Tuesday, April 17, 2012

ME MUZAT A ME SIRENAT


 NJI HERË MBI DYKUPTIMSINË E “ZGJUARSISË”
                                                     OSE
                          DILEMA: A ME MUZAT, A ME SIRENAT

                           (Rreth romanit të P.Lolit Dashnorja misterioze)
                                              Nga Primo Shllaku

     E çuditshme kjo letërsia e sotme shqiptare.E çuditshme dhe frikamane deri në mohim të vetvetes.Nji letërsi që ka ma shum shkrimtarë sesa lexues,a nuk na duket e çuditshme?Nji letërsi e harlisun si bari i ligatinave pa asnji lloj kritike,a nuk na duket frikacake deri në vetmohim.
T’ia varim në gjoks pra ksaj letërsie medaljen e plumbët të vetmohimit dhe ta quejmë me admirim të thellë:vetmohuese.
Isha atje dhe s’âsht aspak nevoja të pyes a të informohem prej dikujt tjetër lidhë me ardhjen e romanit ma të fundit të Pirro Lolit “Dashnorja misterioze”.Romani shkaktoi nji topitje,nji heshtje sikurse të kishte ra bomba në nji shesh plot me njerz.Mbas pak filloi nji murmurimë e gjanë e cila vërtetonte se autori nuk kishte vra,por vetëm sa kishte tronditë.A mund të quhet ky veprim si i përshtatshëm për artistin e artin e tij?
Na mund të jemi edhe të bijtë e heshtjes,por vetëm atëherë kur verbi i lirë jeton në kushte kur s’mund ta shpërthejë barrierën e dhambëve.Heshja në liri(nëse e dimë se çka âsht liria dhe e besojmë atê) âsht krim i randë moral,ven në dyshim të plotë qytetarinë tonë fshatare ose qytetse dhe me zor na mban pa thanë se kush e thirri ketë,lirinë pra,se na nuk kishim nevojë për tê.Heshtja rreth librit të Lolit solli në plan të parë krizën e madhe të fjalës dhe triumfin mbytës të heshtjes dhe, mbas të gjitha ktyne,solli bujshëm për diskutim meritimin tonë të lirisë.
E di se autori merret me krizën e madhe morale e,për pasojë,të identitetit të intelektualit shqiptar në diktaturë.E di prej vetë atij,por edhe prej romanit të vet që e klith ketë zezonë.E dimë të gjithë mollën e kuqe që na e ofroi gjarpni në kopshtin tonë të Edenit.Por dimë edhe prej fushave të pamata të letërsisë e të arteve se ç’epshe fisnike e të nalta njerzore na falin muzat kur “puthemi” me to.Dilema e artistit në diktaturë nuk mund të jetë a të puthet me muzat apo me sirenat.Dilema e madhe dhe burimi i ankthit gjigand âsht gjetja e rrugëve për të mbijetue shpirtnisht e intelektualisht,pa i dhanë kuçedrës luksin e kullufitjes së nji kafshate të çmueshme.Kjo formulë vetëm përkohësisht përkon me humbjen e vetes.Ajo e len të hapun,të paprekun e virgjën pragun e ardhmënisë.Kurse shkuemjen drejt martirit nuk ka askush të drejtë ta rekomandojë përveç kulturave fondamentaliste aziate.Individi shkon drejt martirit për arsye të mbrendshme,njena prej të cilave kishte me qenë ndoshta padurimi për ta sfidue mashtrimin dhe iluzionin.
Romani i Pirros na flet për nji shkrimtar që karrierën e tij e ka ndërtue tue e dorzue veten te nji entitet tjetër që ai as racionalisht,as intuitivisht nuk beson.Kjo punë kryhet për hir “të zgjuarsisë”,për hir të asaj “zgjuarsie “ që i siguron të tashmen,jetën toksore,luksin dhe komoditetin.Ky kishte me qenë kuptimi i parë i ksaj fjale që ka kaq tepër të bâjë me ne.Personazhi i romanit âsht i molepsun me idenë e ksaj “zgjuarsie”.Ky pehlivan ua ka lanë personazheve të vet shpirtin, dëshmorsinë dhe idealet.Ai nuk ka të bâjë me ta.Ata le të vriten,ata le të vdesin,ky vetë duhet vetëm të jetojë.Dhe jo vetëm të jetojë,por të jetojë e të mbretnojë.
Shum prej nesh u trembëm me romanin se ai dukej se sillte në objektivin tonë zmadhues nji shkrimtar të njoftun,bile të madh,bile të paprekshëm,bile të padiskutueshëm,bile tabu.Kjo âsht  e vërtetë vetëm sa frika jonë prej tabuve që lidhet me komoditetin tonë mbrenda miteve dhe përkuljes para autoriteteve dhe aspak ndaj të vërtetave të thella e eksitimeve prodhimtare estetike.Mbasi ka rrethue me kujdesin e vet narrativ nji personazh epoke,nji dylber të epokës së shkatrrimit me sistem,mbasi e ka “lanë” të lirë të zgjedhë mes muzash e sirenash,mbasi ka guxue ai për vete t’ia çojë grykën nalt dhe t’i liberalizojë shinjestrat,ky personazh e ky roman mund të duket me të drejtë se aludon edhe për nji  autor konkret që s’po len me na vû dregëz plaga e jonë e mjerimit shpirtnor.
Romani âsht fryt i nji maratone krijuese drobitëse.Asht fundi i nji epoke ashensionale(ngjitëse) gati vertikalisht përpjetë dhe finishi i nji përpjekje nga ma seriozet për kapërcimin e vetvetes dhe të mbeturinave kryeforta të nji epoke inerciale që ngul kambë sepse ende e pa ndeshkueme prej historisë.Për shkrimtarin Pirro Loli  Dashnorja asht guri miljar që e ndan mëdysh krijimtarinë e tij e shënon fillimin e përmbylljen njiheri të nji stadi të lakmueshëm.Asht fundi i mëdyshjeve e zotnimi i guximit,sepse në liri duhet të guxosh shum e të rrezikosh shum.Jam i bindun se tash e tutje krijimtaria e këtij prozatori pjellor do të shqyrtohet kalendarikisht si para e mbas Dashnores.Artifici fort i sukseshëm i kamuflimit të problemit etik me anë të zbërthimit të perversitetit e deri mjerimit seksual të personazhit qendror të shokon,të rënqeth e të hjedh në tuç.Mbas ktij shoku veç e mbas ktij tuçi,ndihesh se ke ecë nji hap,se e ke lanë edhe pak mbas shpine nji epokë ndamja me të cilën âsht edhe shelbim,por edhe imperativ.Mbrenda kupolës së iluzionit madhor që i kishte shërbye si themel mjerimit tonë galopant,proza e masipërme e P.Lolit vjen si nji përpjekje e mundimshme për ta ça lvozhgën dhe për t’u arratisë prej asfiksisë së ambël të ktij iluzioni.Divorcin e vet me iluzionin Pirro Loli e këlthet edhe për të tjerët që naltsimi i tij të mos jetë i vogël e vetmia e tij të mos jetë kaq e madhe.
                                                 VRIMA DRITE
          Mendime rreth librit poetik "Urdheri i lotit " te shkrimtarit dhe poetit Pirro Loli
                                             Nga Primo  Shllaku

Jemi para nji libri te pazakonte ne pikpamje te temes qendrore. Nane Tereza na con menjihere te feja dhe dikush mund te thote me shume te drejte : cka ka shkrue Pirro Loli,vjersha fetare apo patriotike? Kjo pyetje e thjeshte dhe e vetvetishme qe mund t'i vije cdo njeriu, tregon edhe frikat tona. Frika prej patriotizmit asht nji prej reagimeve ma nevrike te publikut e te lexuesit shqiptar mbas gjithe atij keqperdorimi a perdorje te tematikes patriotike jashte stine e mbrenda propagandes.
Cka lyp sot nji poet te nane Tereza? Forcen konvertuese, dogmen,mrekulline,dimensionin e pavdeksise,dhimbjen per vetveten qe s' pranon me u pajtue me idene se uni i tij s' mund te jete i gatuem prej se njajtes lande si lakna,tulla e plehu,apo, mbrenda nji shoqnie te tehuejtun prej cdo spiritualizmi e dimensioni trashendental, e mberthyeme ne adhurimin e se dobishmes dhe pragmatikes, shembulli i Terezes se Kalkutes vjen si nji zgjim a oferte e rilidhjes me cungun e sakatuem te vetdijes kombtare para se me fillue kultura e mohimit te kulturave?
Ne mes te nji konfuzioni ku theksin kryesor e kane perkatesite, pra nji forme mjaft e sterhollueme e ndjenjes se pronsise, na e vendosim nane Terezen plotsisht e me te drejte ne anen tone e mandej, e lame atje te magazinueme, te pastudiueme, te mbulueme prej pluhnit te indiferences,te nji indiference ateiste, mjaft qe ajo te jete e jona dhe e ruejtun ne nji magazine tonen.
Pirro Loli shtron pyetjet: A asht ne gjendje sot shoqnia shqiptare e ndjeshmenia e saj ta rroke vepren e personalitetin e nane Terezes ne tane plotnine e saj? Ne cilen mase kjo shoqni qe gulcon per ta ndricue perkatsine e saj kombtare, identifikohet a perpiqet te identifikohet me vepren e humanizmin e ksaj grueje te panjoftun per ne deri kah fundi i vjeteve '80 e qe na « ra ne kopsht » pa mbjelle e pa vadite si mane qiellore? Mos valle kultura dhe ndjeshmenia jone jane kthye ne koleksioniste emnash herojsh dhe jo permbajtjesh e shembellytyrash?
Si e shpjegojne intelektualet shqiptare te sotem qe e kane hanger ose jane tue e perfundue cairin e vet mbi ket dhe,kete grue te vogel, xhuxhe pothuej,me vullnet e me veper kaq titanike e mbarenjerzore? Heroine, puntore sociale, individ me ndergjegje te nalte, "njeri i ri" ,pjelle e paprogramatizueme e nji epoke qe tjeterkund mbillte e tjeterkund mbinin ?
Une personalisht mendoj se cdo shpjegim racional i Gonxhe Bojaxhiut do te lente jasht pjese shume te qensishme te jetes se saj. Ksisoj avancoj idene se inteligjencia shqiptare, perfshi edhe ata qe kane luftue sinqerisht per skjarimin e etnise se shejtneshes, fale kufizimeve te botkuptimit e shterpsise qe la mbas vetes ateizmi i adoptuem dhe jo i zbuluem,nuk asht e interesueme kulturalisht ta shpjegoje e aq ma pak ta pervetsoje vepren e saj.
Mjerisht per ta nane Tereza asht nji drite qe s'mund ta shofin, nji flori qe s' mund ta peshojne,nji qiell me ajer te rralluem per krahet e tyne te atrofizuem. E vetmja gja qe mund te bajne ata asht te transmetojne papagalisht veneracionin dhe admirimin e te tjereve pa e pase pervetsue vete nane Terezen ose, cka mund te jete edhe ma skandalozja,pa e pase pranue ate as si te veten,as si model, bile as si fenomen tipik shqiptar.
Pirro Loli ne librin e tij "Urdheri i lotit" ua perqas sot shqiptareve nane Terezen dhe vlerat e saj autentike dhe, tue perdore ndjeshmenite e tij spirituale te origjines, perpiqet te hape nji shteg te thjeshte drejt vlerave e mesazheve te vepres se saj. Kujdesi i tij asht qe ky shteg te jete i tranzitueshem,i frekuentueshem,pa shume perpjeta e mundim, veper kjo iluministe per etjet tona te prapsueme. Ky hap poetik e iluminist njiheri perban te rene e te guximshmen e librit. Me gjithe thatsinen ne tregun e leximit te poezise, ai nuk rreket te zbuloje shijet e gatshme e te shfaquna te atij publiku te pakte qe pertyp sot poezine. Atij ktu i intereson te inicoje ngacmimin e nevojave per dimensionin e thellsise drejt botes trashendentale te shpirtit e te krijeses.Tue e njofte mire shkretinen te ciles i drejtohet,poeti zihet ngusht dhe s’ia lshon frenat pegasit te vet te flutroje atje ku ai fluturon per vete ate. Misioni asht delikat dhe fati i librit varet nga masa e ngarkeses. Autori i ka ece per vije temes fetare,e ka anashkalue me delikatese,ka ndeze dritat mbi vijen e demarkacionit dhe e ka ba te dukshem kufinin.Asht si me thane se ata qe s' kane sy me pa nji far, duhet te msohen me pa tue ia fillue per xixellonjes. Kjo veper filigrani iluminist asht percaktue kshtu prej perplasjes jo te padhimbshme te vetdijes se autorit per caqet e vetes me pafundsine e shkretines spirituale te rretheqarkut qe ushqen iluzionin e rreme te lirise. Duhet ta coptosh driten verbuese te nji fari ne miliona xixellonja,ne mnyre qe syni i topitun ekskluzivisht prej eksperiencave te dites, te marre racionin e vet te ushqimit e te terapise. Duhet te kete qene shume e vshtire per autorin dozimi i mases s e drites, me te cilen ai do te fillonte terapine e do te percaktonte racionin e sakte per te verbtit.
Asht e cuditshme sesi parabola e ktij misioni te tij kaq te mshefet e kaq te hapet njiheri,gjendet e trupzueme ne njenen prej poemave te tij ma te parandsishme me titull Vrima drite :
qe celin vrima drite / tek une e tek ti.
Dhe e pyesim veten pernjimend jo kush ishte nane Tereza, por cka ishte nane Tereza. Po i lejojme vetes kete jokorrektsi gramatikore sepse jemi te bindun se ajo nuk do te kishte kurrfare problemi me sedren e saj, poqese do ta shifte emnin e saj te shkruem edhe shkronje te vogel si te ishte emen i pergjithshem. Tue zbrite tek pjesa prej sendi e subjektit te saj, tek ky rast kemi te bajme me nji sjellje te pazakonte te un-it dhe te libidos. Nji shembull kaq i hatashem i altruizmit e i vetmohimit, ku epshi i te qenit shtojce e nji subjekti tjeter per t'i lehtsue dhimbjen ose per t'i zgjidhe nji problem ekzistencial,tregojne per nji "une" e per nji libido te ndrydhun deri fare afer asgjasimit te tyne. Simbas psikanalizes dobsimi i libidos dhe zbehja e unit edhe ne masa shume ma pak evidente se ky qe po shqyrtojme, shkakton patologji, neuroza te thella e disa lloje psikozash. Subjektet me libido te dobsueme e "une" te shpartalluem shfaqin paperjashtim prirje te pakundershtueshme drejt vetvrasjes. A ka ndonji logjike a arsyetim qe ta shpjegoje vepren e ksaj grueje si nji lloj varianti vetvrasje? Pesedhjete vjet vetvrasje tue sherue, tue shkollue, tue asistue njerz ne castin e mbrame e te vshtire te kapercimit, lkure-me-lkure me gerbulen, smundjen makabre te ronitjes se mishit? Une nuk shof prirje per vetvrasje. Shof sfide ndaj vdekjes, nji te hangun sysh me te,dhamb per dhamb. Dhe vazhdimsine e jetes qe ka shijen e fitores, ku kjo e fundit nuk asht ngjarje por ekuiliber.
Varianti tjeter shpjegues i fenomenit "Gonxhe Bojaxhiu" do te ishte interpretimi i saj psikik si nji individ ku nji "une" tejet i fuqishem vershen dhe permbyt te gjitha kategorite e tjera te struktures se psikes, asgjason deshirat e mdha e te vogla te jetes dhe mbretnon i vetem si monokulture ose si fatalitet. Ky kandveshtrim e perqas shum shejtneshen tone me kategorine e herojve dhe te heroinave. Por edhe ktu me duket se ndryshimi asht thelbsor. Ne castin e hymjes ne luftim herojte perfshihen prej nji eksitimi e paroksizmi qe pak a shum ua deh atyne vetdijen qa ta peshojne realisht se me se jane tue u perballe. Herojve qe hidhen ne beteje u mungon ne at cast kthjelltsia e kjartsia e vetdijes dhe e qellimit, sepse instinkti i vetmbrojtjes ndodhet ne zenit te eksitimit dhe roli i tij shfa qet i pamjaftueshem. Kurse per Terezen e Kalkutes thone se shtrihej, u qasej, i merrte ngryke pa asnji rezerve te smundet e saj dhe rrinte per te gjate nates e perqafueme me ta derisa jepnin shpirt ose baheshin ma mire. E futun ne votren e infeksioneve te llahtarshme, asnji instikt i vetmbrojtjes, asnji pamjaftueshmeni e rolit te tij nuk ia turbullonte vetdijen dhe qetsine asaj. Pervec kohes qe lutej, ajo komunikonte normalisht me te smundin, fliste me te, e inkurajonte, i bante katekizem,gjithsesi nji dialog lucid e i kthjellte.
Pirro Loli qe e ka zvjerdhe me kohe teorine e herojve e te heroizmit, nuk mund te pajtohej as neper mend me etiketimin heroine te nane Terezes. Mllefin e vet per heroizmin jashte epoke dhe keqperdorimin e tij mbrenda stines komuniste, poeti e gjen te trupzuem te modeli absolut joheroik i nane Terezes. Me marifet e zgjuetsi poetike, ai i mpleks idealet e veta me esencen e nane Terezes, dhe si te gjithe moralistet kur gjenden ne nji bote pa virtyt, i sillet nji autoriteti epror, e intrigon ate tue e implikue ne punet toksore. Asht fjala per poemen Lutje jashte lutjeve tek cikli i trete me titull Kenga e gjarperit. Stina joheroike e letersise perkon fatlumnisht me altruizmin joheroik te vepres e jetes se Nane Terezes. Ket fakt autori i poezive nuk e len me i ike. Prirjet historike te letersise bashkekohore,ne rrjedhe te te ciles vozit poeti, perforcohen tue thirre ne ndihme edhe retoriken e heshtun te moralisteve te vendit. Kumbona e mbarimit te eres epike bie ne nji faqe.Por poeti s'asht ende i sigurte:
Vendin tim e kane lodhur heronjte!
Mandej vjen lutja e vertete:
Dhe ruajme nga heronjte!
Me interes me duket ne ket liber edhe shartimi i motiveve e temave.Mbas nji karrelate poetike mbi jeten e castet kryesore te jetes se Nane Terezes,ku vend kryesor zen sa poetizimi por edhe persiatja e kontemplacioni, Pirro Loli hidhet ne motivet e perditshmenise, tue ruejte me kujdes tonalitetin simbolik e ajror te pjeses kushtue Nane Terezes. Poeti kalon nji martir te vetin kur, koken plot me driten fareve qe ndrisin konstante pa e ndie hic fare te ndrruemit e stineve,nder kambe i ngatrrohen zvarranike e ferra,pllumbat metamorfozohen ne gjarpij e stina e lirise ende s' po e cliron shpirtin prej eklipsesh.
Balada e pellumbit asht nji realizim interesant mbi raportin liri-njeri. Ktu s'asht ma fjala per lirine e dhane, por per lirine universale,lirine e krijimit e te vetkrijimit, te kultivimit e te vetkultivimit, per nji naltsim shpirtnor drejt kerkimit personal te te vertetave personale. Mbrenda nji forme disi bukolike e barok (se barokun me kujtojne fjongot) zhvillohet e shperfytyrohet pllumbi i P.Lolit ,i cili nuk duhet pa aspak si njeriu i virtytshem, por thjesht si njeriu i pabame, njeriu ende i papercaktuem ne paradhomen e "procesit social e historik", shndrrimin ne rang specje te te cilit autori do ta paraqese si tragjik.
Tashti due te ndalem pak tek vargjet:
Liria / plas / ne mua / si kryq.
Gjashte fjale. Tue perfshi ne to edhe parafjalen, edhe lidhzen krahasore. Gjashte fjale qe jane shkrue per te krijue nji konfuzion te madh,hutim,ndoshta edhe buzqeshje. Buzqeshja me origjine moskuptimin ose shperfilljen realizohet lehte sepse nji pjese e madhe e lexuesve, edhe e poete-lexuesve nuk jane te stervitun me zberthye strukturat eliptike (hermetiket, mos o Zot!).
E ndiej per detyre ta zberthej kete strofez te thate litotike, sepse ajo pikemasepari te krijon hutim. Dhe hutimi ne lexim ne shumicen e rasteve paralajmron mineral. Strofa ka tri gjymtyre: liria-plasja(eksplozioni)-kryqi. Kurrfare lidhje racionale mes ktyne tri fjale. Nji bujk do ta quente "korr e mos lidh". Ta lame bujkun ne shejtnine e vet e te merremi me shejtnine e poezise. "Liria" koncept mjaft abstrakt, "plasja" shume konkret,"kryqi" aq sa konkret, aq edhe abstrakt sepse simbol. Me duket se fjala "kryq" me sjelljen e vet te dyfishte, sa konkrete edhe abstrakte, futet ne mes "lirise" e "plasjes" dhe e zbut fenomenin e "flakjes" qe shkakton pranevumja e ktyne dy njisive heterogjene ne pikpamje te landesise.Rreshtimi i ktyne tri gjymtyre, mbas hutimit e mbas ngulmimit, nuk rrin ma si ma siper, por kshtu: liri-kryq-plasje.Na duket se me ket spostim vendesh ne aksin e logjikes fjala "kryq" e humb tashma veshtrimin krahasimor dhe fiton te drejten e literalitetit ose te njimendsise. "Liria" deri tashti kishte "ngece" se nuk mund te plaste. E, aq ma pak, "kryqi".Tashti perqasja ndodh dhe ngul kambe mes "lirise" e "kryqit". Kjo perqasje kambengulese shkakton zberthimin e ktyne dy koncepteve dhe, kur ky kryhet,perbameset kuptimore ndodhen ne nji pozicion edhe ma te afert derisa me dhane kuptim pothuejse te njimendet e linear. Shkurt, fjala "liri" zberthehet ne perbameset e veta kuptimore: "zgjedhje","zotnim","krijim", "pergjegjesi", kurse fjala "kryq" si "figure gjeometrike e sajueme prej nderpremjes se drejtzave pingule", "simbol i fese se krishtene", "mundim i pafund", ose si "ndeshkimi ma i eger i pafajsise". Perbamesja "zgjedhje" e gjymtyres se pare perqaset me perbamesen "ndeshkimi ma i eger i pafajsise" dhe prej kndej del edhe kuptimi i poezise Germadhat se individi i paguen shtrejte zgjedhjet e veta te lirise ose,se ata qe gogsijne, aprovojne, konformohen dhe nuk guxojne, e sigurojne luksin e rehatit pikemasepari tue i ba atentat, se pares, lirise se vet.
Mendoj se ide e forma te tilla te mendimit poetik nuk i gjejme edhe aq shpesh ne poezine qe shkruhet sot nder ne e qe mugullon e shndetshme si fara e hithave. Pirro Loli ka prirjen ta distiloje landen e poezise se vet,ta ngjeshe dhe ta baje sa ma te tejdukshme. Ajo asht nji poezi sensuale derisa na con te shijojme ngjyra,tinguj e deri aroma. Pavarsisht prej preteksteve qe rremben, Loli e perdor poezine per te ba propozime,ku kelthitese e ku ne surdine. Nane Tereza ishte nji shkas i bukur per t'i hape poezise nji dimension kah fryma. Ai e di mirfilli se as Nane Tereza, as fryma nuk jane ne mode. Ndoshta mbrenda tij ai nanuris idene e te qenit pararojes, edhe pse sot objektet e vemendjes se tij mund te jene jashte mode.

                       Mbi librin e P Lolit. Dumvirati i një stine që shkoi.
                                               Nga Primo Shllaku.

Librat e mirë gati të gjithë lindin si libra të këqij. Them të këqij sepse ata nuk pëlqehen, dhe ajo që është edhe më e rënda, shqetësojnë. Ky libër është lexuar dhe ka shqetësuar. Bile ja të gjitha gjasat që ushtarëve të përmendur në këtë mega ese, të jenë lajmëruar përmbledhtas për përmbajtjen e këtij libri dhe të kenë shprehur, shpërfilljen e tyre të radhës. Por libra të tillë nuk shkruhen për ata, që përmbahen tek titulli, por për at[ë pjesë të vogël a të madhe të kulturës shqiptare që dëshiron ta bëjë hapin, ka vullnetin dhe mjetet ta kryejë kapërcimin dhe të mbyllë një stinë të thatë, që na shoqëron përtej kufijve të saj historik. Nuk është e vështirë të bëhet diagnoza e të gjithë atyre lexuesve, që ndjejnë dhimbje për idhujt e vet, të një stine që shkoi. Unë them se pjesa më e madhe e tyre, e kanë pas gjetur veten, në atë regjim dhe shihnin tek këta dy idhujt e epokës, një ideal rrekës, që shfrytëzonte specifikat e artit, për të dubluar me saktësi politikat mahnitëse të një partie shtet.
  Këta të dy autori, si Kadareja ashtu edhe Agolli, kanë qenë të kapërthyer kaq ngushtë me diktaturën saqë hapësirat për një letërsi demokratike, humane ishin diku afër zeros. Lidhjet e këtyre autorëve me demokracinë, ishin deri në masën që mund të hapej e të zinte e ashtuquajtura demokraci socialiste. Nëse Kadare tha ndonjë gjë ndryshe, ajo nuk ishte fondamentalisht e tillë, ajo ishte stilistikisht e tillë. Për këta autorë që arritën majën e piramidës, edhe si famë por edhe si pozitë sociale, realisht nuk e ekzistonte hapësira për të thënë gjëra kundër regjimit, ose për të zhvilluar një art sovran e të qëndrueshëm. Askush nuk mund e nuk duhet ti akuzojë për këtë, sepse kur kohët janë të pamundura, gjëja më e mirë që mund të bësh është të ruhesh. Dhe ata nuk i ranë murit me kokë, dhe e ruajtën veten. Por automatikisht lind pyetja. A kishin vallë diçka për të thënë tjetër përveç asaj që thonë zyrtarisht? Siç doli më vonë ata nuk kishin diçka tjetër për të thënë, dhe se arti i tyre ishte një kalimsh pa alternativë, me një kuptim funksional e shërbyes. Në intervista të ndryshme, thonë se nuk ishin guximtarë, se nuk e ndjenin të bënin dëshmorin etj. Shtat të vërtet artistik kanë bërë vetëm ata personalitete që iu janë përgjigjur sfidave të kohës, dhe jo ata që i kanë marrë rrymat e kohës. Kush i qëndron kohës mbetet me kohën, kush rrëshqet me kohën, përfundon me epokën. Ky është për fat të keq çmimi.
   Një pjesë e nostalgjikëve kanë frikë se po të ikin këta të dy, ata mbeten vetëm. Po, na që shkruajmë mbetemi krejt vetëm pa paraardhës të afërt e kulturalisht të frakturuar. Kjo vetmi është e tmerrshme, e rëndë, por dhe e frikshme. Prapë përgjegjësia bie mbi ata që nuk menduan me atë hovin e tyre të përkryer drejt lavdisë dhe pushtetit. Se ata nuk ishin fundi i botës, i historisë e i letërsisë. Historia dhe shoqëria krijuese shqiptare u ka rezervuar dyshimin e deri përbuzjen. Ylli i tyre ka perënduar dhe inercia e elitave kulturore që nuk ndryshuan ende tek ne, i mban në këmbë me kokëfortësi duke injoruar kështu vazhdimësinë dhe logjikat e ripërtëritjes. Idhujt me përcaktim janë të rremë dhe koha jonë sot duhet ti rrëzojë ata, ose ti reduktojë deri tek vlerat mbetëse. Deveja nuk hyn dot në parajsë me gjithë gungat. Libri i P Lolit është një përqasje trimoshe e problemit themelor të kulturës sonë në këtë moment. Çdo të bëhet me produktin e Realizmit Socialist? Do të mbajmë autorët e do të hedhim veprat, do ti mbajmë të dy apo do të presim ndërrimin e elitave dhe pastaj të pastrojmë mesin prej gërmadhash?
   Loli është pararendës dhe s’ka kohë të presë ndërrime elitash. Ai qysh tani po përgatit elitën e re që do vijë. Sepse elitat nuk alternohen si ndërrim turnesh që kur je ti unë s’jam, e kur jam unë nuk je ti. Elitat e tejkaluara qofshin këto të mbështetura edhe nga shteti, e serioziteti institucional e akademik, përleshen me elitarizmin e ri dhe i ndryshojnë raportet në favor të së ardhmes. Loli ka përdorur me elegancë kombinim e lëvdatës e të miklimit me dackën e fortë e dajakun kockëthyes.
   Shepsh më duket se vet Loli trembet nga vet rruga e të pjetat ku e fut arsyetimi i tij luftarak. Ai kërkon argumentet brenda veprave letrare por detyrimisht zgjerohet tek lidhjet e veprës me jetën dhe personalitetin e shkrimtarit. Ai mendon se shkëputja e veprës nga jeta, është një spekulim dinak, i cili minon etiketën universale e atë të autorit. Mëkatarët e mëdhenj mesa duket kanë nevojë për gjykatës të trullosur. Libri nuk bën thirje për po për divorc. Dënimin e kërkojnë të dobëtit, ndërsa divorci do trima, njerëz që pranojnë amputacione të dhimbshme në trupin e tyre. Letërsia shqipe nuk mund të mbetet peng në dorën e një plejade koha e së cilës ka ikur, e kohën e së cilës çdo ditë mundohemi ta dëbojmë.
    Thirrjet për art të kulturuar e për degustinë të pastër estetik, janë sa të pamundura aq dhe jo historike. Na e ndjejmë forcën e talenteve por duhet të mos kënaqemi deri sa të takohemi edhe me realizimin e talenteve. Talenti është aftësi, përvojë, profesionalizëm. Talenti vetëm nuk e presupozon humanizmin. Pozicioni i artistit në jetë, ka reflekse të pa ngatërrueshme te vepra.
      Vende vende P Loli duket sikur t sikur tallet me shpikjet e më të fundit të estetëve të sotëm që na rekomandojnë si rrugë objektive dhe kombëtare që kur të përkulemi ti marrim erë lule qepës, të imagjinojmë karafilin. Këta bij të imagjinatës që i shpëton arsyes e cila shqetësohet po të jetë esëll, nuk mund ti përmbysin ligjet themelore të leximit e të perceptimit. Koha që jetojmë me gjithë turbullirën që e karakterizon është koha e ballafaqimeve dhe jo e mballosjeve. Kultura e sotme shqiptare dhe politika kulture e shtetit shqiptar duhet ta pranojmë edhe në këto fusha pluralizmin forcë që sjell kapërcime dhe vertikalitet. Libri i lolit me gjithë seriozitetin e temës dhe të argumentit, vuan keq nga një sëmundje, që ia rrëzon krahun. Ka shumë pasaktësi korrektimi që tregojnë mangësi të shtëpisë botuese. Një libër që merret me korifej duhet të jetë korife i shtjellimit kritik, siç është në fakt puna e autorit, por edhe korife i paraqitjes gjuhësore dhe redaktoriale.

TRAGJIZMI MIDIS DY POPUJVE


TRAGJIZMI MIDIS DY POPUJVE
                                                          Alush Avdyli

      Besoj se ‘‘Qyteti me dy kate’’i shkrimtarit Pirro Loli është një vepër kurajoze, e padytëshme në procedimin artistik të historisë, analizë zhbiruese, gati patografi.
Në qoftë se historia do të ishte e kthjellët, ky libër nuk do të ishte shkruar. Ngaqë akoma perspektivat ushqehen me tru luani, libra të tillë do të rrezatojnë gjatë...Edhe pse kohët si gjarpërinjtë kanë çaste të bukura ndërrimet e lëkurës. Aq më shumë kur drejtësia është vonesë. Zgjidhjet janë të qullëta, si të ziera. Sa ngjarje u zhvilluan ndryshe nga interpretimet e qorrollisur. Është hipokrizia planifikim i vetvetes në përftesa dinake.
Janë epshet kombëtare për harta dhe histori. Po sikur në mitrën e së sotmes të rritet heshtja që do të lind e vdekur?!.. Kjo do të jetë tragjedia e radhës. Më tej me pikëllim të zbardhur do vështrojmë fantazmën e së vërtetës të pagëzuar si histori. Ne akoma na torturon kompleksiteti se armiqtë që nuk mund të fitohen, janë njerzit e të njëjtit gjak. Për këto arsye ‘‘Qyteti me dy kate’’ na trazon shpesh kujtesën e ndjenjave.
Sa për etimologji: ‘‘Qyteti’’është rrënja boshtore e mbiemrit të përbashkët Lejlekbin. ‘‘me dy kate’’, ndarja, shtesa, toka dhe nëntoka, cilësitë e veçanta të Sagapinëve e Genarbinëve. Popuj të një gadishulli që i mundon identiteti i lashtësisë. Historia e njërit adhuron sinekdok-ën, pa eufemizëm. Dy popuj, protagonistë të sëmurë për vdekje në një lojë groteske. “Thua ku fillojnë çlirimtarët e ku mbarojnë pushtuesit. Koha në krizë, kur pjesa niset për plotësim tek e tëra. Roman dramatik me ngjyrime tragjike. Kohë artistike. Dendësi ngjarjesh, imagjinatë ekspresive dhe oksimoroni. Që në faqet e tij të para griset perdja e dramës: Dekor i pështjelluar, gri .      Befas në doganën e një vendi fqinjë shfaqet një personazh atipik, ( unë ose ti) i çuditshëm, emblematik, i vetquajturi
‘‘burri mbret’’,   i cili vë në lëvizje tërë mekanizmat e ndryshkura të shtetit sagapin. Një genarbin i ditur i bërë njësh me historinë e popullit të tij deri në vetautorësi, kërkon të shkojë tek ‘‘Qafa e diellit’’(prejardhja e tij) përfundon pa pritur i arrestuar. I pa konkretizuar, pa moshë,  një kod vetzbulues dhe i ngecur në kohën e tij si në të tjetrit.  Absurd kur futet në rolin e të vdekurit energjik. Botë retrospektive, përsiatje e saj e dhimbëshme. Brenda domethënies tërësore vuajmë  metaforën rënqethëse të historisë  si mbijetesë njerëzore. Drama që luhen në skenat e errëta të trurit. Sa obligim, si      pjekuri     artistike, qëndrime filozofike, përshkrime mjeshtërore, pasazhe turbulluese, rrjedhë e shpenguar  gjuhësore.. Investime të begata: Mitologjia si kuintenca e dijes dhe përvojës njerëzore, shtresa arkeologjike, legjenda e antropologji, thesare folklorike dhe...Pasuria tejet e hipotekuar në kujtesë : - Kam tokë dhe nën tokë, ara dhe livadhe, mal dhe det, ullinj qindra vjeçarë dhe portokalle, varret e të parëve, kam legjenda dhe këngë, valle, dashuri, mëri, komshinj dhe diçka nga dielli e hëna...
(Pjesë nga deponimet e ‘‘burrit mbret’’ përballë kryehetuesit sagapin Prokop Graçanini, një figurë  e përmasave demoniake).
Në arkitekturën mugëtore të romanit hapësira e narracionit rrezonon deri në hone të largëta kohore.
Pirro Loli ndoshta është një nga shkrimtarët më energjikë të letërsisë shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit, me dhjetra libra me poezi, tregime, romane, memoriale, ese... Pa rënë në grackën e superlativës mund të them se është ndër eseistikët më të spikatur, me cilësi thelbësore të veçanta. Edhe në veprën që bëjmë fjalë, një nder vetitë dalluese të  autorit është edhe guxim krijues, që e çon deri në fusha të ‘‘minuara’’. Eksplorues i të vërtetave  të dhunëshme. Tërë historia e konvertuar në letërsi mbi trapezin e së tanishmes: Origjina, qytetërimet, lufëtrat e gllabërimet, vdekjet e mëdha e ringjalljet, genocidi, mashtrimet, helmime enigmatike, pabesitë  deri tek  krijimi i   komisioneve fantazmagorik të ideve të mëdha genocidiste ose si largpamësi të poshtërsive konstante...Por si do që.... shosha mbetet pamundësi në mbulimin e diellit.
Si fillim dashuria e urrejtja janë të njëjta gjëra, pastaj e përbashkëta dhe e veçanta të aksidentuara. ‘‘Ne kemi gurë të rëndë në kujtesë’’..Në qiellin e mirëkuptimeve lëvizin yje të trembur..Dy popuj nga më të vjetrit e Evropës, në këtë libër, përjetojnë veten tek njëri-tjetri. Është identiteti i lashtësisë që i mundon pafundësisht, deri në ethshmërinë  për ndërtime absurde ‘’qytet mbi qytet’’..Duhet thënë se ekzistojnë dhe dështimet. Ja  në kapitullin ‘’Kataklizma’’  Vasil Gjuhëpreri, kjo fizionomi e dridhur deri në tkurrje nga gjurmë makabre, zë i humbur, rrëfen me pamjen çoroditëse të vështrimit :- ...Qyteti muze i vdekur. Qyteti mijëvjeçar kishte shpërthyer portat e bodrumit dhe kishte dalë duke flakur kokallat e tij në det. Ndoshta kishte bërë zgjidhjen përfundimtare... Por jo, vjen më pas detrrethimi dhe qyteti parreshtur armiqësohet me katet e tij”... Tablo surealiste, polifoni e lashtë, klithma tragjike si të dala nga poema-baladë e poetit Bilal Xhaferi.. Është shpirti i copëtuar i një popullësie nga më vitalet.    
Ke përshtypjen se në kapituj të veçantë,  shkrimtari nxjerr ferrin në epifanie.
Ndjen përqafimet e dritë-hijes në çastin sublim të shkëmbimeve kur lexon : ‘ ‘Një hetues që pushtohet nga viktima e tij...Janë çaste që hetuesi prek lirinë e vet’’.
Metamorfoza vuan gjendjet e saj. Fjala që digjet, jermon gjuhën poetike në këtë roman si pjesë e letërsisë së mirë bashkëkohore. Një mesazh madhor ambiguik, sipëror që shpërndahet gjithandej si trishtim i argjend:
‘ ‘Botën e pushton mëndja, gjuha, arti, jo shpata .Ne edhe mendjen edhe kulturën e varëm në shpatë’’..       Duke përfunduar leximin e ‘‘Qytetit me dy kate’’ të ngërthen ankthi i një pyetje.
Po sa të tmerrshëm janë përbindëshat e shpirtit njerëzor në përplasjet e verbëra..?!
Edhe diçka tjetër. Romani ‘‘Qyteti me dy kate’’ është apeli për zbutje deri në mundësi pajtimi.Të gjitha agullimet premtojnë. Kur guxon, të vërtetat , ato mbulohen nga një ndriçim i dobët.
Duke huazuar Carlos Fuentes do të ritheksoja se, romani na rrëfen atë çka historia nuk e tha, e harroi apo nuk denjoi ta përfytyronte. Kështu ndodh në rastet e librave të tillë, shkrimtari bëhet më i besueshëm se historiani.

                                       ATHINE, 2010.

KONTAKT


Kontakt:
TEL: +355422450605
CEL:              +355693483078      
E-MAIL: pirololi@hotmail.com

QENI PLASTIK


PIRRO LOLI

QENI PLASTIK


”QENI PLASTIK”:(botuar në Tiranë,2001 nga albin) Edhe ky roman ,duke patur në qendër një bërthamë simbolike,shpalos ngjarje sa të ditës e aq të kaluara,gjithsesi me një llogjikë absurdi.Një personazh,ish i deklasuar,zgjidhet kryetar i komisionit qendror të verifikimit të figuravë të larta të shtetit.Në duar ka një qen të vogël plastik(lodër) që e prish dhe e ndreq orë e cast e i jep të gjitha format e dëshiruara. Ky komision merret me gjithçka, përjashto vetëm punën funksionale. Me të shpaloset historia e shqiptarit,një histori sa heroike ,aq aventureske , mbushur me dhunë e intriga udhëheqësish provincialë,një histori që s’ka provuar asnjë përmbysje të vërtetë shoqërore,asnjë jashtëqitje,asnjë të vjellur, e,duke bashkëjetuar me të keqen, është njësuar me të, deri në një tjetërsim plastik. Kryetarit i bije në dorë edhe dosja e një punonjësi të tij((personazhit kryesor të romanit) që, duke dashur të gjëjë persekutorët e tij, hap drama edhe më të mëdha se dramat e ish diktaturës,sepse e ka spiunuar ….
Romani u kushtohet atyre që dinë të falin dhe shpalos artistikisht fatin e një populli,shkruar më një prozë poetike mbresëlënëse.

PIRAMIDA PREJ MJALTI




PIRRO LOLI

PIRAMIDA PREJ MJALTI

”PIRAMIDA PREJ MJALTI”:(Tiranë,2001,nga albin) Është një roman simbolik ,ndërtuar me një arqitekturë krejt të veçanë e plotësisht bindës.Një mjek i deklasuar pushohet nga puna si kirurg dhe dërgohet në fshat për edukim.Atje ai mbyllet në vetvete dhe detyrohet të merret me kultivimin e bletëve për të siguruar jetesën.Një ditë sekretari i partisë i bën propozimin më të çuditshëm: ta detyronte një koshere bletësh të shkruante në reliev me mjaltën e saj, fjalën e dashur PARTI dhe pastaj këtë telajo t’ia shpjerë udhëheqësit për dhuratë në ditlindje.Shkencërisht e pamundur kjo,por puna filloi; e  gjithë kosherja,me të gjitha organikat e saj ,që nga bleta më e thjeshtë punëtore e ushtare nga skuadrat e punës,të mbrojtjes,të sigurimit,të informacionit etj, mobilizohen të shkruajnë fjalën magjike deri në çmendje, ose deri në roitje.E mbetur pa ushqim,mbërthyer me urrejtje brenda vetvetes, gjithë kosherja e trullosur roit në kërkim të një mbretëreshe të re,ose merr rrugët maleve,gërxheve e deteve për ekzistencë. Ashtu si Shqipëria ,ulërin në heshtje autori,ndërsa si bletërritës,me një fshesë të vogël,fshin viktimat që shtohen përditë e bien në hon….

INTERVISTE ME NJE GUR



PIRRO LOLI

INTERVISTË ME NJË GUR


”INTERVISTË ME NJË GUR”:…(botuar në Tiranë,2000 nga albin)  ….Një i ri shqiptar qarkullon rrugëve të Athinës me nje torbë në shpinë.Atje ka kockat e vellait të vogël që ia ka vrarë mafja pasi i grabiti edhe rogën e një muaji.Pas katër vjetësh eshtrat e tij i nxjerrin nga varreza se nuk janë paguar katër milionë dhrahmi që koston sipërfaqja e varrit dhe i vëllai detyrohet ta mbajë mbi shpinë.Është viti i keq 1997.Ngarjet e romanit transferohen në një qytet të gurtë shqiptar ku, në situata të jashtëzakonshme e absurde siç qe ai vit,as atje nuk mund të varrosen kockat e emigrantit sepse është grabitur varreza dhe …. Të gjithë njerëzit e këtij qyteti e kanë mbiemrin guri. Se të ashpër janë si gurët e qytetit.Dikur në radhë e të shtypur ,të vendosur në mur ku i kërkonte i zoti,tani, ashtu të papronë,të paemërt,kanë filluar të lëvizin, e, në kaos,shtyjnë e plagosin njeri tjetrin ;duan të bëhen edhe gurë qosheje e përpiqen të pasurohen me thonj e me dhëmbë sa më shpejt, pa kuptuar që rendi i ri është  zbatim ligji dhe alternativë gurësh…Personazhe krejt origjinale,të përçudnuar ka  ky qytet i vjetër që u ka rezistuar armiqve qindra vjet, por tani po prishet nga  të vetët.

LOTET E DIELLIT




LOTËT E DIELLIT
(Roman)
Është botuar në Athinë nën kujdestarinë e presidentit të arvanitëve, stjuduesit dhe albanalogut të njohur, të ndjerit Aristidh Kola në vitin 1998. Ёshtë pritur me entusiazmë nga lexuesi dhe është nga romanet e rrallë që është shitur pothuajse plotësisht.. Në qendër ka një personazh mafioz që arrin të rrëmbejë ish gruan e tij  të re dhe ta trafikojë bordellove të Athinës. I ati , një njeri i ndershëm shet gjithçka, rregullon një vizë greke dhe i qepet të birit mafioz duke kaluar peripeci dhe pengesa të jashtëzakonshme. Pasi bën të pamundurën për ta kthyer nga rruga, pasi bindet se djalin e tij mafioz e mbron , jo vetëm mafja greke por dhe policia, plaku kthehet në vendlindje dhe var në të gjitha shtyllat e qytetit një nekrologji ku njofton vdekjen e djalit të tij të vetëm. Hap kësodhin në shtëpi dhe pret ngushëllime për të vdekurin, aktualisht mafioz e milioner me paratë e trafikut të femrave.
Romani ngërthen emocione të fuqishme, njerëz , situata , ngjarje nga më absurdet dhe nga më tronditëset që vetë kriminelët mund t’i bëjnë. Ky libër, i pari roman i autorit i flet kohës estetikisht për  një nga dukuritë më të shëmtuara, të pseudodemokracisë, trgëtinë e mishit të bardhë