Saturday, April 14, 2012


        ZITO    ZORBA

Ese
Pirro loli                                        
                                                 
PREZANTOJ


                           NJË SPROVË TË GUXIMSHME

Në fakt duhet mësuar ende se ç’është në të vërtetë ky Kazanxaqi, ky univers të cilit shkrimtari Pirro loli i afrohet me guxim. Dhe kam pyetur veten, pse vallë ka përzgjedhur këtë temë ku risku për të humbur është tepër i madh për këdo. Si çdo univers Kazanxaqi është ndjellës si Itaka për Odisenë, sikur atje të jetë përherë e humbur mëma që na ka lindur. Doja t’i jepja një pasaportë, pikërisht, kësaj përpjekjeje kaq serioze mikut tim të letrave, gjerësisht i njohur Në emigracion si krijues në poezi e në prozë. [Ai ka botuar pesë vëllime me poezi e katër romane si dhe librin “Kosova saga e Ballkanit”,(me bashkëautor), ndërkohë që është më i njohuri edhe në fushën e eseve dhe kritikës letrare.] Por nuk qenka kaq e lehtë përderisa Kazanxaqi, për të cilin shkruan është ,sidoqoftë ,një enigmë që ka joshur shumë mendje të mençura për t’iu afruar. Nuk e di kush ka mbërritur më saktë. Dhe nuk mund ta pohoj në ç’largësi ndodhet Pirro Loli në udhën drejt këtij objektivi sa të vështirë,aq dhe të mbrekullueshëm. Shoh një preçedent që një autor shqiptar i afrohet një ishulli enigmatik. Niko Kazanxaqi e ka emrin Kretë, ishull,që autori Pirro Loli e krahason me një kitarë të madhe shtrirë në det, ishull që lundron  në një det plot mistere, ku ende mbeten për tu zbuluar labirinthet e Herakliopolit, minotaurët, ajo legjendë prej së cilës duket se vjen vet Kazanxaqi deri te Zorba. Pirro Loli ecën drejt kësaj enigme e duket se ka një jetë që po vrojton ishullin ku më në fund do të zbarkojë i sigurtë. Siç i afrohet Eskilit Ismali ynë i madh në një garë të pashëmbëllt eskiliane, të cilën,me sa duket përfundimisht e ka fituar. Autori i këtij libri,disi te veçantë, preferon të rimarrë autorin dhe personazhin e jetës së tij nga i njëjti atdhe, por në një kohë më të vonë kur qytetërimet kanë filtruar përmes humbjeve tragjike si dëshirë e ëndërr. Kazanxaqi-ky trill i jashtezakonshëm letrar, qenka i destinuar vetëm për tu eksploruar. Pikërisht ky guxim krijues është impresionues sepse të duhet të nënshtrosh gati një mit. Për këtë duhet të jesh i pajisur me gjithçka, talentin dhe kulturën e nevojshme, por dhe synimin e lartë artistik si ambicje për të zgjeruar dhe rrethin e unteresave, të cilat nuk mungojnë te krijuesi i këtij libri, ku mjeshtërisht, na jepen mendime dhe ide për jetën ,filozofinë,letërsinë, artin,seksin besimin ,lirinë etj. Pirro Loli i kapërcen pragjet me guxim dhe na ka dhënë një libër kaq interesant për një libër tjetër ; një kazanxaq i dorëzuar ambicjeve të tij, një Zorbë sa Kretas e grek,aq dhe ballkanas, mbi të gjitha njeriun si qënie, por dhe një tjetër brenda tij, që është duke dalë humbellave të thella të subkoshiencës. Zorba tjetër gjithnjë mbetet i panjohur. Pirro Loli trajton këtë temë duke ushqyer dyshimet e tij, në nje shtytje sa letrare dhe shoqërore, një Zorbë që vesh kostumin folklorik për ta paraqitur popullin e vet e në kontakt të përditshëm me pasardhësit e Zorbës rrugëve të Athinës, duke banuar mes tyre e duke dhënë e marrë gjithmonë mesazhe njohjeje e mirëkuptimi. Është meritë e Pirro Lolit fakti mbresëlënës që një autor shqiptar mposht çdo lloj kompleksi dhe pranon një sfidë të tillë të vështirë. Jo si një dëshirë për të luajtur por edhe për të zbuluar sepse për zorbiadën nuk është thënë ende gjithçka. Autori argumenton se Kazanxaqi, duke koncentruar mendimin filozofik të besimeve te lashta e moderne, operon në tavolinën e vet jo kavje, por njeriun që gëlon duke nxjerre klithma pas çdo prerjeje që i bën autori. Pirro Loli këtu duket se ka kapërcyer pjesën më të vështirë të misionit të vet. Kështu Buda,Shopenhaueri, Niçja e Dantja, Zoti dhe shejtani…, të gjithë kanë pjesën e tyre në krijimin e kësaj gërdalle që kazanxaqi e quan Zorba. Autori i esesë gjithsesi çel një shteg ku mund të ecet. E parë në tërë kompleksitetin e vet kjo përpjekje është lufta për t’i mundut titanët.
Në këtë drejtim, guximi për tu ndeshur, është gjithsesi përgjegjësi e këtij autori. Pirro Loli në gjithçka që shkruan(jo vetëm në këtë libër) duket se na lëshon thirrjen  : “le të guxojmë !“
   Kultura shqiptare përmes një zëri të saj në këtë rast dëshmon veçse pjekuri, vlerat më të mira të saj e bashkëjetesë pa inferioritet në kulturën evropiane.” Zito Zorba “,libër interesant për lexuesin grek dhe shqiptar !
Të lumtë ,Pirro !
                                                                         

                                        STEFAN MARTIKO                                        


Kur shkova për herë të parë në Kretë , u ngopa me det e në çdo hap më dukej se do t’i takoja të dy. I kërkova bregut detit e kafeneve. Dhe i gjeta. Ishin të dehur e hidhnin valle krahpërkrah në një zallishte buzë detit. Si dy shpendë të stërlashta që jepnin e merrnin midis tokës dhe detit. Mbi pendët e tyre të bardha, binte drita e hënës e yjet tringëllinin zilet e argjenta e pak më tej deti ngashërehej…Më dukej se kisha folur me vete për dy të njohurit e mi Të vjetyër e aq të dashur. Poeti dhe Zorba, krahëhapur, po më thërrisnin në vallen e tyre..E për ditë do shtronim gunën e do kuvendonim për Kretën e bukur shtrirë si kitarë në det, për miqësinë e filozofinë, dashurinë dhe seksin, këngën dhe vallen, letërsinë dhe artin. Zorba nuk kishte ndryshuar fare. Më kot donim t’i mbushnim mendjen për një vështrim të ri të gjërave, se,” helbete “, Greqia ishte futur në Evropën e Bashkuar. Por Zorba s’kishte vërë veshi. Kish mbetur ai që kish qënë në vitet 40’. Hingëllinte dhe hidhte shqelme si mushkë…

                                                    ***

       Që në kryeradhë Niko kazanxaqi pranon se ata që lanë gjurma në botkuptimin e tij, janë Homeri, ai sy me dritë shkëlqimtare si disku i diellit, që ndriçon gjithçka me vezullimin e vet të praruar, Bergsoni,  që e paska çliruar nga ankthet e ngatërruara filozofike, Niçja që e pasuroi me ankthe të reja dhe Zorba, miku dhe personazhi i tij, që e mësoi ta donte jetën dhe të mos i trembej vdekjes.
   Dhe që në kryeradhë ngrihet pyetja: si është e mundur që të krahasohet Aleks Zorba, një i pashkollë, me plot aventura e vese mbi shpinë, me tre  nga kollozët e kulturës botërore ?                                                  
   Të dy miqtë e vjetër vendosën të hapnin një minierë qymyri në Kretë
dhe dështuan, dështuan dhe në ndërtimin e një teleferiku për transportimin e trungjeve e më pas, miqtë ndahen për të mos u harruar kurrë. Zorba është një bërthamë që çliron në çdo hap të jetës së tij energji,
miqësi, dashuri e virtute e, njëkohësisht, një mal plot zullume njerëzore; ka vështrimin e shqiponjës që e dallon prenë së larti, naivitet krijues të pashuar, kuptimin praktik të ndodhive, virgjërinë e përjetshme të elementeve që përbëjnë jetën e tij, jrit, detit, zjarrit, gruas, bukës…Dorë e sigurtë, mendje gjithmonë e freskët, mendim dhe ndjenjë  me atë të qeshurën e tij të vrazhdët, që i gurgullon së thelli.E kur e sheh keq, kur goja nuk i thotë dot ato që duhen, ia merr këngës ose brof në valle. Sepse, i tillë, Zorba dështoi në minierë, por shërbeu për krijuesin e madh si një galeri e pasur me plot thesare përbrenda. Ai shkatërron të gjitha muret e moralit, fesë, atdheut, shoqërisë, njeriut dhe Zotit dhe kështu e quan veten të lirë. E ky farë fshatari i pagdhendur, i dha autorit tru prej luani, tru, që shvleftësojnë filozofët e mëdhenj, që hapin sytë e njerëzimit dhe arrin deri atje, ku Zorba i bën thirrje të braktisë lapsin e letrën e të bëhet njeri. Ky plak i bukur e madhështor, depërtoi në psiqikën e autorit me tërë mënçurinë dhe arrogancën e tij e, kështu siç e kemi tani, në bojë e letër, u kthye në mit grek, ballkanas e  më tej.Ndoshta loja e fantastike e aktorit Antoni Kuin, e ka bërë Zorbën edhe më të pavdekshëm. Kur bashkohen talentet e mëdha, autori dhe aktori në skenë, ngjet mbrekullia e ajo quhet Zorbë.
   Autori dhe personazhi i tij vinë nga dy botë të ndryshme. I pari nga bota e dijes, nga sëmundja faustiniane e të nxënit, i dyti nga jeta, nga jeta si fakt me të gjithë ashpërsinë, dyshimet, hamendjet. Dhe të dy takohen në një pikë, fillimisht si miq e llogjika ta do të kuptosh inferioritetin e Zorbës, por jo. Triumfon ky. Zorba është bukuria vetë, shpirt që merr  krahë në punë e në valle e në epsh, në gëzime e në dhimbje, protaganist në haje, kur i qëndron pulës së pjekur e verës, horr horri kur bredh nëpër gra, por dhe me shpirt poeti. Ai tregon për detin e dëborën, ujqit, komitët, vejushat, e përbrenda është i mbushur me mister, lotë e tinguj të çuditshëm. Dhe ti bëhesh Zorbë.
   Zorba është një poemë dramatike, pemë degëshumë që deri në fund mbetët me lastarë të njomë,  jo një emër në një minierë, në luftë a në valle, por një filozofi, një botkuptim. Ose zorbabotë. Autori e ndjek personazhin e tij hap pas hapi, e zbulon gradualisht në çdo qelizë, dashurohet me të deri në dhimbje, tronditet e infektohet nga ai deri në tjetërsim. Këtë provon edhe lexuesi e kjo ka të bëjë me artin e madh. Në esencë, ai është kundër mikut të vet, por miku e ka pushtuar e autorit aq të ditur, i vihen në pallancën e dyshimit dija, filozofia, arti, libri.Gishti i trashë i Zorbës e prish pallancën e të gjitha rrëzohen e bien nga ana e Zorbës e të gjitha duken si komplekse të kota që ndotin ajrin.


                                       LIRIA  E  ZORBËS

  Mbi të gjitha Zorba çmon lirinë. Për të “ njeriu është një pleh e liria një lule që mbin mbi të” (f.28, “Jeta e Aleksis Zorbas” , roman, përkthyer nga Stavri Dajo). Ai ka parë njerëz që i gëzoheshin fitores në luftë dhe i gënjente mendja se kishin fituar lirinë, ka njohur pasanikun Jorgo që grumbullonte flori dhe e ndjeu veten të lirë kur e flaku thesarin; ai ka njohur  kallojer Zaharinë në një manastir, që fitoi lirinë kur e braktisi dhe i vuri zjarrin manastirit. Për Zorben, të çlirohesh nga pasionet për racën, klasën, atdheun, d.m.th., të fitosh lirinë; të çlirohesh nga besimi,madje dhe nga zoti,do të thotë të luash në një lëmë të madh lirie e të të duket vetja e lirë  si zog në ajër. Te vetsiguria e njeriut flë liria, te arratisja nga çdo gjëndje( Zorba kish bredhur vërën e dreqit kudo ku e shihte veten më të lirë). Ai vepron kudo e kurdoherë sikur vdekja nuk ekziston. Ai është peshkatar i rastit, e merr jetën siç i vjen, tallet me të dhe e sfidon fatin.Tani ai ka përpara një pulë të pjekur dhe verë. Ha, shqepet e njësohet me pulën e verën sikur do vdesë në cast, ka përpara galerinë e minierës, sulet, djersin, nxihet nga qymyri e lodhet deri në dhimbje.Dhe nxiton, sulmon i shpenguar mbi femra, kundërshtarë, miq e armiq, bie plotësisht mbi këngë,mbi valle;  shkrihet, sepse është i lirë. S’ka as Zot ,as shejtan, o njeri, na thotë Zorba, prandaj merrja këngës, vallzo ta vësh vdekjen kokëposhtë. Kjo filozofi, me origjinat në grekët e lashtë të Epikurit, apo në gëzimet e jetës dionisjane, te Zorba është mbisunduese.  kjo e bën të pamposhtur e të lirë sepse nuk beson askund, nuk ka frikë askënd. Këto premisa lirie e bëjnë të llomotisi e të filozofojë edhe për lirine e të tjerëve, për jetën, shpirtin, shoqërinë e luftën, për seksin, kishën e vdekjen.Atij nuk ia bën syri tërr edhe kur dashuron edhe kur vret; barbar dhe i egër, por dhe i butë, shpirtlehtë e i dhimshëm si poet, ai të bën përvete, kur sokëllin me urrejtje e kur hesht i emocionuar tek shikon retë, që vrapojnë, detin që psherëtin, një flutur apo barin e gjelbërt e krejt Kretën shtrirë si kitarë madhështore në det.
Por Zorba nuk mund ta kuptojë se dhe liria e tij është relative dhe nuk është e mundur tu shmanget privimeve. Ai nuk e ka idenë e shpirtit, që, tek çdo njeri, papërjashtim, gjendet në një lartësi absolute; ai nuk e kupton se veçanërisht shpirti i tij tenton të jetë i lirë e është i detyruar orë e çast të kapet në valle me substancat e ngurta e dridhet nga frika se mos e prekin qoftë edhe pak ligjet e egra të trupit e të natyrës si shëmtia, relativiteti, shkatërrimi. Më kot Zorba mohon shpirtin dhe Zotin. Pa e kuptuar, kështu ai e humbet lirinë. Kosta Varnalisi na duket më i saktë kur thotë : “ Le të kridhet trupi në baltë,shpirti është gjithnjë i pastër…nuk ndien dhimbje, nuk vdes, nuk vuan nga padrejtësitë dhe nuk kundërshton pasi vetëm ai është i lirë.” Rrjedhimisht, Zorba nuk mund të presë liri shpirti perderisa ai nuk e njeh atë.Me sa duket ai ngatërron lirinë  e pistë të trupit me lirinë kaltëroshe të shpirtit e s’mund të thuash se shikon qartë.Greku I madh, Varnalisi shkruan:”Sa më tepër i verbër të jetë i përvuajturi, aq më drejt ecën në rrugë.”( në këto shënime do t’i rikthehemi  lirisë së Zorbës edhe në raporte të tjera)

                                 LIRIA  E SHKRIMTARIT

Ndërsa  Kazanxaqi i ka dhenë këtë liri mikut dhe personazhit të tij Zorbës, tregon, më së paku, lirinë e tij krijuese.,natyrisht jo ala zorbçe. Në esencë autori e pëlqen lirinë e tij pa kufinj.E pëlqen, jo pa tronditje e frikë, ose e pranon aq sa i duhet për të gdhendur karakterin e Zorbës me të gjitha ngjyrat. Si intelektual e krijues, ai s’mund të veprojë si personazhi i tij, paçka se e ndjek atë hap pas hapi me simpati. E ai e kupton se jeta është më e gjerë se letërsia, por ama, e di, mirëfilli, se libri e bën jetën më të pasur e bota – siç shprehej Mallarmeja _ është bërë për të përfunduar në një libër. Ai kurrën e kurrës nuk mund të braktisi librat ,siç i thotë Zorba që të fitojë lirinë. Libri ,pasioni krijues është trhelbi i jetës së tij. E duket se të dy kanë të drejtë, Zorba si Zorbë, që është ngopur nga përvojat dhe i ka braktisur të gjitha, fe,moral , atdhe e shoqëri dhe kapardiset se  mund të bëjë ç’të dojë. Ai ka arritur në këtë majë lirie pasi nga tejngopja i ka vjellë të gjithë elementet që përbëjnë lirinë ndër njerëz të zakonshëm. Ky kuptim banal i lirisë kurrsesi nuk arrin te autori dhe kjo, jo vetëm si njeri, por mbi të gjitha si krijues pasionant që nuk e lë të dalë në pjacën e qejfeve, por e mbyll në një vetmi vrastare,gjithashtu shfaqje e lirisë së tij. Liria e autorit është produkt edhe i lidhjes së tij me politikën , filozofinë dhe kulturën botërore.( Kryesisht të krahut të majtë të marksizmit edhe në ekstremin e saj të Lenin –Stalinit). Kazanxaqi është një personalitet i formuar edhe nga influencat e filozofisë gjermane, jashtëmarksiste e veçanërisht nga Kanti, Hegeli, Fojerbahu, Fifte e sidomos nga mesuesi i tij Niçe dhe asketi i madh Buda, Ky formim ekstremesh tregon edhe privimet e tij në fushën e lirise. Ai është nxënës i mësuesve të mëdhenj të njerëzimit e nxënësi,asnjëherë nuk është i lirë. Duke admiruar Homerin, Gëten, Dante Aligerin etj.,formimi i tij nuk e pengoi të përqafojë edhe idetë revolucionare të cilin e lidhin me personalitete të tilla si Gorki, H.Barbys, Istrati etj. Në vitet 1941-44 ai angazhohet plotësisht me qëndresën popullore për çlirimin e Greqisë nga fashizmi e më pas militon në vorbullën e vendit të vet, që siç dihet, percipitoi deri në luftë civile me pasoja shumë të rënda për popullin grek, i cili provoi mbi shpinë andartët, Eamin, Elasin Komunistët, venizeloistët , englezët,miq dhe armiq, të gjithë pro e të gjithë kundër.(Ai u zgjodh kryetar i Këshillit të Lartë të Partisë Socialiste dhe ministër i arsimit. Një person me angazhim të tillë, kuptohet, nuk mund të konsiderohet i lirë e veçanërisht ,po të kemi parasysh dëmin që sjell kjo në krijimtarinë artistike. Kazanxaqi nuk ishte i lirë as në Bashkimin Sovjetik,kur u verbua nga  vitrina  e u ngop me sllogane e iluzione kuqaloshe që i ka përshkruar aq bukur në shënimet e udhëtimeve të tij, por ai ,nuk ishte i lirë edhe në Francë si djepi kulturës evropiane. “Jam i lië”, ai shkroi vetëm në gurin e varrit të vet.
Natyrisht privimet e lirisë te të dy miqtë janë krejtësisht të ndryshme. Nuk është vetëm me atë që thotë Zorba se të gjitha këto e mbajnë lidhur me litarë, se kështu ala zorbshe, asnjë njeri nuk mund të jetë i lirë, por njëkohësisht, është e vërtetë se  shkrimtarët e angazhuar janë më pak të lirë. Zorba nuk e kupton kështu mungesën e lirisë së mikut të tij shkrimtar, por e banalizon me mungesën e veprimit në jetë si në  ushqim e verë, gra e qejfe pa kufi. As nuk pritet nga Zorba ta kuptojë librin si thesar dhe ata që i shkruajnë ato  si profetë që shprehin dhe mbrojnë lirinë e njeriut, ndërsa shtigjet e lirisë gjat proçesit krijues, janë problem vetëm për krijuesit. Për të gjitha këto autori duhet t’i thoshte mikut: Shporru Zorbë !, Unë  të bëra të lirë aq sa ti të kuptosh lirinë tënde, jo e kundërta.Pa autorin, Aleks Zorba do ishte një grek ordiner që ha, pi,kurvëron dhe kaq.Nërsa u bë i jashtëzakonshëm e origjinal, vetëm kur u pikturua nga një penë si e Kazanxaqit. Natyrisht letërsia dhe jeta janë dy gjëra të ndryshme. Ky shkrimtar, si shumica e shkrimtarëve ballkanikë, nuk kanë mundur të mos ta kenë parasysh lexuesin, prandaj arti i tyre është i drejtpërsëdrejtë, e dukshmja bërtet me forcë, ndërsa e padukshmja, mistikja, thelbësore kjo për artin modern, mungon. Kjo ka sjellë, përgjithësisht uniformitete. Por pa formë origjinale ,në letërsi e në arte nuk ka asgjë. Ndaj na duket se ka plotësisht të drejtë Natalie Sarronte kur thotë: “Thelbësorja për ta bërë të dukshme padukshmërinë është forma “. E gjitha kjo ka të bëjë me masën e lirisë.

 * * *
Shndërrimi i një realiteti objektiv në realitet subjektiv është shprehje e lirisë në krijimtarinë letrare e artistike.Krijuesi përdor ndjeshmërinë e tij në diçka tërësish reale e këtë ia jep lexuesit si tërësisht tjetër e subjektive.
Vetëm krijuesit e vërtetë i kuptojnë caqet e lirisë, ku lidhen e ku zgjidhen litarët e saj e, kjo, ka diçka mistike e hyjnore. Por dhe hyjnitë e pozicionojnë poetin nën këmbët e lirisë së tyre. Përvojat letrare tregojnë se liria e shkrimtarit nuk mund të jetë absolute, por dukshëm kanë folur ato se, ata që janë edukuar në shkolla artificiale e ideologjike, tentojnë të bëhen realistë, pa kuptuar se pikërisht realizmi bruto edhe talenteve të fuqishme u jep pasaportën e shkrimtarëve masovistë e proletarë. Shkurt ,të përkohshëm. Kurthi më i madh i shkrimtarit është pikërisht fakti, siç do shprehej Frans Kafka, se “ në luftën ndërmjet teje dhe botës, duhet të përkrahësh botën. “
   Tek Niko Kazanxaqi letërsia e subjektit është mbisunduese. “Subjekti
i vërtetë-thotë Vallace Stevens-Nuk mund të jetë konstant dhe as zhvillimi i tij i rreguullt.” Kësaj nuk i kanë shpëtuar edhe prozatorë modernë si Prusti e Yoyce. Kritikët e urtë thonë se poetët dhe shkrimtarët mistikë i afrohen Zotit nëpërmjet irracionales, dhe metafizikës ndërsa realizmi (pra dhe i Kazanxaqit) e largon atë nga Zoti. Qëllimi i letërsisë së madhe është të gjëjë të bukurën supreme ose hyjnoren, ose Perëndinë. Poetët grekë ,(edhe ky), përgjithësisht kanë synuar të gjejnë të mirën si kategori morali dhe kjo, sipas kuptimit platonik, është sinonim i Perëndisë.
   Pas Luftës se Dytë Botërore, kur shpërthen krijimtaria e tij më e mirë, ai duket krijues plotësisht i angazhuar në realitetin grek. Patrioti nuk mund të rrinte i mënjanuar në vetminë dhe harresën e tij të lumtur. Por është e çuditshe se ky krijues me edukatë e formim perëndimor, krahas pjesmarrjes së tij të lirë në luftën kundër fashizmit e pas fitores me të, nuk e kuptoi rrezikun komunist dhe iluzionet leniniste i vërshuan dhe në letërsi. Këto iluzione kishin infektuar edhe shtresa të mëdha të popullit grek e u bënë edhe shkak i një kaosi popullor që perceptoi deri në luftë civile me pasoja shumë të rënda, që aq me realizëm pasqyrohen te romani “Vëllavrasja”.Ai nuk mund të kritikohet për këtë.Kjo është pjesë e lirisë së tij të cunguar,pamvarësisht se zemra e tij rrihte me zemrën e popullit grek.
Angazhime të tilla militanësh, kudo kanë treguar lirinë e tyre të cunguar në letërsi e arte. Kjo është vecanërisht evidente në të gjithë krijuesit e Ishlindjes komuniste, që qëndruan në qendër të politikës totalitare, vërtet të imponuar nga rretanat e presionit të bashkëkohësisë, por dhe me dëshirën e militantit e kjo, më së paku, definoi krijimtarinë e tyre të plagosur e të viktimizuar edhe në të ashtuquajturat kryevepra. Niko Kazanxaqi është fenomen grek që pati iluzione për M-L.,paçka se fatet e kishin lidhur objektivisht me perëndimin antikomunist.
Shkrimtarët grekë të Pasluftës,me përjashtime të rralla bënë një letërsi udhëkryqi, me jo pak spekulime nga vetë pozicioni as me Lindjen ,as me Perëndimin, ose të martuar me perëndimin, po dashnoren e kishin në Lindje. Kjo letërsi ishte adeguate me psikologjinë greke.
Kacanxaqi ishte talent i madh i pozicionuar në vijën e dy qytetërimeve të kryqëzuara e vepra e tij u shfaq midis historizmit dhe racionalizmit. Pikërisht kjo,sipas mendimit tim, ka parathënë ankthin e tij ,ankthin e lirisë.Natyrisht që zgjedhja është personale e kjo ka të bëjë me lirinë e tij në formë e në përmbajtje e askush nuk mund të akuzojë nëse liria e tjetrit nuk harmonizohet me lirinë tënde. Ai kish besim në ndryshimin e regjimit dhe  nuk e kuptoi se klikat komuniste në çdo vend që u instaluan patën pasoja katastrofale për popujt që i përkrahën me entusiazëm masiv dhe shpresë ; ai e  shpërfilli Sokratin e madh të lashtësisë greke që në gojen e Kosta Varnalisit thotë :”Çdo klikë sunduese verbon vartësit e vet dhe mbyt shpirtin e tyre .E po ta sillte ndonjëherë rasti që bisha të zhdukej, do të bënim çmos për të gjetur një tjetër ujk më të lig që të na hante shpirtin.” Pikërisht këtë dramë sa të re e sa të lashtë, pësoi e gjithë Lindja pas Luftës së Dytë. E këtë dramë iluzive pësoi populli grek dhe shumica e shkrimtarëve të vet që nuk i shpëtuan dot letërsisë së faktit llogjik ose racionalizmit. W.Stevens sigurisht kalon në ekstrem kur shprehet se: “Njerëzit racionalë (shkrimtarët)janë fundërina, por ai ka të drejtë kur i thotë vetes dhe të tjerëve:”Në vend që të shohim ne duhet të bëjmë gërmime në sy…”
  Një parantesë:( Fenomeni i sotshëm i ish krijuesve të socrealizmit përsa i përket lirisë krijuese akoma është  mbushur me sllogane e kakofonira të mëdha. Duket se kërkojnë lirinë duke qenë se janë të lirë. Kjo tregon ,jo vetëm nostalgji për çka ishin, por edhe moskuptim naiv  të lirisë së fjalës që rrjedh nga një liri e paprovuar. Poetët, nëse kanë qenë ,duhet ta provojnë veten me vepra cilësore duke u krahasuar me letërsinë më të mirë kontemporane.Për talentet e vërteta ,sot duhet të tingëllojë ofenduese tu thuhet se dikur, në kohën e socrealizmit, kanë qenë të shquar.
(dhe për ata që vërtet kanë qenë të tillë). Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm edhe për krizat aktuale të librit, muzikës e pikturës, ku masë vlerësimi bëhet shpërfillja ndaj artit, ose vlerësimi i saj bëhet vetëm nga tregu e reklama e paguar. Në një kuptim edhe sot krijuesit janë të rrezikuar në liritë e tyre.Në epoken e konsumit, tashmë mbarëbotërore, paçka se propagandohet si kulm qytetërimi e demokracie, sidomos në demokracitë e brishta të Lindjes, ku dhe plehrat shkëlqejnë, ku pranërrinë
talentet dhe vulgaritet, e panjohura dhe poezia janë lehtësisht të braktisura. Kësisoj liria tingëllon fiktive. Por sidoqoftë dëshira për letërsi është dëshira për jetë dhe liri e përgjithësisht dëshirat janë irracionale.


                                     

         SHPIRTI  I  KENGËS  DHE  I  VALLES

Vallja greke te Zorba është mënyrë komunikimi. Si gjuha. Shfrim ndjenjash.Një gjendje emocionale që s’mund të thuhet me fjalë. Ai e ndien kur goja i ngec e ngrihet, merr sandurin, këndon ose përhidhet në valle. Po të mos ta njohësh jetën greke, kabaretë e shumta femrat, dertet, orgjitë që mbushin festat, është e pamundur të kuptosh vallen greke. Zorba nis të këndojë duke sokëllitur, e brof  në valle çakërqejf.”Bën më tutje,zotni se mos të të marr nëpër këmbë,i thotë mikut e flak këpucët,xhaketën,jelekun,përvesh pantallonat deri në gju e ia kris valles”(f.71) Në ato çaste tek ai buçet liria. E rreh këmbët, bije befas në gjunjë, shtati jep e merr me lëvizje elegante në ajër, godet tokën me pëllëmbë sikur shtyp një dert, e, përsëri ngrihet vrik përpjetë si shpend i lehtë, sulet e turret përsëri në ajër e me kokë e me duar jep e merr me qiellin si një qenije e mbinatyrshme. Ashtu midis detit e qiellit ,bëhet dëshmi e zëri i kumbon gropave të gjoksit e kërkon të shpërthejë, zemra i çahet e me sytë në qiell duket se kërkon vetë Zotin për ta sfiduar: “Ç’mund të më bësh ,o Zot ? Asgjë, asgjë.Vramë po deshe,aq më bën. E shfreva mllefin, e thashë ç’kisha për të thënë, arrita të kërcej e s’ta kam nevojën “(f.257).
   Greku ka përbrenda një revoltë demoniake për ta vënë përfund materjen,duket se rebelohet ndaj një mallkimi primitiv rrjedhur i zi që nga lashtësia, ndoshta që nga artridët mëkatarë prej nga nisën poemat dhe tragjeditë e mëdha. Zorba bën sikur ka ardhur në jetë për të përshkruar historinë e lashtë. Kur vallzon, atij i njomen sytë ,bëhet dhe ëngjëll dhe djall. Fal bukuri e shkel mbi ndëshkime. E  vallja zgjatet si vazhdim i fjalës që goja është e pazonja ta artikulojë. Ai u muarr vesh edhe me një rus që nuk dinte greqisht (as ky rusisht). Nga vallja Zorba kuptoi se tjetri paskej qenë një bolshevik i tmerrshëm. Ai lexoi lëvizjet e kokës edhe të gjymtyrëve, ritmin dhe zërin e pa sesi rusi kish vrarë pasanikët,si i kishin bërë dyqanet lesh e li, si kishin rrëmbyer e kishin përdhunuar gratë,dëgjoi lebetitjen e tyre…E rusi lexoi vallen e Zorbës, tek hidhej përpjetë, tek flakte çakërrqejf karrike e tavolina, e ngrihej kundër  qiellit. Zorba kërcente e vallja tregonte ngjarje, udhëtime, seks, derte e rusi kuptoi se kish të bënte me një shitës, poçar, komit, kondrabandist, patriot, horr…” Ti nuk e beson, zotni si folka njeriu në valle? Besoje,pra! Kështu kuvendojnë hyjnitë dhe demonët”(f.74). Kur i vdiq i biri, Dhimitraqi tre vjeç, Zorba plasi nga hidhërimi. Goja iu mbyll dhe ashtu i pikëlluar, u ngrit në valle në mes të mortit. O Zot, ç’valle ! Ç’lëvizje, Ç’ofshama ! Ç’dhimbje! Veç ta shihje si i dridhej qafa, si e shtërngonte mesin, fytyrën, grushtat, si i binte tokës me këmbë, si ngrihej kundër kishës e qiellit fluturimthi. Kushtu u çlirua nga ngërçi e pikëllimi i iku nga damarët.”Shkalloi Zorba-thirrën-shkalloi.”(f.73) Autori përfytyron Zorbën si një shqiponjë të madhe në ajër puplapërpjetë me sy agresivë e mallëngjehet si fëmijë. E prej së brëndëshmi thërret: Po ky qenka poeti, damari i vërtetë që kërkoja. Asgjë tjetër s’dua. Hallall, Zorba!” Dhe i lutet ,këndo, Zorba, këndo! E ai:”O burra hidhu pa teklif/ të dalë ku të dalë/o prishet puna shkon për djall/o ndreqet ,merr për mbarë !”(f.165)
*  *  *
“E kam njohur” Zorbën në Athinë. Ndoshta ai është një majë kreshtore e qejfliut grek. Po Greqia është e mbushur me zorbasa. I takon ata nëpër buzuqe, kabarera, pagëzime, dasma, festa fetare e kombëtare nga më të ndryshmet që zbukurojnë jetën në të gjithë faqen e vitit. Aty pas mesit të natës, në mes të tavolinave me ushqim të bollshëm kryesisht me mish e me verë, njerëz të zakonshëm, vetëm, ose në grup, ngrihen e ia valojnë valles e këngës deri në orët e mëngjezit.Të të  gjitha moshave, burra e gra, harrohen në valle, këndojnë, hedhin lule mbi protaganistët, thyejnë pjata e duket se janë njerëzit më të lumtur e më pasur të botës.
 Kur Greqia mori kupën e kampionëne të Evropës në futboll, edhe unë si shumica, u befasova, por aspak, kur këngëtarja e re, Eleni Paparizu, mori kupën e këngës në eurovizion. Populli grek e do marrëzisht këngën, ka tradita të mrekullueshme këngëtarësh në breza. Këngë të ngrohta tavoline, këngë që i këndojnë masivisht,këngë që kërcehen masivisht e të lehta për tu imituar.
Specialistët thonë se janë kryqëzime këngësh me vendet e Lindjes së Mesme, turke, sllave ,arvanite etj. Për mua s’ka rëndësi kjo. Le të merren studjuesit me origjinat. Unë dua të them se kemi të bëjmë me një popull valltar e këngëtar që tregon ,veç të tjerash vitalitet për ta gëzuar jetën dhe për ta shijuar të bukurën me pjesmarrje masive edhe për ta ndërtuar atë, gjithnjë me më shumë larmi. Greqia ka këngëtarë profesionistë shumë të njohur edhe nëpër skenat e botës, që nga kënga popullore dhe e lehtë deri te muzika klasike me yllin e paarritshëm, sopranon Maria Kalas. Për të gjithë emigrantët shqiptarë tashmë janë shumë të njohur dhjetra e dhjetra këngëtarë të shquar grekë si Kazanxhidhis, Dhionisiu, Bithikoçi, Marinela, Faranduri, Koh, Gliqeria, Protopsalti, Mitropano, Ana Visi, Keti Garbi, Aleksiu, Terzis, Jorgo Dalara, Jani Parios e dhjetra të tjerë.(rreshtimi i tyre këtu është krejt i rastit). Kam parë festivale të mrekullueshmë të këngëve dhe valleve popullore sipas krahinave e ka një gamë kaq të gjerë ngjyrash e kostumesh, melodi e orkestra të organizuara e të financuara që i stimulojnë e i përtërijnë traditat si asnjë popull tjetër në Evropë. Studuesi i mirënjohur Aristidh Kolias, shumë herë do më thoshte se këngët dhe veshjet greke, në katër të pestat e tyre,janë imitime e stilizime të folklorit arbëres, nga ku ai gjente dhe origjinat.E thashë, për mua kjo s’ka rëndësi.
Nuk ndjehem inferior sepse dhe unë i kam shumë të pasura këngët dhe vallet e mia që nga veriu në jug.Këtu e kam fjalën për popullin grek që e ka në shpirt të bukurën. Kjo tregon dhe forcën asimiluese që ka një popull për artin e për të përvetësuar atë që i pëlqen. E kur e bukura bëhet vlerë e popujve, llogjikisht duhet të jetë dhe bazë e kulturave të përbashkëta edhe e miqësive reciproke. Mallkuar qofshin politikat që kanë infektuar  edhe  këngët dhe vallet e popujve të Ballkanit, nga më të pasurtat në botë !
Zorbasët grekë i këndojnë kryesisht dashurisë,dashurisë në mungesë.Nuk ka këngë pa agapi. E në to, nuk mungon as dielli as hëna, as deti. Ka shumë zogj e yje,portokale e limona .Në to thahen jargavanë e digjen shami nga loti, e  çelin zambakë e qeshin valët e detit e, çuditërisht ka shumë dhimbje për ndarjen, kurbetin, divorcin,vdekjen. Gjithçka njerëzore ka në to e kjo tregon edhe karakterin e tyre të pavdekshëm universal. Arti i jep shpirtit krahë. E shpirti ,kur bëhet popullor, nuk njeh kufinj e dogana, por bëhet i të tërëve.

                               ZORBA  DHE  ORTANSA

   Zorba si personazh do ishte i mangët pa Ortansën, këtë madamë me origjinë franceze që s’i lë gjë mangut atij. Dashnorë dhe burrë e grua ata plotësojnë njeri tjetrin në lidhjet ala zorbë dhe janë kaq të veçantë e origjinalë në zullumet e tyre, sa  dhe ish madama kthehet në një zorbë madhështore.Të dy jepen duke gërmuar në të kaluarën e tyre e të dy përbëjnë një çift që me dashurinë e tyre në pleqëri, janë kaq njerëzorë e jeta e tyre ngjan më një skenë teatri komiko tragjike që zbulohen gradualisht deri në vdekje, madje dhe vdekjen e kanë krejt të veçantë. Ata duhen parë veç e veç e të dy së bashku për të zbuluar  karakterët e tyre të fuqishëm.
Zorba, i pasuar nga qejfllesha plakë, të dy, pra, zënë vend presidiumi në galerinë e letërsisë ballkanike e më gjerë. Të gjitha cilësitë e tyre fizike e shpirtërore janë dhënë me ngjyra të ndezura e kontraste piktoreske skajshmërisht të dukshme ,virtut dhe ves,ndershmëri e horrllëk. Ata të imponohet në krejt veprimtarinë e tyre. E të dy mbërthyer në një të kaluar aventureske, janë ndërkohë kaq të besueshëm e simpatikë dhe në horrllëqe. Zorba, i dehur pas punës dhe grave,barbar dhe i ndjeshëm si poet ndaj Ortansës, është në lëvizje të përhershme, e ndërton jetën me duart e tij, punon tokën ,ngre shtëpi, hap rrugë, sjell ujë, çan shkëmbinj, pret dru, gatuan dhe shkrihet njësh me baltën,gurin, drurin e qymyrin. Ai thotë:
“Dua qymyr dhe bëhet qymyr kokë e këmbë”(f.72)Veprimet e tij i këputin frenat,kudo dhe kurdoherë, në ushqim dhe pije,në punë e lodhje, por veçanërisht me gratë të cilat janë qëllimi dhe stolia e jetës së tij. Ortansa është mobilja më e rëndësishme e dhomës së tij prej Don Zhuani të pacipë. Ky njeri pa shkollë që dhe kur shkruan letra, thyen penat nga furia e papërmbajtur, me prakticizmin e tij, bëhet edhe primitiv
sikur tash është shkëputur nga majmuni, ndërkohë filozofon për gjithçka e mediton për bukuritë e kësaj bote si poet, veçanërisht për pikën më të dobët të jetës së tij, femrat. Shpalosur kështu, skajshëm, ai i hap shtigje të reja autorit dhe lexuesit. Ai këlthet në këngë e në valle e duket sikur tingujt dhe lëvizjet i përkasin kohës paranjerëzore,kur klithma ishte dhe muzikë dhe pathos dhe vaj. Ai është njeri me gjak të valë që të kujton njeriun e fuqishëm të antikitetit,  kur ka dhimbje e lëshon lotin breshër, kur ka  gëzim nuk sorollatet në kënaqësira të imta, po vrap e të vejusha e radhës. Autori e vëzhgon atë nga afër në të gjitha skenat e, mjeshtërisht, pikturon shpirtin e Greqisë me të gjitha ngjyrat, mençurinë e budallëkun, besën dhe pabesinë, heroizmat dhe dobësitë, virtutet dhe fëlliqësirat, dramat, humbjet, fitoret, të gjitha  zbuluar me një sy të mprehtë
spërkatur me një re trishtimi e revolte, e të gjitha së bashku ngrenë kulturën e lashtë të një populli që i ka dhënë aq shumë njerëzimit.                                                    

*  *   *                                                                                                                                  
Dashuria e Zorbës me Ortansën të kujton një çift të dashuruaresh tip Romeo e Zhulieta në pleqëri. Sapo  hyn ajo në skenë në fakt kemi dy zorbë.Bukuroshja e dikurshme që kish bredhur hu më hu gjen te Zorba burrin e fuqishëm që e kënaq seksualish, paçka se ora e saj kishte ngecur.Atë e përtërin seksi e me Zorbën donte të bënte një martesë të ndershme. Me të ajo jeton bukurinë e dikurshme si të përjetshme.Romantiku Gjashtëdhjet vjeçar e merr këtë qenije delikate në gjirin e vet dhe mundohet që të mos t’ia lëndojë iluzionet e në fakt ia rinon trupin, shpirtin, epshin, historinë e saj aq të pasur me aventura dashurie si të vet Zorbës. Të vërtetat dhe gënjeshtrat në këtë dashuri janë sa dramatike e komike, por gjithsesi njerëzore e përbëjnë faqet më të bukura të romanit.
   Autori dhe Zorba bujtën si miq në hotelin e saj të vogël e që në vështrimin  parë qejfliut tonë iu duk si një dele e majme që tundte bishtin.
Ai e dinte se pulat plaka kanë lëng të shijshëm.”..Në shtegun e haput të gjoksit,madama kish vënë një trëndafil të shkundur.”(f.41) në dhomë mbante një papagall të verdhë, simbol e të shkuarës së saj, që gjer në fund
i kujton me atë zërin e çjerrë emrin e një ish dashnorit”Kanavaros”. Si mbaroi pulën e pjekur Zorba i hedh sytë madamës.”i ulej me sy, hipte e zbriste, strukej në gjoksin e saj tulak dhe e fërkonte “(F.42) Zonja e ndiente në trup syrin e skifterit e ndizej  pak nga pak. Cili Shekspir e hodhi këtyra gërmajave në kthetrat e Zorbës? Dhe vërtet, vetëm Kazanxaqi mund të tregonte si Shekspiri historinë e madamës me gojën e saj.Ka një histori lufte dhe sksi, luftë në Kretë me të katër superfuqitë e kohës me topa të rëndë e vrasje dhe seksi i Ortansës me të katër kryeadmiralët, të Anglisë, Francës, Italisë e Rusisë. Të katër ata kodosha që drejtonin luftën, veshur e stolisur me ar e pendë në kapele siç thotë ajo ishin gjela të mëdhenj…Vinin nga shtatëdhjet okë secili e përnatë zhgrryeshin me të.
“..Apo s’kishin mjeker !Të dredhur,të shndritshme,të zezë,të verdhë,thinjake,gështenjë”f.(43). Madamë Ortansa, artiste që vishej me kombinezione mëndafshi, dantella e spërkatej me lloj lloj parfumesh, kalonte natën zhytur në shampanjë, e, duke bërë seks, u lutej që të mos ta bombardonin Kretën.” Kanavari im-  i thoshte secilit,mos ia bëj bum,bum”e,vini re ç’ironi, sa herë seksi i saj ka shpëtuar Kretën nga vdekja. Paska luftuar edhe Ortansa e bukur gjoks më gjoks me armikun…
Po askush u a di për nder putanave,asnjë medalje trimërie nuk mori
bukuroshja jonë…Katër admiralët do iknin dhe Ortansa mbeti katër herë e ve.”Po mua ku do më lini ,ankohej e çirrej,mua,që mbajta të katra superfuqitë në gji ?!” Natën e fundit ata mbushën vaskën e banjos me shampanjë dhe e zhytën të dashurën lakuriq.U lanë të gjithë në atë vaskë, kurvëruan për herë të fundit, pastaj mbushin gotat dhe e pinë të gjithë verën e banjores.
   Ja ku e ke admiralin tënd – I thotë Zorba -e ndërkohë kish hedhur gjunjët e tij mbi të sajat. “E re, a e rreshkur, e bukur a e shëmtuar, s’kish rëndesi ,për të, pas çdo gruaje fshihej fytyra e Afërditës, e vrazhdët,e shënjtë ,gjithë mister”(f.46) dhe Zorba zgjati duart e trasha. Ortansa e velur me mish e verë u var në shpatullat e tij.” Tani u ndez, zotni, ik !”.
E  ata gdhiheshin çdo natë së bashku.…Ajo kujton edhe Ali Beun që paguante shairet e ata luanin tërë natën edhe e gjithë lagjia mbetej pa gjumë nga zurnatë dhe gjithë qyteti mërmëriste e mallkonte atë e Ali Beun. E pastaj Sulejman Pashanë në Stamboll që nuk e linte Ortansën të dilte as shëtitje nga frika se mos ia shikonte Sulltani e ia rrëmbente.Te dera e dhomës pashai kish vënë dy arapë e atje nuk shkelte këmbë mashkulli. “ Ah,ah Sulejmani im !”(f.123)

*  *

Për Zorbën femrat janë vetëm objekt seksi. Dhe jeta duhet shijuar.Ortansa është shëmbëlltyrë e këtij koncepti. Zorba e thërret Bubulinë, d.m.th trimëreshë. Plakë e lëshuar, por “që paska shtriga lezetin e vet, ditka zanate e të merr mentë”(f.78) Dhe Zorba ha radha e ka provuar gjitjçka. Atë nuk e shqetëson fakti që kjo grua paçavure që ka bërë të nëntëdhjet e nëntat me admiralë, marinarë, ushtarë, fshatarë bakallë,priftërinj, korofillakë..etj. Për sytë e Zorbës, femra është seks dhe sipas tij,njëmijë herë bie në shtrat e njëmijë herë ngrihet e virgjër. Dhe ai po kështu,”bëhet njëmijë herë Kanavaro e i kërcen admirales së tij njëmijë herë të shpuar”(f.79)
Të dy kanë një pathos të furishëm për të jetuar e për tu përtërirë. Kur mugullon bari i njomë,kur çelin ngjyrat e gurgullojnë ujrat e pranverës, Ortansa bëhet çupë, kujton e rinohet e duke bërë dashuri me Zorbën , mendja e çon në krevatet që ka provuar në Aleksandri, Bejrut, Smirni, Stamboll…e, ah e ah, o Sulejmani im !!
Kreta e Zorbës ia ka pranveruar të gjitha kujtimet.Gjinjtë e saj të fortë vërtiren përpjetë e bregu i Kretës oshëtin e Zorba e bën dhe e përpunon si tridhjet, dyzet a gjashtëdhjet vjeçare…E bardhë si bora,lakuriqe me gjinj e shalë të plotë, ajo bëhet Zorbë. Asgjë s’ka humbur e ngjan me një fregatë me tre direkë, kacaviret nëpër litarë, lundron dallgëve e ,pasi ka provuar të tërë hunjtë e botës, tash prej pleqërie, e rregulluar dhe e stolisur, synon të fundit port, dasmën me Zorbën, të paktën t’i tregojë jetës së saj një krevat të ndershëm…Dhe Zorba nga ana i tij është një Ortansë, pushton atë e i shpaqen pa fund fytyrat e vejusheve të  tij, turke, franceze, armene, ruse, arape e sidomos greke…
Autori e Zorba ia mbajne ndezur dashuritë, i blejnë dhe dhurata për dasmë, qirinj e kordhele, vello nusërie e çorape të mëndafsha, por…,por
pleqëria s’mund të ndalet, paçka se Ortansa i fshihej, shtrihej mbi bar të gjelbëruar  që më kot të gjelbërohej, që pleqëria të mos e njihte e vdekja të largohej. Ajo sëmuret e zë shtratin e dergjet e ato dhuratat e dasmës i vërtiten ne kujtesë  e i veniten. Zeri i jetës këlthet brenda saj, këlthet me dhimbje e pikëllim” s’dua të vdes,s’dua të vdes”…Zorba e kupton rrugën që ka marrë “nusja”. I qëndron te shtrati, i fërkon ballin e nxehtë e zgurdullon sytë me pikëllim të thellë. Plot dinjitet , burrëri e dhëmshuri kthen kokën anash e fshin lotët me kurrizin e dorës. E bashkë me të edhe lexuesi. Kjo është forca e artit të madh. Është njëkohësisht  dhe antiskemë e metodave artificiale artistike e imponuese që e duan të mirën rreptësisht të mirë e të keqen rreptësisht të keqe, duke e viktimizuar personazhin e duke e gjymtuar njeriun. Ortansa është një sirenë që këlthet me të tërë forcën për ta gëzuar jetën, është shëmbull dramatik që shfuqizon të tëra moralet, ideologjitë, zakonet, traditat e megjithkëtë tingëllon e besueshme njerëzore e madhështore si dhe Zorba.


                              SHPËTIMI  NGA  ATDHEU…

   Krejt vendet e Ballkanit janë të mbushura me luftra e atdhedashurira. Padyshim mbi të gjitha Greqia. Këtu kanë lindur edhe termat “patriotizëm”,”heroizëm”etj.Gjuha greke nga gjuhët bazale të qytetërimit antik i dha kulturës botërore poetët dhe tragjikicienët e mëdhenj të të gjitha kohrave e si gjuhë qytetërimi në shumë disiplina shkencore, ideologjike, psikologjike, letrare etj. më së paku ka lënë një terminologji të qëndrueshme mbarëbotërore. Kjo ka historinë e vet.Është në natyrën e qytetërimeve që dhe më  dodti, lë gjurmët në ndërgjegjen e njerëzimit.
   E na del tani një Zorbë e një shkrimtar i madh nga gjaku grek që i shvleftëson të gjitha. Me sa duket, janë të velur me këto koncepte, pse jo dhe të ndëshkuar  e të zhgënjyer prej tyre. Rrjedhat “ e lavdishme “ të historisë që në esencë u kanë marrë gjithçka, i ka mpakur në kufinj tokësorë e kulturorë, s’përbëjnë më traditë mësimdhënëse. E Zorba bërtet me përçmim: vjetërsira janë të gjitha, mbretër, republika, deputetët…,të gjitha maskarallëqe, dhe morali, dhe atdheu, dhe feja. Zorba është një konstante historike që vjen nga faktet, nga përvojat e hequra që i rëndojnë mbi shpinë. Një zëmërim tinzar që kam vërejtur nga shumë grekë të thjeshtë ,por dhe shkrimtarë e poetë, kundër vëllait të tyre,Niko Kazanxaqit, që siç dihet, dy ditë para se të vdiste iu akordua”Çmimi Nobel” e, që do ta bënte krenar çdo popull, them se vjen pikërisht nga kryevepra e tij, Zorba. Në gojën e tij shohim se si bien përtokë të gjitha ato që përmëndëm më sipër si krenari kombëtare e si shtylla të helenizmit, e të qytetërimit, natyrisht, të kalburat. Më e saktë është të themi për të gjitha shtyllat historiko patriotke të Ballkanit. Zorba në këtë kuptim nuk është vetëm grek, përkundrazi, vendlindja e tij gjëndet në çdo vend të gadishullit plak. Ketu qëndrojnë dhe vlerat e tij.
 Le të ndjekim llogjikën e Zorbës më nga afër. Lufta për të “është një tërbim njerëzor që të bën të kafshosh tjetrin, t’i presësh hundët, t’i çash barkun e …(për këtë.P.L) t’i kërkosh Zotit ndihmë”…(f.27) Zorba ka qenë luftëtar e patriot trim.Atij i hipte gjaku alla zorbë e bënte kërdinë mbi armikun. Me gojën e tij ai thotë se ishte bishë e shkuar bishës, dhe se hante njerëz të gjallë në vend të pulave e derkucëve… Ai zbiron në të kaluarën e tij e përfundon në humbës , ose në hiç. Lufta dhe heroizmat e tij dhe të popullit natyrisht, sollën në Kretë princin Jorgo, ose lirinë. Kjo liri ironike, sipas tij, ardhka duke vrarë njerëz. ”Po të rri e të numuroj ç’krime e ç’zullume kam bërë të ngrihen leshtë e kokës…Liri i thënçin! Dhe Zoti në vënd që të na vriste me rrufe na genjeu me liri.”(f.28) Pacifizmi i Zorbës kap të gjithë hapësirën greke e shigjetat e tij arrijnë deri te Zoti që, sipas tij, i pëlqekan krimet, zullumet, prapësitë e ky zullumtar arrin dhe të filozofojë se…këto (prapësirat) janë të domosdoshme në mundimin e përjetshëm njerëzor...e se kjo kokë këtë kapele don…
   Deti i koncepteve heroiko-patriotike të njeriut ballkanas kap të gjithë hapësirën. Dhjetë shtete të vegjël, të ngjeshura pranë e pranë në gadishull, të mbërthyera historikisht në hasmërira shekullore e aleanca kundër e pro njeri tjetrit, më tepër se liri e qytetërim, kanë prodhuar mëri e urrejtje, luftra, intriga, pabesira, çvendosje kufinjsh, minoritete në sqetullën e njeri tjetrit e të gjitha së bashku, historikisht, e kanë katandisur Ballkanin nga një vend fatos në rrënjët e qytetërimit botëror,në një vend bastard e problematik për të gjithë Evropën. Zorba është produkt i lodhur e tipik. Ndaj na duket kaq i besueshëm, kaq grek, shqiptar, maqedhonas,serb etj..Ky status ka shkuar deri në kufinjtë e barbarisë e për kombësi,( për me e ba vdekjen si me le( shkon e turret verbazi edhe në aventura e gjithnjë grryen e shkruan histori, duke mos u ofruar popujve të vet alternativa progresiste. Nëse ti kërkon tu japësh kuptim tradicional gjërave e të vazhdosh të ndjehesh krenar me historitë e humbësit, del filozofi i përvojave me emrin “Aleksis Zorbas” e të thotë “stop”…e “gjithçka, njerëzit, pemët, yjet, janë heroglife, mjerë ai që i lexon rrokje më rrokje.”(f.49) Edhe autori çuditet me pjellën e vet, nuk e kundërshton e pozicionohet ndaj tij kundër llogjikës së pranuar tradicionale për atdhera, heroizma e lirira të paqena. E  ai, Zorba i ka dashur me gjak të zemrës të gjitha këto deri sa u mbingop, u vel e tash po i vjell pa hezitim për të fituar lirinë. Ja kështu u çliroka njeriu nga djalli.”..po nuk u bë dhe vetë djall me brirë”(f.178)…Ai nuk do të mbetet më skllav, ai që ka qenë luftëtar dhe patriot i babëzitur, veshur e armatosur si andart, dhe sot gjashtëdhjet vjeçar e ka trupin me plagë, e të gjitha plagët nuk i ka pas shpine. Të kujton këtu ata heronj e dëshmorë të stisur ala ballkanase( veçanërisht alla grekshe e shqiptarçe) që të gjithë i paska marrë plumbi në ballë a në gjoks se ndryshe s’mund të përfytyrohen si heronj ( !?) Veçse, ai nuk krenohet më grekshe e shqiptarçe, përkundrazi: ” …mushka kemi mbetur, uqër, dhelpra, derra. “(f.201) Gjuha e përvojave është mbresëlënëse. Ai tregon se si një ditë i ishte qepur një prifti bullgar që prift i thënçin! Netëve ai e hiqte rason, vishej çobançe e vriste të pafajshëm në fshatrat tona (maqedonase). Atë ditë kish vrarë një mësues grek në gjumë. Zorba e kish gjetur në një qilar dhe e kishte therur si qëngj; I  kishte prerë dhe veshët për koleksion; më pas kish takuar në udhe pesë vocërrakë që lypnin bukë. Kur mori vesh se qenë të priftit që kish therur, tmerrohet, i rrotullohet toka nga pikëllimi e plaga nuk iu mbyll as kur u fali të gjithë florinjtë që kish me vete. Ai ka arritur në ekstreme nga përvojat ekstreme…Kur ishe fëmijë kish qejf qershitë. Një ditë bleu e hëngri sa u shqep një shportë me qershi, pastaj i volli. Kështu shpërtoi nga qershitë , nga duhani e nga…
-          Kështu gjete shpëtim?,-e pyet autori
-          Po ,po .Edhe nga priftërinjtë, edhe nga paratë. Tani jam i lirë e po çlirohem gjithnjë e më shumë (f.202)
Ai paska ndërtuar një Zorbë tjetër duke i shkarkuar nga qenia kombësitë, minoritetet, patriotizmat, bestytnitë e vetes i thotë “hajvan”, hajvan për sa ka qenë. “Kam bërë e kam bërë unë për atdheun sa kur i dëgjon të ngjethet mishtë.Preva, vrava, plaçkita, dogja fshatra, përdhunova gra, lashë jetimë. Hajvan kam qenë…”(f.202) .Por
Tani është ndërgjegjësuar, është hajvan i ndjeshëm sa  , kur sheh një njeri që vuan i pikon zemra. Ai ka filluar t’i filtrojë përvojat.Vetëm nga gratë nuk është velur e prej tyre s’e ka fituar dot lirinë. Dobësi njerëzore thua ? Zorba e ka këtë krimb madje dhe kur ka rrezik koke…Një ditë ishte rrethuar nga ushtarët bullgarë e për të shpëtuar ra në oborrin e një vejushe bullgare.Një e dorën në gjoks Zorba  e  ajo u dorëzua menjëherë. Fjeti tërë natën me të e përsëri filozofon: Ja ç’është njeriu, kjo është gruaja, një lloj ëshe robi, kombësia, raca, vrasja, lufta e liria e,  të gjitha këto, sipas tij sepse nuk e lë rehat bisha që ka përbrenda, atdheu. (!)…e ajo bishë atë natën e bullgares e bëri që në mëngjes ta spërkaste fshatin me vajguri e t’i vinte flakën (!)…”e sa të ketë atdhe, njeriu do të jetë bishë, bishë e kaluar bishës .Po lavdëruar qoftë, unë shpëtova.”(f.204).

                               *  *  *

      Në vitet e vendet postkomuniste koncepti tradicional për atdheun ka ndryshuar. Tradita, krenaria boshe, historizmi e pozat  mbi heroiken kanë pësuar firo. Njerëzit janë bërë më realistë e kjo tregon se atdheu po bëhet dhe ballkanasi po ndryshon për mbarë.
   Por gjithsesi akoma jemi të rrethuar me fantazma. Mbi Ballkan, nga veriu në jug, retë e nacionalizmave ngihen kudo dhe e errësojnë pamjen. Fundshekulli XX në Ballkan iku përsëri me luftë e kufinjë e shteteve dolën përsëri në pah si qindra vitesh kaluar. Akoma bëhet fjalë për fantazma shtetesh, sherre minoritetesh e synohet si dikur që shtetet të kenë pas dhe epitetin “ e madhe “. Me sa duket Serbia,Shqipëria,Greqia, Bullgaria etj., paguajnë haraçet e së kaluarës se asnjë herë nuk kanë qenë të natyrshme në kufijte e veta. Sigurisht jo për motive të njëjta. Shtetet e vegjël karakterizohen nga nacionalizmi ekstrem e patriotizmi i madh. Kjo ka prodhuar  urrejtje në çdo kohë. E mbi urrejtjen ballkanike, (prodhim vendi) Evropa ka gjetur shesh e ka bërë përshesh për interesa të veta duke flirtuar veçanërisht me vendet orthodhokse në veri e jug të gadishullit. Zorba do ta quante Evropën ” nëna e lavireve dhe e qelbësirave tokësore ” (f.131). Niko Kazanxaqi e ka diagnozuar saktë sëmundjen e popullit të vet dhe e të Ballkanit dhe me guxim e dashuri, operon si kirurg për t’i pastruar plagët. Kjo jo vetëm te romai që po analizojmë. Ndoshta duke kaluar dhe në ekstreme alternativash si me Zorbën, gjithsesi i ka bërë shërbim atdheut të vet dhe kulturës së krejt gadishullit plak.
Patriotizmi i tij i madh e realist qëndron në atë që të gjitha ankthet i ktheu në libra.
( Dhe unë që e provova Greqinë si atdhe të dytë, e që vija nga një atdhe “ i lavdishëm “ rashë në një atdhe akoma “ më të lavdishëm “e do shkruaja : …” kokërdhokë të bardhë homerikë/pa beben e syrit/Me lotë të ftohtë zambakësh/shkëlqejnë/E të verbër/në heshtje lagen në shi “ …(vargje nga poezia “ Mermeret greke “në vëllimin “   Vdekja e trëndafilave “).Ndërsa atdheun tim e mbajta kryeradhë , por jo si dikur. Ndoshta dhe nga pozicioni i emigrantit atdheu për mua do ishte mall dhe brengë, krenari dhe fatalitet, lumturi dhe plagë. I kisha dhënë një lamtumirë kristali e muzgu e do ikja shtigjeve të vetmisë. Por në çdo çast unë dhe atdheu, dy vise gjumi të lidhura përjetësisht me ëndrra. Më dukej vetja si i verbër e njëkohësisht jam kundër atyre që dhe aktualish flasin për atdheun si për diellin,si për detin,si për një dashnore me sy të kaltër. I verbër, jo vetëm unë. Na është çarë drita e syrit,na është pjekur loti në qepallë e mbahemi me duar pas mureve të botës me bërryla të gjakosur…Por s’mud t’i braktisja sytë e atdheut, i ujitja tulipanët e bardhë të shpirtit e doja të më çelnin, të më bëheshin fasho të buta mëndafshi për të mjekuar sytë e atdheut të djegur nga loti. Tek poezia “Atdheu ose një gur e një fyell” në librin “Urdhëri i lotit”, në një çast të trishtuar, (1997)do qaja me një ndjenjë disi krenare : “
Ashtu të vogël,të vogël fare/Të coptuar/e ruajta në sy si pikë lototi/Ashtu të madh,por të mbytur ,do ta kërkoja nëpër mendime deti/
Ashtu të bardhë si bora që lëshon oreteqe për bijtë, Ashtu të zi si nata do ta spërkatja me yj/…Por kur ma grabitën të mitë, ma çveshëne ma lanë lakuriq/Diçka mora dhe unë nga atdheu /dhe ika/…I mora ashtin, të mos ia prekin krimbat/Lashë zemrën, të mos i mungojë buka e kripa/…Mora dhe një gur për të mbjellë lule/Dhe një fyell/Që më duhet për të qarë.”…)
   Nuk shpëtoke dot nga atdheu! Veçanërisht për krijuesit, ai është brenda qenies, gjak e shpirt, trup e frymë. I pranishëm dhe kur të lumturon, dhe kur të plagos, dhe kur të krenon, dhe kur të turpëron. Ai është fatalitet. As Niko Kazanxaqi nuk shpëtoi dot. As me Zorbën. Ndoshta donte të hiqte prej vetes pjesën e keqe, fallcitetin, boshllëkun e siç thashë, të verbërit nuk shohin e nuk e kuptojnë ku është pikërisht ajo. Sidoqoftë, atdheu nuk është një sllogan, por intelekti ka të drejtë ta verifikojë edhe atë. Dhe poetë e shkrimtarë të shquar që i kanë dhënë emër atdheut shpesh kanë dalë në duel me të, dhe duartrokitjet i takojnë poetit. Por dhe të shquarit në lidhje me atdheun nuk u shpëtojnë qëndrimeve moralizuese. Duke qenë në përputhje me disa kritere antikonformiste, harrohet se i vetmi moral në krijimtarinë artistike është estetika, bukuria, kësisoj, letërsia dhe arti nuk mund ta ndryshojnë botën, qoftë dhe sikur të kishim miliona Zorbasë, ata nuk duhet t’i shërbejnë faktit dhe  epokës, por thjesht ta përdorin atë për fisnikërinë e shpirtit njerëzor. Mjafton të japësh imazhin e vetvetes. S’ka përse tu kërkojmë shkrimtarëve të shërbejnë as si lokomotivë ,as si vagona në zhvillimet historike.

                                             ***

   Ne shqiptarët, gjithë jetën kemi dëgjuar sllogane glorifikuese për atdheun, pa e kuptuar thelbin e tij. As epitetet superlative e tullumbacet zbukuruese që i kemi prodhuar vetë. Dhe një ditë, kur pamë se mbetëm pa bukë e pa qumësht e pa këmishë…,befas, sikur mbetëm dhe pa atdhe e vetë atdheu hapi rrugët e ekzistencës për vete e për njeriun e tij.…
 Po le të vazhdojmë me  atdhenë e Kazanxaqit. Zorba i tij duket se është gjithnjë njeriu i ditës. Më duket se e kam takuar kudo në Athinë. Në supermarkete, kafenera e televizion. E kudo bërtet kundër vetvetes dhe kundër broçkullave për histori të lavdishme e heroizma. Grekët e mençur i japin të drejtë…Psikologjia e inferioritetit ka oreks për historizma e arkaizma.  Atë e burrëron  dhe  krenon lavdia,
 elenizmi, dhe humbjet, dhe dramat e ka ca pika të nxehta që, megjithse kanë kaluar shekuj e vite, i qëndrojnë si ankthe tmerri në kujtesë, si Kostandinopoja, mirni, Thesaloniqi, Maqedhonia, i ashtuquajturi Vorioepir, rusopondët etj, që në disa koka të nxehta politikanësh akoma nuk po ftohen e nuk po kuptojnë se historia të imponohet dhe me fatalitetin e saj, dhe me humbjet, dhe shpesh të dëmton e bëhet   mësuesja më keqe. Greqia vegjiton midis segmentesh te politikave të vjetëruara dhe Evropës së Bashkuar, me një këmbë në të kaluarën me tjetrën në të ardhmen. Ky pozicion i vështirë e ka lodhur e shpesh, psikologjikisht, duket më ballkanikja e Gadishullit, në të njëjtën kohë, e begatë e me letërsi të fuqishme. Ky pozicion e bën poetin Seferis të pohoje se kudo që shkon Greqia e tij i hap plagë.
Ka një personazh Kazanxaqi, një ish të njohurin e tij që jeton në malin e Tanganikës. Ai simbolizon ikjen ,braktisjen e një atdheu që e urren. Në Kretë qe pleksur me një nxënëse, e gjetën duke e puthur dhe e demaskuan. Ai ia mbathi përgjithmonë ( sa shumë poetë e shkrimtarë ua kanë mbathur të revoltuar nga Ballkani! Shqiptarë ka më shumë ngetkë se brenda shtetit të sotshëm) dhe u bë tregëtar në Afrikë e i shkruan në një letër Kazanzaqit: ” Më duket se u bëre edhe ti grek ndyrash e zhgrryesh kafeneve “(f.130). Ai deklarohet hapur kundër atdheut dhe  hipokrizisë evropiane. Vuri njerëz dhe hapi varrin te pragu i shtëpisë së tij e në gurvarr shkroi: “ Këtu prehet një grek që i urren grekët “ ;kish lindur dhe një vajzë me një zezake dhe fjala e parë që i mësoi greqisht ishte : “Ptu,grek i ndyrë,grek i ndyrë “ (f.130) Një personazh tjetër, Stavrillaqi, sikur e paralizon të parin. Edhe ai i shkruan autorit për dramën e rusopondëve me plot pathos patriotik. Janë rreth gjysmë milion grekë që rrezikohen të asimilohen në Rusinë Jugore e Transkaukaz. Shumica flasin turqisht e rusisht. E Stavrillaqit i dhëmb zemra për këta emigrantë mjeranë. “ Janë një copë zemre e racës sonë, mësues ! “(f.132). E ky farë patrioti i paska vënë vetes qëllim t’i shpëtoi.Ky është qëllimi i jetës së tij, pastaj dëshëron të vdesë. ( Edhe sot e kësaj dite shoh të vinë si emigranë në atdheun e tyre rusopontë. Stavrollaqi paska vdekur pa e plotësuar aktin e tij patriotik!)
   Dhe mendja të shkon menjëherë në ardhatën e madhe arvanite në Greqi që nëpër shekuj janë asimiluar sistematikisht. Janë ata që i kanë dhënë gjak e shpirt e histori racës greke e nuk u është njohur asnjë e drejtë që ka të bëjë me kombësinë e tyre shqiptare. Ndoshta ky është fati i të gjitha pakicave kombëtare dhe minoriteteve. Sadoqë në gjakun e pakicave mund të kumbojë kombësia e atdheu i të parëve, koha dhe historia bën të vetën.Integrimi është i pashmangshëm, i domosdoshëm
     së bashku me privacionet. Më kot i gënjen mendja popujt e Ballkanit mbi gjeninë e racës e të kombit e mbi të kaluara të lavdishme.Para se të tregojnë dekoratat, duhet të shkundin nga vetja paragjykimet popullore e të zbulojnë ato të vërteta që të mbuluara e të falsifikuara u sjellin dëm vetë atyre. Një komb nuk mund të përbëhet vetëm nga historia, as vetëm nga faktorët materialë siç janë toka, deti, dielli, gjuha etj., por dhe nga faktorët spiritualë të cilat i japin kombit një tërësi organike dhe harmonizojnë të gjithë elementet përbërëse. Më kot mbajnë fjalime politikanët, më kot ndokush, qoftë ky grek ,serb apo shqiptar, merr pozat e Moisiut  si te “ Dhjata e Vjetër” për t’i shpëtuar popujt  e për t’i çuar drejt “tokës së premtuar”. Popujt e Ballkanit me kryqëzime kulturash, me histori të lashtë e të diskutueshme për primarët, me kufinj shekullorë kaq të ngatërruar, duhet të mësohen të njohin e të respektojnë, me të gjitha të drejtat që u takon minoritetet historike e pakicat. Greqia evropiane që ka të drejtë të ulërasë për të vetët, duhet të emancipohet duke respektuar të tjerët brenda vetvetes. Nuk mund t’i dalin brirë Moisiut. Bashkëjetesa dhe respekti ndaj të tjerëve sot është e domosdoshme dhe detyrë themelore e një demokracie dhe qytetërimi që e kemi pranuar të gjithë.
   Ndoshta nuk duhet të shpëtosh nga atdhedashuria si ndjenjë e fuqishme njerëzore, por nga komplekset për të, të cilat në çdo kohë prodhojnë atdhera të paqena. Ose pseudopatriotë. Poetët, idealistët e vërtetë nuk mund të privohen të thonë disa të vërteta të ashpra edhe kundër gjërave që dashurojnë me shumë si vendlindja ose atdheu ,ose nëna…
 
            NË  GJURMËT  E BUDËS  DHE  TË  NIÇES

   Jeta dhe filozofia e Budës ka ndikuar thellësisht në botkuptimin N.Kazanxaqit. Buda është ndërgjegjësimi i njeriut për përsosje, çlirimi nga trupi ose nga pesha e vetvetes; Vegim dhe shpresë për shpëtimin e shpirtit, shëmbëlltyrë e njeriut që përgatitet për pasvdekje, përvojë mbresëlënëse sepse e mbështetur, jo në fjalë e predikime, por në eksperimentimin e vetvetes. Ish mbreti i madh që braktisi pallatet lluksoze, thesaret e pafund, haremet …dhe si Shën Françeskoja krijoi iluzionin misterioz përtejnjerëzor, asketizmin. Shpallja e lirisë së tij duke u arratisur nga e mira e lluksi jetësor, janë prova të vullnetyeve titanike. Në këtë vështrim dhe guri e druri e humbasin peshën, trupi mpaket, çlirohet nga rëndesa e fëlliqësirave e bëhet ajër, frymë.Buda është fe, është hallkë ndërmjetëse që përgatit e ndërgjegjëzon shpirtin për ringjalljen e vërtetë.Asnjë nga filozofët, me sa di unë, nuk eksperimentoi idetë në trupin e vet si Buda. Mili ona njerëz në botë, jo vetëm në Indi, e kanë Zot e Perëndi, shenjt e vëlla.Bustet e tij me abanoz farfurirës shkaktojnë te njerëzit respekt të thellë e ndikim imitues për të mos e gëzuar jetën tokësore. Dhe kjo, jo me urdhër e sforcime ,por me ndërgjegje e zgjedhje e dëshirshme. Buda i çliruar një herë e mirë, pas një ankthi shtatë vjeçar, është sunduar nga një gëzim suprem sa dejet e ballit e të qafës i kishin kërcyer jashtë lëkurës e i ishin shndërruar në brirë të spërdredhur…I frikshëm ky njeri me këtë portret, të tmerron jeta e asketit për t’i imituar trupin, por madhështor për të shpëtuar shpirtin. Zgjidh e merr,o njeri ! Këtë të fundit, madhështinë e shpirtit, me sa duket ka simpatizuar edhe N.Kazanxaqi. Sa i kundërt shkrimtari ynë marksist –leninist dhe sa i afërt për të pastruar vetveten me anën e Budës ! Një gjendje gjysëm e gurtë, gjysëm e ajërt. Veprim dhe ide. Materializmi, filozofia iluzive e masave dhe e të mirave materiale, i dialektikës së sendeve dhe e luftës së klasave për mirëqenie e barazi me siguri ka qenë detirminant në botkuptimin e shkrimtarit. Buda i pasur kthyer në Budë të vobektë deri në kufinjte e urisë, lumturohet me skamjen (!) ; nje dhi për qumësht, një dru për zjarr, një këmishë murgu në shtat.Asgjë më shumë…Të gjithë njerëzit punojne e luftojnë për ditë që ta gëzojnë jetën,  të bëhen më të pasur më të lumtur, ndërsa Buda: “Kam një shpirt të urtë e të lirë.Vite e vite stërvitet e luan me mua .“
   Aleksis Zorbas është diametralisht i kundërt me Budën, madje dhe me atë pjesën e ajërt të autorit e kështu Zorba bëhet katalizator që autori ta braktisi Budën. Zorba dhe Buda janë larg e të kundërt si Parajsa me Ferrin.Dy ekstreme të populluar me miliona njerëz. Zorba shkatërron parajsë e ferr dhe fiton lirinë e qejfeve.Buda shkatërron jetën e trupin për të shpëtuar shpirtin.Te dy pretendojnë lirinë.Unë nuk e di kush prej të dyve është më i lirë, por tundimi prej të dyve është shumë i madh. Autori kish nisur jo vetëm ta simpatizonte, por dhe të shkruante për Budën. Por dilemnat janë sheshit.Ndërsa donte të përshkruante Budën ashtu si njerëzit primitivë shpellave, ndërkohë një vejushë e ftonte me qepalla duke tundur belin. Natën në gjumë i bëhej se djalli i qe afruar Budës ,veshur si grua e i kish vënë mbi shalë gjinjtë e saj të fortë, por asketi e kish nuhatur dhe e shporri djallin brenda vetes. Natën kur gjumi e çmobilizon njeriun si trup, shkencërisht e provuar në spjegimin e ëndrrave, hapen dritaret e secilit dhe brenda fyn femra, zonja e ëndrave. Mos ka të drejtë Zorba ? Kush jeton dot sot i asrmatosur me atë puls magjik për t’i përzënë demonët e seksit ? Këto dilema i gjejmë dhe te autori e ai dëgjon zëra nga brenda : “O zot i madh që e kthen materjen në forcë..Secili ka përbrenda një vërrle hyjnore me të cilën e kthen bukën dhe ujin dhe mishin në ide dhe veprim” (F.109) Mijra intelekte të fuqishme janë munduar ta kthejnë lebetinë e trupit në budë, por ngrihet Zorba e bërtet: Çohu ,ç’më rri mbi libra! “ Mos u hollovit,bota është kaq e thjeshtë,kot e ngatërron !”(f,109). N.Kazanxaqi nuk mund të ecte në rrugicat e Budës ,Ai i është afruar atij për ta parë e për ta njohur e për ta braktisur.Ekstremi mistik i Budës e ka hedhur në ekstremin praktik të Zorbës. Në esencë, atje ku shkel Buda nuk mbin bar e hapet shkretëtira, nëpër gjurmët e tij s’ka as bimë, as ujë, as lindje të reja. Dhe retë e hëna duken si rrobmort , atëhere ?! O Zot shpëtomë prej Budës! Kur na qenka kaq i dashur shpirti, pse na bëre me trup e me mendje, me ndjenja e epsh me uri e etje ? Është padyshim një kacafytje e njeriut me një forcë mizore brenda vetes për të qëndruar steril. E në një moment revolte e pamundësie për ta imituar autori bërtet: Thyej qafën ,Budë! Çlirimi nga Buda është për autorin gëzim i veçantë, është shpëtimi nga një abkth.Ai u nda nga një vizion mistik si nga një armik. E flaku dorëshkrimin për të dhe e mbylli përgjithmonë “ ashtu si mbyllin e lidhin të vdekurit fiset e egra që të mos kenë mundësi të ngrihen nga varri e të bëhen lugat. “ (f.214).

                                           ***
   Jo më kot autori ka përkthyer edhe kryeveprën e F.Niçes, “ Kështu foli Zarathustra.( Ai i dha kulturës greke në gjuhën e tij edhe Iliadën e Homerit, Faustin e Gëtes dhe Komedinë Hyjnore të Dante Aligerit)
   Niçja i fali Kazanxaqit frymën radikale të filozofisë së tij, një lloj
filozofie të afërt më shpirtin aventuror të njeriut ballkanik. Ai e begatoi autorin me ankthe e frymën rrebeluese e kryengritëse ndaj çdo statusi shoqëror, njëkohësisht edhe trishtimin poetik, brengën dhe krenarinë raciste. Me Niçen N.K. siguroi shigjeta të helmëta kundër status-quove në filozofi, art, kulturë; ushqeu shpirtinrrebel e opozitar edhe atje ku mendimi i zakonshëm njerëzor shikon toka të buta, shpresë ,harmoni shoqërore. Gjermani,me atë llogjilkën e tmerrshme metalike e të pamëshirshme, veçanërisht te Zarathustra, kish konstatuar greminat e diellit, humnerat e shpirtit njerëzor e shigjetoi edhe trojet e Zotit; duke iu afruar me guxim e vullnet gjerman çdo gjëje që e tmerronte,ai përkëdhelte çdo përbindësh që i delte përpara në fushën e mendimit e, njëkohësisht si poet, e dehnin misteret dhe e ngazëllenin muzgjet. Në gojën e murgut të vet Zarathustrës, ai shpalos të gjirtha vegimet e njeriut të vetmuar.
..” Të vërtitem në lartësitë e tua,  ja thellësia ime, të fshihem në dlirësinë tënde, ja pafajësia ime ” (Kështu foli Zarathustra,f.21). Niçja është prototipi i tejkalimit të vetvetes. Për të ” e mira dhe e keqja nuk janë veç hije endacake, trishtime të thella dhe re kalimtare.(f.18, Z.th.). Ai gjeti në virtutet njerëzore plot kalbësira, maska hipokrite dhe shtroi problemin e Mbinjeriut që mori përmasat e një doktrine të imituar nga mijra filozofë e shkrimtarë.( këtu ngjeu një majë pene edhe Migjeni ynë) Duke shpartalluar çdo mendim vulgar e masovist ai, ndërkohë, ishte i papajtueshëm me famën, me njeriun e dyzuar dhe lavdinë e pamerituar. “ Më mirë një kërcëllimë dhëmbësh se sa adhurimi i idhujve.E tillë është mënyra ime. Jam armik mbi të gjitha i idhujve zemërgur  që tymojnë “(f.25,Z.Th.). Bisturia e mprehtë e tij në psikologjinë shoqërore, ku konsatoi se ajo është e përbërë nga shpirtra njerëzish që varen si lecka të ndyra.Prandaj njeriu duhet të tejkalohet,” njeriu është urë dhe jo qëllim” (f,36,Z.Th)  Dhe më tej akoma: “ Të tejkalosh vetveten d.m.th. të tejkalosh virtutin meskin, maturinë e ngushtë, vëmendjen dhe respektin për këto kokërriza rëre, për këto zhurmime mizash dheu, kënaqësinë e mjerë për veten dhe dërdëllitjet për lumturinë e shumicës. “ (f.125,po te Zarathustra).
   Si Dante Aligeri, që gërmoi në rrathët e Ferrit, diku poshtë këmbëve tona, F.Niçja e shikoi dhe e trajtoi jetën njerëzore si ferr në sipërfaqe të tokës, të gjallë, madje deklaronte se dhe Zoti ka Ferrin e vet e ky  na qenka dashuria që ka Ai për njeriun ( !)
Shpella e murgut Zarathustra rrethuar nga shqiponja e gjarpëri mistk, pyjet dhe burimet ku mblidhen rreth tij të gjitha kategoritë e njerëzve, të marrë e të urtë, të mençur e budallenj, lypsa e mbretër, të gjithë dëgjojnë  profeci e përulen para murgut si para një orakulli absolut e shpëtimtar, janë kthyer tashmë në pjedestale mençurie në formën e sentencave të shkurtra e marrin përgjigje fshikëlluese të gjitha misteret e botës.
   Është interesant admirimi I N.Kazanxaqit për Niçen, pse jo dhe disi i papranueshëm,sepse në vitet 1923-24, ai jeton në Gjermani, afrohet e përkrah pa rezerva idetë marksiste,në esencë, krejt të kundërta me ato të Niçes. I përmbahem mendimit të shprehur më lart se filozofët e ndryshëm të të gjithë spektrit,shërbejnë te shkrimtari si plotësim ngjyrash në botkuptimin e tij eklektik. Te vepra “ Asketizmi-shpërtimtarët e Zotit “(1927)- kujto atë që mezi arriti të shpëtonte nga Buda- Këtu tenton,madje, që nëpërmjet marksizmit të arrijë te Zoti duke bashkuar Budën idealist ma Marksin materialist.
   Edhe Zorba ka diçka nga Niçja. Mosbesimi në asgjë dhe gjetjen e vetvetes duke e tejkaluar atë. Natyrisht i pari ala grekshe, i dyti ala gjermançe. Personazhi dhe filozofi bashkohen në frymën e përbashkët kryengritëse. Me sa duket, N.Kazanxaqi, dashuruar me sisteme të ndryshme filozofike, asnjë herë nuk ka qenë materialist i pastër, sikurse as idealist i kulluar. As kant, as Hegel. As Marks, as Niçe. Plot kulturë si Fausti ,ai dyshon si Mefistofel. Një tru racional si ai ,s’mund të mos e pranonte dialektikën e sendit,por frymëzohej më tepër nga dialektika e idesë. Ndoshta është më e drejtë të pranojmë se forcat centipetale të ekstremeve e shtynin drejt pikës së qendrës. Ekstremet e begatonin me karaktere të fuqishëm letrarë si Zorba,bariu Manol,te” Krishti kryqëzohet përsëri “,Kapedan Mihali te “Ja vdekje ,ja liri “ etj, ndërsa pikat drejt qendrës, e bënin autorin të dashur e masovik edhe me dhjetra personazhe të spikatur anësorë.  Kur shkrimtari është i ngopur me elitat e dijes, gjurmat që lënë shkencat dhe filozofët tek ai, e çojnë drejt zbulimit origjinal të njeriut si misterioz e akoma i paekploruar. Sidoqoftë ai mbetet krijues i trishtuar, opozitar e i pa shpresë. Por i lirë. D.m.th,poet. Epitafi i shkruar me dorën e tij në gurvarr,atje në Iraklion e tij (1957), është një kujtesencë kuptimplote. E përseris: “Nuk shpresoj asgjë,nuk kam frikë nga asgjë. Jam I lirë.”


                                 SEKSI  DHE  DASHURIA

   Zorba është mishërimi i njeriut me forcë të papërballueshme fizike e shpirtërore. Mbi të gjitha karakteri i tij përndizet në marrdhenie me femrat; brutal me to e njëkohësisht romantik me ndjenja të holla , atë e përtërin çdo dashuri, çdo seks e shpiti i tij sensual ringjallet e rinohet si feniks. Çdo femër që kalon në dorë i duket si herën e parë e…bie me kokë.
 -  Sa herë je martuar,Zorba ?
Pyetje e vështirë kjo për të. Ai i ndan martesat në të ndershme,gjysmë të ndershme dhe të pandershme. Këto të fundit janë me mijra. Zorba s’mban defterë. Për të martesat e ndershme s’kanë shije, janë “ si gjella pa kripë”(f.80), për të vetëm mishi i vjedhur është me shije.Po e paska pasur një defter qejfliu ynë.Kur qe i ri, sa herë binte me gra,u priste një culluhe floku. Koleksioni i tij erdh e u bë shumë i pasur me lloj lloj flokësh e mbushi një jastëk me mblidh e ngjish e flinte mbi të, e hunda e tij dehej me erëra grash.Mbas ca kohësh iu neverit jastëku, e hodhi dhe gërshërën, se kujtimet s’kishin më kuptim e çdo ditë i sillte vejusha të reja. Le të shohim nga afër disa nga dashuritë e tij. Le t’i quajmë gjysmë të ndershme se për të parën ,të ndershmen, zorba nuk na thotë asnjë fjalë.
                                          SOFINKA
E kish njohur në një fshat afër Novorosiskit. Ishte dimër e fshatin e kish pllakosur bora dhe uria. Në ditët e pazarit njerëzit jepnin dhe kornizat dhe simbolet e shtëpisë për bukë e dru zjarri. E pa skifteri Sofinkën që zbriti nga një karrocë; dërdëngë ish, dy metra vajzë me sy të rimtë e vithet si pelë. Të mori lumi, i tha Zorba Zorbës çështë kjo ?
Dhe iu qep këmba këmbës. Harroi që qe nisur për në minierë. “ Ku do mbytesh, o ditëzi, ja miniera e vërtetë. Bjer me turinj! “ (f.81). Ajo bleu ç’i duhej e kur do paguante, pa se nuk i delnin paratë e u detyrua të hiqte një vath. Në këtë çast hyn kavalieri ynë, hap portofolin dhe ia paguan të tëra. Ish koha kur rubla s’kish asnjë vlerë. Me njëqint dhrahmi bleje një mushkë, me dhjetë një grua. Ktheu sytë pela ,i tha “spasiba”, i puthi dorën Zorbës e bëri të ikte. Por Zorba nuk të fal. Kur karroca u nis, hop dhe ky mbi karrocë e rrugës fliste me të me sy e me duar se nuk dinte rusisht. Arritën në shtëpi e Sofinka e ftoi brenda të paudhin. Një plakë dremiste e dridhej nga të ftohtët pranë oxhakut të shuar. Zorba ndezi zjarrin e nikoqirja gatoi e shtroi tavolinën. I uroi dhe plaka duke u fërkuar kokën e Zoba xhentelmen i puthi dorën. E priste krevati. E Zorba heshti.
-          Po më?,-e ngacmon autori
-          S’ka më. Ç’të them ?…Ohuu !...Gruaja është krua i freskët, ulesh e shikon fytyrën tënde, e pi, e pi sa dëndesh e të kërcasin kockat..(f.82). Pastaj mbi të vjen tjetri e tjetri në të njëjtin krua. Ja kësaj i thotë grua Zorba.
Më duket se jemi afër konceptit grek për gruan. Zorba në marrdheniet me gratë nuk çudit njeri në Greqi. Ne enigrantëve shqiptarë fillimisht na bënte përshtypje liberalizmi pa cak i familjes greke,madje mezi u mësuam dhe me puthjen e të rinjve rrugëve. Kemi parë e dëgjuar për lloj lloj femrash, artiste, gazetare, fotomodele, gra të zakonshme, kuadro me emer, në pallat në lagje, masivisht,në televizor e kudo,gra që ndahen nga i shoqi pa dhënë spjegime; gra që kurorëzohen me pesqint salltanete në kishë(domosdoshmërisht në kishe se martesat civile janë shumë të pakta, madje shikohen shtrembër nga opinioni) e pastaj,për hiçmosgjë shkurorëzohen. Kemi parë kryeministra e miniustra plakaruqë, që me harxhime të paimagjinueshme Parizit, martohen me çupërlina. Natyrisht nuk mund të fajësohen vetëm femrat, por problemi mbetet tepër i mprehtë e familja greke, divorcin, moslindjen, për të mos përmëndur dhe inçestin e ka problem shoqëror. Ka shumë njerëz debilë, antikapatë, të heshtur që rrinë me sy të mbërthyer në një pikë, njerëz që flasin me vete, adherfulë shumë etj,devijime këto  që, shkencërisht lidhen me fëlliqësirat seksuale.Të divorcuarit, çuditërisht, ruajnë marrdhenie shumë miqësore por, dreqi ta hajë krevati i botës qenka më  shijshëm! Dhe organet seksuale nuk kanë as tru,as sy,as veshë.
Patjetër që e drejta e divorcit, është e mbrojtur edhe me ligj, ndoshta është dhe shkallë e emancipimit shoqëror, por statistikat, jo vetëm në Greqi, flasin për krizë të rëndë të familjes dhe drama të pajustifikuara fëmijësh të mbetur jetimë me prindër gjallë. Mendoj se morali njerëzor, besnikëria bashkëshortore, ndërton familje me më pak probleme. Ka analistë që këtë e trajtojnë si një nga elementet themelore të krizës së sotme të shoqërisë.) Shyqyr(turqisht) që nuk na i dëgjon Zorba këto moralizimet tona !
   Me Sofinkën qëndroi tre muaj në një dhomë. S’kisha ankesa, zotëri..Oh,oh si qe ! E i shkreti Zorbë, pas tri muajsh u kujtua se qe nisur për në minierë. U detyrua të ikte e ajo i tha se do ta priste një muaj, pastaj do quhej e lirë.
-          U ktheve pas një muaji ?
-          Bobo,ç’budalla që je ?! Ku të kthehesha ? Te lënë kuçkat e tjera ..

                                                       NUSA
Në fshatin Kuban e kish gjetur bukuroshen që e la pa mend, Nusën.Atje shalqini e pjepri ishe me bollëk. Dhe bylmeti, dhe peshku dhe gratë. Zgjat doren e merr si në mall të qerratait.”Jo si këtu në psorokokostenën tonë (epitet sharës për Greqinë), që sa i merr kujt një lëkurë shalqini, të çon drejt e në gjykatë. Pa le po preke një grua, të sulet vëllai me thikë e të grin.’(F.83). Me siguri, ka parasysh Greqinë e varfër të viteve 40’. Dhe, megjithë varfërinë dhe konservatorizmin e asaj kohe, po të qe si thotë Zorba, atë vetë do ta kishin therur njëmijë herë.
 Nusën e bukur e takoi në një bostan. Dhe Zorba që ka kaluar shumë ruse në dorë, ka mendimin se sllavet e bukura gjithçka ta japin me bollëk. Dhe në dashuri, dhe në të ngrënë e në të pirë, ato janë shumë afër tokës. Ato japin gjithçka nga  bukuritë e tyre; ato e kanë mbushu shpirtin me zorba ,e duket se kanë lindur për qejf.
   ( I kam njohur ruset si emigrant në Athinë. I kam dhënë më shumë të drejtë Zorbës se autorit.Të mbetura keq e mos më keq sidomos në Rusi, Moldavi,Ukrainë, Bjellorusi, ato, bukuroshet sllave, u dyndën në Athinë si motrat tona shqiptare, në punët më të rëndomta. Ato, bjonde kryesisht, pak të tulme, por të qeshura e komunikuese, punojnë pa hile me orare të zgjatura për të rregulluar jetesën. Shumica pa familje në Greqi. Kam njohur Irinin nga periferia e Moskës, grua me kulturë e zgjuar dhe tepër lozonjare. Blinte njëqint palë të brendsme grash te një tregëtar dhe i shiste llaqive te Athinës. Një herë i kujtova këngën ruse të rinisë sonë “Podmaskobije bjeçera`”, u mallëngjye e pas pak filluam ta këndojmë së bashku me zë pranë një greku që shiste domate. Do më kujtohej profesori im Sotir Manushi, me plot qyfyre dashurie kur ish student në Moskë, e ato i kishin studentët shqiptarë nga më të preferuarit dashnorë. Në romanin tim “Qeni plastik”, do kisha të dashur Ljubën si personazhen më simpatike,  me të gjithë bukurinë dhe dramën e saj. E “kisha dashuruar” në Moskë. Puthej me të gjithë. Ne studentët nuk e kuptuam që ajo ishte e sëmurë dhe na  infektoi të gjithëve me bukurinë e saj. “Infeksioni na erdhi nga dashuria , nga puthjet…Pastaj u ndamë e vdiqëm nga e njëjta sëmundje, nga e njëjta dramë. Simbilikisht, mikrobi ideologjik na kish depërtuar në gjak. E dreqi ta hajë, nuk e urrekam dot,atë që kam dashur !)
   Para se të përshkruaj dashurinë e çmendur të Zorbës me Nusën, dua të them se autori e përshkruan Kubanin dhe përgjithësisht Rusinë si parajsën tokësore. Janë iluzionet e tij për bolshevizmin.Po të qe kështu, ai vend, sa një e gjashta e botës, që potencialisht mund të mbante gjithë botën me bukë, por, atëhere dhe tani, pamvarësisht të enthusiazmit të viteve40’, ishte pikërisht varfëria, ideologjizmi totalitar, gara e armëve,etj,etj, që e shkatërruan nga themeli atë regjim që kish lindur pikërisht atje, jo vetëm si mallkim për vete. Është disi e çuditshme që një mendje e ndritur si Kazanxaqi,të ishte aq optimist për komunizmin dhe, nuk di të jetë zhgënjyer si shkrimtarët e tjerë të mëdhenj ruso-sovjetikë apo të huaj. Ai ,pasionant i udhëtimeve që kishte njohur gjithë botën,bredhur e edukuar gjithandej nëpër Angli, Spanjë, Francë, Hollandë, Austri, Gjermani, Egjipt, Japoni,Kinë,etj.,Bashkimin Sovjetik e përshkruan më pasion, dashuri, plot ngjyra e besim të veçantë.Ai është dhe hartues i “Historisë së letërsisë ruse” në dy vëllime, dhe mendoj se nuk shkajti nga mosdija në bolshevizëm, por me dëshirë të plotë, ashtu si të gjithë poetët e Lindjes komuniste. Ndoshta ,viktimë e paradave, pritjeve, fasadave, slloganeve staliniste, vitrinave të ndritshme etj.,ndoshjta dhe viktimë e orthodhoksizmit të përbashkët ruso-grek (!)…
     -  Si të quajnë ?
-          Nusa. Po ty ?
-          Aleksis Zorbas.
-          Me pëlqen shumë, Nusa..(f.84)
Edhe ajo e kish peshuar mirë me sy sikur po vlerësonte një kalë në treg. S’kish nevojë për më shumë njohje.Kishin gjetur njeri tjetrin. Që atë natë do t’i shkonte në shtëpi veshur si dhendërr e, atje, Zorba do gjëndej në një skenë orgjie që s’e kish parë kurrë. E përpinte Nusën me sy e ustai ndieu se kish rënë qeni në petulla e në mish të majmë. Shtëpi fshati me oborr të madh, lopë, kofina e kazanë që zienin pekmes.Dhoma e pritjes ishte mbushur me njerëz qejflinj që hanin e pinin si derrat. Ajo, Nusa e tij, e kolme e pupulake, lyer e stolisur, llërë e gji të bardhë, dukej si një gorgonë anieje e shkëlqente nga nuri. Zorba, që mezi priste ta shtronte në krevat flet me vete ” More doç i doçave, ky mall të paska rënë për hise ? Këtë trup do përqafosh sonte ? Të faltë Zoti ty e ata që të kanë bërë..”Dhe ja skena e orgjisë: Tavolinat plot. Kenga këngë e vera verë. E gratë gra..Mungonte vetëm prifti.(Ketu,feja,opium për popullin) E na iu desh Zorbës të mbante dhe fjalime si miku më i ri i ahengut.E ashtu shqepur me verë e mezera, gadra budra, ca greqisht e ca rusisht ” që më therçin, në kuptoja gjë nga ato që thoshja ”.Po Zorba ia bën vendin vetes kudo që ndodhet Një t’iu shkrepur e ia merr këngës, një kënge me të pëllitur si kaçakët. Ishte bërë çakërqejf e fjalët iu bënë poezi.
         Dolën kaçakët në male
         Kuaj për të kapor-o
         Po në male s’kishte kuaj
          Dhe rrëmbyen Nusën-o..
E vaj,e vaj me det ! Hungurinte e një t’iu vërsulur Nusës me të puthura.
Të tjerët kaq donin. Kishin fikur dritat e pastaj lesh e li. Gratë gjoja klithnin nga frika. E kap një e ler. Burra e gra të dehur zhgrryheshin në dysheme. Zorba, si ujku që do mjegull, kap e nduk fshataret. Kërkonte derdëngen e tij po nuk e gjente në errësirë. Kish gjetur një me duar dhe e kish hedhur në shesh,” Gjeta një tjetër e nxorrëm sytë “ (f.85)…
   (Te kujton kjo skenë bordellot kolektive; ato skena turpi, ku njerëz të kafshëruar kurvërojnë bashkarisht e njëherësh me një a disa femra. Modernizëm apo primitivite ?! Poligami, poliseks më e saktë, që, tash e gjithë ditën, është ngjitur nëpër kanale televizive porno, ku kamera moderne në duart e manjatëve e kanë kthyer seksin në bisnesin më fitimprurës, me pamjet më shtazore që po shkatërrojnë njeriun… Veçse skena e Zorbës zhvillohet në erresirë. Aty ndaj të gdhitë, kur akoma s’kishte zbardhur, zgjohet Zorba edhe kërkon Nusën.Kap një kofshë dhe e tërheq,as nje e dyte s’ishte e Nusës së tij...Më së fundi e kish gjetur kofshën e saj. E kishin vënë poshtë tre katër derdimenë.
E rrëmbeu në krah dhe ikën…
- Po pastaj ?
- S’ka pastaj. Jetova me të gjashtë muaj.
Me sa duket Zorba e ka dashuruar.Një natë, kur u kthye nga puna nuk e gjeti në shtëpi. Nusa ia kish mbathur me një ushtar.Ish pikëlluar ,i shkreti, i qe çarë zemra më dysh  po zemra e tij, si ç’thotë vetë : “ Njëmijë herë e shpuar,një mijë herë e arnuar e një mijë herë e pamposhtur. “(f.85)
E na tani na bën edhe filozofi, na e merr në mbrojtje gruan që nuk i kuptoka ligjet e shoqërisë të shtetit e të fesë, sepse meshkujt sillen ashpër me to. E po të kish në dorë Zorba do nxirrte ligje të ashpra vetëm për burrat, jo për qeniet e dobta të Zotit e duke pirë bërtet : Rrofshin gratë! Dhe meditativ duke pirë me sytë nga deti si poet pëshpërit : Zoti na dhëntë pesë pare mend ne ,burrave…po,po ose mend, ose të na i presë fare hallatet…

             TË  TJERAT,  OBJEKT  SEKSI

   Dashnoret e tjera për Zorbën janë numura. Pa emra. Shumë numura në radhë. Pandershmërisht një mijë dy, tre pa hesap. Me fjalën pandershhmërisht, ai kupton vetëm seksin, një e tutje, pa dashuri, pa defter. Këto femra, kryesisht vejushe, janë vetëm objekt qejfi fiziologjik, kënaqësi e çastit, jo ndjenjë, Zorbë, jo Don Zhuan që, vërtet bridhte nëpër femra ,por i dashurone të gjitha. Kjo përvojë seksuale, aktualisht shumë e përhapur, e bën Zorbën që femrën ta quajë jo njeri, qenije që nuk njeh parime, ligje e moral, por thjesht një objekt djallëzor, të dobët e të etur për bukuri, seks, para e famë. Ai harron se veprimet dhe foljet në këto sfera janë reciproke e se nëse femrat janë vetëm numura edhe meshkujt janë të tillë, por të gjinisë mashkullore. Pra qeniet, parimet, ligjet e moralet janë reciprokërsht të shkelura e, të dya gjinitë, janë të njëjta vetëm si objekte seksi.
   Objektet seksuale, në botën shtazore e njerëzore janë bërë objekt studimesh e polemikash që prej lashtësisë, e të gjitha, përgjithësisht, tregojnë dominimin e mashkullit si qenije më e fortë fizikisht, si e tillë përbën edhe ligjin dhe detyrimin për partnerin. Seksi që nuk ka  objekt shtimin e llojit dhe krijimin e familjes, është fenomen i racës njerëzore, që presupozon vetëm kënaqësinë fiziologjike. “ Për ata që kanë vërejtje për përmbajtjen seksuale të objekteve, Safoja e lashtë mund të përbëjë një problem “,thotë Eliot Weinberger. Sidoqoftë, ndërhyrjet e shoqërisë për ta administruar ligjërish e moralisht jetën seksuale,nëpër shekuj kanë ardhë duke u dobësuar e, pothuajse, vetë shoqëria e ka liberalizuar edhe ligjërisht si një e drejtë njerëzore. Ndërkohë e trajton si krim përdhunimin. Përvojat e jetës seksuale te njeriu, kanë të përbashkët edhe elemente të përvojave shtazore, përsa gjënden elementë të përbashkët kënaqësish fizike e preferenca të ndryshme. Dikush priret për seks nga ngjyra e lëkurës, dikush nga zëri,tjetri nga përftimi i nxehtësise, për të mos thënë se dikush pëlqen buzët apo këmbët, belin apo sytë…Poetja e lashtë greke, Safoja,sipas Davenportit, përfytyrohet si objekt seksi, grua elegante, si një pemë e njomë,me duar të holla dhe me një puls si trëndafil i egër, shkëlqim buzëqeshës, këmbë të bukura e të bardha si qumësht. Ne lirikat e saj, ajo ka gjithnjë një afsh të ngrohtë që i perhapet nën lëkurë. Edhe shtazët sipas llojeve kanë preferencat e tyre. Weinberger,duke studjuar objektet seksuale, jep shëmbuj të shumtë të atyre dukurive që krijojnë kënaqësi instiktive seksuale.  Edhe ato kanë “Safot “ e tyre.(pulat e kuqe pëlqejnë lafshën e gjelave, pallonjtë parapëlqejnë bishtat shkëlqyes, shimpazetë Bonobot(pigmenj) s’mund të rrinë asnjë minut pa seks, breshka femër shkon me atë mashkull që e godet në kokë, leprushja e butë me atë mashkull që i shurron mbi të e i tregon bishtin,një kanarinë femër duhet të dëgjojë këngën e mashkullit që t’i rriten vezoret, krokodilët vetëm përdhunojnë etj,etj…) Shfaqje shtazërie ndeshen edhe te njeriu. E, ndoshta,po të flasim me gjuhën e Darvinit, njeriu seks nuk ka zbritur akoma nga pema. Ai është qenija më seksuale sepse, seksi nuk përbën domosdoshmërinë për shtimin e llojit, por mbi nëntëdhjet përqind të rasteve seksuale bëhen për kënaqësi fiziologjike. Kjo e bën njeriun gjallesën më epshore. Natyra  e njeriut  i tejkalon edhe përvojat shtazore në seks edhe jashtë llojit, seks me kafshë për të dyja gjinitë, me shpendë, me kukulla që imitojnë organet reciproke seksuale, për të mos folur për biseksualët,homoseksualët, seks me partner të vdekur etj, që janë devijime natyrore e aq më pak për manjakë të përçudnuar të rasteve ku nuk futet dot as fantazia. Në fushën e jetës seksuale janë të pafundme spekulimet qofshin këto si devijime natyrore, qofshin edhe të shoqërisë që gjithsesi nuk është e zonja ta ligjërojë e moralizojë jetën e saj. Sot ,problematika e jetës seksuale, familjes, divorcit, abortit, pasojave…etj, përbëjnë krizën më të rëndë të shoqërisë njerezore dhe rënien e diagramës shpirtërore të njeriut drejt zeros, ose drejt baltës. Të gjitha teologjitë në këto përvoja shohin fushën e gjerë të mëkatit, fëlliqësinë dhe ndëshkimin hyjnor. Filozofi teolog, Suun Moon, president i Fondacionit Botëror të Kulturës me qendër në Washington, gjykon se seksi jashtë martese është burimi i të gjitha krizave që kalon njeriu kontemporan. Ai arrin deri atje sa të bëjë pyetje asfikësuese për njeriun. “ Të kujt janë organet e tua seksuale ?? “Çdo njeri,mashkull a femër do përgjigjet :” Të miat “ – Jo ,thotë ai organet e tua seksuale janë respektivisht të gruas ose të burrit tënd…Në aktin sublim seksual të një çifti me kurorë ai shikon fytyrën e fëmijës së ardhshëm e në këtë akt sekondash (gjat derdhjes së spermës), njeriu takon Zotin duke u lidhur vertikalish me Krijuesin e Madh…
Por më duket se ai është një zë në shkretëtirë. Sot Zorba dhe prostitucioni nuk është vetëm fenomen grek, por gaz e për derë. Në emër të lirive dhë të të drejtave të tij, sot, veçanëtisht në jetën seksuale bëhen spekulime të rënda pikërisht në marrjen dhe shkeljen e të drejtave dhe lirisë. Zorba, të paktën, nuk ishte trafikant. Zorbasët e sotshëm e kanë kthyer seksin në trafikun më të madh njerëzor dhe shoqëria nuk është e zonja t’i bëjë zap e natyrisht, faji e krimi nuk ndahen propocionalisht. Meshkujt janë më imponues e më barbarë që kalojnë deri në marrje jete, nëse nuk realizojnë qëllimet e tyre seksuale paranojake.
                                               ***
   Te Zorba seksi është nevojë jetike si ushqimi ,uji e ajri. I jep mend dhe autorit : “Zotni, mos na i turpëro gjininë mashkullore. Zoti a dreqi të dërgon një meze; dhëmbë ke, mos e fal! Zgjate dorën ! …Kam parë e kam parë gra në jetën time, por kjo vejushë shëmbka kështjella. Dosa e dosave ! “(f.98). Nga ato të panumurtat ai kujton Lolën, një çupërlinë që i prishi mendë e i hëngri paratë e mikut, që duhet të investonte për trungjet.
Kish shkuar që të blente një pyll, gjeti Lolën,u çmend me seksin e saj e i bëri paratë rrush e kumbulla. Ishte shumë e re e kur një çun i tha se ku e shpinte atë mbeskë, plaku shkoi te berberi e nxiu flokët. Njëriu e harron lehte atë që nuk i intereson. Zorba nuk e di se shkencërisht seksi të shton jetën, por ai flet nga përvoja. “ Për zotin, më dukej se u bëra më i fuqishëm. E kuptoi dhe Lola…Një të therur që kisha këtu në veshka u shërua…Ti s’i beson këto se nuk i këndojnë qitapet e tua. “(f.164). Ai kujton dhe bullgaren Ludmilla që, edhe kur kish rrezik koke nga plumbat, e rastësia e çoi në oborrin e saj, fap duart në gjoks..” E pushtova nga mesi dhe u shtrimë e zemra më hidhej nga ëmbëlsia e Ludmillës “ (f.203). Femra e  fundit e jetës së tij ishte Ljuba,një serbe me të cilën u martua në pleqëri…Ish një dosë me shtatë derkucë, vejushe dhe kjo…E Zorba vdiq në duart e saj…

                    POETI  DHE  KOMPLEKSI  I  BESIMIT

   Niko Kazanxaqi ka përshkuar një rrugë të gjatë besimi dhe mosbesimi. Si njeri i dijes dhe i artit ka provuar ankthe dyshimesh për shkolla filozofike e letrare nga ekstremi në ekstrem e, në luftë për të gjetur vetveten, ka rezultuar në një kompleks me të gjitha ngjyrat e spektrit aq sa është vështirë të gjesh në të pjesën kryesore, ngjyrën dominante. Dhe të gjitha i ka shprehur në letër. Me sa duket, historia, politika, filozofia, feja e ka frymëzuar e i ka përgatitur një tryezë të begatë letrare. Me përjashtim të shënimeve të tij për udhëtimet e shumta, të cilat mbahen nga më të bukurat në llojin e vet, i gjithe korpusi i veprës së tij, ka në qendër njeriun grek. Në të gjitha gjinitë që shkroi si poema,drama,romane gërmon në njeriun e tij, duke i dhënë kulturës greke ide të reja e vlera universale përtej kohës së vet. Ai jetoi jashtë Greqisë e kjo,ndoshta e bëri që nga distanca ta vëzhgojë më afër e më me realizëm njeriun grek. Poema “Odiseja “,p.sh., (1938), vërtet e merr lëndën nga historia e lashtë greke, por tingëllimin dhe mesazhet i ka krejt bashkëkohore.Për të poeti punoi gati pesëmbëdhjet vjet. Duke e çuar më tej fatin e Odisesë së Homerit, ai nga të parët në letërsi, na dha një njeri modern që bashkon mitin me bashkëkohësinë në një epos madhështor. Kazanxaqi është mjeshtër i dialogut dhe i krijimit të skenave dramatike me konflikte të mprehta, me ndeshje karakteresh të papajtueshëm. Kjo jo vetëm në gjininë e dramës.( I  frymëzuar nga historia greke ai shkroi dramat  “ Kapodistria “, “Kostandin Paleologu “, “Tezeu “, “ Melisa “ etj., ku ngrë në skenë ndeshje të ashpra të historisë së re e të vjetër greke ), por sidomos atje ku shkëlqeu ,në gjininë e romanit. Ai është romancier “ rrebel “ e kudo poetizon frymën kryengritëse, papajtueshmërinë me botën,
ndikuar,siç jam shprehur nga filozofi gjerman F.Niçe. Kjo ka bërë që të vërtetat e tij të jenë të hidhura e disi të papranueshme për botën greke. Ai ështe rrebel jo vetëm kur merret me shfaqjet tiranike, por edhe kur evidenton humanizmin si besim të ri mbarënjerëzor.
                                                      ***
   Me Krishtin u muarr në të gjithë krijimtarinë e tij edhe në vepra direkte për Të, si tragjedia “Krishti “(1928), romanin madhor “Krishti kryqëzohet përsëri “ (1948) e nuk ka libër që të mos merret me besimin,Krishtin e Zotin. Ai, në esencë, edhe kur e lidh figurën e Krishtit me Biblën e çmitizon atë duke e trajtuar vetëm në planin human. Kam mendimin se poeti dhe shkrimtari i madh grek, pre e  filozofisë materialiste dhe e shkencave të shek.xx, kurrë  nuk ka parë te Zoti krijuesin suprem, kurrë nuk ka besuar në Të, veçse ,e shumta ka parë shëmbëlltyrën e njeriut të mirë human.,madje, duke parodizuar e stigmatizuar punët e kishës, të klerit e të besimit është mallkuar e akuzuar edhe si antikrisht nga kisha greke. Mendoj se dhe çeshtja e madhe e besimit ose e mosbesimit, te poeti ka shërbyer vetëm si frymëzim letrar, si nxitje, alternativë, dramë njerëzore etj. Me të drejtë, përkthyesi i talentuar i romanit në fjalë, poeti e filologu i njohur, Stavri Dajo shprehet se : “ Kazanxaqi është ndikuar kaq shumë prej Budës sa pranon ndikimin e Bergsonit, prej Leninit aq sa imiton Niçen, prej Homerit aq sa i nevojitet Getja. “ Ky ndikim të kundërtash të papajtueshme, e ka ngritur shkrimtarin në rrafshe supreme. Duke besuar e mosbesuar ,ai dhe personazhet e tij, plotësojnë vetveten me obsione e këndvështrime të ndryshme mbi botën dhe njeriun. Vëzhgues i mprehtë dhe mendimtar, ai krijoi një botë komlekse letrare me të gjitha nuancat e shoqërisë njerëzore si dhunën, frikën, bindjet politike e ideologjike, traditat, bindjet morale e fetare, familjen, materjen dhe shpirtin.
Por,pa dyshim,kudo nëkrijimtarinë e tij, monumentin më shtatlartë, ia ka ngritur LIRISË.
 Deziza e tij se njeriu është i lirë, nëse nuk beson dhe shpreson në asgjë, jo vetëm që është e diskutueshme, por të bën që t’i afrohesh me frikë këtij monumenti. Një personalitet si Niko Kazanxaqi, i akuzuar nga e majta dhe nga e djathta, se nuk u lidh sa duhet ma aspiratat e popullit, se kritikoi kishën dhe priftërinjtë e shigjetat e helmta i drejtoi edhe kundër vlerave kombëtare, mendoj se është i pathemeltë. Ky vlerësim leninist mbi figurën e poetit e shkrimtarit është thjesht një paragjykim tradicional që e ka burimin te cektësia e masave  popullore. Poetët nuk kanë lindur të çlirojnë atdheun, as të ndreqin botën. Ai, nëse është vërtet poet, kthehet në një institucion që fisnikëron njeriun indirekt me anën e zbulimit të të bukurës,estetikes me të gjitha kategoritë e saj.
Idetë, ideologjitë, politikat, moralet janë moçalishte  të letërsisë së vërtetë dhe artit. Realisht, askush nuk mund të mohojë se N.Kazanxaqi u bë zëdhënës i psikologjisë së kombit të vet, shprehës i shpirtit grek, ashtu siç e ka, me Zot e Satana përbrenda. Në këtë drejtim ai, me realizëm magjik e transparencë, hulumtoi njeriun duke na dhënë kumte e mesazhe universale. E kjo e bën një nga personalitetet më të mëdha të kulturës së pasur greke.
                                                    ***
   Zorba është një çelës në krijimtarine e tij, që hap e mbyll me mënyrën e vet filozofinë e përvojave njerëzore. Personazh kaq i dashuruar nga autori, por dhe kundershtar i pamëshirshëm, ai sfidant i librit dhe i dijes, shërben njekohësisht edhe për të shkarkuar pikpamjet moralo-filozofike të autorit.. Zorba është djall dhe zot. Djall që mohon libat dijen dhe shkollën. Zot i vetvetes, sepse i lirë. Veprimtaria e tij në çdo hap shkarkon demonë. Ndoshta janë të rralla veprat letrare ku autori, duke qenë kundër personazhit të vet, e admiron atë deri në personalizim të vetvetes, gjat gjithë kohës, që kur u takuan për herë të parë (1914), deri më 1942,kur Zorba vdes. Romani  “Jeta e Aleksis Zorbas”, u shkrua pas vdekjes së heroit. Dhe vetëm një dashuri e miqësi aq e madhe, mundi ta ringjallë atë.
“ Ringjallja” e Zorbës është njëkohësisht shpalosja e pikpamjeve të autorit, duke anuar dukshëm nga njeriu praktik dhe liriria individuale. Zorba u ringjall ashtu siç ishte , trup gjigant, gjithë mish e kocka, me virtutet dhe veset origjinale. Ai u bë bojë e letër, emër i përgjithshëm e u ngrit deri në mit. Në shumicen e rasteve intelektuali aq fin, duket i vogël para dragoit Zorba, këtij analfabeti të vrazhdët që i dhënka mësime profesorit edhe për thelbin e jetës, Zotit, shpirtin dhe lirinë. “ E,pra sa e njeh botën ti,- i thotë,- zotrote as uri ndien, as ndokënd ke vrarë,as kevjedhur, as me gra keshkuar…mendje e njomë, lëkurë e pa vrarë nga dielli..” (28). Shpesh autori e ndien veten keq  se s’mund t’i përgjigjet djallit të vet. “ E dija ç’duhet shëmbur (tek Zorba, P.L.), por jo ç’duhej ndërtuar “(f.64).
   Tek njeriu mbisundon tradita, zakoni, e vjetra. E shkuara  nuk është vetëm histori, ajo i vë vulën  edhe njeriut, edhe letërsisë. Ajo është gjymtyra më e madhe e kohës. Dhe e vetmja, siç shprehet Folkleri. Me të tashmen takohemi të pakënaqur në një pikë. Të ardhmen s’e dimë.Ajo është erë, ëndërr,fantazi… Zorba, nuk ka shkollë, prandaj nuk u prish. (!) Ai dhe problemin më të vështirë e zgjidh me një të rënë të shpatës dhe, është kaq i vendosur në ato që thotë e që bën sepse  i takon tokës. Ai është si gjarpri, që humnizojnë afrikanët – thotë autori- sepse është tërësisht në tokë,me bark,me bisht, me kokë me herdhe.“ prek, bashkohet e bëhet njësh me nënën.Ne shkollarët jemi zogjtë e shushatur të ajrit.” (f.65). Nga ana tjetër të dy sikur plotësojnë njeri tjetrin. Ata konvergojne për të shpallur alter egon e tyre, veçanërisht në kompleksin e besimit.
                                                       ***
   Shpirti për Zorbën nuk është i pakapshëm dhe eterik siç e përfytyrojnë njerëzit, por mish, bukë, verë.Këto janë lëndët përbërëse të tij, ndaj ai, llupës i madh kur ha e shqepet me mish, ullinj, verë , thotë i kënaqur:” Më erdhi shpirti në vend. “ Ka një djall brenda tij që ulëret kundër gjithçkaje, vetëm kundër grave, jo. Jastëku i vejushave mban erë ftoi  dhe djalli do mish e verë.
-          A ekziston Zoti,zorba ?
Autori vetë nuk mund t’i përgjigjet. E pyetja hidhet edhe për të verifikuar vetveten. Zorba e di. Ai e përfytyron të pandryshueshëm si vetja e tij. Veçse më të gjatë, më të mbajtur, më të hazdisur dhe të pavdekshëm. Për Zorbën, Zoti nuk mban në dorë shpatë e peshore, por një fshirëse të madhe, të madhe sa një re shiu. Shpirti para  Zotit është i lagur, dridhet së ftohti..” Aman, derman, lutet, falmëni mëkatet dhe zë e i rrëfehet. Zoti gogësin,mërzitet dhe fap ia fshin me fshirëse. Hiqmu qafe,qafir! Nisu në Parajsë..se Zoti fal…(f.102) Sipas Zorbës Zoti do ishte më i kënaqur, nëse sonte ti shkon në krevatin e ndonjë vejushe. Sipas tij dhe Shën Maria vejushe është. Këto mendime e çoroditin autorin dhe lexuesin dhe pyetjeve të përsëritura miliarda herë se a lindi Zoti në stallë,a u ngjall …etj, nuk i pëgjigjet dot.
Ndoshta deviza e besimit të autorit është  “As besoj, as nuk besoj “, e kjo dilemë, sipas doktrinës biblike, e bën heretik. Sensi praktik i Zorbës shkatërron dije e besime edhe në konceptin e lindjes sëKrishtit. I etur pas qejfeve e orgjive, ai e pranon këtë si një shkak më shumë për tu harbuar.
Mos u merr me cicrra –micrra, - thotë ai –jo lindi, jo s’lindi. Lindi, thuaj.
Dhe, vini re argumentet ala zorbë : “ Po ta shikosh ujin që pijmë me një lente, do shikosh mijra krimba të vegjël që s’t’i zë suri. Atëhere nuk do pish e do ngordhësh nga etja.  Thyeje atë dreq lente, zotni, të zhduken krimbat, të pish e të të kënaqet mëlçia..(f.112). Kjo mosvrasje mendjeje, kjo” ku rafsha mos u vrafsha”, e bën Zorbën që të filozofojë përvojat e tij edhe në fushën e besimit. Ai nuk i ka të ndarë trupin dhe shpitin, por njësh. Ne të janë shkrirë dëshira për gra, mish e verë, punë e qejfe, pse jo ,dhe pema ,deti e qielli. Te gjitha janë njësh e bëhen zorbë. Ky është raporti më harmonik i rrethanave të jetës me njeriun pa kokëdhëmbje. Ndërsa popeti, “zogu i shushatur i ajrit,” i takon botës së shqetësimeve, botës së librave, poezisë, pagjumësisë, mendimeve të kaltra,ujit pa krimba njeriut të pastër e steril si poezia e Mallarmesë. Poeti e di se bota është e mbushur me njeriun e vrazhdët, të pistë e banal e skenën e zotërojnë pikërisht këta. Por për poetin ndjenjat dhe mendimet e njeriut të zakonshëm, banaliteti dhe vrazhdësia, krijojnë klithmat e artit, idetë abstrakte e duke kaluar nga një alkimi në tjetrën,çmaterializohen ose mitizohen nëpër libra, të cilat kurrë nuk e ngopin, kurrë nuk e velin që t’i vjellë tepëricat si Zorba me Zot e dreq atdhe e para. Megjithatë autori ,para Zorbës pëson lëkundje të thella.
Me Budën dhe Krishtn ndjehej bosh sepse duhet të qendronte shumë steril. Zorba është i mbushur plot e përplot e përvojat janë kokëforta. E kulluara, sterilja, asketimi i Budës vuajtjet e mundimet që predikon feja duket se nuk aprovohen. Mos ndoshta Krishti dhe Buda ishin njerëzit e fundit? Mos erdhen herët midis nesh ? Apo janë të parët dhe të fundit ?
Sidoqoftë njeriu e ka çdo gjë në fillim. Ai as ka ngrënë, as ka pirë, as ka puthur. Ai sapo ka ardhur dhe do të jetojë. Me keqardhje, vëlla Budë, por ik,ik! E të gjitha këto dilema e sfilitin poetin, vinë e kthehen në ankth e bëhen forcë e shpëtim vetëm duke u shprehur në art. Ky është nordi i poetit, përbetimi i asaj çete të vogël profetësh e magjistarësh që jetojnë për të pikturuar dhimbjen njerëzore duke e hedhur zemrën nëpër këmbët e njerëzve, mjafton që atje të çelin zambakët.
E në këto lëkundje ,në një çast, poeti tha “ shporru Budë”, jo” shporru Lenin !” Nuk mund të fajësohet. Iluzionet gjëthnjë të mashtrojnë e kur ato bëhen planetare, poetët janë fajtorët më të pafaj e  mëkatarët janë të justuifikuar. Iluzionet leniniste s’mund të realizoheshin. S’mund të shkoje në parajsën e lirive e barazive nëpërmjet ferrit.
   Sipas Zorbës çdo njeri ka parajsen  vet. Parajsa e njerëzve do të jetë e mbushur me bute me verë, uzo, konjak, ajo e poetëve do jetë plot me libra e damixhane me bojë, ndërsa e Zorbës do jetë një odëz e vogël me erëza e fustane lara lara, një krevat dopio me sustë, e në mes, shtrirë një vejushe..
Siç shihet Zorba fillon e mbaron me qejfet e kësaj bote. Ai e gëzon jetën në të gjitha çastet që i jepen dhe çdo gjë sikur e fillon nga fillimi, edhe pemët, edhe zogjte, edhe detin..Ai është gjithnjë i dehur nga ushqimi ,vera, puna, kënga, vallja, seksi. Duke qënë antibudë në çdo qelizë, ai e vulgarizon edhe krijimin e njeriut nga Zoti, që e paska bërë prej balte të njomë si kukull, që e la në diell të piqej e kur e pa se u poq, kuptoi se kishte bërë një derr, e kapi prej zverku, i hoqi një shkelm bythëve e i tha ,hajt mbathja tani! Shko e pill derra e dosa ! Megjithë këto banalitete ,autori vëren te Zorba se ai është i kënaqur nga vetja, jeta e tij është plot lëng e variacione. Më kot e vështirësojnë botën filozofët dhe shkrimtarët. Në ato ngushtica nuk hyjnë zorbat. Ndërsa poetët pak lumturi kërkojnë, fare pak. Ankthi i krijimit, ëndërrimi janë të mjaftueshme. E për ta ,vetëm me to, jeta është plot dinjitet e ia vlen të jetohet, vetëm me to, ajri është i mbushur  me zëra e shpirtra. Në këtë kuptim yni është dhe Zorba, dhe Buda. E shpirti i poetit ka vend për të gjithë planetin.
                                                 ***
   Po pasjeta ç’është, o Zorba ? A ekziston ajo ?
 Për metafizikën janë shkruar mijra libra e askush nuk e ka parë. Që të pranosh këtë dilemë mbarënjerëzore, duhet të pranosh Zotin , atë Tejlartin e padukshëm, që ka lodhur në mijra vjet elitën e mendjes njerëzore  e përgjigje s’ka marrë askush. Të dyja ekstremet e kësaj dileme kanë miliarda njerëz rreth vetes e në të dyja, poetët  dhe artistët kanë dhënë kryevepra në letërsi e në arte. Niko Kazanxaqi ( e çuditshme kjo) që e njeh mirë Biblën, Krishtin, Budën, e Muhametin, pohon pa ekuivok  nën influencën e Zorbës se “ Kjo jetë qenka një dhe vetëm një, për gjithkënd, tjetër s’ka. Çka mund të gëzohet vetëm këtu, shkon shpejt e s’do kesh rast kurrë ta rijetosh “(f.155).
   Prandaj zito Zorba ! ( rroftë Zorba) !
                                               ***
   Gjat gjithë faqeve të romanit, lloj lloj idesh vërtiten në mendjen e autorit. Ai ndien përgjegjësinë e atyreve që thotë mbi jetën, shpirtin , Zotin dhe të dashurosh Zorbën,d.m.th.,të të shkojë jeta kot pas gëzimeve të vogla e çikërrimave  dhe , thellë ndërgjegjes së tij intelewktuale i ngrihet një zë : “ turp,turp ! “… Por ç’qenka shpirti ,mor aman?! Në ç’raport duhet vënë ai me detin, retë, dhe erën e dheut ? A thua se dhe vetë ai, shpirti, është det, re dhe erë ? (f.156)Ky panteizëm i autorit, më duket se shpreh, jo vetëm dyshimin e ekzistencës së Zotit, e të shpirtit ,por dhe pohimin për ta. Pamvarësisht dilemave, njeriu edhe më i thjeshtë ,është i intersuar ta ruajë margaritarin e vet, shpirtin. Cikli i përsosur i natyrës dhe i jetës me ringalljen e Krishtit dhe përtëritjen e jetës, më duket se e lë hapur besimin dhe të gjitha shtigjet  të çojnë te metafizika, tek kjo enigmë, që më së paku si objekt enigmatik, ka dhënë vepra moderne letrare e artistike. Është një kurth misterioz, edhe si humnerë e pafund ku fillon asgjëja ,edhe si shpresë gërryese e paverifikueshme, e ,prandaj, fjalët përjetësi, dashuri,shpresë amshim,qetësi absolute apo parajsë, ferr  e Zot ngacmojnë ndërgjegjen e njeriut e bëhen përrallë. E vjen Zorba e sikur të zgjon nga gjumi, të përshkëndit ëndërrat e lexuesi, dhe autori, duket se përsërisin Zorbën “ “Mjerë ai që nuk u shpëton dot budëve, zotave, atdheve e ideve.”(f.167). Dhe unë pyes autorin, si do bëjë njeriu pa to ? Nuk pres përgjigje.Secili ka metrin e vet.
E rëndësishme është se autori e dha sinjalin.Ai të informon.Të shqetëson.Kjo është e mjaftueshme për artin.A nuk është lëtërsia dhe arti një pyetje për boten ?
                                            ***
   Njeriu kontemporan po bëhet gjithmonë e më i pashpirt. Globalizmi e kozmopolizmi i rrafshon identitetet e njeriu duket i kënaqur e i prirur për sa më shumë para e lufton për ta gëzuar tërësisht jetën. Përbrenda është bosh e shpirtin e ka me baltë. Duket sikur shpirti mbetet gjithnjë jetim e oksigjeni i tij është i mbushur me pluhurin e zi të njeriut që lakmon i babëzitur ushqim, pije, seks. Për këtë farë mileti, s’ekziston pastërti e shpirtit dhe përjetësia është jeta e përditëshme, çasti. Po frika nga vdekja, dilemat,  e bëjnë dhe intelektin të ketë nevojë ,qoftë dhe një çast të vetëm ,të ballafaqohet me diçka ideale e sublime. Ka një çast ëndërrimi për Shën Marinë Kazanxaqi që duket sikur u këndon visareve të saj në gjumë. Përçartjen e tij e dëgjon Zorba : “Tokë e Mirësisë, Vresht, Krua, Lumë, Burim i çudirave, Shkallë e Qiellit, Urë, Agim, Rrufe, Gezim, Ngushëllim…” (f.186). Flet me vete lumëmadhi,pëshpërit Zorba dhe e mbuloi me një batanie të mos mërdhinte. E mjaftueshme kjo për njeriun poet. Qoftë dhe në ëndërr,qofte dhe në psherëtima të pavullnetëshme le ta kemi të pranishëm Zotin…
                                                     ***
   Rilindja e Krishtit në Greqi festohet,ndoshta më madhërisht se kudo. Është ringallje e të gjithëve. Duket sikur lind shpirti dhe shpresa e të secilit e vallja e kënga derdhen lumë. Grekët festojnë shumë. Ditët e zakonshne mezi i shtyjnë e presin një shkak të mblidhen e t’ia valojnë këngës e valles. Faqja e vitit të tyre ka dhjetra festa, emra shënjtorësh, datlindjet, përvjetorë, pagëzime, dasma, festa kombëtare etj.
Të gjitha mbushin jetën  me gëzime tradicionale pafund. Sumë herë në vit Athina dhe periferia(eksohia) bien erë mish të pjekur e verë. Ushqimi shumë i pasur, kënga, vallja pse jo dhe seksi jashtë kurore, më duket se e largojnë kuptimin simbolik të ringjalljes së Krishtit. Ndër ta më tepër se shpirti rilind trupi e duket sikur feja e tyre fillon nga stomaku. A  thua jemi në kufijtë e mëkatit. Por zorbave, tërr nuk ua bën syri.Nuk duan të dinë për kuptimet, simbolet e këshillat fetare. Dokrra i duken këto Zorbës e ha ,pi si lugat, vjedh, bën padrejtësira, harbon nëpër gra. Dhe ky dinak, llupës e horr e barazon Zotin me veten se sipas tij Zoti ka fytyrën e Zorbës dhe zoti e shejtani janë e njëjta gjë…
   Autori i lëkundur në besimin e tij, shpesh bie në trishtim të thellë pa asnjë rreze drite që, në esencë, çdo njeri e çon në boshllëk. “Gjëja më e lartë që mund të arrijë njeriu nuk është as të nxënët,as virtyti,as mirësia as fitorja,po diçka tjetër më e madhërishme, më heroike, tmerri  i shënjtë. “(f,240)…(no koment !).Ideja e autorit se njeriu është një krimb i vogël në një fletëzë që përpiqet të jetojë duke thithur lëngun e saj (gjethes së tokës ), se ai bën një jetë krimbi buzë humnere,të tmerron dhe kam mendimin, se bije në kundërshtim me veten dhe me Zorbën.
                                                  ***
Niko Kazanxaqi,ky krijues kaq prodhimtar, kaq vital e cilësor që u ngrit në majat e kulturës greke e më tej, kam mendimin se nuk është ndikuar nga tmerri shenjtë siç shprehet më lart ; ai nuk e ka patur frikë ekzistencën, përkundrazi, i mbushur me ankthe krijuese, ai u muarr me lëndën e së bukurës,poezisë dhe me vullnet e energji i këndoi shpresës dhe besimit, guximit njerëzor; ai , duke e shndërruar të pashmangshmen,fatalitetin në liri,ra në  burimet e artit të vet e të një frymëzimi të pashoq.Lekundjet ideore të tij ,siç jam shprehur,rrjedhin nga një botkuptim të formuar me shumësi influencash. Por poeti i ka mundur demonet brenda vetes, e ka mposhtur frikën, e ka braktisur humnerën, jo si krimb, por si hero, me mjetet më elitare të njeriut, lapsin dhe letrën.Në penën e tij këndojnë zogj hyjnorë, mbushen me frymë zarzavatet, gurgullojnë retë, pemët dhe gjoksi i Kretës këndon… Mbase e justifikoj trishtimin e tij me Zorbën,me zorbën mjet, për të shkarkuar nga vetja mëkatin,mëkatin, këtë epidemi të pashmangshme mbarënjerëzore që kur Adami dhe Eva, u përzunë nga Kopështi i Edenit.
                                                      ***
   Vendi ku përpunohet besimi ndaj Zotit është kisha. Nuk ka roman të Kazanxaqit që të mos ketë të bëjë me kisha, manastire, e vende të shenjta.
Në të gjithë territorin grek, kishat kanë mbirë shumë dendur,fshatrave e qyteteve. Në vendet më të bukura e piktoreske. Galeria e personazheve të
Kazanxaqit do të ishte e mangët pa priftërinj, murgjër e murgesha, peshkopë, kallojerë etj. Te Zorba , ata janë të pranishëm që nga mitropolit deri te at Stefani. Klerikët e Kazanxaqit janë një botë më vete.
 Vetë prifti grek është dhe njeriu i shërbesave fetare, dhe patriot, politikan e jo rrallë edhe rrufjan, llupës, qejfli, homoseksual e ,ku e ku, edhe trfikant.
Shkurt ai i ka të tëra veset njerëzore e , jo rrallë kisha, nuk përdoret si shtëpi e Zotit ,por edhe e shejtanit. Ndaj tyre autori  nuk i kursen shigjetat e ironisë e sarkazmës dhe shpesh mbi priftërinj rrufjanë, godet pa mëshirë. ( Po të qe gjallë Kazanxaqi me siguri do ta shkruante ndonjë libër për klerikun e lartë grek të ditëve tona, Viavilis, që kishte shumë zanate si prift, polic,sigurims, manazher milionash të piramidave shqiptare, trafikant droge e femrash e ku di unë ç’ tjetër..)
    Prift, hiqmu qefe ! kjo është deviza e autorit për këta lloj.
(Më është dhënë rasti të vizitoj shumë kisha e manastire në Athinë. Kisha të mrekullueshme kryesisht të kohës së Bizantit, të riparuara e të mbajtura mjaft mirë.Kam marrë pjesë në shumë cermoni fetare të grekëve dhe shqiptarëve si, pagëzime, dasma, vdekje, e kremtime kalendarike, vërtet për t’i patur zili, por edhe veprime skandaloze, grindje priftërinjsh për dhrahmi,pazare e orgji të turpshme, raste prostitucioni të neveritshme etj.
Pas predikimeve fetare, kam dëgjuar priftërinj të flasin për atdheun e të ndërhyjnë brutalisht në punët e shtetit e të politikës, të bëjnë thirrje për ndihma njerëzve në nevojë, por dhe për lirimin e Oçalanit, apo firmat e pasaportave për të mos qenë sipas kërkesave të Evropës, apo për të ndihmuar vëllezërit e tyre serbë, se në luftën me Kosovën vuajtën shumë e jo një herë njerëzit e vrarë e të masakruar të Kosovës ia paraqitnin popullit grek sikur qene serbë… Se mos vetëm kisha !...Neise …!)
Në këtë drejtim e kam besuar Kazanxaqin. Zorba u qaset kishave e manastireve për të gjetur ndonjë vejushë, a ndonjë murgeshë. Ai nuk i beson as Zotit, as njeriut, as dreqit e të birit.Dhe festat fetare për të janë burime kenaqësish trupore. A thua se është e vërtetë fjala e autorit se : “Njerëzit e fiseve të egra besonin se kur një vegël muzikore nuk u shërben më riteve fetare,ajo nxjerr tinguj hyjnorë. “ (f.159) Një ditë Zorba propozon që të shkojë në një manastir e të merret me kontrabandë, gra, buzuqe, damixhana me verë ,uzo, konjak, derrkucë të pjekur…Ndërsa ato që flet prifti në kishë, sipas Zorbës, janë dokrra e qiqra në hell. Një kallojer thotë për manastirin e fshatit se” atje nuk është kopështi i Shën Mërisë , por baçeja e shejtanit…fukarallëk, shtypje, virgjëri, eunukë, pare, kurvëri .” (172) Natyrisht, shtoj, sikurse ka dhe vende të qeta manastiresh në mes të natyrës, të qeshur me orgaje të blerta, harmonizuar mjeshtërisht me natyrën, streheza të përsosura për tu shpëtuar telasheve të jetës e për të qetësuar shpirtin.
Në galerinë e klerikëve Zorba shikon njerëz mushka. As burra as gra. “ I shpëlaftë mortja “(f.172) e, njeri do gra, tjetri djem, tjetri bakalaro, tjetri pare…Në shpirtin e grekut të rëndomtë( dhe priftërinj),gjallojnë epikurët dhe dionisët e lashtë, qejfi e gëzimi i jetës, trupi dhe shpirti, e ,natyrisht dhe mëkati. Nën plantacionet e mrekullueshme të limonave, portokalleve, ullinjve, nën gjethnajën e gjelbërt të vreshtave, që prodhojnë verë e ciporo(raki), e nën rason e zezë të kishës, mbështillet trupi i përcëlluar
nga dielli , e , brenda tij rreh zemra e Greqisë.  Në përshkrimet e portreteve të klerikëve, Kazanxaqi ka diçka dhe nga asketizmi i Budës, një farë shartimi greko-indian, “ të hash e të pish paq në festën e krishtlindjeve e pastaj të shpëtosh vetmitar nga çdo grackë, t’i kesh yjet sipër kokës, në të majtë toka, në të djathtë deti e ,befas të ndiesh se brenda zemres sate, jeta ka mbaruar e është shndërruar në përrallë. “ (f.113). Zorba është në kundërshtim të plotë me këto. Ai është ngopur e tani vetëm vjell, kishën e Zotin, atdheun dhe patriotizmin..Patriotët s’i gjen gjë thotë ai, ( diku kam lexuar se patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve), unë s’jam patriot,as fetar dhe le të vuaj…Shumë i besojnë Parajsës dhe e kanë lidhur gomarin, ai s’ka gomar,ai është i lirë dhe s’i trembet Ferrit..
 “ Ja ,kështu jam unë,Zorbë me shtatë mëkatet “
                                                    ***
   Një erë ankthi e frike rëndon mbi qytetarin  grek nëpër mjediset hijerënda të kishave dhe manastirëve. Ai i beson ikonës dhe misterit, riteve dhe  temjanit, bukës dhe ujit të bekuar. Ai u beson dhe mrekullive. Me to e brenda tyre, djajtë dinakë arratisen e nga krojet arrijnë shpirtrat plot mirësi…Duket sikur brenda shpirtit të tij kërkon atë që nuk e ka e, nëse mihim me thonjtë e arësyes, në ndonjë ikonë, dru, apo mermer, mund të gjejmë në ëndrra shenjtorë bamirës për të shpëtuar shpirtin. Kosta Varnalisi ka gjetur ndër këto mistere edhe shpirtin e mashtruesve. “ Me të tilla çudira,forcoja mbretërinë e iluzioneve në pellgun e lotëve të të mjerëve “ ( Apologjia e Sokratit)…
   Në manastirin e fshatit Zorba tmerrohet kur Mavroandoni theri një vejushe të bukur se na paska bërë mëkate. Zorba i turret me grushta, përgjaket, e thërret burrash në duel…E autori i tronditur nga kjo vrasje kanibaleske, e trajton sikur vejusha nuk u ther në syte e tij, por para mijra vjetësh, në kohën e barbarizmit.. Ai tregon për një murg që i vuri flakën manastirit, priftërnj asketë që hanë bukë e ujë e të tjerë llupsa, horra e mëkatarë; ai përshkruan vdekjen e Ortansës e shfryn urrejtjen kundër vajtojcave që kanë filluar “ vajin “, akoma pa vdekur e zonja e që po i vjedhin plaçkat e shtëpisë, deri te lugët e pirunët. Buka e ëngjëjve, shpesh përbaltet në shtëpinë e tyre e murgu Zaharia, mbi shpirtin e të cilët kanë zbritur demonët, djeg manastirin.  E Zorba që herë herë filozofon saktë, kujton një fjalë të Hysen Agait : “Dëgjo ,mor bir ! Zotin s’e nxënë dot as shtatë rrathët e qiellit,as shtatë rrathët e tokës. E nxë vetëm zemra e njeriut. “ (f.247).
   E pra, rroftë njeriu që zemrën e ka mbushur me Zot !
                                               ***
   Vdekja është fundi i jetës. Teologët thonë fillimi i një jete tjetër. Me sa duket është problemi më i madh i filozofise, ajo dhe vetvrasja. Përgjithësisht njeriu i trembet fundit. Por…“ Shenja e parë fillestare e inteligjencës – thoshte Frans Kafka- është dëshira për të vdekur. “Janë shumë të paktë ata  që janë përgatitur ta presin vdekjen me dëshirë, sepse njeriu nuk e ka të lehtë të ndahet përgjithmonë nga mjedisi i dashur  rreth e rrotull si, familja, njerëzit e dashur,prindët,bashkëshorti , fëmijtë,  pa folur për elementët e tjerë të pafund, që duhet t’i lësh. Metafizika  është hipotezë e paprovuar nga askush, prandaj, gjithnjë e mbuluar me mister e , ndoshta dhe fushë e letërsisë moderne, kaq e suksesëshme vitet e fundit. Në historinë e popujve ka këndvështrime të ndryshme për të vdekurin, vdekjen, por të gjithë e respektojnë vdekjen dhe  ritet zakonore rreth saj.
Veçanërisht njeriu ballkanas, që në krijimet  e para artistike, aedët e rapsodët, Homeri e tragjikët e mëdhenj grekë, eposi i mrekullueshëm shqiptar e baladat ndërballkanike, vajet dhe epitafet tregojnë se sa shumë respektohej vdekja dhe I vdekuri. E kundërta përbente faj të rëndë, rrjedhimisht të ndëshkueshëm si për çdo krim. Kujtojmë Patroklin, Hektorin, Antigonën, Orestin, Omerin, Ajkunën te varri i të birit etj, etj. Çuditërisht ritet e vdekjes në malësitë tona janë të ngjajshme me ato të Kretës e kjo, sepse zonat periferike ruajnë më me fanatizëm thelbin orgjinal të qytetërimit të metropolit e kjo, domosdo tregon dhe ardhata shumë të vjetra prej andej në trojet greke. Qëndrimi ndaj vdekjes është çëshjte besimi., por dhe karakteri. Zorba u përket atyre njerëzve që e sfidojnë vdekjen si nga anët e malësive shqiptare që “ E bëjnë vdekjen si me le “. Por Zorba nuk e zgjat qzfën t’ia marrë ajo. Shporru!,  thotë. Ai u “martua” me Ortansën në moshë të thyer e të dy mbajnë shoshoqin me shprese për ta larguar pleqërinë. Pa ka dalë dhe një ilaç në Evropë, i thotë Zorba që po ta pish të bën njëzet vjeç. E Zorbica ia kthen që, nëse është lëng t’i blejë një damixhanë, nëse është pluhur, një thes. Pleqërisë i trembet Zorba, jo vdekjes. “ Vdekja s’është gjë,një puff dhe shuhet qiriri,por pleqëria është turp i madh. Ndaj hidhet e përhidhet ai, ha, vrapon, noton, kurvëron lyen flokët që ta mundi pleqërinë. Kur të mbushi tetëdhjet vjeç do t’i lërë gratë, se pa to, d.m.th.vdekje, ose pleqëri…E kur të vejë në Parajsë, do dalë kryeëngjëlli e do t’i thotë : “ Hyr ,o sevdalliu i lalës, hyr ,o martir i madh ! “ (f.198). Vdekjen e urren, ajo është mistrioze e llahtarshme e çdo vdekje s’i ngjan vdekjes. Dhe i ngrati njeri, s’do të iki nga kjo botë e sikur mbahet me thonj e me dhëmbë deri në sekondat e fundit. Dhe është e çuditëshme, edhe njerëzit që nuk e kanë besuar Zotin ,në çastet e fundit duan ta afrojnë atë ( Ortansa mban ikonën e Krishtit nën jorgan e lutet ,e falet sikur Krishti të qe ilaç i rrallë ).  E pa llahtarën në fundin e Ortansës Zorba e tregon gjithsesi me llahtarë : “ E lanë me verë dhe sakaq mizat e vdekjes e sulmuan e i lanë vezët e krimbave në turinj, në sklepat e syrit, në cepat e buzëve…” (f.234). Zorba është trim dhe në vdekjen e tij. Pasi i jep porositë e fundit gruas, Ljubës, deklaron : “Në ardhtë ndonjë prift të më kungojë, i thuaj të thyej qafën, paça mallkimin e tyre !“(f.275) . Dhe ashtu siç qe, flaku çarçafët, hovi vrulltas përpjetë, doli në dritare, u kap pas parvazit, shikoi tutje nga malet, zgurdulloi sytë dhe zuri të qeshte e të hingëllinte si kalë..E kështu, qiri më këmbë, me thonj të ngulur në dritare e mori vdekja.
    Shqiptarja e madhe, Nënë Tereza, ajo ëngjëllorja jonë me të bardha,
shpalli paqen me vdekjen e njeriut e mijra të sëmurë donin të vdisnin në duart e saj.Ajo ia bëri njeriut të pafrikshme vdekjen duke i dhënë asaj dimensione humane, jetësore e biblike; ajo vdekjen  e përjeton jo si ikje por si rilindje, si një kalim në substancë e shtëpi tjetër. Ajo e pagëzon vdekjen dhe e bën të lehtë e të bukur. Në poezinë  “ Vdekja “ te libri ‘”Dritaret e shiut “ do t’i këndoja asaj, në disa vargje, jo si fatalitet, por si domosdoshmëri.
                              …Qiriri i bukur
                                   Përdredhur prej dylli
                                   Fitilin e vdekjes ka në mes.
                                   Ajo është flaka,unë jam mishi
                                    Ç’kuptim ka qiriri po s’u ndez ?...
                                                       ***
       Vdekja e poetit, natyrisht, ka dimesione të tjera. I influencuar dhe nga Buda, Kazanxaqi, “përpunoi “nëpër gishta pesë elementet bazë të jetës, tokën, ajrin, qiellin, diellin dhe shpirtin. E të gjitha këto prej balte e drite i bëri frymë e muzikë në pejsazhe magjike. Kreta për të ështe qendër e botës dhe e qytetërimit të lashtë. Dhe vërtet, kjo kitarë e shtrirë në mes të detit, luan e këndon me valët e me erën. Në bukuritë e Kretës ai kapi mesazhet e gjithësisë, zgjoi shpirtrat e u bë njësh me natyrën. Në pllajat dhe luginat rrethuar me detin valë valë derdhet poezia. Ky është besimi suprem i poetit, besimi ndaj të bukurës që fisnikëron njeriun dhe zbut bishat. Për të flasin gurët, lulet dhe shiu, flet mali dhe retë e bardha përmbi det, e Kreta këndon. Në përshkrimet poetike të tij fryn vazhdimisht një erë e vakët deti që ngjall pemët, e fryn gjokset e vajzave e të ngjan se trup e shpirt janë e njëjta lëndë e gjithçka lëvis si era, e jeta është një zinxirr i pandërprerë si stinët, e njeriu gjallon e shpërthen si pranvera, e yjet natën tringëllijnë zilet e argjenta. Ai e shkrin bukurinë e natyrës më të njeriut deri në të vërteta absolute, e kthen atë në mit e në përrallë e këtë mund ta arrijnë vetëm poetët e mëdhenj e, pse jo, në këtë ndjenjë e shprehje të madhe të besimit ndaj së bukurës ai pa fytyrën e Zotit, e Zotit krijues, e Zotit poet.

                                       
NDARJA

Të dy miqtë ndahen me lot në sy. Dështimet në realizimin e planeve i kishin afruar edhe më tepër. Të dy janë të heshtur. Zorba pi, tjetri ka ngulur sytë diku dhe nuk flet. Të dy donin të binin në krahët e njeri tjetrit e të shkriheshin në vaj por u vinte turp. Dukeshin si dy gjethe vjeshte që i kish këputur era e për pak do t’i hidhte tutje ,kushediseku,
secilin pa adresë.
-          Merr sandurin , Zorba.
   Por zemra e tij ishte muzg. Ndoshta pas një a dy vjetësh do këndojë për këtë ndarje. Atëhere sanduri i tij do ulërijë.
-          Do të mos iki ,Zorba ? Unë jam i lirë.
Po Zorba nuk i ha këto pallavra e i thotë se ai nuk është i lirë,se të jesh i lirë, sipas tij, dmth, t’i këputësh  të gjithë litarët, e se liria kërkon marrëzinë.. “ po ti ke tru e kjo të prish punë e kjo do të ta hajë kokën “(f.266) Autori në sytë e tij është i dobët, kamomil, ndërsa ai vetë rum i fortë që turbullon botën. Marrëzia mungon te intelektualët  e ata mund t’i kenë litarët e skllavërisë pak më të gjatë se të tjerët, por janë të paaftë për t’i këputur. Po është e rëndë shumë ndarja e tyre. Ata kanë qenë kaq intimë, kaq të afërt me njeri tjetrin, fizikisht e psikologjikisht si dashuria. E heshtja midis tyre është e rëndë. Një yll u këput nga qielli e u zhduk. Befas, Zorba zgurdulloi sytë me frikë sikur për herë të parë pa yj që shuhen dhe : “ Papritur zgjati qafën e lartë eshtake,fryu gjoksin dhe lëshoi një çirrmë të vrazhdët e të dëshpëruar. “(f.267). Dhe ja tek ia shkrepi këngës., një kënge të moçme gjithë brengë e vetmi që i gurgullonte thellë gjoksit. Në ato çaste –thotë autori- krisi zemra e tokës, vreri u derdh zhurmshëm e të gjitha fijet që më mbanin lidhur me virtutin e shpresën qenë kalbur e këputur brenda meje. (po atje) . Teksin e këngës nuk e merrte vesh as dreqi. Ndoshta ishte turqisht apo arabisht, apo gjuha e atij djalli me emrin Zorbë. Shpirti i lëshonte zëra të përlotur çalë çalë. Diçka për thëllëzat thoshte kënga, një lutje atyre te mos këndonin se mjaft e kam dhëmbjen time  e aman,aman…Është kënga e gamilierit në shkretëtirë- tha- po zëri iu mek e gryka iu bllokua. Si mund ta shprehte ndryshe dhimbjen ? Dhe nuk tha as natën e mirë, u ngrit, ia dha vrapit zajeve të bregut pa e kthyer kokën pas. Arriti buzën e detit dhe humbi mes territ. Edhe ndarjen e bëri ala zorbë. Kaq. Perdja ra. E rëndë si mal.
                                            ***
   Të dy do t’i rrëmbenin vorbullat e kohës e vitet rrukulliseshin secili në hesap të vet. Edhe letrat midis tyre ,gjithnjë e më të rralla…
Zorba :…Jam gjallë, ha përshesh me qumësht, pi birrë, punoj në puset e naftës( në Rumani), mi vajrash. Për mua, plakun e mallkuar, perëndia   vetë ! Me nderime të mëdha,Aleksis Zorbesko, mi vajrash (f.269) ( vini re mbiemrin rumanisht)
…Jam gjallë.,ftohtë i madh të shkon goja shtrembër ; u detyrova të martohem…i është fryrë ca barku se po më përgatit një zorbadhaq..Me nderime të mëdha Aleksis Zorbiec, ish vejush. (f.270) ( vini re mbiemrin serbisht). Në zarf kish kish pikturuar me dorën e trashë vetveten dhëndërr dhe në krah një sllave të mirkë, nja njëzet e pese vjeç, pelë të tërbuar, vithe përpjetë, me çizme të larta e gjoks të bollshëm. Në shënimin poshtë si të gdhendur me sqepar lexohej.” Unë Zorba dhe çështja e pafund ,gruaja. Kësaj here ,i thonë Ljuba “ (f.270).
   Kjo ndarje miqsh do t’i torturonte të dy e të dy do takoheshin në gjumë.
Dukej sikur qe prishur ekuilibri i botës e njerëzimi ecte në boshllëk. Zorba merrte krahë e gjallonte në ëndërrat e autorit. Fytyra e atij njeriu  pa shkollë rëndonte në rrudhat e tij mbi ballë e i bëhej se po i fliste, ja tek hyn, i rëndë nëpër shkallë duke sokëllitur. E hëna pikon lëngun e saj të verdhë në dritare.
-          Fle ? Më paske harruar ?!
-          Jo,vëlla ,kurrë !
Ndërkohë Zorba bredh nëpër të përpjetat e jetës së tij, punon, rropatet maleve të ashpër e puseve të naftës, ha e pi e kurvëron e, që të mos ta mbulojë dhimbja, këndon, qan, sokëllin. E çoç i vinë në mend ca këngë pleqërie tani, të mjera, me ca tinguj kumbues vargjeve të harruara. E i duket se nga guvat e syve i kullon vaj. Qan në vetmi,psherëtin thellë gjoksit plakur e balta në fytyrë i bëhet llucë.
                                                 ***
   I erdhi një natë në gjumë. Ashtu i vrazdët, me vetulla e mustaqe të bardha. E poeti, kur u zgjua, ndieu zemrën t’i rrihte fort e çakërdisur nga një ankth, vuri re që sytë i kish të mbushur më lot të valë… Një shkrepëtimë feksi në trurin e tij e diçka foli me vete si në jerm. Kujtesa filloi të punojë për ta afruar sa më pranë atë fytyrë, atë zë, atë gaz e vaj derdhur këngëve e valleve si në një film që duam ta shohim përsëri nga fillimi. I u ndez kaq, e beftë dëshira e, në çast, i frikësuar si foshnjë se mos i humbte do gërmonte kujtesën, ato gjurmat e dashura të Zorbës. Prania e tij ishte e padukshme, por e kudondodhur në gjumë. Ai ia kishte pushtuar ëndrrat e ato lëshonin lastarë. U ndodh në shtëpinë etij në Salaminë, e atje në tarracë, në sy të një dielli përvëlues, ra përmbysë e  nisi të shkruaj. Me ngut. Me llahtarë. Të ringjallte Zorbën. Filmi po lahej e gjurmat e heshtura po merrnin diell. Filloi ta shihte Zorbën, ta dëgjonte e një dritë e çuditshme po i mbushte shpirtin ; një dritë farfuritëse që mund ta kuptojnë vetëm poetët e njeriu i tij po bëhej personazh. I përkohëshmi,i përjetshëm. E i dukej se po shkarkonte një barrë të rëndë nga barku si të qe grua shtazanë që i kishin filluar dhimbjet e lindjes.
   Merreni – i tha qytetarit grek-ky është Zorba, i pavdekshmi ose ti vetë.
Libri u botua më 1946 njëkohësisht në Greqi e Francë e shumë shpejt Zorba u bë pronë dhe vlerë e kulturës greke e evropiane.
                                               ***
   Kur shkova për herë të parë në Kretë u mbusha me det. Midis atyre njerëzve të thjeshtë,me mustaqe të trasha, e aq krenarë, e aq mikpritës si malësorët dhe lebrit e mi, që të ofrojnë me të parë rakinë e kafen, më dukej se do takoja Kazanxaqin dhe Zorbën. Të parin s’e njihja si portret, të dytin ma kishte bërë të gjallë aktori i madh Antoni Kuin. I kërkova bregut detit e kafeneve. Dhe i gjeta. Atje tek dridheshin yjet e tringëllinin zilet e argjenta, Atje  tek ngashërehej deti i qetë, dhe te zambakët  e valëve kur frynte pak erë ; pashë gjurmët e valleve të Zorbës zajeve dhe në rërën e lagur e  poeti më tregonte me gisht xixëllonjat e florinjta që ndeznin fenerët në bark e ai, Niko Kazanzaqi, ish bërë njësh me floknajën e atij muzgu tejetejë të jargavantë. Mëngjezit mu duk se kreshtat e shkëmbenjve, në breg të detit, kishin marrë flakë e ata, mijra vjecarë, si vet jeta e kretasve, nën vete, i hante dallga e shiu e vdekja kullonte në det. Greku ka lindur nga deti, mu bë sikur më foli Nikoja. Dhe ky diell që u bije kaq fort borive të dritës mbi kokë të grekëve ndriçon e djeg, dhe këto pemë misterioze me trungje të trashë, duan të thonë se druri i parë, që u bë barkë e  lundroi në det ishte nga këto troje. Ndoshta dhe poezia, Homeri, Eskili, Sofokliu, Euripidi, Aristofani, Safoja, …Solomos, Seferis, Kavafi, Ricosi,  Eliti, Pallamai…e sa e sa të tjerë…A thua se të gjithë kanë lindur nga deti dhe nga balladat e ujit ? Si thua ti Niko ?...
   Më dukej vetja si zog i shushatur në ajër. Prej atyre çasteve, kur më dukej se kisha folur me vete, më lindi ideja për të hedhur diçka në letër.
Si një çmallje për Kretën në formë kitare, për detin dhe poetin.


                                                                                     FUND

4 comments:

  1. Nu pot uita cum (magia albă) m-a ajutat să-mi refac căsnicia după 6 luni de despărțire de soția mea din ceartă și ea a plecat și nu se mai întoarce niciodată la mine, am făcut atât de multe ca să o recuperez, dar nimic nu a funcționat. nu până când am văzut un comentariu online când cineva mărturisea despre modul în care (magia albă) a ajutat-o ​​să-și restabilească soțul și așa l-am contactat prin e-mailul lui și după ce mi-a scris problema, m-a asigurat că mă va ajuta. să mă întorc cu soția mea în 3 zile după ce am făcut vraja de dragoste, iar după ce el a făcut vraja, soția mea s-a întors acasă și a rugat că îi pare foarte rău astăzi, m-am întors cu soția mea și suntem amândoi fericiți și trăim din nou împreună. Știu că există mulți oameni care doresc să-și recupereze iubiții, vă rugăm să contactați (magia albă) Pentru că el este răspunsul perfect la problema dvs., datele lui de contact e-mail { findritualforlife@gmail.com }
    Whatsapp: +3550685677099
    +2349046229159

    ReplyDelete
  2. Nuk mund të harroj sesi (magjia e bardhë) më ndihmoi të rikuperoja martesën pas 6 muajsh ndarje me gruan për shkak të grindjes dhe ajo u largua dhe nuk u kthye më tek unë, bëra aq shumë për ta kthyer atë, por asgjë nuk funksionoi. deri sa pashë një koment në internet kur dikush po dëshmonte se si (magjia e bardhë) e ndihmoi atë të rivendoste burrin e saj dhe kështu e kontaktova përmes emailit të tij dhe pasi shkrova çështjen time ai më siguroi se do të më ndihmonte të kthehesha me gruan time pas 3 ditësh pasi bëri magjinë e dashurisë, dhe pasi ai bëri magjinë, gruaja ime u kthye në shtëpi dhe u lut që i vinte shumë keq sot jam kthyer me gruan time dhe jemi të dy të lumtur dhe jetojmë sërish bashkë. e di që ka shumë njerëz atje që duan të rikthejnë dashnorët e tyre, ju lutemi kontaktoni (magjinë e bardhë) Sepse ai është përgjigjja e përsosur për problemin tuaj, detajet e kontaktit të tij në emailin { findritualforlife@gmail.com }
    Whatsapp: +3550685677099
    +2349046229159

    ReplyDelete
  3. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. AGIMI, pasi i tregova per situaten time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * dua magjinë
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtjeje
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    Kontaktoni Dr DAWN në emailin e tij: dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2349046229159

    ReplyDelete
  4. Emri im është Joana Berankis dhe jam këtu për të falënderuar DR DAWN për ndihmën e tij në shpëtimin e marrëdhënies sime. I dashuri më la sepse isha i matur dhe e kam luftuar disa herë për shkak të pasigurisë, duke mos e parë kurrë pranë asnjë zonje tjetër. Nuk mund të gjeja një mënyrë më të mirë për ta bërë atë të kthehej tek unë dhe DR DAWN erdhi në shpëtimin tim. Kur e kontaktova, ai më tha gjithçka që duhej të dija se si do të rikthehet dashuria dhe lidhja mes meje dhe burrit tim. Unë u binda dhe ai e bëri punën pa hezitim dhe menjëherë pas 48 orësh më thirri i dashuri. Jam e lumtur dhe plot jetë për shkak të mirësisë së DR DAWN. I bëj thirrje kujtdo që ka probleme të kontaktojë me të tani dhe ai me siguri do t'ju ndihmojë.
    dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2349046229159

    ReplyDelete