Tuesday, April 17, 2012

PSIKOANALIZA E NJE DASHURIE MISTERIOZE


PSIKOANALIZA E NJË DASHURIE MISTERIOZE

 Bisedoi MARASH MEHILLI          

Në romanin tuaj të fundit “Dashnorja misterioze” keni dalë disi nga vetvetja. Mund të them se je në një fillim të ri, ndryshe nga shumë  shkrimtarë të tjerë. Si e spjegoni këtë nisje apo këtë shmangjie ?

   Jo nuk kam dalë nga vetvetja dhe s’kemi të bëjmë me shmangie. Krijuesi lufton që ta gjëjë vetveten jo ta humbasë.Krijimtaria është një luftë e gjatë, me zikzake, me beteja të humbura e të fituara. Nëse e keni fjalën, se te ky libër, është e dukshme analiza psikoanalitike, mund të them se nuk është një fillim i ri. Personazhet e mi ,kryesisht, vuajnë peshën e neurozave shoqërore.  Pamvarësisht nga shtypja nën diktaturë apo nga problemet e shumta të tranzicionit tek ne, probleme të tilla ndeshen edhe në vende të tjera, që nuk kanë patur fatin e përvojave tona. Njeriu shtypet edhe nga vetvetja e ,nëse nuk është i zoti të vetçlirohet,kalon deri në shfaqje të rënda neurotike.

Ju ,zoti Pirro, jeni shprehësi apo përkrahësi i  mendimit pak të njohur tek ne , se  e ardhmja e letërsisë dhe e arteve, do flasë për nënndërgjegjen.A është romani juaj një dëshmi ogurmirë ? A mund  të na i konkretiaoni me protaganistin tuaj që e ndeshim që nga fillimi në fund  të “Dashnores Misterioze “?

   Kjo pyetje i takon më tepër lexuesit dhe kritikës. Nuk i takon autorit të bëjë poza me veprën e tij. Shkrimtari nuk mund të japë paragjykime jashtë librit, si duhet të pritet, si duhet të lexohet, të kuptohet … e, aq më pak, të imponojë suksesin e librit. Shkrimtari dhe lexuesi janë dy “institucione “të pavarura”.

Për rastin gjykoj se është në të mirë të lexuesit dhe të kulturës sonë, sepse mendoj se romani juaj është një risi që do t’ia vlente barra qiranë

Personazhi im është një shkrimtar i shquar që gjat gjithë jetës  konsumon kënaqësinë e famës së tij .Që këtu nis personazhi psikoanalist. Përjetimi i kënaqësisë me çdo kusht është një “monedhë”simbolike që harxhohet ose depozitohet në mënyrë të fshehtë që, siç thonë psikoanalistët, kalon në një proçes “superlënde”, dhe depozitohet në inkoshiencën e tij të trazuar. Monedha e fshehtë, kënaqësia e kësaj pasurie (nderet,çmimet, dekoratat, fama), që fshihet nëpër sirtaret e bankës, ose në nënndërgjegje, i siguron atij një vetqënie aktive mbushur me aureola, pa të cilat, jeta e tij nuk ka kuptim. Detyrimisht, ky personazh zgjatet në dyzimin e qënies së tij, dhe gjen strehim në ëndrra. Por , kënaqësia, ngopja me lavdi, nuk mund të jetë një pafundësi pa fund, aq më tepër , kur oponenca e tij (nënë Esmaja), jo masa duartrokitëse inerciale, me argumentet e dijes e të kritikës moderne, e vë në dyshim këtë lavdi, deri në shpërfillje e mohim. Ai ka rënë në dashuri me vetveten.( kjo,është fatkeqësi për çdo krijues.) Kështu ai jeton me vetveten dhe neuroza e detyron të lulëzojë brenda tij,pjesa më e keqe e vetvetes. Tani ai e di dhe nuk e di cili është. Erich Fromi citon një poet kinez :”Mbrëmë pashë një ëndërr sikur isha flutur dhe tani nuk e di a jam njeriu që ëndërroi sikur u bë flutur ,apo flutura që ëndërron se është njeri.” Kështu ëndrra e personazhit mbushet duke u kthyer në depozita përvojash e kujtimesh e duke zgjuar ngarje llogjikisht absurde.

Ndërkohë duhet të pranojme se të gjithë krijuesit kanë shfaqje narziziste ,apo jo ?

Po, është e vërtetë, kujt më pak e kujt më shumë i pëlqen vetja, por personazhi im i ka thyer të gjitha pasqyrat. Ai karakterizohet nga vetëshijimi. Dhe ky pozicion është opozitar dhe rivalizues dhe përmban ,jo vetëm talentin dhe diturinë,por edhe egërsinë, hakmarrjen ndaj kundërshtarëve si Bujarit, kritikëve, pëllumbave, Nuredinit etj e kjo e çon te koncepti i diktatit. Kjo e bën që vetja e tij të ndijojë veten, pra që ta pëlqejë veten deri në vetëerotizëm absurd. Kemi të bëjmë me një koshiencë të re ndiesore që e bën të kalojë në një marrveshje iluzive edhe me ëngjëllin e vet(hijen) të cilën e përfytyron si miss.Por kjo nuk mjafton dhe ëngjëlli, ose iluzioni i tij,e detyron të kryejë një aleancë të re me diktatorin. Këtu nis të marrë shkëlqim të rremë fama e tij e këtu nis e tatëpjeta e tij.
Tani, teknika e krijimit, kthehet në synim në teknologjinë e fabrikimit të famës.
   Ai ka gabuar me aleancat duke e konceptuar botën vetëm me objekte kënaqësimarrëse e kjo i kthehet në bumerang. Që nga ky çast kur prishet me vetveten, ai, si Orfeu duhet ta flakte lirën në humnerë …sepse nuk e ngjalli dot Euridikën. E them se shkrimntari i mirë duhet ta thyejë penën, si Lazgush Poradeci, që heshti, kur kuptoi se s’kish ç’t’ thoshte më.


Zoti Pirro, pse e keni lënë personazhin tuaj kryesor pa emër dhe pse në qendër edhe si personalitet shoqëror ?

Sepse pa emër flet më shumë, flet për të gjithë shkrimtarët dhe artistët nën diktaturë, që, me hir a me pahir, flirtojnë me  pushtetet, qofshin këta mbretër, presidenta me emra luigjërish a stalinësh. Diktaturat janë të gjitha njëlloj se i bashkon shtypja dhe dhuna e të njëllojta janë plagët që i shkaktojnë artit.
Duke u marrë me ëndrrat, ku nuk zbatohen ligjet e llogjikës, kam patur dorë më të lirë edhe në shpërfilljen e kohës dhe të hapësirës, jo vetëm si shtrirje lineare të tyre. Kështu ai bëhet i shumëkohshëm dhe u takon të gjitha hapësirave ku privohet liria. Duke e zgjedhur edhe si personalitet shoqëror i një bashkëkohësie të caktuar, ai si njeri i ditur e me talent, në ëndrra jepet krejt i lirë në lakuriqësinë e tij. Jemi në trojet e  dr.Frojdit që thotë :”Sa më e lartë të jetë shkalla e qytetërimit,aq më e madhe është shtypja, e kështu edhe neuroza.”


Si i justifikoni ju marrdhëniet seksuale në jetën dhe ëndrrat e personazhit ?

Nuk i justifikoj, por vetëm i shpreh. Mua më duket se autori nuk duhet të bëhet avukat dhe prokuror i personazheve të tij. Kjo bëhet intuitivisht në nëntekst. Shkrimtari vetëm shprehet, vëzhgon dhe seleksionon. Është lexuesi ai  që mundohet të bindë veten dhe të gjykojë vërtetësinë ose pavërtetësinë e ngjarjeve,kënaqësinë apo pakënaqësinë.
   Gjendja ndiesore narciziste ndaj një personi, gruas ose Anxhelës, në rastin tim, del jashtë motivit të psiqikës aktive e, në ëndrra, shfaqet si marrdhënie seksuale. Ky është kompesimi mungesës ose i impotencës mashkullore, në ndiesitë e lakuriqësisë trupore. Impotenca e tij me Bardhën, gruan e vet, e bën që të “burrërohet “në ëndrra, me motrën, Anxhelën dhe me vetveten. Kjo do të thotë se inkoshienti i ka të plota shfaqjet e neurozës. Ngjarjet në roman kanë edhe kuptim simbolik. Inkoshienti është i mbytur me egoizëm, frikë, ankth për të realizuar të pamundurën, simbolikisht artin e vërtetë..


Si është e mundur që ju e afroni ose e barazoni krijmtarinë artiastike  me seksin, inçestin dhe mungesën ? Mos kjo është pasojë e neofrojdizmit  dhe a jeni ju një neofrojdist ?

Po e filloj nga e dyta. Frojdizmi dhe neofrojdizmi u shfaqën si dukuri e dije me tronditje tërmetore në mendësinë e shek.xx. Ishte një kthesë me influenca të dukshme në shumë disiplina si në anatomi, mjekësi, psikologji, por dukshëm edhe në letërsi e arte.Filozofë, mjekë dhe shkrimtarë nga më të mëdhenjtë si S.Cvajku, Xhojsi, Prusti, Kafka, Dostojevski,( Balzaku te “Iluzionet e humbura) etj. gjetën te Frojdi , Jungu, Fromi, Bachofeni etj, burime e frymëzime të panjohura më parë . Sinjalet qenë dhënë që te Platoni, e sidomos te Eslili me “Edipin mbret”.Tani mund të themi se psikoanaliza në tërë kompleksin e saj ,është bërë pjesë e botkuptimit shkencor, gjithnjë e më shumë me plot enigma dhe eksplorime të reja. Fatkeqësisht kultura shqiptare e njohu me shumë vonesë e tani në liri (pas 70-80 vjetësh), e përjetojmë si zbulim. Studimet psikoanaliste tek ne janë tepër modeste. Më të shquarin midis nesh ,unë njoh Çlirim Kokonozin, njëkohësisht dhe poet e eseist nga më cilësorët e brezit të ri. Mua si krijues këto mësime më kanë shërbyer jo vetëm si plotësim dijesh, por edhe në krijimtari. Neofrojdizmi hap dritare e puse për të depërtuar në thellësitë e njeriut, dëshirë kjo për të gjithë shkrimtarët, pa qënë e nevojshme të etikohen si frojdistë a neofrojdistë.
   Sa për atë që unë në romanin e fundit e barazoj seksin me krijimtarinë artistike, mendoj se nuk jam fare “avadan”. Subjektivitetin tim e bazoj në disa të përbashkëta që ka seksi me proçesin krijues. Kemi të bëjmë me dëshira të fuqishme që dominojnë psikologjinë e njeriut. Kënaqësia saeksuale është me e madhja kënaqësi fiziologjike ; kënaqësia e krijimit, jo vetëm që është e tillë për krijuesit, por ajo(kënaqësia) shkon te lexusi(partneri) jo vetëm si e tillë por edhe kriter matës i ciësisë së artit. Të dyja kanë të bëjnë me psikologji të veçanta, të dyja janë “ethe gushti” që zënë të gjithë faqen e vitit plot me ankthe, iluzione ,deziluzione, zhgënjime, realizime, dështime. Letërsia e mirë është realizim ëndrre, tjetra është dështim, paaftësi dhe i ka të domosdoshme patericat, njëfarsoj si efekti i viagrës, element i përkohshën i stimulimit të aftësisë mashkullore. Me simulantë mund të bëhesh”qefliu”i çastit. Edhe “qejfi” i letërsisë së dobët është çast mashtrues, si dehja .

Kur pranojmë që  filozofia frojdiste a neofrojdiste, e ndihmoka letërsinë, pse atëhere kemi kaq shumë kritika për filozofinë M-L, që, gjithashtu ka frymëzuar talente të fuqishme në lindje e perëndim ?

   Përgjithësisht ,në parim, mbështetja fanatike e letërsisë dhe e arteve në një filozofi të caktuar, t’i ngushton caqet e lirisë, por dhe artisti më i madh ,e ka të pamundur të mos mbështetet diku, por njëkohësisht, arti i vërtetë i shpërfill pengesat edhe brenda një filozofie, kjo, rezultat i ligjësive të veçanta e misterioze që ka vetë arti në pavarësinë e tij. Ndërsa në esencën e pyetjes suaj, ka një dyshim prej të urti, mund të them se ndahemi me ndryshime esenciale. Filozofia M-L, është filozofi e mbyllur, e ngurtë që pranon vetëm këndvështrimet e veta e imponuese mbi botën dhe mendimin. Ajo gabon kur merr përsipër pronësinë e të gjitha të vërtetave. Dihet se mosrealizimi sadopak i kërkesave të saj, penalizoi deri në prerje kokash, mijra shkrimtarë e artistë. Metoda e RS, pjellë e saj ,rezultoi si metodë antiartistike. Shkrimtarët e shquar brenda saj, janë jo vetëm përjashtime, por dhe më cilësorët janë të plagosur, si në              Lindje dhe në Perëndim, kujto Majakovskin, Eluarin, Aragonin, Sartrin, Oruellin, Brehtin, Ricosin etj . Filozofitë e tjera janë të hapura, çelin dritare e gërmojnë puse(frojdizmi) për të depërtuar  në të fshehtat e njeriut që njëkohësisht janë dhe të fshehtat e lirisë. Nuk duhet të harrojmë se filozofia ka për detyrë ta spjegojë botën, si çdo dije, dhe jo ta ndryshojë atë.

A nuk ka të drejtë lexuesi të befasohet nga mendimi juaj, i nënvizuar dukshëm, se krijimi është dhe dhunë dhe liri dhe vetndëshkim ? Një koment, ju lutem.

   Nuk është punë të drejtash. Kjo i takon lexuesit dhe varet nga ai të befasohet apo jo, ta pranojë apo ta kundërshtojë atë që s’i pëlqen. Detyra e shkrimtarit është të shprehet. Dhe dëgjo ! Përderisa pranojmë që letërsia e arti janë alternativa shpirtërore, kjo presupozon në esencë një pozicion kundërshtues, opozitar ndaj një statusi të dhënë. Por opozitat, pamvarësisht se për mendimin tim, përmbajnë ligjet e ndryshimit e të zhvillimit, nuk janë të mirëpritua. Ato kërcënojnë me marrje pushteti. Kjo fsheh një përmbysje “një revolucion” i cili e ka brenda elementin e dhunës, e dhunës demokratike.Ndërsa poeti dhe artisti nuk kërkojnë pushtetin, e megjithkëtë nuk mirëpriten e shpesh nëpërkëmben me indiferencë, me heshtje, me varfëri, sepse poetët cilësorë e kanë pushtetin dhe jo rrallë bëhen personalitete shoqërore më të mëdhenj se politikanët. Pushtetin ua jep vizioni i tyre i veçantë për lirinë. Thonë se Cari kish më tepër frikë L.Tolstoin sesa masat milionshe kundërshtare. Veprat e mëdha e skandalizojnë realitetin dhe autorët e tyre i  imponohen shoqërisë. Krijimi është dhe vetndëshkim sepse vullnetarisht provon dhimbjet e Sizifit, sepse është një shpirt që digjet.

Romani ”Dashnorja misterioze “ është rezultat i vendimeve të natës ?

   Jo ,është rezultat i punës këmbëngulse të ditës, që ka marrë përsipër të depërtojë në natën e njeriut, në ëndrra, që shpesh shihen dhe me syhapur.

Në këtë kahje do lëvrojë pena juaj në të ardhmen ?

Nuk e di, nuk mund të jap premtime. Shkrimtari shumë herë pret bileta për të udhëtuar, pa e ditur se kur dhe ku do të mbrrijë. Por në të gjitha rastet ai përfytyron një stacion, diku, dikur e ky stacion , ishte mirë ta kishte emrin “Vetvete”.
                                           Realizoi : MARASH  MËHILLI.

No comments:

Post a Comment