Tuesday, April 17, 2012

POETIKA E GURIT


POETIKA  E  GURIT

                                       Intervistoi Kristo  Mërtiri

   Shtëpia botuese "Albin" ka botuar edhe romanin tuaj "Intervistë me një gur", një roman tërë nerva e drama dite,ndërtuar me një lëndë të ashpër gurësh, mundeni të na fusni sadopak në situatën e romanit?

     Shpresoj që lexuesi të mos zhgënjehet me gurët e mi, të cilët nuk janë aq të ashpër. Guri ka një kuptim të shumëfishtë në roman. Është një gur që ka shpirt,këndon,dashuron,qan. Ngjarjet zhvillohen në një qytet të gurtë,në pejsazhe të trishtuara, nën kaos. Ka në roman personazhe të fortë e të ashpër si gurët, por dhe të brishtë si pjergull. Guri është në thelbin e qytetit.
I cili dhe  këngët i ka të gurta. Dhe duartrokitjet, dhe pemët ,dhe reliket muzeale. Gjithçka lëviz nën një shi të gurtë , dmth. nën një breshër kokërrmadh. Në qafën e qytetit,në formën e një oktapodi,  fryn shumë erë dhe mjegullat nderen nëpër ballkone si çarçafë kristalorë. Kanë filluar të lëvizin gurët.Dikur ishin gurë ne radhë që drejtoheshin nga guri i qoshesë. Tani është prishur radha,komanda ,drejtimi. Ata që pak më parë ishin rreptësisht si qenije të përcaktuara,ata që ndjeheshin gjallë ,kur dikush i shtypte e i shkelte,tani lëvizin kaotikë. Ranë gurët e mëdhenj ,tani gurëve të zakonshëm u duhet të mbajnë vetë drejtpeshimin,të kenë emrin e vet,peshën e vet. Shumica,gurët e vegjël,si kokërdhokë të shkulur sysh,ashtu bardhë e zi, rrukullisen rrëpiravë të kalldrëmeve,pikërisht për të gjetur atë që u ka munguar,identitetin

 Natyrisht ,edhe zhgënjehen,apo jo?

     Po. Personazhet e mi kanë dalë nga një dimër i ashpër. Ata presin prillin e premtuar,por ditët dhe netët rrahin me breshër. Qyteti po shkulet e ndërtesa të reja ngrihen për një natë duke prishur rregullin e qytetit të vjetër e konservator. Investimet e para kanë filluar me prishje dhe me varre,veçse varret kemi filluar t’i ndërtojmë me mermer. I paskemi pasur borxhe edhe vdekjes. Zhgënjimi është sheshit e ndonjeri thotë:"Më mirë qemë në dimër,jetonim vërtet mbi një tokë të ngrirë,po e kishim një vatër të vogël për zjarr. Ky breshër po na vret e stinët nuk duan të ndërrohen" Te kujtohet plaka e marsit me të cilën njihemi që në prolog?

Romani juaj ka mesazhe të shumta për trnzicionin që po kalojmë, megjithatë si të ngatërruara duken punët .Kohët janë të papërcaktuara e këta njerëz disi të çuditshëm,duket sikur kështu kanë qenë e kështu do jenë . Ç’rëndësi ka koha për ju ?                                                                                                                                                                                                
     
Koha në letërsi është element thelbësor. Ajo, në letërsi, nuk ka vetëm kahjen e zakonshme, nga e kaluara drejt të ardhmes,sidoqoftë fragmenti i së shkuarës është më i fuqishëm se i të sotshmes konkrete dhe i të ardhmes së paditur. Personazhet e mi jetojnë një stinë shumë të vrullshme  me shira e breshër, me rrëzime dhe prurje të mëdha aq sa, dhe buzët e detit,  janë të  kuqërremta nga baltovinat. Ka ,jo vetëm përzierje kohësh, madje dhe të vdekurish e të gjallësh. Njeriu nuk mund të ndryshojë brenda natës, ai është një kompleks i ndërlikuar që jeton edhe me vdekjen mbi shpinë. E kaluara te këta njerëz zë shumë vend e shqiptarët duket se ushqehen me historira, bëmash ose mosbëmash të gjyshërve të tyre. Sidoqoftë ,në kohën tonë, verdiktin e lëvizjeve dhe të ndryshimeve  esenciale e ka dhënë rrëzimi i  monumentit të diktatorit. Pastaj ata ngatërrohen keqas ,me te gjallë e me të vdekur,me të shkuarën e me të ardhmen, më “ishër”e “jamër”. Po të flas sipas traditës së klasifikimit, romani im, është me temë dite; përsa i përket tranzicionit tonë, mendoj se të gjithë (edhe letërsia) e perceptojnë si kohë e gjëndje kalimtare e sikur presim ta përurojmë një datë të caktuar mbarimin e tij. Kjo kohë është e pasur për shkrime. Është koha e dramës, e letërsisë së fuqishme ,e absurdit. Diku thashë:Një bushtër plakë lindi këlyshë të verbër me sisë në kurris, diku polli një mushkë…Kjo periudhë me prurje të mëdha, me mohime e pohime është e shoqëruar edhe me fraktura të mëdha e të domosdoshme. Nuk pres datën që të mbarojë. Njeriu, gjithnjë e kurdoherë, është tranzit.
 
     Nëpër faqet e romanit është dhe një gur vrasës,për mendimin tim personazh i jashtëzakonshëm e sikur nuk e dalloj dot në është pozitiv a negativ…

      Po ,është e vërtetë,Kush luan me gurë është i prirur të vrasë dhe duart ,të thyejë dhe dritaret  e veta.  Kozmai i librit tim është paksa i veçantë. Ai ka marre një copë gur prej monumentit të diktatorit që e kishin thyer e hedhur në lumë dhe e vendosi në bufe si stoli krenarie. Kur gjente belanë me familjen e merrte  në xhep e kur nuk pajtohej me të tjerët,nxirrte gurin dhe i çokaniste në ballë. Kozmai kënaqët që plagos me atë gur. Në prag të vdekjes i tha plakës që gurin e çmuar t’ia vendosnin në arkivol. Dhe ashtu u bë. Ai gur e shtypte dhe të vdekur ,duke i rënduar mbi eshtra. Por qyteti ka shumë njerëz me balle të gjakosur. Sa për pozitiv a negativ ,më mirë le të mos ta gjykojmë. Ka që e duan,ka që e urrejnë. Po ai ekziston. Ai nuk e njeh zhgënjimin, madje ,dhe ndryshimet demokratike I quan armiqësore. Natyrisht që përbën një problem. Secili nga ne ka diçka nga ai .Ne të gjithë vimë nga problemet…

     Qyteti jua I gurtë ,të kujton qytete të njohur të Shqipërisë.A mund ta adresoni qytetin tuaj ?

     Jo. Dhe lexuesi nuk duhet të këmbëngulë që me domosdo të gjëjë cili është ky qytet. Ai është qyteti “im”.Është një metaforë. Vepra letrare s’mund të jetë identike me realitetin. Dhe autori duhet tu shmanget kamerave të gjalla. Natyrisht ka dhe personazhe të gatshëm,por gjithmonë mbartin një kurth. Në të ka rënë dhe shkrimtari ynë I njohur Kadareja e vite më vonë  pas botimit të romanit të bukur “Kronika..”I duhej t’u përgjigjej njerëzve të qytetit të tij, tashmë personazhe. Unë mendoj se materiali letrar veç sa merr shkas nga diçka, që mund të jetë vend a ngjarje ,por domosdoshmërisht, intriga, dashuria, urrejtja, portretet, detrajet ,duhet të tjetërsohen deri në nivelin e tjetërsimit, ose të realitetit tjetër artistuik. Këto probleme ngrenë pikpyetje të panevojshme mbi vlerat e veprës letrare. Realiteti letrar nuk është fakt i rregjistrueshëm. Pa fantazi e imagjinatë krijuese nuk ka as letërsi, as art. Realizmi, sado i pasur a i përshtatshëm të jetë për krijim, ka kufinj, ai veç se të jep shtysën e parë.
Vetëm fantazia nuk respekton fenerë e urbanistikë,e ,natyrisht ,struktura e romanit ,jo vetëm që del nga struktura e qytetit(në këtë rast),por ,nëse pretendon për risi vlerash,duhet të shpartallojë dhe strukturat e njohura të gjinisë së vet. Ngjarjet e romanit tim zhvillohen në një qytet të imagjinuar,në tokë e në hënë,ditën e natën në gjumë,nëpër zyra e nëpër varre.Ndërkohë,nëse njerëz të ndryshëm duan të identifikohen me ndonjë personazh,kjo ka të bëjë me besueshmërinë e shkruar e askush nuk ka të drejtë të identifikohet siç ka ndodhur jo rrallë në letërsinë tonë. Një kohësisht ,mua më duket varfëri ndonjë tregim a novelë me personazhe krejtësisht të identifikuar, me sy e me vetulla të njerëzve të njohur rreth mjediseve ku jeton autori.Duke menduar se personazhi i vërtetë ka pasaportë interurbane,për të mos thënë dhe universale, atëhere, krijime të atilla ,janë thjesht reportazhe artistike .Nese ndonjë autor kërkon të nxjerrë dufe me njerëz personazhe ,ai duhet të përballet me dufet e njerëzve dhe të presë dështimin.

     Personazhi kryesor i romani tuaj është një shkrimtar,një shpirt poetik I traumatizuar nga e kaluara moniste,por edhe nga e sotmja pluraliste A nuk është kontradiktore kjo?Ç’mendoni për inteligjencën krijuese tek ne?

     Këto janë probleme të mëdha e, çdo përgjigje, sado e saktë, s’mund të jetë e vërtetë për të gjithë. Recetat , gjithashtu do të ishin të dëmshme. Poeti ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i traumatizuar jo vetëm nga diktaturat, sepse ,nëse është vërtet poet, është gjithmonë opozitar me të gjithë mobilierinë e shoqërisë. Flas për poetët e vërtetë,të cilët jetojnë në kufijtë e dashurisë e të urrejtjes së përhershme , dmth, gjithmonë të të qenit i rrezikuar .Ata janë qenie dramatike sepse të pambrojtur, të brishtë si gjeth, transparentë si syri.  Personazhi që konstrukton të gjitha ngjarjet e romanit tim, është i talentuar por,…Me parë shkruante po nuk botonte dot, kish gjuhë bilbili, por dhe gërshërë që ia prisnin. Tani i ka ardhur gjuha, por njerëzit nuk kanë veshë të dëgjojnë.  Ata kanë nevoja më të ngutshme dhe kalojnë indiferentë ndaj vlerave, ose, e kjo është më e keqja, të anashkalojnë vetëm se ke vlera. Ky është qëndrim denigrues , jo vetëm ndaj poetit ,por ndaj kulturës kombëtare.Gjithmonë për shkrimtarët s’ka para. Unë them nuk ka predispozita, s’ka vizion të qartë se po t’i biesh lapsit, vetëm me të ardhurat e taksave nga bingot e bagabondëve mund të botoheshin mijëra libra.
  Poeti im ,natyrshëm më ka futur në  trojet e krijimtarisë se tij,  por dhe të letërsisë ,ku marrin përgjigje disa nga shqetësimet e pyetjeve tuaja. Pari është një tip që nuk i thotë dot këmbës dorë,ai nuk është si të tjerët dhe rregullat e korit e bezdisin;ai është tmerrësisht i varfër sepse ka fatkeqësinë e të qenit i ndershëm;ai punon ditë e natë  e vuan se e ndjen përgjegjësinë e të qenit njeri publik. Të dish të jetosh kohën tënde, ashtu me dhimbje e nderim ndaj vetvetes,do të thotë të mbash përgjegjësi për veten e për të tjerët. Edhe pë të kaluarën, dmth,për pjesën tënde të vdekur e nëse ke vërtet talent,duhet të kesh kurajon dhe guximin të mohosh,të urresh gjithçka të vetja e tek të tjerët,te familja e te shoqëria. Kjo të çon në udhët e dashurisë për njerëzit,për qytetin,për atdheun. Letërsia jonë ,I dashur Kristo, jeton kohën e pasur të prurjeve cilësore,të mohimëve të domosdosme e të frakturave gjithashtu të domosdoshme. Asaj i duhet të mohojë pjesën false të të kaluarës së saj socrealiste, ajo ka nevojë për prurje të reja e për talente të guximshmë sidomos në fushën e kritikës.Letërsia jonë si pjesa bazale e ndërgjegjes sonë kombëtare, ka nevojë (si qyteti im) për një breshër kokërrmadh që të shpëlajë pa hezitim e të pastrojë autorë e vepra ,lulëzuar nën shufrën e hekurt të dirigjentit.

   -  Edhe personalitetet ?

   Pse jo. Ndoshta ,andej duhet filluar nga ata që kanë bërë dhe bëjnë ligjin. Jemi mbushur deri në fyt me emra “të famshëm”protokollarë,me lloj lloj profesorash , akademikësh e kritikësh, që më tepër se veprës letrare i bëjnë hysmet  interseit të vet e të ishëve, me kompromise të palejueshme me ish regjimin.Këta tipa para se të mbrojnë interesat e kulturës shqiptare, ndërtojnë rrufepritësa mbi çatitë e tyre. Mungon krejtësisht kritia profesioniste, mungojnë alternativat e disidenca letrare është e paargumentuar. Të merr malli të lexosh një kritikë shkencore për një vepër me vlera ose antivlera letrare që së paku,të turbullojë ujërat e ndenjura nëper institute, katedra deri në akademira e akademikë stonaturash ,  që kanë krijuar imunitete me prefiksa profesoresh e doktorësh. Mediokriteti dhe nostalgjikët e ishregjimit e pëlqen këtë situatë . Le të vi te shporta ime: Shumica e shkrimtarëve të socrealizmit kanë qenë gurë në radhë . Shkrimtarët me veprat e tyre kanë ngritur mure ne mbrojtje të atij regjimi.Ata që nuk ndërtonin këto mure,bëheshin kurban. Historinë e letërsisë nuk e kanë bërë kurbanët, po puthadorët e regjimit. Edhe disidenca jonë është e paktë dhe e papërfillshmë me ca vende të rrallë në plate. Lozhat i kanë pushtuar me kohë  agollët. Sidoqoftë lexuesi e kupton se ne jetojmë kohën e përmbysjeve të miteve pakrena. Po bien mijëra vepra e personazhe.Si gurët e kalldrëmeve të mia,por jo për të mbijetuar, por për tu harruar,dukuri kjo e të gjithë vendeve në ish diktaturë. Fjalën e fundit e ka kritika, elita profesioniste  që, sado e papërfillshme sot, do e duhet të ngrihet mbi nostalgjite e amatorizmin e rëndomtë.

     Zoti Pirro,në romanin tuaj,më ka çuditur fakti që të gjithë personazhet kanë mbiemrin “Guri”,bile dhe përfaqësuesi i partisë opozitare Athua janë farefisni ?

     Jo nuk janë aspak farefisni. i bashkon e keqja dhe ashpërsia e gurit. Ata vuajnë se s’kanë emër,pronë, ndonjeri as varr, sepse ata kanë qenë si të gjithë,  kokërriza rëre në një dumë kolektive, ose turmë , ose popull. Është spekuluar  tmerrësisht me barazitizmin, me ndjenjën e kolektivit. Tani që gurët po lëvizin në drejtim të identitetit, personazhet e mi drejtohen te prona,dmth,te liria,sepse liria është proporcionale me pronën. Teoricienët ml,vranë në fillim pronën,pastaj lirinë .Edhe përfaqësuesi i partisë së re ka mbiemrin “guri”.Ndruhem,po sinqerisht e them,e ka marre shumë lehtë fitoren dhe po e shpërdoron lirinë. Unë e dua këtë gur, por kam frikë se, duke dashur të bëhet gur qosheje, do t’i pëlqejë të shtypë gurë të tjerë e nuk do kuptojë që demokracia është alternativë “gurësh”. Liria e dhuruar ose prona private e siguruar me rrugë të pista,bëhen shtrat i kaosit e dhunës e ,pa dashur, bëhen plazhiatura të këqia të diktaturave. Djali i Liut, në libër, është djali i të tërëve e është  pasuruar me të gjitha rrugët e ndyra .Fatkeqësisht, ky tip , po bëhet njeri i kohës. Pë r këta tipa, që arrijnë deri në Parlament, demokracia qenka një medalion floriri varur në qafën e tyre. Medalioni i lirisë e i pronës duhet të na shtërngojë fort në grykë që ta kuptojmë se prona dhe liria, se vetë shoqëria demokratike, së pari të detyron rreptazi të ballafaqohesh me ligjin. Për këtë arsye, poeti im, heq thellë në shpirt e ulëret kundër oktapodëve që kanë imunitet paranë e pistë. Kjo ndodh edhe sepse qytetit i mungojnë intelektualët e vërtetë. Qytetit të gurtë i mungojnë indet e buta. Skeleti kockor ka mbetur pa organet vitale. E këtu njeriu e ka zemrën prej guri, edhe gruan, edhe dashnoren, edhe bukën. Ndjenjat gjithashtu prej ajri të ngrirë

     Poeti juaj i  dashuron të gjithë. Udhët e tij pleksen me të mirë e e këqinj. Ai e pi kafen me të gjallë e me të vdekur, bile dhe me ata që e kishin në listë për ta vrarë. Athua kemi të bëjmë me një pacifizëm romantik ,me një humanizëm gjithëpërfshirës apo me ndonjë mesazh tuajin ?

     Jo vetëm kaq .Dhe jo vetëm me domosdoshmërinë e pendesës e të faljes Poeti është në laboratorin e tij. Kështu ai ndien frymëzimin, studjon, gërmon në shpirtin e njerëzve që e rrethojnë.
Kundërshtarët janë më të pasur. Ne këto mjedise ai gjen ato shkëndëjime njerëzore që e bëjnë të jetojë vrulltazi fatin e tij dhe të të tjerëve. Në membranën e sertë  të mureve,në rrudhat e guëve,ai gjen sythe të gjelbërt. Damarët e shpresës nuk këputen kurrë;ato zgjaten e zgjaten,paçka se të brishtë,deri në kapakun e qivurit. Kjo është ajo drita e brendshme që feks ;është ai ajri jeshil,i vetmi që s’ka fraktura,i pranishëm në çdo boshllëk, sado e terrtë të jetë nata e njeriut.

     Personazhi Hadër Guri që ka ndërtuar qytetin me dorën e tij,proteston ndaj poetit tuaj,apo petëve ?!Ka diçka,më duket për këngën ,qëndresën…

     Po. Pari zbulon se një nga personazhet e tij të mykur,s’paska qenë si të tjerët.Ai ka qenë një ndërtues i vjetër tërë pasion ,por dhe këngëtar popullor virtuoz. Tani ka shpallur vdekjen. Dhe vdekja i erdhi nga veshët. Nuk i dëgjon dot shushunjat e reja dhe gënjeshtrat e gazetave. Dëgjoje se ç’thotë:(poetit)”Me gurët e mi mos u tall. S’ka punë poeti me gurë.Ju m’i  keni grabitur gurët e m’i bëtë pafidhe. S’latë gur e lis e kështjellë,pa m’i futur nëpër libra. Të pacipë jeni. Dhe nënën e babanë,dhe gruan e bëtë gur,Shterp e bëtë…Donit t’i jepnit asaj partisë suaj forcën e gurit,por balta baltë mbetet e shkoqet siç u shkoq..E prishët kështjellën,ia vodhët gurët e bedenave e ndërtuat këngët tuaja të egra…Ky qytet tani nuk ka as kështjellë as këngë…Por kënga është shpirt,mor vëlla,shpirt!E shpirti ndërtohet me dritë jo me gurë…Mos m’i prishni gurët çamçakëza! Merruni me baltën ju, se baltë jeni. Balta vete e vjen,lëviz,përkulet,pjell dhe e merr era siç merr vajzat. Gurët jo. Ata mbeten. Ata janë të mijtë. Ky qe fati im. Ndërtova një qytet të tërë me këto duar e djemtë i kam pa shtëpi,por unë do vdes duke kënduar sa të më dalë shpirti se këngen e kam të thelle ,brenda shpirtit. Dhe sa të kem takat do punoj me gurë (ai tashmë merrej me gdhendjen e varrit të tij)se gomari dhe puntori vdesin me samar mbi shpinë..

     Zoti Pirro,Unë e ti e mijëra të tjerë,atë baltën e atdheut s’e morëm dot me vete,por këngën po. Nuk pyes për kureshtje,as jashtë romanit tuaj që gjysma zhvillohet në mërgim me ngarje aq tronditëse..Atë torbën mbi shpinë ku mbarten gjithandej eshtrat e vëllait të vrarë do ta kish zili çdo shkrimtar i shquar..Kurbeti,sipas jush,një vijë gjarpri që s’dihet deri ku mbaron…

     Eh,ç’të them?!Rruga e kurbetit,në kushtet e romanit tim, ëshe rruga e gjarprit e gjarpëron gjithkund trishtueshëm. Po gjarpri s’të ha me kurriz. Kjo udhë nis nga çdo shtëpi e zgjatet e zgjatet pa fund, Është një gjarpër i bukur që kalon përmbi ne e që e kanë përqafuar të gjithë. Ish Shqipëria ,hermetikisht e izoluar,tani duhet të përballojë edhe dramat e hapjes…Sa për atë baltën dhe këngën që thoni ju,për mua ,gati gati është një ngacmim agresiv. Kenga është shpirti i gurit ose i shqiptarit. Ashpersia dhe elegjia e tij..Ata janë të lidhur me një kokëfortësi  shpirtërore. Të marrësh një pllakë guri në dorë, dëgjon rënkimet e këngës labe, të dëgjosh një copë këngë, prek tingujt funebër të gurit të lashtë..
Kënga,bashkë me të gjithë kompleksin shpirtëror të shqiptarit,për të gjithë mërgimtarët,është e vetmja pasaportë e saktë e shqiptarit që nuk mund të fallsifikohet e që s’ka nevojë për vizë.Ajo është identiteti i tij.
Meloditë e atij shpirti të plagosur,që dëgjojmë ,veçanërisht në Athinë, na bëjnë të trishtuar, por thellësisht shqiptarë. Kur më këput malli, takohem me këngën, bashkohem me ulërimën e njerëzve të mi,me atë simfoni të heshtur, por më të veçantën e më madhështoren në botë, thuaji po deshe me një gur,ose më saktë ATDHE.

                                                                      Athinë,tetor.2000
                                  Botuar te "Gazeta e Athinës" 24.11.2000 dhe ne gazeten "DRITA", MAJ 2001.

No comments:

Post a Comment