Saturday, April 14, 2012


Per librin Esse “Sirenat”

DICKA QË S’ ËSHTË THËNË PËR PIRRO LOLIN

(PARATHENIE)

(Rreth eseistikes se këtij autori)
   
                                                               
Nga
STEFAN  MARTIKO

     Pirro Loli plotësinë e vet e ka arritur përmes përpjekjeve që synojnë racionalitetin, pra kapjen e çdo kuote me kujdes për të kuptuar më mirë se ku ndodhesh ; të gjitha fijet, nga jeta te vdekja, nga realiteti te ëndrra, atë e çojnë natyrshëm te letërsia. Krijues me synime që provon të gjitha gjinitë. Mungesën e njerës e plotëson te tjetra dhe në fund , sa për idetë, ato i shfaq hapur e drejtpërsëdrejti në ESSET e tij, që shënojnë një arritje kulmore të krijimtarisë së tij. Eseja  për çdo krijues është sprova përfundimtare, shenja e pjekurisë e do të thoshja dhe kënga e fundit e mjelmës, aristokratja e të gjitha gjinive letrare ku krijuesi ka vendosur të shfaqet e të shpalosë misteret e veta.
     Pirro Loli përmes eseve të tij hedh vështrimin mbi botën dhe ndalet atje ku mungojnë përfundimet e qarta, ku historia është në zgrip, ku herë herë një tabu duhet shkallmuar. Të rimarrësh Kazanxaqin, këtë shkrimtar të madh grek e botëror e përmes Zorbës së tij të kërkosh të thuash diçka që s’është thënë. Po ku e di Pirroja gjithçka që për të është thënë? Them se e di, sepse lexon shumë, s’kam njohur njeri e krijues më gërmues, grricës, të pangopur, ambicioz. Diçka di Pirro Loli që s’e dinë të tjerët, prandaj guxon dhe besoj se më të shumtën e herës ia del mbanë.”Kënga e tokës” është një ese tjetër për botën greke të lashtësisë, por duke përfituar nga liritë dhe mundësitë që të jep kjo gjini e mrekullueshme, Pirroja e braktis lashtësinë një çast e hidhet gjer në kohën tonë për ta bërë rrugën e gjatë të krijimtarisë njerëzore të cilën Eskili e vuri re i pari, duke parashikuar se kjo bashkëjetesë do të ishte e pandalshme. Eshte pasuria që ndoshta i shton lëndën që bëhet objekt i eseistikës së Pirro Lolit siç ndodh në esenë “Poezia kjo foshnjë e thinjur”, “Arti dhe farat e zeza të realitetit”. Lëndë e ngjeshur dhe njëkohësisht e çliruar, shumë dhoma, por të tëra të përshkuara nga ajri e dielli. Poeti ka vendosur të bëjë një udhëtim të një lloji tjetër në esetë e tij për poezinë. Duke qënë poet ai i njeh mirë mekanizmat e krijimit të saj. Në të zotëron mishi, ndjenja ,fryma. Po e marr si shembull këtë, sepse pas leximit të saj dal i mahnitur, takoj edhe veten dhe e braktis rishtas për ta gjetur.
     Brenda një eseje është i pranishëm lumi, lumi si ide e kohës me prurje për të kërkuar një shtrat më të gjerë, nevoja si rrjedhje e vazhdueshme për tu shprehur. E shoh këtë dhe e ndiej te eseja për Zorbën, për eumenidet, për Edipin e frikshëm, për poezinë dhe artet. Kjo do të më interesonte për të zbuluar veçanësitë e Lolit si eseist. Ai nuk “ngopet” me gjëra të lehta dhe e mbush mendimin me lëndë, me referenca të njerëzve më të shquar në plan botëror. Kjo mënyrë ligjërimi e lë esenë varur si kambanë kapur sa te poezia e te filozofia. E pra, mund të dëgjosh tërë tingujt njëherësh, por t’i ndiesh
edhe veç e veç. Një krijim që mëton të sjellë një harmoni të shumë elementeve. Nëse zërat janë fjalët e autorit, muzika ndjehet më në thellësi, ku autori është duke ndjekur ritmin e orkestrës. Ndoshta ndodh si në lojën e futbollit, ku nuk e ndjek dot tërë rrjedhën e lojës, por duke e shoqëruar topin e kupton se loja është në harmoni me të tërë elementet që, s’mund të jenë të tërë në vëmendjen e shikuesit.. Me fjalët që dua të them dua të zbuloj të qenësishmen që më ofron në esetë e tij autori. Ajo që mbetet sepse kujtesa seleksionon edhe pjesën tjetër ia jep harresës së panginjur. Por shumë ndjesi të jepen, shumë gjëra mbeten për shkak sidomos të fakteve që ilustrojnë idetë., të cilat i ndien në pikën e vlimit të tyre. Që nga marrja e temës e gjer sa bie sipari i saj , Pirro Loli gjendet brenda një uniteti vlertash si një shtëpi që tashmë është bërë e tija.
     Unë duhet të shprehem qartë pse më pëlqejnë esetë e Pirro Lolit. Unë dalloj me lehtësi guximin e autorit me të cilin u afrohet temave të mëdha . Këtij autori nuk i intereson më ato që janë thënë. Në një vështrim kjo duket si një aventurë letrare, por në më të shumtën e herëve është kthyer në një fakt letrar që rigjeneron vetë letërsinë. Autori ka diçka tjetër që do të thotë. Te Zorba psh, (ese me 100 faqe) unë ndjehem mirë, mësoj të reja që më parë nuk i kam njohur, njëkohësisht më ndihmon ta shoh Kazanxaqin dhe Zorbën në raporte të tjerta brenda e jashtë veprës. Më afrohet edhe më tepër në kufijtë e inteligjencës sime, por edhe të kontiunitetit tim shpirtëror si ballkanas, si evropian. Guximi letrar te një talent është garanci për sukses. Por kur Pirro Loli shkon gjer te Xhonsi, kurajoja e tij të lë pa mend. Xhojsianët janë të rrallë dhe i kanë larguar duart prej tij si prej zjarrit. Loli guxon e i afrohet ngadalë, pastaj hyn në të edhe pse e di se në atë zjarr mund të digjet. Sigurisht që asnjë temë nuk mundet të ezaurohet plotësisht, por eseja e lë hapur debatin, nxit diskutime të pafund. Të tilla si te “Everesti mjegullor i letërsisë “, “Proçesi Kafka”, etj për proçesin krijues, poezinë a rrëfimin e rremë në prozë,motorrët e debatit letrar ndizen edhe më shumë. Realizmi gati quhet i ezauruar, (por unë besoj se ai është ende i pranishëm) dhe modernizmi i ftuar ta spjegojë botën në një stad të ri të zhvillimit të saj. Ka kundërshtarë të kësaj ideje ?Siguriusht. Por edhe ata nuk I ndalon kush për tu mbojtur e sulmuar estetikisht. Vetëm se debati  përballet me argumente letyrare më tepër se me ato historike. Sidoqoftë Pirro Loli po thotë atë që ai kupton si të nesërme, si të ardhmen e asaj që tani është e sotme. Në këtë vështrim Pirro Loli më duket se është një hap para kundërshtarëve të vet, sepse çdo zhvillim ka një kahje. Kush e kupton shpejt atë, mbartet natyrshëm për tek e ardhmja..





                                           “ U L I K S I ” ,

EVERESTI  MJEGULLOR  I  LETËRSISË


     Kështu është Xhejms XHOJSI, pllajë e thiktë me tri katër maja të mbuluara gjithmonë me mjegull të dendur. Edhe kur kacaviresh për t’u ngjitur diku, kapur pas ndonjë rreze dielli, të vërtetat e lartësive të rrezatojnë me një shkëlqim argjendor, drita të bëhet njësh me mjegullat e bardha, të lëbyr sytë, të verbon e të tremb deri në hutim e të detyron të kthehesh për t’ua lënë radhën alpinistëve të tjerë...Me sa duket ky është ligj i lartësive. Unë iu qasa, siç thotë një nga studiuesit e tij, si analfabeti që e lexon Biblën vetëm me BESIM.

                                                        * * *

     “Uliksi” erdhi në gjuhën shqipe pas njëqind vjetësh (2004). Përkthyesi i guximshëm Idlir Azizi, pasi kish përkthyer “Dublinasit”, pas një pune të lodhshme gjashtë vjeçare, na dha këtë kryevepër të një ishulli të largët, duke na grishur në një det të vështirë e të bukur, mbushur me sirena, akuj prej bore e hone dallgësh që nuk të lënë ta shohësh sy më sy gjeniun e Irlandës. Padyshim, kontribut i shquar prej fatosi në pasurimin e bibliotekës shqiptare.
     Romani është poetizimi dramatik i jetës së Xhojsit, dëshmia më e suksesshme, se si jeta e autorit kthehet në art, se si biografia shkrihet me veprën e , nga një jetë e njeriut  të zakonshëm me familjen,hallet e dertet e tij,  kthehet në një vepër krejt të përveçme me vlera universale.

                                 LETËRNJOFTIMI I XHOJSIT

Lindi në Dublin më 1882. Ishte fëmija i parë midis dhjetë motra e vëllezër. Studioi për letërsi e mjekësi e punoi si kamarjer, menazher reklamash, mësues, gazetar, kineast..se poetëve gjithnjë u duhet të sigurojnë jetën e tyre dhe ta mbajnë poezinë me bukë…Shkroi tërë jetën tregime, poezi , romane., po veprat e tij mbetën sa gishtat e dorës. [“Dublinasit”, “ Portret i artistit në rini “,”Uliksi “ Muzikë dhome “ dhe pas 16 vjet pune intensive ,”Zgjimin e fineganëve”]. Jeta e tij është e pandarë nga Nora Barnacle, që e dashuroi që në takimin e parë e kjo, u bë shkak dhe frymëzim për të shkruar “Uliksin”
Edhe Xhojsi verbohet si Homeri, Miltoni e Borgesi e vdes pas një operacioni –larg Itakës- në Zyrih.
Nisur nga “Uliksi”, pasaporta e Xhojsit do të ishte e mangët pa dy alteregot e tij,Stiven Dedalusin dhe Leopold Blumin, dy personazhet kryesore që së bashku me autorin përbëjnë një trinitet të kompletuar pikpamjesh politiko-shoqërore, fetare, kulturore e gjuhësore.

                                       “ANTIULIKSI “

Po e quaj “anti”, jo vetëm për efekt medodik , por se më duket se më pranë jetës së Xhojsit dhe kryeveprës së tij, është koncepti i antiuliksit.Uliksin e lashtë grek (Odisenë), kultura botërore e lidh me kalin e pabesë, që mori Trojën, por si personazh, nga më energjikët që ka nxjerrë bota greke, atë e kujton për përpjekjet titanike për t’u kthyer në Itakë. Këtu, në mitet madhështore të Ballkanit, Xhejms Xhojsi zgjati dorën dhe e ktheu Odisenë e lashtë gadishullor në Uliks, modern ishullor, jo për të helenizuar Irlandën, por si mundësi shprehjesh e përvojash që përsëriten e diskutohen që prej mijra vjetësh.. Ky uliks s’ka të bëjë me asnjë kalë dhe ka kahje të kundërt me sivëllaun e vet të lashtë, ikjen nga Irlanda dhe moskthimin pa kushte në atdhe. Xhojsi, plotësisht i zhgënjyer nga Irlanda e tij, ndërrmerr aventurën e ikjes qindra herë prej saj, deri sa më 1912, largohet përfundimisht për të mos u kthyer kurrë më. Dhe varrin e ka në Zyrih. Odisetë e tij janë udhëtimet në Zyrih, Trieste, Romë, Paris, Londër, Gjermani. Kështu poema e tij është poema e moskthimit, poema e gruas dhe e gjuhës duke mbajtur një ngarkese emocionale edhe më të madhe se …Më tepër se qytetin a atdheun, Xhojsi kërkon qytetërimin. Shkrimtarët e mëdhenj takohen përtej kufinjve të vendeve të tyre. Të tillët si Beketi, Nabukovi, Bajroni, Pol Selani, M. Kundera, etj., ngrihen në maja më të larta se atdheu i tyre sepse takojnë njeri tjetrin, sepse gjuha e tyre bëhet figurë, sepse (Xhojsi midis tyre), përveç asaj që thonë në roman, bëjnë më të dukshme pjesën e padukshme të realitetit.
     Xhojsi i dha kulturës së re konceptin e Itakës së LËVIZËSHME, kundër konceptit të atdherave të pandryshueshëm e të domosdoshëm, sidomos kjo, në mendësinë ballkanike, tonoi konceptin biblik se profetët s’kanë duk në atdheun e vet, dhe, nëse ata janë të vërtetë, gjenitë, siç qe ai vetë në racë poetësh, vjen një kohë që atdheu kthehet në Odise, në kërkim të bijve të vet, ose në kërkim të atdheut të vërtetë. Atdheu për të nuk është sllogani i Oskar Wildes se “patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Masa e patriotizmit të tij  është kultura kombëtare, sidomos dramat e Ibsenit dhe sidomos , kënga, zëri i “Vilhelm Telit” Xhojsi  “kish lindur midis dy ëngjëjsh, melodisë dhe valles”. Mes tyre u bë demon i gjuhës dhe i fjalës së bukur.Dhe kështu ka ndodhur. Irlanda ka kohë që udhëton drejt Xhojsit të saj , aq sa sot kur themi Irlandë , nënkuptojmë Xhojsin, sepse ai është Everesti kulturor i saj…[ Kështu ka ndodhur edhe në Shqipërinë tonë, natyrisht jo me maja everestësh, por ajo ka kohë që është nisur në kërkim të , Samiut, De Radës, Camajt, Nënë Terezës etj.,personalitete që ravizojnë fytyrën e kombit dhe në mungesë të simboleve më të fuqishme, ndonjerin e pagëzon me vetveten si‘Naim Shqipëria”…]

                                                 SEPSE..,

Sepse dihet fort mirë që fizionominë e atdheut e përbëjnë intelektet e fuqishme të njerëzve të shquar. Xhojsi është vlera më e avancuar e shprehjes artistike. Ai shfaqet si risi imponimi e letërsia e tij është kthyer tashmë, nga letërsi e një kombi,në letërsi të një maje të përbotshme. Dhe çudia ndodhi: Për herë të parë merret një fakt romani(data 16 qershor 1904), dita kur Xhojsi u njoh me Nora Barnacle-n, lidhi jetën me të e u bë shkas i romanit “Uliksi”e kjo, pra,”dita e Blumëve” “bëhet festë kombëtare e festohet jo vetëm në Irlandë”. ( A. Marku). Çudia ndodhi aq sa dhe pas njëqint vjetësh turistët e shumtë që vizitojnë Dublinin(Xhojsin), u pëlqen të hanë një sanduiç me djathë e një gotë verë si dikur gjeniu ,më 16 qershor. E ata,turistët, për çudi nuk mbajnë nëpër duar katalogun e qytetit, , por “Uliksin”, edhe si hartë për të gjetur bibliotekën kombëtare, rrugët e bulevardet,portin, lulishtet,varrezat dhe lagjen e kurvave, ku fikndizen dritat e kuqe.…Nën lëkurën e poetit gjallojnë të gjitha qelizat e qytetit të tij, qytetit artistik që shpesh bëhet më konkret se qyteti vetë.
Çudia ka ndodhur sidomos në planin estetik. Dhe ajo e ka emrin pyetje : Si është e mundur që “Uliksi” dhe “Fineganët”, të dëshiruara nga e gjithë bota e lexuesit, të aprovuara apriori si kryevepra, por të frikshme për t’i marrë në duar, se të pakuptueshme, pse pra, janë kthyer në kulturë popullore, kur dhe Elioti, eseisti e poeti i madh, paska thënë : “As ai vetë nuk ka ditur në ç’pyll të errët është futur” ?  Xhojsi nuk u botua në Irlandë, se nuk u kuptua. Edhe ato pak tregime që botoi nëpër gazetat e kohës, u shoqëruan me polemika të ashpra e ofeza. Dyert e shtëpive botuese përplaseshin në fytyrë të poetit. ( Një botues gjerman ia kthen “Uliksin” me fjalët :” Kjo vepër pornografike e pa bosht, nuk ka vend në radhët tona.” Duhet të kalonin dhjetra vjet që prozhektorët e një dore kritikësh, kryesisht jashtë Irlandës, të ndriçonin pak nga pak vlerat e, gjithnjë e më tepër edhe sot,diçka zbulohet, zbardhet. Sot Xhojsi është audiencë e intelekteve të specializuara dhe njëkohësisht test aventuror estetik për kritikët e vertetë, kudo në botë.. Xhojsi është dëshmi e trishtuar e dramatike për krijuesit modernë për përgjegjësinë e fjalës, domosdoshmërinë e të pathënës në veprën letrare, për sistemin enigmatik që duhet të ketë arti si një risi në krejt diskursin letrar, proçedimin strukturor dhe funksional të tekstit. “Të fshehtat gjithmonë ngjajnë me përjetësinë-thotë A.Orhan- kur nuk zbulohen ato emërohen si (bukuri, P.L) të përjetëshme”. Ndërkohë është quajtur dhe libri më realist që është shkruar ndonjëherë. Së bashku me çetën e poetëve të mëdhenj ai ka nevojën e një angazhimi të veçantë intelektual për eksplorime. Ai e Po-e, Uitmani, Bodleri e Rembo, Hungareti e  Montale, Vagneri e Da Vinçi, Vang Gogu e Salvador Dalia, nuk u shqetësuan nga moskuptimet e masës. Ata qëndojnë nga ana tjetër e murit trashindent të Kantit, të padukur, po të pavdekshëm, me ndriçime diamantesh që rrezëllijnë vazhdimisht. Përkëtej murit, tej e tejë, gjallon pylli i dendur i mediokritetit, i ngathët mendërisht e shpirtërisht për t’i kuptuar vlerat, njëkohësisht keqdashës e snob, që nuk e vret mendjen të shohë e të kuptojë përtej vetes… “Kjo ndodh- siç shprehet A.Shopenhaueri -se çdo njeri mund të gjykojë e të kuptojë vetëm atë që është e ngjajshme me të”. Një elitë ,paçka se minorene, i “ bie murit me kokë” e kryeveprat e vrara fillimisht nga masa, është në gjendje t’ia kthejë si vlera përsëri “vrasësit” deri sa, me të e për të, e shndërron në kulturë të qëndrueshme popullore. Kështu ka ndodhur e po ndodh me produktin artistik  të Xhojsit dhe të gjithë personazhet e mëdhenj të botës letrare e artistike.

                                             ULIKSI  MODERN

     Është quajtur romani më i çuditshëm i shekullit dhe është përkthyer në 130 gjuhë. “Uliksi”, është  modern, PIKSËPARI sepse është shkruar në liri të plotë , liri të brendëshme, që rrjedh nga qenia krijuese, pamvarësisht nga liria shoqërore. Irlanda e atdheut të Xhojsit ishte e zhytur në një det meskiniteti e puritanizmi absurd, megjithkëtë, nuk qe vend diktatorial, por gjeniu në krijimtarinë e vet ndërtonte lirinë me një vizion krejt tjetër nga shoqëria. Ai braktis fenë katolike, braktis moralet e doket kanunore, deri sa braktis edhe Irlandën, për të gjetur plotësisht lirinë. Të dëshirosh lirinë, kur relativisht je i lirë, tregon qartazi se brenda vetes ke një liri të paprovuar më parë.
     Është roman modern kryesisht në lidhje me METODËN krijuese. Dhe kjo nuk ka emër. Në fund të fundit dhe metodat më efikase, qofshin ato klasike, moderne apo postmoderne, ia vënë një cak kërkesash krijuesit për të motivuar vetveten. Përvoja e veprave të mëdha kish treguar se ato, ishin jo vetëm përjashtim nga metoda, por vetë ato(veprat) bëhen metodë dhe imponohen pa parime e rregulla fikse për krijuesit e tjerë. “Një rregull i vjetër- thotë Stevens- është gjithnjë i dhunshëm”. Dhe më tej, ai sfidon traditat me determinizmat për t’i dhënë arbitaritetit një funksion të veçantë
“Uliksi” është sintezë e të gjitha metodave krijuese, të provuara para 1900-ës dhe asnjera prej tyre zbatuar fanatikisht. Ai shkruan atë që sheh e dëgjon por dhe zërat e ëndrrave dhe të të vdekurve. Ai e uli ëndrrën në letër dhe si dyshim për botën dhe gjuhën. Gjejmë në roman skena realiste deri në një natyralizëm shqisor. Personazhet e tij zgjidhen nga të njohurit e tij rreth e rrotull( gruaja, shokët, miqtë) e tjetërsohen nëpër filtra e zëra të të tjerëve si ide e mesazhe të pafund. Xhojsi është “rregullatori” i kaosit të kësaj bote pa fillim e fund. Admirues i Xhordano Brunos, sipas të cilit “të kundërtat puqen”, e kjo përbën çelsin e korpusit artistik xhojsian, ai nuk i merr prej dore personazhet e tij, por i padukur si hije e tmerrshme që vëzhgon përtej asaj që sheh, gjallon nëpër ta,i zbiron, u mba fjalime për perversitetin që ka të bëjë me ta. Provokator dhe anarkist, ai sikur përgatiste një formulë të re për lëndë shpërthyese. Stiven Dedalusin e pikturon sipas shëmbëlltyrës së Shën Agustinit. Ai është zëri i autorit, njeriu zë,në imagjinatën e Stivenit oshtëtijnë jehonat e të folurit të brendshëm. Në gojën e tij Xhojsi ndërton gjuhën si absurd e si parodi., duke e shmangur dinakërisht vetveten. Pikpamjet e tij socialiste, ateiste, e antifashiste nuk i shet te lexuesi. Si Dikensi ai pasqyron njerëzit e ditës, kulturën popullore, ose atë që rrezikon të humbasë.. Stiveni i tij priret për  kulturën klasike, Leopold Blumi për groteskun. Të dy takohen nga fundi i romanit. Leopoldit i kishte vdekur i biri 11 vjeçar e së bashku me Stivenin, kërkojnë të gjejnë një hibrit të ri, djalin e vdekur tek djali i dikujt tjetër(!)Ai përdor një narracion të ndërprerë, kujtime, monologje e dialogje, ai bisedon me ty në tavolinë, në të njëjtën kohë me Homerin e Shekspirin dhe ëndrrën që ka parë mbrëmë, përpunon mitin dhe baladën e proza e tij vjen e bëhet një mozaik ngjyrash, që nis që nga ngjyrat e ylberit që kanë emër, gazetat e ditës me vendet dhe kohën ku jeton, deri tek të padukshmet ëndrrat , mendimet, dyshimet, filozofimet, duke e përpunuar gjithçka SUBJEKTIVISHT. Si një arkitekt i përpiktë ai krijon një pallat enciklopedik shumëkatsh me të gjitha “dhomat” e Dublinit, rrugë, shkolla,biblioteka, taverna, spitale, varreza. Ai për herë të parë futi në roman dhe organet e trupit që plotësojnë trurin si mëlçia, gjenitalet, zemrën, ezofagun, veshin, stomakun, nervat ,kockat, ai operoi me të gjitha ngjyrat e ylberit dhe përdori të gjitha teknikat e ligjërimit duke e kthyer “Uliksin” në një simfoni e kakofoni zërash të pafund. Në 18 episode që i emërtoi me terminologjinë e Homerit,ai përdori 18 stile e për secilin nënkuptonte një korpus të madh simbolesh si trashëgiminë, narcizimin, virgjërinë, nënën, kurvat, detin, tokën etj, duke e shumëfishuar romanin në qindra mesazhe e ide që kryesisht i shpreh në vetën e tretë, dmth, te tjetri që mungon në bisedë.Ai bëhet dëshmi se si forma bëhet zbulimi themelor i veprës letrare, se SI, lënda jetësore bëhet një plastelinë në duart e magjistarit për të dhënë imazhe të ndryshueshme, deri sa strehohet në ëndrra e kthehet në një njohje irracionale, produkt i subkoshiencës, që Dr. Frojdi i dha ligjimitetin e një zbulimi shkencor, e që u imitua nga Prusti e korifej të tjerë si Malarme, Rembo etj. Pikërisht forma, kështu lëndëzohet e bëhet energji poetike. E, kjo ndodh, kur je plotësisht vetvete. Uliksi thyen të gjitha tradicionalizmat e të shkruarit, rrëzon tabu e si erë e stuhishme shpërndan retë mbi ishull për ta parë qiellin nëpër thellësitë e panjohura, por jo qartësinë, re të tjera, që fshehin të papriturat brenda njeriut, ato që nuk duken, të pathënat, enigmat, çelsat e fshehura të gjuhës. Xhejms Xhojsi ngriti vetëm një tabu, FJALËN POETIKE, figurën, ai zbatoi vetëm një metodë, mënyrën për të gjetur fjalën e duhur, fjalën, që gjithmonë është një konveksion i pranuar komunikimi, por i vonuar , i mefshët, i paaftë për të emëruar mendimet, ndjenjat dhe enigmat që shkëndëlojnë në trurin e njeriut në fragmente sekondash…Gjuha e Xhojsit mbetet një sfidë e madhe për krijitarinë dhe kritikën. Sepse ai është solist i përdorimit të gjuhës në mënyrën më skrupuloze e të ndërlikuar. Në romane ai përdori fjalë e shprehje nga 65 gjuhë të botës. Tek ai nuk ndeshen vetëm personazhet , por dhe gjuhët, kodet e sjelljes, epokat historike dhe gjinitë. Çelësat e simboleve të tij janë fshehur sidomos në shumëkuptimshmërinë e fjalës, e fjalëve të reja , që përftohen nga rrënjët e fjalëve në gjuhët gjermane, angleze ,franceze, italiane me prefiksa e sufiksa huazuar nga gjuhë të tjera. Kështu ai zgjeron hapësirat e mëndjes njerëzore, duke folur dhe si gazetar, dhe si filozof dhe si shkencëtar dhe si gjuhëtar…Eshtë pak të thuhet se është

                                DEMONI I GHUHES

Ose sfinks që gërmon në krejt rrafshin gjuhësor që ka krijuar njerzimi në shekuj, Xhojsi, “njeriu penë”, u dha gojë edhe të vdekurve edhe ëndrrave. Gjuhëtar skrupulos, ai e ktheu proçesin e tij krijues  në laborator të fjalës, fjalën në vendin e çudisë, “ushqim për të mos lënë që njeriut  t’i thahet pulsi i dhimbjes”.Me ankthe si ankthet e gjahtarit, ai kërkoi gjuhën e vërtetë të sendit duke e parë nga të gjitha anët, formën, etimologjinë, historinë e fjalës, fonetikën, gramatikën, tingëllimin e saj si një notë muzike në pentagramin e sintaksës. Ai thekësoi se e rëndësishme është lidhja e fjalëve në fjali për të dhëni melodinë bashkëtingëllore. Ky magjistar irlandes e zgjodhi fjalën, togfjalëshin, fjalinë, jo vetë në kuptimin primar, por sidomos në shumëkuptimshmërinë e tyre, në mundësinë e pakufishme të interpretimeve që mund të marrë shprehja gjuhësore. Synimi i krijimit të një gjuhe të re, jehonë sarkastike e të gjithave shkencave së bashku, përbën një nga absurdet xhojsiane. Revolucioni i tij gjuhësor nis me dyshimin ndaj përvojave historike në fe, histori, psikologji etj., dyshimin ndaj gjuhës mijëvjeçare të njerëzimit si të paaftë e të pasaktë. Sepse konvecional, sepse vendosur arbitrarisht që në fillesa, ndoshta qëkur njeriu primitiv kaloi nga komunikimi me xheste, mimikë e shenja e simbole shpendësh kafshësh, sendesh në komunikimin me fjalë. Prej këtij çasti historik filloi kultura e njeriut e nëpër shekuj fala e gjuha u zhvilluan si shkenca. Por gjuhëtari demonian vëren se kjo marrëveshje qe arbitrare. Ai i qesh e i  tall përvojat duke dhënë shembullin e tij për mundësira të tjera të pakufishme shprehjeje. “Uliksi” është një sfidë e të gjitha përvojave të trashëguara. Dhe nuk shtrohet çështja t’u heqësh anglezëve ose grekëve krenarinë gjuhësore, por ta zbrazësh gjuhën nga nacionalizmi, nga trysnia psikologjike e ligjërimit tradicional.Ndoshta sipas tij shprehja hamletiane “to be ar not to be”s’ka kuptimin e qenies. E vërteta është teksti, vetë teksti nuk është i vërtetë. Kjo tezë e urtë e estetëve, lë hapur shumëkuptimshmërinë e pashprehur të gjuhës. Xhojsi e pa vendosjen e fjalës në vendin e vet si shumësi përvojash që i ngjan filmit, xhirimit, montazhit dhe muzikës. Të mos harrojmë se ai e njihte përvojën kinematografike dhe vetë këndonte si tenor i shkëlqyer sidomos “Berberin e Seviljes” dhe :  “Vilhelm Telin”. Ka një kacafytje fjalësh e shprehjesh e idesh në pyllin e errët xhojsian- dhe zëra bilbilash dhe ulërima bishash, aludime të brendshme e shigjetime të ideve të njohura.  “Ai e çoi kritikën e gjuhës-siç shprehej D. Kiberti-duke sugjeruar se edhe monologjet e brendshme nuk janë tonat”.Ai shtroi pyetje para vetes dhe kulturës gjuhësore që presin përgjigje. Pse kemi një gjuhë?Nga rrjedh gjuha ?Sa e si e emërton letërsia realitetin? Letërsia e mirë është fund, apo një mënyrë tjetër shprehjeje si fillim për të menduar ndryshe? Ç’është stili i shkrimtarit? Sa reale është letërsia realiste dhe sa ajo e fiksionit ? Sidoqoftë asnjë përkufizim nuk është i saktë. Përvojat janë rrathërrathë  me një e disa qendra. Të shkosh te gjuha vetë, kjo është motoja e Xhojsit, të shkosh kundër standarteve, kundër babait të pagabueshëm e të përsosur si një e dhënë e pandryshueshe ,ngritur në tabu. Të jesh kundër sintaksës standarte, kundër gramatikës që s’e përballon dot argumentin, ai kundër çdo statusi final, sepse vetë njeriu nuk ka status të tillë. Nëse gjuha simbolizon gruan,-si qenije për ndyshim- më duket se has në një kontradiksion të Xhojsit apo studiuesve të tij. Atëherë duhet pranuar që gruaja është qënie e pasigurtë, e shthurur, e pasaktë, arbitrare që duhet ndryshuar si gjuha..! E pse jo burrat ?! E pastaj : Të gjithë pranojnë se Xhojsi nuk i qartësonte kurrë figurat e grave e nuk i respektonte konvecionet seksuale. Ai mungonte te burrat dhe te gratë., Ndërkohë , e pranuar nga të gjithë se ishte shkencëtar klasi i gjuhës. Ky problem më duket interesant si shtruarje, por i pazgjidhur e mjegullor si krejt vepra e tij. Zgjidhjet hipotetike nuk e shmangin utopinë…Mos dyshimi i Odisesë ndaj Penelopës e shkëputi nga gjiri i Kalipsosë dhe e shtyn drejt Itakës? Mos të gjitha gratë janë të predispozuara për dashnorë ?Mos Penelopa me besnikërinë e saj mitike është mashtrim dhe Xhojsi në shthurjen e gruas sheh shthurjen e gjuhës, dmth, të botës ? Me Xhojsin gjuha për herë të parë bigëzohet, androgjene, sepse simbolizon lindjen, vazhdimësinë dhe prodhimin si toka. Ndërkohë intelekti njerëzor ka pranuar se gjuha e shkruar është arritja më e madhe e mençurisë njerëzore dhe ndryshimet në vetëdijen gjuhësore bëhen vetëm në mënyrë evolucionale, pamvarësisht marrveshjes fillestare që s’mund të ishte ndryshe, veçse arbitrare. E pra, jemi në pyllin e errët të enigmave. “Uliksi”-siç shprehej vetë autori-është njkë libër i rrezikshëm, një fletë e tejdukshme e ndan nga çmenduria”. ( Siç e kanë admiruar kollozë si Elioti, Paundi, e Heminguej shumë të tjerë e kanë mohuar. Virxhinia Wolf:”Kurrë s’kam lexuar broçkulla të tilla “,Forster: “Uliksi është përpjekje prej qeni për të mbuluar universin me baltë..E më bukur Bernand Show: “Në Irlandë përpiqen ta pastrojnë macen duke i fërkuar hundën me jashtëqitjet e saj,..Xhojsi është orvatur të përdorë të njëjtën kurë për njeriun “… Sidoqoftë a mund t’i shpëtosh dot arbitraritetit në shoqërinë njerzore ? Më mirë të mbetemi te Berkli :”Bota është thjesht produkt i perceptimeve tona.”. Dhe gjuha . Dhe gruaja. Dhe letërsia.

                       I BIRI, BABAI I VETVETES

Vërtet, ç’gjuhë përdor babai ? Letërsia qoftë dhe e përsosur është fund(tokë e premtuar sipas I.Kalvinit),apo fillim i ri, një mënyrë tjetër të konceptuari. Gjuha e babait dhe e birit. Në rrafshin letraro-gjuhësor Shekspiri i madh, është quajtur baba. Por tjetri përballë, Xhojsi, e sfidon në kërkim të një lartësie të re. Shekspiri ishte ndarë shpirtërisht nga greqishtja, Dantja nga latinishtja…si baba e si bir…Xhojsi kërkon një pikë, një komb gjuhësor si mbështetje, një gjuhë kombëtare , jo nacionale. Kjo i duhej për të nxjerrë përfundime mbi atësinë. Pasaj dhe si mohim. Në kapitullin Shila dhe Karibda, autori, në zërin e Stiven Dedalusit, midis intelektualëve irlandezë, spjegon gjeninë e Shekspirit përmes dyshimeve dhe jehonave të Hamletit. Por dhe marrdhëniet e tij të tmerrshme me gruan kurorëshkelëse, vëllezërit etj. Dhe pa shih! Hamleti nuk është princi i Danimarkës, por vetë fantazme e babait që shfaqet., është babai i vetvetes, gjyshi i të shkuarës(Homeri), por dhe biri i së ardhmes. Shekspiri nuk është institucion i paprekshëm. Nuk është njëshi ,përderisa ne kemi pranuar një Zot si krijues. Ky baba përbën një stad të pranuar objektivisht, por dhe shkallën e pasigurive dhe pamundësinë e krijimit të botës letrare. I kujt ,e kujt, kjo gjinore subjektive mund të jetë e vetmja gjë e vërtetë. “Aftësia mund të jetë një funsion ligjor” ,thotë Dedalusi(f.266)..,Shekspiri ,pa dyshim është gjeni, “por dhe dukuri pushteti”, lexo, dukuri arbitrare gjuhësore që, s’mund të jetë pikë e palëvizëshme e status i përhershëm atësie. Uliksi është libër denstruktiv, së pari ndaj Shekspirit. Dhe vjen e shfaqet uni tjtër përballë tij, Xhoji si bir. Pasi e ka njohur atësinë si stad zhvillimi, pasi i është afruar atij si i barabartë, ai vjen dhe si mohim, si BIR, jo si fund ,por si fillim i ri përtej babait. Me Xhojsin merr fund Shekspiri, (metaforikisht),dmth, analiza e tij, zbërthimi qelizor  i vlerave, kuptimshmëria, e kështu ai ikën si baba i nderuar për t’ia lënë vendin birit-baba. Për më tej, gjuha jo si rilindje,por si rekours në qarkullimin e vlerave.Xhojsi nuk e kish frikë mjeshtrin e madh, madje e citonte pa thojza. Dhe nuk është fjala për plagjiaturë( akuzuar dhe Shekspiri, Xhojsi, Elioti, Borgesi, Paund etj,)jo, është moskuptimi i metaforës, ardhja e teksteve dhe mesazheve “Si produkte në kohë, androgjinia e shumfishtë e gjuhës”
Ky problem gjenial në shtruarje dhe i zgjidhur në mënyrë fiksionale, hipotetike, është problem gjuhësor dhe estetik. Dhe ndërkohë problem universal,nisur që ng Edipi i Eskilit, te inçesti, te mohimi i babait.Por dhe në shkallën e vlerësimit të vlerave që arrin një poet, e tjetri që vjen pas, për ta tejkaluar atë. E, ai tjetri ,baba i vetvetes dhe biri i së ardhmes. “Uliksi , libri më realist që është shkruar ndonjëherë, është njëkohësisht dhe fiksional. Realist se operon me shumë zëra, ligjërime. Si notat e një opere, zëra melodiozë e paralelë në kohë të ndryshme, me aludime, parodi idesh të të tjerëve që trajtohen si fakte të asimiluara. Ai i ka dëgjuar të gjitha zërat e romanit të tij . por dhe të të vdekurve. Sipas Rowan-it “Ai (Xhojsi ) del jashtë për tu vënë në kthetrat e zërave djallëzorë të atyre që i thonë se e dashurojnë”.. Argumenti, gjuha, gjuha që ka të gjitha çelsat e fshehura, kuptimet direkte dhe të tërthorta…,por dhe mundësinë e fshehjes së çelsave. Ndaj nuk duhet të çuditemi që ky magjistar dyshues , nuk e merr të mirëqenë gjuhën e shkollës dhe të gazetave. Me gjuhë lexohet historia, me të mund të çlirohesh prej saj..Kjo mund të jetë pika e fundme për letërsinë si entitet, por dhe pikë kthese drejt mendimit. Siç thamë, Xhojsi përdori  brenda romanit shumë stile.(Vetëm në episodin 14 gjejmë 32 stile). E kjo ndërthurje e ankthshme ligjërimesh, kuptohet e vështirëson leximin, e humbet lexuesin. Dhe i thanë, “atëhere kush do jetë lexuesi?”. E tha Xhojsi: “Pse a ka ekzistuar ndonjëherë lexuesi”(?!) Më von pyeti dhe u përgjigj gjeniu tjetër Borgesi :”Po atëhere si do të jetë lexuesi i shekullit të ardhshëm ? Dhe i tha vetvetes : “Ai do të jetë letërsia e atij shekulli.”…

                                               * * *


 E veçanta e modernitetit të romanit qëndron dhe tek e ashtuquajtura “teoria ciklike “ e të rrëfyerit, kjo bën që jo vetëm të copëzohet narracioni, por dhe të “humbasë” për të dalë në tjetër gjë, në tjetër vend e në tjetër kohë, e , gjithmonë duke i dhënë krah një lloj të shprehuri të paparë para tij. Kështu ,psh, kapitulli i 11-të, ose sirenat moderne paralel me ato të Homerit, është ndërtuar krejtësisht në partiturë muzikore që, vetë Xhojsi këmbëngulte  se më shumë duhet kënduar, se duhet lexuar…E kështu ,të kuptosh Xhojsin , duhet të arrish deri te tingulli i fjalës, aliteracioni, asonancat…, fonemat. Tomas Elioti ka thënë për Uliksin se ai është një libër që ka rëndësinë e një zbulimi shkencor. Përkthyesi ynë këtë e argumenton vetëm me aplikimin e proçedurave stilistike të panjohura, me teknikën e ndryshueshme të të shkruarit edhe brenda një libri. Mendoj se si “zbulim shkencor”, duhet parë në krejt kompliksitetin e risive që sjell romani.. Kujtojmë se Uliksi , si kohë reale, përshkruan veprimtarinë e personazheve brenda një dite. Ai ka 18 kapituj, të shkruar në 18 stile të ndryshme, e njëkohësisht, ashtu unik siç është, romani duket si mozaiku i botës, poemë konfuze e një rregullsie që shpërfill çdo traditë, është një realitet artistik që nuk ekzistonte më parë. Kështu Leopold Bllumi e Stiven Dedalusi, pranë rrinë me Don Kishotin a Madamë Bavarinë, si më të shquarit personazhe, mu në qendër të lozhës luksoze të letërsisë botërore. Uliksi është një risi, veçanërisht në strukturën e romanit. Mënyra e kompozimit të krejt këndës letrare, është një arenë ku ndeshen, gjuhët,ligjërimet e shkrimit, kodet e sjelljes, gjinitë, shkenca, historia, mitologjia etj..Strukturë e paparë deri më sot në letërsi me multinarracionet më të pabesueshme, ndryshueshmëritë më të çuditëshme që nga rutina e përditshme e njeriut deri te absurdet kryeneçe fjalori i rrugaçërisë, që nuk i honeps lexuesi i zakonshëm. Romani është një risi edhe se, si Don Kishoti, është një e qeshur e madhe,djallëzisht e rafinuar, ku njeriu gjen vetveten dhe tallet me të. Leopold Blomi, psh, hante me kënaqësi organet e brendshme të bishave dhe të shpendëve. Ai ha e pi duke bërë nevojën, duke fshirë prapanicën, duke vjellë, duke pjerdhur, duke i rënë me dorë; ai mediton dhe për statujat e perëndive e shqetësohet se ato nuk kanë organe jashtëqitjeje. Ato që s’kanë as qime, as organe janë të ftohta si akull dhe hanë dritë. Grotesku mbështetet te pamjet e shpërfillura të trupit. Lexuesi qesh në situata kur personazhit i vënë brirë,(zonja Bllum),qesh në funeral në kontrapuntin që ndërton autori mes zakoneve për të nderuar të vdekurin dhe nevojës për dëfrim, qesh me seriozitetin e zisë dhe njeriut i prirurur për parodi. Dhe ç’nuk kanë thënë për të: romani i tij është lakuriq nate që ndryshon vazhdimisht trajtën e s’pranon të dalë në diell. Dhe më tej(nuk di a është vlerë)Henry Miller :”Në fund të zemrës së tij,zien urrejtja për njeriun(urrejtja e shkollarit ndaj paditurisë.P.L.). Në fakt Xhojsi rrebelohet kundër institucioneve..”Uliksi ngjan me të vjellën e një fëmije shëndetlig, stomaku i të cilit është tejmbushur me ëmbëlsira”

           TOPONIMIA  DHE ALKIMIA E SË SHKUARËS

  Dukuri moderne e romanit është dhe lëvizshmëria e vendeve dhe kohëve ku e kur vepron e ëndërron njeriu. Veprimi zhvillohet, siç thamë “në hartën topografike” të Dublinit nga ora tetë deri në mesnatë, por dhe “ në ikje” të ishullit në vende dhe kohë të tjera. . Kujtimet dhe ëndrrat lëvizin gjithandej në hapësira dhe kohë të pamatshme, në Londër e Paris, në detet e jugut e sirenat e Homerit, a oborret e Shekspirit. Jo më kot ka kapur këto dy maja.Ndoshta shpreh dhe zëmërimin e influencave, për ankthin e shprehjes së kësaj bote pa fillim e pa fund. Kështu “ishulli” i vogël del në mes të oqeanit. Uliksi është Xhojsi në vende e kohë të tjera, është poeti që ikën në moskthim. Mendoj se kryqëzimi i kohëve përbën anën më të bukur e më enigmatike të romanit modern. Sepse koha lëviz e rrjedh, ndalet e ngrin subjektivisht. Një sekondë a minutë , nuk është e njëjtë në subjekte të ndryshme. Mendja e personazheve të Uliksit, në një sekondë mund të bëjë mijra kilometra e të kullosë në vende të tjera, ndërsa, për tjetrin që rri në një tavolinë me të, vetëm sa për të ndezur cigaren. Koha është dhe konkrete si lumi që rrjedh, dhe abstrakte si magji e si lënda e jetës që s’ka fund. Xhojsi është njeriu bashkëkohor i Irlandës e njëkohësisht e shkuara e njerëzimit.Siç janë shprehur firmat e mëdha të letrave, Borgesi, Folkleri, Carlo Fuentes etj,koha në letërsinë e madhe nuk rrjedh vetëm linearisht, nga e shkuara drejt së ardhmes. E tashmja, është “ një pemë këtu e tani”, por dhe e shkuara e njerëzimit e njëkohësisht koha e madhe e përvojave të njeriut që depoziton të shkuarën pikë pikë që nga prejhistoria e tij. Xhojsi modern krijon alkiminë e së shkuarës, krejt detin homerik. Deti i tij është dhe simbol, jehonë e botës homerike, por dhe varrezë e kohës që përsëritet e përsëritet me dallgët ciklike, të njëjta siç kanë qënë. “Historia është makthi nga i cili përpiqemi të çlirohemi”, thotë personazhi S. Dedali te episodi i dytë. Poeti e çburgos kohën nga muzeumet, të ardhmen e bën premtim dhe dëshirë e të dyja këto gjejnë shtratin në të sotmen e lexuesit. Kështu Leopold Bloomi shpalos brenda një dite vite e shekuj. Lëvizja e lëndës letrare, ndërthurjet, dialogjet e monologjet bëjnë që njeriu i Xhojsit të kalojë nëpër enigma të panumërta sepse , shpesh , lexuesi i veprës nuk është në sintoni vale me tekstin e lëvizshëm në kohë e vende të tjera. E pathëna misterioze qëndron te stacioni akoma i pambrritshëm e llogjika shpesh ngatërrohet e humbet nëpër këmbët e përfytyrimeve të figurshme jashtë teje.( Wihgensten e ndante kohën në kohë informacioni dhe në kohë kujtese. Të dyja fokusojnë në të shkuarën aq sa mund të themi…po,po më kujtohert e ardhmja. E pastaj përsëri deti, deti ,koha ..L.Blumi takohet me S.Dedalusin jo rastësisht në bregdet..buzëdetit të dallgëzuar, të patrajtshëm si përvojat, të dyshimtë si gjuha dhe historia e njeriut.

                                     PENELOPA MODERNE

     Nora Barnacle, është gruaja shtëpiake ardhur nga provinca. Rastësisht u njoh me njeriun e shquar Xhejms Xhojs, që opinioni e mbante për njeri të keq. Që nga njohja e parë (16 qershor 1904), dora dorës, si dy dashnorë”kthehen” në personazhe kryesorë të “romanit të jetës”në paralele me linjën e  Leopold Blumit dhe Molli Blumit.
Jeta e Norës në libër dhe në jetë është aventura e pritjes si Penelopa. Ajo priti 30 vjet për t’u martuar e për t’u bërë Nora Xhojs, ndërkohë,kish lindur dy fëmijë, ligjërisht ilegalë. Ka qenë një dashuri e fuqishme që i rezistoi kaq gjatë aventurës së pritjes dhe aventurës së martesës me një të tillë shkrimtar që nuk e kuptoi kurrë.. Kjo ngjarje u bë shkas romani. Nora është grua e thjeshtë, shtëpiake dhe bashkëshorte korrekte. Ajo kurrë nuk e kuptoi pasionin e të shoqit e gjithmonë është e trishtuar për të shoqin që vetëm shkruan, shkruan, shkruan..Ishte siç thotë Xhojsi gruaja më antipoetike në botë. Por ai e deshi, nuk e gënjeu kurrë dhe  e tradhëtoi vetëm në imagjinatë, ku seksi dominon ëndrrat. Figura e femrës në roman plotësohet me atë të zonjës Blum, gruan e Shekspirit, kurorëshkelëse dhe të Penelopës së Homerit, duke plotësuar të gjithë spektrin e gruas nga skaji në skaj me pritje, tradhëtira, seks, ëndrra, dyshime.
     Po ç ‘mund të jetë një grua në një roman një mijë faqesh që zhvillohet brenda një dite ? Si mund të justifikohet një jetë e tërë, plot dashuri , mungesa e pritje, falë vetëm çastit të parë të njohjes ?! ( Mjeshtri i madh Markezi te “Dashuri në kohën e kolerës” me personazhin don zhuan, Florentino Arsia, priti gjysëm shekulli të martohej me Fermina Dosen… Dhe kur, pas 50 vjetësh(tashmë 70 vjeçarë) shijojnë seksin si njëzet vjeçarë kur qenë njohur… Ndërsa te “Sonata e Krojcerit” Tolstoi i madh –barbarisht - pohon se të gjitha gratë janë kurva) E pra në letërsinë e madhe nuk duhet të habitemi, atje mënjanohet e zakonshmja, rrëzohen norma, tradita, morale e zakone dhe llogjika e pranueshme shoqërore bëhet e pakuptimtë.
    Nga vendi që zë në strukturën e romanit zonja Blum bëhet edhe më enigmatike. Ashtu e fshehtë , ashtu si hije, ndodhet pranë të shoqit. Dhe, vini re ,ajo shfaqet e plotë vetëm në kapitullin e fundit të romanit, dhe këtë herë në krevat duke fletur (!)
     Ky kapitull është roman më vete i gruas, i gruas në përgjithësi, i Penelopës së lashtë e moderne. I gjithë kapitulli është monolog i Leopoldit që është shtrirë në krah të saj. Janë 45 faqe pa pikë e pa presje. Është “romani “ i gruas që ka tërhequr vëmendjen e qindra kritikëve dhe estetëve, dhe, akoma i pazbardhur plotësisht…Monolog gruaje  në gjumë, (në ëndërr), monolog që del nga goja e burrit në krah, (në fakt dhe ai vetëm sa e mendon)(!) ; është një shpërthim automatik njëfrymëmarrësh plot enigma e ndërlikime, psherëtimë e stërgjatur e botës femërore, vrull, pasion,seks,dyshim, pritje, xhelozi, “ është gjithë fluksi femëror i të shprehurit”, është ajo e lashta Penelopë dhe kjo, që kam unë në krevat.
   Po ç’ka moderne kjo Penelopa jonë ? Për këtë na ndihmon edhe poeti i madh grek Kosta Varnalisi, te “Ditari i Penelopës”, në esencë të së cilit, nuk qëndron qilimi i besnikërisë bashkëshortore, po tradhëtia, dinakëria, maska. A mos ndoshta të gjitha gratë e kanë emrin Penelopë ?! Mistifikimi i besnikërisë së asaj të hershmes nga Homeri, është një dëshirë e pavërtetuar. Dikush ka thënë se tradhëtia e ka emrin grua…Paralelet e dy penelopave zgjaten dhe e thyejnë rregullin gjeometrik të mosprerjes me njera tjetrën.Në fakt ato bashkohen dhe njësohen në një dhe pikat përbërëse i kanë të përbashkëta. Përvojat e bashkëjetesës tregojnë se gruaja është një jetë brenda jetës së burrit, por ajo shpesh bëhet dhe baticë e egër që fryhet e përplaset brinjëve për dalje nga robëria mashkullore, si edhe burri për “dalje” nga gruaja .(pa metaforë.) Çdo lexues përpiqet të sqarojë enigmat e romanit subjektivisht duke u bërë dëshmi e rastësive dhe e gabimeve…
                                               * * *
     Nuk ka ishuj me emrin e pritjes, as të besnikërisë. Dhe Itaka ka emër tjetër…Penelopa moderne  ia heq maskën mitit homerik. Ajo është epsh dhe mosdurim, nevrike dhe dinake që i përgjigjet sfidës së të shoqit me të njëjtën sfidë. Putana e ndershme, simboli dhe etja për seks, natën flinte në krevatin e shërbëtores me të gjithë pretendentët e fronit dhe ditën tregonte qilimin e pritjes ose mastrubonte publikisht. Mos vallë me lëndë brirësh(tradhëtira) janë derdhur krevatët bashkëshortorë, monumentet dhe statujat ? Mos vallë, më të mëdhenj, brirët fshihen e rriten nën kafkën e mashkullit ? Apo, mos vallë çdo burrë, është një kalë druri për të pushtuar gruan, madje dhe për ta djegur si Trojën ? Pa rënë në opinione kategorike (si Tolstoi dhe Varnalis), mendoj se jeta e gruas është një botë e fshehur, jashtë psikozave të moraleve të ndryshueshëm nëpër shekuj. Njeriu , burri dhe gruaja, endin qilima besnikërie, një lloj mastrubimi ky, rrjedhojë e rrethanave, familjes, pritjeve, dëshirave, sidomos dëshirave seksuale të parealizuara. Në endjen dhe shprishjen e qilimave gruaja sidomos, rikoperon pjesën më vitale të vetvetes së shpërfillur dhe të harruar, feminitetin dhe mungesën e dashurisë që kërkon kompesim. Dashuria është ankth dhe frikë, e , shpesh është kaq e madhe sa nuk e takon dot. Burri dhe gruaja në jetë rrëshqasin sirenave të Homerit, për të takuar njeri tjetrin.. Ç’ qilim mashtrues end e shprish Molli (Penelopa moderne) në monologun e saj ?Ç’ impulse erotike ndrydh ajo ? Kujtojmë se në kap.e 13-të i shoqi viziton një vejushë të njohur e pastaj shkon në plazh, ku flirton me sy një bukuroshe e provon kënaqësinë e seksit. Ai ka kohë që nuk ka bërë seks me gruan , ndërsa në kapitullin e 15-të, bashkë me Dedalusin dehen dhe shkojnë e mbyllen në një bordello. Në një çast tjetër , ai numuron me mëndje të gjithë dashnorët e mundshëm të së shoqes.(Te novela “I vdekuri”, “Uliksi “dhe “Fineganët”, ku ndodh inçesti i gjithbaballarëve me të gjithbijat, meshkujt vetëm dyshojnë te gratë ,por nuk pranojnë kurrsesi t’i zbulojnë dashnorët e tyre)..   Si Penelopa e lashtë, Molli, kurvëron fashehtas, sistematikisht. Ulërima e zonave të feminitetit e mbyt metaforën e besnikërisë. Gruaja gjendet në skajet e një diapazoni të gjerë midis ëngjëllit dhe prostitutës e, praktikisht popullon skajin e dytë.Ndërgjegjia e saj, sipas Jungut, prodhon imazhe agresiviviteti. Ajo kompeson inferioritetin dhe “pret “, jo burrin, por vetveten e braktisur. E rasti nuk i ngjan rastit e rrethanat specifike i mënjanojne përkufizimet. Penelopat moderne, në çdo akt seksual, përftojnë një përvojë të re dhe vazhdimisht janë nën trysninë e demonëve të shijimit të seksit. Penelopa e Xhojsit, këngëtare kurorëshkelëse, është simbol i femrës epshore dhe pjellore, njëkohësisht akt kulture, që lufton ashpër xhelozinë dhe tradhëtinë e burrit dhe i përgjigjet me të njëjtën monedhë. Ajo është ndërkohë ekuilibër funksional në dialektikën e bashkëjetesës, por sunduese sepse afirmuese dhe vazhduese e genit njerëzor. Ajo triumfon në të gjitha gërmadhat e kulturës. Ajo është seks që e tejkalon kohën e njeriut filistin. Të gjitha pushtetet janë prej balte, pushteti i erosit është prej mishi- seksi- drita më e lashtë e fillesës që vazhdon të jetë fillim edhe pas mijëra vjetësh.  Ndoshta është dhe kompleksi i jehonave që vinë që nga poligamia e lashtë, ndërprerë më vonë nga pushteti i burrit, ose patriarkati progresist, që, sidoqoftë, vendosi norma morale për të disiplinuar trashëgiminë dhe familjen. Reminishencat si prani e sotme krijojnë neurozat, ose shijet e aventurave si triumf instiktiv i vetvetes mbi privimet e shumta.. Letërsia e madhe që opron me simbolet, tashmë i ka braktisur trojet e moralit filistin e, ndërkohë, bashkë me psikoanalizën që pretendon spjegime shkencore, akoma tregojnë pafuqinë e tyre për të depërtuar në botën e femrës.
…Por monologjet s’kanë zë, ndërsa pas mesnatës zhurmon një tren e pas pak priten të gjëmojnë kambanat e Shën Gjergjit si epilog i një dite të zakonshme ,por kaq e ndërlikuar, sikur të ishte dita e romanit ose dita e gjithë botës…                          
   




         DIAMANTI ME SHKELQIM TE FSHEHTE
                          (FERNANDO PESSO-AS)

                                                                                           
       Qenia dhe dhimbja universale e të jetuarit, toka e vrazhdët e njeriut dhe shpirti si trishtim i përhershëm, janë fushat poetike të Fernando Pesso-as. Eshtë një lëndë e jargavantë në misteret poetike të tij, fshehur tutje në muzgje labirinthesh, ku lexuesi herë humbet nëpër hone e herë del në pllaja me diell. Por gjithmonë i zymtë poeti .Si monument i dëshpërimit njerzor, aq sa të krijohet përshtypja se ky poet nuk mund të shkruante dot pa qënë i trishtuar.. “Përveç mërzisë- thoshte –çdo gjë më mërzit”.Ai, një gjendje e trazuar shpirtërore që nuk u bindej rregullave, etikës e shkakpasojave të zakonshme. Ai thërriste një re të terrtë t’i qasej nga jashtë, priste zhgënjimin e bukur melankolik, muzikën e trishtë të shpirtit…Dhe urat rretherrotull kështjellës së shpirtit të tij ,gjithmonë i kish të përmbytura.Neveri dhe maska,hipokrizi dhe boshllëk shikonte gjithandej. “E ndiej se si kjo botë e pandreqshme/është thjesht një vis ku lehin qentë..” Dhe mblidhej në vetvete krejtësisht i trishtuar. Përqafuar me një demon të zi që herë e çonte te qënia që po shkatërrohej si një tokë me erozion të përditshëm e “ herë te kalbësimi i shpirtit, ankth i asaj që pandehja se isha..”
     Tek Pesso-a ndahen, alternohen, njësohen vazhdimisht qënia dhe shpirti,kujtimet dhe ëndrrat, netët dhe dëshirat, sendet dhe hijet, objektet dhe imazhet, realitetet dhe përfytyrimet në një dramë të përhershme, tek secila e tek të gjitha, poeti rri varur skajesh, apo midis duke kërkuar me dhimbje një vetvete ose një të vërtetë. “Larg meje brenda vetes gjalloj/veçmas atij që jam..” Pesso-a krijoi një poezi të çuditshme, mbushur me mister e terr të zi; ai lëroi fushën e pamatë të natës së tij si në natën e njerzimit, ku mbillte kufomën e vet vdekatare, ku shpirti i tij si shpend i zi plagosur, çoroditur e humbur  nëpër mjegulla , gjen vetëm gjurmë ,hije e shenja e, befas, bije në hon duke lënë pas një klithmë të thiktë ekzistenciale…
     Ai , poeti që vizaton vetveten e padukshme, sepse me të bardhë mbi të bardhë, të lbyr sytë e nuk e shikon dot sy më sy; ai është një shpirt i padeshifrueshëm “që përhumb brenda shpirtit tënd”, ndiesi e zbraztë, uri pa endje për të ngrënë, pakënaqësi e përhershme e një shpirti vulosur që në lindje me dëshpërim. E seç ka përbrenda tij diçka nga perënditë,seç ka një dhimbje universale që të mbërthen në kryq. Pesso-a nuk e ndien por e analizon dhimbjen, më tepër se zemra i këndon truri,e kështu dashur padashur poeti alternohet me filozofin paksa, për t’ia lënë vendin përsëri  poetit. “Ndjenjat e mia janë gjurmë /tek unë vetëm mendimi ndien.”Kështu intelektuali ngrihet mbi intensitetin e ndjenjave duke preferuar të krijojë një emocion abstarkt që duhet ta perceptosh e ta zbulosh kur,“ prej yjeve nata zë e ftohet”, si një gjerdan i  varur në qiell me rrëzëllime rubinësh  të akullt që pikojnë lot..Ai është një organizëm poetik, mbrujtur me zëra të brendshëm, klithmë e çuditshme që mbetet përherë në ajë si një gjurmë shpendi që sapo u zhduk. “Ma ka ënda të ulërij brenda kokës sime”,e atje brenda kokës regjistruar në një disk planetar i dukej se kish të gjitha ulërimat e botës por…,ai donte ta ndalonte atë disk ulëritës, por shpirti i tij kumbonte më tepër, trishtueshëm;ai donte ta ndalonte shpirtin të udhëtonte me të por…, pse qënia dhe shpirti të jenë bashkë por …,ai kërkonte shtigje ku të mos kishin fluturuar zogj të tjerë por.., por kudo e kurdoherë përplasej me pamundësinë. Dhe pamundësisë i këndonte. “Unë jam notat e shkërmoqura në kumbime të pafundme, në atë pianon e ndyrë të kujtesës vetiake..”Poet misterioz.C‘organizëm je ti ?C’e shkuar a e ardhme je ?c’natë të përhershme ke në sy?C’e ke atë erë të mynnxyrshme që të than e të përzhit lulet e zemrës së venitur ?..Nuk pres përgjjjigj “ Ashtu si Kafka ai vuan vetminë pikëllimtare, lodhjen dhe sfilitjen metafizike të një ekzistence damkosur me vulën e dëshpërimit”(Lemaire)…
                                              @ @ @
     Ai, i heshturi si varri, i  padukshmi si ajri,që erdhi si një UFO, që dikush e pa nga larg por..,që u duk diku në një cermonial madhor në varrezat kombëtare të Portugalisë, në krah të Vasko de Gamës e Camoes,ai Françesko Pesso-as, shpejt u ngrit si fantazmë e krahëhapur qëndron në qiellin poetik të Evropës. E qaset si një bashkëkohës i përhershëm modern, si një e vërtetë poetike e paeksploruar, një e vertetë brenda tij, si mekanizëm që dyshon dhe beson ; vetëm tek ai subjekti poetik, që prodhon realitete”made in Pesso-a”Të ecësh më tej drejt të vërtetës së tij poetike futesh në labirinth.Mijra vargje të tij që po botohen pas vdekjes(1935), ese, libra kritike e estetike(rreth 20 vëllime deri tani) janë kryevepra bashkëkohore, por siç shprehet vetë ai dhe kritika, asnjë nuk e çoi në zbulimin e së vërtetës së qënies së tij. Cila është vetvetja e poetit ?C’masë, e formë, ç’lëndë a shpirt e përbën atë ?eshtë një e vertetë që ta kërkoj brenda qënies apo jashtë saj ?eshtë tek unë apo te Hyjnia ? Askush nuk të përgjigjet. As ai vetë. Por, ama, Pesso-a, nuk e fsheh këtë dështim ekzistencial ku “kundroj i patrazuar kufomëzimin e qënies sime”..ku, “zemra m’u thërrmua/porsi copë qelqi/deshi të jetonte /por u mashtrua..,ku zemra ime, kovë e zbrazur.. E gjithë krijimtaria e tij ka lënë pas një mesazh që duhet lexuar e kupuar me kujdes:në pamundësi për të dalë nga këto enigma, pra nga labirinthet e vetvetes,atëhere qëndro atje,eksploro vetveten, gërmo atje! Me barominë me gjilpërë. Kokëposhtë në terr.Dhe mos kërko t’i ikësh vetvetes, ajo, matanë shtigjeve,ka një hapësirë diellore të pafund,ka një thellësi deti të pacak, ka një lartësi të kaltër qiellore, HAPESIREN E ENDRRAVE. Dhe si në çdo gjë të pafund e  ireale, mos prit stacione festash e fitoresh.Pesso-a deshi të ishte magji e ligjërimit, por fijet e ëndjes i kish në dorë Krijuesi i madh,”Unë jam i dështuar në gjithçka”, deshi të ishte i ploti, pagan e kristian,intelektual e fshatar,banor i kullës së fildishtë e veprimtar por…e çuditshme(!)as përkon me vetveten, as të bëhet tjetër, ai, mbeti një  heshtje e varur MIDIS...E kështu në përpjekje të dal nga labirinthi që më ngrë poezia e tij,qetësohem kur më thotë se e vërteta poetike nuk është as bota e brendshme, as ajo e jashtme, por një përbrendësi e pafund, që, gjithashtu është një e përtejme e paskaj. Si pafundësia.Si e pamundura.Si e panjohura.Dhe unë e besoj. Bashkohem me të. Doktrina e poetit nuk është “Alaska”, pika e mbërritjes, por ajo pika e vogël e startit kur niset, udhëtimi metafizik drejt dramës së përhershme, gjetjes së asaj forme ku nocioni poetik i pafundësisë kthehet në një udhëtim dramatik drejt parajsës.
                                             @ @ @
     Nuk dihet se ç’kanë brenda humbellat e  Pesso-as, ëngjëll ndriçus apo një djall të zi. Veçse, sa herë  niste për të vëzhguar përbrenda, ëngjëllin apo djallin,aq më e zymtë i dukej vetvetja. Ky pozicion mesi,  kë të shoh, ëngjëllin apo djallin është një dhimbje e qënies ontologjike që poeti e lëndëzon në poezi, në një poezi të paimitueshme, trishtuese natyrisht, por larg pasionit romantik, larg mërzisë bodleriane, depresionit kafkian a dekadencës valeriane. Ndoshta pak nga të gjitha dhimbjet e poetëve, ngrihet monumenti i dhimbjes universale ku çdo njeri nuk mund të largohet pa e ndezur qiririn e vetvetes.… dhe ajo drama e përhershme e tij,-  pamundësia për të jetuar ndjenjën njerzore, gurgullimimën emocionale të njeriut..Dhe ashtu MIDIS gjumit dhe ëndrrës, pemës dhe vegimit për pemën,… ashtu midis asaj çka jam e asaj çka ëndërroj, ashtu, as natyrë e pastër, as metafizikë njerzore,ashtu tek vëzhgon nga dritarja e tij “Duhantoren” përballë, e përfytyron që nga sendet e rëndomtë në rrugë deri te punët e shpirtit,  planetit e të galaktikave, kotësinë e reklamave të duhantores të njëjtë me kotësinë e vargjeve të tij… dhe “gjithçka është ëndërr si një gjë reale e parë nga brenda” …gjithsesi një realitet që buron nga koka … e ai poetizon për një ndërgjegje të ngrirë ,për një ngecje në marrdhënie me të tjerët ,gjithmonë “nga një hon i zymtë i një muzgu të brendshëm “tek i cili e ndiej se po ëndërroj/ çka ma do mendja se jam.”
                                                   @ @ @
     Por poezia e Pesso-as, ndërsa gjithmonë ka diçka misterioze, nuk ka sekret se si ngjizet, si lind e si sajohet. (si çdo embrion). Vetë autori dhe kritika i kanë zbardhur të gjitha kollonat e proçesit të tij krijues. Ja direkt  poeti : “Nga përfytyrime të humbura të padijes sime ndërtoj gjëra mbi bazën E PANDEHMAVE thjeshtake”… Ai ecte në një rrugë dhe nuk e dinte se ajo rrugë ekzistonte..Shikonte suprinën e një liqeni ku fryn era dhe përfytyron një ballë poeti  ku drithërohen rrudhat,.. Shkon të marrë bukën në furrën e lagjes e me sy sheh furrën e fëmijërsë, një bukë të dikurshme, një drite të çuditshme përrallash, me zana e shtojzavalle…Ai dëgjon një muzikë e kjo  “e trishta e bukur”, i kujton fëmijërinë, një top llastiku te muri i kopshtit, një qen të gjelbërt a një kalë të kaltërt… Dhe një dëshpërim në zemër., një vajtim universal se gjithçka e bukur po tretet, po harrohet ,po jep shpirt dhe natyra dhe fëminia,dhe përralla, dhe virgjëria dhe pema dhe miqësia...e një fatalitetet i egër, njëlloj, sendet e duhantores dhe vargjet e mia.. një kot universal.. E prandaj realitii i tij poetik është ëndrra, TJETERSIMI.. Vetëdija e tij mjegullore shquan shenjat por nuk i përgjigjet dot asgjëje të dukshme. Ai nuk sheh atë që shkruan, jo atë që do ti, por përfytyrimet e tij. Ai bashkon të kundërtat(figura stilistike oksimora), konkreten me abstrakten,majën dhe humnerën,virtutin dhe vesin,qënien dhe shpirtin, Krishtin dhe satananë.
Mjeshtëria e tij : “Një sistem figurash  që kanë për funksion të shpalojnë kuptimin e fshehur të gjithçkaje”(Brechon)
Deviza e tij : (që mund t’u shërbejnë dhe poetëve të tjerë që duan të bëjnë poezi, )në jetën e përditshme, poeti është një kalimtar anonim i pavlerë, .. ai jeton “ me mankthet e ëndrrave të tij, pa pikë  gjumi në sy”. Dhe ata , të lindurit gjenij si Rembo apo Pesso-as,bëhen viktima të ndjenjave të një realiteti total të vetvetes dhe të botës- një farë neuroze poetike kjo, që lind nga një vetëndijësim i pazakontë e që , jo rrallë u merr jetën të zotve, sepse e kanë kryer para kohe misionin e tyre hyjnor. Ata vdesin para dite , pa pritur orën 12 të kumbojë kambana…Dhe lënë ca zëra në ajër si urti për krijuesit :Hiq dorë nga realiteti i gjërave dhe vrapo pas vetëdijes së misterit… E mijra poetë, kritikë e estetë kanë qënë të detyruar ta dëgjojnë këtë zë që ka  ngjizur kryevepra..dhe që sot nuk habitet njeri me urtësinë agresive që na la pas : “Arti na çliron në mënyrë mashtruese nga ajo gjë e ndyrë që është fakti i të ekzistuarit…”
                                                   @ @ @
     Pesso- a është një rast i papreçedentë dhe për diçka tjetër. Ai është poet në numurin shumës.Disa poetë brenda kafkës së tij, flasin me gojën e tij duke qënë të ndryshëm.Me këtë shpikje të heteronimëve, ai ndërtoi një univers të çuditshëm letrar.Nuk është fjala në pseudonimet që i përdorin të gjithë, ai përbën një shumësi poetësh tek vetvetja, të gjithë të talentuar e të ndryshëm , “ por në sytë e tij më të vërtetë se ai” (E. Lurencio). Katër poetë bashkë brenda një lëkure, por të katër ndahen nga njeri tjetri pambarimisht, për t’u bashkuar përsëri tek emri më i panjohur se secili pre tyre në gjallje : “ Fernando Pesso-a”.  Sepse kulla poetike e tij, shumë kate padyshim, i mbante të gjitha dritaret hapur, të gjitha korentet e poezisë, haheshin, grindeshin e kryqëzoheshin. Ëndra e metafizika moderne, tjetërsimi i gjëndjeve njerzore, këtu kritika e së vërtetës, atje ndijimi ku thelbi përkon me dukjen,ku përhumbet nënvetëdija, më tej një e vërtetë kozmiok e, e ,  të gjitha në mjegull. Në ballin e tij poetik lëvizin të gjithë poetët modernë si erë e shqetësuar kalimtare, por që secili lë një të thelluar në ballin e poezisë. Ai i njeh të gjithë,i prek , i përqafon ,dhe nuk do të jetë asnjeri prej tyre … Ndoshta nisi nga udha e Bodlerit drejt surrealizmit, bashkohet udhës me një grup korifejsh botërorë me vetëdije kritike e dyshuese për një estetikë të re si Poe,Malarme,Valery,Paund,Prust,Borges…Hidhet te poetët rrebelë ose “zjarrvjedhës”si Halderlin, Niçe,Rimbaut,Witman,Rilke..provon dështimin e gjetjes të së vërtetës absolute si Gilbert e përfundimisht fshihet nën pelerinën misterioze të F.Kafkës për të mbetur tek vetvetja me emrin “ Fernando Pesso-a”
     Ai, diamant i poezisë, mbolli një fushë me gjerdane dhe i mbuloi me baltë, i hodhi lart si fishekzjarre dhe i shndërruan në re të ndezura… I bindur se  lavdia në kuptimin antik nuk do t’i jepej në gjallje, i bindur se “një mediokër e fiton lavdinë, një gjeni i madh mbetet i panjohur, tjetrin e mbyt dëshpërimi, një Krisht gozhdohet në kryq”…Të tjerët, pas vdekjes së tij, gjat plugimit në qiellin e poezisë  diçka zbulojnë ( Ai la një baule të mbyllur me mijra faqe dorëshkrime si një thesar që nuk po mbaron së eksploruari)) ..Dhe mundohen të gjithë ta zbardhin atë qiell të mbjellë  me yje. Të ndritsahëm e misteriozë.Që pas vetes duket sikur fshehin rubinë   diamantesh me ndriçime  të pazbuluara.

Athinë, prill 2007                                        
 
   
   


“ FRYMA E NGUJUEME NË ASHT”

    “ DRANJA madrigale “ e Martin Camajt është një det kuptimesh e nënkuptimesh i paeksploruar.
     I pazoti për të notuar tej e përtej e sidomos për t’u zhytur thellësive, isha i detyruar të qëndroja afër bregut. Ndonjë dallgë që më merrte në krahë, më tërhiqte gjithnjë e më tutje, më përplaste befas e më thosh se  deti bëhej det atje më tutje e brenda ka bukuira të frikshme.

                              DETI I SIMBOLEVE

     Breshkë me emrin “DRANJA”, e lashtë që kur ka lindur bota, gjallesë e vogël rritur e zvarritur shkurreve, drithërueshëm nëpër rrugëza të pjerrta e shtigje pa cak. Në këtë pamje, kurrsesi, nuk ta mbush syrin për të qënë komb, atdhe, a popull. Por poeti vepron me shënja. Simboli është më e dashura shënjë e Martinit. E me të shënon hapësira dhe kohë, njerëz e ngjarje, histori dhe ide e, të gjitha së bashku, zëra të pafund, që duan të dëgjohen, polifoni kambanash të frikshme e magjepsëse si Circet e Homerit. Pa dyshim simboli qëndror që lidh të tëra pjesët është kocka, rrashti i saj. Kjo është mburoja mbrojtëse, gatuar me bronc e me gjak, që mbulon trupin nga të gjitha anët. Mishi i breshkës nuk duket. Vetëm një fërngji e vogël ku hyn e del vetëm koka, me dy sy të vegjël që vëzhgojnë rreziqet. Gungë gjigande, bunker i blinduar në mish. Dhe jo vetëm mburojë, por dhe moral. Dranja i di rregullat e etikës, përshtatjen, nuhatjen, atë që duhet të prekë e atë nga ku i vjen rreziku. Ky simbol bazal, njëkohësisht është dhe dallim ekzistencal nga qënijet e tjera jo vertebrore, nga ato pa kockë, pa shtyllë, pa qëndrim e pa besë.Shkallëzimi i simbolit të rrashtës arrin majat e qënijes dhe lartësisë. Dranja u përket hapësirave kozmike për nga orgjinaliteti e qëndresa.  Rrashti i saj “ I përngjet rruzullimit me njolla dhenash..”. Syri i mikroskopit mbi këtë rrasht, fokusohet nëpër oaze gjelbëroshe e në xham ngrihen objekte të çuditshme, hije metaforash e simbolesh e gjithnjë një dritë e përhershme hëne, relive piktoreske, shira e akuj e njerëz të stepur nëpër shtigje bore..Mbi ashtin kockor, së jashtmi, një radar gjithpërfshirës, që vëzhgon çdo gjë që ka të bëjë me Dranjën, ajrin ,malin dhe detin, rrezikun e pabesitë. Rrashti i Dranjës simbolizon dhe kulturën, atë kulturë që ka dhënë e ka marrë me të gjithë të tjerët, por dhe krejtësisht orgjinale, të vetmen “kështjellë” të papushtueshme mijravjeçare, që nga mënyra e prodhimit deri te monumentet, këngët e vallet, eposin dhe mitet, krejt krijimtarinë popullore, gjuhën mbi të gjitha, elementin më të qënësishëm të ekzistencës së saj. E, pse jo, aktualisht, edhe tatëpjetën e kulturës.
Në deje ka muzikë, egërsi e herë herë, gjallesa që ke përpara, bëhet me dhëmbë ujku. Shëmtim e bukuri, ku simbolet lëvizin, shtyhen e derdhen dallgë dallgë. Ajo është simbol i bukurisë që në fillesa. (Kur shkon breshka në tempulin e Afërditës, tempullari gjeti dhe e krahasoi me një figurë të njëjtë dhe tha :”ajo nuk është erdhacake, por dhease”(autoktone. P.L) (f.21) Por Martin Camaj ,në asnjë vend nuk mbahet nëpër majat e krenarisë të heroizmit e të virtutit. Ajo më tej volli. S’mund të kërkonte bukurinë e Afërditës. “Dikujt bukuria e lypun tepër i del prej hundësh.(f.21)E gjithë historia e Dranjës është hisori e rrukullimës. Ajo ka qenë dikur, dikur por…
    Por ky frymor vazhdon të jetë i papërsosur. E ndoshta pozat e këngëtarëve, që nga rapsodët e lashtë deri te poetët e sotshëm, zveniten si jo realiste, po ta shohësh në sy historinë. Dranja është gjallesë dhe figurë gjeometrike shumëplanshe, kaliedoskop, simbol sferik që përbrenda e ka historinë dhe dramën kate kate. Këmba e poetit të vërtetë ngec në baltra e shket në rrugë të pjerrta. Atje ku ajo ka mundur të jetë, të ekzisojë, duke humbur shumë,shumë,ndoshta vertebra bazale të skeletit të saj.
    Dhe megjithatë,ka gjithmonë një syth drite Dranja, që s’i vjen nga dielli, por i buron së brendshmi. Kjo është e mjaftueshme për t’u orientuar edhe atëhere kur është terr.
    Shumëkuptueshmëria e simboleve në këto proza kaq konçize,duket si një hallakatje e përllogaritur në jerm. Saktësisht e pafundme si kuptimi i botës, si fati mijëvjeçar i fisit mbërthyer në mankthe ekzistence. Njëkohësisht kryelartë, intuitiv e i dehur për aventura në kërkim të vetvetes. Dhe vetëdije. Për Martinin, shkëputja fizike nga ajo “ dhëmb si ndamja e mishit prej ashti”(f.29) Kujtojmë se e gjithë jeta krijuese e poetit kaloi në Gjermani. Kjo ndarje e gjatë sa jeta e një njeriu, dhimbshëm del aty këtu e lexuesi zhytet në një pyll metaforash…Janë të lodhur njerëzit e fisit dhe stoikë që refuzojnë të thyhen. Si pemët e larta, mbetur trungje që tashmë s’ka ç’u bën as furtuna që hedh gurë nga qielli..Me ta e për ta, poeti mbeti përherë poet i mallit dhe i ndarjes pa kthim. E bukura në proemat e tij është pas fjalës e pas vargut, në nëntekst, në imazh. Zëri i poetit s’ka klithma e deklarata. Ai, si Borgesi e di natyrën e poetëve të këqinj; rreptësisht kundër frymës luftarake, shkëlqimit të rremë e humorit bajat. Breshka e tij është një gjetje, një pikë ku vëzhgohen të gjitha hapësirat, është një Aleph borgesian.. Ajo pikë është qafa e botës, gjetje simbolike që i ka dhënë dorë ta përsosë poemën. (Të gjitha pjesët bashkë kanë një shtyllë vertebrale e, bukur fort, mund ta quajmë poemë, poemë me 90 pjesë. Dranja u botua më 1981 fillimisht në Romë e prozat e tij të kujtojnë poetët e mëdhenj të tipit të Rembosë ; proza të shkurtra që, pamvarësisht se jo vargje të rregulla madrigale, në përmbajtje e mesazhe, poezi liriko-meditative, që nëpër të gjitha pjesët ka nga një rrëfenjzë për bëmat e breshkës, kundërvënije ndaj trajtave tradicionale të letërsisë shqipe e kështu, pioniere nismëtare e letërsisë moderne.)
   Është një poemë e një mëndjeje fisnike, me të vërteta të dhimbshme. I ka të gjitha burimet e dritës dhe terrin e vjen e ngrihet figurë komplekse, mbushur dritëhije e që, duhet ta zbërthesh si teoremë. Në të, ndoshta mu në zemër, thellësive të errta të AND-së së genit etnik, nuk mungon ajo rrezja e dritës e malli i pafund që projekton kohësh e, njëkohësisht, busull orientuese nëpër labirinthe, hap pas hapi , ku Dranja bën jetën e saj krejtësisht si breshkë (simbolike). Ajo është dhe mbeturinë përbindëshi, midis sisorit dhe shpendit.” Me shqisa të përgjysmuara midis të pamit dhe të ndiemit..(f.37)..lind pa dhëmbë, thotë autori -e deri në fund nuk do dhëmbë shtazori.., nga frika e rrufesë s’duron pranë asgjë prej hekuri.. Ndaj mbetet e patjetërsueshme , ndaj ajo nuk futet në rrugë me shkëmb dhe gjithithnjë e ruan një shteg për dalje. Pamvarësisht se me gjak të ftohtë, ka një besim absolut në vetvete se kurrë nuk do humbasë raca e saj. Pikërisht ky besim kockor e ka bërë të përshtatshme e stoike. Ekzistenca e saj, fatalisht, është përcaktuar si

            QËNIJE E RRUGËVË TË PJERRTA…

Rrezikuar të ecë në teh të thikës. Ajo, lëviz ditë e natë, jo vetëm në “dhenat e veta”. Ajo zbulon dhe popullata të tjera breshkash, të mëdha e të frikshme e “ kthen kah kishte ardhë ..te toka e saj, e thatë si buka”(f.50)
Është e pashpresë e udha e breshkës dihet e, më tej vetvetja, dheu i saj “atje ku dhe hëna është pjellore, atje ku dhe drita e yjeve mjafton të mihësh e të mbjellësh”(po atje)
   Ajo(ai), është qerozi i Ballkanit, vëllai i vogël që paraqet vetëm të vërtetat për vete e për të tjerët, pa gënjeshtra e mburrje e prandaj, poshtëruar si qeroz. Sepse i vogël.  E të tjerët, sidomos fqinjët, u bëhet se në shpinë , në asht të saj shohin vraga dredhash si gjarpër. E dashakeqsit, të vërtetat nga goja e tij, u duken si helm hidhërimi në gjak.Të gjithë e poshtërojnë Qerozin, por të gjithë e kanë pasur e ia kanë nevojën.Ky qeroz, i rrezikshëm e “i papërfillshëm”, i jep emrin kuptimplotë përrallës dhe historisë së këtij gadishulli,mbushur me intriga dhe pabesi ndaj vëllait të vogël. E ky gadishull pa përralla e mite, pa poezi e drama do të ishte i paqënë.
    Samari i saj hyn e del  si kodrinë nëpër mjegulla. Po ku të shkojë ? Dimër në veri e mur në jug. Verdikti i historisë : “dështim me lanë kryet dikund, fitore me mbetë veç gjallë si frymorët e tjerë të përvujtun e zvarranikë”(f.23) E kanë shkelur e shtyrë drejt humnerës “ndër eshtna armiqsh”..dhe “lypi fletë të njoma hithash”, Zgjodhi hidhërimin si i ati e i gjyshi. Rrëpira ekzistenciale e ka mësuar se po ra këmbëpërpjetë ajo mbetet ashtu e gjallesat e vogla, morrat e kandrat e hanë. Në gollet e historisë ajo shumë herë është dukur e zhdukur por, jo , ajo befas ngrihet prej dheut, e një qënije toke s’e shkel dot dimri. Heq e vuan, por e di fatin, kjo është jeta breshkane.., ngec shkretëtirës nëpër shkurre e pluhur, plagosur e djegur “ sa me iu pas ngjitë rrashta në lëkurë”(f.50). Qënija e saj rrukullimave, ka filluar me gjak e i është dashur dhe të murohet. “ që të qëndrojë shtëpia e Culit, vranë një breshkan”(f.51)…Dhe të shfaqet Martini te  ky breshkan fatkeq, ballëçarë e gjakosur, flijuar krejt rastësisht ose nga tradita e murimit. Dhe bëhet gjak themelesh në kulturën shqiptare, fitil kandili, me atë flakëzën e përjetshme që ushqehet që nga lashtësia “me voj ullini”, dëshmi kjo e poetëve të mëdhenj që e pranojnë flijimin.
   Dikujt tjetër, poetëve epiko-folklorikë, nuk do t’u pëlqente kjo pamje. Por thamë, Martini është larg pozave e deklaratave heroike, megjithse edhe simboli e përmban superlativën, poeti nuk do të dalë as te pasojat katastrofike të qëndresës dhe luftrave shekullore. Nuk i pëlqen ndeshja me përbindsha e qytetërime, që në jetën e Dranjës, kanë lënë gjurmë shkretëtire mbi dhe e nën dhe. Ama, kujton se më parë ka patur më tepër zë. Zoti i lashtë kish ndrequr me rrashtin e breshkës(sonë) të parën vegël muzikore, të cilën ia fali Apolit e ky” me muzikën prej ashtit të saj i zbuti të tana shtazët e egra… e përmalli dhe breshkën …sa me nxjerrë një pikë loti, por kjo nuk u bë lotore dheu”(f.68) Ajo s’e mban mend mashkullin –thotë autori –por çon kryet e shikon diellin e në mend, mjegullueshëm, i shfaqen bij e bija.Vazhdimësia, përbën betejën përfundimtare të qënies.
    Martini krijon një ekzistencë tjetër që ka të bëjë me lindjen, atë të artit. Ja kështu mungesa bëhet ndieshmëri poetike, e ndërton pallatin me njëqint kate, poemën kuptimplotë, ATDHEUN POETIK, ose atdheun e munguar.

        DY ENË KOMUNIKUESE QË NUK FUNKSIONOJNË

  Si diçka jashtë ligjeve të natyrës. Atdheu dhe ai. Dy të vetët që nuk duan të njihen. Në rastin e talenteve të mëdha dhe ekuacion me dy të panjohura. (Dhe një faj në mes. Jo moskuptim. Divorc ose më mirë braktisje) Dy skaje që s’mund të ndriçohen pa njeri tjetrin.Se dhe atdheu s’ka kuptim pa frymën e poetit, se dhe skaji tjetër do ishte frymor i pafrymë.  Ka një marrveshje tepër të veçantë midis Martin Camajt dhe atdheut.”Marrveshja rrodhi sepse unë nuk ia preva kurrë rrugën Dranjës”(f.75), ndërkohë as Dranja s’u muarr me të. Ka një kthim shpine nga të dy dhe, do vinte një kohë, që do gjykoheshin distancat e braktisja do rëndonte si baltë e rëndë mbi atdheun. Por poeti e ka atë me vete si pikë diellore në sy. Në ashtin e mëmëdheut ai sheh si në pasqyrën e botës gra e vasha, nuse, malësorë, zogj e flutura. Të gjitha mbi Drin. Atje është qafa e botës, si çdo vëndlindje për çdo poet. Dhe përmbi ,një hënë ku mbillen të lashtat, malin dhe detin, dëborën dhe delet…dhe shira të kithtë..Pulsi i poetit rrjedh në damarët e saj, por vetëm në gjumë.Gjithçka nderim dhe vuajtje, por jo harresë. Gati gati një zemër e përbashkët në dy trupa. Si dy enë komunikuese që çuditërisht, në këtë rast, nuk rrjedhin te njëra tjetra.. Dhe kënga e humbjes, për më të dashurin që mungon.., për Dranjën.
                                             ***
   Është e patjetërsueshe Dranja për poetin. Ajo, e vo-gë-la, mbart mbi shpinë të gjitha vulat e kontinentit. S’ka rëndësi perimetri i pafund i sferës, por pika e qëndrës, cilësia jo masa, zemra jo trupi. Për poetin që i ngrë ultësirat në Himalajë, ajo është dhe histori dhe dhimbje, por sidomos FRYMË, frymë e ngujueme në asht, e sidomos dëshpërim e mall poetik…Portrete me pamje të zbeta në pasqyra të grricura. Pasqyrë e njeritjetrit larguar.Si të gjitha mëndjet e ndritura të Rilindjes, gjak i shprishur shpërndarë gjithandej, por nga i njëjti burim zemre. Për Martinin vetëm në ide, jo në ndiesi, imazh ,jo prekje. Andej  prej së largu në një shtëpi të vetmuar, ai ka një turbullim të tmerrshëm poetik tek shikon nga dritarja zogjtë që fluturojë” zogj sa të zit e thoit”(f.76)..atij dhe breshkat e tjera (shtetet a fiset) i duken pa asht e pëlcet përbrenda  kur mendon vragat e ashtës së tij e zërin e idhët, klithmën e “zojës së vjetër tue rrah shkurret me njanën furkë” Dhe shtanget dhe pikëllohet “qysh se e humba sysh..”e shpreson se do ta shohë njëherë… Iku djalosh Martini dhe u thinj në pritje. Por,oh! Koha e pritjes e shpresës, dhe e mallëngjimeve, sosi… Atdheu kurrë nuk “shkoi”tek ai. Rrugët qenë thyer. Kish të bënte me një atdhe që s’kish nevojë për frymën e bijve të vet. Kjo është më tepër drama e atij që mohon më të mirën e vetvetes.…
                                          ***
   Shpesh ashti i Dranjës barazohet me ashtin e njeriut”pa kapuç shqiptari”, pa trajta malësorësh ngelur nëpër shtigje bore. Ia ka ënda ta paraqesë shqiptarin, jo vetëm shqiptar, por njeri, njeri universal. E këtë e realizon vetëm arti i madh, arti , që pamvarësisht ku lind, e kapërcen burimin e shkon në detin e të gjithëve.
   Të shqetëson qëndrimi i poetit ndaj atdheut, që kaq shumë heshti për më ballëndriturin bir të tij.Ai që jetoi në mes të Gjermanisë moderne me të gjitha të mirat për rreth, ai profesori i universitetit ku ligjëronte shqip, ai me aq shumë miq, studentë , poetë, akademikë, edhe mund të heshtte, edhe mund të urrente, por jo, thotë e gjithë vepra e tij. Ai e dinte se poeti pa atdhe është i parrënjë, i palumtur. (Mbi kulmin e shtëpisë së tij një krah shpendi  i zi si nata. Ky krah e ndoqi kudo që shkeli nëpër Evropë. Fatalisht i zi.) Këtu qëndron humnera shpirtërore e krijuesit, sepse vetëm atdheu të jep emër. Le të jesh i njohur në kontinent, le të barazohesh me poezinë më të mirë të kohës, vulat e vlerave, t’i jep vetëm atdheu. Dhe Martini kish aq shumë nevojë të verifikohej, aq shumë nevojë për dorën e nënës që e kish braktisur pa të drejtë. Dhe një zë intelekti nga të vetët, kurrë nuk e ndieu në vesh. Dhe vdiq pa e marrë vulën. Dhe kur i bëhej se dëgjonte një jehonë zëri nga ashta, asgjë e re, nga atdheu “mbi Drin”..E flaku zogun e borës kryepingul në xham e la atje dy pika gjaku”(f.96), dy pika gjaku si dëshmi, se heroizmi ka dhe trajtë tjetër.., braktisjen, harresën, ose moskuptimin ..
                                           ***
   Dranja tashmë është kujtim, ama, kryezonjë e librave të tij. Dhe “dëshiroj të mbesë përherë aty “(f.78). I ftohtë atdheu i Martinit, rrashtëgur. Mermer me statuja të vdekura, pa vena gjaku përmes. Por poeti ia fal heshtjen, fyerjen, mosnjohjen, mohimin, kokëpremjen, vetëm, ..(shihni sa pak kërkojnë poetët) të mbetet e vetmja hajmali “me mbetë gjithmonë para syve të mi si hana me fytyrë tjetër, gjithnjë e re dhe e vjetër në andrra e rrëmime..”(po atje) Shira të kithtë dhe borë dhe një brymë e përhershme vesh xhamet e mjegulluara të dritares..Fort mirë e di se një gjëmë i ka ndodhë Dranjës. “rrashtës i shihen tash(jemi në vitet 70`)vetëm njolla të gjelbra e rava e  deje gjaku..”Tash raportet e tij me të janë vetëm raporte dijesh e përvojash, histori dhe traditë dhe zhgënjim i plotë pa kthim.
                                                ***
   I virgjër.Si bredh. Që lartësohet në vetmi. Dallandyshja s’ka rrugë tjetër veçse të zbardhet. Në distancën që sa vjen e zmadhohet midis tij dhe atdheut, ka një mëri në mes.Një kthim shpine. Mur më mur. Dëshira për kthim tretet. Si plangprishës, jo se jo. Dhe ai bëhet vazhdimisht ATJE. I dëgjon tek zbrezin orteqet. “Është barrë e vrame në bark të nanës” e kafen e pi të hidhur. Dhe cermonininë e mortit e ngrë atje, atje ku vatra e shuar ndez qirinjtë, ku nxijnë rrasat e tumtarit, ku hesht i ftohtë rrethi i hirit,ku shqyen fytyrën ujku i habitur, ku një pishë e heshtur nusëron në hone, ku loti e djeg syrin faqeve të nënës mespërmes,…E guri u bë mall, e malli u bë qyqe, e qyqja u bë motër… E lugjeve të bardha qan me kujë : O vë-lla, ku je, në ç’gur a degë dielli je tretur, o Gjon, o Gjon ,o vë-lla…!
   Por,dhimbja për të nuk dhëmb më..
“Tash qëndrojnë pezull shkëndijat… bërthamat e dritës ose mardigalet e mia, varg.”
                                                  ***
   Kthimi i Martin Camajt tash së voni në altar, të kujton një dhomë muzeu,me çelsa në bravën e harresës. Është një akt kortezie pa e bërë të vetin. Formaliteti i ndereve dhe dekoratave për të, për Nënë Terezën, Ernest Koliqin etj., sikur të kujton një ftesë për të heshtur. Komuniteti shqiptar nuk është i gatshëm t’i bëjë frymë e veprim, funksion e pika referimi e, rrjedhimisht, jo lëndë të ndërgjegjes kombëtare.
   Dhe atje në altar, ka një heshtje të pëzishme, një kontraditë të mbyllur që nuk pranon të sqarohet. Dhe një kodoshllëk. Atje ku pranërrinë nderet e kombit, akoma çirren zërat panegjirikë për nënën Shqipëri, me gjak e lule mbuluar, dithirambe mbërthyer me gozhdë të ndryshkura, vaj pushkësh e male që s’dinë përse mendohen, bunkere e vrasje dhe skelete të zgjatura metalikë si me qënë një pyll armature.. Martini hesht. Si statujë që s’duhet të zgjohet nga mermeri. Por, dhe kështu, ai godet fisnikërisht si poet. Bleta është kthyer në flutur të murrme, anonime e popullore nga “ata që shkruajnë ndër ne” ..që vjelin në ty fjalë e trajta e rima “ figura të vjetërueme e deri shëmbëllesa ku fshihet palca e dhunës”(f.88) Ndryshimet e frymës poetike me folklorin –sqaron poeti-duken si motër e vëlla, por ndryshojnë esencialisht si gjumi e vdekja, që s’shihen për së gjalli në jetë, vetëm ti si libër e unë si rrashtë”
                                             ***
   Martin Camaj është poeti më modern që lidh natyrshëm poezinë e re shqipe me De Radën, Mjedën, Lasgushin, syth i ri përtërits i traditës më të mirë, sup më sup me poezinë evropiane.
E ,paçka se jo fizikisht pranë, Shqipëria është e gjithhershme, kryezonja e dremitur e ëndrrave të tij, paçka se herë herë e humbet besimin ndaj ashtës”si i ati që që shihte shpatullën e berrit dhe nuk i beson më profetizmit primitiv, ai gërmoi vazhdimisht në rrasht, në lëkurën e pergamenëve të lashtë e, atje, thellësive e honeve, gjeti fytyrën e saj, tempullare si të Afërditës.


                                             
 

         





SIRENAT E MODERNIZMIT

                                                                               
   Ka rreth tre mijë vjet që bien këto sirena. Si thirrje. Qënie magjike prej zëri. Të pacënuara vijnë drejt verbërisë së këtij shekulli që sapo hyri, i lodhur e i trishtuar, ku fjala e verbër gjithnjë e më tepër i afrohet parasë së verbër. Por syri dhe veshi s’është kusht për atë që do të shohë e të dëgjojë. Gjumin e madh dhe mosdijen, nuk e zgjon asnjë sirenë. Sirenat bien e bien për specje të përveçme. Për atë joshje e kumbim të veçantë, për botën e madhe të artit. Të ardhur për së lashti  për të kalëruar në të nesërmen e çdo brezi krijuesish. Për të parë e dëgjuar edhe atë që nuk ekziston…

                                       SHTRATI  MITIK

   Homeriada nis me thirrjen: “Këndo ,o hyjneshë mëninë e Akil Pelidit…” Ishte koha e Apolonit. Koha e ndritshme e muzave, frymëzimit dhe pasioneve të mëdha. Apoloni, biri jashtë martese i Zeusit dhe Letosë,kishte lindur në një ishull të lëvizshëm. Kapërcyell midis mitit dhe artit të kultivuar. Ai është perëndia e dritës, faqja e bardhë e mermerit ku duhet të shkruhej ndryshe memorja poetike. Jo më kot ishte i pari i muzave (hyjneshave) dhe drejtonte të nëntat bija të Zeusit, që pëfaqësonin poezinë,tragjedinë,muzikën, elegjinë,komedinë, himnin, vallen, dhe historinë e astronominë si dije. Kish kaluar koha e artit dionisian, simbol i verës, valles e gëzimit. Dionisi sikur nuk ia mbushi mendjen njeriut se ekzistenca e tij është orgji e gëzim pa fund. Më i pranishëm Hertmesi ,stërgjyshi i Odisesë, perëndia e shndërrimeve që i tregoi njeriut nevojën e ndryshimeve, shprtin e trazuar të shpirtit njerëzor, për të ardhë te Apoloni, si finish e fillim të ri, përfaqësues i një drite të re shpirtërore, që shfaqet në kulturën greke si kampion i një qytetërimi të ri. Apoloni ,me lirën e Orfeut në duar , është kalimi nga miti në artin e kultivuar. Festat e Delfit, festivale të këngës e të valles, lidhen me vrasjen e gjarprit Piton prej Apolonit. Prej këndej u shpërndanë dhe ekzistojnë edhe sot në të gjithë botën deri në san remot e eurovizionet moderne.
   Homeriada është kryevepra e simbolit që prek indirekt të gjitha dijet dhe përvojat, nga njeriu te prënditë e Olimpit, nga nëndheu i Hadit deri te qiejt e Parajsës. Ishte arti i kultivuar që tenton harmonizimin e kaosin misterioz të miteve në idenë e botës harmonike, kalimi nga Dionisi te Apoloni, nga natyra te njeriu, nga fati te liria, nga folku te poeti e së fundi nga njeriu ballkanas te njeriu universal.Gjithnjë e më tepër sikur zbresin perënditë nga froni. Heronjtë e Homerit janë njerëz dhe gjysmëperndi  Vendimi i Zeusit për të mos i ndihmuar akejtë, fut në poemë krejt botën olimpike duke i ndarë perënditë më dysh. Odiseja përcaktohet midis zëmërimit të Poseidonit dhe simpatisë së Athinasë e të Hermesit, që e shpëtojnë heroin nga të gjitha kurthet. Diçka nuk shkon mirë as në qiell, as në tokë, as në Had. Mbi tokë sirenat që të vrasin me tingujt e bukur, në qiell perënditë që hedhin rrufe e mallkime, në Had zërat misteriozë e të frikshëm të vdekjes. Në këto hapësira udhëton njeriu helen, bën një copë udhë i lodhur e mëkatar e bije, nuk di se ku, a ngitet nuk di për ku. Por ka dhe Odise që i kapërcen të gjitha pengesat. Ka dhe Homer që u bije sirenave të jetës e të vdekjes. E më poet është pranë njeriut si Hektori që vritet barbarisht nga Akili, i cili është heroi i forcës, i lavdisë fizike dhe armës, por i njëtrajtshëm në lavdinë e tij. Ai ka një ngyrë si Apoloni.
   Po unë e kam fjalën te

                                         ODISEJA,

 kryekalorës i artit, tek ajo gurrë, që ka frymëzuar romanin  modern të Evropës e më tej…Sepse Odiseja është poema e qytetërimit apolonian edhe kundër Apolonit,sepse ai është i shumëtrajtshëm, i shumëngyrshëm, i shumëzërash., koncentrat i zgjuarsisë njerzore dhe kryqëzim kulturash; është personazhi më modern i pajisur me të gjitha veset dhe virtutet njerzore, mashtrues e dinak,i zgjuar e i urtë,shpikës dhe udhërrëfyes, besnik dhe dashnor,kureshtar dhe praktik, shpirtbutë e cinik, atlet dhe filozof, gjeneral i mendjes më tepër se i forcës…e me këto Homeri do të thotë se heroizmi ka dhe fytyra të tjera veç asaj të Akil Këmbëshpejtit. E thënë shkurt, e gjitha kjo është lënda më magjike e artit modern, burimi më madhor e i pashtershëm që ka ushqyer të gjithë letërsinë e madhe.

                                              * * *
   Më të famshëm se shpikës i kalit që shkatërroi Trojën, Odisenë e bëjnë peripecitë e kthimit në Itakë. Veç anës tërheqse, ku fantazia kapërcen mbi mendjen e njeriut,udhëtimet e tij janë përpjekje për njohje e dije. Njeriut që po ndahej gradualisht nga perënditë, i duhej të mësonte për gjeografinë e historinë, për popuj e mbretër, për mite të tjera e përralla, për kuçedra e dete të tjerë. Pa harruar kurrë Itakën, atdheun si tokën ku lindin pleksen të gjitha ndjenjat njerzore. Por dija, lumturia e arti të kërkojnë sakrifica e flijime pafund. Odiseja është heroi i detit e zbulimet e mëdha kanë ardhë nga deti. E gjithë aventura kryhet nëpër dallgët e detit nën hakmarrjen e Poseidonit. Ai udhëton prej Troje në brigjet e Turqisë, gjithmonë i befasuar e i përballur me ishuj, popuj, mbretër të panjohur e femra të bukura. Dallgët e nxjerrin te Lotofagët e Afrikës, nga ishulli i Circes në Itali te Lestrigonët e Korsikës,nga Elini në Maltë te Kalipsoja në Spanjë dhe më tej në Oqeanin e Thinjur, diku në veri të tokës për të zbritur në Had, në mbretërinë e të vdekurve, pa shpirtin e të cilëve, dijet tona do të ishin të mangta. “Ekziston qëllimi-thotë Kafka-, por asnjë udhë. Udha s’është gjë tjetër veç mosvendosje”.

                                      SIRENAT

Odisenë e trullosi bukuria femërore e Kalipsosë, Nausikës, Circes dhe sidomos,kënga e SIRENAVE, më tepër se mënia e Poseidonit dhe zbritja në Had. Sirenat, ato qënie me fytyrë e gjoks të brishtë femre e këmbë zogu ose bisht peshku, tërhiqnin të gjithë kalimtarët. Ishulli i tyre e kish mbushur qiellin me këngë e melodi magjepsëse dhe tokën me kocka njerëzish. Quhej ishulli “Anthemoezes”, d.mth.,ishulli i luleve. Kontradikta është e thiktë: Kënga dhe vdekja. Lule dhe kocka. Kënga si kënaqësi sublime, por dhe mashtrim e kurth për të të çuar në Had. Mos vallë vdekja të qaset me tinguj magjikë ? Mos duan të thonë se gjithçka që i ndodh njeriut e ka një fund ? ç’është Hadi?,mbretëria e vdekjes apo kapak floriri i të gjitha mundimeve ? Përfytyrimi i Ferrit dhe i Parajsës është bërë nga poetët, pa u verifikuar. Që nga Homeri,Jezui, Dantja , Miltoni etj.

                                                  * * *
    Sirenat, ose muzat, ose hyjneshat janë produkte shpirtërore. Ato shfaqen si këngë, si zë e art, joshje,frymëzim i skajshëm e pjellor si toka. Ato janë tinguj të brendëshëm. Pa to askush nuk mund të shkruajë, të pikturojë, të kompozojë a të këndojë. Është ngasja fillestare e shpirtit krijues.Nëse do të mbyllej kjo dritare, tek poeti do të thyheshin të gjitha xhamet brenda tij. “Nëse nën qiellin tim,ju do të vdisni një ditë/papritur do të shpërthejë një zjarr gurësh”(Enis Batur)… Muzat, po pse si vdekje ? Për mua, jo. Para se hiri të bëhet hi,kemi simfoninë e pemës, të trungut,të flakës, të prushit. Qiriri s’është prej dylli, por prej shpirti,qënije e pavdekshme, sepse dritën e lë në ajër. Metafizika e sendit ose e trupit që vjen duke u zvogëluar e zhdukur si materje e verbër.
                                                   * * *
   Sirenat me këngën e tyre të qajnë për së gjalli. Ato dinë gjithçka sidomos të sigurtë fundin e pashmangshëm. (Vajet shqiptare, gjëma, në isopolifoni ose solo, e ngrënë këngën elegjiake rreth të vdekurit jo të gjallit që dëshirojnë të vdesë.)Sidoqoftë kemi një shpërthim ndjenjash, një ofshamë shpirtërore, që e ka zili edhe kompozitori..Sirenat të vrasin me këngë ; të vret poezia dhe tingulli. Të vret e panjohura. Të vret prova e kënaqësisë shpirtërore.Ose ajo që nuk është thënë. Janë ata tinguj të mahnitshëm e harmonikë që nuk të vinë nga ajo që sheh ,por nga ajo që dëgjon e ndien. “ Eja ,eja Odise! Asnjë s’ka kaluar para nesh, pa u vënë veshin këngëve tona, që ëmbëlsisht na fluturojnë nga buzët.” ( Me vaje u përcoll dhe Akili. Muzat qanë për të 17 ditë e net pa rreshtur. Kujto perlën e eposit tonë, “Vajtimin e Ajkunës”..t’u shkimtë drita mori hanë…vikama e gruas shqiptare  godet e mallkon hënën me kujë, me të qarë..godet hënën që rri varur mbi ballin e vogël të Omerit të vdekur.., kujto kabatë e mrekullueshme të gërnetës së jugut. Dhe gratë labe që qajnë me ligje..Kujto lirën e Orfeut që ngriti  të dashurën nga varri.!  Dhe atë këngën e madhe shqipe ..Mike, mos shko nëpër varre se të vdekurit i ngjalle …)
                                                  * * *

Direkun e anijes së Odisesë , studjuesit e kanë krahasuar me një gur varri vertikal dhe Odiseja i lidhur në të,është hija e vetvetes.., anija e tij është varka e Karontit plak, që të çon drejt Hadit, nën muzikën vajtimtare të sirenave. A thua te kjo anije e gjeti frymëzimin gjeniu i vetmuar, më modernisti, A.Rembo, që shkroi “Anijen e dehur”, apo Xhojsi që i bëri të heshtura sirenat,sepse në sfond dëgjohej një këngë popullore ?)..
   Dua t’i përfytyroj sirenat dhe si zëra të natyrës, pa personazhe. Eshtë një kompleks misterioz zërash e tingujsh, që nuk hidhen në pentagram ; zëri i erës,shushurima e dallgëve, kënga e shiut dhe e malit.. të gjitha janë në ajër, tinguj që formohen hapësirave ose gjushticave si në faqet e një fyelli dyar. Është kënga e tokës. Njihet që nga lashtësia shushurima simfonike e gjetheve në lisin mitik të Dodonës; një vërshëllime që hidhet lart , në tempull nëpër gypat zanorë që japin e marrin me Zeusin. Dhe ato zanat e bjeshkëve tona.. dhe Djana ,kaq afër pyllit dhe cicërimës së zogjve. Çabej i quan “ zëra të natyrës dhe të ndërgjegjes njerzore”.

                                           * * *    
   Në pengesat dhe rrugëzgjidhjet që i ofrojnë perënditë Odisesë, nuk ka rrugëkalim të arësyes njerzore. Ai është personazh fiksioni, produkt i fantazisë. Si në romanin modern.E llogjika shndërrohet në fakt estetik. Si absurd.Çdo njohje e vërtetë është e pamundur, por Odiseja tenton për t’i mundur sirenat. Ka me vete universin e ambicjes, egoizmin dhe gjithnjë është në krahët e aventurës. Është metafizika e një mënyre të menduari që për masë, ka pasqyrën e narcistit. Liria e tij është përkushtim, Odiseja, qënia e lëvizjes të panfundme të dramës njerzore, nën mbikqyrjen e sirenave të melodive të bukura, por sidomos lumë, lumë që rrëshqet për në Had.
   Deti e hedh nga krahët e Kalipsosë, në të Nausikës e Circes (sirenat e ëmbla) për të provuar ato të rrezikshmet sirenat e vdekjes deri në fund të udhëtimit. Mua më quajnë, “Asnjë”- i thotë ai Polifemit. Në fakt heroi ynë është “asnjë dhe kushdo”. Është njeriu kurth, dinakria dhe përfaqësuesi. Të gjitha rrugët e çojnë nëpër kurthe. Edhe se ai është mëkatar. Eoli, mbreti që ia mblodhi erërat në një kacek ,i kthehet kundër dhe perëndia Helios se shokët e tij hëngrën demat e diellit.Antifati, mbreti kanibal, ia kap shokët, ia shqyen e i ha për drekë. Ngjarjet kundërshtojnë porositë e Circes,Eolit,Tirseut, madje dhe të Hermesit dhe Athinasë që e lënë ta vuajë dramën deri në fund të çdo aventure e  shfaqen në çastin final si “deus ex machina”.. Shokët i shfarosen shumë herë, i kthehen dhe në derra e ai duhet t’i kapërcejë të gjitha. Zbritja e tij në Had është nga skenat më të terrta që ka shkruar poeti. (Me siguri Dantja është bazuar këtu që krijoi ferrin e famshëm). Hadi qenka diku në veri, në bregun e trishtuar të Kimerenjve. Mjegull e ftohtë,erë dhe errësirë. Gjithçka nxin. Dhe delet për flijim, të zeza janë. Odiseja hap një gropë të zezë, derdh në të gjakun e zi të deleve të zeza e sakaq shfaqet turma e zezë e shpirtrave, e, që të flasin , u duhet të pinë nga gjaku i zi. E këtu ai sheh të gjitha hijet e heronjve grekë., Agamemnonin që i qahet për Klitemnestrën dhe dashnorin e saj, Egistin që e vranë me sopatë në banjë, takon hijen e Akilit e Patroklit, Elpinarit mikut të tij të mbetur pa varr,Antilohun dhe Ajaksin, mbretin Minos, gjyqtarin e të vdekurve, sheh Tantalin që u vodhi perëndive pavdekësinë, Sizifin, Herakliun dhe hijen e nënës së vet..
Një parantesë: (Më duket se nga homerologët është nëvleftësuar Antiklea, nëna e Odisesë, që i shfaqet atij si hije nga nëndheu i vdekjes, Kur ajo mori vesh se i biri ishte zhytur në krahët e Kalipsosë, plot shtatë vjet, nëna shfaqet si sakrificë. Yjet qenë ngrirë dhe asnjë shpresë s’kishte për kthim. Atëhere ajo vret veten që t’i hapë udhë Odisesë si një dhimbje nëne, që thërret me zërin më të lartë se të sirenave sa  bën që dhe yjet të tronditen. Odiseja zgjohet, ju ikën kthetrave të bukurisë femërore. Sirena e nënës vjen e kumbon si urdhër perëndie për kthim me çdo kusht në familje, në Itakë..) (A ka tundim më të fuqishëm e më të pasur se kaq për letërinë moderne ? Cili nga gjenitë e letrave nuk piu në këtë burim e nuk u bë i kaltër ?) Por fati është akoma i zi..
Dhe duhet nxituar të dalësh nga Hadi, sa pa Persefoni të mos zgjonte Gorgonën e tmerrshme, që po ta shohësh të kthen në gur. ( Dhe zanat   tona,ose Orët e bjeshkës si Gorgona, i gurëzonin ata që kalonin pranë tyre duke kënduar. Ndoshta duan të thonë se kënga e shpirtit dhe bukuria  është pronë e femrës, muzave)

                                            * * *
   Odiseja është heroi i Greqisë veriore. Atë e tmerroi bregdeti shkëmbor ku bënin roje Shkilla dhe Karibda, këto kuçedra të përmasave të grykave të maleve të thepisur që gllabëronin anije e njerëz.. Shkilla hapi gjashtë gojë tmerri e i hëngri gjashtë shokë. Karibda edhe më e tmerrshme. Ajo gëlltiste detin me gojë vullkani e villte ujë të valuar. Buçiti me llahtarë dhe ia përpiu të gjithë luftëtarët.Rrugës për në Itakë Odiseja ka kaluar më këmbë dhe në Dodonë dhe në Thesprotinë e Epirit.E , ndoshta Shkilla e Karibda janë diku në bregdetin shqiptar e , pse jo edhe Hadi. Dhe shpellat e Polifemit atje janë. Këtu u përplas Çezari me Pompeun. Shkembenjtë akrokeraune janë të tmerrshëm për kalimin e anijeve. Kështu i vlerësoi dhe çezari kur zbarkoi në Paleste të Himarës. Këtu deti hedh furtunë, shkumëzon si oqean  e dimri me egërsinë e tij ngrihet vertikal mbi buzëdet. Disa hamendësojnë se Odiseja si dhe Homeri, fliste dhe gjuhën pellazgoepiriote. Nuk e di, por jam i sigurtë për një ndërthurje e kryqëzim kulturash helenë e iliroepiriotë. Nuk di, po teza e shumë studjuesve se kultura pellazgjike është porta e parë e kulturës evropiane që u hap madhërisht për ilirët e helenët, maqedonët e thrakët, duhet vërtetuar . Historianët e vjetër, jo vetëm grekë, pohojnë për kontakte të pakëputura zakonesh, këngësh, mitesh në të gjithë sferën materialo shpirtërore të këtyre popujve nga më të vjetrit në kulturën evropiane.
                                              * * *
Aventura e Odisesë zhvillohet midis ekstremesh ku perënditë vendosin ekuilibrin. Me sa duket dhe në fronin e Olimpit drejtësia është e përthyer.Nga njera anë hakmarrje e Poseidonit dhe sirenave të vdekjes e nga ana tjetër dashamirët Hermesi e Athinaja. Perënditë tjetërsohen në zogj, hije, erë, pemë ,zë, njerëz.(I pamëshirshëm Poseidoni godet me sfurkun tredhëmbësh detin e deti ngrë dallgët mal e humnera. Është simboli i hakmarrjes së pakufishme që udhëton me kuaj të padukshëm nën ujë. Hermesi vesh sandale me flatra e i shpejtë si mendimi  i kudogjendet Odisesë…Na dhe hakmarrja e diellit që kërcënon se do zbrezë në Had që bota të mbulohet nga akulli dhe errësira..Në skenë këndojnë sirena të kundërta. Tjetërsimi i personazheve, metamorfoza e tyre, siç dihet është karakteristikë e romanit modern fiksional)
… Kur anija po i drejtohej Itakës, Poseidoni e kthen në shkëmb dhe e mbulon (atdheun) me mjegull deri në mosnjohje. E Athinaja e kthen Odisenë në lypës plak për të gjetur dinakërisht Telemakun, (të birin), Laertin, (të atin), Penelopën, rrethinat e tij të dashura e drama spërdridhet derin në fund me hakmarrjen përfundimtare ndaj kundërshtarëve që i lakmonin fronin mbretëror dhe gruan. Dhe fund.
                                          * * *
   Po aventura e sirenave nuk mbyllet këtu. Ka mijra vjet që vazhdon aventura e poetëve. Itaka s’është kjo. Më mirë që Poseidoni e mbuloi me mjegull. Itaka s’ka kuptim tani që Odiseja u kthye. Pastaj, kush tha se Odiseja u kthye ?! Jo. Ai vazhdon aventurën.Vetëm udhëtimi i tij është HARKU I TRIUMFIT. Nga një atdhe te tjetri.Nga një qytet i kufizuar në një qytetet të lirë. Nga qyteti në një qytetërim si dije dhe kulturë tjetër. Pa brigje. Triumf i pafund. I paarritshëm si kënga e sirenave që të përndezin shpirtin. Si trojet e poezisë me maja të padukshme mjegullore.

                                                                                                                                                                                                      Athinë janar- shkurt 2007










                   
                  ZITO    ZORBA                                                          
                                                 
(ME NJE  HYRJE NGA POETI STEFAN MARTIKO)              


NJë SPROVë E GUXIMSHME

Në fakt duhet mësuar ende se ç’është në të vërtetë ky Kazanxaqi, ky univers të cilit shkrimtari Pirro loli i afrohet me guxim. Dhe kam pyetur veten, pse vallë ka përzgjedhur këtë temë ku risku për të humbur është tepër i madh për këdo. Si çdo univers Kazanxaqi është ndjellës si Itaka për Odisenë, sikur atje të jetë përherë e humbur mëma që na ka lindur. Doja t’i jepja një pasaportë, pikërisht, kësaj përpjekjeje kaq serioze mikut tim të letrave, gjerësisht i njohur Në emigracion si krijues në poezi e në prozë. [Ai ka botuar pesë vëllime me poezi e katër romane si dhe librin “Kosova saga e Ballkanit”,(me bashkëautor), ndërkohë që është më i njohuri edhe në fushën e eseve dhe kritikës letrare.] Por nuk qenka kaq e lehtë përderisa Kazanxaqi, për të cilin shkruan është ,sidoqoftë ,një enigmë që ka joshur shumë mendje të mençura për t’iu afruar. Nuk e di kush ka mbërritur më saktë. Dhe nuk mund ta pohoj në ç’largësi ndodhet Pirro Loli në udhën drejt këtij objektivi sa të vështirë,aq dhe të mbrekullueshëm. Shoh një preçedent që një autor shqiptar i afrohet një ishulli enigmatik. Niko Kazanxaqi e ka emrin Kretë, ishull,që autori Pirro Loli e krahason me një kitarë të madhe shtrirë në det, ishull që lundron  në një det plot mistere, ku ende mbeten për tu zbuluar labirinthet e Herakliopolit, minotaurët, ajo legjendë prej së cilës duket se vjen vet Kazanxaqi deri te Zorba. Pirro Loli ecën drejt kësaj enigme e duket se ka një jetë që po vrojton ishullin ku më në fund do të zbarkojë i sigurtë. Siç i afrohet Eskilit Ismali ynë i madh në një garë të pashëmbëllt eskiliane, të cilën,me sa duket përfundimisht e ka fituar. Autori i këtij libri,disi te veçantë, preferon të rimarrë autorin dhe personazhin e jetës së tij nga i njëjti atdhe, por në një kohë më të vonë kur qytetërimet kanë filtruar përmes humbjeve tragjike si dëshirë e ëndërr. Kazanxaqi-ky trill i jashtezakonshëm letrar, qenka i destinuar vetëm për tu eksploruar. Pikërisht ky guxim krijues është impresionues sepse të duhet të nënshtrosh gati një mit. Për këtë duhet të jesh i pajisur me gjithçka, talentin dhe kulturën e nevojshme, por dhe synimin e lartë artistik si ambicje për të zgjeruar dhe rrethin e unteresave, të cilat nuk mungojnë te krijuesi i këtij libri, ku mjeshtërisht, na jepen mendime dhe ide për jetën ,filozofinë,letërsinë, artin,seksin besimin ,lirinë etj. Pirro Loli i kapërcen pragjet me guxim dhe na ka dhënë një libër kaq interesant për një libër tjetër ; një kazanxaq i dorëzuar ambicjeve të tij, një Zorbë sa Kretas e grek,aq dhe ballkanas, mbi të gjitha njeriun si qënie, por dhe një tjetër brenda tij, që është duke dalë humbellave të thella të subkoshiencës. Zorba tjetër gjithnjë mbetet i panjohur. Pirro Loli trajton këtë temë duke ushqyer dyshimet e tij, në nje shtytje sa letrare dhe shoqërore, një Zorbë që vesh kostumin folklorik për ta paraqitur popullin e vet e në kontakt të përditshëm me pasardhësit e Zorbës rrugëve të Athinës, duke banuar mes tyre e duke dhënë e marrë gjithmonë mesazhe njohjeje e mirëkuptimi. Është meritë e Pirro Lolit fakti mbresëlënës që një autor shqiptar mposht çdo lloj kompleksi dhe pranon një sfidë të tillë të vështirë. Jo si një dëshirë për të luajtur por edhe për të zbuluar sepse për zorbiadën nuk është thënë ende gjithçka. Autori argumenton se Kazanxaqi, duke koncentruar mendimin filozofik të besimeve te lashta e moderne, operon në tavolinën e vet jo kavje, por njeriun që gëlon duke nxjerre klithma pas çdo prerjeje që i bën autori. Pirro Loli këtu duket se ka kapërcyer pjesën më të vështirë të misionit të vet. Kështu Buda,Shopenhaueri, Niçja e Dantja, Zoti dhe shejtani…, të gjithë kanë pjesën e tyre në krijimin e kësaj gërdalle që kazanxaqi e quan Zorba. Autori i esesë gjithsesi çel një shteg ku mund të ecet. E parë në tërë kompleksitetin e vet kjo përpjekje është lufta për t’i mundut titanët.
Në këtë drejtim, guximi për tu ndeshur, është gjithsesi përgjegjësi e këtij autori. Pirro Loli në gjithçka që shkruan(jo vetëm në këtë libër) duket se na lëshon thirrjen  : “le të guxojmë !“
   Kultura shqiptare përmes një zëri të saj në këtë rast dëshmon veçse pjekuri, vlerat më të mira të saj e bashkëjetesë pa inferioritet në kulturën evropiane.” Zito Zorba “,libër interesant për lexuesin grek dhe shqiptar !
Të lumtë ,Pirro !
                                                                         
                                       



                         



             
                                           

                                             




               

     Kur shkova për herë të parë në Kretë , u ngopa me det e në çdo hap më dukej se do t’i takoja të dy. I kërkova bregut detit e kafeneve. Dhe i gjeta. Ishin të dehur e hidhnin valle krahpërkrah në një zallishte buzë detit. Si dy shpendë të stërlashta që jepnin e merrnin midis tokës dhe detit. Mbi pendët e tyre të bardha, binte drita e hënës e yjet tringëllinin zilet e argjenta e pak më tej deti ngashërehej…Më dukej se kisha folur me vete për dy të njohurit e mi Të vjetyër e aq të dashur. Poeti dhe Zorba, krahëhapur, po më thërrisnin në vallen e tyre..E për ditë do shtronim gunën e do kuvendonim për Kretën e bukur shtrirë si kitarë në det, për miqësinë e filozofinë, dashurinë dhe seksin, këngën dhe vallen, letërsinë dhe artin. Zorba nuk kishte ndryshuar fare. Më kot donim t’i mbushnim mendjen për një vështrim të ri të gjërave, se,” helbete “, Greqia ishte futur në Evropën e Bashkuar. Por Zorba s’kishte vërë veshi. Kish mbetur ai që kish qënë në vitet 40’. Hingëllinte dhe hidhte shqelme si mushkë…

                                                    ***

       Që në kryeradhë Niko kazanxaqi pranon se ata që lanë gjurma në botkuptimin e tij, janë Homeri, ai sy me dritë shkëlqimtare si disku i diellit, që ndriçon gjithçka me vezullimin e vet të praruar, Bergsoni,  që e paska çliruar nga ankthet e ngatërruara filozofike, Niçja që e pasuroi me ankthe të reja dhe Zorba, miku dhe personazhi i tij, që e mësoi ta donte jetën dhe të mos i trembej vdekjes.
   Dhe që në kryeradhë ngrihet pyetja: si është e mundur që të krahasohet Aleks Zorba, një i pashkollë, me plot aventura e vese mbi shpinë, me tre  nga kollozët e kulturës botërore ?                                                  
   Të dy miqtë e vjetër vendosën të hapnin një minierë qymyri në Kretë
dhe dështuan, dështuan dhe në ndërtimin e një teleferiku për transportimin e trungjeve e më pas, miqtë ndahen për të mos u harruar kurrë. Zorba është një bërthamë që çliron në çdo hap të jetës së tij energji,
miqësi, dashuri e virtute e, njëkohësisht, një mal plot zullume njerëzore; ka vështrimin e shqiponjës që e dallon prenë së larti, naivitet krijues të pashuar, kuptimin praktik të ndodhive, virgjërinë e përjetshme të elementeve që përbëjnë jetën e tij, jrit, detit, zjarrit, gruas, bukës…Dorë e sigurtë, mendje gjithmonë e freskët, mendim dhe ndjenjë  me atë të qeshurën e tij të vrazhdët, që i gurgullon së thelli.E kur e sheh keq, kur goja nuk i thotë dot ato që duhen, ia merr këngës ose brof në valle. Sepse, i tillë, Zorba dështoi në minierë, por shërbeu për krijuesin e madh si një galeri e pasur me plot thesare përbrenda. Ai shkatërron të gjitha muret e moralit, fesë, atdheut, shoqërisë, njeriut dhe Zotit dhe kështu e quan veten të lirë. E ky farë fshatari i pagdhendur, i dha autorit tru prej luani, tru, që shvleftësojnë filozofët e mëdhenj, që hapin sytë e njerëzimit dhe arrin deri atje, ku Zorba i bën thirrje të braktisë lapsin e letrën e të bëhet njeri. Ky plak i bukur e madhështor, depërtoi në psiqikën e autorit me tërë mënçurinë dhe arrogancën e tij e, kështu siç e kemi tani, në bojë e letër, u kthye në mit grek, ballkanas e  më tej.Ndoshta loja e fantastike e aktorit Antoni Kuin, e ka bërë Zorbën edhe më të pavdekshëm. Kur bashkohen talentet e mëdha, autori dhe aktori në skenë, ngjet mbrekullia e ajo quhet Zorbë.
   Autori dhe personazhi i tij vinë nga dy botë të ndryshme. I pari nga bota e dijes, nga sëmundja faustiniane e të nxënit, i dyti nga jeta, nga jeta si fakt me të gjithë ashpërsinë, dyshimet, hamendjet. Dhe të dy takohen në një pikë, fillimisht si miq e llogjika ta do të kuptosh inferioritetin e Zorbës, por jo. Triumfon ky. Zorba është bukuria vetë, shpirt që merr  krahë në punë e në valle e në epsh, në gëzime e në dhimbje, protaganist në haje, kur i qëndron pulës së pjekur e verës, horr horri kur bredh nëpër gra, por dhe me shpirt poeti. Ai tregon për detin e dëborën, ujqit, komitët, vejushat, e përbrenda është i mbushur me mister, lotë e tinguj të çuditshëm. Dhe ti bëhesh Zorbë.
   Zorba është një poemë dramatike, pemë degëshumë që deri në fund mbetët me lastarë të njomë,  jo një emër në një minierë, në luftë a në valle, por një filozofi, një botkuptim. Ose zorbabotë. Autori e ndjek personazhin e tij hap pas hapi, e zbulon gradualisht në çdo qelizë, dashurohet me të deri në dhimbje, tronditet e infektohet nga ai deri në tjetërsim. Këtë provon edhe lexuesi e kjo ka të bëjë me artin e madh. Në esencë, ai është kundër mikut të vet, por miku e ka pushtuar e autorit aq të ditur, i vihen në pallancën e dyshimit dija, filozofia, arti, libri.Gishti i trashë i Zorbës e prish pallancën e të gjitha rrëzohen e bien nga ana e Zorbës e të gjitha duken si komplekse të kota që ndotin ajrin.


                                       LIRIA  E  ZORBËS

  Mbi të gjitha Zorba çmon lirinë. Për të “ njeriu është një pleh e liria një lule që mbin mbi të” (f.28, “Jeta e Aleksis Zorbas” , roman, përkthyer nga Stavri Dajo). Ai ka parë njerëz që i gëzoheshin fitores në luftë dhe i gënjente mendja se kishin fituar lirinë, ka njohur pasanikun Jorgo që grumbullonte flori dhe e ndjeu veten të lirë kur e flaku thesarin; ai ka njohur  kallojer Zaharinë në një manastir, që fitoi lirinë kur e braktisi dhe i vuri zjarrin manastirit. Për Zorben, të çlirohesh nga pasionet për racën, klasën, atdheun, d.m.th., të fitosh lirinë; të çlirohesh nga besimi,madje dhe nga zoti,do të thotë të luash në një lëmë të madh lirie e të të duket vetja e lirë  si zog në ajër. Te vetsiguria e njeriut flë liria, te arratisja nga çdo gjëndje( Zorba kish bredhur vërën e dreqit kudo ku e shihte veten më të lirë). Ai vepron kudo e kurdoherë sikur vdekja nuk ekziston. Ai është peshkatar i rastit, e merr jetën siç i vjen, tallet me të dhe e sfidon fatin.Tani ai ka përpara një pulë të pjekur dhe verë. Ha, shqepet e njësohet me pulën e verën sikur do vdesë në cast, ka përpara galerinë e minierës, sulet, djersin, nxihet nga qymyri e lodhet deri në dhimbje.Dhe nxiton, sulmon i shpenguar mbi femra, kundërshtarë, miq e armiq, bie plotësisht mbi këngë,mbi valle;  shkrihet, sepse është i lirë. S’ka as Zot ,as shejtan, o njeri, na thotë Zorba, prandaj merrja këngës, vallzo ta vësh vdekjen kokëposhtë. Kjo filozofi, me origjinat në grekët e lashtë të Epikurit, apo në gëzimet e jetës dionisjane, te Zorba është mbisunduese.  kjo e bën të pamposhtur e të lirë sepse nuk beson askund, nuk ka frikë askënd. Këto premisa lirie e bëjnë të llomotisi e të filozofojë edhe për lirine e të tjerëve, për jetën, shpirtin, shoqërinë e luftën, për seksin, kishën e vdekjen.Atij nuk ia bën syri tërr edhe kur dashuron edhe kur vret; barbar dhe i egër, por dhe i butë, shpirtlehtë e i dhimshëm si poet, ai të bën përvete, kur sokëllin me urrejtje e kur hesht i emocionuar tek shikon retë, që vrapojnë, detin që psherëtin, një flutur apo barin e gjelbërt e krejt Kretën shtrirë si kitarë madhështore në det.
Por Zorba nuk mund ta kuptojë se dhe liria e tij është relative dhe nuk është e mundur tu shmanget privimeve. Ai nuk e ka idenë e shpirtit, që, tek çdo njeri, papërjashtim, gjendet në një lartësi absolute; ai nuk e kupton se veçanërisht shpirti i tij tenton të jetë i lirë e është i detyruar orë e çast të kapet në valle me substancat e ngurta e dridhet nga frika se mos e prekin qoftë edhe pak ligjet e egra të trupit e të natyrës si shëmtia, relativiteti, shkatërrimi. Më kot Zorba mohon shpirtin dhe Zotin. Pa e kuptuar, kështu ai e humbet lirinë. Kosta Varnalisi na duket më i saktë kur thotë : “ Le të kridhet trupi në baltë,shpirti është gjithnjë i pastër…nuk ndien dhimbje, nuk vdes, nuk vuan nga padrejtësitë dhe nuk kundërshton pasi vetëm ai është i lirë.” Rrjedhimisht, Zorba nuk mund të presë liri shpirti perderisa ai nuk e njeh atë.Me sa duket ai ngatërron lirinë  e pistë të trupit me lirinë kaltëroshe të shpirtit e s’mund të thuash se shikon qartë.Greku I madh, Varnalisi shkruan:”Sa më tepër i verbër të jetë i përvuajturi, aq më drejt ecën në rrugë.”( në këto shënime do t’i rikthehemi  lirisë së Zorbës edhe në raporte të tjera)

                                 LIRIA  E SHKRIMTARIT

Ndërsa  Kazanxaqi i ka dhenë këtë liri mikut dhe personazhit të tij Zorbës, tregon, më së paku, lirinë e tij krijuese.,natyrisht jo ala zorbçe. Në esencë autori e pëlqen lirinë e tij pa kufinj.E pëlqen, jo pa tronditje e frikë, ose e pranon aq sa i duhet për të gdhendur karakterin e Zorbës me të gjitha ngjyrat. Si intelektual e krijues, ai s’mund të veprojë si personazhi i tij, paçka se e ndjek atë hap pas hapi me simpati. E ai e kupton se jeta është më e gjerë se letërsia, por ama, e di, mirëfilli, se libri e bën jetën më të pasur e bota – siç shprehej Mallarmeja _ është bërë për të përfunduar në një libër. Ai kurrën e kurrës nuk mund të braktisi librat ,siç i thotë Zorba që të fitojë lirinë. Libri ,pasioni krijues është trhelbi i jetës së tij. E duket se të dy kanë të drejtë, Zorba si Zorbë, që është ngopur nga përvojat dhe i ka braktisur të gjitha, fe,moral , atdhe e shoqëri dhe kapardiset se  mund të bëjë ç’të dojë. Ai ka arritur në këtë majë lirie pasi nga tejngopja i ka vjellë të gjithë elementet që përbëjnë lirinë ndër njerëz të zakonshëm. Ky kuptim banal i lirisë kurrsesi nuk arrin te autori dhe kjo, jo vetëm si njeri, por mbi të gjitha si krijues pasionant që nuk e lë të dalë në pjacën e qejfeve, por e mbyll në një vetmi vrastare,gjithashtu shfaqje e lirisë së tij. Liria e autorit është produkt edhe i lidhjes së tij me politikën , filozofinë dhe kulturën botërore.( Kryesisht të krahut të majtë të marksizmit edhe në ekstremin e saj të Lenin –Stalinit). Kazanxaqi është një personalitet i formuar edhe nga influencat e filozofisë gjermane, jashtëmarksiste e veçanërisht nga Kanti, Hegeli, Fojerbahu, Fifte e sidomos nga mesuesi i tij Niçe dhe asketi i madh Buda, Ky formim ekstremesh tregon edhe privimet e tij në fushën e lirise. Ai është nxënës i mësuesve të mëdhenj të njerëzimit e nxënësi,asnjëherë nuk është i lirë. Duke admiruar Homerin, Gëten, Dante Aligerin etj.,formimi i tij nuk e pengoi të përqafojë edhe idetë revolucionare të cilin e lidhin me personalitete të tilla si Gorki, H.Barbys, Istrati etj. Në vitet 1941-44 ai angazhohet plotësisht me qëndresën popullore për çlirimin e Greqisë nga fashizmi e më pas militon në vorbullën e vendit të vet, që siç dihet, percipitoi deri në luftë civile me pasoja shumë të rënda për popullin grek, i cili provoi mbi shpinë andartët, Eamin, Elasin Komunistët, venizeloistët , englezët,miq dhe armiq, të gjithë pro e të gjithë kundër.(Ai u zgjodh kryetar i Këshillit të Lartë të Partisë Socialiste dhe ministër i arsimit. Një person me angazhim të tillë, kuptohet, nuk mund të konsiderohet i lirë e veçanërisht ,po të kemi parasysh dëmin që sjell kjo në krijimtarinë artistike. Kazanxaqi nuk ishte i lirë as në Bashkimin Sovjetik,kur u verbua nga  vitrina  e u ngop me sllogane e iluzione kuqaloshe që i ka përshkruar aq bukur në shënimet e udhëtimeve të tij, por ai ,nuk ishte i lirë edhe në Francë si djepi kulturës evropiane. “Jam i lië”, ai shkroi vetëm në gurin e varrit të vet.
Natyrisht privimet e lirisë te të dy miqtë janë krejtësisht të ndryshme. Nuk është vetëm me atë që thotë Zorba se të gjitha këto e mbajnë lidhur me litarë, se kështu ala zorbshe, asnjë njeri nuk mund të jetë i lirë, por njëkohësisht, është e vërtetë se  shkrimtarët e angazhuar janë më pak të lirë. Zorba nuk e kupton kështu mungesën e lirisë së mikut të tij shkrimtar, por e banalizon me mungesën e veprimit në jetë si në  ushqim e verë, gra e qejfe pa kufi. As nuk pritet nga Zorba ta kuptojë librin si thesar dhe ata që i shkruajnë ato  si profetë që shprehin dhe mbrojnë lirinë e njeriut, ndërsa shtigjet e lirisë gjat proçesit krijues, janë problem vetëm për krijuesit. Për të gjitha këto autori duhet t’i thoshte mikut: Shporru Zorbë !, Unë  të bëra të lirë aq sa ti të kuptosh lirinë tënde, jo e kundërta.Pa autorin, Aleks Zorba do ishte një grek ordiner që ha, pi,kurvëron dhe kaq.Nërsa u bë i jashtëzakonshëm e origjinal, vetëm kur u pikturua nga një penë si e Kazanxaqit. Natyrisht letërsia dhe jeta janë dy gjëra të ndryshme. Ky shkrimtar, si shumica e shkrimtarëve ballkanikë, nuk kanë mundur të mos ta kenë parasysh lexuesin, prandaj arti i tyre është i drejtpërsëdrejtë, e dukshmja bërtet me forcë, ndërsa e padukshmja, mistikja, thelbësore kjo për artin modern, mungon. Kjo ka sjellë, përgjithësisht uniformitete. Por pa formë origjinale ,në letërsi e në arte nuk ka asgjë. Ndaj na duket se ka plotësisht të drejtë Natalie Sarronte kur thotë: “Thelbësorja për ta bërë të dukshme padukshmërinë është forma “. E gjitha kjo ka të bëjë me masën e lirisë.

 * * *
Shndërrimi i një realiteti objektiv në realitet subjektiv është shprehje e lirisë në krijimtarinë letrare e artistike.Krijuesi përdor ndjeshmërinë e tij në diçka tërësish reale e këtë ia jep lexuesit si tërësisht tjetër e subjektive.
Vetëm krijuesit e vërtetë i kuptojnë caqet e lirisë, ku lidhen e ku zgjidhen litarët e saj e, kjo, ka diçka mistike e hyjnore. Por dhe hyjnitë e pozicionojnë poetin nën këmbët e lirisë së tyre. Përvojat letrare tregojnë se liria e shkrimtarit nuk mund të jetë absolute, por dukshëm kanë folur ato se, ata që janë edukuar në shkolla artificiale e ideologjike, tentojnë të bëhen realistë, pa kuptuar se pikërisht realizmi bruto edhe talenteve të fuqishme u jep pasaportën e shkrimtarëve masovistë e proletarë. Shkurt ,të përkohshëm. Kurthi më i madh i shkrimtarit është pikërisht fakti, siç do shprehej Frans Kafka, se “ në luftën ndërmjet teje dhe botës, duhet të përkrahësh botën. “
   Tek Niko Kazanxaqi letërsia e subjektit është mbisunduese. “Subjekti
i vërtetë-thotë Vallace Stevens-Nuk mund të jetë konstant dhe as zhvillimi i tij i rreguullt.” Kësaj nuk i kanë shpëtuar edhe prozatorë modernë si Prusti e Yoyce. Kritikët e urtë thonë se poetët dhe shkrimtarët mistikë i afrohen Zotit nëpërmjet irracionales, dhe metafizikës ndërsa realizmi (pra dhe i Kazanxaqit) e largon atë nga Zoti. Qëllimi i letërsisë së madhe është të gjëjë të bukurën supreme ose hyjnoren, ose Perëndinë. Poetët grekë ,(edhe ky), përgjithësisht kanë synuar të gjejnë të mirën si kategori morali dhe kjo, sipas kuptimit platonik, është sinonim i Perëndisë.
   Pas Luftës se Dytë Botërore, kur shpërthen krijimtaria e tij më e mirë, ai duket krijues plotësisht i angazhuar në realitetin grek. Patrioti nuk mund të rrinte i mënjanuar në vetminë dhe harresën e tij të lumtur. Por është e çuditshe se ky krijues me edukatë e formim perëndimor, krahas pjesmarrjes së tij të lirë në luftën kundër fashizmit e pas fitores me të, nuk e kuptoi rrezikun komunist dhe iluzionet leniniste i vërshuan dhe në letërsi. Këto iluzione kishin infektuar edhe shtresa të mëdha të popullit grek e u bënë edhe shkak i një kaosi popullor që perceptoi deri në luftë civile me pasoja shumë të rënda, që aq me realizëm pasqyrohen te romani “Vëllavrasja”.Ai nuk mund të kritikohet për këtë.Kjo është pjesë e lirisë së tij të cunguar,pamvarësisht se zemra e tij rrihte me zemrën e popullit grek.
Angazhime të tilla militanësh, kudo kanë treguar lirinë e tyre të cunguar në letërsi e arte. Kjo është vecanërisht evidente në të gjithë krijuesit e Ishlindjes komuniste, që qëndruan në qendër të politikës totalitare, vërtet të imponuar nga rretanat e presionit të bashkëkohësisë, por dhe me dëshirën e militantit e kjo, më së paku, definoi krijimtarinë e tyre të plagosur e të viktimizuar edhe në të ashtuquajturat kryevepra. Niko Kazanxaqi është fenomen grek që pati iluzione për M-L.,paçka se fatet e kishin lidhur objektivisht me perëndimin antikomunist.
Shkrimtarët grekë të Pasluftës,me përjashtime të rralla bënë një letërsi udhëkryqi, me jo pak spekulime nga vetë pozicioni as me Lindjen ,as me Perëndimin, ose të martuar me perëndimin, po dashnoren e kishin në Lindje. Kjo letërsi ishte adeguate me psikologjinë greke.
Kacanxaqi ishte talent i madh i pozicionuar në vijën e dy qytetërimeve të kryqëzuara e vepra e tij u shfaq midis historizmit dhe racionalizmit. Pikërisht kjo,sipas mendimit tim, ka parathënë ankthin e tij ,ankthin e lirisë.Natyrisht që zgjedhja është personale e kjo ka të bëjë me lirinë e tij në formë e në përmbajtje e askush nuk mund të akuzojë nëse liria e tjetrit nuk harmonizohet me lirinë tënde. Ai kish besim në ndryshimin e regjimit dhe  nuk e kuptoi se klikat komuniste në çdo vend që u instaluan patën pasoja katastrofale për popujt që i përkrahën me entusiazëm masiv dhe shpresë ; ai e  shpërfilli Sokratin e madh të lashtësisë greke që në gojen e Kosta Varnalisit thotë :”Çdo klikë sunduese verbon vartësit e vet dhe mbyt shpirtin e tyre .E po ta sillte ndonjëherë rasti që bisha të zhdukej, do të bënim çmos për të gjetur një tjetër ujk më të lig që të na hante shpirtin.” Pikërisht këtë dramë sa të re e sa të lashtë, pësoi e gjithë Lindja pas Luftës së Dytë. E këtë dramë iluzive pësoi populli grek dhe shumica e shkrimtarëve të vet që nuk i shpëtuan dot letërsisë së faktit llogjik ose racionalizmit. W.Stevens sigurisht kalon në ekstrem kur shprehet se: “Njerëzit racionalë (shkrimtarët)janë fundërina, por ai ka të drejtë kur i thotë vetes dhe të tjerëve:”Në vend që të shohim ne duhet të bëjmë gërmime në sy…”
  Një parantesë:( Fenomeni i sotshëm i ish krijuesve të socrealizmit përsa i përket lirisë krijuese akoma është  mbushur me sllogane e kakofonira të mëdha. Duket se kërkojnë lirinë duke qenë se janë të lirë. Kjo tregon ,jo vetëm nostalgji për çka ishin, por edhe moskuptim naiv  të lirisë së fjalës që rrjedh nga një liri e paprovuar. Poetët, nëse kanë qenë ,duhet ta provojnë veten me vepra cilësore duke u krahasuar me letërsinë më të mirë kontemporane.Për talentet e vërteta ,sot duhet të tingëllojë ofenduese tu thuhet se dikur, në kohën e socrealizmit, kanë qenë të shquar.
(dhe për ata që vërtet kanë qenë të tillë). Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm edhe për krizat aktuale të librit, muzikës e pikturës, ku masë vlerësimi bëhet shpërfillja ndaj artit, ose vlerësimi i saj bëhet vetëm nga tregu e reklama e paguar. Në një kuptim edhe sot krijuesit janë të rrezikuar në liritë e tyre.Në epoken e konsumit, tashmë mbarëbotërore, paçka se propagandohet si kulm qytetërimi e demokracie, sidomos në demokracitë e brishta të Lindjes, ku dhe plehrat shkëlqejnë, ku pranërrinë
talentet dhe vulgaritet, e panjohura dhe poezia janë lehtësisht të braktisura. Kësisoj liria tingëllon fiktive. Por sidoqoftë dëshira për letërsi është dëshira për jetë dhe liri e përgjithësisht dëshirat janë irracionale.


                                     

         SHPIRTI  I  KENGËS  DHE  I  VALLES

Vallja greke te Zorba është mënyrë komunikimi. Si gjuha. Shfrim ndjenjash.Një gjendje emocionale që s’mund të thuhet me fjalë. Ai e ndien kur goja i ngec e ngrihet, merr sandurin, këndon ose përhidhet në valle. Po të mos ta njohësh jetën greke, kabaretë e shumta femrat, dertet, orgjitë që mbushin festat, është e pamundur të kuptosh vallen greke. Zorba nis të këndojë duke sokëllitur, e brof  në valle çakërqejf.”Bën më tutje,zotni se mos të të marr nëpër këmbë,i thotë mikut e flak këpucët,xhaketën,jelekun,përvesh pantallonat deri në gju e ia kris valles”(f.71) Në ato çaste tek ai buçet liria. E rreh këmbët, bije befas në gjunjë, shtati jep e merr me lëvizje elegante në ajër, godet tokën me pëllëmbë sikur shtyp një dert, e, përsëri ngrihet vrik përpjetë si shpend i lehtë, sulet e turret përsëri në ajër e me kokë e me duar jep e merr me qiellin si një qenije e mbinatyrshme. Ashtu midis detit e qiellit ,bëhet dëshmi e zëri i kumbon gropave të gjoksit e kërkon të shpërthejë, zemra i çahet e me sytë në qiell duket se kërkon vetë Zotin për ta sfiduar: “Ç’mund të më bësh ,o Zot ? Asgjë, asgjë.Vramë po deshe,aq më bën. E shfreva mllefin, e thashë ç’kisha për të thënë, arrita të kërcej e s’ta kam nevojën “(f.257).
   Greku ka përbrenda një revoltë demoniake për ta vënë përfund materjen,duket se rebelohet ndaj një mallkimi primitiv rrjedhur i zi që nga lashtësia, ndoshta që nga artridët mëkatarë prej nga nisën poemat dhe tragjeditë e mëdha. Zorba bën sikur ka ardhur në jetë për të përshkruar historinë e lashtë. Kur vallzon, atij i njomen sytë ,bëhet dhe ëngjëll dhe djall. Fal bukuri e shkel mbi ndëshkime. E  vallja zgjatet si vazhdim i fjalës që goja është e pazonja ta artikulojë. Ai u muarr vesh edhe me një rus që nuk dinte greqisht (as ky rusisht). Nga vallja Zorba kuptoi se tjetri paskej qenë një bolshevik i tmerrshëm. Ai lexoi lëvizjet e kokës edhe të gjymtyrëve, ritmin dhe zërin e pa sesi rusi kish vrarë pasanikët,si i kishin bërë dyqanet lesh e li, si kishin rrëmbyer e kishin përdhunuar gratë,dëgjoi lebetitjen e tyre…E rusi lexoi vallen e Zorbës, tek hidhej përpjetë, tek flakte çakërrqejf karrike e tavolina, e ngrihej kundër  qiellit. Zorba kërcente e vallja tregonte ngjarje, udhëtime, seks, derte e rusi kuptoi se kish të bënte me një shitës, poçar, komit, kondrabandist, patriot, horr…” Ti nuk e beson, zotni si folka njeriu në valle? Besoje,pra! Kështu kuvendojnë hyjnitë dhe demonët”(f.74). Kur i vdiq i biri, Dhimitraqi tre vjeç, Zorba plasi nga hidhërimi. Goja iu mbyll dhe ashtu i pikëlluar, u ngrit në valle në mes të mortit. O Zot, ç’valle ! Ç’lëvizje, Ç’ofshama ! Ç’dhimbje! Veç ta shihje si i dridhej qafa, si e shtërngonte mesin, fytyrën, grushtat, si i binte tokës me këmbë, si ngrihej kundër kishës e qiellit fluturimthi. Kushtu u çlirua nga ngërçi e pikëllimi i iku nga damarët.”Shkalloi Zorba-thirrën-shkalloi.”(f.73) Autori përfytyron Zorbën si një shqiponjë të madhe në ajër puplapërpjetë me sy agresivë e mallëngjehet si fëmijë. E prej së brëndëshmi thërret: Po ky qenka poeti, damari i vërtetë që kërkoja. Asgjë tjetër s’dua. Hallall, Zorba!” Dhe i lutet ,këndo, Zorba, këndo! E ai:”O burra hidhu pa teklif/ të dalë ku të dalë/o prishet puna shkon për djall/o ndreqet ,merr për mbarë !”(f.165)
*  *  *
“E kam njohur” Zorbën në Athinë. Ndoshta ai është një majë kreshtore e qejfliut grek. Po Greqia është e mbushur me zorbasa. I takon ata nëpër buzuqe, kabarera, pagëzime, dasma, festa fetare e kombëtare nga më të ndryshmet që zbukurojnë jetën në të gjithë faqen e vitit. Aty pas mesit të natës, në mes të tavolinave me ushqim të bollshëm kryesisht me mish e me verë, njerëz të zakonshëm, vetëm, ose në grup, ngrihen e ia valojnë valles e këngës deri në orët e mëngjezit.Të të  gjitha moshave, burra e gra, harrohen në valle, këndojnë, hedhin lule mbi protaganistët, thyejnë pjata e duket se janë njerëzit më të lumtur e më pasur të botës.
 Kur Greqia mori kupën e kampionëne të Evropës në futboll, edhe unë si shumica, u befasova, por aspak, kur këngëtarja e re, Eleni Paparizu, mori kupën e këngës në eurovizion. Populli grek e do marrëzisht këngën, ka tradita të mrekullueshme këngëtarësh në breza. Këngë të ngrohta tavoline, këngë që i këndojnë masivisht,këngë që kërcehen masivisht e të lehta për tu imituar.
Specialistët thonë se janë kryqëzime këngësh me vendet e Lindjes së Mesme, turke, sllave ,arvanite etj. Për mua s’ka rëndësi kjo. Le të merren studjuesit me origjinat. Unë dua të them se kemi të bëjmë me një popull valltar e këngëtar që tregon ,veç të tjerash vitalitet për ta gëzuar jetën dhe për ta shijuar të bukurën me pjesmarrje masive edhe për ta ndërtuar atë, gjithnjë me më shumë larmi. Greqia ka këngëtarë profesionistë shumë të njohur edhe nëpër skenat e botës, që nga kënga popullore dhe e lehtë deri te muzika klasike me yllin e paarritshëm, sopranon Maria Kalas. Për të gjithë emigrantët shqiptarë tashmë janë shumë të njohur dhjetra e dhjetra këngëtarë të shquar grekë si Kazanxhidhis, Dhionisiu, Bithikoçi, Marinela, Faranduri, Koh, Gliqeria, Protopsalti, Mitropano, Ana Visi, Keti Garbi, Aleksiu, Terzis, Jorgo Dalara, Jani Parios e dhjetra të tjerë.(rreshtimi i tyre këtu është krejt i rastit). Kam parë festivale të mrekullueshmë të këngëve dhe valleve popullore sipas krahinave e ka një gamë kaq të gjerë ngjyrash e kostumesh, melodi e orkestra të organizuara e të financuara që i stimulojnë e i përtërijnë traditat si asnjë popull tjetër në Evropë. Studuesi i mirënjohur Aristidh Kolias, shumë herë do më thoshte se këngët dhe veshjet greke, në katër të pestat e tyre,janë imitime e stilizime të folklorit arbëres, nga ku ai gjente dhe origjinat.E thashë, për mua kjo s’ka rëndësi.
Nuk ndjehem inferior sepse dhe unë i kam shumë të pasura këngët dhe vallet e mia që nga veriu në jug.Këtu e kam fjalën për popullin grek që e ka në shpirt të bukurën. Kjo tregon dhe forcën asimiluese që ka një popull për artin e për të përvetësuar atë që i pëlqen. E kur e bukura bëhet vlerë e popujve, llogjikisht duhet të jetë dhe bazë e kulturave të përbashkëta edhe e miqësive reciproke. Mallkuar qofshin politikat që kanë infektuar  edhe  këngët dhe vallet e popujve të Ballkanit, nga më të pasurtat në botë !
Zorbasët grekë i këndojnë kryesisht dashurisë,dashurisë në mungesë.Nuk ka këngë pa agapi. E në to, nuk mungon as dielli as hëna, as deti. Ka shumë zogj e yje,portokale e limona .Në to thahen jargavanë e digjen shami nga loti, e  çelin zambakë e qeshin valët e detit e, çuditërisht ka shumë dhimbje për ndarjen, kurbetin, divorcin,vdekjen. Gjithçka njerëzore ka në to e kjo tregon edhe karakterin e tyre të pavdekshëm universal. Arti i jep shpirtit krahë. E shpirti ,kur bëhet popullor, nuk njeh kufinj e dogana, por bëhet i të tërëve.

                               ZORBA  DHE  ORTANSA

   Zorba si personazh do ishte i mangët pa Ortansën, këtë madamë me origjinë franceze që s’i lë gjë mangut atij. Dashnorë dhe burrë e grua ata plotësojnë njeri tjetrin në lidhjet ala zorbë dhe janë kaq të veçantë e origjinalë në zullumet e tyre, sa  dhe ish madama kthehet në një zorbë madhështore.Të dy jepen duke gërmuar në të kaluarën e tyre e të dy përbëjnë një çift që me dashurinë e tyre në pleqëri, janë kaq njerëzorë e jeta e tyre ngjan më një skenë teatri komiko tragjike që zbulohen gradualisht deri në vdekje, madje dhe vdekjen e kanë krejt të veçantë. Ata duhen parë veç e veç e të dy së bashku për të zbuluar  karakterët e tyre të fuqishëm.
Zorba, i pasuar nga qejfllesha plakë, të dy, pra, zënë vend presidiumi në galerinë e letërsisë ballkanike e më gjerë. Të gjitha cilësitë e tyre fizike e shpirtërore janë dhënë me ngjyra të ndezura e kontraste piktoreske skajshmërisht të dukshme ,virtut dhe ves,ndershmëri e horrllëk. Ata të imponohet në krejt veprimtarinë e tyre. E të dy mbërthyer në një të kaluar aventureske, janë ndërkohë kaq të besueshëm e simpatikë dhe në horrllëqe. Zorba, i dehur pas punës dhe grave,barbar dhe i ndjeshëm si poet ndaj Ortansës, është në lëvizje të përhershme, e ndërton jetën me duart e tij, punon tokën ,ngre shtëpi, hap rrugë, sjell ujë, çan shkëmbinj, pret dru, gatuan dhe shkrihet njësh me baltën,gurin, drurin e qymyrin. Ai thotë:
“Dua qymyr dhe bëhet qymyr kokë e këmbë”(f.72)Veprimet e tij i këputin frenat,kudo dhe kurdoherë, në ushqim dhe pije,në punë e lodhje, por veçanërisht me gratë të cilat janë qëllimi dhe stolia e jetës së tij. Ortansa është mobilja më e rëndësishme e dhomës së tij prej Don Zhuani të pacipë. Ky njeri pa shkollë që dhe kur shkruan letra, thyen penat nga furia e papërmbajtur, me prakticizmin e tij, bëhet edhe primitiv
sikur tash është shkëputur nga majmuni, ndërkohë filozofon për gjithçka e mediton për bukuritë e kësaj bote si poet, veçanërisht për pikën më të dobët të jetës së tij, femrat. Shpalosur kështu, skajshëm, ai i hap shtigje të reja autorit dhe lexuesit. Ai këlthet në këngë e në valle e duket sikur tingujt dhe lëvizjet i përkasin kohës paranjerëzore,kur klithma ishte dhe muzikë dhe pathos dhe vaj. Ai është njeri me gjak të valë që të kujton njeriun e fuqishëm të antikitetit,  kur ka dhimbje e lëshon lotin breshër, kur ka  gëzim nuk sorollatet në kënaqësira të imta, po vrap e të vejusha e radhës. Autori e vëzhgon atë nga afër në të gjitha skenat e, mjeshtërisht, pikturon shpirtin e Greqisë me të gjitha ngjyrat, mençurinë e budallëkun, besën dhe pabesinë, heroizmat dhe dobësitë, virtutet dhe fëlliqësirat, dramat, humbjet, fitoret, të gjitha  zbuluar me një sy të mprehtë
spërkatur me një re trishtimi e revolte, e të gjitha së bashku ngrenë kulturën e lashtë të një populli që i ka dhënë aq shumë njerëzimit.                                                    

*  *   *                                                                                                                                  
Dashuria e Zorbës me Ortansën të kujton një çift të dashuruaresh tip Romeo e Zhulieta në pleqëri. Sapo  hyn ajo në skenë në fakt kemi dy zorbë.Bukuroshja e dikurshme që kish bredhur hu më hu gjen te Zorba burrin e fuqishëm që e kënaq seksualish, paçka se ora e saj kishte ngecur.Atë e përtërin seksi e me Zorbën donte të bënte një martesë të ndershme. Me të ajo jeton bukurinë e dikurshme si të përjetshme.Romantiku Gjashtëdhjet vjeçar e merr këtë qenije delikate në gjirin e vet dhe mundohet që të mos t’ia lëndojë iluzionet e në fakt ia rinon trupin, shpirtin, epshin, historinë e saj aq të pasur me aventura dashurie si të vet Zorbës. Të vërtetat dhe gënjeshtrat në këtë dashuri janë sa dramatike e komike, por gjithsesi njerëzore e përbëjnë faqet më të bukura të romanit.
   Autori dhe Zorba bujtën si miq në hotelin e saj të vogël e që në vështrimin  parë qejfliut tonë iu duk si një dele e majme që tundte bishtin.
Ai e dinte se pulat plaka kanë lëng të shijshëm.”..Në shtegun e haput të gjoksit,madama kish vënë një trëndafil të shkundur.”(f.41) në dhomë mbante një papagall të verdhë, simbol e të shkuarës së saj, që gjer në fund
i kujton me atë zërin e çjerrë emrin e një ish dashnorit”Kanavaros”. Si mbaroi pulën e pjekur Zorba i hedh sytë madamës.”i ulej me sy, hipte e zbriste, strukej në gjoksin e saj tulak dhe e fërkonte “(F.42) Zonja e ndiente në trup syrin e skifterit e ndizej  pak nga pak. Cili Shekspir e hodhi këtyra gërmajave në kthetrat e Zorbës? Dhe vërtet, vetëm Kazanxaqi mund të tregonte si Shekspiri historinë e madamës me gojën e saj.Ka një histori lufte dhe sksi, luftë në Kretë me të katër superfuqitë e kohës me topa të rëndë e vrasje dhe seksi i Ortansës me të katër kryeadmiralët, të Anglisë, Francës, Italisë e Rusisë. Të katër ata kodosha që drejtonin luftën, veshur e stolisur me ar e pendë në kapele siç thotë ajo ishin gjela të mëdhenj…Vinin nga shtatëdhjet okë secili e përnatë zhgrryeshin me të.
“..Apo s’kishin mjeker !Të dredhur,të shndritshme,të zezë,të verdhë,thinjake,gështenjë”f.(43). Madamë Ortansa, artiste që vishej me kombinezione mëndafshi, dantella e spërkatej me lloj lloj parfumesh, kalonte natën zhytur në shampanjë, e, duke bërë seks, u lutej që të mos ta bombardonin Kretën.” Kanavari im-  i thoshte secilit,mos ia bëj bum,bum”e,vini re ç’ironi, sa herë seksi i saj ka shpëtuar Kretën nga vdekja. Paska luftuar edhe Ortansa e bukur gjoks më gjoks me armikun…
Po askush u a di për nder putanave,asnjë medalje trimërie nuk mori
bukuroshja jonë…Katër admiralët do iknin dhe Ortansa mbeti katër herë e ve.”Po mua ku do më lini ,ankohej e çirrej,mua,që mbajta të katra superfuqitë në gji ?!” Natën e fundit ata mbushën vaskën e banjos me shampanjë dhe e zhytën të dashurën lakuriq.U lanë të gjithë në atë vaskë, kurvëruan për herë të fundit, pastaj mbushin gotat dhe e pinë të gjithë verën e banjores.
   Ja ku e ke admiralin tënd – I thotë Zorba -e ndërkohë kish hedhur gjunjët e tij mbi të sajat. “E re, a e rreshkur, e bukur a e shëmtuar, s’kish rëndesi ,për të, pas çdo gruaje fshihej fytyra e Afërditës, e vrazhdët,e shënjtë ,gjithë mister”(f.46) dhe Zorba zgjati duart e trasha. Ortansa e velur me mish e verë u var në shpatullat e tij.” Tani u ndez, zotni, ik !”.
E  ata gdhiheshin çdo natë së bashku.…Ajo kujton edhe Ali Beun që paguante shairet e ata luanin tërë natën edhe e gjithë lagjia mbetej pa gjumë nga zurnatë dhe gjithë qyteti mërmëriste e mallkonte atë e Ali Beun. E pastaj Sulejman Pashanë në Stamboll që nuk e linte Ortansën të dilte as shëtitje nga frika se mos ia shikonte Sulltani e ia rrëmbente.Te dera e dhomës pashai kish vënë dy arapë e atje nuk shkelte këmbë mashkulli. “ Ah,ah Sulejmani im !”(f.123)

*  *

Për Zorbën femrat janë vetëm objekt seksi. Dhe jeta duhet shijuar.Ortansa është shëmbëlltyrë e këtij koncepti. Zorba e thërret Bubulinë, d.m.th trimëreshë. Plakë e lëshuar, por “që paska shtriga lezetin e vet, ditka zanate e të merr mentë”(f.78) Dhe Zorba ha radha e ka provuar gjitjçka. Atë nuk e shqetëson fakti që kjo grua paçavure që ka bërë të nëntëdhjet e nëntat me admiralë, marinarë, ushtarë, fshatarë bakallë,priftërinj, korofillakë..etj. Për sytë e Zorbës, femra është seks dhe sipas tij,njëmijë herë bie në shtrat e njëmijë herë ngrihet e virgjër. Dhe ai po kështu,”bëhet njëmijë herë Kanavaro e i kërcen admirales së tij njëmijë herë të shpuar”(f.79)
Të dy kanë një pathos të furishëm për të jetuar e për tu përtërirë. Kur mugullon bari i njomë,kur çelin ngjyrat e gurgullojnë ujrat e pranverës, Ortansa bëhet çupë, kujton e rinohet e duke bërë dashuri me Zorbën , mendja e çon në krevatet që ka provuar në Aleksandri, Bejrut, Smirni, Stamboll…e, ah e ah, o Sulejmani im !!
Kreta e Zorbës ia ka pranveruar të gjitha kujtimet.Gjinjtë e saj të fortë vërtiren përpjetë e bregu i Kretës oshëtin e Zorba e bën dhe e përpunon si tridhjet, dyzet a gjashtëdhjet vjeçare…E bardhë si bora,lakuriqe me gjinj e shalë të plotë, ajo bëhet Zorbë. Asgjë s’ka humbur e ngjan me një fregatë me tre direkë, kacaviret nëpër litarë, lundron dallgëve e ,pasi ka provuar të tërë hunjtë e botës, tash prej pleqërie, e rregulluar dhe e stolisur, synon të fundit port, dasmën me Zorbën, të paktën t’i tregojë jetës së saj një krevat të ndershëm…Dhe Zorba nga ana i tij është një Ortansë, pushton atë e i shpaqen pa fund fytyrat e vejusheve të  tij, turke, franceze, armene, ruse, arape e sidomos greke…
Autori e Zorba ia mbajne ndezur dashuritë, i blejnë dhe dhurata për dasmë, qirinj e kordhele, vello nusërie e çorape të mëndafsha, por…,por
pleqëria s’mund të ndalet, paçka se Ortansa i fshihej, shtrihej mbi bar të gjelbëruar  që më kot të gjelbërohej, që pleqëria të mos e njihte e vdekja të largohej. Ajo sëmuret e zë shtratin e dergjet e ato dhuratat e dasmës i vërtiten ne kujtesë  e i veniten. Zeri i jetës këlthet brenda saj, këlthet me dhimbje e pikëllim” s’dua të vdes,s’dua të vdes”…Zorba e kupton rrugën që ka marrë “nusja”. I qëndron te shtrati, i fërkon ballin e nxehtë e zgurdullon sytë me pikëllim të thellë. Plot dinjitet , burrëri e dhëmshuri kthen kokën anash e fshin lotët me kurrizin e dorës. E bashkë me të edhe lexuesi. Kjo është forca e artit të madh. Është njëkohësisht  dhe antiskemë e metodave artificiale artistike e imponuese që e duan të mirën rreptësisht të mirë e të keqen rreptësisht të keqe, duke e viktimizuar personazhin e duke e gjymtuar njeriun. Ortansa është një sirenë që këlthet me të tërë forcën për ta gëzuar jetën, është shëmbull dramatik që shfuqizon të tëra moralet, ideologjitë, zakonet, traditat e megjithkëtë tingëllon e besueshme njerëzore e madhështore si dhe Zorba.


                              SHPËTIMI  NGA  ATDHEU…

   Krejt vendet e Ballkanit janë të mbushura me luftra e atdhedashurira. Padyshim mbi të gjitha Greqia. Këtu kanë lindur edhe termat “patriotizëm”,”heroizëm”etj.Gjuha greke nga gjuhët bazale të qytetërimit antik i dha kulturës botërore poetët dhe tragjikicienët e mëdhenj të të gjitha kohrave e si gjuhë qytetërimi në shumë disiplina shkencore, ideologjike, psikologjike, letrare etj. më së paku ka lënë një terminologji të qëndrueshme mbarëbotërore. Kjo ka historinë e vet.Është në natyrën e qytetërimeve që dhe më  dodti, lë gjurmët në ndërgjegjen e njerëzimit.
   E na del tani një Zorbë e një shkrimtar i madh nga gjaku grek që i shvleftëson të gjitha. Me sa duket, janë të velur me këto koncepte, pse jo dhe të ndëshkuar  e të zhgënjyer prej tyre. Rrjedhat “ e lavdishme “ të historisë që në esencë u kanë marrë gjithçka, i ka mpakur në kufinj tokësorë e kulturorë, s’përbëjnë më traditë mësimdhënëse. E Zorba bërtet me përçmim: vjetërsira janë të gjitha, mbretër, republika, deputetët…,të gjitha maskarallëqe, dhe morali, dhe atdheu, dhe feja. Zorba është një konstante historike që vjen nga faktet, nga përvojat e hequra që i rëndojnë mbi shpinë. Një zëmërim tinzar që kam vërejtur nga shumë grekë të thjeshtë ,por dhe shkrimtarë e poetë, kundër vëllait të tyre,Niko Kazanxaqit, që siç dihet, dy ditë para se të vdiste iu akordua”Çmimi Nobel” e, që do ta bënte krenar çdo popull, them se vjen pikërisht nga kryevepra e tij, Zorba. Në gojën e tij shohim se si bien përtokë të gjitha ato që përmëndëm më sipër si krenari kombëtare e si shtylla të helenizmit, e të qytetërimit, natyrisht, të kalburat. Më e saktë është të themi për të gjitha shtyllat historiko patriotke të Ballkanit. Zorba në këtë kuptim nuk është vetëm grek, përkundrazi, vendlindja e tij gjëndet në çdo vend të gadishullit plak. Ketu qëndrojnë dhe vlerat e tij.
 Le të ndjekim llogjikën e Zorbës më nga afër. Lufta për të “është një tërbim njerëzor që të bën të kafshosh tjetrin, t’i presësh hundët, t’i çash barkun e …(për këtë.P.L) t’i kërkosh Zotit ndihmë”…(f.27) Zorba ka qenë luftëtar e patriot trim.Atij i hipte gjaku alla zorbë e bënte kërdinë mbi armikun. Me gojën e tij ai thotë se ishte bishë e shkuar bishës, dhe se hante njerëz të gjallë në vend të pulave e derkucëve… Ai zbiron në të kaluarën e tij e përfundon në humbës , ose në hiç. Lufta dhe heroizmat e tij dhe të popullit natyrisht, sollën në Kretë princin Jorgo, ose lirinë. Kjo liri ironike, sipas tij, ardhka duke vrarë njerëz. ”Po të rri e të numuroj ç’krime e ç’zullume kam bërë të ngrihen leshtë e kokës…Liri i thënçin! Dhe Zoti në vënd që të na vriste me rrufe na genjeu me liri.”(f.28) Pacifizmi i Zorbës kap të gjithë hapësirën greke e shigjetat e tij arrijnë deri te Zoti që, sipas tij, i pëlqekan krimet, zullumet, prapësitë e ky zullumtar arrin dhe të filozofojë se…këto (prapësirat) janë të domosdoshme në mundimin e përjetshëm njerëzor...e se kjo kokë këtë kapele don…
   Deti i koncepteve heroiko-patriotike të njeriut ballkanas kap të gjithë hapësirën. Dhjetë shtete të vegjël, të ngjeshura pranë e pranë në gadishull, të mbërthyera historikisht në hasmërira shekullore e aleanca kundër e pro njeri tjetrit, më tepër se liri e qytetërim, kanë prodhuar mëri e urrejtje, luftra, intriga, pabesira, çvendosje kufinjsh, minoritete në sqetullën e njeri tjetrit e të gjitha së bashku, historikisht, e kanë katandisur Ballkanin nga një vend fatos në rrënjët e qytetërimit botëror,në një vend bastard e problematik për të gjithë Evropën. Zorba është produkt i lodhur e tipik. Ndaj na duket kaq i besueshëm, kaq grek, shqiptar, maqedhonas,serb etj..Ky status ka shkuar deri në kufinjtë e barbarisë e për kombësi,( për me e ba vdekjen si me le( shkon e turret verbazi edhe në aventura e gjithnjë grryen e shkruan histori, duke mos u ofruar popujve të vet alternativa progresiste. Nëse ti kërkon tu japësh kuptim tradicional gjërave e të vazhdosh të ndjehesh krenar me historitë e humbësit, del filozofi i përvojave me emrin “Aleksis Zorbas” e të thotë “stop”…e “gjithçka, njerëzit, pemët, yjet, janë heroglife, mjerë ai që i lexon rrokje më rrokje.”(f.49) Edhe autori çuditet me pjellën e vet, nuk e kundërshton e pozicionohet ndaj tij kundër llogjikës së pranuar tradicionale për atdhera, heroizma e lirira të paqena. E  ai, Zorba i ka dashur me gjak të zemrës të gjitha këto deri sa u mbingop, u vel e tash po i vjell pa hezitim për të fituar lirinë. Ja kështu u çliroka njeriu nga djalli.”..po nuk u bë dhe vetë djall me brirë”(f.178)…Ai nuk do të mbetet më skllav, ai që ka qenë luftëtar dhe patriot i babëzitur, veshur e armatosur si andart, dhe sot gjashtëdhjet vjeçar e ka trupin me plagë, e të gjitha plagët nuk i ka pas shpine. Të kujton këtu ata heronj e dëshmorë të stisur ala ballkanase( veçanërisht alla grekshe e shqiptarçe) që të gjithë i paska marrë plumbi në ballë a në gjoks se ndryshe s’mund të përfytyrohen si heronj ( !?) Veçse, ai nuk krenohet më grekshe e shqiptarçe, përkundrazi: ” …mushka kemi mbetur, uqër, dhelpra, derra. “(f.201) Gjuha e përvojave është mbresëlënëse. Ai tregon se si një ditë i ishte qepur një prifti bullgar që prift i thënçin! Netëve ai e hiqte rason, vishej çobançe e vriste të pafajshëm në fshatrat tona (maqedonase). Atë ditë kish vrarë një mësues grek në gjumë. Zorba e kish gjetur në një qilar dhe e kishte therur si qëngj; I  kishte prerë dhe veshët për koleksion; më pas kish takuar në udhe pesë vocërrakë që lypnin bukë. Kur mori vesh se qenë të priftit që kish therur, tmerrohet, i rrotullohet toka nga pikëllimi e plaga nuk iu mbyll as kur u fali të gjithë florinjtë që kish me vete. Ai ka arritur në ekstreme nga përvojat ekstreme…Kur ishe fëmijë kish qejf qershitë. Një ditë bleu e hëngri sa u shqep një shportë me qershi, pastaj i volli. Kështu shpërtoi nga qershitë , nga duhani e nga…
-          Kështu gjete shpëtim?,-e pyet autori
-          Po ,po .Edhe nga priftërinjtë, edhe nga paratë. Tani jam i lirë e po çlirohem gjithnjë e më shumë (f.202)
Ai paska ndërtuar një Zorbë tjetër duke i shkarkuar nga qenia kombësitë, minoritetet, patriotizmat, bestytnitë e vetes i thotë “hajvan”, hajvan për sa ka qenë. “Kam bërë e kam bërë unë për atdheun sa kur i dëgjon të ngjethet mishtë.Preva, vrava, plaçkita, dogja fshatra, përdhunova gra, lashë jetimë. Hajvan kam qenë…”(f.202) .Por
Tani është ndërgjegjësuar, është hajvan i ndjeshëm sa  , kur sheh një njeri që vuan i pikon zemra. Ai ka filluar t’i filtrojë përvojat.Vetëm nga gratë nuk është velur e prej tyre s’e ka fituar dot lirinë. Dobësi njerëzore thua ? Zorba e ka këtë krimb madje dhe kur ka rrezik koke…Një ditë ishte rrethuar nga ushtarët bullgarë e për të shpëtuar ra në oborrin e një vejushe bullgare.Një e dorën në gjoks Zorba  e  ajo u dorëzua menjëherë. Fjeti tërë natën me të e përsëri filozofon: Ja ç’është njeriu, kjo është gruaja, një lloj ëshe robi, kombësia, raca, vrasja, lufta e liria e,  të gjitha këto, sipas tij sepse nuk e lë rehat bisha që ka përbrenda, atdheu. (!)…e ajo bishë atë natën e bullgares e bëri që në mëngjes ta spërkaste fshatin me vajguri e t’i vinte flakën (!)…”e sa të ketë atdhe, njeriu do të jetë bishë, bishë e kaluar bishës .Po lavdëruar qoftë, unë shpëtova.”(f.204).

                               *  *  *

      Në vitet e vendet postkomuniste koncepti tradicional për atdheun ka ndryshuar. Tradita, krenaria boshe, historizmi e pozat  mbi heroiken kanë pësuar firo. Njerëzit janë bërë më realistë e kjo tregon se atdheu po bëhet dhe ballkanasi po ndryshon për mbarë.
   Por gjithsesi akoma jemi të rrethuar me fantazma. Mbi Ballkan, nga veriu në jug, retë e nacionalizmave ngihen kudo dhe e errësojnë pamjen. Fundshekulli XX në Ballkan iku përsëri me luftë e kufinjë e shteteve dolën përsëri në pah si qindra vitesh kaluar. Akoma bëhet fjalë për fantazma shtetesh, sherre minoritetesh e synohet si dikur që shtetet të kenë pas dhe epitetin “ e madhe “. Me sa duket Serbia,Shqipëria,Greqia, Bullgaria etj., paguajnë haraçet e së kaluarës se asnjë herë nuk kanë qenë të natyrshme në kufijte e veta. Sigurisht jo për motive të njëjta. Shtetet e vegjël karakterizohen nga nacionalizmi ekstrem e patriotizmi i madh. Kjo ka prodhuar  urrejtje në çdo kohë. E mbi urrejtjen ballkanike, (prodhim vendi) Evropa ka gjetur shesh e ka bërë përshesh për interesa të veta duke flirtuar veçanërisht me vendet orthodhokse në veri e jug të gadishullit. Zorba do ta quante Evropën ” nëna e lavireve dhe e qelbësirave tokësore ” (f.131). Niko Kazanxaqi e ka diagnozuar saktë sëmundjen e popullit të vet dhe e të Ballkanit dhe me guxim e dashuri, operon si kirurg për t’i pastruar plagët. Kjo jo vetëm te romai që po analizojmë. Ndoshta duke kaluar dhe në ekstreme alternativash si me Zorbën, gjithsesi i ka bërë shërbim atdheut të vet dhe kulturës së krejt gadishullit plak.
Patriotizmi i tij i madh e realist qëndron në atë që të gjitha ankthet i ktheu në libra.
( Dhe unë që e provova Greqinë si atdhe të dytë, e që vija nga një atdhe “ i lavdishëm “ rashë në një atdhe akoma “ më të lavdishëm “e do shkruaja : …” kokërdhokë të bardhë homerikë/pa beben e syrit/Me lotë të ftohtë zambakësh/shkëlqejnë/E të verbër/në heshtje lagen në shi “ …(vargje nga poezia “ Mermeret greke “në vëllimin “   Vdekja e trëndafilave “).Ndërsa atdheun tim e mbajta kryeradhë , por jo si dikur. Ndoshta dhe nga pozicioni i emigrantit atdheu për mua do ishte mall dhe brengë, krenari dhe fatalitet, lumturi dhe plagë. I kisha dhënë një lamtumirë kristali e muzgu e do ikja shtigjeve të vetmisë. Por në çdo çast unë dhe atdheu, dy vise gjumi të lidhura përjetësisht me ëndrra. Më dukej vetja si i verbër e njëkohësisht jam kundër atyre që dhe aktualish flasin për atdheun si për diellin,si për detin,si për një dashnore me sy të kaltër. I verbër, jo vetëm unë. Na është çarë drita e syrit,na është pjekur loti në qepallë e mbahemi me duar pas mureve të botës me bërryla të gjakosur…Por s’mud t’i braktisja sytë e atdheut, i ujitja tulipanët e bardhë të shpirtit e doja të më çelnin, të më bëheshin fasho të buta mëndafshi për të mjekuar sytë e atdheut të djegur nga loti. Tek poezia “Atdheu ose një gur e një fyell” në librin “Urdhëri i lotit”, në një çast të trishtuar, (1997)do qaja me një ndjenjë disi krenare : “
Ashtu të vogël,të vogël fare/Të coptuar/e ruajta në sy si pikë lototi/Ashtu të madh,por të mbytur ,do ta kërkoja nëpër mendime deti/
Ashtu të bardhë si bora që lëshon oreteqe për bijtë, Ashtu të zi si nata do ta spërkatja me yj/…Por kur ma grabitën të mitë, ma çveshëne ma lanë lakuriq/Diçka mora dhe unë nga atdheu /dhe ika/…I mora ashtin, të mos ia prekin krimbat/Lashë zemrën, të mos i mungojë buka e kripa/…Mora dhe një gur për të mbjellë lule/Dhe një fyell/Që më duhet për të qarë.”…)
   Nuk shpëtoke dot nga atdheu! Veçanërisht për krijuesit, ai është brenda qenies, gjak e shpirt, trup e frymë. I pranishëm dhe kur të lumturon, dhe kur të plagos, dhe kur të krenon, dhe kur të turpëron. Ai është fatalitet. As Niko Kazanxaqi nuk shpëtoi dot. As me Zorbën. Ndoshta donte të hiqte prej vetes pjesën e keqe, fallcitetin, boshllëkun e siç thashë, të verbërit nuk shohin e nuk e kuptojnë ku është pikërisht ajo. Sidoqoftë, atdheu nuk është një sllogan, por intelekti ka të drejtë ta verifikojë edhe atë. Dhe poetë e shkrimtarë të shquar që i kanë dhënë emër atdheut shpesh kanë dalë në duel me të, dhe duartrokitjet i takojnë poetit. Por dhe të shquarit në lidhje me atdheun nuk u shpëtojnë qëndrimeve moralizuese. Duke qenë në përputhje me disa kritere antikonformiste, harrohet se i vetmi moral në krijimtarinë artistike është estetika, bukuria, kësisoj, letërsia dhe arti nuk mund ta ndryshojnë botën, qoftë dhe sikur të kishim miliona Zorbasë, ata nuk duhet t’i shërbejnë faktit dhe  epokës, por thjesht ta përdorin atë për fisnikërinë e shpirtit njerëzor. Mjafton të japësh imazhin e vetvetes. S’ka përse tu kërkojmë shkrimtarëve të shërbejnë as si lokomotivë ,as si vagona në zhvillimet historike.

                                             ***

   Ne shqiptarët, gjithë jetën kemi dëgjuar sllogane glorifikuese për atdheun, pa e kuptuar thelbin e tij. As epitetet superlative e tullumbacet zbukuruese që i kemi prodhuar vetë. Dhe një ditë, kur pamë se mbetëm pa bukë e pa qumësht e pa këmishë…,befas, sikur mbetëm dhe pa atdhe e vetë atdheu hapi rrugët e ekzistencës për vete e për njeriun e tij.…
 Po le të vazhdojmë me  atdhenë e Kazanxaqit. Zorba i tij duket se është gjithnjë njeriu i ditës. Më duket se e kam takuar kudo në Athinë. Në supermarkete, kafenera e televizion. E kudo bërtet kundër vetvetes dhe kundër broçkullave për histori të lavdishme e heroizma. Grekët e mençur i japin të drejtë…Psikologjia e inferioritetit ka oreks për historizma e arkaizma.  Atë e burrëron  dhe  krenon lavdia,
 elenizmi, dhe humbjet, dhe dramat e ka ca pika të nxehta që, megjithse kanë kaluar shekuj e vite, i qëndrojnë si ankthe tmerri në kujtesë, si Kostandinopoja, mirni, Thesaloniqi, Maqedhonia, i ashtuquajturi Vorioepir, rusopondët etj, që në disa koka të nxehta politikanësh akoma nuk po ftohen e nuk po kuptojnë se historia të imponohet dhe me fatalitetin e saj, dhe me humbjet, dhe shpesh të dëmton e bëhet   mësuesja më keqe. Greqia vegjiton midis segmentesh te politikave të vjetëruara dhe Evropës së Bashkuar, me një këmbë në të kaluarën me tjetrën në të ardhmen. Ky pozicion i vështirë e ka lodhur e shpesh, psikologjikisht, duket më ballkanikja e Gadishullit, në të njëjtën kohë, e begatë e me letërsi të fuqishme. Ky pozicion e bën poetin Seferis të pohoje se kudo që shkon Greqia e tij i hap plagë.
Ka një personazh Kazanxaqi, një ish të njohurin e tij që jeton në malin e Tanganikës. Ai simbolizon ikjen ,braktisjen e një atdheu që e urren. Në Kretë qe pleksur me një nxënëse, e gjetën duke e puthur dhe e demaskuan. Ai ia mbathi përgjithmonë ( sa shumë poetë e shkrimtarë ua kanë mbathur të revoltuar nga Ballkani! Shqiptarë ka më shumë ngetkë se brenda shtetit të sotshëm) dhe u bë tregëtar në Afrikë e i shkruan në një letër Kazanzaqit: ” Më duket se u bëre edhe ti grek ndyrash e zhgrryesh kafeneve “(f.130). Ai deklarohet hapur kundër atdheut dhe  hipokrizisë evropiane. Vuri njerëz dhe hapi varrin te pragu i shtëpisë së tij e në gurvarr shkroi: “ Këtu prehet një grek që i urren grekët “ ;kish lindur dhe një vajzë me një zezake dhe fjala e parë që i mësoi greqisht ishte : “Ptu,grek i ndyrë,grek i ndyrë “ (f.130) Një personazh tjetër, Stavrillaqi, sikur e paralizon të parin. Edhe ai i shkruan autorit për dramën e rusopondëve me plot pathos patriotik. Janë rreth gjysmë milion grekë që rrezikohen të asimilohen në Rusinë Jugore e Transkaukaz. Shumica flasin turqisht e rusisht. E Stavrillaqit i dhëmb zemra për këta emigrantë mjeranë. “ Janë një copë zemre e racës sonë, mësues ! “(f.132). E ky farë patrioti i paska vënë vetes qëllim t’i shpëtoi.Ky është qëllimi i jetës së tij, pastaj dëshëron të vdesë. ( Edhe sot e kësaj dite shoh të vinë si emigranë në atdheun e tyre rusopontë. Stavrollaqi paska vdekur pa e plotësuar aktin e tij patriotik!)
   Dhe mendja të shkon menjëherë në ardhatën e madhe arvanite në Greqi që nëpër shekuj janë asimiluar sistematikisht. Janë ata që i kanë dhënë gjak e shpirt e histori racës greke e nuk u është njohur asnjë e drejtë që ka të bëjë me kombësinë e tyre shqiptare. Ndoshta ky është fati i të gjitha pakicave kombëtare dhe minoriteteve. Sadoqë në gjakun e pakicave mund të kumbojë kombësia e atdheu i të parëve, koha dhe historia bën të vetën.Integrimi është i pashmangshëm, i domosdoshëm
     së bashku me privacionet. Më kot i gënjen mendja popujt e Ballkanit mbi gjeninë e racës e të kombit e mbi të kaluara të lavdishme.Para se të tregojnë dekoratat, duhet të shkundin nga vetja paragjykimet popullore e të zbulojnë ato të vërteta që të mbuluara e të falsifikuara u sjellin dëm vetë atyre. Një komb nuk mund të përbëhet vetëm nga historia, as vetëm nga faktorët materialë siç janë toka, deti, dielli, gjuha etj., por dhe nga faktorët spiritualë të cilat i japin kombit një tërësi organike dhe harmonizojnë të gjithë elementet përbërëse. Më kot mbajnë fjalime politikanët, më kot ndokush, qoftë ky grek ,serb apo shqiptar, merr pozat e Moisiut  si te “ Dhjata e Vjetër” për t’i shpëtuar popujt  e për t’i çuar drejt “tokës së premtuar”. Popujt e Ballkanit me kryqëzime kulturash, me histori të lashtë e të diskutueshme për primarët, me kufinj shekullorë kaq të ngatërruar, duhet të mësohen të njohin e të respektojnë, me të gjitha të drejtat që u takon minoritetet historike e pakicat. Greqia evropiane që ka të drejtë të ulërasë për të vetët, duhet të emancipohet duke respektuar të tjerët brenda vetvetes. Nuk mund t’i dalin brirë Moisiut. Bashkëjetesa dhe respekti ndaj të tjerëve sot është e domosdoshme dhe detyrë themelore e një demokracie dhe qytetërimi që e kemi pranuar të gjithë.
   Ndoshta nuk duhet të shpëtosh nga atdhedashuria si ndjenjë e fuqishme njerëzore, por nga komplekset për të, të cilat në çdo kohë prodhojnë atdhera të paqena. Ose pseudopatriotë. Poetët, idealistët e vërtetë nuk mund të privohen të thonë disa të vërteta të ashpra edhe kundër gjërave që dashurojnë me shumë si vendlindja ose atdheu ,ose nëna…
 
            NË  GJURMËT  E BUDËS  DHE  TË  NIÇES

   Jeta dhe filozofia e Budës ka ndikuar thellësisht në botkuptimin N.Kazanxaqit. Buda është ndërgjegjësimi i njeriut për përsosje, çlirimi nga trupi ose nga pesha e vetvetes; Vegim dhe shpresë për shpëtimin e shpirtit, shëmbëlltyrë e njeriut që përgatitet për pasvdekje, përvojë mbresëlënëse sepse e mbështetur, jo në fjalë e predikime, por në eksperimentimin e vetvetes. Ish mbreti i madh që braktisi pallatet lluksoze, thesaret e pafund, haremet …dhe si Shën Françeskoja krijoi iluzionin misterioz përtejnjerëzor, asketizmin. Shpallja e lirisë së tij duke u arratisur nga e mira e lluksi jetësor, janë prova të vullnetyeve titanike. Në këtë vështrim dhe guri e druri e humbasin peshën, trupi mpaket, çlirohet nga rëndesa e fëlliqësirave e bëhet ajër, frymë.Buda është fe, është hallkë ndërmjetëse që përgatit e ndërgjegjëzon shpirtin për ringjalljen e vërtetë.Asnjë nga filozofët, me sa di unë, nuk eksperimentoi idetë në trupin e vet si Buda. Mili ona njerëz në botë, jo vetëm në Indi, e kanë Zot e Perëndi, shenjt e vëlla.Bustet e tij me abanoz farfurirës shkaktojnë te njerëzit respekt të thellë e ndikim imitues për të mos e gëzuar jetën tokësore. Dhe kjo, jo me urdhër e sforcime ,por me ndërgjegje e zgjedhje e dëshirshme. Buda i çliruar një herë e mirë, pas një ankthi shtatë vjeçar, është sunduar nga një gëzim suprem sa dejet e ballit e të qafës i kishin kërcyer jashtë lëkurës e i ishin shndërruar në brirë të spërdredhur…I frikshëm ky njeri me këtë portret, të tmerron jeta e asketit për t’i imituar trupin, por madhështor për të shpëtuar shpirtin. Zgjidh e merr,o njeri ! Këtë të fundit, madhështinë e shpirtit, me sa duket ka simpatizuar edhe N.Kazanxaqi. Sa i kundërt shkrimtari ynë marksist –leninist dhe sa i afërt për të pastruar vetveten me anën e Budës ! Një gjendje gjysëm e gurtë, gjysëm e ajërt. Veprim dhe ide. Materializmi, filozofia iluzive e masave dhe e të mirave materiale, i dialektikës së sendeve dhe e luftës së klasave për mirëqenie e barazi me siguri ka qenë detirminant në botkuptimin e shkrimtarit. Buda i pasur kthyer në Budë të vobektë deri në kufinjte e urisë, lumturohet me skamjen (!) ; nje dhi për qumësht, një dru për zjarr, një këmishë murgu në shtat.Asgjë më shumë…Të gjithë njerëzit punojne e luftojnë për ditë që ta gëzojnë jetën,  të bëhen më të pasur më të lumtur, ndërsa Buda: “Kam një shpirt të urtë e të lirë.Vite e vite stërvitet e luan me mua .“
   Aleksis Zorbas është diametralisht i kundërt me Budën, madje dhe me atë pjesën e ajërt të autorit e kështu Zorba bëhet katalizator që autori ta braktisi Budën. Zorba dhe Buda janë larg e të kundërt si Parajsa me Ferrin.Dy ekstreme të populluar me miliona njerëz. Zorba shkatërron parajsë e ferr dhe fiton lirinë e qejfeve.Buda shkatërron jetën e trupin për të shpëtuar shpirtin.Te dy pretendojnë lirinë.Unë nuk e di kush prej të dyve është më i lirë, por tundimi prej të dyve është shumë i madh. Autori kish nisur jo vetëm ta simpatizonte, por dhe të shkruante për Budën. Por dilemnat janë sheshit.Ndërsa donte të përshkruante Budën ashtu si njerëzit primitivë shpellave, ndërkohë një vejushë e ftonte me qepalla duke tundur belin. Natën në gjumë i bëhej se djalli i qe afruar Budës ,veshur si grua e i kish vënë mbi shalë gjinjtë e saj të fortë, por asketi e kish nuhatur dhe e shporri djallin brenda vetes. Natën kur gjumi e çmobilizon njeriun si trup, shkencërisht e provuar në spjegimin e ëndrrave, hapen dritaret e secilit dhe brenda fyn femra, zonja e ëndrave. Mos ka të drejtë Zorba ? Kush jeton dot sot i asrmatosur me atë puls magjik për t’i përzënë demonët e seksit ? Këto dilema i gjejmë dhe te autori e ai dëgjon zëra nga brenda : “O zot i madh që e kthen materjen në forcë..Secili ka përbrenda një vërrle hyjnore me të cilën e kthen bukën dhe ujin dhe mishin në ide dhe veprim” (F.109) Mijra intelekte të fuqishme janë munduar ta kthejnë lebetinë e trupit në budë, por ngrihet Zorba e bërtet: Çohu ,ç’më rri mbi libra! “ Mos u hollovit,bota është kaq e thjeshtë,kot e ngatërron !”(f,109). N.Kazanxaqi nuk mund të ecte në rrugicat e Budës ,Ai i është afruar atij për ta parë e për ta njohur e për ta braktisur.Ekstremi mistik i Budës e ka hedhur në ekstremin praktik të Zorbës. Në esencë, atje ku shkel Buda nuk mbin bar e hapet shkretëtira, nëpër gjurmët e tij s’ka as bimë, as ujë, as lindje të reja. Dhe retë e hëna duken si rrobmort , atëhere ?! O Zot shpëtomë prej Budës! Kur na qenka kaq i dashur shpirti, pse na bëre me trup e me mendje, me ndjenja e epsh me uri e etje ? Është padyshim një kacafytje e njeriut me një forcë mizore brenda vetes për të qëndruar steril. E në një moment revolte e pamundësie për ta imituar autori bërtet: Thyej qafën ,Budë! Çlirimi nga Buda është për autorin gëzim i veçantë, është shpëtimi nga një abkth.Ai u nda nga një vizion mistik si nga një armik. E flaku dorëshkrimin për të dhe e mbylli përgjithmonë “ ashtu si mbyllin e lidhin të vdekurit fiset e egra që të mos kenë mundësi të ngrihen nga varri e të bëhen lugat. “ (f.214).

                                           ***
   Jo më kot autori ka përkthyer edhe kryeveprën e F.Niçes, “ Kështu foli Zarathustra.( Ai i dha kulturës greke në gjuhën e tij edhe Iliadën e Homerit, Faustin e Gëtes dhe Komedinë Hyjnore të Dante Aligerit)
   Niçja i fali Kazanxaqit frymën radikale të filozofisë së tij, një lloj
filozofie të afërt më shpirtin aventuror të njeriut ballkanik. Ai e begatoi autorin me ankthe e frymën rrebeluese e kryengritëse ndaj çdo statusi shoqëror, njëkohësisht edhe trishtimin poetik, brengën dhe krenarinë raciste. Me Niçen N.K. siguroi shigjeta të helmëta kundër status-quove në filozofi, art, kulturë; ushqeu shpirtinrrebel e opozitar edhe atje ku mendimi i zakonshëm njerëzor shikon toka të buta, shpresë ,harmoni shoqërore. Gjermani,me atë llogjilkën e tmerrshme metalike e të pamëshirshme, veçanërisht te Zarathustra, kish konstatuar greminat e diellit, humnerat e shpirtit njerëzor e shigjetoi edhe trojet e Zotit; duke iu afruar me guxim e vullnet gjerman çdo gjëje që e tmerronte,ai përkëdhelte çdo përbindësh që i delte përpara në fushën e mendimit e, njëkohësisht si poet, e dehnin misteret dhe e ngazëllenin muzgjet. Në gojën e murgut të vet Zarathustrës, ai shpalos të gjirtha vegimet e njeriut të vetmuar.
..” Të vërtitem në lartësitë e tua,  ja thellësia ime, të fshihem në dlirësinë tënde, ja pafajësia ime ” (Kështu foli Zarathustra,f.21). Niçja është prototipi i tejkalimit të vetvetes. Për të ” e mira dhe e keqja nuk janë veç hije endacake, trishtime të thella dhe re kalimtare.(f.18, Z.th.). Ai gjeti në virtutet njerëzore plot kalbësira, maska hipokrite dhe shtroi problemin e Mbinjeriut që mori përmasat e një doktrine të imituar nga mijra filozofë e shkrimtarë.( këtu ngjeu një majë pene edhe Migjeni ynë) Duke shpartalluar çdo mendim vulgar e masovist ai, ndërkohë, ishte i papajtueshëm me famën, me njeriun e dyzuar dhe lavdinë e pamerituar. “ Më mirë një kërcëllimë dhëmbësh se sa adhurimi i idhujve.E tillë është mënyra ime. Jam armik mbi të gjitha i idhujve zemërgur  që tymojnë “(f.25,Z.Th.). Bisturia e mprehtë e tij në psikologjinë shoqërore, ku konsatoi se ajo është e përbërë nga shpirtra njerëzish që varen si lecka të ndyra.Prandaj njeriu duhet të tejkalohet,” njeriu është urë dhe jo qëllim” (f,36,Z.Th)  Dhe më tej akoma: “ Të tejkalosh vetveten d.m.th. të tejkalosh virtutin meskin, maturinë e ngushtë, vëmendjen dhe respektin për këto kokërriza rëre, për këto zhurmime mizash dheu, kënaqësinë e mjerë për veten dhe dërdëllitjet për lumturinë e shumicës. “ (f.125,po te Zarathustra).
   Si Dante Aligeri, që gërmoi në rrathët e Ferrit, diku poshtë këmbëve tona, F.Niçja e shikoi dhe e trajtoi jetën njerëzore si ferr në sipërfaqe të tokës, të gjallë, madje deklaronte se dhe Zoti ka Ferrin e vet e ky  na qenka dashuria që ka Ai për njeriun ( !)
Shpella e murgut Zarathustra rrethuar nga shqiponja e gjarpëri mistk, pyjet dhe burimet ku mblidhen rreth tij të gjitha kategoritë e njerëzve, të marrë e të urtë, të mençur e budallenj, lypsa e mbretër, të gjithë dëgjojnë  profeci e përulen para murgut si para një orakulli absolut e shpëtimtar, janë kthyer tashmë në pjedestale mençurie në formën e sentencave të shkurtra e marrin përgjigje fshikëlluese të gjitha misteret e botës.
   Është interesant admirimi I N.Kazanxaqit për Niçen, pse jo dhe disi i papranueshëm,sepse në vitet 1923-24, ai jeton në Gjermani, afrohet e përkrah pa rezerva idetë marksiste,në esencë, krejt të kundërta me ato të Niçes. I përmbahem mendimit të shprehur më lart se filozofët e ndryshëm të të gjithë spektrit,shërbejnë te shkrimtari si plotësim ngjyrash në botkuptimin e tij eklektik. Te vepra “ Asketizmi-shpërtimtarët e Zotit “(1927)- kujto atë që mezi arriti të shpëtonte nga Buda- Këtu tenton,madje, që nëpërmjet marksizmit të arrijë te Zoti duke bashkuar Budën idealist ma Marksin materialist.
   Edhe Zorba ka diçka nga Niçja. Mosbesimi në asgjë dhe gjetjen e vetvetes duke e tejkaluar atë. Natyrisht i pari ala grekshe, i dyti ala gjermançe. Personazhi dhe filozofi bashkohen në frymën e përbashkët kryengritëse. Me sa duket, N.Kazanxaqi, dashuruar me sisteme të ndryshme filozofike, asnjë herë nuk ka qenë materialist i pastër, sikurse as idealist i kulluar. As kant, as Hegel. As Marks, as Niçe. Plot kulturë si Fausti ,ai dyshon si Mefistofel. Një tru racional si ai ,s’mund të mos e pranonte dialektikën e sendit,por frymëzohej më tepër nga dialektika e idesë. Ndoshta është më e drejtë të pranojmë se forcat centipetale të ekstremeve e shtynin drejt pikës së qendrës. Ekstremet e begatonin me karaktere të fuqishëm letrarë si Zorba,bariu Manol,te” Krishti kryqëzohet përsëri “,Kapedan Mihali te “Ja vdekje ,ja liri “ etj, ndërsa pikat drejt qendrës, e bënin autorin të dashur e masovik edhe me dhjetra personazhe të spikatur anësorë.  Kur shkrimtari është i ngopur me elitat e dijes, gjurmat që lënë shkencat dhe filozofët tek ai, e çojnë drejt zbulimit origjinal të njeriut si misterioz e akoma i paekploruar. Sidoqoftë ai mbetet krijues i trishtuar, opozitar e i pa shpresë. Por i lirë. D.m.th,poet. Epitafi i shkruar me dorën e tij në gurvarr,atje në Iraklion e tij (1957), është një kujtesencë kuptimplote. E përseris: “Nuk shpresoj asgjë,nuk kam frikë nga asgjë. Jam I lirë.”


                                 SEKSI  DHE  DASHURIA

   Zorba është mishërimi i njeriut me forcë të papërballueshme fizike e shpirtërore. Mbi të gjitha karakteri i tij përndizet në marrdhenie me femrat; brutal me to e njëkohësisht romantik me ndjenja të holla , atë e përtërin çdo dashuri, çdo seks e shpiti i tij sensual ringjallet e rinohet si feniks. Çdo femër që kalon në dorë i duket si herën e parë e…bie me kokë.
 -  Sa herë je martuar,Zorba ?
Pyetje e vështirë kjo për të. Ai i ndan martesat në të ndershme,gjysmë të ndershme dhe të pandershme. Këto të fundit janë me mijra. Zorba s’mban defterë. Për të martesat e ndershme s’kanë shije, janë “ si gjella pa kripë”(f.80), për të vetëm mishi i vjedhur është me shije.Po e paska pasur një defter qejfliu ynë.Kur qe i ri, sa herë binte me gra,u priste një culluhe floku. Koleksioni i tij erdh e u bë shumë i pasur me lloj lloj flokësh e mbushi një jastëk me mblidh e ngjish e flinte mbi të, e hunda e tij dehej me erëra grash.Mbas ca kohësh iu neverit jastëku, e hodhi dhe gërshërën, se kujtimet s’kishin më kuptim e çdo ditë i sillte vejusha të reja. Le të shohim nga afër disa nga dashuritë e tij. Le t’i quajmë gjysmë të ndershme se për të parën ,të ndershmen, zorba nuk na thotë asnjë fjalë.
                                          SOFINKA
E kish njohur në një fshat afër Novorosiskit. Ishte dimër e fshatin e kish pllakosur bora dhe uria. Në ditët e pazarit njerëzit jepnin dhe kornizat dhe simbolet e shtëpisë për bukë e dru zjarri. E pa skifteri Sofinkën që zbriti nga një karrocë; dërdëngë ish, dy metra vajzë me sy të rimtë e vithet si pelë. Të mori lumi, i tha Zorba Zorbës çështë kjo ?
Dhe iu qep këmba këmbës. Harroi që qe nisur për në minierë. “ Ku do mbytesh, o ditëzi, ja miniera e vërtetë. Bjer me turinj! “ (f.81). Ajo bleu ç’i duhej e kur do paguante, pa se nuk i delnin paratë e u detyrua të hiqte një vath. Në këtë çast hyn kavalieri ynë, hap portofolin dhe ia paguan të tëra. Ish koha kur rubla s’kish asnjë vlerë. Me njëqint dhrahmi bleje një mushkë, me dhjetë një grua. Ktheu sytë pela ,i tha “spasiba”, i puthi dorën Zorbës e bëri të ikte. Por Zorba nuk të fal. Kur karroca u nis, hop dhe ky mbi karrocë e rrugës fliste me të me sy e me duar se nuk dinte rusisht. Arritën në shtëpi e Sofinka e ftoi brenda të paudhin. Një plakë dremiste e dridhej nga të ftohtët pranë oxhakut të shuar. Zorba ndezi zjarrin e nikoqirja gatoi e shtroi tavolinën. I uroi dhe plaka duke u fërkuar kokën e Zoba xhentelmen i puthi dorën. E priste krevati. E Zorba heshti.
-          Po më?,-e ngacmon autori
-          S’ka më. Ç’të them ?…Ohuu !...Gruaja është krua i freskët, ulesh e shikon fytyrën tënde, e pi, e pi sa dëndesh e të kërcasin kockat..(f.82). Pastaj mbi të vjen tjetri e tjetri në të njëjtin krua. Ja kësaj i thotë grua Zorba.
Më duket se jemi afër konceptit grek për gruan. Zorba në marrdheniet me gratë nuk çudit njeri në Greqi. Ne enigrantëve shqiptarë fillimisht na bënte përshtypje liberalizmi pa cak i familjes greke,madje mezi u mësuam dhe me puthjen e të rinjve rrugëve. Kemi parë e dëgjuar për lloj lloj femrash, artiste, gazetare, fotomodele, gra të zakonshme, kuadro me emer, në pallat në lagje, masivisht,në televizor e kudo,gra që ndahen nga i shoqi pa dhënë spjegime; gra që kurorëzohen me pesqint salltanete në kishë(domosdoshmërisht në kishe se martesat civile janë shumë të pakta, madje shikohen shtrembër nga opinioni) e pastaj,për hiçmosgjë shkurorëzohen. Kemi parë kryeministra e miniustra plakaruqë, që me harxhime të paimagjinueshme Parizit, martohen me çupërlina. Natyrisht nuk mund të fajësohen vetëm femrat, por problemi mbetet tepër i mprehtë e familja greke, divorcin, moslindjen, për të mos përmëndur dhe inçestin e ka problem shoqëror. Ka shumë njerëz debilë, antikapatë, të heshtur që rrinë me sy të mbërthyer në një pikë, njerëz që flasin me vete, adherfulë shumë etj,devijime këto  që, shkencërisht lidhen me fëlliqësirat seksuale.Të divorcuarit, çuditërisht, ruajnë marrdhenie shumë miqësore por, dreqi ta hajë krevati i botës qenka më  shijshëm! Dhe organet seksuale nuk kanë as tru,as sy,as veshë.
Patjetër që e drejta e divorcit, është e mbrojtur edhe me ligj, ndoshta është dhe shkallë e emancipimit shoqëror, por statistikat, jo vetëm në Greqi, flasin për krizë të rëndë të familjes dhe drama të pajustifikuara fëmijësh të mbetur jetimë me prindër gjallë. Mendoj se morali njerëzor, besnikëria bashkëshortore, ndërton familje me më pak probleme. Ka analistë që këtë e trajtojnë si një nga elementet themelore të krizës së sotme të shoqërisë.) Shyqyr(turqisht) që nuk na i dëgjon Zorba këto moralizimet tona !
   Me Sofinkën qëndroi tre muaj në një dhomë. S’kisha ankesa, zotëri..Oh,oh si qe ! E i shkreti Zorbë, pas tri muajsh u kujtua se qe nisur për në minierë. U detyrua të ikte e ajo i tha se do ta priste një muaj, pastaj do quhej e lirë.
-          U ktheve pas një muaji ?
-          Bobo,ç’budalla që je ?! Ku të kthehesha ? Te lënë kuçkat e tjera ..

                                                       NUSA
Në fshatin Kuban e kish gjetur bukuroshen që e la pa mend, Nusën.Atje shalqini e pjepri ishe me bollëk. Dhe bylmeti, dhe peshku dhe gratë. Zgjat doren e merr si në mall të qerratait.”Jo si këtu në psorokokostenën tonë (epitet sharës për Greqinë), që sa i merr kujt një lëkurë shalqini, të çon drejt e në gjykatë. Pa le po preke një grua, të sulet vëllai me thikë e të grin.’(F.83). Me siguri, ka parasysh Greqinë e varfër të viteve 40’. Dhe, megjithë varfërinë dhe konservatorizmin e asaj kohe, po të qe si thotë Zorba, atë vetë do ta kishin therur njëmijë herë.
 Nusën e bukur e takoi në një bostan. Dhe Zorba që ka kaluar shumë ruse në dorë, ka mendimin se sllavet e bukura gjithçka ta japin me bollëk. Dhe në dashuri, dhe në të ngrënë e në të pirë, ato janë shumë afër tokës. Ato japin gjithçka nga  bukuritë e tyre; ato e kanë mbushu shpirtin me zorba ,e duket se kanë lindur për qejf.
   ( I kam njohur ruset si emigrant në Athinë. I kam dhënë më shumë të drejtë Zorbës se autorit.Të mbetura keq e mos më keq sidomos në Rusi, Moldavi,Ukrainë, Bjellorusi, ato, bukuroshet sllave, u dyndën në Athinë si motrat tona shqiptare, në punët më të rëndomta. Ato, bjonde kryesisht, pak të tulme, por të qeshura e komunikuese, punojnë pa hile me orare të zgjatura për të rregulluar jetesën. Shumica pa familje në Greqi. Kam njohur Irinin nga periferia e Moskës, grua me kulturë e zgjuar dhe tepër lozonjare. Blinte njëqint palë të brendsme grash te një tregëtar dhe i shiste llaqive te Athinës. Një herë i kujtova këngën ruse të rinisë sonë “Podmaskobije bjeçera`”, u mallëngjye e pas pak filluam ta këndojmë së bashku me zë pranë një greku që shiste domate. Do më kujtohej profesori im Sotir Manushi, me plot qyfyre dashurie kur ish student në Moskë, e ato i kishin studentët shqiptarë nga më të preferuarit dashnorë. Në romanin tim “Qeni plastik”, do kisha të dashur Ljubën si personazhen më simpatike,  me të gjithë bukurinë dhe dramën e saj. E “kisha dashuruar” në Moskë. Puthej me të gjithë. Ne studentët nuk e kuptuam që ajo ishte e sëmurë dhe na  infektoi të gjithëve me bukurinë e saj. “Infeksioni na erdhi nga dashuria , nga puthjet…Pastaj u ndamë e vdiqëm nga e njëjta sëmundje, nga e njëjta dramë. Simbilikisht, mikrobi ideologjik na kish depërtuar në gjak. E dreqi ta hajë, nuk e urrekam dot,atë që kam dashur !)
   Para se të përshkruaj dashurinë e çmendur të Zorbës me Nusën, dua të them se autori e përshkruan Kubanin dhe përgjithësisht Rusinë si parajsën tokësore. Janë iluzionet e tij për bolshevizmin.Po të qe kështu, ai vend, sa një e gjashta e botës, që potencialisht mund të mbante gjithë botën me bukë, por, atëhere dhe tani, pamvarësisht të enthusiazmit të viteve40’, ishte pikërisht varfëria, ideologjizmi totalitar, gara e armëve,etj,etj, që e shkatërruan nga themeli atë regjim që kish lindur pikërisht atje, jo vetëm si mallkim për vete. Është disi e çuditshme që një mendje e ndritur si Kazanxaqi,të ishte aq optimist për komunizmin dhe, nuk di të jetë zhgënjyer si shkrimtarët e tjerë të mëdhenj ruso-sovjetikë apo të huaj. Ai ,pasionant i udhëtimeve që kishte njohur gjithë botën,bredhur e edukuar gjithandej nëpër Angli, Spanjë, Francë, Hollandë, Austri, Gjermani, Egjipt, Japoni,Kinë,etj.,Bashkimin Sovjetik e përshkruan më pasion, dashuri, plot ngjyra e besim të veçantë.Ai është dhe hartues i “Historisë së letërsisë ruse” në dy vëllime, dhe mendoj se nuk shkajti nga mosdija në bolshevizëm, por me dëshirë të plotë, ashtu si të gjithë poetët e Lindjes komuniste. Ndoshta ,viktimë e paradave, pritjeve, fasadave, slloganeve staliniste, vitrinave të ndritshme etj.,ndoshjta dhe viktimë e orthodhoksizmit të përbashkët ruso-grek (!)…
     -  Si të quajnë ?
-          Nusa. Po ty ?
-          Aleksis Zorbas.
-          Me pëlqen shumë, Nusa..(f.84)
Edhe ajo e kish peshuar mirë me sy sikur po vlerësonte një kalë në treg. S’kish nevojë për më shumë njohje.Kishin gjetur njeri tjetrin. Që atë natë do t’i shkonte në shtëpi veshur si dhendërr e, atje, Zorba do gjëndej në një skenë orgjie që s’e kish parë kurrë. E përpinte Nusën me sy e ustai ndieu se kish rënë qeni në petulla e në mish të majmë. Shtëpi fshati me oborr të madh, lopë, kofina e kazanë që zienin pekmes.Dhoma e pritjes ishte mbushur me njerëz qejflinj që hanin e pinin si derrat. Ajo, Nusa e tij, e kolme e pupulake, lyer e stolisur, llërë e gji të bardhë, dukej si një gorgonë anieje e shkëlqente nga nuri. Zorba, që mezi priste ta shtronte në krevat flet me vete ” More doç i doçave, ky mall të paska rënë për hise ? Këtë trup do përqafosh sonte ? Të faltë Zoti ty e ata që të kanë bërë..”Dhe ja skena e orgjisë: Tavolinat plot. Kenga këngë e vera verë. E gratë gra..Mungonte vetëm prifti.(Ketu,feja,opium për popullin) E na iu desh Zorbës të mbante dhe fjalime si miku më i ri i ahengut.E ashtu shqepur me verë e mezera, gadra budra, ca greqisht e ca rusisht ” që më therçin, në kuptoja gjë nga ato që thoshja ”.Po Zorba ia bën vendin vetes kudo që ndodhet Një t’iu shkrepur e ia merr këngës, një kënge me të pëllitur si kaçakët. Ishte bërë çakërqejf e fjalët iu bënë poezi.
         Dolën kaçakët në male
         Kuaj për të kapor-o
         Po në male s’kishte kuaj
          Dhe rrëmbyen Nusën-o..
E vaj,e vaj me det ! Hungurinte e një t’iu vërsulur Nusës me të puthura.
Të tjerët kaq donin. Kishin fikur dritat e pastaj lesh e li. Gratë gjoja klithnin nga frika. E kap një e ler. Burra e gra të dehur zhgrryheshin në dysheme. Zorba, si ujku që do mjegull, kap e nduk fshataret. Kërkonte derdëngen e tij po nuk e gjente në errësirë. Kish gjetur një me duar dhe e kish hedhur në shesh,” Gjeta një tjetër e nxorrëm sytë “ (f.85)…
   (Te kujton kjo skenë bordellot kolektive; ato skena turpi, ku njerëz të kafshëruar kurvërojnë bashkarisht e njëherësh me një a disa femra. Modernizëm apo primitivite ?! Poligami, poliseks më e saktë, që, tash e gjithë ditën, është ngjitur nëpër kanale televizive porno, ku kamera moderne në duart e manjatëve e kanë kthyer seksin në bisnesin më fitimprurës, me pamjet më shtazore që po shkatërrojnë njeriun… Veçse skena e Zorbës zhvillohet në erresirë. Aty ndaj të gdhitë, kur akoma s’kishte zbardhur, zgjohet Zorba edhe kërkon Nusën.Kap një kofshë dhe e tërheq,as nje e dyte s’ishte e Nusës së tij...Më së fundi e kish gjetur kofshën e saj. E kishin vënë poshtë tre katër derdimenë.
E rrëmbeu në krah dhe ikën…
- Po pastaj ?
- S’ka pastaj. Jetova me të gjashtë muaj.
Me sa duket Zorba e ka dashuruar.Një natë, kur u kthye nga puna nuk e gjeti në shtëpi. Nusa ia kish mbathur me një ushtar.Ish pikëlluar ,i shkreti, i qe çarë zemra më dysh  po zemra e tij, si ç’thotë vetë : “ Njëmijë herë e shpuar,një mijë herë e arnuar e një mijë herë e pamposhtur. “(f.85)
E na tani na bën edhe filozofi, na e merr në mbrojtje gruan që nuk i kuptoka ligjet e shoqërisë të shtetit e të fesë, sepse meshkujt sillen ashpër me to. E po të kish në dorë Zorba do nxirrte ligje të ashpra vetëm për burrat, jo për qeniet e dobta të Zotit e duke pirë bërtet : Rrofshin gratë! Dhe meditativ duke pirë me sytë nga deti si poet pëshpërit : Zoti na dhëntë pesë pare mend ne ,burrave…po,po ose mend, ose të na i presë fare hallatet…

             TË  TJERAT,  OBJEKT  SEKSI

   Dashnoret e tjera për Zorbën janë numura. Pa emra. Shumë numura në radhë. Pandershmërisht një mijë dy, tre pa hesap. Me fjalën pandershhmërisht, ai kupton vetëm seksin, një e tutje, pa dashuri, pa defter. Këto femra, kryesisht vejushe, janë vetëm objekt qejfi fiziologjik, kënaqësi e çastit, jo ndjenjë, Zorbë, jo Don Zhuan që, vërtet bridhte nëpër femra ,por i dashurone të gjitha. Kjo përvojë seksuale, aktualisht shumë e përhapur, e bën Zorbën që femrën ta quajë jo njeri, qenije që nuk njeh parime, ligje e moral, por thjesht një objekt djallëzor, të dobët e të etur për bukuri, seks, para e famë. Ai harron se veprimet dhe foljet në këto sfera janë reciproke e se nëse femrat janë vetëm numura edhe meshkujt janë të tillë, por të gjinisë mashkullore. Pra qeniet, parimet, ligjet e moralet janë reciprokërsht të shkelura e, të dya gjinitë, janë të njëjta vetëm si objekte seksi.
   Objektet seksuale, në botën shtazore e njerëzore janë bërë objekt studimesh e polemikash që prej lashtësisë, e të gjitha, përgjithësisht, tregojnë dominimin e mashkullit si qenije më e fortë fizikisht, si e tillë përbën edhe ligjin dhe detyrimin për partnerin. Seksi që nuk ka  objekt shtimin e llojit dhe krijimin e familjes, është fenomen i racës njerëzore, që presupozon vetëm kënaqësinë fiziologjike. “ Për ata që kanë vërejtje për përmbajtjen seksuale të objekteve, Safoja e lashtë mund të përbëjë një problem “,thotë Eliot Weinberger. Sidoqoftë, ndërhyrjet e shoqërisë për ta administruar ligjërish e moralisht jetën seksuale,nëpër shekuj kanë ardhë duke u dobësuar e, pothuajse, vetë shoqëria e ka liberalizuar edhe ligjërisht si një e drejtë njerëzore. Ndërkohë e trajton si krim përdhunimin. Përvojat e jetës seksuale te njeriu, kanë të përbashkët edhe elemente të përvojave shtazore, përsa gjënden elementë të përbashkët kënaqësish fizike e preferenca të ndryshme. Dikush priret për seks nga ngjyra e lëkurës, dikush nga zëri,tjetri nga përftimi i nxehtësise, për të mos thënë se dikush pëlqen buzët apo këmbët, belin apo sytë…Poetja e lashtë greke, Safoja,sipas Davenportit, përfytyrohet si objekt seksi, grua elegante, si një pemë e njomë,me duar të holla dhe me një puls si trëndafil i egër, shkëlqim buzëqeshës, këmbë të bukura e të bardha si qumësht. Ne lirikat e saj, ajo ka gjithnjë një afsh të ngrohtë që i perhapet nën lëkurë. Edhe shtazët sipas llojeve kanë preferencat e tyre. Weinberger,duke studjuar objektet seksuale, jep shëmbuj të shumtë të atyre dukurive që krijojnë kënaqësi instiktive seksuale.  Edhe ato kanë “Safot “ e tyre.(pulat e kuqe pëlqejnë lafshën e gjelave, pallonjtë parapëlqejnë bishtat shkëlqyes, shimpazetë Bonobot(pigmenj) s’mund të rrinë asnjë minut pa seks, breshka femër shkon me atë mashkull që e godet në kokë, leprushja e butë me atë mashkull që i shurron mbi të e i tregon bishtin,një kanarinë femër duhet të dëgjojë këngën e mashkullit që t’i rriten vezoret, krokodilët vetëm përdhunojnë etj,etj…) Shfaqje shtazërie ndeshen edhe te njeriu. E, ndoshta,po të flasim me gjuhën e Darvinit, njeriu seks nuk ka zbritur akoma nga pema. Ai është qenija më seksuale sepse, seksi nuk përbën domosdoshmërinë për shtimin e llojit, por mbi nëntëdhjet përqind të rasteve seksuale bëhen për kënaqësi fiziologjike. Kjo e bën njeriun gjallesën më epshore. Natyra  e njeriut  i tejkalon edhe përvojat shtazore në seks edhe jashtë llojit, seks me kafshë për të dyja gjinitë, me shpendë, me kukulla që imitojnë organet reciproke seksuale, për të mos folur për biseksualët,homoseksualët, seks me partner të vdekur etj, që janë devijime natyrore e aq më pak për manjakë të përçudnuar të rasteve ku nuk futet dot as fantazia. Në fushën e jetës seksuale janë të pafundme spekulimet qofshin këto si devijime natyrore, qofshin edhe të shoqërisë që gjithsesi nuk është e zonja ta ligjërojë e moralizojë jetën e saj. Sot ,problematika e jetës seksuale, familjes, divorcit, abortit, pasojave…etj, përbëjnë krizën më të rëndë të shoqërisë njerezore dhe rënien e diagramës shpirtërore të njeriut drejt zeros, ose drejt baltës. Të gjitha teologjitë në këto përvoja shohin fushën e gjerë të mëkatit, fëlliqësinë dhe ndëshkimin hyjnor. Filozofi teolog, Suun Moon, president i Fondacionit Botëror të Kulturës me qendër në Washington, gjykon se seksi jashtë martese është burimi i të gjitha krizave që kalon njeriu kontemporan. Ai arrin deri atje sa të bëjë pyetje asfikësuese për njeriun. “ Të kujt janë organet e tua seksuale ?? “Çdo njeri,mashkull a femër do përgjigjet :” Të miat “ – Jo ,thotë ai organet e tua seksuale janë respektivisht të gruas ose të burrit tënd…Në aktin sublim seksual të një çifti me kurorë ai shikon fytyrën e fëmijës së ardhshëm e në këtë akt sekondash (gjat derdhjes së spermës), njeriu takon Zotin duke u lidhur vertikalish me Krijuesin e Madh…
Por më duket se ai është një zë në shkretëtirë. Sot Zorba dhe prostitucioni nuk është vetëm fenomen grek, por gaz e për derë. Në emër të lirive dhë të të drejtave të tij, sot, veçanëtisht në jetën seksuale bëhen spekulime të rënda pikërisht në marrjen dhe shkeljen e të drejtave dhe lirisë. Zorba, të paktën, nuk ishte trafikant. Zorbasët e sotshëm e kanë kthyer seksin në trafikun më të madh njerëzor dhe shoqëria nuk është e zonja t’i bëjë zap e natyrisht, faji e krimi nuk ndahen propocionalisht. Meshkujt janë më imponues e më barbarë që kalojnë deri në marrje jete, nëse nuk realizojnë qëllimet e tyre seksuale paranojake.
                                               ***
   Te Zorba seksi është nevojë jetike si ushqimi ,uji e ajri. I jep mend dhe autorit : “Zotni, mos na i turpëro gjininë mashkullore. Zoti a dreqi të dërgon një meze; dhëmbë ke, mos e fal! Zgjate dorën ! …Kam parë e kam parë gra në jetën time, por kjo vejushë shëmbka kështjella. Dosa e dosave ! “(f.98). Nga ato të panumurtat ai kujton Lolën, një çupërlinë që i prishi mendë e i hëngri paratë e mikut, që duhet të investonte për trungjet.
Kish shkuar që të blente një pyll, gjeti Lolën,u çmend me seksin e saj e i bëri paratë rrush e kumbulla. Ishte shumë e re e kur një çun i tha se ku e shpinte atë mbeskë, plaku shkoi te berberi e nxiu flokët. Njëriu e harron lehte atë që nuk i intereson. Zorba nuk e di se shkencërisht seksi të shton jetën, por ai flet nga përvoja. “ Për zotin, më dukej se u bëra më i fuqishëm. E kuptoi dhe Lola…Një të therur që kisha këtu në veshka u shërua…Ti s’i beson këto se nuk i këndojnë qitapet e tua. “(f.164). Ai kujton dhe bullgaren Ludmilla që, edhe kur kish rrezik koke nga plumbat, e rastësia e çoi në oborrin e saj, fap duart në gjoks..” E pushtova nga mesi dhe u shtrimë e zemra më hidhej nga ëmbëlsia e Ludmillës “ (f.203). Femra e  fundit e jetës së tij ishte Ljuba,një serbe me të cilën u martua në pleqëri…Ish një dosë me shtatë derkucë, vejushe dhe kjo…E Zorba vdiq në duart e saj…

                    POETI  DHE  KOMPLEKSI  I  BESIMIT

   Niko Kazanxaqi ka përshkuar një rrugë të gjatë besimi dhe mosbesimi. Si njeri i dijes dhe i artit ka provuar ankthe dyshimesh për shkolla filozofike e letrare nga ekstremi në ekstrem e, në luftë për të gjetur vetveten, ka rezultuar në një kompleks me të gjitha ngjyrat e spektrit aq sa është vështirë të gjesh në të pjesën kryesore, ngjyrën dominante. Dhe të gjitha i ka shprehur në letër. Me sa duket, historia, politika, filozofia, feja e ka frymëzuar e i ka përgatitur një tryezë të begatë letrare. Me përjashtim të shënimeve të tij për udhëtimet e shumta, të cilat mbahen nga më të bukurat në llojin e vet, i gjithe korpusi i veprës së tij, ka në qendër njeriun grek. Në të gjitha gjinitë që shkroi si poema,drama,romane gërmon në njeriun e tij, duke i dhënë kulturës greke ide të reja e vlera universale përtej kohës së vet. Ai jetoi jashtë Greqisë e kjo,ndoshta e bëri që nga distanca ta vëzhgojë më afër e më me realizëm njeriun grek. Poema “Odiseja “,p.sh., (1938), vërtet e merr lëndën nga historia e lashtë greke, por tingëllimin dhe mesazhet i ka krejt bashkëkohore.Për të poeti punoi gati pesëmbëdhjet vjet. Duke e çuar më tej fatin e Odisesë së Homerit, ai nga të parët në letërsi, na dha një njeri modern që bashkon mitin me bashkëkohësinë në një epos madhështor. Kazanxaqi është mjeshtër i dialogut dhe i krijimit të skenave dramatike me konflikte të mprehta, me ndeshje karakteresh të papajtueshëm. Kjo jo vetëm në gjininë e dramës.( I  frymëzuar nga historia greke ai shkroi dramat  “ Kapodistria “, “Kostandin Paleologu “, “Tezeu “, “ Melisa “ etj., ku ngrë në skenë ndeshje të ashpra të historisë së re e të vjetër greke ), por sidomos atje ku shkëlqeu ,në gjininë e romanit. Ai është romancier “ rrebel “ e kudo poetizon frymën kryengritëse, papajtueshmërinë me botën,
ndikuar,siç jam shprehur nga filozofi gjerman F.Niçe. Kjo ka bërë që të vërtetat e tij të jenë të hidhura e disi të papranueshme për botën greke. Ai ështe rrebel jo vetëm kur merret me shfaqjet tiranike, por edhe kur evidenton humanizmin si besim të ri mbarënjerëzor.
                                                      ***
   Me Krishtin u muarr në të gjithë krijimtarinë e tij edhe në vepra direkte për Të, si tragjedia “Krishti “(1928), romanin madhor “Krishti kryqëzohet përsëri “ (1948) e nuk ka libër që të mos merret me besimin,Krishtin e Zotin. Ai, në esencë, edhe kur e lidh figurën e Krishtit me Biblën e çmitizon atë duke e trajtuar vetëm në planin human. Kam mendimin se poeti dhe shkrimtari i madh grek, pre e  filozofisë materialiste dhe e shkencave të shek.xx, kurrë  nuk ka parë te Zoti krijuesin suprem, kurrë nuk ka besuar në Të, veçse ,e shumta ka parë shëmbëlltyrën e njeriut të mirë human.,madje, duke parodizuar e stigmatizuar punët e kishës, të klerit e të besimit është mallkuar e akuzuar edhe si antikrisht nga kisha greke. Mendoj se dhe çeshtja e madhe e besimit ose e mosbesimit, te poeti ka shërbyer vetëm si frymëzim letrar, si nxitje, alternativë, dramë njerëzore etj. Me të drejtë, përkthyesi i talentuar i romanit në fjalë, poeti e filologu i njohur, Stavri Dajo shprehet se : “ Kazanxaqi është ndikuar kaq shumë prej Budës sa pranon ndikimin e Bergsonit, prej Leninit aq sa imiton Niçen, prej Homerit aq sa i nevojitet Getja. “ Ky ndikim të kundërtash të papajtueshme, e ka ngritur shkrimtarin në rrafshe supreme. Duke besuar e mosbesuar ,ai dhe personazhet e tij, plotësojnë vetveten me obsione e këndvështrime të ndryshme mbi botën dhe njeriun. Vëzhgues i mprehtë dhe mendimtar, ai krijoi një botë komlekse letrare me të gjitha nuancat e shoqërisë njerëzore si dhunën, frikën, bindjet politike e ideologjike, traditat, bindjet morale e fetare, familjen, materjen dhe shpirtin.
Por,pa dyshim,kudo nëkrijimtarinë e tij, monumentin më shtatlartë, ia ka ngritur LIRISË.
 Deziza e tij se njeriu është i lirë, nëse nuk beson dhe shpreson në asgjë, jo vetëm që është e diskutueshme, por të bën që t’i afrohesh me frikë këtij monumenti. Një personalitet si Niko Kazanxaqi, i akuzuar nga e majta dhe nga e djathta, se nuk u lidh sa duhet ma aspiratat e popullit, se kritikoi kishën dhe priftërinjtë e shigjetat e helmta i drejtoi edhe kundër vlerave kombëtare, mendoj se është i pathemeltë. Ky vlerësim leninist mbi figurën e poetit e shkrimtarit është thjesht një paragjykim tradicional që e ka burimin te cektësia e masave  popullore. Poetët nuk kanë lindur të çlirojnë atdheun, as të ndreqin botën. Ai, nëse është vërtet poet, kthehet në një institucion që fisnikëron njeriun indirekt me anën e zbulimit të të bukurës,estetikes me të gjitha kategoritë e saj.
Idetë, ideologjitë, politikat, moralet janë moçalishte  të letërsisë së vërtetë dhe artit. Realisht, askush nuk mund të mohojë se N.Kazanxaqi u bë zëdhënës i psikologjisë së kombit të vet, shprehës i shpirtit grek, ashtu siç e ka, me Zot e Satana përbrenda. Në këtë drejtim ai, me realizëm magjik e transparencë, hulumtoi njeriun duke na dhënë kumte e mesazhe universale. E kjo e bën një nga personalitetet më të mëdha të kulturës së pasur greke.
                                                    ***
   Zorba është një çelës në krijimtarine e tij, që hap e mbyll me mënyrën e vet filozofinë e përvojave njerëzore. Personazh kaq i dashuruar nga autori, por dhe kundershtar i pamëshirshëm, ai sfidant i librit dhe i dijes, shërben njekohësisht edhe për të shkarkuar pikpamjet moralo-filozofike të autorit.. Zorba është djall dhe zot. Djall që mohon libat dijen dhe shkollën. Zot i vetvetes, sepse i lirë. Veprimtaria e tij në çdo hap shkarkon demonë. Ndoshta janë të rralla veprat letrare ku autori, duke qenë kundër personazhit të vet, e admiron atë deri në personalizim të vetvetes, gjat gjithë kohës, që kur u takuan për herë të parë (1914), deri më 1942,kur Zorba vdes. Romani  “Jeta e Aleksis Zorbas”, u shkrua pas vdekjes së heroit. Dhe vetëm një dashuri e miqësi aq e madhe, mundi ta ringjallë atë.
“ Ringjallja” e Zorbës është njëkohësisht shpalosja e pikpamjeve të autorit, duke anuar dukshëm nga njeriu praktik dhe liriria individuale. Zorba u ringjall ashtu siç ishte , trup gjigant, gjithë mish e kocka, me virtutet dhe veset origjinale. Ai u bë bojë e letër, emër i përgjithshëm e u ngrit deri në mit. Në shumicen e rasteve intelektuali aq fin, duket i vogël para dragoit Zorba, këtij analfabeti të vrazhdët që i dhënka mësime profesorit edhe për thelbin e jetës, Zotit, shpirtin dhe lirinë. “ E,pra sa e njeh botën ti,- i thotë,- zotrote as uri ndien, as ndokënd ke vrarë,as kevjedhur, as me gra keshkuar…mendje e njomë, lëkurë e pa vrarë nga dielli..” (28). Shpesh autori e ndien veten keq  se s’mund t’i përgjigjet djallit të vet. “ E dija ç’duhet shëmbur (tek Zorba, P.L.), por jo ç’duhej ndërtuar “(f.64).
   Tek njeriu mbisundon tradita, zakoni, e vjetra. E shkuara  nuk është vetëm histori, ajo i vë vulën  edhe njeriut, edhe letërsisë. Ajo është gjymtyra më e madhe e kohës. Dhe e vetmja, siç shprehet Folkleri. Me të tashmen takohemi të pakënaqur në një pikë. Të ardhmen s’e dimë.Ajo është erë, ëndërr,fantazi… Zorba, nuk ka shkollë, prandaj nuk u prish. (!) Ai dhe problemin më të vështirë e zgjidh me një të rënë të shpatës dhe, është kaq i vendosur në ato që thotë e që bën sepse  i takon tokës. Ai është si gjarpri, që humnizojnë afrikanët – thotë autori- sepse është tërësisht në tokë,me bark,me bisht, me kokë me herdhe.“ prek, bashkohet e bëhet njësh me nënën.Ne shkollarët jemi zogjtë e shushatur të ajrit.” (f.65). Nga ana tjetër të dy sikur plotësojnë njeri tjetrin. Ata konvergojne për të shpallur alter egon e tyre, veçanërisht në kompleksin e besimit.
                                                       ***
   Shpirti për Zorbën nuk është i pakapshëm dhe eterik siç e përfytyrojnë njerëzit, por mish, bukë, verë.Këto janë lëndët përbërëse të tij, ndaj ai, llupës i madh kur ha e shqepet me mish, ullinj, verë , thotë i kënaqur:” Më erdhi shpirti në vend. “ Ka një djall brenda tij që ulëret kundër gjithçkaje, vetëm kundër grave, jo. Jastëku i vejushave mban erë ftoi  dhe djalli do mish e verë.
-          A ekziston Zoti,zorba ?
Autori vetë nuk mund t’i përgjigjet. E pyetja hidhet edhe për të verifikuar vetveten. Zorba e di. Ai e përfytyron të pandryshueshëm si vetja e tij. Veçse më të gjatë, më të mbajtur, më të hazdisur dhe të pavdekshëm. Për Zorbën, Zoti nuk mban në dorë shpatë e peshore, por një fshirëse të madhe, të madhe sa një re shiu. Shpirti para  Zotit është i lagur, dridhet së ftohti..” Aman, derman, lutet, falmëni mëkatet dhe zë e i rrëfehet. Zoti gogësin,mërzitet dhe fap ia fshin me fshirëse. Hiqmu qafe,qafir! Nisu në Parajsë..se Zoti fal…(f.102) Sipas Zorbës Zoti do ishte më i kënaqur, nëse sonte ti shkon në krevatin e ndonjë vejushe. Sipas tij dhe Shën Maria vejushe është. Këto mendime e çoroditin autorin dhe lexuesin dhe pyetjeve të përsëritura miliarda herë se a lindi Zoti në stallë,a u ngjall …etj, nuk i pëgjigjet dot.
Ndoshta deviza e besimit të autorit është  “As besoj, as nuk besoj “, e kjo dilemë, sipas doktrinës biblike, e bën heretik. Sensi praktik i Zorbës shkatërron dije e besime edhe në konceptin e lindjes sëKrishtit. I etur pas qejfeve e orgjive, ai e pranon këtë si një shkak më shumë për tu harbuar.
Mos u merr me cicrra –micrra, - thotë ai –jo lindi, jo s’lindi. Lindi, thuaj.
Dhe, vini re argumentet ala zorbë : “ Po ta shikosh ujin që pijmë me një lente, do shikosh mijra krimba të vegjël që s’t’i zë suri. Atëhere nuk do pish e do ngordhësh nga etja.  Thyeje atë dreq lente, zotni, të zhduken krimbat, të pish e të të kënaqet mëlçia..(f.112). Kjo mosvrasje mendjeje, kjo” ku rafsha mos u vrafsha”, e bën Zorbën që të filozofojë përvojat e tij edhe në fushën e besimit. Ai nuk i ka të ndarë trupin dhe shpitin, por njësh. Ne të janë shkrirë dëshira për gra, mish e verë, punë e qejfe, pse jo ,dhe pema ,deti e qielli. Te gjitha janë njësh e bëhen zorbë. Ky është raporti më harmonik i rrethanave të jetës me njeriun pa kokëdhëmbje. Ndërsa popeti, “zogu i shushatur i ajrit,” i takon botës së shqetësimeve, botës së librave, poezisë, pagjumësisë, mendimeve të kaltra,ujit pa krimba njeriut të pastër e steril si poezia e Mallarmesë. Poeti e di se bota është e mbushur me njeriun e vrazhdët, të pistë e banal e skenën e zotërojnë pikërisht këta. Por për poetin ndjenjat dhe mendimet e njeriut të zakonshëm, banaliteti dhe vrazhdësia, krijojnë klithmat e artit, idetë abstrakte e duke kaluar nga një alkimi në tjetrën,çmaterializohen ose mitizohen nëpër libra, të cilat kurrë nuk e ngopin, kurrë nuk e velin që t’i vjellë tepëricat si Zorba me Zot e dreq atdhe e para. Megjithatë autori ,para Zorbës pëson lëkundje të thella.
Me Budën dhe Krishtn ndjehej bosh sepse duhet të qendronte shumë steril. Zorba është i mbushur plot e përplot e përvojat janë kokëforta. E kulluara, sterilja, asketimi i Budës vuajtjet e mundimet që predikon feja duket se nuk aprovohen. Mos ndoshta Krishti dhe Buda ishin njerëzit e fundit? Mos erdhen herët midis nesh ? Apo janë të parët dhe të fundit ?
Sidoqoftë njeriu e ka çdo gjë në fillim. Ai as ka ngrënë, as ka pirë, as ka puthur. Ai sapo ka ardhur dhe do të jetojë. Me keqardhje, vëlla Budë, por ik,ik! E të gjitha këto dilema e sfilitin poetin, vinë e kthehen në ankth e bëhen forcë e shpëtim vetëm duke u shprehur në art. Ky është nordi i poetit, përbetimi i asaj çete të vogël profetësh e magjistarësh që jetojnë për të pikturuar dhimbjen njerëzore duke e hedhur zemrën nëpër këmbët e njerëzve, mjafton që atje të çelin zambakët.
E në këto lëkundje ,në një çast, poeti tha “ shporru Budë”, jo” shporru Lenin !” Nuk mund të fajësohet. Iluzionet gjëthnjë të mashtrojnë e kur ato bëhen planetare, poetët janë fajtorët më të pafaj e  mëkatarët janë të justuifikuar. Iluzionet leniniste s’mund të realizoheshin. S’mund të shkoje në parajsën e lirive e barazive nëpërmjet ferrit.
   Sipas Zorbës çdo njeri ka parajsen  vet. Parajsa e njerëzve do të jetë e mbushur me bute me verë, uzo, konjak, ajo e poetëve do jetë plot me libra e damixhane me bojë, ndërsa e Zorbës do jetë një odëz e vogël me erëza e fustane lara lara, një krevat dopio me sustë, e në mes, shtrirë një vejushe..
Siç shihet Zorba fillon e mbaron me qejfet e kësaj bote. Ai e gëzon jetën në të gjitha çastet që i jepen dhe çdo gjë sikur e fillon nga fillimi, edhe pemët, edhe zogjte, edhe detin..Ai është gjithnjë i dehur nga ushqimi ,vera, puna, kënga, vallja, seksi. Duke qënë antibudë në çdo qelizë, ai e vulgarizon edhe krijimin e njeriut nga Zoti, që e paska bërë prej balte të njomë si kukull, që e la në diell të piqej e kur e pa se u poq, kuptoi se kishte bërë një derr, e kapi prej zverku, i hoqi një shkelm bythëve e i tha ,hajt mbathja tani! Shko e pill derra e dosa ! Megjithë këto banalitete ,autori vëren te Zorba se ai është i kënaqur nga vetja, jeta e tij është plot lëng e variacione. Më kot e vështirësojnë botën filozofët dhe shkrimtarët. Në ato ngushtica nuk hyjnë zorbat. Ndërsa poetët pak lumturi kërkojnë, fare pak. Ankthi i krijimit, ëndërrimi janë të mjaftueshme. E për ta ,vetëm me to, jeta është plot dinjitet e ia vlen të jetohet, vetëm me to, ajri është i mbushur  me zëra e shpirtra. Në këtë kuptim yni është dhe Zorba, dhe Buda. E shpirti i poetit ka vend për të gjithë planetin.
                                                 ***
   Po pasjeta ç’është, o Zorba ? A ekziston ajo ?
 Për metafizikën janë shkruar mijra libra e askush nuk e ka parë. Që të pranosh këtë dilemë mbarënjerëzore, duhet të pranosh Zotin , atë Tejlartin e padukshëm, që ka lodhur në mijra vjet elitën e mendjes njerëzore  e përgjigje s’ka marrë askush. Të dyja ekstremet e kësaj dileme kanë miliarda njerëz rreth vetes e në të dyja, poetët  dhe artistët kanë dhënë kryevepra në letërsi e në arte. Niko Kazanxaqi ( e çuditshme kjo) që e njeh mirë Biblën, Krishtin, Budën, e Muhametin, pohon pa ekuivok  nën influencën e Zorbës se “ Kjo jetë qenka një dhe vetëm një, për gjithkënd, tjetër s’ka. Çka mund të gëzohet vetëm këtu, shkon shpejt e s’do kesh rast kurrë ta rijetosh “(f.155).
   Prandaj zito Zorba ! ( rroftë Zorba) !
                                               ***
   Gjat gjithë faqeve të romanit, lloj lloj idesh vërtiten në mendjen e autorit. Ai ndien përgjegjësinë e atyreve që thotë mbi jetën, shpirtin , Zotin dhe të dashurosh Zorbën,d.m.th.,të të shkojë jeta kot pas gëzimeve të vogla e çikërrimave  dhe , thellë ndërgjegjes së tij intelewktuale i ngrihet një zë : “ turp,turp ! “… Por ç’qenka shpirti ,mor aman?! Në ç’raport duhet vënë ai me detin, retë, dhe erën e dheut ? A thua se dhe vetë ai, shpirti, është det, re dhe erë ? (f.156)Ky panteizëm i autorit, më duket se shpreh, jo vetëm dyshimin e ekzistencës së Zotit, e të shpirtit ,por dhe pohimin për ta. Pamvarësisht dilemave, njeriu edhe më i thjeshtë ,është i intersuar ta ruajë margaritarin e vet, shpirtin. Cikli i përsosur i natyrës dhe i jetës me ringalljen e Krishtit dhe përtëritjen e jetës, më duket se e lë hapur besimin dhe të gjitha shtigjet  të çojnë te metafizika, tek kjo enigmë, që më së paku si objekt enigmatik, ka dhënë vepra moderne letrare e artistike. Është një kurth misterioz, edhe si humnerë e pafund ku fillon asgjëja ,edhe si shpresë gërryese e paverifikueshme, e ,prandaj, fjalët përjetësi, dashuri,shpresë amshim,qetësi absolute apo parajsë, ferr  e Zot ngacmojnë ndërgjegjen e njeriut e bëhen përrallë. E vjen Zorba e sikur të zgjon nga gjumi, të përshkëndit ëndërrat e lexuesi, dhe autori, duket se përsërisin Zorbën “ “Mjerë ai që nuk u shpëton dot budëve, zotave, atdheve e ideve.”(f.167). Dhe unë pyes autorin, si do bëjë njeriu pa to ? Nuk pres përgjigje.Secili ka metrin e vet.
E rëndësishme është se autori e dha sinjalin.Ai të informon.Të shqetëson.Kjo është e mjaftueshme për artin.A nuk është lëtërsia dhe arti një pyetje për boten ?
                                            ***
   Njeriu kontemporan po bëhet gjithmonë e më i pashpirt. Globalizmi e kozmopolizmi i rrafshon identitetet e njeriu duket i kënaqur e i prirur për sa më shumë para e lufton për ta gëzuar tërësisht jetën. Përbrenda është bosh e shpirtin e ka me baltë. Duket sikur shpirti mbetet gjithnjë jetim e oksigjeni i tij është i mbushur me pluhurin e zi të njeriut që lakmon i babëzitur ushqim, pije, seks. Për këtë farë mileti, s’ekziston pastërti e shpirtit dhe përjetësia është jeta e përditëshme, çasti. Po frika nga vdekja, dilemat,  e bëjnë dhe intelektin të ketë nevojë ,qoftë dhe një çast të vetëm ,të ballafaqohet me diçka ideale e sublime. Ka një çast ëndërrimi për Shën Marinë Kazanxaqi që duket sikur u këndon visareve të saj në gjumë. Përçartjen e tij e dëgjon Zorba : “Tokë e Mirësisë, Vresht, Krua, Lumë, Burim i çudirave, Shkallë e Qiellit, Urë, Agim, Rrufe, Gezim, Ngushëllim…” (f.186). Flet me vete lumëmadhi,pëshpërit Zorba dhe e mbuloi me një batanie të mos mërdhinte. E mjaftueshme kjo për njeriun poet. Qoftë dhe në ëndërr,qofte dhe në psherëtima të pavullnetëshme le ta kemi të pranishëm Zotin…
                                                     ***
   Rilindja e Krishtit në Greqi festohet,ndoshta më madhërisht se kudo. Është ringallje e të gjithëve. Duket sikur lind shpirti dhe shpresa e të secilit e vallja e kënga derdhen lumë. Grekët festojnë shumë. Ditët e zakonshne mezi i shtyjnë e presin një shkak të mblidhen e t’ia valojnë këngës e valles. Faqja e vitit të tyre ka dhjetra festa, emra shënjtorësh, datlindjet, përvjetorë, pagëzime, dasma, festa kombëtare etj.
Të gjitha mbushin jetën  me gëzime tradicionale pafund. Sumë herë në vit Athina dhe periferia(eksohia) bien erë mish të pjekur e verë. Ushqimi shumë i pasur, kënga, vallja pse jo dhe seksi jashtë kurore, më duket se e largojnë kuptimin simbolik të ringjalljes së Krishtit. Ndër ta më tepër se shpirti rilind trupi e duket sikur feja e tyre fillon nga stomaku. A  thua jemi në kufijtë e mëkatit. Por zorbave, tërr nuk ua bën syri.Nuk duan të dinë për kuptimet, simbolet e këshillat fetare. Dokrra i duken këto Zorbës e ha ,pi si lugat, vjedh, bën padrejtësira, harbon nëpër gra. Dhe ky dinak, llupës e horr e barazon Zotin me veten se sipas tij Zoti ka fytyrën e Zorbës dhe zoti e shejtani janë e njëjta gjë…
   Autori i lëkundur në besimin e tij, shpesh bie në trishtim të thellë pa asnjë rreze drite që, në esencë, çdo njeri e çon në boshllëk. “Gjëja më e lartë që mund të arrijë njeriu nuk është as të nxënët,as virtyti,as mirësia as fitorja,po diçka tjetër më e madhërishme, më heroike, tmerri  i shënjtë. “(f,240)…(no koment !).Ideja e autorit se njeriu është një krimb i vogël në një fletëzë që përpiqet të jetojë duke thithur lëngun e saj (gjethes së tokës ), se ai bën një jetë krimbi buzë humnere,të tmerron dhe kam mendimin, se bije në kundërshtim me veten dhe me Zorbën.
                                                  ***
Niko Kazanxaqi,ky krijues kaq prodhimtar, kaq vital e cilësor që u ngrit në majat e kulturës greke e më tej, kam mendimin se nuk është ndikuar nga tmerri shenjtë siç shprehet më lart ; ai nuk e ka patur frikë ekzistencën, përkundrazi, i mbushur me ankthe krijuese, ai u muarr me lëndën e së bukurës,poezisë dhe me vullnet e energji i këndoi shpresës dhe besimit, guximit njerëzor; ai , duke e shndërruar të pashmangshmen,fatalitetin në liri,ra në  burimet e artit të vet e të një frymëzimi të pashoq.Lekundjet ideore të tij ,siç jam shprehur,rrjedhin nga një botkuptim të formuar me shumësi influencash. Por poeti i ka mundur demonet brenda vetes, e ka mposhtur frikën, e ka braktisur humnerën, jo si krimb, por si hero, me mjetet më elitare të njeriut, lapsin dhe letrën.Në penën e tij këndojnë zogj hyjnorë, mbushen me frymë zarzavatet, gurgullojnë retë, pemët dhe gjoksi i Kretës këndon… Mbase e justifikoj trishtimin e tij me Zorbën,me zorbën mjet, për të shkarkuar nga vetja mëkatin,mëkatin, këtë epidemi të pashmangshme mbarënjerëzore që kur Adami dhe Eva, u përzunë nga Kopështi i Edenit.
                                                      ***
   Vendi ku përpunohet besimi ndaj Zotit është kisha. Nuk ka roman të Kazanxaqit që të mos ketë të bëjë me kisha, manastire, e vende të shenjta.
Në të gjithë territorin grek, kishat kanë mbirë shumë dendur,fshatrave e qyteteve. Në vendet më të bukura e piktoreske. Galeria e personazheve të
Kazanxaqit do të ishte e mangët pa priftërinj, murgjër e murgesha, peshkopë, kallojerë etj. Te Zorba , ata janë të pranishëm që nga mitropolit deri te at Stefani. Klerikët e Kazanxaqit janë një botë më vete.
 Vetë prifti grek është dhe njeriu i shërbesave fetare, dhe patriot, politikan e jo rrallë edhe rrufjan, llupës, qejfli, homoseksual e ,ku e ku, edhe trfikant.
Shkurt ai i ka të tëra veset njerëzore e , jo rrallë kisha, nuk përdoret si shtëpi e Zotit ,por edhe e shejtanit. Ndaj tyre autori  nuk i kursen shigjetat e ironisë e sarkazmës dhe shpesh mbi priftërinj rrufjanë, godet pa mëshirë. ( Po të qe gjallë Kazanxaqi me siguri do ta shkruante ndonjë libër për klerikun e lartë grek të ditëve tona, Viavilis, që kishte shumë zanate si prift, polic,sigurims, manazher milionash të piramidave shqiptare, trafikant droge e femrash e ku di unë ç’ tjetër..)
    Prift, hiqmu qefe ! kjo është deviza e autorit për këta lloj.
(Më është dhënë rasti të vizitoj shumë kisha e manastire në Athinë. Kisha të mrekullueshme kryesisht të kohës së Bizantit, të riparuara e të mbajtura mjaft mirë.Kam marrë pjesë në shumë cermoni fetare të grekëve dhe shqiptarëve si, pagëzime, dasma, vdekje, e kremtime kalendarike, vërtet për t’i patur zili, por edhe veprime skandaloze, grindje priftërinjsh për dhrahmi,pazare e orgji të turpshme, raste prostitucioni të neveritshme etj.
Pas predikimeve fetare, kam dëgjuar priftërinj të flasin për atdheun e të ndërhyjnë brutalisht në punët e shtetit e të politikës, të bëjnë thirrje për ndihma njerëzve në nevojë, por dhe për lirimin e Oçalanit, apo firmat e pasaportave për të mos qenë sipas kërkesave të Evropës, apo për të ndihmuar vëllezërit e tyre serbë, se në luftën me Kosovën vuajtën shumë e jo një herë njerëzit e vrarë e të masakruar të Kosovës ia paraqitnin popullit grek sikur qene serbë… Se mos vetëm kisha !...Neise …!)
Në këtë drejtim e kam besuar Kazanxaqin. Zorba u qaset kishave e manastireve për të gjetur ndonjë vejushë, a ndonjë murgeshë. Ai nuk i beson as Zotit, as njeriut, as dreqit e të birit.Dhe festat fetare për të janë burime kenaqësish trupore. A thua se është e vërtetë fjala e autorit se : “Njerëzit e fiseve të egra besonin se kur një vegël muzikore nuk u shërben më riteve fetare,ajo nxjerr tinguj hyjnorë. “ (f.159) Një ditë Zorba propozon që të shkojë në një manastir e të merret me kontrabandë, gra, buzuqe, damixhana me verë ,uzo, konjak, derrkucë të pjekur…Ndërsa ato që flet prifti në kishë, sipas Zorbës, janë dokrra e qiqra në hell. Një kallojer thotë për manastirin e fshatit se” atje nuk është kopështi i Shën Mërisë , por baçeja e shejtanit…fukarallëk, shtypje, virgjëri, eunukë, pare, kurvëri .” (172) Natyrisht, shtoj, sikurse ka dhe vende të qeta manastiresh në mes të natyrës, të qeshur me orgaje të blerta, harmonizuar mjeshtërisht me natyrën, streheza të përsosura për tu shpëtuar telasheve të jetës e për të qetësuar shpirtin.
Në galerinë e klerikëve Zorba shikon njerëz mushka. As burra as gra. “ I shpëlaftë mortja “(f.172) e, njeri do gra, tjetri djem, tjetri bakalaro, tjetri pare…Në shpirtin e grekut të rëndomtë( dhe priftërinj),gjallojnë epikurët dhe dionisët e lashtë, qejfi e gëzimi i jetës, trupi dhe shpirti, e ,natyrisht dhe mëkati. Nën plantacionet e mrekullueshme të limonave, portokalleve, ullinjve, nën gjethnajën e gjelbërt të vreshtave, që prodhojnë verë e ciporo(raki), e nën rason e zezë të kishës, mbështillet trupi i përcëlluar
nga dielli , e , brenda tij rreh zemra e Greqisë.  Në përshkrimet e portreteve të klerikëve, Kazanxaqi ka diçka dhe nga asketizmi i Budës, një farë shartimi greko-indian, “ të hash e të pish paq në festën e krishtlindjeve e pastaj të shpëtosh vetmitar nga çdo grackë, t’i kesh yjet sipër kokës, në të majtë toka, në të djathtë deti e ,befas të ndiesh se brenda zemres sate, jeta ka mbaruar e është shndërruar në përrallë. “ (f.113). Zorba është në kundërshtim të plotë me këto. Ai është ngopur e tani vetëm vjell, kishën e Zotin, atdheun dhe patriotizmin..Patriotët s’i gjen gjë thotë ai, ( diku kam lexuar se patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve), unë s’jam patriot,as fetar dhe le të vuaj…Shumë i besojnë Parajsës dhe e kanë lidhur gomarin, ai s’ka gomar,ai është i lirë dhe s’i trembet Ferrit..
 “ Ja ,kështu jam unë,Zorbë me shtatë mëkatet “
                                                    ***
   Një erë ankthi e frike rëndon mbi qytetarin  grek nëpër mjediset hijerënda të kishave dhe manastirëve. Ai i beson ikonës dhe misterit, riteve dhe  temjanit, bukës dhe ujit të bekuar. Ai u beson dhe mrekullive. Me to e brenda tyre, djajtë dinakë arratisen e nga krojet arrijnë shpirtrat plot mirësi…Duket sikur brenda shpirtit të tij kërkon atë që nuk e ka e, nëse mihim me thonjtë e arësyes, në ndonjë ikonë, dru, apo mermer, mund të gjejmë në ëndrra shenjtorë bamirës për të shpëtuar shpirtin. Kosta Varnalisi ka gjetur ndër këto mistere edhe shpirtin e mashtruesve. “ Me të tilla çudira,forcoja mbretërinë e iluzioneve në pellgun e lotëve të të mjerëve “ ( Apologjia e Sokratit)…
   Në manastirin e fshatit Zorba tmerrohet kur Mavroandoni theri një vejushe të bukur se na paska bërë mëkate. Zorba i turret me grushta, përgjaket, e thërret burrash në duel…E autori i tronditur nga kjo vrasje kanibaleske, e trajton sikur vejusha nuk u ther në syte e tij, por para mijra vjetësh, në kohën e barbarizmit.. Ai tregon për një murg që i vuri flakën manastirit, priftërnj asketë që hanë bukë e ujë e të tjerë llupsa, horra e mëkatarë; ai përshkruan vdekjen e Ortansës e shfryn urrejtjen kundër vajtojcave që kanë filluar “ vajin “, akoma pa vdekur e zonja e që po i vjedhin plaçkat e shtëpisë, deri te lugët e pirunët. Buka e ëngjëjve, shpesh përbaltet në shtëpinë e tyre e murgu Zaharia, mbi shpirtin e të cilët kanë zbritur demonët, djeg manastirin.  E Zorba që herë herë filozofon saktë, kujton një fjalë të Hysen Agait : “Dëgjo ,mor bir ! Zotin s’e nxënë dot as shtatë rrathët e qiellit,as shtatë rrathët e tokës. E nxë vetëm zemra e njeriut. “ (f.247).
   E pra, rroftë njeriu që zemrën e ka mbushur me Zot !
                                               ***
   Vdekja është fundi i jetës. Teologët thonë fillimi i një jete tjetër. Me sa duket është problemi më i madh i filozofise, ajo dhe vetvrasja. Përgjithësisht njeriu i trembet fundit. Por…“ Shenja e parë fillestare e inteligjencës – thoshte Frans Kafka- është dëshira për të vdekur. “Janë shumë të paktë ata  që janë përgatitur ta presin vdekjen me dëshirë, sepse njeriu nuk e ka të lehtë të ndahet përgjithmonë nga mjedisi i dashur  rreth e rrotull si, familja, njerëzit e dashur,prindët,bashkëshorti , fëmijtë,  pa folur për elementët e tjerë të pafund, që duhet t’i lësh. Metafizika  është hipotezë e paprovuar nga askush, prandaj, gjithnjë e mbuluar me mister e , ndoshta dhe fushë e letërsisë moderne, kaq e suksesëshme vitet e fundit. Në historinë e popujve ka këndvështrime të ndryshme për të vdekurin, vdekjen, por të gjithë e respektojnë vdekjen dhe  ritet zakonore rreth saj.
Veçanërisht njeriu ballkanas, që në krijimet  e para artistike, aedët e rapsodët, Homeri e tragjikët e mëdhenj grekë, eposi i mrekullueshëm shqiptar e baladat ndërballkanike, vajet dhe epitafet tregojnë se sa shumë respektohej vdekja dhe I vdekuri. E kundërta përbente faj të rëndë, rrjedhimisht të ndëshkueshëm si për çdo krim. Kujtojmë Patroklin, Hektorin, Antigonën, Orestin, Omerin, Ajkunën te varri i të birit etj, etj. Çuditërisht ritet e vdekjes në malësitë tona janë të ngjajshme me ato të Kretës e kjo, sepse zonat periferike ruajnë më me fanatizëm thelbin orgjinal të qytetërimit të metropolit e kjo, domosdo tregon dhe ardhata shumë të vjetra prej andej në trojet greke. Qëndrimi ndaj vdekjes është çëshjte besimi., por dhe karakteri. Zorba u përket atyre njerëzve që e sfidojnë vdekjen si nga anët e malësive shqiptare që “ E bëjnë vdekjen si me le “. Por Zorba nuk e zgjat qzfën t’ia marrë ajo. Shporru!,  thotë. Ai u “martua” me Ortansën në moshë të thyer e të dy mbajnë shoshoqin me shprese për ta larguar pleqërinë. Pa ka dalë dhe një ilaç në Evropë, i thotë Zorba që po ta pish të bën njëzet vjeç. E Zorbica ia kthen që, nëse është lëng t’i blejë një damixhanë, nëse është pluhur, një thes. Pleqërisë i trembet Zorba, jo vdekjes. “ Vdekja s’është gjë,një puff dhe shuhet qiriri,por pleqëria është turp i madh. Ndaj hidhet e përhidhet ai, ha, vrapon, noton, kurvëron lyen flokët që ta mundi pleqërinë. Kur të mbushi tetëdhjet vjeç do t’i lërë gratë, se pa to, d.m.th.vdekje, ose pleqëri…E kur të vejë në Parajsë, do dalë kryeëngjëlli e do t’i thotë : “ Hyr ,o sevdalliu i lalës, hyr ,o martir i madh ! “ (f.198). Vdekjen e urren, ajo është mistrioze e llahtarshme e çdo vdekje s’i ngjan vdekjes. Dhe i ngrati njeri, s’do të iki nga kjo botë e sikur mbahet me thonj e me dhëmbë deri në sekondat e fundit. Dhe është e çuditëshme, edhe njerëzit që nuk e kanë besuar Zotin ,në çastet e fundit duan ta afrojnë atë ( Ortansa mban ikonën e Krishtit nën jorgan e lutet ,e falet sikur Krishti të qe ilaç i rrallë ).  E pa llahtarën në fundin e Ortansës Zorba e tregon gjithsesi me llahtarë : “ E lanë me verë dhe sakaq mizat e vdekjes e sulmuan e i lanë vezët e krimbave në turinj, në sklepat e syrit, në cepat e buzëve…” (f.234). Zorba është trim dhe në vdekjen e tij. Pasi i jep porositë e fundit gruas, Ljubës, deklaron : “Në ardhtë ndonjë prift të më kungojë, i thuaj të thyej qafën, paça mallkimin e tyre !“(f.275) . Dhe ashtu siç qe, flaku çarçafët, hovi vrulltas përpjetë, doli në dritare, u kap pas parvazit, shikoi tutje nga malet, zgurdulloi sytë dhe zuri të qeshte e të hingëllinte si kalë..E kështu, qiri më këmbë, me thonj të ngulur në dritare e mori vdekja.
    Shqiptarja e madhe, Nënë Tereza, ajo ëngjëllorja jonë me të bardha,
shpalli paqen me vdekjen e njeriut e mijra të sëmurë donin të vdisnin në duart e saj.Ajo ia bëri njeriut të pafrikshme vdekjen duke i dhënë asaj dimensione humane, jetësore e biblike; ajo vdekjen  e përjeton jo si ikje por si rilindje, si një kalim në substancë e shtëpi tjetër. Ajo e pagëzon vdekjen dhe e bën të lehtë e të bukur. Në poezinë  “ Vdekja “ te libri ‘”Dritaret e shiut “ do t’i këndoja asaj, në disa vargje, jo si fatalitet, por si domosdoshmëri.
                              …Qiriri i bukur
                                   Përdredhur prej dylli
                                   Fitilin e vdekjes ka në mes.
                                   Ajo është flaka,unë jam mishi
                                    Ç’kuptim ka qiriri po s’u ndez ?...
                                                       ***
       Vdekja e poetit, natyrisht, ka dimesione të tjera. I influencuar dhe nga Buda, Kazanxaqi, “përpunoi “nëpër gishta pesë elementet bazë të jetës, tokën, ajrin, qiellin, diellin dhe shpirtin. E të gjitha këto prej balte e drite i bëri frymë e muzikë në pejsazhe magjike. Kreta për të ështe qendër e botës dhe e qytetërimit të lashtë. Dhe vërtet, kjo kitarë e shtrirë në mes të detit, luan e këndon me valët e me erën. Në bukuritë e Kretës ai kapi mesazhet e gjithësisë, zgjoi shpirtrat e u bë njësh me natyrën. Në pllajat dhe luginat rrethuar me detin valë valë derdhet poezia. Ky është besimi suprem i poetit, besimi ndaj të bukurës që fisnikëron njeriun dhe zbut bishat. Për të flasin gurët, lulet dhe shiu, flet mali dhe retë e bardha përmbi det, e Kreta këndon. Në përshkrimet poetike të tij fryn vazhdimisht një erë e vakët deti që ngjall pemët, e fryn gjokset e vajzave e të ngjan se trup e shpirt janë e njëjta lëndë e gjithçka lëvis si era, e jeta është një zinxirr i pandërprerë si stinët, e njeriu gjallon e shpërthen si pranvera, e yjet natën tringëllijnë zilet e argjenta. Ai e shkrin bukurinë e natyrës më të njeriut deri në të vërteta absolute, e kthen atë në mit e në përrallë e këtë mund ta arrijnë vetëm poetët e mëdhenj e, pse jo, në këtë ndjenjë e shprehje të madhe të besimit ndaj së bukurës ai pa fytyrën e Zotit, e Zotit krijues, e Zotit poet.

                                       
NDARJA

Të dy miqtë ndahen me lot në sy. Dështimet në realizimin e planeve i kishin afruar edhe më tepër. Të dy janë të heshtur. Zorba pi, tjetri ka ngulur sytë diku dhe nuk flet. Të dy donin të binin në krahët e njeri tjetrit e të shkriheshin në vaj por u vinte turp. Dukeshin si dy gjethe vjeshte që i kish këputur era e për pak do t’i hidhte tutje ,kushediseku,
secilin pa adresë.
-          Merr sandurin , Zorba.
   Por zemra e tij ishte muzg. Ndoshta pas një a dy vjetësh do këndojë për këtë ndarje. Atëhere sanduri i tij do ulërijë.
-          Do të mos iki ,Zorba ? Unë jam i lirë.
Po Zorba nuk i ha këto pallavra e i thotë se ai nuk është i lirë,se të jesh i lirë, sipas tij, dmth, t’i këputësh  të gjithë litarët, e se liria kërkon marrëzinë.. “ po ti ke tru e kjo të prish punë e kjo do të ta hajë kokën “(f.266) Autori në sytë e tij është i dobët, kamomil, ndërsa ai vetë rum i fortë që turbullon botën. Marrëzia mungon te intelektualët  e ata mund t’i kenë litarët e skllavërisë pak më të gjatë se të tjerët, por janë të paaftë për t’i këputur. Po është e rëndë shumë ndarja e tyre. Ata kanë qenë kaq intimë, kaq të afërt me njeri tjetrin, fizikisht e psikologjikisht si dashuria. E heshtja midis tyre është e rëndë. Një yll u këput nga qielli e u zhduk. Befas, Zorba zgurdulloi sytë me frikë sikur për herë të parë pa yj që shuhen dhe : “ Papritur zgjati qafën e lartë eshtake,fryu gjoksin dhe lëshoi një çirrmë të vrazhdët e të dëshpëruar. “(f.267). Dhe ja tek ia shkrepi këngës., një kënge të moçme gjithë brengë e vetmi që i gurgullonte thellë gjoksit. Në ato çaste –thotë autori- krisi zemra e tokës, vreri u derdh zhurmshëm e të gjitha fijet që më mbanin lidhur me virtutin e shpresën qenë kalbur e këputur brenda meje. (po atje) . Teksin e këngës nuk e merrte vesh as dreqi. Ndoshta ishte turqisht apo arabisht, apo gjuha e atij djalli me emrin Zorbë. Shpirti i lëshonte zëra të përlotur çalë çalë. Diçka për thëllëzat thoshte kënga, një lutje atyre te mos këndonin se mjaft e kam dhëmbjen time  e aman,aman…Është kënga e gamilierit në shkretëtirë- tha- po zëri iu mek e gryka iu bllokua. Si mund ta shprehte ndryshe dhimbjen ? Dhe nuk tha as natën e mirë, u ngrit, ia dha vrapit zajeve të bregut pa e kthyer kokën pas. Arriti buzën e detit dhe humbi mes territ. Edhe ndarjen e bëri ala zorbë. Kaq. Perdja ra. E rëndë si mal.
                                            ***
   Të dy do t’i rrëmbenin vorbullat e kohës e vitet rrukulliseshin secili në hesap të vet. Edhe letrat midis tyre ,gjithnjë e më të rralla…
Zorba :…Jam gjallë, ha përshesh me qumësht, pi birrë, punoj në puset e naftës( në Rumani), mi vajrash. Për mua, plakun e mallkuar, perëndia   vetë ! Me nderime të mëdha,Aleksis Zorbesko, mi vajrash (f.269) ( vini re mbiemrin rumanisht)
…Jam gjallë.,ftohtë i madh të shkon goja shtrembër ; u detyrova të martohem…i është fryrë ca barku se po më përgatit një zorbadhaq..Me nderime të mëdha Aleksis Zorbiec, ish vejush. (f.270) ( vini re mbiemrin serbisht). Në zarf kish kish pikturuar me dorën e trashë vetveten dhëndërr dhe në krah një sllave të mirkë, nja njëzet e pese vjeç, pelë të tërbuar, vithe përpjetë, me çizme të larta e gjoks të bollshëm. Në shënimin poshtë si të gdhendur me sqepar lexohej.” Unë Zorba dhe çështja e pafund ,gruaja. Kësaj here ,i thonë Ljuba “ (f.270).
   Kjo ndarje miqsh do t’i torturonte të dy e të dy do takoheshin në gjumë.
Dukej sikur qe prishur ekuilibri i botës e njerëzimi ecte në boshllëk. Zorba merrte krahë e gjallonte në ëndërrat e autorit. Fytyra e atij njeriu  pa shkollë rëndonte në rrudhat e tij mbi ballë e i bëhej se po i fliste, ja tek hyn, i rëndë nëpër shkallë duke sokëllitur. E hëna pikon lëngun e saj të verdhë në dritare.
-          Fle ? Më paske harruar ?!
-          Jo,vëlla ,kurrë !
Ndërkohë Zorba bredh nëpër të përpjetat e jetës së tij, punon, rropatet maleve të ashpër e puseve të naftës, ha e pi e kurvëron e, që të mos ta mbulojë dhimbja, këndon, qan, sokëllin. E çoç i vinë në mend ca këngë pleqërie tani, të mjera, me ca tinguj kumbues vargjeve të harruara. E i duket se nga guvat e syve i kullon vaj. Qan në vetmi,psherëtin thellë gjoksit plakur e balta në fytyrë i bëhet llucë.
                                                 ***
   I erdhi një natë në gjumë. Ashtu i vrazdët, me vetulla e mustaqe të bardha. E poeti, kur u zgjua, ndieu zemrën t’i rrihte fort e çakërdisur nga një ankth, vuri re që sytë i kish të mbushur më lot të valë… Një shkrepëtimë feksi në trurin e tij e diçka foli me vete si në jerm. Kujtesa filloi të punojë për ta afruar sa më pranë atë fytyrë, atë zë, atë gaz e vaj derdhur këngëve e valleve si në një film që duam ta shohim përsëri nga fillimi. I u ndez kaq, e beftë dëshira e, në çast, i frikësuar si foshnjë se mos i humbte do gërmonte kujtesën, ato gjurmat e dashura të Zorbës. Prania e tij ishte e padukshme, por e kudondodhur në gjumë. Ai ia kishte pushtuar ëndrrat e ato lëshonin lastarë. U ndodh në shtëpinë etij në Salaminë, e atje në tarracë, në sy të një dielli përvëlues, ra përmbysë e  nisi të shkruaj. Me ngut. Me llahtarë. Të ringjallte Zorbën. Filmi po lahej e gjurmat e heshtura po merrnin diell. Filloi ta shihte Zorbën, ta dëgjonte e një dritë e çuditshme po i mbushte shpirtin ; një dritë farfuritëse që mund ta kuptojnë vetëm poetët e njeriu i tij po bëhej personazh. I përkohëshmi,i përjetshëm. E i dukej se po shkarkonte një barrë të rëndë nga barku si të qe grua shtazanë që i kishin filluar dhimbjet e lindjes.
   Merreni – i tha qytetarit grek-ky është Zorba, i pavdekshmi ose ti vetë.
Libri u botua më 1946 njëkohësisht në Greqi e Francë e shumë shpejt Zorba u bë pronë dhe vlerë e kulturës greke e evropiane.
                                               ***
   Kur shkova për herë të parë në Kretë u mbusha me det. Midis atyre njerëzve të thjeshtë,me mustaqe të trasha, e aq krenarë, e aq mikpritës si malësorët dhe lebrit e mi, që të ofrojnë me të parë rakinë e kafen, më dukej se do takoja Kazanxaqin dhe Zorbën. Të parin s’e njihja si portret, të dytin ma kishte bërë të gjallë aktori i madh Antoni Kuin. I kërkova bregut detit e kafeneve. Dhe i gjeta. Atje tek dridheshin yjet e tringëllinin zilet e argjenta, Atje  tek ngashërehej deti i qetë, dhe te zambakët  e valëve kur frynte pak erë ; pashë gjurmët e valleve të Zorbës zajeve dhe në rërën e lagur e  poeti më tregonte me gisht xixëllonjat e florinjta që ndeznin fenerët në bark e ai, Niko Kazanzaqi, ish bërë njësh me floknajën e atij muzgu tejetejë të jargavantë. Mëngjezit mu duk se kreshtat e shkëmbenjve, në breg të detit, kishin marrë flakë e ata, mijra vjecarë, si vet jeta e kretasve, nën vete, i hante dallga e shiu e vdekja kullonte në det. Greku ka lindur nga deti, mu bë sikur më foli Nikoja. Dhe ky diell që u bije kaq fort borive të dritës mbi kokë të grekëve ndriçon e djeg, dhe këto pemë misterioze me trungje të trashë, duan të thonë se druri i parë, që u bë barkë e  lundroi në det ishte nga këto troje. Ndoshta dhe poezia, Homeri, Eskili, Sofokliu, Euripidi, Aristofani, Safoja, …Solomos, Seferis, Kavafi, Ricosi,  Eliti, Pallamai…e sa e sa të tjerë…A thua se të gjithë kanë lindur nga deti dhe nga balladat e ujit ? Si thua ti Niko ?...
   Më dukej vetja si zog i shushatur në ajër. Prej atyre çasteve, kur më dukej se kisha folur me vete, më lindi ideja për të hedhur diçka në letër.
Si një çmallje për Kretën në formë kitare, për detin dhe poetin.


                                                                                     FUND

1 comment:

  1. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. AGIMI, pasi i tregova per situaten time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * dua magjinë
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtjeje
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    Kontaktoni Dr DAWN në emailin e tij: dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2349046229159

    ReplyDelete