Tuesday, April 17, 2012

ZAGORIA, OKSIGJENI I KRIJIMTARISE SIME


ZAGORIA, OKSIGJENI I KRIJIMTARISE SIME…
( Bisedoi  Klanthi Zoto e Niko Tyto)

 Në fushën e letrave, falë punës këmbëngulse dhe talentit tuaj, jeni bërë një personalitet që për Zagorien tonë është nder dhe krenari. Ju lutemi, mund të na njihni me një vështrim panoramik për tematikën kryesore të krijimtarisë tuaj ?

     Ju falenderoj që më krijuat këtë mundësi për të biseduar së bashku. Më duket sikur do çmallem me të gjithë zagoritët. E ndiej dashamirësinë dhe vlerësimin për krijimtarinë time. Eshtë e vërtetë se çdo punë krijuese nuk mund të realizohet pa punë dhe talent. Ka talente që shpërfillen se u mungon vullneti e këmbëngulja, siç ka punëtorë të palodhur, por që nuk realizohen dot, se u mungon talenti. Por, le të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Ju i, dashur Kleanthi, jeni profesor i filozofisë dhe autor i disa librave me vlerë, zoti Niko, gjithashtu studiues dhe poet, e pra, me besimin për t’u mirëkuptuar, më lejoni që të ngrë ndonjë  problem që kurrsesi nuk ka të bëjë vetëm me mua. Eshtë fjalë e madhe të thuash “ personalitet”. Le t’i lëmë slloganet mënjanë. Në fushën e krijimtarisë letrare personalitetet janë shumë të rrallë edhe në rangun kombëtar. Unë nuk jam nga ata që them “gënjemni se më vjen mirë”. Vërtet është shumë mikluese të thuash se je “nder dhe krenari” e Zagories, por unë këtë nuk e kam parë, nuk e kam ndjerë as nëpër faqet e gazetës sonë, as në opinionin zagorit. Përkundrazi , opinioni midis nesh është më tepër indiferent dhe i heshtur, për të mos thënë i mbarsur edhe me xhelozira e qëndrime meskine e partiake. Këtë mund ta faktoj edhe për librin tim “ Itaka brenda meje” që është tërësisht me tematikën zagorite, por dhe dymbëdhjtë librat e  tjerë. Unë mendoj se të gjithë autorët kanë nevojë për oponencë dhe kritikë shkencore, e, nëse pranojmë që, ndër nesh, ka potenciale intelektuale për ta bërë këtë, faktikisht, librat tanë kalojnë tangent me ndonjë reçesion të përciptë edhe ky me njohje e influenca miqsh. Për shumicën heshtet dhe heshtja s’është nder. Dhe kur heshtet ndaj gjërave me vlerë atëhere ajo bëhet fajtore. Ju si staf i gazetës sime heshtët edhe për dekorimin tim nga presidenti i Republikës, ndërsa shumë gazeta të tjera në Tiranë, Athinë, Itali, Amerikë etj, e pasqyruan gjerësisht krijimtarinë time. E thekësoj, s’është fjala vetëm për mua , por për të gjithë ata krijues, historianë, kritikë deri në profesorë e akademikë që përgjithësisht mbulohen me heshtje. Të mos i biem më qafë Zagories, maleve e burimeve të saj, raportet ndërtohen midis njerëzve e ndër elita, gjithnjë ka vend për mirëkuptim. Pak njerëz të shquar ka Zagoria në të gjitha fushat që nga Sheperi në Doshnicë, që( qofsha unë i gabuar) nuk njihen e nuk nderohen si duhet për vlerat e tyre edhe në rang kombëtar. Kjo për të vdekur e për të gjallë. Unë nuk heq dorë nga mendimi im se Zagoria është një nga zonat më intelektuale të vendit që fort bukur, me përfaqësuesit e saj, mund të nderohej shumë më tepër me nderin që duhet t’u bëjë bijve të saj. Faktikisht nderi kushton shumë pak, fama krijohet me punë e talent, ndërsa lavdia , përgjithësisht, vjen e vonuar e saktësohet pas vdekjes.
… Përsa i përket tematikës së veprave të mia, e kam të vështirë përgjigjen. Cdo vepër ka tematikën e vet. Unë kam preferuar njeriun shqiptar në tanzicion, njeriun që mba mbi shpinë hijet e rënda të së kaluarës, njeriun në kërkim të vetvetes, dhe me peshën e lirisë së keqkuptuar mbi shpinë. Por në letërsi nuk kanë rëndësi temat, madje as mesazhet dhe idetë. E rëndësishme është si realizohen këto artistikisht. Letërsia fillon te “si-ja” jo te “sa-ja”.

Natyrisht jemi në një mendje se Zagoria është emblema e punës suaj. Cili është vizioni juaj  për Zagorien, kur mirëfilli dihet gjendja e sotme ?

     Emblema e paarritshme e punës sime është njeriu. Natyrisht “farat” i kërkoj tek njeriu që njoh më mirë, njeriu zagorit; me hallet, dhimbjet, aftësitë, zakonet, intelektin dhe budallëkun e tij, siç i ka jeta. Por çdo shkrimtar ,nëse nuk del jashtë qafave, matanë maleve, ku është rritur, ka rrezik të mbetet gjithmonë provincial. Vlerat e njeriut si personazh, nëse nuk pretendojnë të kapin vlera për të gjithë(universale, pra), rezultojnë jetëshkurtra. Sa më i përveçëm të jetë personazhi, aq më i realizuar është.
Ndërsa për vizionin tim për Zagorien, është më mirë të pyeten specialistët,ndërtuesit, arkitektët, blegtorët, ekonomistët. Vizioni i poetëve është utopik.Mua, psh. Do më pëlqente që, me që jemi katër vëllezër, të ndërtonim rreth shtëpisë së babait nga një shtëpi tjetër. Kjo flet për një të ardhme turistike. Kam bindjen që fëmijtë tanë, që sot duket se i bien me hundë Zagories, nesër do ta kuptojnë se ajo është një zonë turistike e kategorisë së parë.Ndërsa vizioni im për zagoritët që jetojnë kudo, është i ngarkuar me bindjen se ata kudo shquhen për aftësi, për administrimin e mirë të jetës dhe rrethanave. Zagoriti është kryeneç. Ai e ka syrin me çika dhe nuk pranon pozicionin e fundit, as të mesit, synimi i tij për pararoja është aftësi intelektuale.

Dihet se Zagoria ka një numur të madh personalitetesh me emër të madh, ju lutemi, a janë evidentuar të gjithë, a ka vend për vlerësime e rivlerësime, a kemi patur tepërime ?

     Pyetja juaj mbart një shqetësim prej të urti. Mendoj se është bërë një punë e kënaqshme për njohjen dhe publikimin e tyre. Meritë për këtë ka dhe gazeta “Zagoria” dhe disa libra të autorëve të ndryshëm, por kjo asnjëherë nuk duhet quajtur punë e mbaruar. Për personalitetet me “P” të madhe, duhen shkruar libra monografikë. Duhen gërmuar në arshiva brenda dhe jashtë vendit që të saktësohet kontributi intelektual i tyre. Ky vlerësim është një akt i madh historik e kulturor dhe duhen ta bëjnë historianët, shkrimtarët, profesorët, publiçistët e zot. Ndoshta ka dhe tepërime për ata me “p” të vogël, ose dhe për personat pa personalitet, por tepërimet nuk prishin shumë punë, harresa dhe falsifikimi na i rrëmben memorjen.Dhe një popull pa memorje mbetet pa histori e pa këtë nuk ka as të ardhme. Ne jemi një popull me rrënjë. Me rrënjë të thella në gur, nëse këputemi prej tyre, biem. Ka shumë vënd për këdo për rivlerësime ( edhe për Cajupin që është më i njohuri). Përgjithësisht rivleftësimi është cilësi e shoqërive të emancipuara, është detyrë e çdo brezi. Krejt kultura jonë ndodhet para një rivleftësimi të domosdoshëm. Sllogani se historinë e bëjnë fitimtarët, mbart në vetvete edhe shtrëmbërime e boshllëqe madje dhe falsifikime, siç ka ndodhur me regjimin e kaluar totalitar. Ju kujtohet ? Aristidh Rucit ia fshinë emrin në aktin e shpalljes së pavarësisë…e sa e sa të tjerë…u fundosën në hon e u harruan. Faktet janë kokëforta e është detyrë e të gjithëve që duke u mbështetur në to, t’i kthejmë Zagories sonë të dashur vlerat që I takojnë, intelektin e munguar.

Në vitet e fundit, pena zagorite, brenda dhe jashtë atdheut, a po e ndjek traditën, po pasurohet ajo apo është mënjanuar? Duam të themi, zagoriti kulturëdashës, a është siç na i do zemra ?

     Pyetja juaj përmban shqetësimin e raportit midis traditës dhe novatorizmit. Pa dyshim është një problem i madh i krejt kulturës shqiptare, në vençanti, i letërsisë dhe artit. “Pena zagorite”,nëse pretendon të jetë penë poetike, duhet ta ngrërë traditën poetike më lart se kuota ekzistuese, ta anashkalojë traditën, jo për të qënë nën këmbët e saj, por syth i zhvillimit të saj. Një pemë pa sythe është e destinuar të thahet. Tradita jonë, përgjithësisht është folklorike, në formë e në përmbajjje, madje në shumë raste edhe nën nivelin e traditës së kristalizuar më parë si vlerë. Duhet të kuptojmë që poezia bashkëkohore evropiane, por dhe shqiptare, këtë e ka problem të tejkaluar .Format e shprehjes poetike e kanë pasuruar ndjeshëm traditën edhe të poetëve të mirë, fjala vjen, të viteve 70`. Duhet të pranojmë që poezinë e kemi marrë shumë të lehtë, kur, faktikisht është lluksi më i lartë intelektual, është shprehja e mendimeve dhe emocioneve enigmatike deri te e paarritshmja. Të mbështetesh në traditë ,dmth. të ecësh në rrugë të njohura, të shtosh shtresat e anonimatit. Një poezi e tillë nuk duhet të botohet. E drejta e fjalës dhe e botimit, nuk është si e drejta e votimit. Të kuptohemi : Unë kam mendimin se edhe një libër i dobët është më i mirë se asgjeja. Shumë autorëve zagoritë u këndon shpirti e duan t’ia thonë këngës. U lumtë!, por unë e kam fjalën te poezia e vërtetë, që është një e përpjetë e thiktë për të dalë në rrugë të reja,për një drejtësi tjetër, për një liri tjetër,për një art tjetër, atje ku poeti shfaqet si alternativë dhe kundërshti ndaj status- quove e mureve që ia pengojnë dritën. Poeti është mënyrë e të qenit ndryshe, ai është i barabartë me ata që e pranojnë epërsinë e tij.
… Në është krijuesi zagorit “siç na i do zemra”, nuk e them dot, sepse zemra është personale, sepse nuk ka zemër kolektive, aq më tepër kur fusha e krijimtarisë letraro-artistike, është krejt subjektive, duke nënkuptuar institucionin e autorit dhe të lexuesit., përndryshe ,kjo do të na shpinte në shije të përbashkëta, të komanduara, siç qemë ne, të gjithë viktima të metodës socrealiste. Unë deklaroj me bindje se ne, akoma, vuajmë ngërçin e asaj metode dhe shfaqjet e reja, arritjet jo të vogla edhe të krijuesve zagoritë, fatkeqësisht, po i shohim me ato syze. Kudo në botën e përparuar, RS, tashmë, trajtohet si një e kaluar antiartistike.Ajo do të qëndrojë në letrat tona si një kronikë që do të tregojë historinë e një shoqërie ( të lumtur)në agoni, por edhe si nuk duhet të jetë letërsia. Dhe intelekti i zhvilluar zagorit duhet ta pranojë që dhe kryeveprat e shkruara sipas asaj metode, rezultojnë vepra të plagosur, për faktin e thjeshtë se çensura partiake dhe autoçensura, ishin dy mure që nuk të lejonin ta prekje lirinë krijuese.

Gazeta’Zagoria”, po qarkullon me sukses, ju lutemi ,a i përmbush parametrat e një gazete lokale me vlera ? A është bërë tribunë për Zagorien e zagoritët ? Po për kontributin e emigrantëve për gazetën, ç’ mendime keni

Po, them unë.Pa pikpyetje. Ndoshta është gazeta më e mirë lokale që po i qëndron kohës. Ndërsa parametrat cilësorë të një gazete nuk kanë fund. Vlerat e një gazete varen nga të vërtetat që pasqyron nëpër faqet e saj, nga larmia e firmave dhe e njerëzve pasionantë e të talentuar që e përpilojnë atë, nga aftësia për të pasqyruar njeriun e punës në kompleksitetin e vet.Ka numura të cektë, por të gjitha numurat bashkë e bëjnë atë një enciklopedi lokale me shumë vlera. Me sa di unë është një gazetë e mirëpritur me gjithë problemet e vështira të shpërndarjes. E meta kryesore e saj është se ka pak debate, ka shkrime uniforme, nostalgji romanteske, që riciklojnë njeri tjetrin  pa prurje të reja. Ka patur edhe tendenca  edhe për ta penguar e denigruar fjalën e lirë si në kohën e “qoftëlargut” Le të dalim edhe jashtë zone për problemet e shoqërisë e të demokracisë sonë në tranzicion. Të mos harrojmë se Zagoria jonë sot është më e madhe e më e zgjuar dhe jeton jashtë saj në kontakt me një jetë të larmishme. Ajo është kthyer në një qenie kozmopolite  dhe e gjen në Tiranë, Durrës, Vlorë e Gjrokastër, por dhe në Greqi, Amerikë, Kanada…Prandaj dhe rrethi i trajtesave të gazetës, duhet të jetë më i gjerë.Serioziteti i një gazete varet edhe nga xhepi i saj, sa është në gjendje të mbajë vetveten, madje të japë dhe honorare. Nga një gazetë e varfër që lyp të mbajë vetveten, , mos prisni shumë. Për mendimin tim ajo mund të sponsorizohet me radhë, fshatshe. E ai numur të pasqyrojë kryesisht atë fshat që ka radhën. Po kështu edhe për sponsorizuesit privatë që gjithmonë janë të gatshëm po t’u themi se një a dy faqe të saj, do jenë për ta, për aktivitetin e tyre, familjen, pemën e gjenezës a problemet që ndeshen. Kështu mund të jemi më të saktë edhe për historinë tonë. Edhe emigrantët ,kudo që janë do ta kishin si kënaqësi këtë, por e kanë tepër të vështiurë ta marrin gazetën.

Dhe së fundi, zoti Pirro, cili është imazhi juaj poetik për vendlindjen dhe atdheun,?

 Vendlindja është fryma dhe oksigjeni i krijimtarisë sime. Eshtë gjithmonë një metaforë e pambaruar. Unë dhe Zagoria, dy vise gjumi të shqetësuar të lidhur përjetësisht në ëndrra…çdo natë më këputen litarët, në gjoks më shtypin djajtë. Atje kam lënë vetveten, e mora vetëm hijen…I dhashë një lamtumirë të kristaltë e ika shtigjeve të vetmisë. Ndoshta, nga gurgullima e gurrave, vrapoj për në det…Por diçka duhet të bëja…Dhe po mundohem të ndërtoj një shtëpi pa shkallë e dyer, pa dritare nga lindja…Një lodër e vogël vepra ime, mbushur me ëndrra të bardha. Ndoshta do ta quaj “NëNë” OSE “ATDHE”. E, kur të ndez një llambë në kullën e braktisur të shqiponjës, do mendoj për shkallët…Që udhëtimi im i fundit të ndali atje..

Faleminderit e nga zemra të urojmë suksese më të mëdha.

No comments:

Post a Comment