Tuesday, April 17, 2012

PER GRUAN TIME


PËR GRUAN TIME

Unë asnjëherë nuk i kam falur trëndafila gruas sime
Por,
Që të mos më humbiste mes shoqesh,
Në gushë
I vara një kumborë të argjentë.

Ajo shpesh i kujton lëndinat me vesë
E vrapon si drenushë e plagosur.

Në injë
Ka gjurmët e mamuzeve të mia
Dhe shpesh qan, këndon, hingëllin

Nëpër turma grash të bukura
Akoma
Kumbora e argjentë tringëllin....





MARTESA
Dy copa mjegulle
Me njera tjetrën u bashkuan
Njera me të bardha
Tjetra me të zi.
Kashta e Kumtrit
U hedh kokrra orizi
Por,
Një yll, nuk e di
Pse  i vrejti vetullat
E një tjetër ma shkeli me sy
Luan era në stinën e vjeshtës
E qesh me gjethe e me re
Nëpër degët e dimrit
Të një peme
Cicërojnë zogj vetëtimash..





SYRI ME MBETI NGA DETI...

Nuk ka ishulli im
 as ngrica as furtuna të nënujshme
Të ma këputin spirancën.
Më shtrëngon në fyt Ky zinxhir metalik,
i përjetshëm E monoton.

Sytë më mbetën nga deti Enden
nga një barkë në tjetrën

Fshehtas hodha dorashkat dhe këpucët në dallgë
Dhe buzët i nisa në në një sqep pulbardhe

Mu kthyen duart prej uji
Këmbët e saj si barka të përmbytura
Dhe këmishën nuk di ku e shpuri shkuma.

Në dhëmbët e dyshimit
Pezull valavitem
Në spirancën e florinjtë

Atëhere, shkula zemrën E hodha në det
dhe u mbyta.


FRIGORIFER

Kanë zënë brymë
Të gjithë demonët e dashurisë në frigoriferin tim
Dhe buzët dhe puthjet. Të detyruar jemi
Orë e çast t’i falemi tiranisë së dimrit që
Me mirkuptim po na i merr të gjitha stinët.

Bula djerse çelin limonatat e ftohta
Dhe mollët. Me akull është mbuluar mishi
Në katin e sipërm.Vdiq nga torturat
Pjeshka me pushin në faqe.Plasi një shishe birre
E harruar.

Zgjatemi nëpër katet e borës Sadopak
Dimrin ta zbutim
Me frymën e duarve tona.

                       
           REPORTAZH PËR CA KUJTIME DASHURIE
                                        DHE NJË PLEP
Ky plep bardhosh Na i fshihte vështrimet e kalimtarëve
Strehë i kishim fëshfërimat Dhe mornicat e argjenta nëpër trup. Ai merrte lulkuqet e faqeve të tua E i shpërndante gjeth më gjeth

Tani plepi i ka fikur dritat  Të heshtur hapojmë pranë kujtimeve
Vjeshta i ka fshirë stinët Me këpucët tona të pamëshirshme
Shkelim gjethet e verdha
dhe vezullimet


BALADA E PLEPIT PLAK

I ishte ftohur limfa në damarë
E zogjtë rrallë e më rrallë
Kujtonin foletë e vjetra.

Një pasdreke, një nuse i vari të linjtat
Në degë, plepi plak u drithërua
Dhe e shtyu vdekjen më tutje.

Le të jem, tha
Shkopi i një yllke, – rreze e praruar.

Në mëngjes befas thirri sopatën e vdekjes.
Merrmë, – i tha i vendosur
- i pashë të gjitha:
Dhe pjalmin e luleve kur isha mbushur me gjethe e lastarë
Dhe foletë e pranverës
Dhe zogjtë që tringëllinin kujtimeve,
Merrmë, pra!...

U drithërua që nga rrënja në gjeth
U la lamtumirën e muzgut të gjitha dashnoreve
Dhe qetë qetë ra me ballin në baltë.

VIOLINA DHE HARKU…

Violina me harkun shaluar
Është një grua seksi
Këndon,
Vajton
e klith në mijra zëra

Harku mashkullor
I lodhur
bije
Gjer te tingulli i fundit.

Përsëri violina mbetet e virgjër
E përsëri pret
Vuan
hesht

ÇIFTI PLAK I AP.nr.2

Ia ndjej zhurmën e flokëve kur
Ajo stis forma zambakësh
para pasqyrës së ashensorit
e zambakët e hirtë shprishen, shprishen.

I tij është bastuni
 nëpër pllakat e bardha të korridorit
Dhe dora që i dridhet.

Zogj të lodhur shfaqen në xham
E tremben..

Nuk është hëna
Që pa Adami për herë të parë
Kjo kafe s’është e zezë
As ky filxhan nuk është i bartdhë.


POEZI HERMETIKE

Ti je vajzë prej letre. E palexueshme.
E bardhë shkruar me të bardhë. Nuk e dija
Që kodi i leximit Ishte puthja ime në kërthizë. Sytë e tu shkrepën
Dhe mu hodhën në qafë.
Pasdita e Adamit ishte e qetë
Flokët e tu
 mbanin erë mollë.





PËR TY

Ditën të bëj roje pranë fytyrës sate
Të ta ruaj ballin nga dielli
Dhe syrin nga bora.

Natën do hipi nëpër degët e hënës
T’i shfletoj të gjitha fletët e njoma.

T’i gjej duart e mia
Dhe të ndez një cigare.


SHEJTANI DHE ZOGU                              
(Shakirës)

Sonte
Shakira këndoi lakuriq
Krejt lakuriq Sytë i vesonin
dhe nga qerpikët shpërthenin copa yjesh  e vezullimesh
Një gji i kërcente si kokërr breshri
tjetri hidh e prit në duar spektatorësh
Një nepërkë e hollë i niset nga mesi
Dredhon  e i zgjatet mbi flokë. Zgjohet
shejtani në mes të shalëve
Dhe në çdo shkarje të belit
telat e kafazit një nga një i këput. Yjet përplasen
E digjen. Zezakët të dehur zezojnë.

Gruaja ime diçka pyet për këngën
...
unë them i hutuar : “ nuk qe shejtan
 por  zog...



JAM I SHËMTUAR

Ke të drejtë të mos më duash, e dashur
Më janë rritur gjymtyrët si përbindësh
Jam shëmtuar
Në zemër kam një vrimë të pashërueshme
Mbi shpinë një gungë si të Rigoletos

Mos më prit të përulem
Në portat e ngushta të manifestimeve tona
Nuk hyj dot
As dora dorës me ty

Me dëshirë
U përkulem vetëm pemëve të heshtura
Dhe fëmijve që qeshin

No comments:

Post a Comment