Tuesday, April 17, 2012

NUDO


NUDO





M’u duk i kapardisur pak, ashtu veshur shik me kostum bezhë e kollaro kafe.

 - Telefonin tuaj e gjeta në ekspozitën që keni hapur në sallën e bashkisë,- tha. Më pëlqyen shumë pikturat tuaja. Vërejta se keni diçka nga Pikasoja. Më pëlqyen veçanërisht figurat e femrave…Si të them, një lakuriqësi befasuese…Piktura të sinqerta…gjinj e sy femrash të shqetësuara..

   Vura re se po vështirësohej, sikur iu mbaruan fjalët, sikur priste reagimin tim. Dukej sheshit se donte të hiqej si njohës i pikturës.

-        Faleminderit!, e ndërpreva, po uluni, uluni!

-        Zoti Leoni, -tha - e dini pse kërkova të vij në studion tuaj? Po ua them: një piktor më tha se kishit ekspozuar një femër NUDO, që tërhoqi shumë vëmendjen e vizitorëve, por ditën e tretë ju e hoqët nga ekspozita. Është e vërtetë?

-        Po.

-        A mund ta shoh? Ajo NUDO po pëshpëritet nga i gjithë qyteti. Disa e quajnë pikturë të turpshme, provokuese...

 Kuptohet amatorizmi, qyteti ynë kështu është, por disa e quajnë një pikturë të sinqertë, mbresëlënëse. Sidoqoftë, diçka ka ndodhur në qytetin tonë… Më falni, nuk u prezantova saktë: unë jam Bardhi K. Jam 35 vjeç, beqar. Kam qenë dy vjet në universitetin “Zhan D’Ark” në Paris. Jam i biri i Kostandin K., drejtorit të firmës së madhe farmaceutike “Kobra”, besoj e keni dëgjuar.

-        Pse vetëm dy vjet në universitet?,- e ndërpreva, jo pa provokim.

-        Nuk më mbushi mjekësia. Babai donte të më bënte me çdo kusht mjek farmacist. Unë dua të jem diçka më tepër se shitës barnash… Si të them, dua të jem i lirë..

-        Liria nuk është profesion, i thashë me indiferentizëm.

-        I lirë, mor vëlla! I lirë. Të bëj ç’të dua. Jeta është e shkurtër dhe…

-        Doni ta shikoni Nudo-n? - ia preva shkurt për ta hequr qafe.

-        Po, po! Faleminderit! Mezi po e pres.

E drejtova në dhomën tjetër. Hoqa perden e garzës me një farë nervozizmi me qëllim që ta përcillja sa më shpejt ish-gjysmëstudentin e Parisit. Piktura u shfaq e tëra në mur e sikur mbushi krejt dhomën e studios sime të varfër.

- Ja! – thashë - shihe! Sikur i thashë: Ngopu!

- Ou, ou! Një mrekulli e vërtetë. Të lumtë, të lumtë dora e syri!

Vura re që u gozhdua i hutuar e i ndrojtur para lakuriqësisë së vashës sime. Gjithnjë mundohem të kap çastin e parë të përshtypjes së shikuesit.

-        Po pse, mor zoti Leoni, pse e hoqët këtë mrekulli nga ekspozita?! Kjo mund të kishte tërhequr të gjithë qytetin dhe pa frikë mund të vinte vulën e suksesit tuaj.

Sytë i mbante mbi të. Vura re si i shkiste shikimi nga gjokset nëpër shalët e NUDO-s, qëndronte një çast mbi organin e saj femëror e pastaj ngrihej me ndrojtje se sidoqoftë po e tepronte, se dikush po e shikonte që ai po shikonte pikërisht atje.

-        E hoqa pikërisht për këtë,- i thashë,- se të gjithë vizitorët, gjatë tri ditëve, bënin ç’bënin sikur shikonin pikturat e tjera e shpejtonin hapat për te kjo. Pastaj dhe vetë kjo m’u ankua, u bezdis.

-        Si?! Si?...

-        M’u ankua,- përsërita,- e lodhën shikimet e vizitorëve. E ndiente nevojën që këmbët t’i mblidhte sa më shumë. Është i çuditshëm njeriu. Sytë i hedh atje ku gjoja nuk do të shohë, në këtë trekëndësh të ngushtë. Këtu.

E kuptova që u çorodit. Nuk e dha veten e tha plot seriozitet:

-  Nga është kjo bukuroshe?

- Këtej është. Nga qyteti ynë.

- Vërtet?! Ka qyteti ynë të tillë femër?!Si nuk e njoh unë? Më vjen të pëlcas. Kam parë shumë femra në Paris, por si kjo, jo. Pa shih, pa shih! Ka diçka magjike që të mban në vend e të hipnotizon. Atje në Paris m’u neveritën femrat dhe meshkujt.. Kishte shumë homoseksualë që unë nuk i honeps fare. Bota po prishet, vëlla, po prishet…

- Kam një punë në dorë, i thashë se nuk doja të futesha nëpër broçkulla debatesh. Ju mund ta shikoni më mirë në vetmi. Femrat përgjithësisht nuk shijohen në prani të të tjerëve.

Ndenji nja dhjetë minuta e sikur të ishte i turpëruar që po vërente gjatë në luginën e ëndrrave, erdhi para tavolinës sime të punës.

-        Vërtet është nga qyteti ynë kjo femër, zoti Leoni?

-        Po, Bardhi.

-        Më falni!- tha edhe unë kam një punë e dua të largohem, por a mund të vij ta shikoj përsëri?

-        Pse jo? Sa herë të duash. Vetëm rreth orës 11:00. Në këtë orë unë pi kafen e tretë dhe jam më i lirë për t’ju shoqëruar.

-        Faleminderit shumë! Dhe urime! Nuk më shkonte në mendje se qyteti ynë kishte një piktor të tillë.

-        Deshe të thuash “një femër të tillë”, apo jo?

                     * * *

Të nesërmen, fiks në orën 11:00, Bardhi erdhi me një dhuratë në duar. Dukej i lodhur, i hutuar e më i ndrojtur se dje. Me sa ndihej, e ka kuptuar që nuk i ngjiti tek unë prezantimi i tij aq pozant si student i Parisit dhe si i biri i “Kobrës”.

-        Të kam sjellë një dhuratë të vogël,- tha,- është një komplet ngjyrash.

-        Faleminderit shumë! Por…

-        Nuk dija ç’të zgjidhja, por kërkova markën më të mirë. Më duket është prodhim Hong Kongu.

-        Nga më të mirat është. Faleminderit!

-        Si thua, u fut në temë, do ma shesësh mua Nudo-n?

-        Jo,- i thashë,- nuk e shes!

-        Kërko sa të duash…

-        E kam për vete, thashë i prerë…

Shkuam pranë saj dhe po e shikonim me vëmendje. Bardhi rrëshqiste sytë nëpër trupin e saj e mua mu duk një çast se sytë e tij linin mbi të një gjurmë të padëshirueshme, diçka si njollë.

-        Po si e ke bërë, mor aman?! Mua më duket sikur ka zbritur nga qielli e ka qëndruar këtu si dhuratë nga Zoti…

E kam të vështirë të jap shpjegime, por, sidoqoftë, diçka duhet t’i shpjegoja këtij bukuroshi. Të paktën për të justifikuar edhe dhuratën. E, duke folur, m’u desh të shfaqesha edhe në disa pika që janë vetëm, ngushtësisht, të miat.

- Në fillim e kam realizuar me sytë e mendjes,- u përgjigja,- ishte ëndërr. M’u shfaq si dritë e varur në qiell. Dhe si një re e bardhë që me syrin e skulptorit duhet t’i hiqja pjesët e tepërta për të parë siluetën të plotë. Atë që më kish përpirë trurin që nga flokët deri te gishtat e këmbës. Piktori në fillim duhet të jetë i verbër.

- Piktor i verbër?!!

- Po, po, i verbër. Me qepalla të mbyllura. Natën në gjumë ku i ka feksur një ëndërr. Në fillim si kujtesë. Është shkreptima e parë e imazhit. Që mund të jetë një ndodhi, një portret, një pemë drite, një flutur a një fjalë e vetme..Figura vjen si përvojë.. Dhe ashtu nëpër ëndërr fillova me ngjyrat. Natë për natë, pa i hapur sytë.. Kur e mbarova, atëherë, një mëngjes filloi syri e dora, të detyruar nga një forcë që nuk shprehet, për të realizuar figurën e paraparë në gjumë. Nuk më beson? Kjo është e vërteta e krijimit. Dhe nuk e teproj të them, e çdo krijimi…

-        Mos kjo ka të bëjë me stilin tuaj,- tha ai i çliruar, se iu duk se gjeti fjalën e duhur.

-        Jo, jo! Kështu nis procesi… Pra, s’është i rëndësishëm objekti, por imagjinata mbi objekt që të krijosh një imazh ireal. Stili vjen gjatë realizimit, në realizimin e formës dhe në punën me ngjyrat. Është ajo, energjia e brendshme e çdo ngjyre që duhet të japë piktori, por sidomos në kombinimin e tyre, duke evidentuar ato tone ngjyrash që i përshtaten objektit. Asnjë ngjyrë në këtë Nudo nuk është e pastër. As flokët që duken të verdhë, as këto qime këtu në organin e saj nuk janë plotësisht kafe…

Ai më shikonte në dritë të syrit dhe, paçka se i dukeshin përçartje të pakuptueshme fjalët e mia, vazhdova, njëlloj sikur flisja me vete....

No comments:

Post a Comment