Tuesday, April 17, 2012

FAMILJA E MADHE E SHKRIMTAREVE


ME MARASH MËHILLIN,23.11.2004
             (FAMILJA E MADHE E SHKRIMTAREVE)

-Çertifikata familjare e Pirro Lolit,veç gruas dhe tre djemve përmban edhe personazhet e veprave të tij. Të dyja familjet, pak a shumë kanë fat të njëjtë, djemtë përtej oqeanit ,por dhe librat kanë udhëtuar si çdo letërsi e mirë, në Shqipëri, Greqi e në shumë vende të tjera……

-Zoti Marash,më falni që po u ndërpres..

-S’ka gjë le të bisedojmë lirshëm.

P.:-Së pari ju falenderoj që personazhet  i konsideroni anëtarë të familjes .Këtë e bën ai që nderon letërsinë dhe kulturën. Por le të rrimë shtrembër e të flasim drejt,i dashur Marash,pamvarësisht nga dëshirat tona, udhëtimet dhe qakullimet e librit, janë në gjëndje të mjerueshme. Jo vetëm  librat e mi, por të gjithë. Familjet tona letrare unë i konsideroj jetimë edhe për lexuesin shqiptar e të panjohura nga të huajt, sepse të papërkthyera. Përkthimet e letërsisë shqipe aktualisht janë në krizë e në kaos plot bërryla e cmira, kryesisht të uzurpuara nga ish bejlerët  e letërsisë socialiste, ose nga ndonjë i përkëdhelur I ndonjw klani që i është dhënë mundësia e kontakteve me të huajt. Mua më duket e papranueshme përfaqësimi i letërsisë shqipe vetëm me Kadarenë të njohur në rrethanat e rregjimit komunist.

Ç’ mendim keni për personazhin si konceptin letrar më të debatueshëm në teorinë e artit ?

     Personazhi si term është thelbi i prozës dhe çdo rrymë letrare që ka kaluar ka patur koncepte të ndryshme për të. Dukuria më negative e letërsisë sonë është diktati i shkrimtarit mbi personazhin. Nëpërmjet tyre ne fusim përdhunshëm idetë tona nga frika se mos iks personazh na del nga e pranueshmja si konstante shoqërore masoviste. Personazhi vetëm në lirinë e tij mund të jetë i veçantë. Dhe liria është shqisa kryesore e shpirtit të njeriut. Ne po e kuptojmë me vështirësi se bota shpirtërore ka vetëm qëllime,vetëm “qënie”të tjera. E mira dhe e keqja në të nuk kanë kuptim. Duke e kuptuar të drejtën  e personazhit  në lirinë e tij edhe për të bërë keq, ai ,pra,bëhet më i besueshëm. Të mos harrojmë se personazhet më vitalë dhe më të paharrueshëm të letërsisë, janë ata që shpalosin shpirin e tyre.(sidomos negativët.Kujto,Jagon,Uriah Hipin,zonjën Magbeth etj)Lexuesi ka nevojë të njihet jo vetëm me idetë, se këto i gjen edhe gjetkë, por me fate njerëzish,me çudira,aventura,mrekullira,budallëqe. Lexuesi ka nevojë të përfytyroje dashuri dhe urrejtje të veçanta e të panjohura, veprime individuale specifike,intriga,seks;ai ka nevojë për entusiazëm,gëzime,trishtime njerëzore dhe nga dritarja e librit që ka në dorë  ai, domosdoshmërisht, duhet të shohë  një botë të ndryshme nga e tij.

- Keni daltuar personazhe që mbartin anë të rëndomta të realitetit,por dhe nga ata që janë misionarë progresi.Për të mos mbetur bardhezi a keni personazhe të ndërmjemë ?

-Në letërsi nuk ka anë të rëndomta e parësore.Nuk ka  tema të mëdha e të vogla, as misionarë progresi. Me sa shoh,ju bashkoheni me ata krijues që kanë iluzione për funksionet e vetë letërsisë. Le ta lëmë letërsinë në fisnikërinë e vet modeste ! Nëse kapja e një peshku është veprim i rëndomtë, në penën e Hemingueit u bë një perlë e letërsisë botërore; nëse derri,pula e gomari janë kafshë të rëndomta, në penën e Oruellit u bënë personazhet më vitale të nivelit nobelist…Nuk ka, pra, kurrfarë vlere tema, sendi a peronaliteti, gjithcka,dhe një mizë a një kunup,një elefant a një president, mud të bëhen personazhe të fuqishëm a të dobët vetëm nëpërmjet shkallës së talentit të shkrimtarit. Personazhin bardhe e zi ne e kemi pajë nga letërsia e rs si refleks i luftës së klasave dhe i perfytyrimit të njeriut njëpozicional, o me ne o kundër nesh.Ky ngurtësim personazhesh ishte plaga më e madhe e asaj letërsie..S’mund të përfytyrohej në një libër, fjala vjen, një sekretar partie duke bëre seks se ai i takonte ngjyrës së bardhë “pa njolla”[!],ai ishte prerë për interesat e proletariatit e ndëngër- vëngër..!Nga ana tjetër”Të zinjtë”,të deklasuarit s’mund të manifestonin virtyte [!]…prandaj dhe Marku i Kadaresë  lejohet të bëjë seks ose ballistët e Agollit e të Musarait mund të hanë ndonjë pulë të pjekur se këto ishin  shfaqje të huaja për ne [ !!! ] e ndëngër- vëngër…

-.Në krijimtarinë tuaj që unë e quaj të gjerë,numuri i personazheve femra është i vogël.Keni ndonjë spjegim ?

- Ndoshta është e paspjegueshme, por po të nisem nga mendimi juaj se personazhi i ngjan një lindje, dihet se askush nuk parashikon dot nëse do lindë mashkull a femër. Çdo lindje është misterioze. Bleta ,psh,planifikon më shkencërisht.Mbretëresha fekondohet në ajër me mashkullin më të fuqishëm dhe pllenon në hoje saktësisht numurin e meshkujve e të femrave sipas kushteve ekonomike të kosheres. Po unë i kam ca femra, i dashur Marash…dhe i kam të bukura. Të kujtohet Arta,Ljuba,Bora,Dolora…Dhe mos harro se femra, akoma nuk është e barabartë me burrin ,vecanërisht në fushën e ideve. Gruaja është një lumë që rrjedh në brinjën e burrit,thoshte Oktavio Paz.

-Si duhet kuptuar ‘Qeni plastic”,objkt i rastësishëm në tavolinën e zyrtarit,symbol i të vërtetave të deformuara,apo ironi groteske në ndihmë të mesazhit ?

P:- Ky roman është ndërtuar i gjithi mbi një kompleks figurativ që unë e kam të pamundur të spjegohem. Nuk është aspak i rastësishëm por i zgjedhur posacërisht ashtu. Lexues të sinqertë më kanë bërë shumë pyetje,madje donin të dinin, a jam mjek mikrobiolog,a jam deputet a kam qenë në Rusi,në burg,në Amerikë etj, sipas ngarjeve të romanit. Atje gjithcka është e trilluar,pjellë fantazie. Qeni im s’ka vertebra, s’ka palcë, s’ka ballë, mth, s’ka mendim, nuk e njeh lëvizjen dhe ndryshimin e, si i tillë, meriton të qëndrojë nën neurozë, atje ku pajtohet me çdo hap që i dikton kërrbaci dhe ekzistenca.”Njeriu im”(qeni) nuk ka kryer asnjë jashtëqitje, asnjë vjellje historike e ,duke e mbajtur të keqen brenda, është njësuar me të deri në një masë plastike duke i shërbyer qenërisht cdo zotnie…Këtë polisemantikë ta jep vetëm një lodër e vogël,një qenush.

-Diçka intime.Ke ndonjë dobësi për bjondet ruse ?Atë Ljubën e romanit,  aq të bukur,  aq sensualiste e ke përshkruar sikur e ke patur të dashurën tënde.  Mundesh të na thuash ndonjë hollësi?

- Hollësitë i kam shkruar në roman.C’të them tjetër ? Ishte një aventurë dashurie, por me pasoja katastrofike, sepse Ljuba është një bukuroshe simbol me disa pamje. Ishim studentë në universitetin e Moskës e Ljuba, e bija e një gjenerali, që vdiste për Stalinin, ra në dashuri jo vetëm me mua. Qëlloi që ajo u prek nga një sëmundje infektive. Ne nuk e dinim e duke e puthur e bërë seks me të e morëm infeksionin në gjak. O Marash, pash Zotin, c’dreqin donim ne me Ljubat ruse ?! Pak i kishim dardanet tona ?! Qe krushqi katastrofike ajo, e realizur nga ca shkesë më mjekër. Qe një infeksion ideologjik që na erdhi nga dashuria,nga buzët,po po, nga një puthje !.. Në fillim vdiq hungarezi, dashnori i pare i Ljubës …Varrin ia hapëm në një suferinë bore E kishin vrarë në një stacion treni, më 1956-ën.  Isha në varrimin e tij. Flogjet e borës binin të përgjakura... Pastaj vdiqa unë e në varrin tim erdhi dhe hungarezi, dhe dashnorët e tjerë të saj. Edhe mbi varrin tim kishte borë dhe frynte shumë erë. E doja shumë Ljubën. Na gënjyn edhe mua ,edhe atë. Kur doja të ndahesha nuk mundesha e ajo më fanepset në gjumë edhe sot, lyer e ngyer për të mbuluar rrudhat, turpin dhe fatin e saj të zi (Atë e internuan pasi i pushkatuan të atin që kish komanduar luftimet në Stalingrad, mua më internuan se morën vesh që kur isha student, kasha marrdhënije me një ruse)
Ja kështu,Marash, si në teatrin absurd.
.
 -  Sipas meje ,ju keni realizuar një tip që nuk të del kurrë nga mendja,njeriun me gurin në xhep,njeriun që çokanis kundërshtarin. Ky tip, i lindur në një mjedis tipik,mbetet unikal në llojin e vet. A eshtë rezultat i imagjinatës suaj krijuese, apo e keni ndeshur në jetë ?

-  Kozma Guri  simbol,është një pensionist,është një turmë,një fatalitet. Na ka ndjekur këmba këmbës ai gur, në diktature dhe tani, në çdo çast, në çdo kthesë që ka dashur të bëjë demokracia jonë. E kish rrëmbyer atë gur nga monumenti i diktatorit,ndoshta nga i Luigjit XIV, nga Neroni apo Stalini dhe qëllon dhe vret. Eshtë një e keqe stabile, konstante, që nuk njeh asnjë zhgënjim, asnjë kthim pas. Të godet ballin,mendimin, idetë ,dmth, është mënyrë veprimi aq satanike, sa e gjithë strategjia dhe taktika e tij, ka vetëm një emër DHUNËN. Dhe kënaqet kur sheh ballin e njerëzve,(edhe të familjes së tij) të gjakosur. Para se të vdiste i la amanet plakes që gurin t’ia vërë në arkivol. Dhe ashtu u bë . Ai gur qendron ne gjoks te kufomes duke shtypur  brinjet edhe ne varr. Eshte nje gur simbolik me rrezikshmeri shoqerore, por une e kam falur, madje e kam vizatuar edhe me simpati, sepse eshte vital ne ligesine e tij si personazh.Ai ka te drejte te ekzistoje se ne te tjeret  ,por ne nuk jemi si ai qe ta godasim, se ne kemi tjeter botkuptim dhe ne demokraci kane te drejte te ekzistojne te gjithe, packa se njerezit e qytetit tim, kane nje plage metaforike ne balle…Dhe ky personazh,ka dale i tille sepse nuk eshte tipik,tipike eshte rrezikshmeria dhe opinioni per te.

No comments:

Post a Comment