Tuesday, April 17, 2012

INTERVISTE ME PIRRON


Interviste me Pirro Lolin
                                                 Intervistoi Shpëtim Këlmendi



SH.K.:Zotni Pirro, mesa kam konstatuar, ju jeni një ndër autorët më prodhimtarë aktualisht në rrafshin e letrave shqipe. Dhe ajo që na intereson edhe më tepër, ju keni realizuar nji ngritje pingule të cilësisë së shkrimeve tuaja. Shokët tuaj thonë se ju po i nxirrni librat si “me breshëri”. A mund të vetshpjegoheni në këtë pikë?
P.L.- Ju falenderoj për konstatimet vlerësuese. Ta hajë dreqi këtë punën tonë, Shpëtim, shpesh krijuesit bëhen si fëmijtë që u pëlqen t’ua fërkosh kokën. Por unë jam fëmijë i sertë. Që dyshoj për gjithçka dhe e ndiej atë që më takon e që nuk më takon.. Nuk shqetësohem për ato që kam shkruar. Por për ato që do vinë nesër. Rendimenti dhe cilësia nuk kanë rregull, as recetë, as statut.Eshtë thjesht diçka personale. Fjalën tuaj dhe të miqve të mi”me breshëri” unë e përkthej si metodë lufte e pune.Le të vetspjegohem :Përgjithësisht brezi im është i vonuar. Ne jemi brez krijuesish pa rini krijuese e tani na duhet të bëjmë kokë nga këmbët.E veçanta ime që nuk ndruhem ta pohoj, është puna intensive e përditshme. Unë dua t’u them dhe atyre talenteve të spikatura që mendojnë se letërsia bëhet më këmbë se këto janë broçkulla dembelësh. Unë punoj çdo ditë, e pakta gjashtë orë, pjesa tjetër e ditës është një orë gjumë e ç’mbetet, lexim. Mua më pëlqen vetmia dhe miqtë e shokët nuk më zëmërohen që u jam larguar, as kafenetë, as familja ime. Po të bëj një llogari të thjeshtë, në gjashtë orë të shkruash gjysmë faqe letërsi…s’është aspak breshëri, apo jo ?!.15 vitet e mia në Athinë  ishin vite në kërkim të vetvetes. Me vullnet e ktheva jetën time në tekst, në fjalë e keqas grindem me vetveten deri në “gjymtim gjymtyrësh” si në ring. Tani më duket se unë filloj të jetoj vetëm kur ulem të shkruaj. Kjo pikërisht është jeta ime e dytë ose e vërteta.Shpreh keqardhjen për vete dhe për krijuesit e tjerë në migracion se vepra jonë nuk njihet, nuk analizohet, nuk kritikohet. Po le të ngushëllohemi !Nili ecën në rrugën e tij mespërmes Saharasë, paçka se..
Vlerat e veprës sime, nëse ka, ia dedikoj  vetmisë por edhe njohjes fatlume me krijuesit e talentuar Primo Shllaku e më pas me Stefan Martikon. Ishim një trekëndësh që s’u bë kurrë barabrinjës, por shëmbull i kritikave dhe oponencave të sinqerta, siç bëjnë poetët e vërtetë që e duan me gjithë shpirt njeri tjetrin. Së fundi , unë i përmbahem mendimit se vlerat e librave nuk maten nga numuri, por nga cilësia e megjithatë çdo shëmbëll është shëmbull në vetvete jo për të tjerët e aq më pak tipike…
 SH.K.:Ju.Pirro,keni qenë anëtar partie,keni pasë disa detyra dhe  në nomenklaturën e diktaturës të cilat,normalisht, nuk duhet të paralajmëronin një autor me kritika kaq radikale e propozime kaq të avancuara.Mund të na sqaroni se ,sipas mendimit tuaj,kemi të bëjmë me një me nji reagim proteste,apo ju,në një moment të jetës suaj,u ndietë një Shën Pal dhe,ksisoj,shqelmuat “traviatën” tuaj ?
P.L.- Përgjithësisht nuk më pëlqen të gërmoj në të kaluarën. As në timen as në të tjerëve. Ajo i takon një kohe të egër, karambolit më të rëndë historik të vendit tonë siç qe komunizmi stalinian, kohës së frikës, hipokrizisë dhe të një lufte ekzistenciale për të gjithë. E shkuara jonë është skeleti i një bishe që qëndron në një kremastar mes qytetit, e aftë për të bërë një metamorfozë konstante, e aftë të na ushqejë me mish të qelbur e thashetheme, e aftë për të shtuar shënjat  e dhunës në karakterin e shqiptarëve dhe të foshnjave që akoma s’kanë lindur… Krijuesit tanë janë fatalisht të mallkuar të joshen e të shkruajnë për atë që urrejnë..Biografia ime është libri im. Dhe e shkuara ime. Tek ne dhe shiu është kohë e shkuar e ndoshta stina më e mirë për të vrarë vetveten… Ju më pyetni për atë vetvete që nuk ishte e imja. Dhe jo vetëm për tre katër vjet që unë isha antar partie dhe një farë kuadri.Pamvarësisht nga “pozita” e kaluara ime , 40 vjeçare s’ishte imja. As jotja, as e asnjë intelektuali tjetër. Por unë jam shprehur edhe për përgjegjësinë time aq sa.., kam ndjerë pendesë e kam kërkuar të falur dhe për faje e krime që nuk i kam kryer kurrë..sepse ndiej që zëri i intelektualit është zë përfaqësues, publik…por kush ka vrimë veshi të të dëgjojë ?! Nisur nga disa rrethana të jetës sime, fatmirësisht unë fillova të kthjellohesha që në moshën 30 vjeç, kjo do të thotë të ndërmerrja një revolucion metafizik ilegal brenda vetes që duhet të rindërtonte konstruktin eshtëror  e të bëja të pamundurën në heshtje për të ndryshuar AND gjenetike. Shkrimet e mia nuk janë vetëm protestë, janë shprehje e një qënije të parapërgatitur. Unë nuk prita vitin 90 e të ndryshoja më 23 mars..nuk më mori njeri prej dore të kapërceja ylberin. E kam për nder që u inkuadrova nga të parët me pedagogët e studentët e lëvizjeve demokratike, …njëkohësisht braktisa politikën dhe u largova nga atdheu pa qënë as Shën Pal, as Agustin.. vetëm se doja një laps të qetë e një letër për ta përshkruar dramatikisht traviatën time e të të tjerëve.Dhe pashë se liria ime u barazua me varfërinë por i lumtur kisha fituar të drejtën e shprehjes njëlloj si të drejtën për të marrë frymë. .Nëse kam një zë sado të vogël, ia di punës sime, nëse kam një shqetësim është ajo që akoma s’kam thënë,nëse kam një frikë (në krijimtari )është antikomunizmi im. Dhe sinqeriteti nuk duhet të ngatërrohet me radikalizmin, është thjesht një thirrje për debat, ama për të të parë sy më sy e burrërisht.
SH.K.:Mesa di, dikur në kohën e diktaturës,juve ju hoq e drejta e botimit.
Si e përjetuat ju atëherë këtë “masë” ndëshkimore dhe si e keni arkivuar tashti në kujtesën e jetës suaj këtë çast?Me një fjalë dua të them,a ju bëri mirë diktatura që ju ndaloi praktikisht marrjen me letërsi dhe cili do të ishte komenti juaj për një diktaturë që bëka edhe të mira?
P.L.- Po, më është hequr e drejta e botimit 15 vjet. Pa vendim të LSHA, po, sipas orientimeve dhe telefonatave të partisë, natyrisht dhe me ndihmën dashamirse të D.Agollit e R. Alisë. Kuptohet, rrufetë si tespiet ishin në dorë të Zeusit. Të të presin gjuhën 15 vjet, të të dënojnë me memecllëk nuk është pak, por unë nuk duhet të ankohem, madje unë dhe familja ime, megjithse e priti gazin e degës shumë vjet, atij diku i ngatërroheshin erërat. Që t’i përgjigjem saktësisht pyetjes suaj, më lejoni të kem dy gojë, njerën të viteve 70`që mërmëriste me vete ose në mjedise të ngushta se më qe bërë një padrejtësi, madje tentoi të ankohej edhe diku lart . Sinqerisht, kjo masë m’u duk më e rëndë se përjashtimi nga partia, që siç dihej i hapte rrugë të gjitha përjashtimeve të tjera dhe ishte e lidhur me qënien ekzistenciale. Pra, kjo gojë e para 30 vjetëve e quan gabim detyrimin për memecllëk. Syri dhe goja e mendja e sotme shikojnë dhe flasin ndryshe…E keqja më e rëndësishme ishte miopia jonë intelektuale, përditshëria e maskave, rreshti, emëruesi i përbashkët, vetëdija kolektive. Sot flas me bindje se diktatura më bëri mirë. As unë as ajo nuk e kuptuam njeri tjetrin. Ajo ma nisi në lule e ma bitisi në tule,rastësisht. Unë e kam spjeguar edhe të keqen e botimit ose të diaresë së fjalës. Pa dashur, mua diktatura më shpëtoi nga inflacioni, propaganda, byku, mediokriteti. Ajo diktaturë i bënte të mirat më të sakta se të satanait  dhe nuk ra në pozitat e simotrës së vet , fashizmit ku , siç dihet, Hitleri , Pinoçeti, Franko etj, dogjën banalisht librat e shkrimtarëve në mes të qytetit. Diktatura staliniane, pasi eliminonte fizikisht më të rrezikshmit, atë masën tjetër të shkrimtarëve e yshti , e përkëdheli, e drogoi, e ëmbëlsoi dhe i bëri të vetët. Kështu gradualisht , madje dhe me dëshirë e me entusiazmë,krejt masa e shkrimtarëve dhe artistëve u bë eunuke e me gjak të hollë ose me gjak partie, e  ashtu të lidhur koqesh e nofullash, i njësoi me vetveten. Ata shpëtuan gjallë e të nderuar, por nuk shpëtoi dot letërsia. Ja sa e mirë ka qenë diktatura , prandaj peronalisht unë ia kam njohur këto të mira, që nuk më la “të ecja me hapin e shokëve”.
SH.K.:Dhe tashti të fokusohemi te dy librat e juaj më të fundit dhe konkretist te romani “Dashnorja misterioze” dhe te vëllimi me ese kritike “Duumvirati i një stine që shkoi”.Të dy këta libra na bëjnë të mendojmë se kritikat tuaja më të ashpra ju i rezervoni për inteligjencën e diktaturës dhe se,si të themi,ajo nuk ishte totalisht e privuar nga liria dhe se e pati në çdo kohë dhe te secili individ atë liri të pakët por të mjaftueshme për të nënshkruar solemnisht nji pakt atëherë e sot servil,të futjes në shërbim për arsye përfitimi .Te romani “Dashnorja misterioze” keni paraqitur dramën e intelektualit që “rrëshqet” apo,më fort,keni bërë kujdes që të stigmatizohen nën një dritë të re tjetërsimi deontologjik i intelektualit dhe, në rastin më të mirë, dyzimi patologjik i tij?
P.L.- Pyetja juaj do ishte dhe përgjigjia ime , por le të plotësoj ndonjë gjë: Edhe romanet e tjerë(Lotët e diellit, Piramida prej mjalti e Qeni plastik) në epiqendër kanë figurën e intelektualit. Kjo më ka dhënë mundësi ta mbaj të ngritur “pjacën”. Sepse, tjetri nga turma, masa, klasa,mund të jetë dekor i domosdoshëm, por karakterizohet nga mungesa e ideve. Pamvarësisht se, që libri të jetë cilësor, ka njëqint tregues të tjerë, por mendja ime bën më tepër përgjegjës intelektualin, të gjithë ata, duke filluar nga idealistë të kulluar siç ishin dëshmorët apo veteranët e Luftës që e hëngrën sapunin për djathë, përgjegjës të të gjithë atyre kuadrove të larta në të gjitha fushat që nuk e ngritën kurrë zërin për të vërtetën, përgjegjës të gjithë ata gjeneralë që janë mbajtur si më të mirët e Traktatit të Varshavës, dhe E.Hoxha i kapi një nga një si pulat dhe i pushkatoi para kotecit nën brohoritjet e masës, përgjegjës të të gjithë kuadrove të kulturës letërsisë e arteve, atyre që mund të ishin dhe talente të fuqishme, por e kishin nënshkruar paktin për të qënë të lumtur e krenarë në rresht, të gatshëm për të zbatuar urdhrat e komandantit të togës , pa le të më të madhit…, të lumtur se shumica e veprave të tyre u shkrua jo vetëm me bojën e talentit personal, por dhe me  shurrën e partisë.
Nëse ju doni ta veçoni romanin tim të fundit ‘Dashnorja misterioze”, do të desha të kuptohet jo vetëm në trajtimin e figurës së intelektualit që zgërlaqet në kompromise me diktaturën, jo vetëm ai që rrëshqet si ngjalë, i gatshëm t’i shërbejë famës dhe emrit të tij,.., këto, po se po, por ky roman ndryshon thelbësisht nga të tjerët, jo vetëm nga të mitë)sepse është plotësisht fiksional, produkt i gërmimeve në nënndërgjegjen e intelektualit. Unë u mundova të them atë që nuk thuhen e shkruhen, të panjohurat pasmaskave, shtrëmbërimin e njeriut që me çdo kusht don të arrijë majat e lavdisë..kjo e bën që te prishë paktin me të bukurën dhe të bëjë pakte me pazarin ,reklamën, dekoratën madje të nxjerrë në pazar dhe organet seksuale  për llogari të mbretit…Për më tej, mendoj se është detyra e kritikës të gjejë vlerat apo antivlerat e romanit tim.…
SH.K.:A jeni në gjendje ju,z.Loli,të jepni një interpretim për njilloj perversiteti seksual të heroit të ktij romani,si e shihni ju,si metaforë apo si sindromë e nji neuroze që ka të bëjë me dyzimin,shkatrrimin e personalitetit dhe kompromisin e thellë me fatkeqësinë?
P.L.- dëshira poetike është dhe dëshirë erotike. Nuk është thënë kot,artisti është biri i erosit. Unë e pranoj përqasjen. Të dyja krijojnë kënaqësi të brendshme fiziologjike, ankthe, frymëzim, ndjenja, intimitet, “elektricitet”. Shfaqjet erotiko-letrare kanë të bëjnë me dy figura bazale, gjuhën dhe gruan. Të dyja në mundësi të pafundme shprehjeje. Të pranuara dhe si tabu dhe si domosdoshmëri për të ndryshuar.Por të mos harrojmë që qytetërimi është në gjininë mashkullore. Akti seksual dhe akti krijues duhet të jetë jo rutinë ,por akt i veçantë njohjeje.Njohje e përveçme. Unë mendoj se letërsia është gjithnjë erotike, gjithnjë gjëndje epshi. Personazhi im te “Dashnorja misterioze” është një intelektual i shquar që e gënjen mendja se është i tillë në letërsi e në seks. Ai e prish paktin me ëngjëllin e vet ,Anxhelën, që vetë qënia e tij e ka sajuar si një femër miss, Nudo, e që ka marrë përsipër ta drejtojë në portat më të larta të lavdisë. Çvirgjërimi i saj(lexo i vetvetes) sjell krizën erotike dhe në paralelen tjetër, në letërsi .Prej këtij momenti seksi dhe poezia të çvirgjëruar, më tepër se metaforë tejzgjaten si një perversitet. Mashkulli hipotent shikon endrra dhe mastrubon nëpër to si triumfator lavdimadh që në mënyrë tragjikomike i duhet të ruajë maskat , reklamat dhe marrdhëniet hipokrite me bashkëkëhësinë. Dhe njësimin e tij me diktatorin.Ai është i dyzuar gjer në palcë. Maska në krevat me gruan që vuan hipotencën e të shoqit, maska me dashnoren hipotetike në ëndrra që ka thyer paktin e krijimit,maska në banjë kur urinon, e njëqint maska fytyra e tij para pasqyrës që mundohet të imitojë figurativisht të gjithë korifenjte e mëdhej të shekullit. Dhe ngado që ta vërtitësh, pasqyrat narciziste e çojnë deri në veterotizëm e veprime erotikoletrare absurde. Në shtratin e gjithë kësaj neuroze patologjike ai akoma nuk ka guximin të lexojë dështimin e tij. Ky njeri pa emër, s’është as Verter, as hiç.Një biçim mesoje, sajuar reklamash ai nuk m’u clirua dot nga çlirimi falls, ai s’ka forcë të iki nga liria e rreme. Pseudoerotizmi i tij është dhe pseudoart që nuk mund të depërtojë te tjetri, për të gjetur njeriun ekzistencial. Kështu në të dyja linjat letërsi e seks, ai kalon përmes Shilës e Karibdës dhe vret intelektualin e talentin brenda vetes. Ai është fatkeq se nuk ka oponencë. Kur paksa e prek këtë tek Esmaja, nuk ka forcë t’i shkulë maskat se ato janë bërë pjesë e lëkurës. Dhe s’është e rastit që vdekja i ka filluar nga organet seksuale në një natë të llahtarshme ëndrrash kur ia sulmojnë një lukuni minjsh…
Ju thoni dhe kompromis me fatkeqësinë ?Ndoshta, por fatkeqësinë ai nuk e kupton në thelb si Orfeu që kur pa dështimin ose gabimin fatal në portën e Hadit ,e flaku lirën në hon..E pra, ai mbeti një maskë e kënaqur. Ai nuk pranon ta heqë atë as në qivur. Sepse ai kurrë nuk ka dashuruar sinqerisht.

SH.K.:A mendoni se mund të bëni armiq me këtë roman?

P.L.- Të bëj armiq me roman ?! S’më ka shkuar në mend.Armiqtë nuk bëhen, ata ekzistojnë.Po në letërsi nuk ka armiq klasikë.Vajhalli po të ndesheshin librat me thika e kobure. Le t’i pranojmë kundërshtitë si luftë metaforash..Dhe mos më ler të futem në analizat e kontradiktave se i kam frikë slloganet e Marksit e të Leninit. Si mund të jetë armiku yt personazhi që ke lindur vetë ? Dhe personazhi im i paemër te “Dashnorja misterioze”, është perceptuar si i gjithkohshëm, një intelektual gjithmonë aktual që për interesa meskine siç janë  interesat ekzistenciale dhe egoiste, për famë e lavdi, njesohet me xhelatin a mbretin a Luigjin e 14-të, a Carin a Stalinin , a të gjithë diktatorët kriminelë të Lindjes komuniste. Ai është personazh krejtësisht fiksional i krijuar nga zërat që ka lënë në ajër. Unë “si fizikant” ia mblodha këto zëra dhe krijova gjuhën e pa thënë, njeriun nudo, natyrisht duke ia hequr të gjitha maskat si shtatë lëkura në trup. Por ai nuk jetonte dot pa maska dhe pa opinionet masoviste dhe më vdiq në duar. Dhe në grahmat e fundit ai më propozoi që të hesht, duke lënë trashëgimi maskën dhe arketipin e rrezikshëm  për të gjitha kohët. Fosilet e tij janë edhe në portretet e demokracive.Dikush, personazhin tim ka dëshirë ta pagëzojë, le t’i gjëjë një emër, është çështje kumbarësh..Nëse lexuesi gjen situata, ngjarje, dekore, shëmbëlltyra të kulturës shqiptare atëhere, ndoshta është aftësia ime për ta ulur imagjinatën në letër, për ta bërë absurdin dhe fiksionin të besueshëm,. Personazhi im mbetet i tillë, pra absurd, nëse besohet dhe kundërshtohet.

SH.K.:Të hidhemi pak te libri i juaj kritik me ese “Duumvirati i në stine që shkoi”.Nga çfarë parimesh jeni nisur  ta vështroni ju letërsinë e RS të diktaturës në mbasdiktaturë?A mendoni se është e pjekur koha për t’u bërë një gjë e tillë dhe a ka arsye madhore për t’u bërë kjo?Mos vallë ju mendoni se RS ishte një karakatinë gjigande që i zuri nën vete ndërtuesit e saj dhe,kësisoj, “Duumvirati i një stine që shkoi” mund të perifrazohet në njëfarë mënyre si “Shkëlqimi e rënia e zotërinjve Kad-olli”?

P.L.- Metodikisht nuk u nisa nga ndonjë parim konkret për të shkruar atë libër. Nëse flasim për parime, i vetmi parim bazal për mua është liria e shprehjes. Dhe temperamenti dhe  përvojat e mia si qytetar e krijues, dhe njohja ime për letërsinë. Nëse pranojmë përgjithësisht një gjëndje të mjeruar të kulturës shqiptare(libri, kaosi i botimeve, tregu verban,trafiku, kënga, artet ,teatri, bejlerët e letërsisë me dhe pa tokë), nëse pranojmë një gjëndje moçalishte që s’ka ndërment të ndahet nga nostalgjia e këngëve të bretkocave, nëse  po vjen e sigurtë një letërsi tjetër nga një pakicë, ta quajmë avangardiste, por që nuk mirpritet paçka se mund të krahasohet me më të mirën letërsi evropiane, e pra, nëse të gjitha këto e shumë të tjera përbëjnë një mjerim kulturor, kush më mirë se krijuesit duhet të shprehet për to ? Në atë libër unë u përpoqa, me zërin tim modest, të flas diçka nisur dhe nga përvojat dhe pikpamjet e mia krijuese. Shtysë u bënë dhe antiparimet e RS si realizmi,sociologjizmi,partishmëria, karakteri kombëtar e popullor etj, që, që të gjitha për bukuri përbënin metodën antiartistike dhe rrenosocialiste që ra e mundur kudo në botë. “Vështrimi në mbasdiktaturë” ? Po, Shpëtim, inventari i katastrofës bëhet gjithmonë më pas. Pas beteje fillon proçesi i varrimeve të të vrarëve dhe i epitafeve përmbi gurvarre heronjsh…Ju pyesni për kohën ? Po shprehem troç: koha është pjekur e djegur.  Orët tona gjithmonë mbeten pas. Është pikërisht koha e shkrimeve tani. Ku i kemi shkrimtarët cilësorë që me veprat e tyre jo vetëm t’i flasin kohës, por t’i kundërvihen asaj, ta thyejnë atë, të ulërasin për të afirmuar të renë, ta skandalizojnë kohën nëse është nevoja, ..dhe ,pse jo të çmenden në një kohë të çmendur.? ..”Karakatinë gjigante që zuri nën vete ndërtuesit ?!” Po, Shpëtim, asnjë presje nuk lëviz.
Ndërsa për perifrazimin “Shkëlqimi dhe rënia e zotrinjve Kad-olli”, më lejoni të shtoj diçka : Mua dhe ty e ndoshta dhe pak të tjerëve si ne na gënjen mendja ta shohim rënien e tyre në shkëlqimin e tyre. Ata janë organizma të kënaqura të mbështjella akoma me nder e famë e drita nga një opinion shoqëror e zyrtar me shumëcë absolute. Ata, me mendjen e tyre nuk janë zylore që mund të zëvendësohen. Zylua i Agollit, së bashku me karapataqët e demkët, na bënë pak për të qeshur,por atorin e ha meraku për zylon tjetër që të jetë më i aftë për regjimin etj, etj.Zylua nuk mund të ikte së bashku me regjimin se pastaj kish xhaxhai bixhak për autorin...Sidoqoftë, pa rënë në mendime kategorike e sidomos mohuese, unë shpreh mendimin se shkrimtari nuk mund të jetë i shquar në dy regjime të kundërta shoqërore, aq më tepër kur të dy tanët kanë qenë pjesë e nderuar e atij regjimi, dhe se asnjë vepër e tyre pas viteve 90’ nuk është në nivelin e më të mirave socrealiste. Ndaj thashë, ata janë dyshja e një stine që shkoi…
SH.K.:Dua t’jua them në konfidencë se më bën përshtypje stili i juaj i përqasjes së gjërave.Në libër ju e lëmoni kokën e subjektit që trajtoni dhe pastaj,fare papandehur,ia vërvisni me pëllëmbë,sa na leni me gojëhapur. Mos duhet ta marrim këtë si në “taktikë” gjirokastrite që ne nuk e kishim rastin ta njihnim më parë?
P.L.- Jo.Nuk është taktikë e aq më pak gjirokastrite.Ndoshta çshtje metode a stili. Nuk mund të pretendosh për analizë, pa vëzhgime të kujdesshme, pa njohje e pa patur gjë në torbë. Identiteti i vlerave letraroartistike cmohet kur këto janë të krahasueshme me më të mirën brenda e jashtë vendit. Puthadorsit e Kadaresë , dhe të Agollit më pak, i kanë quajtur gjenij, nuk kanë munguar t’i krahasojnë me korifejtë e letërsisë botërore si Servantesi, Shekspiri,Xhojsi,Gëte,Kafka, Prusti etj,që, paçka se njëqint e ca vjeçarë, tani kultura shqiptare po i asimilon si zbulime të ditës,por ama , lexuesi cilësor e sheh në dritë të syrit tullumbacin e përdorur. Letërsia jonë “me e pa këta gjenij”, nuk ka fjala vjen një Hamlet, Don Kishot,Verter,Romeo,Leopold Blom, a Faust…. Këto krisma në hi nuk i ha më “partia.” Pikërisht kjo ka krijuar një opinion për të përkëdhelurit e partisë e të popullit që nuk është i gatshëm të polemizojë për vlerat dhe antivlerat. Është pikërisht ky opinion mesjetar që të hipën e të zbret nga kali edhe pa të njohur se cili je , ama nuk rri dot pa idhuj, qofshik këta dhe pa krena..Liria ime më mjafton që ta shpreh me forcë edhe konceptin tim estetik se një vepër e mirë letrare ose kryevepër, është e tillë nëse është e diskutueshme dhe e kundërshtueshme. Dhe vulat përmbi vlera nuk mund t’i vërë as partia, as qeveria, as shoqëria as fshati a qyteti si deri më sot, por një dorë specialistësh të ndershëm e të aftë…Kultura shqiptre i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e nevojshme të gjëjë ku i ka njerëzit e saj për evidentimin e vlerave dhe kopilat gjithashtu....
SH.K.:Krahas prozës ju shkruani edhe poezi.Ç”është poezia për ju dhe pse jeni kaq i ndryshëm në krahasim me prozën?
p.L.-Poezia për mua është një zjarr i brendshëm që më mban gjallë edhe kur jashtë ka ngrirë.;eshtë dhe barometër i frymëzimit tim. Dhe si një dashnore që më mat pulset e më tregon ku jam e ku nuk jam. Proza është përditshmëria ime e bukur e dramatike. Pse jo dhe gruaja ime që e dua fort, që më ka pushtuar ditën dhe natën, duke sfiduar çdo çupë që guxon të hyjë në ëndrrat e mia.

 SH.K.:Ju falënderoj për intervistën.

1 comment:

  1. Unë po e ndaj këtë dëshmi për partnerët që vuajnë në marrëdhëniet e tyre, sepse ka një zgjidhje të qëndrueshme. Burri im më la mua dhe vajzën tonë për një grua tjetër për 3 vjet. U përpoqa të jem e fortë vetëm për fëmijët e mi, por nuk munda t'i kontrolloja dhimbjet që më mundonin zemrën. Isha i lënduar dhe i hutuar. Më duhej një ndihmë, kështu që bëra një kërkim në internet dhe gjeta një faqe ku pashë që Dr Ediomo një magjistar, mund të ndihmojë të kthehen të dashuruarit. E kontaktova dhe ai bëri një lutje dhe magji të veçanta për mua. Për çudinë time, pas 2 ditësh, burri im u kthye në shtëpi. Kështu u ribashkuam përsëri dhe kishte shumë dashuri, gëzim dhe paqe në familje. Ju gjithashtu mund të kontaktoni Dr Ediomo, një magjistar i fuqishëm për zgjidhje

    1) Kthehu i dashuri

    2) Ribashkoni burrin ose gruan

    3) Nëse keni pela të natës

    4) Kurë për HIV dhe Hepatit

    5) Unaza e fuqishme magjike

    6) Magji për fat të mirë

    7) Thyerja e obsesionit

    8) Steriliteti tek meshkujt dhe femrat.

    WhatsApp: +2349132180420

    Email: drediomo77@gmail.com

    https://www.facebook.com/Omirispiritualhome/

    ReplyDelete