Tuesday, April 17, 2012

DICKA E PATHENE PER PIRRON


DICKA QË S’ËSHTË THËNË PËR PIRRO LOLIN
                 (Rreth eseistikes se këtij autori)

Nga STEFAN MARTIKO

     Pirro Loli plotësinë e vet e ka arritur përmes përpjekjeve që synojnë racionalitetin, pra kapjen e çdo kuote me kujdes për të kuptuar më mirë se ku ndodhesh ; të gjitha fijet, nga jeta te vdekja, nga realiteti te ëndrra, atë e çojnë natyrshëm te letërsia. Krijues me synime që provon të gjitha gjinitë. Mungesën e njerës e plotëson te tjetra dhe në fund , sa për idetë, ato i shfaq hapur e drejtpërsëdrejti në ESSET e tij, që shënojnë një arritje kulmore të krijimtarisë së tij. Eseja  për çdo krijues është sprova përfundimtare, shenja e pjekurisë e do të thoshja dhe kënga e fundit e mjelmës, aristokratja e të gjitha gjinive letrare ku krijuesi ka vendosur të shfaqet e të shpalosë misteret e veta.
     Pirro Loli përmes eseve të tij hedh vështrimin mbi botën dhe ndalet atje ku mungojnë përfundimet e qarta, ku historia është në zgrip, ku herë herë një tabu duhet shkallmuar. Të rimarrësh Kazanxaqin, këtë shkrimtar të madh grek e botëror e përmes Zorbës së tij të kërkosh të thuash diçka që s’është thënë. Po ku e di Pirroja gjithçka që për të është thënë? Them se e di, sepse lexon shumë, s’kam njohur njeri e krijues më gërmues, grricës, të pangopur, ambicioz. Diçka di Pirro Loli që s’e dinë të tjerët, prandaj guxon dhe besoj se më të shumtën e herës ia del mbanë.”Kënga e tokës” është një ese tjetër për botën greke të lashtësisë, por duke përfituar nga liritë dhe mundësitë që të jep kjo gjini e mrekullueshme, Pirroja e braktis lashtësinë një çast e hidhet gjer në kohën tonë për ta bërë rrugën e gjatë të krijimtarisë njerëzore të cilën Eskili e vuri re i pari, duke parashikuar se kjo bashkëjetesë do të ishte e pandalshme. Eshte pasuria që ndoshta i shton lëndën që bëhet objekt i eseistikës së Pirro Lolit siç ndodh në esenë “Poezia kjo foshnjë e thinjur”, “Arti dhe farat e zeza të realitetit”. Lëndë e ngjeshur dhe njëkohësisht e çliruar, shumë dhoma, por të tëra të përshkuara nga ajri e dielli. Poeti ka vendosur të bëjë një udhëtim të një lloji tjetër në esetë e tij për poezinë. Duke qënë poet ai i njeh mirë mekanizmat e krijimit të saj. Në të zotëron mishi, ndjenja ,fryma. Po e marr si shembull këtë, sepse pas leximit të saj dal i mahnitur, takoj edhe veten dhe e braktis rishtas për ta gjetur.
     Brenda një eseje është i pranishëm lumi, lumi si ide e kohës me prurje për të kërkuar një shtrat më të gjerë, nevoja si rrjedhje e vazhdueshme për tu shprehur. E shoh këtë dhe e ndiej te eseja për Zorbën, për eumenidet, për Edipin e frikshëm, për poezinë dhe artet. Kjo do të më interesonte për të zbuluar veçanësitë e Lolit si eseist. Ai nuk “ngopet” me gjëra të lehta dhe e mbush mendimin me lëndë, me referenca të njerëzve më të shquar në plan botëror. Kjo mënyrë ligjërimi e lë esenë varur si kambanë kapur sa te poezia e te filozofia. E pra, mund të dëgjosh tërë tingujt njëherësh, por t’i ndiesh
edhe veç e veç. Një krijim që mëton të sjellë një harmoni të shumë elementeve. Nëse zërat janë fjalët e autorit, muzika ndjehet më në thellësi, ku autori është duke ndjekur ritmin e orkestrës. Ndoshta ndodh si në lojën e futbollit, ku nuk e ndjek dot tërë rrjedhën e lojës, por duke e shoqëruar topin e kupton se loja është në harmoni me të tërë elementet që, s’mund të jenë të tërë në vëmëndjen e shikuesit.. Me fjalët që dua të them dua të zbuloj të qenësishmen që më ofron në esetë e tij autori. Ajo që mbetet sepse kujtesa seleksionon edhe pjesën tjetër ia jep harresës së panginjur. Por shumë ndjesi të jepen, shumë gjëra mbeten për shkak sidomos të fakteve që ilustrojnë idetë., të cilat i ndien në pikën e vlimit të tyre. Që nga marrja e temës e gjer sa bie sipari i saj , Pirro Loli gjendet brenda një uniteti vlertash si një shtëpi që tashmë është bërë e tija.
     Unë duhet të shprehem qartë pse më pëlqejnë esetë e Pirro Lolit. Unë dalloj me lehtësi guximin e autorit me të cilin u afrohet temave të mëdha . Këtij autori nuk i intereson më ato që janë thënë. Në një vështrim kjo duket si një aventurë letrare, por në më të shumtën e herëve është kthyer në një fakt letrar që rigjeneron vetë letërsinë. Autori ka diçka tjetër që do të thotë. Te Zorba psh, (ese me 100 faqe) unë ndjehem mirë, mësoj të reja që më parë nuk i kam njohur, njëkohësisht më ndihmon ta shoh Kazanxaqin dhe Zorbën në raporte të tjerta brenda e jashtë veprës. Më afrohet edhe më tepër në kufijtë e inteligjencës sime, por edhe të kontiunitetit tim shpirtëror si ballkanas, si evropian. Guximi letrar te një talent është garanci për sukses. Por kur Pirro Loli shkon gjer te Xhonsi, kurajoja e tij të lë pa mend. Xhojsianët janë të rrallë dhe i kanë larguar duart prej tij si prej zjarrit. Loli guxon e i afrohet ngadalë, pastaj hyn në të edhe pse e di se në atë zjarr mund të digjet. Sigurisht që asnjë temë nuk mundet të ezaurohet plotësisht, por eseja e lë hapur debatin, nxit diskutime të pafund. Të tilla si te “Everesti mjegullor i letërsisë “, “Proçesi Kafka”, etj për proçesin krijues, poezinë a rrëfimin e rremë në prozë,motorrët e debatit letrar ndizen edhe më shumë. Realizmi gati quhet i ezauruar, (por unë besoj se ai është ende i pranishëm) dhe modernizmi i ftuar ta spjegojë botën në një stad të ri të zhvillimit të saj. Ka kundërshtarë të kësaj ideje ?Siguriusht. Por edhe ata nuk I ndalon kush për tu mbojtur e sulmuar estetikisht. Vetëm se debati  përballet me argumente letyrare më tepër se me ato historike. Sidoqoftë Pirro Loli po thotë atë që ai kupton si të nesërme, si të ardhmen e asaj që tani është e sotme. Në këtë vështrim Pirro Loli më duket se është një hap para kundërshtarëve të vet, sepse çdo zhvillim ka një kahje. Kush e kupton shpejt atë, mbartet natyrshëm për tek e ardhmja...

No comments:

Post a Comment