Tuesday, April 17, 2012

KITARE E BRAKTISUR NEPER ERE


KITARË E BRAKTISUR RËNKON NËPËR ERË...

Bisedoi J.GJONCAJ


Presidenti shqiptar, zoti Alfred Moisiu dekoron  me “Medaljen e Mirënjohjes” shkrimtarin  Pirro Loli me motivacionin “Për nivel të lartë estetik në krijimtarinë letrare dhe publiçistike si dhe për kontributin aktiv në jetën shoqërore e kulturore në emigracion”


KRIJIMTARIA LERARE

POEZI

DRITA E VETËTIMËS
DHIMBJA E URËS
DRITARET E SHIUT
VDEKJA E TRËNDAFILËVE
URDHËRI I LOLTIT

ROMANE

LOTET E DIELLIT
INTERVISTË ME NJË GUR
QENI PLASTIK
PIRAMIDA PREJ MJALTI
DASHNORJA MISTERIOZE

ESSE-REFLEKSIONE

ITAKA BRENDA MEJE
KOSOVA SAGA E BALLKANIT(Me bashkëautor PRIMO SHLLAKU)


     Zoti Pirro,si e përjetuat dekorimin? Ndërsa jeni nga më të njohurit në emigracionin shqiptar në Greqi, nuk njiheni siç e meritoni në Shqipëri, apo jo ?

Kjo që thoni është e vërtetë. Është një e vërtetë e dhimbshme për të gjithë krijuesit e larguar. Kështu ,shpërndarë nëpër botë,ngjajmë si jetimë pa nënë e pa baba. Por çdo e keqe e ka një të mirë. Unë gjeta vetveten me një punë intensive. Është dhe meritë e gruas sime që,duke mbajtur familjen, nga rrethanat e vështira ,më nxorri mua në “krijimtari ë lirë.”
   Dekoratën e përjetova si një befasi fatlume. Mu duk vetja e rrethuar me mirënjohje. Një zë i ngrohtë më erdhi nga atdheu. E , kur kjo mirënjohje zgjatet në KRIJIMTARI, unë e përjetoj dhe si thirrje për tu kthyer atje. Se vetëm atje, për mendimin tim, verifikohet artisti, atje është drama dhe poezia,frymëzimi dhe nderi. Është shumë pak të themi se atdheun e kemi marrë me vete. Nuk jemi në kohën e Rilindjes. Jetesat e gjata larg atdheut të lënë pa lexues, pa emër, pa vulë. Dhe ana tjetër, atdheu nuk është ai i pari. Ai atdhe që ka dhënë dhe prova persekucioni për shkrimtarët e vet, nuk është më. Me gjithë hallet e shumta, atdheu demokratin, po e kërkon intelektin e vet, fatkeqësisht, shpërndarë keqas nëpër botë.

-Te poezia “Arti” ju thoni; Nuk arrij dot te palca e fjalës/ Ndaj gjuhën e preva....Pse ky pesimizëm ?Mos e kam gabim ?


-Poezia vazhdon;Nuk i dalloj ylberet në ajër/ Ndaj barkun e diellit e çava/ Nuk i prek dot tingujt e dhimbjes/ Ndaj kitarën e theva.../Si kitarë e braktisur/ rënkoj nëpër erë....
Nuk është vetëm pesimizëm.Është edhe përgjegjësi.Dhe gjendje.Dhe vështirësi.Dhe e pamundur ta ngresh fjalën tek vetvetja.
Askush nga ne nuk mund të pretendojë përsosmërinë. Arti është udhëtim drejt mungesës , ose drejt pafundësisë. Poeti është kitarë e braktisur...E thotë bukur poeti William Merwin, “Kur gëzimi i botës i gjen fjalët/ato janë të dhimshme/dhe shpesh kthehemi pas/me duart tona prej loti”...


-Çfarë është talenti? A mund të flasim për talente të shpërfillura e të keqpërdorura?

-Duhet të jetë një dhunti e lindur. Por , pa dyshim, edhe e kultivuar..Mund të jetë një farë elite, por, nëse nuk ka kushtet e mbjelljes, kultivimin, tokën , lagështinë, ajrin, dritën, talenti s’mund të quhet më farë, e ca më pak  elitare.
Talentet e humbura, të shpërfillura e të keqpërdorura janë të gjithë shkrimtarët e talentuar të RS, por talent i shpërfillur dhe i keqpërdorur, mund të jetë kushdo, pamvarësisht nga metoda, nëse nuk shoqërohet me punë dhe vetëm me punë.F.G.Lorka shprehet; “Një vepër cilësore është 97% talent dhe 97 % punë.”Gabojnë të gjithë ata që thonë se poezia bëhet edhe në këmbë...

-Besoni se merrni pjesë në krijimin e një kujtese kombëtare?

-Po.Besoj tek vetvetja.Kur ulem të shkruaj mendoj si egoist se do të bëj diçka të mirë. Kur libri botohet , s’është më imi. Libri kalon te lexuesi, ose te gjykatësi. Është fat kur gjykatësit janë specialistë. Cilësia e lartë intuitive e spontane, por edhe e mirëevidentuar shkencërisht, ka të drejtë të trokasë në dyert e tempullit. Kujtesa kombëtare  nuk është një sfungjer që thith çdo lagështi. Ajo, në mënyrë selektive, thith vetëm “ ujin e rëndë” ose “ ujin mbretëror”. Edhe brenda tempujve ka probleme, sherre e intriga, ashtu siç kishin perënditë e Olimpit, dhe sherret,  diktatët , intrigat i sajojnë ata që gabimisht kanë hyrë atje , mbathur me këpucë me gozhdë e veshur kostume artificiale marrë me qira nga diktatorët ,politikat, ideologjitë...Tempulli është larg, por ca nga ne e bëjnë siç tregojnë për një që...Nuk e pranonin në fshat e ai kërkonte vajzën e priftit për nuse...

-Cila është ajo magji e artit që e bën bashkëkohor në ide, në çdo kohë e brez që vjen?

- Nuk është vetëm njera që ta tregoj me gisht, por e rëndësishme për një vepër që t’i rezistojë kohes dhe brezave si fjala vjen , një Hamlet, një Don Kishot, një Uliks, një Promethe...,është orgjinaliteti i saj, krijimi i figurës artistike, unike në atë vepër, përveçimi i njeriut me vlera universale. Nuk janë vetëm idetë që e bëjnë të pavdekshme një vepër letrare, por forca e sugjestionimit, magjia e artit. Arti i madh prodhon dhe idetë dhe jo e kundërta. Koha e hyjnizon artin e vërtetë ashtu siç e harron atë, të zakonshmin.

-A ka krijimtari  të gabuar?

-Për mendimin tim krijimtari letrare e gabuar është letërsia e dobët. Është ajo që nuk arrin as minimalisht figurën artistike, madje dhe ajo që përsërit dhe ecën verbërisht nëpër gjurmë të paraardhësve, pra ajo që nuk është origjinale. Por letërsi e gabuar është dhe ajo që bëhet mashë e një politike dhe e një ideologjie, pse jo, edhe e një morali. Në kësi rastesh kemi kalimin në tjetër gjë, në funksione  të tjera  jashtë letrare e artistike. Është tjetër gjë  pasqyrimi artistik i një politike , a ideologjie, a morali. Letërsia është e pafundme  sa bota, sa galaktika, sa bota shpirtërore e njeriut, por kjo e drejtë gjithpërfshirëse, është  domosdoshmërisht e kushtëzuar nga krijimi i realiteteve të reja, nga ngritja në art, i cili ka ligjësitë e veta misterioze.
Letërsi e gabuar është edhe ajo që spekulon me lirinë e fjalës, që  bën shëmbëlltirë vese e përçudnime njerëzore.”Njeriu është i lirë të bëjë   edhe keq”- thoshte Bodleri, modernisti i madh francez. Kështu, ndoshta, jemi më të saktë,  të përgjigjemi në mënyrë mohuese –s’ka krijimtari të gabuar,- duke anashkaluar paragjykimet fikse se cila letërsi është e mirë apo e gabuar. Më duket se vetë pyetja juaj mbart një paragjykim.

Cila është sëmundja e letërsisë ?

Nëse do t’i quajmë të metat sëmundje, them se ajo në letërsinë tonë është kronike. Sepse ajo vuan akoma patologjinë e RS, si produkt, si përvojë dhe si metodë. Ajo vuan edhe hijen e dikurshme të bejlerëve të letërsisë. Letërsia e re post komunist vuan dhe pozicionin tranzit të saj, rrezikun e imitimit verbërisht të letërsisë moderniste a postmoderniste. Sot spekulohet me lirinë e në vlerat e vërteta që humbasin në morinë e madhe të mallrave, është dhe libri, libri , i vetmi mall që i mungon pronësia e vertetë dhe që humbet  edhe nga vetvetja e sforcuar e kontrabandë, sasia. Kështu intelekti i vërtetë krijues, letërsia cilësore, paguan  çmimin e lirisë së fituar në demokraci, ku në plan të parë del zullumi dhe paraja. Për mendimin tim, letërsia ka nevojë për çensurë profesioniste, por paraja e ka mposhtur cilësinë dhe çensura është mjerane. Këtë do ta quaja sëmundje jo vetëm të librit, por krejt të kulturës shqiptare.

Ç’është politika për Pirro Lolin ?

Është një stacion i lënë pas, por që fantazma e saj më del përpara kudo.Për ne shqiptarët, që kemi vuajtuar nga politika të mbrapshta, është gjithmonë një rrugë më e mirë në kërkim të shtetit ligjor që ,me sa duket, ka marrë kahjen drejt Evropës. Kështu politika na bëhet e domosdoshme si buka, pamvarësisht se herë e djegur, herë e papjekur e herë bajate. E keqja është se, pamvarësisht nga cilësia e bukës, ne jemi ndarë bardhe e zi dhe votojmë edhe për furrxhiun që na mashtron.

A mund të themi se letërsia ka shpëtuar nga ideologjitë , a paraaprin arti  dhe ,nëse do merreshe ti me politikë, a mund të ndryshonte diçka ?

-Arti nuk i prin ideologjisë. Në historinë e tij ka ndodhur e kundërta. Politikat e kanë përdorur atë për të mbajtur dhe lustruar vetveten. Arti është”parti”gjithmonë në minorancë, gjithmonë pa vota dhe gjithmonë opozitë. Por letërsia nuk i shpëton dot ideologjizmave, të cilat, si çdo gjë tjetër, nuk janë të privuara nga pasqyrimi. Problemi qëndron se, nëse opron me to, duhet t’i pranosh të gjitha opcionet, tezat e kundërtezat, dhe jo të jesh i mbërthyer në një qëndrim, sepse politika, ideologjia ,është shprehje e debateve midis pozicioneve të ndryshme dhe të kundërta. Artisti duhet të jetë i paanshëm dhe jo gjyqtar e prokuror i personazheve të tij. Kjo ka të bëjë me vizionin që kanë krijuesit për lirinë. Idetë fikse i kryqëzojnë poetët.
    Ndërsa po të merresha unë...Asgjë nuk do ndryshonte. Tonin e politikës nuk e japin poetët. Diku kam shkruar : Eh, po të merresha unë me politikë, bari do kish të gjelbër tjetër/ligje të reja do nxirrja për dhimbjen e njeriut dhe pikëllimin e tokës/ poezinë do ta mboja me gardianë të kualifikuar/Do hapja dhe klinika speciale për zogj të plagosur....

Po personazhi në një vepër si mund të bëhet shëmbëlltyrë shoqërore ?

Termi juaj”shëmbëlltyrë shoqërore” më kujton  tipin ose tipikun që mbart mbi vete cilësi( virtute e vese) të klasës a po grupeve shoqërore që përfaqëson. Kjo kërkesë është pjellë e letërsive totalitare. Të kuptohemi :Personazhi është i lirë të mbështetet e të mbrojë çdo ideologji, por s’ka përse t’i kërkojmë që në shpatullat e tij të mbajë pesha që duan të rregullojnë, apo të përmbysin botën.Letërsia dhe arti nuk kanë qëllime utilitare, s’ka përse të jenë “bombe e flamur”. Shëmbëlltyra të vërteta e të paharrueshme, bëhen vetëm personazhet e përveçëm që mbahen mend nga cilësi tepër të veçanta, në ndryshim e në kundërshtim me të zakonshmen shoqërore.


-Çfarë keni ndërmend kur shkruani një vepër të re?

- Kam qindra gjëra që duhet të mishërohen në vepër, por mendoj se më e rëndësishmja është që vepra të jetë  sa më origjinale e kjo do të thotë të jetë sa më e përveçme në ngjarje, personazhe, imazhe, gjetje etj. Problemi më i madh është forma me të gjithë komponentët e saj. Forma, teknika është tregues i sinqeritetit të autorit. Mua më mundojnë më tepër ato që nuk duhet të shpreh, ato që mbartin enigmën, guackat e mendimit, jo mendimet vetë. Libri nuk duhet të jetë i mbyllur si rreth. Në këtë aspekt letërsia bëhet edhe dije, një dije e veçantë që nuk ka për qëllim të ndriçojë një objekt të dhënë apo të fantazuar, por duke luajtur në dritë –hije, teknikisht, bëhet një paradoks që fsheh diçka, atë që Kanti e quan “send në vetvete” jo në mosnjohje për në formën e enigmës. Njeriu i letërsisë, duhet të jetë i veçantë, përtej shfaqjes, pozave, konjukturave dhe dobisë.


-Ç’ rol luan fantazia  në krijimtarinë letrare?


- Fantazia luan rol absolut, kaq sa, pa të nuk ka as letërsi as arte ;ajo është aftësi e lindur për t’i tjetërsuar realitetet. Fantazia është dhunti e kjo bën atë që letërsia të jetë distancë e përhershme ndërmjet shkrimtarit dhe realitetit.Vetëm me anën e saj e mbi krahët e saj krijohen, shpiken ngjarje, njerëz, kafshë në mjedise dhe kohë të tjera. Kjo botë i ka të gjitha sendet të emëruara, letërsia e riemëron botën. Si e qysh ,ky është një problem i ndërlikuar estetik, që kërkon trajtim të veçantë.
....

A ka përsosmëri në krijim, apo ajo që ekziston është kërkimi i përsosmërisë?

- Vetë koncepti “përsosmëri” është i pamatshëm, i papërsosur. Nuk është një majë mali që të duhet ta arrish si alpinist. Asnjë kryevepër nuk është e përsosur. Në letërsi e në arte masa e vlerësimit të cilësisë është subjektive. As kënaqësia artistike, nuk është i vetmi tregues, as pëlqimi nga shumica., bile , ato që pëlqehen lehtësisht nga masa e gjerë, janë më të dobëta e të dyshimta. Poezia, piktura, muzika janë lluks intelektual dhe intelekti që gjykon e vlerëson është në çdo kohë minorancë. Poetët e vërtetë nuk thonë kurrë “jam poet i madh”, se e dinë relativitetin e majave, të vegjëlit priren për epitete e madhështi.



-Cilat janë ato të dhëna  që duhet të ketë  një njeri që të gjejë rrugën e vet në krijimtari?

-Dije, kulturë, shumë punë, e natyrisht , talent. Ruga drejt suksesit në letërsi është një e përpjetë thikë. Shumë nisen por shumë pak arrijnë. Suksesi është pasojë e sakrificave sublime, është ,pse jo edhe vetvrasje.Shpirti i krijuesit është një shpirt që digjet, digjet deri në amshim për të tjerët.Vetëm ky shpirt bëhet i dashur e pikë referimi për shoqërinë.

-Duke u bazuar në përvojën tuaj, besoni se është real e aktual ajo që dëgjojmë “...fatkeqësisht  kjo është e shitshme, këtë kërkojnë njerëzit..”

-Është e vërtetë që lexuesi i rëndomtë kërkon gjera të lehta, sensasionale, çudira, seks, letërsi policore.Por nuk është kjo masa që tregon letërsinë e vërtetë , cilësore. Kjo dëshmon se problemet i ka lexuesi, jo shkrimtari cilësor.Duhet të pranojmë  që sot njeriu është i lodhur, që kohën re lirë e gllabëron televizori , interneti.Duhet të pranojmë që tash për tash, libri është pak i mënjanuar, edhe për shkak të mungesës të kritikës.Libri është mall konsumi krejt i veçantë.Nuk është vetëm çmimi, emri i autorit dhe shitja tregues i cilësisë.Shkrimtari i mirë kur shkruan nuk duhet të mendojë lexuesin, as tregun, por vetëm realizimin cilësor të veprës.Të mos harrojmë se kudo letërsia e madhe cilësore është pritur me spekticizëm, madje edhe me mospërfillje.Shkrimtari i mirë prodhon edhe lexuesin, dhe jo lexuesi shkrimtarin.

-Jetojmë në botën e konsumit.Çuditërisht, kur sot  mbytemi nga reklamat, mungon tërësisht reklamimi i librit që është ushqimi kryesor shpirtëror i njeriut.Cili është shpjegimi juaj?

- Reklama është shpirti i tregëtisë, por dhe mashtrim për mallra të cilësisë së dobët. Reklamë bën ai që ka xhep. Në shoqërinë tonë shkrimtarët janë më xhepgrisurit e, kuptohet, ata që realizojnë reklamën, janë më të shitshëm. Kjo s’ka të bëjë domosdoshmërisht me cilësinë, as me emrin e autorit që shpesh shitet si mall pa reklamë të paguar .Do ishte mirë që reklama e librit cilësor të bëhej nga shteti., sepse libri është ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm mendor e shpirtëror. Poezia është mall dhe produkt i idealistëve dhe i të varfërve. Por poeti e artisti është një kanarinë me pupla të mëndafsha, që cicëron copa këngësh prej dhimbjes e lotit...,por dhe kanarinës i jepen ca thërrime pa e paguar reklamën..


-Dështimi a ka ndonjë përfitim? Po e sukseshmja a ka kosto të lartë?

-               Dështimi është dështim dhe , e shumta, të shërben si përvojë që nuk duhet të përësitet. Edhe suksesi ka kosto të lartë. Ai mund të mos vijë kurrë e shkrimtarit i duhet të ndiejë dhimbjet e Sizifit gjat gjithë jetës. ndaj thashë diku për poetin si Shën Agustini “shpirti i tij digjet, vazhdimisht digjet..”

    Si e përcaktoni temën në një vepër letrare ?

-Më mirë të mos flasim për këtë. Është problem i tejkaluar i letërsive totalitare. Në letërsi nuk kanë rëndësi temat, bile, as idetë, mesazhet, a moralet. Rëndësi ka jo çfarë shkruan ,por si shkruan, si e kthen sendin në fakt artistik.

-Emigrimi  për shkrimtarin është privilegj apo një mangësi?

-               Mërgimet e mëdha demografike formojnë dhe fizionomine e vendeve të tyre, duke u bërë shpesh dhe shpitimi i tyre.(jo vetëm ekonomikisht). Mund të them  se emigrimi  për krijuesit e përkushtruar nuk është mungesë, por  progres. Kontakti  ynë me vende , kulturë, gjuhë të ndryshme e njohje me personalitetet  letraro-artistike, së paku të jep mundësinë e të krahasuarit. Krijuesi emigrant, veç nostalgjisë së përhershme që ka për Atdheun, mendoj se në distancë e me qetësi e shikon me sy më realisht( e pse jo, disi ndryshe) , baladën, mitin, historinë, traditat tona të vyera, aq sa, metaforikisht themi, se
” ndërton” një Atdhe ndryshe, një Atdhe të përjetuar jo vetëm me sllogane historike, epike, heroike;jo vetëm emocionalisht si nostalgji, por edhe meditativ e kundërshtues..
Letërsia që zhvillohet jashtë, nuk duhet konsideruar si periferike, por pjesë integrale e letërsisë shqipe. Për mua termi “shkrimtar emigrant” ,është i pakuptimtë edhe për faktin se shkrimtari edhe në Tiranë të banojë ,është “në emigrim”, ai “ikën” nga realiteti, ikën dhe duke iu kundërvënë. Letërsia i ka të domosdoshme kontaktet, sidomos me letërsitë e mëdha cilësore.


Përse mungon kritika letrare?Mos vallë ka të bëjë me ekonominë e tregut e qëllimin e të fituarit me çdo kusht?

-Natyrisht ka të bëjë dhe me tregun, me shpërblimin.Të bësh analizën kritiketë një romani a vëllimi poetik, kërkon kohë, mund, ballafaqim, dije estetike. Kush e paguan këtë punë?Askush. Atëhere?Kritika kësisoj bëhet paskëtaj nga miqtë .Po mungesa e kritikës letrare vjen edhe nga mungesa e kritikëve profesionalistë.Ne trashëguam një grusht kritikësh me lente zmadhuese në sy për të mos u kaluar asnjë gabim politik e ideologjik.  Fatkeqësisht ,pjesa më e madhe e rtyre ,jo vetëm që nuk është distancuar nga ato kritika, por lundrijnë qetasi në ato mendësi. Me sa kuptoj unë, kritikët më të mirë janë edhe shkrimtarë cilësorë.

-Si mund ta kapërcej frikën njeriu?

-Kjo varet nga objekti i frikës. Frika kapërcehet duke patur frikë.Dmth, duke e vlerësuar rrezikun. Edhe në letërsi duhet të këmi frikë. Frikën e vështirësisë, frikën ndaj të panjohurës dhe të paarritshmes, se, duhet ta pranojmë . që disa nga e, e kanë marrë shumë lehtë letërsinë.

-A ka ndonjë njeri që ka ndikuar shumë në jetën tuaj ?

-Ka plot, por ju kujtoj njeriun që ka ndikuar në jetën e të të gjithëve,diktatori Enver Hoxha. Në jetën time krijuese fuqishëm ka ndikuar miku im, Primo Shllaku.Primoja si estet, poet, prozator, për gati 15 vjet është çensori im më i rreptë.Kjo është kaq e vërtetë , sa unë e kam frikë atë dhe e dua siç dua veten time krijuese. Dhe vetvetja krijuese ndikon fuqishëm edhe tek qënia.Deri në bashkëautorësi.

-Njerëzit që janë mësuar me  gënjeshtrën , po të takojnë të vërtetën, a do të kenë mundësi ta zbulojnë?

- S’jam i sigurtë në bërthamën e pyetjes, por them se gënjeshtra është një rrugë e zgjedhur me vetëdije ; ajo nuk është mosdije, por tendencë e disa njerëzve që sendeve, ndodhive, fakteve t’u japë emra të tjerë me qëllime të caktuara. Gënjeshtari që gënjen nga padija është gënjeshtar i falur. Duhet të pranojmë që për disa njerëz gënjeshtra bëhet mënyrë të jetuari. Gënjehet edhe në histori dhe “shkencë”, gënjehet kudo ,sidomos në politikë. E lejuar ajo(gënjeshtra ) është vetëm në letërsi.
Lexuesi e kupton fort mirë se ajo që lexon ,nuk është e vërtetë, megjithatë e pëlqen si “tjetër “gjë, si alternativë shpirtërore apo si një formulë enigmatike që kërkon edhe mendjen e tij.

-Thonë që “ ...vetëm poetët zbulojnë jetën...”Është një hiperbolë , apo  e vërtetë?

   Jo, i dashur! Poetët nuk e zbulojnë jetën as botën ,por e pasqyrojnë atë sipas ligjeve të artit. Malarmeja ka thënë “bota është bërë për t’u pasqyruar në një libër”. Dhe libri i mirë është edhe dije,edhe edhe njohje dhe zbulim.

Faleminderit dhe ju urojmë suksese më të mëdha..

No comments:

Post a Comment