enigmatike që kërkon edhe mendjen e tij.

-Thonë që “ ...vetëm poetët zbulojnë jetën...”Është një hiperbolë , apo  e vërtetë?

   Jo, i dashur! Poetët nuk e zbulojnë jetën as botën ,por e pasqyrojnë atë sipas ligjeve të artit. Malarmeja ka thënë “bota është bërë për t’u pasqyruar në një libër”. Dhe libri i mirë është edhe dije,edhe edhe njohje dhe zbulim.

Faleminderit dhe ju urojmë suksese më të mëdha..