Tuesday, April 17, 2012

SHKRIMTARI I URDHRAVE TE LOTIT


SHKRIMTARI  I  URDHRAVE  TË  LOTIT...

Nga NEV Yorku, prill 2010

( Dialog i Kozeta Zylos me poetin PIRRO LOLI)


Shkrimtari i mirënjohur Pirro Loli gjithmonë e më tepër po tërheq vëmendjen e kritikes dhe te lexuesit. Ai ka nisur të shkruaje që në vitet 70`në shtypin e kohës me  një vëllim me tregime “ I dhjeti nga tanët”. Më vonë iu hoq e drejta e botimit për 15 vjet dhe që nga viti 1990 ka shkruar shume libra në prozë dhe në poezi. Pirro Loli ka marrë pjesë në një kongres ndërkombëtar për perspektivat e letërsinë moderne të shek.XXI në Vashington( qershor 1997), në festivalin e poezisë në Lodevë të Francës( korrik 2008) si dhe ne festivalin ndërkombëtar të Durrësit(shtator, 2008). Në prill të vitit 2006 është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes’’për nivel të lartë estetik të veprimtarisë letrare e publicistike..”
Ka botuar në Athinë dhe Tiranë këto vepra:
ROMANE:
Lotët e diellit
Intervistë me një gur
Qeni plastik
Piramida prej mjalti
Dashnorja misterioze
Qyteti me dy kate
Rrokje në kryq
ESSE:
Itaka brenda meje
Kosova , saga e Ballkanit(me bashkautor)
Sirenat
Unë agjenti i CIA-S, m.H.
POEZI:
Drita e vetëtimës
Dhimbja e urës
Dritaret e shiut
Vdekja e trëndafilëve
Urdhëri i lotit.




Zoti Loli në veprat tuaja letrare ju paraqiteni si një shkrimtar i talentuar, ku e gjeni më shumë frymëzimin tuaj?

Frymëzimi të vjen pas  kur ti  bredh pas të bukurave. Domethënë kudo. Njeriu që i ngre antenat nga dritat e zemrave njerëzore nga e mira dhe e veçanta, e gjen të bukurën edhe kur ecën midis koshave të plehut. E bukura gjendet kudo, në natyrë, në punët e njeriut, në letërsi e arte e kryesisht në shpirtin e njeriut e  veçanërisht në figurën e femrës,  që gjithmonë është i paeksploruar.

Në krijimtarinë tuaj sa e shprehni botën tuaj personale dhe cilat momente kanë ndikuar më shumë në personazhet e romaneve?

Nuk gaboj të them se në romanet e mia shpreh plotësisht ose aspak vetveten. Jeta e njeriut ka mijëra raste e momente dhe nuk është e thënë që çdo gjë të futet në libër. Në epiqendër të çdo krijimi është njeriu. Domethënë e panjohura. Rruga për te njeriu është shumë e gjatë. Kur bën të zbrezësh tek ai, të duket humnerë e të dridhen gjunjët, kur bën të ngjitesh te njeriu, të shkasin këmbët e thua ç’mal i lartë. I ka të fshehura dhe zemrën dhe trurin. Aftësia e krijuesit qëndron në aftësinë e vëzhgimit, në seleksionimin dhe gjykimin e tyre. Të shikosh do të thotë të mbjellësh. Jo të tëra metalet kanë vlerën e floririt e të argjendit. Shkrimtari fillon atëherë kur mendon që atë “send”të bukur që ka gjetur t’ua japë të tjerëve. Është thënë se letërsia është dorë e shtrirë, dikush e quan “puthje”, pra, sidoqoftë, je në kërkim të një tjetri. Kjo mund të jetë vetja ose jo, e kjo veç e rrit përgjegjësinë.

Ju shkruani pothuajse në tëgjitha gjinitë letrare, cilat nga këto gjini  ka ndonjë magji të veçantë për ty?

Një shkrimtari që ma bëri këtë pyetje i thashë se proza është themeli i familjes, si gruaja ime, ndërsa poezia është si dashnorja. Proçesi krijues nuk ka receta. Shkrimtari pëlqen atë që i vjen më për mbarë. Ky proçes i ngan dashurisë. Askush nuk bën dashuri për të planifikuar një djalë a një vajzë. Në letërsi dhe në dashuri më i rëndësishëm është procesi jo qëllimi. Ka shumë shkrimtarë që provojnë të shkruajnë në të gjitha gjinitë, siç ka të tjerë që një gjini tjetër u duket e huaj. Shkrimtari ka nevojë të zbrazet ku e si , pothuajse është intuitive. Për mua e rëndësishme është që kur shkruaj prozë, të mendoj si poet., sepse për mua poezia është shkalla më e lartë e pasqyrimit artistik, ose si i thonë luksi intelektual. Është si e paarritshmja, ose dashnorja që ëndërron.

No comments:

Post a Comment