Tuesday, April 17, 2012

RROKJE NE KRYQ


ROMANI “RROKJE NË KRYQ”

Shtëpia Botuese “Bota shqiptare”paraqet  për lexuesin  librin e ri të shkrimtarit Pirro Loli, “Rro-kje në kryq”.
Autori është i njohur si poet, eseist e prozator. Të tria këto fusha të krijimtarisë i kanë shërbyer për të shkruar një libër “më vete”, por jo vetëm për veten. “Rro-kje në kryq” është një roman-ese, me ngjarje e personazhe realë,  një rrëfim tronditës për  një dhimbje e fatkeqësi njerëzore, një prozë e guximshme dhe mbresëlënëse. I  vetëdijshëm dhe krenar për kryqin e dhimbjes së vet, autori ngrihet mbi të, për të na dëshmuar se zëri i vërtetë i njeriut dhe shkrimtarit nuk gjendet në laring, por në ujëvarat e shpirtit ku derdhen zërat e tokës të qiellit, të mirësisë e të dashurisë të atyre që ke afër dhe larg, të njohur e të panjohur, të gjallë apo të vdekur.
                Lexuesi merr në duar një roman që përpiqet të zotërojë demonët e gjuhës e të shprehjes, i shkruar midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, për të përballuar sfidat ekzistenciale të qenies dhe krijimit. Lëvrues i talentuar i esesë dhe prozës së gjatë, Pirro Loli përmes një stili të mprehtë e dinamik, ndërthur mjeshtërisht detajin me rrëfimin, realitetin me mitet, të zakonshmen me universalen, deri në udhëkryqet e absurdit.
                Libri “Rrokje në kryq” përshkruan luftën e përpjekjet titanike të njeriut që provon humbjen, por evokon përballjen, vizaton hijet nga kahu i dritës, i qaset vdekjes me gjallërinë e jetës, del nga humbëtirat e frikës për një udhëtim shprese në të ardhmen. Me kredon e autorit që i premton lexuesve “se do të kthehem që andej me një trëndafil të bardhë për ju”.


 Shtepia Botuese “Bota Shqiptare”

No comments:

Post a Comment