Tuesday, April 17, 2012

LIRIA E BURGOSUR DHE BURGU I LIRE


LIRIA E BURGOSUR DHE BURGU I LIRË
                                     Mbi librin e ri të Pirro Lolit
                                         “Unë, Agjenti i CIA-s M H.”
Nga:  Zimo KRUTAJ

I njohur si poet, romancier dhe eseist, shkrimtari Pirro Loli sjell për lexuesin librin e tij të ri “Unë agjenti i CIA-s M. H.”, botim i “Globus R”. Kësaj here kemi të bëjmë me një tekst të një lloji të veçantë. Është një histori e vërtetë njerëzore, që ka në qendër një personazh real, jeta e të cilit na vjen në formën e një biografie letrare. Ky përcaktim shpreh vetëm pak nga ajo që ndjen kur e përfundon librin. Ke përshkuar një mjedis surreal, nga ata që mund ta krijojnë e ta përligjin vetëm diktaturat. Muhamet Hoxha, xhandari nga Gjirokastra që u bë agjent i shërbimeve inteligjente perëndimore, zbriti si diversant në Shqipëri, ra në kurthin e Sigurimit dhe për 25 vjet i përshkoi të nëntë rrathët e ferrit të burgjeve komuniste. Në penën e Pirro Lolit jeta e tij kthehet në një negativ filmi për lirinë e burgosur dhe për burgun e lirë, ku gjallonin ata që ishin përtej hekurave. Nëse ia dilje të mbijetoje, të mbeteshe njeri,  do ta gjeje pak liri brenda vetes. Prandaj autori, në esenë hyrëse të librit, thekson “...E pashë që ky “diversant” ishte i mbushur me dashuri, patriotizëm dhe humanizëm kundër dhunës dhe tiranisë dhe e çmonte lirinë individuale si themelin e të gjitha lirive.  Jeta e rrezikshme e detyronte të bëhej “komunist”, “fashist”, “tradhtar” – herë me Zogun dhe Legalitetin, herë “italian”, “gjerman”, rob i kapur nga gjermanët, italianët, rusët etj. Por thelbi i pandryshueshëm dhe i patundur i tij, që nuk e prek asnjë maskë e ekzistencës për mbijetesë, mbeti atdhedashuria, Shqipëria dhe antikomunizmi. Mu për shkak të antikomunizmit, jeta e Muhamet Hoxhës është e lidhur me mijëra fije, pazgjidhmërisht me jetën e Atij, diktatorit “se jeta ime nuk mund të ishte e tillë pa të, dhe nuk mund të shkruhet pa jetën e tij”. Është kjo një përmasë e rëndësishme e librit, errësira e diktaturës, e përfaqësuar nga antinjeriu, që nxin ditët dhe netët e qytetarëve të vet... Pa u zgjatur në këtë pikë, le të kthehemi vetëm për pak çaste në kohë dhe le të kujtojmë se sa me lehtësi “ia falnim jetët tona Partisë dhe Atij”. Herë – herë mendimet  e agjentit M. H. marrin vlerë profetike, ndaj ndoshta edhe ai ka fatin e profetëve: gjithnjë përndiqen e persekutohen në  vendin e vet.
Përmasa tjetër që mban drejtpeshimin e librit është e kundërta e territ, drita. Një dritë e butë që buron nga humanizmi dhe mirësia e “barbës”, por edhe nga befasia që të zgjon figura e Apostol Goçit, një tjetër personazh real, protagonist i dytë i këtij libri. Në figurën e Apostolit kemi të bëjmë me një dëshmi të prekshme të së vërtetës së madhe se thika e diktaturës u ngul në mish, depërtoi thellë në kockë, por fatmirësisht nuk mbërriti dot në palcën e njeriut shqiptar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet qëndrimi i Apostolit ndaj Muhamet Hoxhës, të cilin e ndihmon, e mbron, e përkrah, i hap derën e shtëpisë e të zemrës, kur të tjerët “e tregonin “diversantin” me gisht dhe i trembeshin si kolerës...”
“Personazhi” i tretë jo më pak i rëndësishëm  mund të thuhet pa frikë se është vetë autori Pirro Loli. Jo aq për njohjen me dy të parët (Muhametin ai nuk e ka njohur fizikisht) sesa për përfshirjen e tij të plotë, miratimin e paraqitjen artistike të arrirë të një kredoje njerëzore të përbashkët me ta.
Personazhe të tjerë, pothuaj të gjithë figura historike e persona realë, të luftës, të pasluftës e të pas viteve 90-të, ngjarje, dëshmi e të vërteta tronditëse nuk përbëjnë vetëm sfondin e veprës. Ato janë pjesë e qenësishme e kronikës së kohës për më shumë se 60 vjet, të parë në një këndvështrim të veçantë. Si shembull ilustrues për këtë mjafton të përmendim Gjirokastrën, qytetin ku enden e gërshetohen fatet e të tre personazheve Muhametit, Apostolit e Pirro Lolit. Në libër, për zgjedhje të qëllimtë dhe për meritë të autorit na shfaqet një Gjirokastër tjetër, të cilën pak ose aspak e kemi hasur në letërsinë socrealiste. Qyteti shfaq anën tjetër të tij në kapitullin “Shpërthimi i llagëmeve”. Ky qytet është ende me baltë në sy, bie erë kalbësirë, “dhe kulla e famshme e sahatit ngjan si arkivol vertikal ngjitur mespërmes qytetit”, ku vërshojnë ujërat e zeza... drejt lumit që sjell pemë të sapoprera... Koha e ndarjes me të keqen ia çjerr maskën e gurtë...
Pak më sipër e quajtëm librin e ri të Pirro Lolit biografi letrare, po pa qenë të bindur se ky zhanër i shkon plotësisht për shtat kësaj vepre. Le ta quajmë më mirë sagë, edhe nëse e teprojmë pak. Është saga e tre njerëzve pa asnjë lidhje gjaku me njëri-tjetrin, por me lidhje shumë më të thella e të qëndrueshme, të pleksura nga Providenca e të provuara në rrjedhën e viteve. Është saga e Muhamet Hoxhës, agjentit diversant që zbarkoi në vendin e vet për të rrëzuar diktaturën, pikërisht pse ishte me dekada përpara bindjeve e mendësisë së bashkëkohësve të vet. Dhe koha, ajo që nuk gabon kurrë i dha të drejtë, ndaj ai mund të prehet i qetë në panteonin e martirëve të kombit.
Është  saga e Apostol Goçit, e mbijetesës së shpirtit njerëzor, solidaritetit, mirësisë dhe humanizmit, e shpresës dhe besimit, vlera aq të kërkuara e të çmuara sot në Evropën ku Shqipëria mëton të integrohet.
Dhe, në mbyllje, duhet thënë se është edhe saga e Pirro Lolit, shkrimtarit që iu hoq e drejta e botimit, që ia prenë urat e komunikimit me lexuesin dhe tani, i kthyer nga një mërgim i gjatë, në fillim brenda e pastaj jashtë vendit të vet, nuk fshihet pas “paanshmërisë” së autorit. Plotësisht i vetëdijshëm për këtë ai shkruan: “Sot kultura shqiptare (dhe historia që duhet të ribëhet) kërkon prej intelektualëve të vërtetë vdekjen e skllavit të dikurshëm brenda vetvetes, me qëllim që të qartësojë të vërtetën, paçka se herë–herë kjo dhemb pa shërim...”  
Stili i rrjedhshëm e plot nerv, gjuha e gjallë dhe e pasur, ndërthurja e harmonishme e fakteve dhe ngjarjeve historike me përsiatjet individuale e përfundimet e autorit plotësojnë dinamikën e rrëfimit dhe e bëjnë lexuesin, sado të paanshëm, pjesë të kësaj historie të rrallë, thellësisht e mëvetësisht shqiptare..

1 comment:

  1. Unë po e ndaj këtë dëshmi për partnerët që vuajnë në marrëdhëniet e tyre, sepse ka një zgjidhje të qëndrueshme.

    Burri im më la mua dhe 2 fëmijët tanë për një grua tjetër për 3 vjet. U përpoqa të jem e fortë vetëm për fëmijët e mi, por nuk munda t'i kontrolloja dhimbjet që më mundonin zemrën. Isha i lënduar dhe i hutuar. Unë kisha nevojë për ndihmë, kështu që bëra disa kërkime në internet dhe hasa në një faqe ku pashë se Dr. DAWN ACUNA, një magjistar, mund të ndihmojë të kthehen të dashuruarit. E kontaktova dhe ajo bëri një lutje dhe magji të veçanta për mua. Për çudinë time, pas 3 ditësh, burri im u kthye në shtëpi. Kështu u ribashkuam përsëri dhe kishte shumë dashuri, gëzim dhe paqe në familje.

    Ju gjithashtu mund të kontaktoni Dr. DAWN ACUNA për zgjidhje të shpejtë.
    1) Nëse dëshironi të ribashkoheni me të dashurin tuaj.
    2) Nëse keni nevojë për paqe / gëzim / lumturi në martesën tuaj.
    3) Nëse dëshironi të trajtoni infertilitetin.
    4) Nëse dëshironi të kuroni çdo lloj sëmundje, Kancerin/HIV/Tubën e bllokimit/etj.
    5) Nëse doni të tërheqni dikë në jetën tuaj.
    Whatsapp: +2348032246310
    Email: dawnacuna314@gmail.com

    ReplyDelete