Tuesday, April 17, 2012

KOHA E LETERSISE


KOHA E LETËRSISË

 - Rreth librit Duumvirati i një stine që shkoi
    Nga  Stefan Martiko

   Unë bashkohem diku dhe ndahem diku tjetër me konceptet e pikëpamjet e Pirro Lolit rreth rolit të dy shkrimtarëve më të mëdhenjë të ralizmit socialist. Kjo gjë më duket krejt e natyrshme, për t'i dhënë vlerë debatit për të shmangur sa të jetë e mundur frazeologjizmin në diskutimet rreth këtij problemi.Pirro Loli ka një vështrim të vetin për ato ngjarje letrare që përcollën Shqipërinë e viteve '50-'90. Unë do ta inkurajoja atë për guximin qytetar e angazhimin në fushën e kulturës e estetikës, e cila siç duket është një terren mjaft i vështirë,i mbartur me plot rreziqe. Në tërë atë çka na ka dhënë Pirroja, unë do ta quaja një begati faktesh e analizash, ku secili mund të gjejë lehtësisht veten në mes një debati, i cili sapo ka filluar e që me sa duket do të zgjasë tepër.
   Rrallë ndër studiuesit e estetët shqiptarë gjen një emër të tillë që me kurajon e tij e ve letërsinë në qendër të një kohe për të shpjeguar vet kohën.Siç mund ta kini vënë re, nga faqja në faqe,nga kapitulli në kapitull, Pirroja me nonsens e le shtegun të hapur për shumë interpretime. Por në fund të fundit shtrohet pyetja:Sa ai ka të drejtë dhe sa s'ka të drejtë në përfundimet që nxjerr? Do të thoshja se konlkuzioni më i rëndësishëm i tij që realizmi socialist, ishte një metodë e imponuar dhe e ideologjizuar në mënyrë të tejskajshme shpjegon edhe faktin pse shumica e këtyre prodhimeve mbeten tepër të diskutueshme. Në kapitujt më të rëndësishëm të librit, i kthehet sidomos fenomenit Kadare, me një përqasje realiste, duke pranuar faktin që ai mbetet shkrimtari më i madh i kohës, por ndërkohë e vendos atë si të tillë në mënyrë bindëse  në vorbullën e rrethanave që e përcaktuan atë si të tillë. Sot për Kadarenë debatet shkojnë sa nga një mohim total të veprës së tij e deri në një panegjeriyëm të thellë. Të dy kahjet si ekstreme e kanë orientuar autorin për të qënë në qendër dhe duke i bërë konkluzionet e tij edhe më bindës. Kadareja e ngjiti letërsinë shqipe në një nga kulmet e saj dhe, ky pohim tashmë është i provuar nga koha, Por rreth fenomenit Kadare ka plot spekulime, në të cilët nuk ka mbetur pa u përfshirë edhe vet Kadareja. Në librin e Pirro Lolit sillen plot fakte e argumente, dëshmi të kohës,përfundime nga libra të veçantë të autorit, që kompleksitetin e këtij fenomeni e paraqesin për lexuesin më të thjeshtë dhe hedhin më tepër dritë,në shkaqet e lindjes së këtij fenomeni. Sqarimi i situatave bën më të kuptueshëm raporte të tillë si Shkrimtari dhe Njeriu, Shkrimtaeri dhe Koha, Kadare dhe Politika,Kdare dhe Enveri, Kadare dhe Agolli.
    Që në fillim të librit lexuesi mund të verë re se ai është thjesht një ftesë e hapur për debat dhe i botuar në kohën e duhur. Sot në shtypin letrar dhe jo atë letrar ka diskutime të shumta rreth letërsisë së realizmit socialist e fenomenit Kadare e Agolli. Siç thashë pak më lart edhe pse këto diskutime herë-herë ekstremizohen, në të vërtet ndihmojnë për të kryer një seleksionim të vlerave të vërteta, si pjesë e shëndoshë e kulturës shqiptare e ushqim shpirëtror i një populli.Duke qënë vend me tre besime fetare, në Shqipëri letërsia e kultura në përgjithësi kanë të paracaktuar një rol të rëndësishëm, siç ka ndodhur në rrjedhat e historisë së saj që nga Rilindja Kombtare e këtej.. Ky libër që vjen edhe si shenjë pjekurie e autorit pas një sërë botimesh të rëndësishme në poezi, romane dhe eseistikë, bëhet edhe një lloj kujtese për mendimin kritik,estetik e letrar shqiptar e për më tepër atë akademik, ku definicionet në këtë fushë duhet të jenë, në mënyrën më të mundshme të pranuara nga të gjithë.
    Atëhere më duhet të shtroj pyetjen bazë:Ç'shërbim sjell ky libër? Sa ai do t'i rezistojë kohës dhe sa të vërteta vallë ai mbart me vete? Të gjitha këto pyetje që nuk gjejnë dot përgjigje aq lehtë në të tashmen, pritet të verifikohen në të ardhmen. Por një gjë është e sigurtë. Ky libër siç mendoj unë është të paktën përpjekja e parë serioze për një analizë të tërësishme të asaj çka ndodhur me letërsinë e përgjithësisht me kulturën shqiptare në 45 vjetët e komunizmit. Duke patur dy korifejtë e letërsisë në qendër, Pirro Loli e ka shpërndarë vështrimin në tërë zhvillimet e saj, duke ftuar në të edhe të shkuarën e largët, e cila së bashku me të sotmen, përvijojnë më mirë edhe konturet e së ardhmes. Deri më sot, siç kam konstatuar unë, asnjë autor tjetër nuk i është afruar  kaq afër pikës më delikate të saj, çka është  në të vërtet realizmi socialist në Shqipëri, mënyrat e zbatimit të tij,si u konsakrua mbi të vullneti ideologjik e politik i partisë. Rreth e rrotull tij, siç thashë pak më sipër, është e shkuara, e cila siç ve re autori, me një të rënë të lapsit u mohuan në masë të madhe. U fshinë nga faqja e historisë Fishta, Koliqi, Trebeshina etj, iu zvogëluan qëllimisht vlerat Poradecit, Kutelit etj. Kjo përqasje i jep librit një dimension tjetër, më të gjerë e gjithëpërfshirës dhe e trajton letërsinë shqiptare si një të tërë, duke i bashkuar asaj edhe ato vlera të mira e të qënësishme, që u krijuan nga autorë të veçantë gjatë realizmit  socialist dhe që i shpëtuan sadopak kontrollit ideologjik të partisë. Këtu kam rastin të ve në dukje objektivitetin e autorit, i cili edhe pse në momente të veçantë e çon gjykimin në skaj të njerës anë apo të tjetrës, më në fund di të gjejë ekulibrin e nevojshëm dhe, i vendos vlerat e vërteta në fokus,si pronë kulturore e një populli. Libri është i mbushur me referenca, të cilat e bëjnë më të kuptueshëm gjykimin e autorit dhe i japin analizës herë-herë një frymë më spikatur shkencore e estetike. Duke shfrytëzuar tërë mundësitë shprehëse të gjuhës shqipe,Pirro Loli kalon sa te analiza e rreptë, në gjykimin e lirë/që i përqaset esesë/ deri në reçensimin e librave të veçantë, të cilat pa dyshim përforcojnë argumentet e autorit, në të mirë të shmangjes së gjykimeve ekstreme e subjektive. Dhe më në fund do të theksoja se libri “Duumvirati i një stine që shkoi” nuk është një libër aq i lehtë e i rrokshëm me një vështrim.Ndoshta shpërhapja mund edhe ta ketë dëmtuar në kapituj të veçantë, por sidoqoftë sprovat e mbartin përherë këtë rrezik dhe, deri diku janë të justifikueshme. Por duke qënë një punë gati prej pionieri, dua të pohoj se Pirro Loli me këtë libër sfidoi indiferencën e përgjithshme të mendimit kritik e akademik shqiptar rreth ca të vërtetave tragjike të kulturës sonë.
 
 6 tetor 2007

No comments:

Post a Comment