Tuesday, April 17, 2012

KUR TALENTI E SFIDON VDEKJEN


Nga MIHO GJINI (Mjeshër i madh)

KUR TALENTI E SFIDON VDEKJEN*

Mbi romanin e Pirro Lolit “Rro- kje në kryq”

I quajtur nga autori “roman ese” kjo vepër interesante, e shtatëmbëdhjeta e shkruar gjatë shtatëmbëdhjetë vjetësh, pas rropatjesh, privacionesh, mundimesh të shumta e sëmundje sfilitëse, që e çuan Pirro Lolin gjer në kufijtë e vdekjes dhe nuk e dhanë, me ato 320 faqe të shkruara me dhimbje, mençuri e fantazi të pashtershme përfshinë një jetë të tërë që të mbërthen e s’të lë të marrësh as frymë,( kur zëri i tij i iku e i erdhi si në mrekullitë e mistereve të mesjetës) “arriti të zgjojë edhe të vdekurit”, të rilind qeniet e gjalla dhe ta mbush natyrën me këngë zogjsh. Sfida e vdekjes përballet me forcën njerëzore që , këtë herë, qëndron në suazën e botës së një shkrimtari si Pirro Loli. Suksesi është i dukshëm dhe, pse jo, do të jetë si një gur qosheje, në ndërtesën e sotme të letrave shqipe. Kushdo që e njeh Pirro Lolin, do të gjejë tek ky njeri, poet, prozator e eseist i shquar, nga më prodhimtarët që kam njohur midis komunitetit shqiptar në Greqi, jo vetëm forcën krijuese, vitalitetin njerëzor, por edhe krahët e një frymëzimi gjithëpërfshirës. Kam qenë pranë tij gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, duke kërkuar vetveten në punët më të vështira , shpesh i mënjanuar e i përbuzur, derisa mbijetuam e iu imponuam realitetit të këtushëm. Pirron do ta gjeje kurdoherë përballë përpjekjeve për të krijuar një shoqëri intelektualësh, për të botuar një revistë apo për të formuar një organizëm shkrimtarësh e artistësh. Kurajoz, i papërtuar, me atë buzëqeshje të përhershme në fytyrë, edhe kur prognoza e sëmundjes bënte paralajmërime fatale, Pirro Loli debatonte midis miqve të vet për vlerat e vërteta letrare, hera-herës edhe i rreptë, bindës e sugjestionues. Dikur i përjashtuar nga Partia e Punës dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve në Shqipëri, nuk kërkoi kurrë rrugë të tërthorta për të penetruar gjetkë, kur ndërruan stinët, por iu përvesh krijimtarisë letrare, studioi, akumuloi e botoi një sërë librash me vlerë me poezi, tregime, novela, romane dhe ese. Dhe kur në Ambasadën Shqiptare në Athinë erdhi një nga kryeministrat e mëparshëm që kishte qenë shok e bashkëpunëtor, rreth tij u mblodhën “bletët” ndërsa Pirroja qëndronte indiferent, sa më larg nga njeriu i pushtetit, që mund ta ndryshonte jetën e vet. Këtu pranë Akropolit ai kërkoi e gjeti “muzat” e Apollonit. Duke ecur rrugëve të këtij qyteti të çuditshëm që mbanë emrin e perëndeshës Athina, atë e magjepste kultura e lashtë që dukej shpesh nën këmbët e veta, mitologjia e hershme e Helenëve dhe jeta e perëndive pagane që frymëzonte Eskilin, Sofokliun, Sokratin, Platonin, Fidian e Praksitelin. Mirëpo ky shkrimtar shqiptar i emigruar, që adhuronte Kavafin, Elitin, Ricosin e Kazanzaqin nuk harroi asnjëherë Itakën e vet, Zagorinë, ku lindi e u rritë dhe nuk rreshti të shkruante për të, po kaq madhërisht sa edhe për “Qytetin me dy kate”. Dhe, kur pas një alibie të sajuar, do të shpallej si i “mallkuar” e do të dëbohej prej “Zeusit” pa asnjë shpjegim, Pirro Loli nuk e shuajti asnjëherë dashurinë e thellë për këtë vend perëndish, aq sa pjesa më e rëndësishme e romanit “Qyteti me dy kate” do të zhvillohej në rrethinat e Akropolit, midis miqve të tij shqiptarë e grekë, që do të ktheheshin rishtazi në personazhe. Romani “Rrok-je në kryq” do të shkruhej pikërisht në kohën e kthimit të “Odisesë” në “Itakën” e vet.  “Rro-kje në kryq” është një vepër autobiografike, pasqyrë e vetes, për të dalur nga vetvetja, nga një gjendje ekstreme e mos ekzistencës, kur jeta është në grahmat e fundit dhe njeriu përpëlitet për të kaluar në “Botën e përtejme”. Heroi ynë që është vet autori, pështillet prej një kllapie të tmerrshme dhe jeta e tij e mëtejshme i takon etheve të zjarrta, ëndrrave të trazuara e figurave haluçiante të “portave të Hadit”. Dhe partner i tij në jetën e zakonshëm, si gjithmonë do të jetë Eva, bashkudhëtarja e përhershme që i miklon plagën, e shpirtit i lehtëson dhimbjet, si dhe një i çmendur që Çehovi e ka mbyllur në “Pavjonin Nr. 6“ të një spitali të Gubernës Ruse, i cili nëpër ëndrra, herë merr pamjen e një kirurgu, herë të një polici, herë- herë të një tregtari organesh njerëzore. Zhvillohet kështu psiko-analiza frojdiane e mosekzistencës në shtratin e një realiteti absurd. Thyet realja e gjërave, dhe e tërë jetës konkrete e pështjellimi i ëndrrave bëhet një realitet i dytë, më i thellë, më konkret, i pashmangshëm e domethënës. I gjithë romani i Lolit jepet në këto ethe haluçinante, me një vërtetësi të jashtëzakonshme, aq sa artëmizmi real i së shoqes së autorit Evës, ngjanë edhe pse është e mbetet një engjëll mbrojtës, si një ndërhyrje e panatyrshme. Mjeshtëria letrare, vlera e metaforave, përdorimi i alogjizmave, thyerja e reales, për çudi marrin trajta të natyrëshme edhe kur laringu pritet e zëri shuhet, edhe kur bisedohet lirshëm me të vdekurit, edhe kur një i çmendur shëtit bashkë me ty ditën dhe natën, edhe kur deti ngrihet përpjetë me një të shtypur të pedalit, apo kur hëna zbret nga qielli që të mos e humbësh rrugën në terr.Dhe befas, Pirro Loli, del nga shtrati i subjektit surealist dhe rrëmbehet nga fryma e një polemike me vet realitetin e ekzistencës, me shtrëmbimet, me krijimin e miteve të pamerituara në jetën letrare, por edhe në vlerat reale. Ai përpiqet që eset e veta, si ato të mëparshmet dhe ato të shkruara rishtas, t’i bëj pjesë të romanit, të ecurisë vetjake, të ngacmimeve të trurit e të shpirtit. Realisht ngjajnë si “mish i huaj”, po përsëri na imponohen si reflekse të vetvetes, për t’u përfshirë në rrjedhën normale të gjërave , atëherë kur kërkohet zëri i vet krijuesit, që ka të bëj me personalitetin. As ka e as mund të ketë “receta” të gatshme në fushën e begatë të letërsisë, kur “të mbjellat” janë pjesëza të pandara të talentit krijues. Shprehjet letrare janë të pakufishme dhe gjinit i përcakton talenti sipas “demonit” vetjak.  Po ashtu sikundër pema ka nevojë për krasitje, edhe ky roman do të qe më i fuqishëm po të shkurtohej nga etja për të thënë gjithçka për veten... Eset e intervistat e shumta jashtë kontekstit sikur e “mbytin” rrjedhën e brendshme lumore.
Megjithatë, kur autorit i pritet laringu e i humbet jo vetëm zëri po edhe busulla e jetës , duket si e pabesueshme që shkenca të triumfojë mbi natyrën, duke i rikthyer njeriut vlerat e përafërta. Në atë “thertore”, ku u shua jeta njerëzore, do të dëgjohen rishtazi tingujt dhe Pirro Loli do të flas përsëri. Prapë do të ketë po ata të afërm, miq e shok, që nuk iu ndan asnjëherë kur “e keqia” ia zu fytin, siç ishin Eva e tij e shtrenjtë, e motra Afërdita, kirurgu, Xhevoja me Zimon e me Zaken dhe miqtë e tij të penës si Sefan Martiko e Primo Shllaku, Alush Avduli e Miho Gjini, duke ia lehtësuar dhimbjen në jetën reale dhe nëpër ëndrra e kllapi. Kësisoj, zëri i shkrimtarit Pirro Loli, jo vetëm që nuk ka humbur, por bëhet edhe më i fuqishëm.


* Artikulli u botua me daten 13 korrik 2010 në “Tirana observer”

1 comment:

  1. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të qëndronte pranë meje dhe të ishte me mua, por jam aq me fat që një ditë takova këtë mjek magjistar të fuqishëm. Ediomo pasi i tregova gjendjen time ai beri cdo gje qe te me kthente te dashurin, ne fakt pasi beri magjine me u kthye ish i dashuri ne me pak se 48 ore, ish djali u kthye duke lypur. mua se nuk do me linte kurre, pas 3 muajsh u fejuam dhe u martuam nese situata juaj eshte e njejta. Ai është shumë i fortë në punët e tij;
    * dua magjinë
    * nëse doni të riktheni ish-in tuaj
    * Stop divorcit
    * thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtëse
    * problemet me infertilitetin dhe shtatzëninë
    Kontaktoni Dr. Ediomo përmes emailit: drediomo77@gmail.com
    Faleminderit shumë zotëri që më ktheve tek unë ish-dashnorin tim, emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefononi/whatsapp: +2349132180420
    +2348155926512

    ReplyDelete