Saturday, April 14, 2012


PIRRO LOLI


DUUMVIRATI I NJË STINE QË SHKOI

( ESSE)



Poeti dhe zogu

Zogu feniks ia tregoi
poetit një bohçe që
merrte flakë dhe në
qymyr shndërrohej

Mos ki frikë, tha
zogu – kjo është vepër
e jotja.

Ajo nuk ka shpirt të
kohës, aq më pak shpirt
të atyre që janë kundër
kohës; prandaj doemos
duhet të digjet. Por, kjo
është shënjë e mirë.
Ekzistojnë disa lloj agimesh

FRIDRIH NIÇE                                                                                    I


Udhëtarja me krahë të rëndë


E hipën poezinë në një avion modern. Thjesht si udhëtare me numër bilete 13. Udhëtarja enigmatike zuri vend pranë dritares, e kënaqur se kësaj radhe do shikonte ndenjur të gjitha bukuritë, që shikonte kur fluturonte me krahët e saj.

Për çudi, avioni, me të gjithë forcën e motorrave kthehet e rikthehet i egërsuar në pistë dhe nuk shkëputet dot nga toka. Askush nuk e di ç’po ndodh me avionin. Atëherë poeti Primo Shllaku, nga “Komanda e kullës së naltë”, jep urdhërin: “Zbriteni udhëtarin me numër 13, asht shumë i randë. Ai nuk fluturon dot në krahë të huaj”. E zbritën udhëtarin enigmatik dhe shpejt avioni zuri qiellin e vet…

E kështu “Fluturakja e rëndë”, e destinuar vetëm për të fluturuar me krahët e vet, në qiellin e vet, bëhet një statujë nderi për të gjithë poetët. Ajo, pra, POEZIA, qënka një princeshë e veçantë dhe enigmatike veshur me pajime tepër të rënda, që s’e ngre dot as avioni supersonik.  E rëndë dhe e lehtë, me pajime diamanti dhe ergjëndi, me krahë zogu e fluture, ajo nuk ka vend midis pasagjerëve të zakonshëm; nuk komandohet dot nga kulla e pilotit, se, ashtu në mes të njerëzve, e padukshme si oksigjeni, ajo është produkt shpirtëror, e patrajtshme si shpirti, e pavarur si vetvetja. Iluzive dhe mashtruese si ajo, zonjë fisnike në fronin e vet, përbuzëse dhe opozitare ndaj çdo froni tjetër, më e thjeshta dhe më “fodullja”, ajo të fut në mendime e të fisnikëron shpirtin.

Dhe brengën dhe vdekjen ta bën më të lehtë.



* * *

   

Siç ka monumentet e veta, fjala poetike ka edhe gropat e saj, moçalishtet, pse jo dhe varret e saj. Autorët e lartësive të fjalës poetike qëndrojnë si mësuesit e mençur të botës, pamvarësisht nga janë, nga Greqia apo Franca, Argjentina apo Spanja, pamvarësisht që kanë jetuar para apo pas Krishtit ose e pinë kafen me ne. Mijëra e mijëra harrohen me të shumtët. Të gjithë, ata që hedhin fjalën në letër janë të kërcënuar nga harrimi. Fjala, si monedha, ka ligjet e veta të zhvelftësimit a inflacionit. Ka dhe vdekjen e saj. Parajsën. Dhe Ferrin. Nekrologjia e fjalës nuk shpallet. Fjala e pavlerë bashkjeton me ne si një send që s’ka të bëjë me ne deri në harrim të plotë sikur s’ka qënë kurrë.

Sot kohët janë më komplekse dhe fjala poetike është e kërcënuar. Njeriu është i lirë më tepër për t’u hapur udhë antivlerave. Njëtrajtshmëria, zvetnimi i fjalës, homogjenizimi i mosmedias me urinë e ujkut për të fituar para, cënon me agresivetet fjalën poetike, vlerat e vërteta dhe kulturën. Italo Kalvini, madje, ka paralajmëruar murtajën e gjuhës, epideminë katastrofike që kërcënon këtë vlerë universale të njerëzimit. Fjala si grumbullim stok, fjala hipokrite dhe e pamoralshme po merr pasaportë dhe kartbankë.

Sikur shtëpitë tona botuese të kontrolloheshin për inflacionin e fjalës, si bankat për paranë, ato do falimentonin për pak ditë të gjitha. Ka para të pistë edhe në fletët dhe kapakët e librave. Botuesit vrapojnë pas antivlerave që vetpaguhen. Dhe qivurët e librave, të veshura me lloj-lloj kapakësh të zbukuruar, qarkullojnë kudo duke shitur, mjaft shtrenjtë, fjalën e vdekur. Vetëm letërsia e vërtetë mund të luftojë murtajën e gjuhës, vetëm fjala poetike është “Toka e premtuar”. Poezia (dhe në prozë) fillon atje ku fjala synon të shprehë maksimalisht thelbin e marrëdhënieve njerëzore, pikërisht atje ku fjala takohet me vetveten në rrethana të tjera, atje ku ajo kthehet në verb figurative. Kjo fjalë që kalon nëpër filtra të hollë e të mundimshëm; është e zonja të japë saktësinë e abstraktes, iluzionit, ëndrrës, dashurisë, urrejtjes e të shkojë deri te hiçi si substanca e tejme e botës. Kjo princeshë që udhëton me krahë të padukshëm, vetëm kjo, mund ta çojë lexuesin në thellësitë e mendimit e të ndjenjës, nëpër rrugë të panjohura më parë duke dëshmuar dilema  e ankthe njerëzore, pa fund, si njerëzit në kërkim të floririt. Metalet e çmuara nuk gjenden lehtë sipërfaqeve. Thonë se ato janë produkt i tensioneve, rrymave, temperaturave të larta që në kushte tepër të veçanta mund të përftohet diamanti apo floriri… Ashtu si fjala poetike.  E poezia e ka si gjahu. Mund të lodhesh gjithë ditën, gjithë jetën e të kthehesh bosh, a me një thëllëzë në torbë. Figura poetike e lidh gjënë që mungon me të dëshiruarën. Ajo krijon ura dhe në erë e ta jep sendin si zbulim. Shumica dërrmuese e poezisë së botuar sot, nuk e njeh metaforën. Verbi i zakonshëm, pa ngjyrë i rreshtuar nëpër vargje me rima e strofa, nuk e ka aftësinë e ndërhyrjes në sekretet e realitetit, nuk ndërton dot një realitet tjetër, send, objekt a veprim analogjik. Thelbi i poezisë së vërtetë është misterioz dhe gati hyjnor. Kish të drejtë Odhisea Eliti kur thosh: - “Të merresh me poezi, do të thotë ta mbash diellin në dorë pa u djegur.”

Poezia e sotme (ajo e inflacionit) duket se shkruhet shumë lehtë; ajo e spjegon botën e dëshiron të përgjigjet me amatorizmin e vet.

Bota mund të spjegohet vetëm me pashpjegushmërinë e saj. E nëse edhe mjetet më racionale nuk depërtojnë përtej mureve trashendente të Kantit, poeti është kirurgu i aftë që mund të hyjë e të depërtojë në brendësi të thelbeve e enigmave  - natyrisht pa arritur t’i zgjidhë – por vetëm t’i përshkruajë e të na i japë edhe ato që nuk shikon as teleskopi e mikroskopi më i fuqishëm. Letërsia është pyetje për botën, është shtrimi i një çështjeje që të bën të mendosh e të emocionohesh; ajo është harmoni e tensioneve të kundërta, vegim dhe “ikje” nga realiteti drejt ëndërrës; ajo i ndez dritat e shpirtit, shkurt: Është puna më serioze e më sublime që bën njeriu intelektual.

Mediokriteti dhe amatorizmi ka një padurim të denjë e të guximshëm që, nga njëra anë nënçmon e qesendis atë që nuk e kupton, nga ana tjetër, duke qënë shumicë, ngacmon shijet vulgare të masave, duke spekuluar edhe me masmedian. Me sa duket tranzicioni shqiptar, ndoshta si shpërthim dufi të mungesës së dikurshme të lirisë, me ngut e me mungesë të plotë përgjegjësie, po i shton antivlerat edhe në fushën delikate të kulturës.

Në bykun e sotshëm të botimeve është vështirë të gjesh kokrrat e grurit. Të vjen keq që libra tmerrësisht të dobët, që nuk krahasohen as me nivelin poetik të viteve ’50, për një dorë para, shoqërohen edhe me parathënie, pasthënie e dedikime nga autorët tanë të shquar, kritikë e profesorë seriozë…(!) Kështu shtohen varrezat e fjalës. “Ka ardhur koha, shkruan kritiku Filip Larkin që disa nga ju budallenjtë të kuptoni se poezia dhe leximi i saj është punë e rëndë.” Vetëm lexuesi nuk merret me qira; sidoqoftë ai është i çoroditur se “fjala e vdekur” nuk shpallet në shtyllat e qytetit por bashkëjeton me të si ajër asfiksues. Ne vimë nga istikamet dhe bunkerët e fjalës. E gjithë koha e stalinizmit ishte periudhë e një deliriumi kolektiv lirik. Prodhimi letrar i socrealizmit, që do të jetë dhe objekti boshtor i këtij libri, parë në majat e veta, i ngjan një varreze të madhe të fjalës së shkruar. Për këtë letërsi vërehet një heshtje e plotë. Pa të qara e ulërima. Kalojmë përpara rafteve të asaj biblioteke, kokëulur si nëpër korridoret e varreve. Është produkt i një mitre shterpë e frutet e saj janë aguridhe. Më lehtë e kemi të mohojmë mitrën, që tashmë ka mohuar vetveten e tepër të vështirë produktet që la pas.

Dihet se poezia ka karakter të theksuar intim. Ajo lind nga një “grindje e brendshme”, si kënaqësi e veçantë për t’ua dhënë të tjerëve, me mjetet e veta të veçanta. Ajo servir të mirën, të bukurën, ose të shëmtuarën si kategori estetike, një gjëndje të ndezur shpirtërore, por jo për kërkesa utilitare e shoqërore. Mbartëse e ideve të fuqishme, ajo nuk synon as të luftojë, as të hedhë masat atje ku do politika, e ajo e partishmja “bombë e flamur”, tashmë, rezulton e tejkaluar.

Ajo udhëtarja me krahë të rëndë është e patrajtshme dhe ka mundësinë e zëshme të krijojë ndjeshmërinë emocionale në një formë të veçantë, me ritëm apo me muzikalitet, me rimë, pa rimë, në strofa simetrike apo jo simetrike ku mendimi i brendshëm e i befasishëm të vjen si me shkarkime të shpejta elektrike për ta tjetërsuar objektin.

Një puhizë, një fërfërimë mes pemëve, dhe poeti Emil Dickison bëhet trëndafil. E lehtë si zogu po jo si pupël, ajo ka një pavarësi të brendshme gati virgjërore, një lloj si “lejleku që e ndërton çerdhen e vet pa bërë pazar me qiparizin”. Arti është ndjenjë, emocion, drithërimë e njëkohësisht në krijimin e një gjëndje të ndezur shpirtërore, të jep dhe një informacion të ri e të paditur më parë, ku fshihet një mendim alternativ, i beftë.



* * *

     

Fjala poetike bën fir, kur ecën në gjurmë të të tjerëve e në udhë të çelura më parë. Nga ky rrezikim, përjashtimet janë të pakta. Për ta ilustruar këtë mendim po përshkruaj disa dukuri se si e ku mund të zhvleftësohet fjala poetike deri në harrim.

Ata që shkruajnë poezi për dashurinë (pothuajse të gjithë poetët) janë edhe të guximshëm edhe të papërgjegjshëm për vështirësitë. Drithërimet e dashurisë ka qindra e mijëra vjet që përsëriten që nga Sapfoja greke e lirikët latinë, nga mesjeta e Sadiu e gjerësisht të trajtuar nga mjeshtrit e hollë Pushkini, Eseninin, Lermontovi, Gëte e Hajne, Uitmane e Aragoni Bodler e Bërnsi etj., etj., pa fund. Shumica e poetëve shqiptarë, pa kuptuar lirojnë në toka të lëruara jo vetëm nga të huajt po edhe nga lirikët tanë De Rada, Naimi, Çajupi, Santori, Lasgushi, Shkreli, Arapi, Podrimja apo Agolli. Misteret e dashurisë vërtet janë të pafundme e një çift s’i ngjan tjetrit, por poezitë tona, riciklojnë motive e teknika të njohura e pothuajse janë si e paraardhësve ose dhe më të dobta. Dashuria për poetin është dhe privim nga liria, dhe dramë, dhe kapitullim mashkullor dhe skllavëri.

Fjalët “të dua” nga: prushi i buzëve, liqeni i syve e qerpikët… tregojnë se nuk të dua, ose të dua si brigadieri. Kështu shkruajnë për arixhofka e kurbatka, flokëzeza e flokëverdha si Esenini, Pushkini, Bërnsi apo Agolli. Sot p.sh., poezia e dashurisë imiton më tepër poezinë e Amerikës Latine e Lorka, Neruda, Bërnsi, apo Markezi e Kostacari etj., në prozë, duket sikur janë shqiptarë. Të ushqehesh me esencat është tjetër gjë, të frymëzohesh prej të mëdhenjëve është gjë e mirë por… por… korifenjtë e letërsisë janë edhe “diktatorë” të pamëshirshëm. Ata të vrasin me mriësinë e tyre. Ata kanë aftësi magnetike, të të tërheqin drejt vetes në arat e tyre e pakuptuar të mbulojnë me baltë. Fransis Ponge na ka dhënë për këtë problem mësimin më të ndritur : “Nuk mendoj se Bualó ose Mallarmé më paraprijnë me mësimet e tyre. Së shumti unë u njoh atyre një vend brenda vetes. Vështirësia qëndron në atë që t’u shtohem atyre, vetëm në atë mënyrë që letërsia të jetë e plotë. Më mjafton të mos jem tjetër, veç vetja.”

Fjala poetike bën fir edhe në tematikën e kurbetit. Kurbeti një dukuri jetike për vendin tonë e gjen të trajtuar në të gjitha librat me poezi, por me njëanshmëri të theksuar, kryesisht me lot, mall e dhimbje si në kohën e Çajupit. Për mendimin tim, sidomos ky kurbet i viteve 90 është edhe civilizim, kulturë, mirqënie. Ishte hapja më e madhe e më progresive e njeriut shqiptar drejt burimeve më të mira të jetesës, drejt demokracisë e urbanistikës moderne. Kjo është kaq e vërtetë sa 1/3 ose ¼ e shqiptarëve sot kanë dy atdhe, Shqipërinë dhe një tjetër, që kanë zgjedhur për banim. Pati ikje të madhe, madje, sapo prekëm lirinë. Kthim të madh nuk do të ketë. Atdheu ynë, nuk e ndaloi dot ikjen e madhe dhe s’është i gatshëm të presë kthimin e madh. Është dramë e vjetër dhe e re, por kjo zvogëlohet ose zhvleftësohet kur gjen vend në letërsi njëlloj, pa të përveçmen e domosdoshme, pa origjinalitet e individualitet mbresëlënës. Kish të drejtë Brodski që refuzonte të vinte nën zgjedhë qerre poetike përpara kuajve të indiviualiteti. Masiviteti në dhimbje e gëzime dhe muza për to, janë koncepte të ndryshme.

Shumica e poetëve në të gjitha kohët e në të gjitha gjuhët vuajnë dramën e cilësisë së dobët ose “stokut”. Jo çdo vargëzim është poezi (Fjalën “poet” mirë është ta shkruajmë me “P” të madhe). Mijëra e mijëra “p” të vogla, nuk arrijnë të kumtojnë atë frymë të veçantë, atë akt lëvizjeje e ndryshimi që zë fill në lëndën e vdekshme e mbërrin në shkallët e larta të shenjtërisë. “P-të” e mëdha japin esencat e kumteve, esencat e fjalës së zgjedhur, gjithsesi në një strukturë e formë të veçantë, në të cilën fshihen edhe kode të padëshifrueshme ose të vështira e që bëhen pjesët e qëndresës së sigurtë, sepse tërheqin vëmendjen e lexuesve në kohë të ndryshme afatgjata.

Fjala poetike bën fir sidomos në tematikën e vendlindjes dhe atdheut. Rilindasit tanë të ndritur njëkohësisht, ideologë, poetë, estetë, gjuhëtar, politikanë duke i mëshuar romantizmit heroik, synonin zgjimin patriotik, pavarësinë e atdheut, iluminizmin e ndoshta, në fund edukimin estetik. Kjo traditë, aq madhështore, në kohën e vet, ka kohë që është kthyer në traditë rutinore, madje, duke e imituar keqazi, ka sjellë inflacionin e fjalës, për të mos thënë antinominë e saj. Vendlindjes dhe atdheut, nuk mund t’i këndosh, jo më si para njëqind vjetësh, por as si para pesëmbëdhjetë vjetësh.

Ana tjetër, fakti që poeti ka lindur diku, për mua, është thjesht një rastësi gjeografike. Nëse dhe nga një fshat i humbur nuk nisen mesazhe e ndjenja universale, mbetet i humbur dhe fshati dhe poeti. Pothuajse të gjithë poetët shqiptarë i kanë kënduar vendlindjes sikur ajo është qendra e botës, vetë Parajsa. Sot kjo tingëllon hipokrite dhe absurde… Asaj parajse nga ku vetëm iket dhe duhet të iket. (!) Të gjitha këto poezi, veçanërisht nga krijuesit në emigracion fryhen e shfryhen si tullumbace nostalgjie e të gjitha krijojnë një balonë të mjegullt e të tymtë në qiellin e atdheut që është bërë sinonim i braktisjes më të madhe historike, ndoshta që nga Skënderbeu. Të krijohet përshtypja se bar, pemë apo det ka vetëm Vlora, Saranda apo Durrësi! Fjala poetike dhe atdheu socialist tashmë për shqiptarët janë sindroma më dramatike. Dhe për atë fjalë. Dhe për atë atdhe. Kur ra socializmi stalinian, ra edhe fjala poetike për të e shqiptarët rrezikuan të mbeteshin, jo më vetëm pa komunizmin “shpëtimtar”, por edhe pa atdhe…

Patriotët e mëdhenj shqiptarë, pra dhe poetët, që e kishin bërë gjoksin gungë me pseudopatriotizmin e tyre50vjeçar,e donin kaq shumë sa tani para disa ditësh zbuluan gjysmën e atdheut Kosovën si nje planet tjeter zhytur në terr.Ka të drejtë poeti Visar Zhidi që,qëkur ka lindur është nisur për Kosovë,por dhe tani,pas 60 vjetësh ulëret:Si,si të vete në Kosovë?!..

Vendlindja dhe atdheu për poetin e vërtetë,janë koncepte në zhvillim. Ato nuk mund të jenë statike si pika e jo gjithnjë pika referimi.Realisht për shqiptarët janë kthyer në metafora të trishtuara,ose tabu nostalgjike që po zbrezin nga kullat e miteve.Tashmë poezitë e akuarelit të bukur e romantik për to,u ngjajnë prostitutavë që zbukurojnë faqet para pasqyrës dhe krenohen për virgjëri.        

Azem Shkreli këndon e rënkon ndryshe: “Qava për ty Arbëri / Më vjen turp pse s’munda / të bëj tjetër / E nga turpi qava…”

Mund të përmendja këtu dhjetra poetë e poezi të botuara këto dhjetë vjetë që i japin dimensione të reja vendlindjes dhe atdheut, por poetët e vërtetë aktualisht janë të dënuar me heshtje. Me zor mezi bërbëlitet një fjalë e ngrohtë për ta. S’ka gjë. Nderi i fjalës poetike është i vonuar si lisi që lulëzon ngadalë, por i sigurtë. E rëndësishme është se këto tabu deri tash, bashkë me simbolet, po kuptohen si lëndë e përhershme e përbërë prej lëvizjes dhe ndryshueshmërisë.

Kur Shën Pali thoshte “vdes çdo ditë”, nënkuptonte “lind çdo ditë”.

Poeti “vdes” kur grumbullon lecka fjalësh, kur këndon si të tjerët, kur fjalën e gjen të lehtë si gjethe pemësh; ai vdes kur fjala e tij sistemohet si fluturat e mbërthyera me gjilpëra nëpër fletoret e herbarit të kalamajve…

Poeti që t’i qëndronte kohës, duhet të ketë një timbër a një vokacion vetjak, si domosdoshmëri elementare; qoftë një pikë, a një valëzë origjinale, një gjetje të veçantë, figurë e beftë … vetëm kështu mund  t’i bashkohet lumit prej drite të poezisë më të mirë shqiptare apo botërore. Çdo poet, dhe më i miri, i bashkohet këtij lumi vetëm me pozicionin e tij në relativitet me të tjerët. Dhe majat janë relative. Askush nuk mund të jetë i vetëm “lumë drite” e shumë rrëkera e përrenj s’arrijnë dot t’i bashkohen këtij lumi.

Poeti lind e rilind në kërkim të pandërprerë të fjalës së figurshme, me vullnet e ankth, me ethe e sfilitje deri në vetmohim; e kjo fjalë gjendet nëpër të përpjetat e thikta, atje ku njeriu takohet me njeriun, që dëshiron të humbasë, i ndërgjegjshëm si Prometheu që vodhi zjarrin dhe diturinë.



*

*     *





Jepjani dallandyshes

ta marrë në gojë

fjalën

ta përpunojë në grykë

ta bëjë tingull

me cicërima bari

të ndërtojë një fole.



Të çelin zogj të blertë

ta çajnë lëvozhgën e vezës…

Pastaj një tufë dallandyshesh të vogla

me krahë të njomë

le të nisen për udhë të gjata.

E fjala,…. Të digjet në krahët prej dielli…





II



Zgjedhimi i vetvetes që nuk ishte e imja



As e jotja, as e askujt.

Sepse liria e qënies është e lidhur me sigurimin e jetesës, sepse liria është proporcionale me pronën. Ne, (të gjithë ne) që s’kishim pronë s’kishim as liri, as demokraci. Prona e përbashkët, shtylla e sistemit diktatorial komunist, ishte e askujt e njëkohësisht burim varfërie e vesesh njerëzore në luftë për të siguruar atë çikë që edhe mund të ta merrnin. Barazitizmi në varfëri e në mjerim s’mund të jetë vlerë. E koha provoi se një shoqëri e tillë mbushur urrejtjesh e pat të pashmangshëm shkatërrimin. Jeta e individit ndërvarej nga njëqind hallka që e përjashtonin vetveten dhe aftësinë personale. Puna, shtëpia, buka, veshja, shkolla ishin në dorë të shtetit. Një televizor, lavatriçe apo frigorifer quhej lluks e për t’i siguruar këto mund të prisje me vite nëpër radhëra e nëpër lista. Dhe kudo humbte vetvetja, kudo zvogëlohej njeriu e një njeri tjetër vizatohej nëpër dosjet e secilit. E ti kishe diçka  nga babai a nëna (jo genin por biografinë) nga xhaxhai, a tezja apo nga kushërinjtë e dytë e të tretë. E ti gjithmonë ishe i rrezikuar ose i nderuar nga fisi yt. Ti s’kishe portret as unë dhe, një ditë, për një gabim njerëzor apo ves, apo fjalë të thënë pa përgjegjësi, ishe i rrezikuar. I gjithë shteti ishte sy e vesh që përgjonte qytetarin e vet dhe për këto frika qëndronte pezull edhe në familje edhe në gjumë, edhe në ëndërra.

Dashuria për partinë dhe udhëheqësin ishte epidemi mbarëshoqërore e kriter absolut i përcaktimit të ekzistencës. U mësuam me mosvete dhe me entusiazmin epidemik, me dëshirë e me hu, me zell e naivitet kontribuam për mosqënie. Infeksioni epidemik i dashurisë për partinë kish kapur të gjitha qelizat e shoqërisë, kish zbritur total tek individi duke treguar qartazi se, pikërisht, ky individ pa vetvete ishte lënda më hipokrite e shoqërisë. Domosdo dhe inteligjenca. Domosdo edhe shtabi i propagandës e pjesa më vitale të saj krijuesit dhe artistët.

Për vetveten e këtij intelektuali shkruaj.

I lidhur me ekzistenën si të tjerët, krijuesi përcaktohet nga të veçanta të tjera. Talenti dhe pasioni i tij krijues është i lidhur me shpalljen e fjalës. Kështu, krijuesi me emrin e tij me lirinë e tij i ka krahët prej fjale. Në një çast ai thotë: Dëgjomëni! Kam diçka për të thënë…, diçka të bukur, të veçantë, diçka kundër…

Por, shteti ia kish shtetëzuar fjalën. Ai ish pronar i plotëfuqishëm e kish zbritur edhe në këtë skutë të fshehtë e mistike të vetvetes së individitit krijues.



*

*      *

Ka rrezik që duke e gjykuar vetveten, tani në liri, ta çlirosh nga përgjegjësia, të marrësh dhe poza trimoshësh. Ndaj mbetet lexuesi gjykatësi i sinqeritetit për të gjithë.

Vetvetja ime ishte si e të gjithëve, një pjesë e ingranazhit, që duhet të lëvizte e të funksiononte sipas drejtimit të përgjithshëm të motorrit. Kam mendimin se diktatorin E. Hoxha e krijuam të gjithë.

Së pari, zyrtari i lartë, servil e frikacak që dridhej nga frika e karriges dhe me buzëqeshje oportune aprovonte çdo fjalë të udhëheqësit. E krijuan dhe punëtorët e fshatarët e rraskapitur nga puna që kishin besim absolut tek ai. E krijuan dhe ata që e urrenin (të goditurit e të deklasuarit), që sot mburren me biografinë e burgut, por që s’guxonin të merrnin as frymë, pa le të bënin ndonjë akt trimërie ndaj tij. E. Hoxhën e krijuan inteligjenca, mësuesit, nxënësit studentët, akademikët, shkrimtarët e artistët. E gjithë inteligjenca krijuese puthadorëse, që s’e kurseu superlativën e fjalës, tingullit e ngjyrës për udhëheqësin e lavdishëm që “kish firmosur stuhinë”. Përjashtimet janë të pazëshme e disidenca e vërtetë mungonte edhe brënda mureve të burgut. Po të kemi parasysh ngjarjet e mëvonshme, vdekjen natyrale të E. Hoxhës, rrëzimin e monumenteve të tij (pas asaj përlotjeje mbarë kombëtare), rezulton se bashkësia shqiptare ishte nën neurozë të plotë patologjike.

Edhe unë. Ndaj dua të rrëfehem.

Nuk kam qënë i prirur të heshtja e të mbyllja sytë para gjërave të shëmtuara dhe kudo që kam punuar, në rreth 20 vende pune, si mësues, drejtor a pedagog, midis puthadorësit dhe një zëri të brendshëm për drejtësi, raportet e mija me shefat kanë qënë problematike. Gjithnjë më hanin brirët e nga çdo përplasje do të më mbetej një shenjë.

Kujtoj tani dhjetra ballafaqime me shefat, kryetarë komiteti, sekretarë të parë e rreth dy vjetësh edhe me dy zonjat e para të vendit Fiqretin dhe Nexhmien. Pas çdo shkrimi në gazeta gjithnjë do binte një telefon, do kërkohej një ballafaqim dhe të paktën fjalët: egoist, mendjemadh, mungesë formimi, intelektualizëm, liberalizëm etj., kanë mbushur dosjen time pas çdo qarkullimi ngritje apo ulje në detyrë. Partia mbante shënim edhe pyetjet që mund të bëje, edhe kureshtjen, edhe diskutimet e “bijve” të saj, madje dhe heshtjen dhe kështu kish ndaj teje të gjitha mundësitë për të të komanduar e shtypur, për ta shëmbur vetveten nëse dyshonte se… Askush nuk shpëtonte dot nga presioni i mbledhjeve, analizave, llogarive, spiunlleqeve, thashethemeve e të gjitha shigjetat drejtoheshin për te vetvetja e individit. Patjetër duhet të ishe numër në radhë, numër thyesor me emërues të përbashkët.

E kam provuar përplasjen e kokës në tavan e tavani më është ulur poshtë e më poshtë si masë e gurtë, brënda të cilit njeriu zvogëlohej tkurrej. Sepse duhet të ekzistonte, sepse gruaja, fëmijtë, shtëpia, rroga… e në këtë luftë të egër për ekzistencë të brishtë, njeriu i bjerr karakteristikat e veta e më e pakta bëhet servil. E dyshimet e urrejtja për sendet tingëllon si dashuri. Njeriu duhet të shtirej, të shtirej…

Të jem i sinqertë. Pesë vjet pas fakultetit, fshatrave të Pogonit, (më 1975) kur u bëra anëtar partie, u gëzova e kur më zgjodhën (ose më emëruan sekretar të parë të rinisë në Gjirokastër, që në fakt, ishte njëfarsoi si brigadier i rinisë për aksione vullnetare), jo vetëm që u gëzova se kisha ikur nga fshati në qytet, por m’u duk vetja se “diçka isha” e pranë partisë ndjehesha mirë, e të flisje me zërin e partisë bëheshe dhe trim dhe i zgjuar dhe një “diktator” i sektorit tënd. Ky iluzion do të ishte fatal e do të tronditej brenda vitit, kur, për të më hequr qafe ( s’e mësova kurrë atë dreq servilizmi, që të mbante gjatë nëpër karrike), më dërguan në kursin e lartë të filozofisë, (1976) e prej këndej pa mbushur viti (1977) në Institutin M-L ku punova vetëm shtatë muaj (mars-shtator) 1978 e pastaj do të merrja tatëpjetën. Me llogjikë të ftohtë, tani, them se – letrarët janë njerëzit më të papërshtatshëm për të punuar në zyrat e partisë apo të shtetit. Ndoshta e kish fajin shkolla ose krimbi për t’u marrë me letërsi (qoftë dhe me gazetarin). Ose nderi i fshatarit kokëfortë, gjithsesi nuk është shenjë civilizimi e mospërshtatja me eprorët, është e keqja e tij. Veçanërisht të qenit i ndershëm e i drejtë ishte e pamundur. (Pas meje në rini u zgjodh një vajzë me arësim të mesëm nate. Ndërsa një që zëvëndësova unë, punëtor dhe besnik e puthadorës, është akoma në zyrat e partisë edhe pas 30 vjetësh). Kjo është edhe aftësi përshtatje.

Mua, megjithëse më kishin zgjedhur vetë, paskeshin gjetur belanë me një kokëfortë egoist liberal… që s’ia diti të mirat partisë etj. etj. Opinioni është i çuditshëm. Ai i ngjan ortekut e bëhet ligjësi afatgjatë. Edhe kur regjimi u shëmb opinioni mbetet thuajse statik. Ndonjë nga shigjetat e tij, nisur nga hasnakët e ndryshkur të Gjirokastrës, më ka gjetur edhe këtu në Athinë pas 25 vjetësh, si vërtetim “të së drejtës së tyre” thënë më parë nga skutat staliniste që vunë buritë se na prishi rininë, se ka kopjuar një revizionist, se ka hedhur baltë kundër udhëheqjes së rrethit, se ka dorë në rrëzimin e monumentit në Gjirokastër, se organizoi (bashkë me Sadik Bejkon) grevën e studentëve, se djalin e kish me Sali Berishën e Azem Hajdarin etj. etj. E ndiej veten krenar që u angazhova nga të parët opozitarë në Gjirokastër. Por unë vetë hoqa dorë nga çdo pozicion e shpërblim partiak dhe zgjodha emigracionin, domethënë vetveten, vetminë – një copë letër dhe një stilograf. Liria më erdhi bashkë me varfërinë. Këtë të fundit e harroj vetëm kur shkruaj, domethënë çdo ditë nga dhjetë orë. Dhe ndihem i pasur dhe i fuqishëm sepse më duket se kam diçka për të thënë.



*

*     *

Ndoshta lexuesi i sotshëm nuk ka interes të lexojë jetë të shkuara e aq më pak për një Pirro Loli që s’ishte i njohur. I kërkoj të falur për këtë. Por unë mendoj, se më tepër se personi ka rëndësi dukuria shoqërore, ajo vetvetja që s’ishte e jona, që s’e ndërtonim dot siç donim sepse fijet jetike dhe dosjen e qytetarit e kish në dorë tjetërkursh. Dhe dosja e “të pushkatuarit politik” kishte ca zhgarravina më tepër me të kuqen e Komitetit. Thellë vetvetes, nëpër individë të veçuar opinioni të jepte të drejtë, por nuk shprehej e kafen s’e pinte me ty. Mu desh të përballoja jo vetëm indiferentizmin dashakeqas të mjedisit, por të përballoja edhe thashetheme e shpifje që e kishin burimin nga Komiteti apo Dega e Brendshme. Plazhiatura e fabulës së tregimit “Rruga për te njerëzit” që më përjashtoi nga Instituti M-L, nga e drejta e banimit në Tiranë dhe më hoqi të drejtën e botimit 15 vjet, me ndihmën dashamirëse të Dritëro Agollit e me vulën e Ramiz Alisë, më të poshtë, fshatrave ku punoja unë, bëhej me barrë e pillte vazhdimisht elementë revizionistë, pakënaqësi ndaj partisë, vese, të meta e dosja ime pasurohej edhe me kontributin e miqve. Falenderoj qytetarin E. P. që pati guximin e më tha se Dega e Brendshme kërkonte prej tij ç’mendoja unë për partinë. Urrej qytetarin J. Dh. Kolegun tim, një varfanjak me këmishë të palarë, që pasi hante e pinte në shtëpinë time, të gjitha bisedat e tryezës së bukës, i shpinte atje ku duhej. Shumë njerëz më dëshironin burgun dhe nëpër zyra përgatitej një armik që “së shpejti do t’ia shihni fundin” e këto dilnin nga goja e sekretarit të parë, kryetarit të komitetit ekzekutiv, apo kryetarit të degës që disa muaj rrjesht më thërriste në zyrën e tij çdo të enjte në orën dhjetë. Opinioni prapanik i Gjirokastrës, me një kryetar Komiteti, krushku i sekretarit të parë, që s’mu pi kurrë kafja edhe kur punoja në rini, më shihte vrëngër edhe si fshatar dhe si kristian dhe ndiente kënaqësinë “e fitores” se dënimi im kish ardhë së sipërmi dhe tani lehtësisht mund të më shkelte brutalisht. As për një armik, sekretari i parë ,nuk kish organizuar demaskim si në rastin tim, në kolektivin e punës dhe në vendlindje, dhe asnjë komunist apo qytetar nuk u ngrit të më mbronte, as në Zagorien time, paçka se shumica më jepnin të drejtë në problemet që ngrija unë, të cilat s’kishin të bënin në asnjë grimë me interesat e mija vetiake.

Dhe tre-katër miq të mi, që mendonin si unë. (veçoj këtu aktorin e talentuar Baftiar Çene, poetin që e kam simpatizuar që në rini Sadik Bejko, e muzikantin Roland Çene, veçoj mikun tim Spiro Dede me të cilin bisedoja hapur e, ndoshta, rastësia e kish çuar në maja të tjera se mund të qe poeti i sinqertë i zhgënjimeve e i trishtimit), e pra, dhe këta që më jepnin kurajo, m’u desh t’i ruaja nga shoqërimi im.

Befas, unë masoviku, kisha mbetur pa bashkëkohës. Kjo fillesë e detyruar, ndoshta është takimi i parë me letërsinë. Kisha botuar që më 1974 vëllimin me tregime “i dhjeti nga tanët”, por vitet e pas fakultetit i kisha kaluar si të tjerët. Fatmirësisht apo fatkeqësisht heqja e të drejtës së botimit më veçoi nga të tjerët. Intuitivisht kisha filluar të kuptoj së brëndshmi se “të jetosh si të tjerët”, të jesh një numër thyesor, është fatkeqësi për krijuesit. Krijuesi nis atje ku veçohet. Unë, sinqerisht e them,nuk u veçova vetë, por rastësisht nga mjedisi. Si plak 35 vjeçar isha i lumtur se vetveten ilegale e kisha timen. Në mjediset e kolektivat e punës që ishin tepër të lodhëshme e të ngarkuara, do të jetoja aparencat. Aparencat më jepnin rrogën, bukën e familjes, vetvetja “çmenduritë”dhe ëndrrat.

ADN-ja ime kish filluar të prodhonte sekrecionet e pesimizmit dhe të një vetmie, që më bënte të mendoja ndryshe. Askush nuk më kuptoi, as gruaja ime, se unë e urreja atë sistem, atë shumësi njerëzish peng dhe servilë të njëshit e manipulueshme dhe servile sipas interesit të vogël. Isha i vonuar. Them i vonuar se në moshën 35-vjeçar, njeriu e ka krijuar skeletin e vetvetes. E mua m’u desh të merresha me rikompozimin vertebral të vetvetes. Iluzionet e mia për drejtësi e partishmëri ishin prerë me thikë që më 1979-ën, kur kisha shkelur një gjethe të kalbur e shkajta. ( zhgënjimi im u plotësua kur një taborr nëpunësish që nga rreth deri në KQ, më jepnin të drejtë, por s’më ndihmonin dot, se ndëshkimi im kish ardhur nga lart) Dyshimet e mija kapën të tërën e vetëdija ime po më rritej në kundërshtim me atë masë që përmenda më lart. Tani them se duhet t’ia di për faleminderit partisë për këtë veçim esencial që më kish bërë. Askush nuk më ndalonte dot të ëndërroja.

Por kjo vetvete ishte minorene, për të mos thënë mjerane. Ajo e kishte humbur Krishtin e vet dhe ishte plotësisht e paaftë për të ndryshuar të përditshmen. Ajo ishte e ndrojtur dhe e frishkme edhe në ëndërra. Në mungesë të plotë ajri, ajo mbeti si një burbuq i verbër, që do të rezistonte shumë vjet e do çelej përsëri problematike pas 1990.



* * *

Unë isha tepër i pazëshëm. Ngritjet dhe uljet e mia në detyrë,(Libreza ime numuron mbi tridhjet vende pune) e shumta, përgojoheshin e sajoheshin sipas psikologjisë meskine provinciale vetëm në mjediset e njohura. (Kostante mbeti në një pjesë të zagoritëve të mi, natyrisht të spektrit konservator e komunist “se s’i kish faj partia”) Kishte filluar koha e heshtjes, e vulosjes së plotë. As gazeta “Pararoja” nuk më botonte asgjë, asgjë. Gjuha ime ishte prerë. Diktaturat kanë frikë nga fjala. Edhe nga fjala e bukur që mund të thonë “të pabukurit” e saj. Si unë kish plot që e kishin pësuar shumë më rëndë, por them se diktaturat, pronarët e fjalës, kanë më tepër frikë se viktimat e tyre. E kur ajo arrin të imponojë edhe autoçensurën, atëherë intelektuali s’është më.

Lexoj tani tregimet e mia tek “I dhjeti nga tanët” e shikoj me fajësi si e ka përdredhur qafën e vërteta. Lexoj krijimtarinë time tepër modeste (poezi, tregime) nëpër organet e kohës “Drita”, “Nëntori”, “Zëri i Rinisë”, apo shtypin lokal dhe, ashiqare, shoh devotshmërinë, pastërtinë ideologjike triumfin e personazhit pozitiv, plagosjen e artit. I mohoj. Pa hezitim i mohoj dhe duket se çlirohem nga një ankth e dëshmi korale të një stine, që nuk duhet të kish ardhur.

Por ethet e krijimit janë të çuditshme dhe “çmenduria” të mban gjallë. Megjithëse më ishte hequr e drejta e botimit 15 vjet, unë vazhdoja të shkruaja çdo ditë sikur nuk më kishte ndodhur asgjë dhe si Don Kishot i dërgoja për botim.

Ndërmarrja botuese, e vetmja që kishim, meqë s’kish ndonjë vendim të shkruar për përjashtim nga Lidhja e për privim botimi,  i kalonte në procesin e hetimit të tëra, në të tëra instancat dhe, siç pritej, dërgonte nga një faqe me vërejtje, pa harruar fjalinë e fundit “Vepra jua për boshllëqe ideoartistike, nuk mund të botohet.” Unë filloja nga e para. Më shtoheshin dyshimet e ëndërrat më digjnin si prush. Po ç’rëndësi kanë dyshimet dhe ëndërrat? Nëse ato nuk shkruhen e nuk shprehen, nuk ekzistojnë. Duhet ta pranoj troç: Deri më 1978, i përkisja shumicës së inteligjencës që mendonte se Enveri është i mirë, të tjerët më të poshtë e kanë fajin. Kjo është e vërteta, e vërteta ime miope, antiintelektuale. Kjo e vërtetë m’u lëkund gjatë viteve kur unë kërkoja me sinqeritet riabilitimin tim, domethënë të pamundurën, domethënë vetveten kolektive. Shtroj pyetjen: Po sikur të më ishin botuar të gjitha ato që më ktheheshin pas (tre romane, pesë drama, tregime, poezi) cili do isha unë? A do pasurohej letërsia shqipe? A do ish vepra ime kundër realizmit socialist? A do ishte desidente? “Jo”, përgjigjem për të gjitha. Mund të isha një emër më shumë në tufën e kolektivizuar, një i zakonshëm apo mediokër, por për tipin tim, lehtësisht i kritikueshëm. Nuk mund të harroj dy këshilla të njerëzve të shquar të artit, Dhimitër Anagnositit e Pirro Manit. Të parin e shoqërova në Zagorie bashkë me aktorin Teli Stefani, kur po përgatiste filmin “Përrallë nga e kaluara”. I dhashë një dramë e ai, me korrektesën burrërore e pasionin e regjizorit të shquar, m’u përgjigj në esencë: “Të këshilloj të mos shkruash drama të tilla. Ti vuan nga realizmi. Në skenat tona vetëm realizmi nuk duhet.”. Këto fjalë ishin tronditëse për mua, por edhe për teatrin. Anagnosti i zgjuar, ndoshta suksesin më të madh e arriti në “përrallat” nga e shkuara, se përrallat e ditës ishin të rrezikshme. Ndërsa Pirro Mani, regjizori tjetër i shquar i teatrit, kishte pëlqyer një dramë timen dhe donte ta vinte në “Teatrin Popullor” e më la një takim në Sarandë. Më foli mirë për dramën. E kish kaluar edhe në disa figura të këshillit artistik por…Adash, më tha rregulloje me ata të partisë në rreth, se nje telefon shpesh tringellin në zyrën e drejtorit tonë dhe të prish shumë punë. Ai nuk e dinte se ai telefon kish rënë edhe në teatrin e Korçeës,Elbasanit,Shkodrës e në Gjirokastrën time,nga zyra e kryetarit të komitetit ekz.,binte edhe në degën e brendëshme,edhe te një zyrë tjetër e lartë ku punonte një njeri me mbiemrin BISHA.,e natyrisht ,të gjitha dorëshkrimet e mia ktheheshin pas, pa e harruar fjalinë e fundit:”për boshllëqe ideo-artistike nuk mund  të…”

Ndër redaktorët dhe reçezentët e mi të paemëruar nga shteti ishte edhe gruaja ime,Eva,më e trasha dhe më e mprehta,më korrektja dhe më e partishmja çensore e libravë të mia.          

Ajo donte të më ruante nga e keqja. Me një intuitë të lindur, ajo fort mirë e dinte, se mua më hanin brirët e siç thoshte “kërkon  të të qëllojnë se nuk rri dot pa “përplasur””. Ajo, e mira dhe e dashura edhe sot, pas 35 vjet martesë i ka frikë shkrimet e mia. E megjithatë, sot, duke sakrifikuar edhe të ardhurat e familjes prej punës së saj, paguan librat e mia. Paguan frikën e saj, ankthin e diktaturës.

Me leximin që u bëj tani “të vdekurave” të mija realiste, mendoj krejtësisht ndryshe. Së pari falenderoj redaktorët dhe çensorët e mi, dashamirësit e dashakeqësit,që për motive të ndryshme më ruajtën nga inflacioni i fjalës, pse jo nga medioktriteti, ose nga pseudodisidenca. Së dyti, gjej rastin të falenderoj poetin Primo Shllaku, me të cilin bashkëjetova dhjetë vjet në Athinë. Ishte ky person, rastësi e emigracionit, që më ktheu plotësisht te vetvetja. Ky shkodran nga dera e shquar e Shllakajve gërmoi tek unë e më tha ca të vërteta kokëforta… se letërsia është një mal i mistershëm… se kriteri i vlerësimit s’është masa por elita… se letërisa është mohim, metafizikë etj. etj. Ndoshta mendimi i tij se letërsia e realizmit socialist ishte diare ose kapsllëk, është ekstrem, por mua më pëlqejnë të vërtetat paçka, të varura në skajet e tyre. E pra, ky poet dhe kritik elitar më tha, se paskësha qënë me fat që s’të kishin botuar. Letërisa, jo letërsi ishte patologjike. “Diareja” të jep temperaturë, dëmton autorin dhe të tjerët me mikrobet e saj. “Kapsllëku” dëmton vetem të zotin. Po ç’të bëje? Të mos shkruaje? Të mos ekzistoje?… Primo Shllaku nga të paktët disidentë, preferoi heshtje publike, “kapsllëkun”. Ai shkruante për vete. Lule nate. Dhe ish ndarë prerë me regjimin e realzimti socialist. Dhe tani ka një tog me vepra (poezi, tregime, drama, esse, përkthime). Lexojini, ju lutem, vëllimet e tij me poezi “Lule nate” , “Hana e njelmët e Ditës” dhe “Edhe fjalët shkojnë në ferr”, poezi me ditëlindje që njëkohësisht janë dhe ditëvdekjet e tyre.

Zotërinj shkrimtarë e poetë! Nëse keni vepra disidente të shkruara nën diktaturë, botojini tani në liri! Unë, personalisht, ato të miat, “të guximshmet”, “realistët” që dikur, në brendësi, i lëvdoja si arixhiu shportën e vet, nuk do t’i botoja as pa para. Dhe nuk mund t’i rishkruaj kurrë. Kaq.

Ne krijuesit e largët me që jemi të dënuar me heshtje nga kaosi i tranzicionit dhe nga emigracioni, vuajmë dyfish nga mosvëmendja e lexuesit e kritikës dhe indiferentizmit total të shoqërisë shqiptare. Nuk do ma merrni për mungesë modestie, të them se në këto 15 vjet, kam botuar pesë romane e katër vëllime me poezi, plus librin “Kosova saga e Ballkanit” (së bashku me Primo Shllakun) dhjetra esse, kritika etj. Veprat e mia si dhe e rreth 30 krijuesve të mirëfilltë, që banojnë në Athinë, kanë nevojë për sy e për vesh. Veprat janë biografia e autorëve.



*

*     *

Vetveten nuk e kanë patur plotësisht në dorë as ish të mëdhenjtë e letërsisë, Ismaili dhe Dritëroi. Nisur nga ky fakt, unë e frenova veten, kur vende vende në këtë libër i ngre tonet kundër tyre, por kurrsesi, nuk marr përsipër pronësinë e të vërtetave dhe kurrën e kurrës nuk më shkon në mendje mohimi ose urrejtja . Në letërsi vlerësimet janë subjektive. Po diku e thashë: S’kam absolutisht të bëj me autorët, por me veprat e tyre. Dhe veprat publike janë edhe të mijat.

Megjithëse qenë të privilegjuarit e regjimit, jam i sigurtë se vetvetja e tyre gjithashtu ishte e ndrojtur dhe e kufizuar. Ajo duhet të jepte prova besnikërie që të ekzistonte e të bënte emër të përveçëm. Provat u dhanë. Atjo janë “vepra” fatura të paguara e dëshmi ku vetvetja tepron, ku ajo s’mund të ekzostonte  e pavarur e duhet të futej në kooperativë.

Ndërsa frutat e Agollit u rritën e u poqën plotësisht nëpër degët e gorricat të partisë, ato të Kadaresë po në këtë pemë, do të tregonin se ishin edhe fruta me një shije tjetër, të një mbishortese që jo rrallë damarët limfatikë do të përziheshin e disa kokrra dardhe do kishin vetëm disa gene nga origjina e gorricës. Agolli ndjehet i qetë me vetveten e tij edhe me zhgënjimet e ndoshta, i lumtur me “djallin e komunizmit në bark”… sepse ajo pemë djall ku kishte hipur e bëri të shquar. Ai e ka të vështirë mohimin e vetvetes kooperativiste. Natyrisht. Ai ishte kryetar kooperative. Mendoj se poeti i talentuar Dritëro jeton dramën midis “ishit” dhe “jamit”

Djaloshi i talentuar Dritëro Agolli, rob i iluzioneve komuniste, mbeti i tillë edhe plak i thinjur dhe talenti i tij, poezia, si produkt i një vetveteje të kondicionuar për ta ndryshuar botën, rrezikon të mbetet pa të nesërme, harruar si një ëndërr që nuk e pa vetëm ai.

Ndërsa iluzinet e Kadaresë shpejt u kthyen në aluzione dhe deziluzione, por jo dhe në kontensione. Vepra e tij e gjerë është rezultat i kryqëzimeve ideoestetike, i leximeve të letërsisë moderne, por pa arritur në një pozicion të prerë, kundërshtimin ndaj regjimit komunist. Ato janë një përllogaritje e saktë oportune midis mosprishjes me shtetin dhe artit bashkëkohor që, falë talentit dhe rrethanave, ky oportunitet është zgjidhur në favor të artit.

Personalisht e kam admiruar Kadarenë. Gjithnjë më është dukur i veçuar nga të tjerët dhe e kam përfytyruar si një re të renduar nga vetëtimat që diku, do të shkarkonte me gjëmime; prisja e prisja e ai më shtyhej për më vonë; e dija intuitivisht, e kuptoja nga vepra se atij i hanin brirët; aluzionet i prekja me dorë… ai tendosej në ndonjë vepër, merrte hov dhe atë që prisja unë, Sheshin e mejdanit, nuk e pashë. U përkas atyre intelektualëve që në ditët e para të demokracisë, manifestuan me portretet e Nolit, Qoses e Kadaresë e drithërohesha I lumturuar që shoqëria shqiptare, e shtypur në palcë ,manifestonte edhe me flamurin e poezisë, të liderve të së bukurës.

Jam skllav i atij tempulli. Në këtë libër i dhashë të drejtë vetes të trajtoj edhe zhgënjimin ndaj profesorëve të mi. Është koha e analizave dhe filtrimit më të mirë të vlerave. Unë nuk trokas në tempullin e letërsisë si nxënës kokëulur e plangprishës. E shtyva derën jo të vi të falem e të përulem në tempull, as për të fshirë pluhurin e ikonave e të idhujve të mi, por për t’i parë drejt sy më sy e për ta thënë fjalën time. Dhe e vërteta është pronë e të gjithë atyre që dyshojnë dhe pyesin.

Kam mendimin se sa qe gjallë Enver Hoxha dhe regjimi i tij, Shqipërisë i munguan trimat e mejdanit. Më trimat u fshehën nëpër kulisat e ekzistencës së përditshme duke mbajtur ndezur një qiri vetveteje intelektuale të parëndësishme. Edhe Ismail Kadareja e la ndjeshjen kur tjetri vdiq. Tani, duke menduar, se diktatorët jetojnë edhe vite pas vdekjes së tyre fizike, them se fjala e Ismailit kundër atij regjimi e kundër metodës socialiste gjithesi tribunale dhe e domosdoshme për momentet e krizës që kaloi Shqipëria, e ka kryer misionin e vet. Ka mbetur diçka esenciale pa thënë. Ç’do të bëhet me gjithë atë bibliotekë të realizmit socialist? Tani, jo gjykimi dhe anatemizmi i metodës, por i veprës shkruar sipas saj, është një imperativ i domosdoshëm, në mos, duhet të gënjejmë veten se kjo vepër – mijëra tituj në të gjitha gjinitë i qëndron kohës, si mbijetesë e disidencë. Duke pohuar heshturazi veprën, edhe nga personalitetet e letërsisë në Shqipëri e në Kosovë, indirekt pohojnë edhe metodën. Prandaj është koha e analizave, e prononcimit publik, e një vetëgjyqësie të urtë, të sinqertë e objektive; e verifikimit të dinjitetit që duhet të bëjnë gjithë krijuesit. Me heshtje ose me ndonjë artikull gazetash, me intervista spontane e me keqardhje ndaj të vdekurve ose pjesëve tona të vetvetes inekzistentë, ka rrezik që kultura shqiptare t’i ngjajë një moçali ku mbijnë bimë të zverdhura.

Shumica e bibliotekës së Realizmit Socialist i përngjan një morgu kolosal, si pas një lufte, të gjatë me të vdekur të vrarë plotësisht ose të plagosur në 1/2, 1/3 apo në ¼ e trupit të tyre, me shpresë se dikush do zgjati dorën për t’i shëruar. Ndoshta ndonjë nostalgjik apo vetë autori. Shumica nuk shprehen por mendojnë se pjella e tyre do jetojë… Pa shihni! Sytë i ka hapur, gjymtyrët i lëviz e vërtebrat i ka të gjitha… Dikush, madje, guxon edhe t’i ribotojë me tituj e kopertina të tjera duke bërë një spekullim të dyfishtë me vetveten krijuese në liri ,por dhe duke e ofenduar lexuesin që qenka i detyruar të hajë edhe bykrat që dalin nga makina.

Do të ishte në nderin e Ismailit e të Dritëroit që si të mëdhenjtë e asaj biblioteke të vinin pak rregull në sirtarët e “morgut” të të gjithë letërsisë së Realizmit Socialist, edhe të veprës së tyre. Kjo do të shërbente edhe si shembull përgjegjësie për të gjithë.





*   *   *

Intelegjincia e vërtetë besoj se nuk është kundër mendimit tim se: askush nga poetët dhe shkrimtarët e RS, nuk e pa atë sistem në asnjë vepër letrare si një të keqe kombëtare dhe njerëzore që shkatërroi njeriun dhe burimet jetike; askush nga ata nuk parashikoi rrëzimin e tij, se dhe në më cilësorët komunizmi u kritikua në shfaqjet e rëndomta të tij, me synim rregullimin e tyre, “kapërcimin e vështirësive të rritjes”; askush nuk pasqyroi në një libër malin e krimeve dhe fajin kundër popullit, pa përjashtuar edhe viktimat e para idealiste e të shndritshme siç qenë dëshmorët dhe ata që bënë luftën.

Me përjashtime shumë të rralla asaj letërsie i mungon njeriu, humanizmi si domosdoshmëri absolute dhe elementare e çdo letërsie. Edhe në më të mirat vepra të RS, mungon prindi, motra e vëllai, gruaja dhe dashnorja, studenti, ushtari oficeri, mungon fytyra e njeriut në kompleksitetin e vet; mungon dashuria, puthja, seksi, trishtimi njerëzor, vdekja… Dhe kur çelte syrin ndonjë element i tillë nëpër lirika e tregime, do goditej pa mëshirë autori se qenka copëtuar heroi ynë, s’del njeriu i ri, partishmëria e dëngela të tjera antiartistike. Edhe lirikët tanë që të lirë mund të ishin të mrekullueshëm që nga Fatosi, Dritëroi, Ismaili, Xh. Xhevahiri, Agim Shehu, A. Papleka, S. Bejko, F. Reshpja, F. Haliti, K. Petriti, R. Marku etj. etj.,( përmendja këtu është krejt e rastit dhe kërkoj të falur për të tjerët) u duhej t’i binin longarit në atë vrimë që të mos ta shqetësonin veshin e partisë. Duke u ruajtur nga ky vesh ata bënë sprova të suksesshme për formën, por gjithmonë me frikë në zemër të mos binin në formalizëm që gjithashtu ishte e denueshme. Edhe ato krijime që i qëndrojnë kohës dallohen nga ndrydhja, kafshimi i gjuhës. Shkurt ajo letërsi, që e shumta mund të quhet mbijetesë, është letërsi mungese dhe e pat të pamundur të krijonte realitete të tjera; mungon pena e hollë e vetvetes artistike në kërkim të njeriut, të fundit të tij të pafundmë. Mungojnë guackat e mendimit me rubinët misteriozë përbrenda, mungon halli, brenga, dhimbja; mungon klithma ekzistenciale që njeriu shqiptar, ndoshta para të tjerëve, kish të drejtë ta ngrinte në qiell.

Sepse vetvetja nuk ishte e jona.

Sepse shteti diktatorial ishte botuesi i librit, i teatrit, i festivalit, i ekspozitës, i filmit; sepse një ushtri e tërë çensorësh, me strukturat e një korpusi luftarak, mbanin në zap fjalën e tingullin, ngjyrën dhe qiramikën. Romanvrasësit kishin hije më të rëndë se gjeneralët. Ata kishin vrarë ndërsa gjeneralët nuk u vunë në provë…

Sepse ai shtet që kish pronësinë mbi artistin krijonte edhe mundësinë e një shpërblimi, të lejeve krijuese, të profesionit të lirë e njëkohësisht bënte edhe shpërndarjen e fjalës duke i siguruar shkrimtarit lexuesin dhe famën. Në këto privilegje, natyrisht, pjesën e luanit e kishin disa persona (ku diskutimet bëheshin për të tretin e poshtë ndërsa njëshi dhe dyshi (Ismaili e Dritëroi) ishin të padiskutueshëm.) Me sa di unë asnjë poet a shkrimtar në botë, nuk ka patur privilegjet e dyshes sonë (veçanërisht Ismailit) në lehtësinë e botimit të komanduar, të reklamës, të kritikës, të lexuesit, të përkthimit, të tirazhit etj. Me shkrimtarë të tillë shteti afirmonte vetveten dhe në bashkëkzistencën erotike midis shtetit e poetit do të nënshkruheshin kontrata për të lëvduar njëri-tjetrin. Poetët e protokollit mbushën gjokset me të gjitha çmimet e dekoratat e mundshme, shteti stolisej nga ta si nuse prej lecke e të dy palët ishin të kënaqur. Viktimë ishte vetëm arti.

Partia vdiq. Poetët janë gjallë. Nëse të gjallët nuk mohojnë pjesët e vdekura të tyre, brezi pas nesh ka rrezik të mohojë edhe ato vlera që nuk mund të mohohen. Horoskopët janë të zymtë. Unë do të mundohem të lexoj diçka nëpër yje, gjithsesi nëpër mjegull…





III



Mite brenda mitit


Metoda e realizmit socialist na erdhi e imponuar nga BRSS. Ajo, dhe atje, nuk ishte rezultat shkencor i karakteristikave të veprave letrare artistike, por një vendim partiak sajuar nga estetë e shkrimtarë partiakë. Ajo u servir si detyrim për çdo krijues dhe u pompua si metoda më e mirë në rang planetar. Parimet dhe kërkesat e saj që ishin krejtësisht jashtë letrare, u futën në të gjitha programet e shkollave deri në Akademinë e Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ndërsa për të gjithë krijuesit ishte rreptësisht e detyrueshme si kodi i qarkullimit rrugor për shoferët. Çdo shmagie shkaktonte “karambolë” të rrezikshme dhe jo rrallë “shoferët” e paguanin me kokë. Me përjashtime shumë të rralla si rasti i K. Trebeshinës apo disi i S. Malëshovës, të cilët e paguan shumë shtrenjtë kundërshtimin e tyre të sinqertë, duhet pranuar se metoda u pranua me entusiazëm si çdo gjë sovjetike. Ajo mori tiparet e një miti të paprekshëm e nën hijen e saj të rëndë do ndrydheshin dhjetra e dhjetra talente në të gjitha gjinitë e letërsisë e të artit, siç do dalloheshin dhe më të shquarit e saj, Ismaili e Dritëroi. Të dy hap pas hapi, nga të gjitha organet e propagandës partiake, u krijuan si mit brenda mitit, dy solistë të shquar nën një iso mbarëkombëtare.

Dritëro Agolli, tashmë është ai që dihet, rreth i mbyllur. Po përqendrohem pak tek më i sipërmi, jo sipas asaj që thotë populli “në arrën me kokrra hidhen gurë”, jo, aspak, por mendoj se Ismail Kadareja përbën një nyje komplekse në kulturën shqiptare 60-vjeçare. Ai është miti brenda mitit socrealist e njëkohësisht mit edhe kundër atij miti.

Askush nuk e mohon që ky autor vepër pas vepre e rriste famën e tij dhe erdh e u bë gjeneral i letërsisë shqipe. Të kuptohemi: lëvdatat i do çdo njeri. Të shkruash për lavdi, është heroizëm, ka thënë një i urtë, por jeta shqiptare pati dhe “gjeneralë” të tjerë të mitizuar si gjenerali Shefqet apo ministri Kadri, pati inxhinierë të mrekullueshëm, mjekë të rangut evropian, që kishin shpëtuar qindra jetë njerëzish, artistë të mëdhenj etj., etj., që, megjithëse meritat e tyre ishin më të prekshme, nuk e gëzonin famën e mitit Kadare, bile as Agoll, pamvarësisht  se ajo shoqëri e pacivilizuar nuk e nderonte fjalën, madje kish frikë prej saj. Ismail Kadareja e lartësoi shtatin mbi të gjithë shkrimtarët e tjerë, sepse koha s’kish më të fuqishëm se ai, sepse të shquarit para tij, ose kishin vdekur, ose ishin shkelur edhe të vdekur, por edhe sepse ndonjë talent tjetër i gjallë, që mund të ishte e shtypte politika për ndonjë cen biografik, por e shtypte dhe pushteti letrar. Duhet të pranojmë që fama nuk krijohet në boshllëk. Jo çdo njeri mund të ishte shkrimtar dhe jo çdo shkrimtar është i famshëm. Në rastin Kadare grumbullimet famëmëdha po vinin nga bashkëkohësia, nga zyrat e sipërme të partisë-shtet dhe nga poshtë, nga lexuesi më cilësor që gjithmonë është edhe imponues, por edhe nga shkaqe dhe rrethana jashtë letrare. Në këtë rast kanë influencuar edhe disa rastësi fatlume si: qënia e Ismailit nga Gjirokastra e Enverit, bashkëpunimi i tij me përkthyesin Jusuf Vrioni, mbështetja e disa botuesve dhe kritikëve francezë. Në rrethanat rastësore por që ndikuan fuqishëm unë do veçoja dy kryesore: Lidhjen e Kadaresë me krahun më të fuqishëm të oborrit, atë të mbretit, por edhe me kryeministrin dhe sidomos përpjekjet e shtetit me të gjitha mundësitë financiare diplomatike, partiake, administrative, letrare për ta reklamuar këtë shkrimtar jashtë vendit, fillimisht në Francë e më vonë kudo në Evropë e jashtë saj. Këtë e favorizonte edhe izolimi hermetik i Shqipërisë që në këtë rast influencoi pozitivisht se kudo kishte njerëz të shquar në perëndim, kuriozë e dashamirës të krahut të majtë, për “qendrimin heroik të Shqipërisë” por  dhe thjeshtë për të ditur se ç’bëhej në atë vend që po reziston “burrërisht” duke ngrënë vetveten. Ana tjetër, po kaq e rëndësishme, ishte fakti që shteti komunist mburrej, krenohej e justifikohej si një shtet demokratik ku lulëzojnë edhe talente “të lira” si shkrimtari I. Kadare. Duket sikur ka kontradiktë këtu, por jo. Dhe më vonë kur talenti Kadare, në vepra të veçanta, iu kundërvu metodës socrealiste, shtetit shqiptar komunist nuk i hynte asnjë gjëmb në këmbë, përkundrazi, e kish gojën më të hapur për të thënë: E shihni si i ndihmojmë ne edhe disidentët? E shihni si i financiojmë e i propagandojmë ata? Në këtë drejtim shteti harxhoi shumë mund dhe para. Nuk e di se ç’honorare mirrte nga vepra e botuar, me siguri merrte shteti më shumë se autori (!) sepse ai ishte shteti botues shumëgjuhësh. Në botimet shqip honoraret për shkrimtarët kanë qënë tepër qesharake, madje është tentuar dhe për t’i falur krejtësisht ato. Përgjithësisht shteti komunist ishte vjedhës i punës dhe i krijimtarisë intelektuale në të gjitha fushat.

Ismaili që punonte me vullnet të fortë, si nikoqir i mirë Gjirokastrat, u bë mjeshtër për të vozitur majtas e djathtas talentit të tij por dhe në rrethanat favorizuese jashtë letrare. Ai provoi të botonte në të gjitha gjinitë, peshkonte tematikat e bujshme me gjeneralë, perandorë e perandori, Zeusa e Prometej, Elena e Hektorë, koka të prera e piramida e, e, e, … pa fund. Njëkohësisht ai kishte një prezencë të përkortë dhe autoritare me kryesinë e Lidhjes e çmimet, nderimet, deri ato akademike brenda e jashtë vendit, i vinin më barrë, e kështu ai krijohej si mit kreshendo brenda një miti në rënie. Metoda e realizmit socialist gjeti te Ismaili, degën më të fuqishme të saj, që për një sërë shkaqesh e rriti nga degë si të gjitha degët, në një degë vertikale për ta bërë trungun e vet bazal e që, siç e thashë herë pas here do bëhej edhe mohim i trungut të gjenezës duke prodhuar fruta të tjera si çdo shartim i shëndetshëm.

Duke njohur mirë veprën e Kadaresë e duke qënë një simpatizant i talentit të tij, hamendësoj se ky shkrimtar nga më punëtorët e më të lexueshmit që ka një emër, tashmë të madh, një mëndje racionale e shembullore si ai, i aftë për ta tjerrur famën e për ta pushtuar lavdinë, përbrenda vetvetes të ketë kuptuar një vetëdije të pasigurtë për vlerat e mirëfillta artistike. Kam vërejtur në mjaft analiza për Migjenin, Lasgushin, Fishtën, Koliqin, në veprën “Ftesë në Studio” sidomos në “Bisedë me A. Boske”, në përsonazhet e tij poetë, e në mjaft shkrime e intervista të tij, një nervozizëm tepër të dukshëm. Ai vazhdimisht ka ndjerë nevojën e mbrojtjes, nevojën e të krahasuarit, nevojën e supervlerësimit e më duket se vazhdimisht ndjen se vuan nga një padrejtësi e fshehtë, gati si nga një fantazmë që rrezikon gjeniun e vetmuar. Kjo psikologji e ka bërë që të jetë inatçi e kapriçoz në përgjigjet, i ndjeshëm e i brishtë si poet, por dhe me egërsi e urrejtje, paçka se i pajisur edhe  me rrufepritsa. Mendoj se e ka gabim. Njerëzit e duan Ismailin, masivisht e duan dhe e lexojnë atë. Tek Ismaili, lexuesi shqiptar, ka parë edhe etalionin e lirisë, paçka se ai kish dhe ka, edhe emra të tjerë. Sidoqoftë, duhet të pranojmë që ky, pikërisht ky, ka luajtur një rol të rëndësishëm në emancipimin e lexuesit shqiptar. madje ne emigrantët, në debate me racistët grekë, italianë apo dhe gjermanë, jemi krenuar me të dhe shpesh, emrin e tij e kemi ngritur si, mburojë. (Në mungesë të shtetit të mbrojmë më tepër emrat e poetëve, ose të brishtat e mëdha Nëna Tereza, Inva Mula ose aktorët e shquar, ose dhe ndonjë futbollist që shënon gola…)



* * *

   

E pyeta në një panair libri, në Gjirokastër pse duhet të shkruante një libër të tërë tërësisht vetmbrojtës “Bisedë me Alen Boske”?

Mu përgjigj: Sepse poeti është qënie e brishtë, sepse askush nuk e mbron dhe se është i rrezikuar… Ishte i rrethuar nga një turmë 100% dashamirëse e servile dhe, ashtu presidiumeve, i është dukur se gjithmonë ka të drejtë. Kjo, mendoj unë i ka bërë dëm personalitetit të tij.

Pasiguria e famës vjen nga cektësia e bashkëkohësisë. Përvoja ka treguar se bashkëkohësia nuk mund të të bëjë të paprekshëm. Të gjithë ata që kanë ngritur monumente së gjalli kanë qënë të përkohshëm. Vlerat e vërteta sipërore, nëse ekzistojnë, s’kanë nevojë të kenë burie në buzët e poetit. Ato mund të mos vilen menjëherë, por nuk vonojnë, ato rriten dhe shumëfishohen nga të tjerët sidomos, marrin formën e lavdisë, pas vdekjes. Artur Shopenhaueri nënvizon: “Për lavdinë e rreme, atë të pamerituarën ndodh pikërisht kështu: Kush e zotëron, jeton pa ato cilësi për të cilat lavida është simbol i pastër, një shembëllim i shndritshëm. Dhe një famë e tillë shpesh duhet t’i shkaktojë këtij njeriu një ndjenjë të keqe (megjithë iluzionin që i jep sedra e tij), qoftë nëse preket nga marramendja e lartësisë së cilës nuk i përshtatet, qoftë duke e kuptuar se nuk është flori, por bakër i larë me flori dhe kështu, e kap ankthi se mos zbulohet, e mundon frika nga një poshtërim i drejtë, veçanërisht nëse mund të lexojë tanimë në fytyrat e të diturve se cili do të jetë gjykimi i brezave të ardhshëm”.

Nga të tre njerëzit më të shquar të qytetit tim, vetëm Eqerem Çabej ndërtoi në heshtje të plotë VETVETEN në veprën e tij, atë shembulloren me guximin e një shkencëtari të rangut më të lartë evropian.

Dhe pas vdekjes së tij, vjen e merr dimensione akoma më të mëdha dhe i sigurtë mbërrin tek e ardhmja. Emri i tij sa qe gjallë, u tentua të harrohej diku në ndonjë kamp pune, por profesori vetëm punonte në heshtje dhe erdh e u bë më i ndritshëmi akamdemik paçka se pushteti popullor nuk ia botoi veprën sa qe gjallë. (Edhe më keq ka ndodhur me Gjergj Fishtën, kandidatin  e parë për çmim “Nobel”, që, për habinë time, është sulmuar padrejtësisht dhe dinakërisht nga Kadareja – e pra, Gjergji, vdekur dy herë, herën e dytë humbur kockash nëpër Drin e plotësisht i mohuar, vjen e kalëron pas 60 vjetëve, nëpër udhët e kulturës kombëtare, pa kërkuar dekorata, por më i gjallë se të gjallët si një Nder Kombëtar.)

Enver Hoxha, lavdimadhi i Gjirokastrës dhe i Shqipërisë, ndërtoi lavdinë e vetvetes në gjallje e projektoi atë mbi popullin e vet, mbi të shkuarën, të tashmen dhe… dhe nuk i takoi ardhmërisë. Pas vdekjes erdh e u zvogëlua deri në mohim e mallkim nga një popull i tërë, thellësisht i zhgënjyer nga prijsi i vet.

Duket se D’Alamberi ka patur parasysh raste të tilla kur shkruante : “Brendia e tempullit është e banuar nga njerëzit e mëdhenj që kanë hyrë atje pas vdekjes dhe nga disa të gjallë, por këta të fundit, do të dëbohen sapo të mbarojnë së jetuari.”

Nuk do t’ia dëshiroja këtë Ismailit, por që të mbetet banor i tempullit, duhet që pikësëpari, të frenojë inercinë e famës së tij ardhur nga një partishtet antikrijues me të cilin kish rënë në ujdira ekzistenciale  - të jetonte si njeri e si shkritmar - , të distancohet nga servilët, nga veprat e tij të dobta e të partishme. Ka ardhur koha e qortimeve dhe e autokritikave të sinqerta. Nga ai ka ç’të hiqet e ka ç’të mbetet. Miti që e rriti atë i takon harresës. Për një pemë frutore nuk i vete në mendje kujt se mbi ç’nënshartesë është zhvilluar. Pa u hapur udhë keqdashjeve, cmirës që nuk mungon, intrigave dhe inisiativave poshtëruese, që vinë veçanërisht nga segmentet staliniste të së majtës, por dhe nga të patalentuarit e së djathtës, Ismail Kadareja mund ta mbrojë tempullin e tij më me dinjitet. Personalisht pres librin që s’e ka shkruar…





* * *

Metoda e realizmit socialist ishte një mit i rremë dhe hipokrit. Nuk ishte as realiste as socialiste në kuptimin primar. Ajo kundërshtonte paraqitjen e të vërtetave lakuriqe të shoqërisë, vuajtjen, varfërinë, mjerimin, lodhjen, krejt botën shpirtërore të njeriut shqiptar, duke synuar me hipokrizi lumturinë, gëzimin, enthusiazmin, patriotizmin e njeriut artificial, që sajohej, siç thotë korçari si nuse prej lecke. Promotorri i kësaj letërsie ishte lufta e klasave ose genocidi shtetëror kundër popullatës së vet. Ishte dhe antisocialiste sepse spekuloi me barazitizmin e njerëzve. Ajo kodifikoi ndërshkimet për çdo kundërvënie dhe u kthye nga metodë krijuese në metodë penalizuese për vepra artistike e autorët e tyre. Por çdo mur, sado i keq që të jetë ka gurë qosheje, ka dhe gurë në radhë, ka dhe haliçë. Veç Ismailit dhe Dritëroit, që po i vërej  më nga afër, janë dhjetra e dhjetra të tjerë, që të gjithë së bashku, e ngritën sa mundën e sa u lejohej rrafshin e letërsisë dhe të artit shqiptar. Pa pretenduar saktësinë e emrave dhe të rreshtimit të vlerave, nuk mund të mos përmend Fatos Arapin, Xhevahir Spahiun, Dhimitër Xhuvanin, Frederik Reshpen, Naum Priftin, Zija Çelën, Agim Shehun, Faik Balancën, Koço Kostën, Bardhyl London, etj., në letërsi, e plot artistë si Anagnostin, Manin, Pashkun, Kekon, Pjetër Gjokën, Kadri Roshin, M. Logorecin, T.Kurtin, R. Ndrenikën për skenën; ose piktorët e skulptorët e talentuar Sali Shijakin, Ali Osekun, Gazmend Lekën, Kristaq Ramën, Muntas Dhramin etj., etj. patëm përkthyes të talentuar si Kutelin, Poradecin, Shvarcin, Luarasin, Vrionin, Cacin, Ficon, Zhejin etj. Kritikë si Kallullin, Uçin, Plasarin, Shapllon, Ibrahimin,  Jorgo Bulon etj… Të gjithë ishin të penguar e të kufizuar në punën e tyre. Thjesht kontributi i tyre është mbijetesë e artit dhe e fjalës poetike shqipe e sidomos lulëzim dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Ngjetkë e kam fjalën. Tek pseudonimthi, te përgjegjësia e gjithë inteligjencës krijuese që heshti, heshti, heshti për problemet e mëdha e të rënda që kalonte shoqëria shqiptare, tek “idhuj pa krena”. Dihet se letërisa e mirëfilltë kërkon hapësira të lira. Ajo nuk është një përshkrim adeguat i realitetit, por një realitet tjetër që i kundërvihet botës.

Në letërsinë tonë të RS, ne nuk e kemi realitetin që t’i kundërvihet botës sonë, ne kemi vetëm “botën tonë” që ka objekt atdheun socialist, mbërthyer kontradiktash të egra, por të sheqerosura në planin bardh e zi; neve na mungon njeriu kompleks që mund të jetë i mirë ose i keq, ose dhe i mirë dhe i keq. Sopata e RS e kish prerë njeriun në dy pjesë: ose faqebardhë, ose faqe zi, pra, ashtu siç nuk ishte në fakt. Edhe kur Partia s’bënte porosi direkte, ne e dinim ç’kërkohej dhe personazhi ynë ka veshur rrobat e zborit (të luftëtarit) që ka dalë në një luftë irreale e të imagjinuar, domosdoshmërisht për fitore. I gjithë dekori i letërsisë socrealiste është mbushur me armë, që nga jatagani e topi, me barrikada, kështjella, partizanë, me kampe pune e me njerëz që kanë nevojë të edukohen…

Kjo letërsi të kujton përpikmërisht luftën e ftohtë; pozicione të përcaktuara luftarake në punë në mes të klasës punëtore e në fshat, në familje, në ushtri apo në ekspeditën gjeologjike, kudo, dhe kudo e keqja kërkohej jashtë nesh, te armiku i jashtë ose i brendshëm, që nuk e takuam asnjëherë në 50 vjet. (!) Ta hajë dreqi! S’ia bëmë një herë “bam”.

Lufta e ftohtë staliniste që vriste së brendshmi (jo së jashtmi), nuk njohu kurrë stinë paqeje tek ne. Kjo klimë presioni, frike e drepresioni ishte shtëpia e dashur e letërsisë sonë. Më duket se Kadareja, më mirë se të tjerët e kuptoi këtë dhe tentoi me mënyrat e veta, jo pa paguar taksën, të dalë prej saj…

Tipike për atmosferën absurde të luftës së ftohtë Lindje-Perëndim janë filmat serialë të Xhejms Bondit, filma skematikë që, megjithëse u dihej fundi i duelit të heshtur – midis dy grupesh antagoniste, regjisorët e Hollivudit, që fort mirë e dinë se skematizmi e vret artin, fusin në film vazhdimisht diçka njerëzore që e thyen skemën. Më duket se te filmat e Xhejms Bondit ka gjithmonë një Kadare, një thyerje, një seks agjentësh, një natë me leshverdhat ruse që pas seksit, nëpër gjumë, do kërkonte pasaportën e dashnorit kundërshtar, sipas skemës së eprorëve të vet. Sidoqoftë akullnajat planetare Lindje-Perëndim, kishin kohë që lëviznin e shkrinin e poshtë tyre, rrëkerat ishin bërë lumë. Lufta e ftohtë enveriste tek ne, nuk njohu kurrë zbutje dhe në serialet “e filmit tonë 007” ne do të vazhdonim kokëfortë, pa një “seks agjentësh”, sepse “degjenerimi moral, një hap e ndante nga degjenerimi politik”.

Letërsia jonë edhe tek më të shquarit e saj, ishte e detyruar të hynte e të dilte nëpër dyer të ulta duke e përkulur trupin, ishte e detyruar të ecte nëpër udhë të ngushta të botëkuptimit të cunguar sllovakomunist. Prandaj frymëmarrja e letërsisë i kishte gjokset e ngushta e përcaktuar vetëm si mbijetesë. Një fjalë e diktatorit përcakonte gjithçka e jeta ishte e varur në një qime kali, ku mbante shpatën e Demokleut, si kërcënim të  përhershëm ndaj të gjithëve.

Por partia kish nevojë për shkrimtarët, ajo duhet të mburrej me ta për zhvillime kolosale e harmonike në të gjitha fushat. Në këto udhë të ngushta të botëkuptimit komunist shqiptar, plot fenerë të kuq, stope e prapaktheu, dy të mëdhenjtë e letërsisë korrnin suksese e famë. Në këtë atmosferë ata ndërtuan relativitetin e tyre komod mbi të gjithë krijuesit e tjerë dhe ranë në dashuri me vetveten duke nguruar e penguar shumimin. Dhe më tej: Ferri komunist për ta nuk ishte aq ferr. Në këtë relativitet, koha nuk mund të përkrahte mendimet e guximshme të njeriut të vetmuar. Pikërisht kjo mungesë i bëri ata të shquar. Megjithëse nuk e kanë honepsur njëri-tjetrin, ata të dy si Virgjili e Danteja e njihnin ferrin dhe duke e inspektuar atë me liçencën shtetërore, e përjashtuan veten dhe ndëshkimin diktatorial. Ndaj thashë diku se estetika e veprave letrare do përcaktohej nga atdheu socialist, nga ajo pseudometodë krijuese, që do të mbërthente me gozhdë të florinjta edhe korifejtë e saj pamvarësisht nga çmimet e dekoratat që u jepte çdo vit.

Ndërsa të gjithë të tjerët që nga Fatos Arapi e më të poshtë, e kishin gjakun më të hollë e vetëm për një shkarje sado të vogël u vërsuleshin shigjetat vrastare nga zyrat e partisë e të letërsisë me kryetar Dritëro Agollin. Justifikimit të tij se “po të ishte ndonjë kryetar tjetër do dënoheshin më shumë”, unë i besoj, por kjo nuk e lehtëson aspak. E keqja që bën njeriu i mirë, veçanërisht poeti, është më e keqe se ajo që bën njeriu i keq. E keqja ka vetëm një emër, ajo është si gymyri dhe po s’të djeg, të nxin.

(I kërkoj të falur lexuesit që po kujtoj një shembull personal: Kur pashë firmën e Dritëro Agollit nën një letër 11 faqesh të daktilografuar me kujdes, drejtuar sh. Ramiz Alia, nuk u besova syve. Tamam si një aktakuzë prokurori, poeti që unë e dija përmendësh,njoftonte me shqetësim udhëheqjen e partisë për një plazhiaturë fabule nga një shkimtar revizionist. Ishte fjala për tregimin tim “Rruga për te njerëzit”, botuar në gazetën “Drita” 1978. Në autokritkën time nuk guxova të them që plazhiatura të tilla fabule ka me dhjetra Dritëro Agolli në poezi e në prozë, por thashë se nuk e kuptoj si gabim ideologjik… Më vonë kuptova se kisha të bëja me një kurth nga servilët e zakonshëm të Dritëro Agollit, që talentin e tyre e kompesonin me damzana rakie e mishra të therur. Kurrë nuk do harroj se më kish plagosur një poet. Nejse! Kish dhe më keq. Për mua, qoftë i falur!… Edhe kjo vigjilencë revolucionare nuk e shpëtoi dot rënien e miteve.)





IV



Famëmëdhenjtë ose diçka për nderin dhe lavdinë


Rruspa krijuese e dyshes, Kadare-Agoll, përfshiu shumë baltë e dhera. Ata të dy dhe veç e veç brodhën pas sasisë, pas tematikave, problematikave, gjëndjeve, historisë e miteve duke pretenduar kudo, në të gjitha gjinitë letrare, vulën e cilësisë, ose të pamundurën. Ata qëndrojnë të dy në krye të protokollit të vlerave artistike në 60 vjetët e fundit të kulturës shqiptare. I pari Kadareja e shumë pas tij, i dyti Agolli. Ka patur dhe ndonjë stinë të shkurtër kur në vitin 1975 dyshi donte t’i bënte gropën njëshit, në padijen e turpshme rreth fantazmës “pashallarët e kuq”, që të dilte vetë në krye e ta fundoste njëherë e mirë mikun e vet. Akuzat do t’i kish zili dhe prokurori i Republikës. “Ismail Kadareja ka goditur në ballë vijën dhe politikën e partisë në shumë drejtime, që për ne janë të shenjta…” Ka goditur Partinë në tri pika: a) në diktaturën e proletariatit, b) në unitetin parti-popull c) në moralin shoqërisë sonë… “ka paraqitur një shoqëri të sëmurë plot llahtarë dhe të kobshme” etj., etj., që vërtet janë neveritëse dhe, nëse në vend të Ismailit, do të ishte ndonjë tjetër, qoftë edhe me 1/10 e këtyre akuzave llogaritë do bëheshin në Spaç apo Burrel.

Kjo stinë agolliane zgjati shumë pak e motet folën e flasin për Kadarenë e për “miqësinë” e luftës së ftohtë midis tyre.

Dhe koha postkomuniste, pothuajse, ka atë protokoll. Pavarësisht nga mendimet ekstremiste, të majta e të djathta, pohuese dhe mohuese, ata vazhdojnë të mbajnë vendet e kreut pranë oxhakut.

Ata janë duumvirati,(dyshja e famshme) i një stine që shkoi dhe nuk e di sa do t’i takojnë të ardhmes.

Pavarësisht nga përmbysja e regjimit komunist ku lulëzuan, pavarësisht se ç’ka ndodhur në kulturën shqiptare në këto gjashtëdhjetë vjet, ata janë dy personalitetet më të zëshme të shoqërisë shqiptare. Nëpërmjet famës, ata kanë trokitur herët në dyert e lavdisë duke rrezikuar t’i mbyllin ato të së ardhmes.

Duumirati Kadare-Agoll, mjeshtërisht ka bredhur pas lavdisë duke rrezikuar largimin e saj. Lavdia e ngre lart individin që i meriton krahët e saj. Ajo nuk është – stinore, nuk u ngjan lulëzimeve të pemëve të pranverës por gjelbërimit të përhershëm. Nuk e di pse ajo përfytyrohej në ballë si një kurorë me gjemba. Të jesh i famshëm nuk do të thotë të jesh domosdo dhe i lavdishëm. Duumirati ynë u ngrit dhe mbi shpinë të të tjerëve (duke i errësuar ata), por edhe në rrethana të caktuara politiko-shoqërore.

Shumë poetë, tregimtarë, por dhe romancierë me talent po të kishin rrethanat e tyre si të Agollit dhe të Kadaresë, pylli i letërsisë shqipe nuk do kish vetëm dy pemë të larta. Fjala vjen, për mendimin tim, Fatos Arapi si poet, fort bukur mund të ishte njëshi i poezisë, e ta linte pas Agollin e më pas Kadarenë në poezi. Personalisht çdo vëllim të Arapit e kam përjetuar si festë të veçantë. Po kështu poezinë e Azem Shkrelit, Ali Podrimës, Xh. Spahiut….. Ndërsa sot, pa hezitim në Shqipëri e jashtë saj mund të numëroj disa poetë më cilësorë se ata të protokallit të trashëguar. Lindja e një talenti të ri në atë kohë, siç thotë J. Xoxe, është si lulja e sallatorit delikat, shkele që kur është në sythe që të hidhërohet në frut. Nga pozicioni i majës së pushteteve (politik e letrar) ishte fare lehtë ta fundosje ndonjë që rrezikonte emrin tënd. Talente kishte plot por të nëpërkëmbur e të destinuar të rriteshin si bimët nën hijen e gjetheve të arrës.

Ata të mëdhenjtë e protokallit, jo vetëm se ishin të talentuar, por u është dhënë mundësia të punojnë dhe në zyra dekoratash e çmimesh e vetvetes ose njëri-tjetrit, ditën t’ja bëjnë “hyzmetin” famës e lavdisë personale. Të jesh i lavdishëm nuk do të thotë të jesh dhe i ndershëm.

Nderi dhe lavdia vijnë në rrugë të ndryshme e mund të përqafohen një çast për t’i kthyer shpinën njëri-tjetrit. Siç thotë A. Shopenhaueri, nderi vlerësohet pa kundërshtime, ai kapet lehtë ndërsa lavdia duhet të fitohet. Nderi shumëzohet kur ndahet me të tjerë e të zbukuron karakterin, ndërsa lavdia nuk ndahet, po u nda zvogëlohet, prandaj lavdia jepet nga gjykata jo mirëdashëse. Nderi është cilësi e virtyt njerëzor që kushton kaq shumë e kaq pak se fitohet pa djersë. Lavdia kërkon sakrifica. Ajo duhet të përballojë edhe xhelozitë e cmirat e të tjerëve, por mbi të gjitha duhet të përballojë vetveten.

Të shquarit e letërsisë sonë 60-vjeçare, mund të mos ishin bërë të shquar po të mos vendoste për ta partia. Ata dolën në krye të piramidës letrare dhe mendonin se ishin ablsolutisht më të mirët, më të merituarit, më të talentuarit se kështu i trajtonte Enveri, Nexhmia, Ramizi, pra dhe populli. Ky pozicion ata i bëri edhe kryeneçë e sederqarë egoistë. Njërin me huqet e kulakut të fshatit, tjetrin si baron të ftohtë qyteti. Të dy në mes të Tiranës, pranë mbretit e pranë detit, atje ku endej politika dhe poezia. Do ishte mirë që të dy t’ia njihnin disa merita partisë e pushtetit që i bëri të famshëm; do ishte mirë që të jenë pak më mirënjohës për kritkët e tyre të paktë e më mosmirënjohës ndaj servilëve të panumërt.

“Një libër i mirë – thotë B. Brehti – pëlqehet nga 50% e kundërshtohet nga 50%” Ju të mëdhenjtë e letërsisë shqipe, pëlqeheshit nga 95% dhe u shqetësonte pesë përqindëshi. Kjo nuk është fatbardhësi. Juve u mungon oponenca. Ju jeni mësuar vetëm me vlerësime nga një suitë servilësh, disa prej të cilëve kanë bërë emër me emrin tuaj, dhe, me që e kemi patur famën me bollëk, ua kemi dhënë dhe atyre me kredi… Këto janë pazare të vogla e s’kanë të bëjnë me njerëzit e lavdishëm.

Midis dy të shquarve e dukshme ka qënë cmira. Mendimi i Agollit se Ismaili është njëri që e do veten, se kohët e fundit ai ka nxitur njerëz të shkruajnë kundër meje.., se Kadareja ka 1200 faqe për Enverin, unë s’kam për Enverin, se rrugën e tregimit modern e kam hapur unë, nuk e ka hapur as Ismaili, as të tjerët… Ismailit asnjë libër nuk i është ndaluar, Dh. Xhuvanit vetëm një, e se romani im “Arka e djallit”, është më i mirë se romanet e Kazanxaqit etj…” Këto mendime pra, veç të vërtetave të diskutueshme, shprehin një mllef të verbër të padenjë për një plak të urtë e poet kombëtar.

Unë mendoj se njerëzit e famshëm në fushën e letërsisë s’kanë nevojë të vetmbrohen; përkundrazi sa më të diskutueshëm të jenë sa më polemizues, aq më vitalë bëhen… Atë diçka e ka shqetësuar që u kanë dhënë shpirtin e vet e që njerëzit i detyron të mendojnë e të ndiejnë. Shqetësimi i disa kritikëve dhe krijuesve se po u rrëzuan ata (dy të mëdhenjtë), letërsia shqipe mbetet pa kurorë, është i padrejtë.

E para sepse letërsia e fuqishme nuk rrëzohet, e dyta sepse konceptimi i letërsisë me kurorë të palëvizshme pengon frymëmarrjen e gjerë të letërsisë. Veprën me nivele të larta cilësore nuk e rrëzojnë as rrufetë, ndaj autorët e tyre, më kot, vendosën rrufepritsat privatë.

“Letërsia është art që di të profetizojë kohën – thotë Borges – ajo di t’i vërsulet vetë virtytit të saj, të dalldiset pas zhbërjes së saj dhe të miklojë fundin e saj si një dashnore.” Vetë mbrojtja e tyre shpesh të lë një shije të keqe vlerësimi. D. Agolli tani nga 3600 faqe, d.m.th., nga 6 vëllime me nga 500 faqe (!) mund të hiqte siç thotë vetë, nja 150 faqe nga ana stilistikore e nja 50 faqe nga ana ideologjike…(!) Ismaili nuk e di se sa faqe mohon në mijëra faqe të tij… (ndoshta asnjë (!))

Unë do t’u thoshja : “Zoti Agolli, nga 3600 faqe, sikur të hiqje 3000, prapë do ishte poet i madh;” Zoti Ismail, sa më tepër të mohosh nga vepra jote, aq më tepër do jesh i vlefshëm për vete dhe kulturën shqiptare. E vepra nuk mohohet me faqe; ajo ose është vepër artistike ose s’është. S’është mollë dreqi ta hajë, që ta pastroj me thikë pjesën e krimbur e të ha atë që mbetet… Vepra asimilohet ashtu, siç është…. (me gjithë krimba).

Ju e dini shumë mirë se poezia (dhe proza) si produkte elitare shpirtërore vlerësohet nga cilësia. Kur kujtojmë Lermontovin na del përpara vetëm “Demoni”. Hajne u bë i famshëm vetëm me një libër lirikash, Alfred D’Myse vetëm me “Netët”, Eminesku me 60 vjersha, Aleksandër Bllok me dy poema “Vjollca e natës” dhe “Të dymbëdhjetat” etj., etj.: Lasgushi ynë mbeti në palcën e poezisë shqipe me pak vjersha. Të famshmet e tij për liqenin, Drinin, vjeshtën, kroi i fshatit…

Tek ai kish një thjeshtësi drithëruese se dashuronte dashuria, se ai vetëm me një tufë vjershash u bë valëz liqeni e shkumë ujërash… e dashuronte si djalë djalërie por dhe si plak pleqërie; e Lasgushi ynë nuk e krahasoi veten as me Emineskun që e kish si mësues, as me lirikët e mëdhenj gjermanë, që i kish në gjak, as me Bodlërin që e kish idhullin imitues të tij. Ai, madhështor dhe i famshëm sepse i thjeshtë udhëton shpirtit të shqiptarit sikur vozit në Drinin e trazuar; ai duke qënë një pikë uji u bë liqen e mbeti si një psherëtimë drithëruese, një “OH” e trishtueshme mbi Ohër, klithmë e përhershme e ujrave tona të ëmbla…

Nga dy të shquarit tanë, sinqerisht, e kam të vështirë të zgjedh njëzet më të mirat, si pasaportë poetike, pa afate skadimi për t’i vendosur në bibliotekën e ndritur të së ardhmes. Nderi dhe fama e tyre do të rritej nëse ata do të dialogonin publikisht për problemet e sotme të kulturës shqiptare në këto 60 vjet, pra dhe të veprës së tyre. Ata flasin për gjithçka, dhe mirë bëjnë por pothuajse aspak për letërsinë, veç kur i ngacmon ndonjë gazetar. Ata nuk dëshirojnë të prekin fronin e tyre dhe vazhdojnë të imponohen.

Mbyllja e “kullës së tyre”, monologu, e anullojnë ekzistencën e të tjerëve. Vetëm dialogu i ruan ndryshimet; një dialog i sinqertë në këtë prag katarsasi me domosdoshmërinë e mohimeve dhe rivlerësimeve, do t’i fisnikëronte vetë ata.

Në mos, ata, të shquarit e letërsisë, rrezikohen nga heshtja dhe harrimi. Letërsia nuk është element muzeal e statik; ajo s’mund të nderohet duke u shpallur “monument kulture” që mbrohet nga shteti? Jo vetëm vepra e tyre, por e të gjithëve pa përjashtim, edhe ajo para realizmit socialist, mendoj, se ka nevojë për vështrime të reja, për ide kontensuese e ballafaquese. Stacionet e arritura të vlerave s’mund të jenë të pandryshueshme e të përhershme, çdo arritje, kthehet në vlerë të qendrueshme nëse e gjen veten në kapërcyell të vlerave që priren për t’u kthyer në traditë klasike. Vetëm idetë kontenstuese të specialistëve, të vetë krijuesve së pari, duhet të turbullojnë e të kullojnë moçalishtet e kulturës sonë. Kushdo pas nesh nuk është i detyruar të hapi antologjinë e së ardhmes e të pranojë si vlerë një ish rrymë, një ish vepër a një ish autor, që konservatorizmi këmbëngul ta kthejë në pasqyrë… Në një pasqyrë të tillë me pluhur, askush nuk dëshiron të shikojë fytyrën e vet.

Do dëshiroja që poetët e shquar ta meritonin “Nderin e Kombit” në aspektin se ata kanë dhënë për të zbukuruar e lartësuar ballin e Kombit, por në letërsi ky nder nuk është gradë gjenerali që pllakos supet e tij, ajo mbetet e tillë nëse është e diskutueshme e lëvishme dhe e kritikueshme, jo e kundërta. Këto grada lavdie, aq më pak, nuk mund të jenë të përhershme e të trashëgueshme për inerci rrethanash jashtë letrare, sidomos ideologjike e të importuara.

Mua nuk më duket i drejtë konceptimi i letërsisë shqiptare si piramidë. Ky koncept kërkon që dikush të jetë në pikën e majës e të tjerët nën të. Ky koncept gurësh, që presupozon dhe shtypjen dhe peshën e gurit paravënës, shumë herë e ka patur të vështirë të gjejë majën. Kush është në krye? Ismaili, Fishta, Naimi, De Rada, Lasgushi, Migjeni, Camaj, F. Arapi ?? Nuk jam për barazi e rrafshim vlerash, por letërsia ndoshta është më mirë të përfytyrohet si pyll me pemë të larta, të mesme e të ulta, gjetherënëse ose jo. Një pyll me një apo dy pemë nuk quhet pyll dhe nën pemë me hije të rënda dhe shkurret janë anemike… Në konkurencën e natyrshme çdo pemë kërkon qiellin e vet e njëkohësisht është e përcaktuar relativisht me të tjerat. Çdo pemë ka bukurinë e vet e këtë ia jep edhe pyllit, njëkohësisht ajo është e kondicionuar të thahet dhe të shumëzohet, por dhe të zgjatet mbi të tjerat.

Letërsia si produkt shpirtëror nuk mund të na dehi tashmë me të shkuarën e veçanërisht me një të shkuar të urryer që ka mbajtur peng të ardhmen e vendit. Kurrsesi, madje dhe letërsia para socialiste, nuk duhet të kthehet si kult e si referencë e përhershme. Poetit dhe shkrimtarit, qofshin dhe të talentuar, që e kthejnë kokën pas, nuk mund t’u shmangen nostalgjive të një kohe të shkuar, veçanërisht të kuqes komuniste. E kuqja e realizmit socialist, me përfaqësuesit e saj më në zë, shumë krijues shqiptarë i la pa rini krijuese e sot, dhe 50-60 vjeçarët, që kanë diçka për të thënë quhen talente të reja (?!)

Të famshmit që ishin dhe janë nuk ndihen mirë pranë tyre, pse jo, dhe kundër letrarëve të burgjeve ata ndiejnë njëfarë neverie e cmirë primitive, sikur do humbasin çifligjet.

E kuqja e realizmit socialist, megjithëse nuk e ka nxehtësinë përvëluese të ish Lidhjes së dikurshme, është si një magmë akoma e pa ngrirë që përzhit realitetet e reja letrare estetike. Ajo plugon në arkivole kujtesash sepse ata nuk u varrosën. Sot në një diskutim libri, fjala vjen, ose në një përvjetor Naimi, në presidiumin e nderit vendosën të gjallë dhe të vdekur. “Të vdekurit” janë të fuqishëm. Ata djallësisht rezistojnë e egërsisht mbrohen, veçanërisht, kur janë emra të përveçëm. Të vdekurit nuk duan të vdesin. Më ka bërë të mendohem thënia e Sartrit për Bodlërin: “Ai i bë fre vetes, gjykon veten, bëhet dëshmitar dhe xhelat i vetvetes; ai (Bodlëri) është thika që i përsillet nëpër plagë e njëkohësisht dalta që e gdhend në mermer.” Kështu, Bodlëri, e fisi i poetëve i rritin dimensionet e veta edhe kur kërkojnë vetndëshkimin ekstrem. Edhe te vetvrasja (kujto Eseninin e Majakovskin) ata shihnin zotërimin përfundimtar të qënies së vet.

Nuk kërkojmë të vetvriten të shquarit tanë, nuk e duam atë trimëri të një dobësie të veçantë, por shoqëria demokratike e ka të domosdoshme gjyqësinë, ndërsa letërsia jonë sidomos VETEGJYKIMIN. Madhështia e majës ngrihet mbi faqe të thepisura dhe nga sipër çdo gur i vogël që bije, kërcet e zhurmon në këmbët e humnerës.

Kur dashuron vetveten nguron të shumëzohesh. Në letërsi, të dashurosh, do të thotë të humbasësh vetveten.

Lavdia vallzon në pista të akullta. Nderi ecën kudo, dhe zbathur dhe me këpucë lustrafine. Ai është i mirëpritur, paçka se kjo dreq demokracie shqiptare, duket se po ia merr shpirtin të ndershmit, ai nuk shuhet, nuk humbet e s’mund të spostohet gjatë nga mendja e zemra e njeriut në xhepe politikanësh e rrugaçësh të lumtur. Nderi është si floriri dhe kur mbulohet me baltë, nuk e humbet shkëlqimin. Mbi të gjitha ai është thelbi i figurës së poetit.

Fama dhe lavdia është pasojë jo qëllim. Tek Ismaili dhe sidomos te Dritëroi, pasi kishin kapur pushtetin letrar si të famshëm e të shquar, nga poshteti shtetëror u erdhi edhe lavdia, prandaj ajo ngjan tek ta si parazitë, si një dredhëz jeshile që përdridhet në trungun e lisit (pushtetit). Besoj se askush nuk e kundërshton faktin që lavdia e tyre është përbërë nga talenti vetiak plus dëshirën e partisë shtet për të bërë publike veprën e emrin e tyre. Nëse do mungonte njëra nga të dyja, ata nuk do të ishin ata që janë.

Fama është e lidhur edhe me komoditetin e jetës me paranë. Marina Cvetajeva shkruan: “Të shkruash për para është diçka e ulët, të shkruash për lavdi është heroizëm.” Paraja për krijuesin është e domosdoshme vetëm për ripërtëritjen e forcave krijuese, domosdo dhe jetike, por shpesh ajo të verbon sytë e qëllon që dhe autorët pranojnë të shiten si dekor i botuesit e i biznesit jo të ndershëm.

Asnjë poet i madh nuk e ka përdorur lirinë e krijimtarisë për lavdi. Kur kjo u duhej edhe të mëdhenjve, si Bajron apo Majakovski, sajonin edhe vulgaritete sensasionale. Në jetën private gjithçka është e lejueshme, (edhe vesi), në poezi asgjë nuk është e lejueshme dhe asnjëherë nuk mund të tolerohet botimi apo çmimet letrare për mëshirë e për emër.

Poeti është qënie speciale e krahasueshme vetëm me hyjnitë. Siç thotë Cvetajeva, “poeti, është ndryshe, ai s’është as Napoleoni, as Neroni, as Erostrati. Ata, për të glorifikuar emrin e vet e djegin tempullin, poeti për të glorifikuar tempullin, djeg vetveten.”

Sa më i lavdishëm të jesh, aq më i thjeshtë je. Është drithëruese p.sh. modestia e Markezit, prozatorit me famë botërore. Dhe le ta mbarojmë mendimin me Borgesin e verbuar. “Kam qënë Homeri së shpejti do të jem askushi; kam qënë Uliksi, së shpejti do të jem gjithkush… domethënë, do të jem i vdekur.”

Shpesh kritika dhe publicistika jonë, në vlerësimin e veprës së Ismailit dhe të Dritëroit, ngatërron lavdinë, aftësinë, talentin, famën, origjinalitetin me gjenialitetin. Këta emra të përdorur si mbiemra, janë përdorur rëndom për të dy. Pa u ndalur në secilin, mund të thuhet se janë të ndryshëm e të lidhur e shkallë-shkallë. P.sh. Aftësia është një sasi njohjeje e përftuar në mënyra të ndryshme. Është një forcë mbi ide të dhëna ose kombinim idesh që i bën të tuat. Ose origjinalitet do të thotë që ta shikosh objektin e artit ndryshe nga të tjerët, ose siç është ai në vetvete. Agolli p.sh.: e pa njeriun dhe shoqërinë  me sytë e partisë, ndërsa natyrën më tepër me sytë e tij. Në këtë të fundit është më origjinal. Përgjithësisht poetin e realizmit socialist e verbon zakoni, partishmëria, tradita, folklorizmi e rezulton dritëshkurtër. Ky sy e kjo mëndje e indokrinuar nuk mund të jetë kalibër dhe matës i së vërtetës, aq më pak nuk mund të futet në skutat e errëta të panumërta që ka njeriu e shoqëria. Natyrisht zotërimi i pasurive intelektuale është aftësi. Por as kjo, as kujtesa e lartë, as fantazia nuk janë gjenialitet, e cila është ajo forcë intelektuale që të çon tek një zbulim, tek një vepër origjinale e përsosur, që s’është arritur para teje e që e bën shëmbëlltyrë të një arritje universale në kulturën kombëtare e më tej. Nobelisti José Saramago tek “Esse për verbërinë” thotë: “Nuk mund ta gjesh dritën e lavdisë në një vend të mbështjellë nga errësira; për më tepër, kur je dhe ti përgjegjës për këtë mbështjellje të verbër që u ke garantuar njerëzve në sajë të mëritave të qeverisjes.”

Unë nuk mund t’i heq asgjë famës së Kadaresë e Agollit, jo vetëm sepse ajo është bërë tashmë popullore e kombëtare, por ata nuk duhet të kthehen në mite të padepërtueshme. Mund të ishte më e saktë të vlerësosheshin në relativitetin e tyre brënda dhe jashtë kulturës shqiptare. Shpesh bashkëkohësia 50-vjeçare i ka ngatërruar detyrat dhe funksionet e letërsisë me të qenit mjet, moral, propagandë ose “bombë e flamur” për rregullimin e botës.

Në këto radhë unë po u ndihmoj sadopak famës së tyre, sepse i konsideroj talente të fuqishme në krahasim me të tjerët, pra të diskutueshëm dhe të kundërshtueshëm.





V



Fatzinj-faqebardhë


Përgjithësisht është fatkeqësi për shkrimtarët që jetojnë nën diktatura. Por shkrimtarët duhet të gjykohen dhe vlerësohen si shkrimtarë. Si çdo njeri edhe shkritmarit i duhet të manovrojë e të dredhojë,shpesh dinakërisht, nëpër këmbët e shtetit për ekzistencë. Diktaturat priren që shkritmtarët t’i bëjë të vetët, madje më të shquarit i afron në kupolën e vet e i kthen në shërbëtorë të vet.

Shumë shkrimtarë të mëdhenj në botë si Gëte, Lorka, Markezi, Erza Paund, Ungareti, Marrineti etj., etj., kanë veshur edhe lëkura politiko-ideologjike, të bardha e të zeza, të kuqe dhe blu por bota mbarë i kujton si shkrimtarë të mëdhenj. Të mëdhenj sepse nuk u konformuan, sepse, pavarësisht nga tatuazhet simbolike që vendosnin në krah, nuk lëshuan pe në artin e tyre. Princat, mbretërit, diktatorët, politikanë bien, shkrimtarët mbeten.

Pjesa dërrmuese e shkrimtarëve dhe artistëve tanë veshën lëkurën partiake, dhe shumica pa veten në pasqyrë dhe vetja ju duk e bukur.

Për rastin e Ismailit dhe Dritëroit, problemi vjen e ndërlikohet sepse ata, shkëlqyen nën atë lëkurë; ata u rritën së bashku me diktaturën dhe u bënë të shquar; ata me dashje dhe pa dashje u konformuan dhe ishin të detyruar të paguanin taksën e të qenit në krye. Kjo taksë ishte shumë e rëndë. Ajo duhej t’i paguhej regjimit ose direkt diktatorit dhe, në ndryshim me çdo taksë, të rriste xhepin dhe të varfëronte artin. Problemi shtrohet thjeshtë: Ishte vepra e tyre kundër Realizmit socialist?, domethënë kundër regjimit komunist, apo s’ishte? Apo një çikë ashtu e një çikë kështu?

Kam vënë re se të dy të kreut dhe kritika letrare apo publicistika u rrëshqasin përgjigjeve të sakta dhe i shmangen të vërtetës. Nga njëra anë, pranohet që nuk qenë disidente nga ana tjetër s’lënë rast pa lëvduar e justifikuar veprën si kundër Realizmit socialist.

Psikologjia mediokre shqiptare, e mësuar të të pohojë ose të të mohojë plotësisht, anashkalon analizën, specifikën e artit dhe ka krijuar një status vlerësimi jo shkencor, duke i hapur udhë opinioneve ekstreme: Kjo  vepër ose duhet ngritur në pjedestal siç bën për Dritëro Agollin ose duhet hedhur në kosh sipas ekstremit tjetër, ndërsa Ismaili përjashton vetëm Ismailin që “i vetëm trim në luftë”, ishte kundër Realizmit socialist. (!)

Unë nuk pajtohem me mendimin se vlerësimin e asaj biblioteke kolosale të Realizmit Socialist, në mijëra tituj të të gjitha gjinive, t’ia lëmë kohës. Koha ecën edhe verbazi; është më e saktë t’ua lëmë specialistëve, atyre që e kanë bërë divorcin me slloganët komunistë dhe e shikojnë kulturën shqiptare si domosdoshmëri për pastrime e vlerësime të guximshme e shkencore. Dy të shquarit e letërsisë shqipe në këto 60 vjetët e fundit, ishin dhe fatlumë dhe fatzinj ose më saktë, fatzinj-faqebardhë.

Në krye të taborrit je gjithmonë i destinuar të shigjetohesh herë nga e majta e herë nga e djathta. Nuk shoh ndonjë të keqe të madhe këtu, por njëshi dhe dyshi, në një shtet diktatorial që inkurajon masën, masën e të vegjëlve dhe mediokrëve – për t’i kthyer të gjithë në emërues të përbashkët, janë të rrezikuar.

Prandaj them se ishin fatzinj, sepse u duhej të fironin shumë nga talenti i tyre i padiskutueshëm, sepse “si më të pasur” duhet të paguanin taksën më të rëndë. Prirja mediokre i thirri t’i bënte të vetët, ajo përfaqësohet nga shumica e krijuesve dhe si e tillë dëshiron të ta uli bërrucin nga supet, të të tërheqë nga e zakoshmja nga e përgjithëshmjamja, dhe, duke patur si busull mediokritetin zyrtar shtetëror në njëqind e një hallka, vjen e përbën një presion agresiv ndaj emrave të përveçëm. Në këtë presion unë nuk shoh vetëm diskutimet mediokre e vlerësimet kritike të veprës letrare, por edhe lëvdatat e mediokre nga një tufë servilësh që nuk mungon kurrë. Fatkeqësisht për një kohë, mediokriteti, duke qënë masiv dhe zyrtar, është i fuqishëm, krijon opinionin për amplifikimin e vetvetes, por nuk shkruhet dot në ndërgjegjen kombëtare.

Ndaj them se talentet e fuqishme janë fatzinj. Dhe ata ishin peshq të rrezikuar. Të gjithë e kishim ngrënë karremin. Hapësirat e lirisë krijuese mateshin me gjatësinë e filispanjës. Të gjithë notonin bukur me grepin e mbërthyer në nofull. Çdo përpëlitje për të këputur fillin të shqyente nofullën… Por peshkatari ishte “shpirtmirë”. Ai mund të mos të të tërheqi në breg që të zbardhësh barkun. Ai ndiente kënaqësinë e peshkut të kapur dhe të linte të notoje “të lirë” pa e tërhequr fillin.

Kështu letërsia e RS edhe tek talentet e mëdha ishte e destinuar të përshtatej, të shpëlahej; ajo është e goditur në nofull, ajo u definua nga shqyerja e vlerave të mirëfillta estetike dhe, me presione diktati nga të gjitha anët, u kthye në një prapagandë të bukur e të stërholluar dhe ashtu, kapur nofullash, nuk mund të sillte përfytyrimet e botës ndijore të njeriut shqiptar, ajo nuk mundi ta trajtonte ëndërrën; e shumta, vendosi raporte ideoestetike midis fakteve dhe ngjarjeve të politizuara, të zgjedhura me tendenca për përleshje forcash, në llogjikën e barrikadave për të triumfuar me çdo kusht heroi  pozitiv – ose njeriu ynë i ri.

Të kuptohemi: shkrimtari nuk ishte instruktor partie, as punonjës kulture që mbledh fshatin në mbledhje, as gazetar. Ai disponon armën e veçantë, imagjinatën krijuese; ai transformon e shfiguron njerëz e ngjarje; e pra, syri i tij sheh e seleksionon ndryshe, por, theksoj atë nuk e linte metoda e diktaturës të hante bar pa shkop. Atij i duhej të ishte një kalë besnik dhe i urtë si kalë. Mungesa e besnikërisë ndaj regjimit, do të ishte besnikëri ndaj vetvetes, talentit artit të vërtetë pa grepa, pa fille, pa livadhe të përcaktuara kullotash, gjë, që ishte e pamundur.

Dy të shquarit midis krijuesve, Ismaili dhe Dritëroi, të dy në krye të protokollit zyrtar e kishin ngrënë karremin e të dy u rritën e u shquan në atë stinë. Ndonjë tentim për të këputur fillin (“Përbindëshi”, “Pashallarët” apo “Zhurma e erërave të dikurshme”), menjëherë u jepte dhimbje në nofull. Një kolpo, një tërheqje të bënte peshkatari dhe ata bëheshin esëll e vazhdimisht duhet të paguanin taksën, e vazhdimisht u duhej të notonin në pellgun e vetvetes së kapur nofullash. Si taksa pagues të rregullt vlerash ata shkruanin e botonin në të gjitha gjinitë vit për vit, sepse ndëshkimi vinte edhe nëse heshtnin e kështu Partia i kish në ballë dhe krenohej me ta.

Të dy bilbilat e stinës së ftohtë, njëkohësisht duhet të mos ta ndienin ashpërsinë e dimrit. Privilegjet si shkrimtarë ndaheshin midis tyre. Lehtësia e botimit, tirazhi, honoraret, lejet krijuese, profesioni i lirë, antologjitë, përkthimet e paguara nga shteti, kampet e pushimit, plazhet, udhëtimet jashtë shtetit, çmimet, titujt e dekoratat, të gjitha ishin të tyre. Ç’mbetej nga luani ndaheshin tek të tjerët. E kështu nga fatzinj të asaj kohe ata u kthyen në faqebardhë e, pa dyshim, me ndihmën e shtetit diktatorial u bënë më të shquarit.

Të dy i kishin provuar frutat e së mirës dhe së keqes në kopshtin e Edenit; të dy Adamët e zgjedhur, njëkohësisht martirë dhe mëkatarë, ia kishin shitur trupin djallin ndaj nuk u takon virgjëria.

Duke pirë sisët e partisë-shtet, ata mbetën dhe të moshuar, qëngja pirës.

Duke e njohur mirë rregulloren e peshkimit, ata të dy e kishin më të gjatë filispanjën dhe ktheheshin me dëshirë pranë bregut, pa dashur të provojnë dhimbjen në nofull, sepse u duhej të ishin edhe peshq për të kapur peshq të tjerë më të vegjël.

Agolli poet i talentuar i sipërfaqeve të cekta, tradicional dhe i dashur për masën dhe Partinë, u sajua si poet kombëtar duke i patur vetë vulat e Partisë, të shtetit dhe të letërsisë.

Kadareja, shkrimtar i talentuar, padyshim më i miri, me ndihmën e shtetit, u bë më i famshmi dhe më i shquari brenda dhe jashtë vendit.

Kënga e tyre, e zbrazët nga kuptimi dhe njëkohësisht plot kuptim ishte miell frengu për ushqimin e popullit aq të uritur. Pra, të dy të mëdhenjtë e asaj kohe, që iku, ishin të penguar dramatikisht në artin e tyre. Pengesa ishte thelbësore, por, ajo, pengesa, jo vetëm që nuk u kthye në asfikësim për ta, në një ikje spektakulare ose në ndonjë vdekje vetvrasëse me dimensione të mëdha të disidencës, por i bëri të famshëm. Kjo kontradiktë e dukshme s’është spjeguar. Ata nuk ishin të zotë të bëheshin simbole të mëdha, ata mbeten qënie të kënaqura:

“Përpara pasqyrës së një gruaje” e Ismailit p.sh nëse do të shkruhej në ato vite do ishte një shembull i shkëlqyer kundër qënieve frikacake; paçka se putana Margaritë s’ishte poete; sidoqoftë, ajo është më e ndershme në mëkatin e saj se sa turma e shkrimtarëve që endeshin kantiereve e fshatrave (orizoreve si në Kinë) për t’u vetedukuar e duartrokisnin për partinë.

Fatzinj se të penguar, fatbardhë se të shquar, të dy i bënë “hyzmet” famës së tyre; fatzinj se të përcaktuar midis vetvetes dhe shtetit, në dëm të vetvetes krijuese, fatbardhë se të famshëm që dhe kur ra rregjimi ata mbijetojnë në famën inerciale të një stine që shkoi.

Sot është koha e vërtetë e shkrimeve. E pohimeve dhe e mohimeve të mëdha. Sot është koha e guximit për të zbritur e për t’u ngjitur plotësisht te vetvetja krijuese. Letërsia shqipe, pavarësisht se po jep prova serioze në poezi e në prozë, akoma nuk mund të them se është çliruar nga rëndesat e baltës nostalgjike të realizmit socialist. Ka ardhur koha që emrat e përveçëm të letërsisë të mos t’i caktojë shteti me ish komisionet e qëmotshme, protokollore por cilësia, arti i vërtetë i vlerësuar nga një elitë e pavarur profesionistësh.

Rivlerësimet janë të domosdoshme për të gjithë produktin letrar të trashëguar, para e gjatë realizmit socialist, pa përjashtuar askënd.

Kultura shqiptare, zhytur nëpër moçalishte e në metoda antiartisike, ka nevojë për drenazhime të thella, përndryshe, nostalgjikët nuk do na ndahen kurrë, përndryshe ata kanë të drejtë të lëvdojnë këngën e atij moçali e të thonë sa të vdesin fizikisht, se ishim më mirë atëherë, kur ishim më keq.







V
Vertebër plastike


Në të gjithë Lindjen komuniste u zbatua modeli rus. Stalini kërkoi kudo shëmbëlltyrën e vet dhe e gjeti nëpër të gjitha shtetet e përandorisë së kuqe, duke ruajtur fytyrën e vet të shumfishuar në kopjativë që ndryshonin vetëm nga emri dhe mustaqet.

Edhe Realizmi Socialist shqiptar erdhi i gatshëm prej andej dhe do të zbatohej tek ne me një rreptësi të pashoqe, përgjithësisht i mbështetur edhe me enthusiazmin e inteligjencës krijuese, pra dhe me hir dhe me pahir.

Rusia kish një traditë të madh dhe me emrat e Tolstoit, Gogolit, Çehovit, Turgenjevit, Pushkinit, Dostojevskit etj., gëzonte famë botërore. Këtë aristokraci hijerëndë (pa Dostojevskin) Stalini dhe pushteti bolshevik nuk mundi ta mohonte dot.

Pas tyre një kompani e tërë krijuesish që në fillim të shek. XX deri në vitet ’30, gjithashtu do t’i jepte letërsisë ruso-evropiane emra të mëdhenj si Majakovski, Blloku, Esenini, Pastërnaku, Ahmatova, Mandelshtami, Çvetajeva etj., që kishin eksperimentuar me sukses rryma e rrymëza krijuese origjinale, por edhe imitime krijuese nga letërisa perëndimore.

Ky brez e pasuroi letërsinë me sisteme të reja figuracioni, me gjuhë të ndezur poetike, me ritme të reja e sintaksë poetike të panjohur dhe të gjithë së bashku do t’i jepnin letërsisë ruse atë që është quajtur “shekulli i argjentë”.

Me të ardhur në fuqi pushteti bolshevik i Lenin-Stalinit, si në të gjitha fushat, edhe arti dhe letërsia do të niste nga e para (!) do të krijonte një ndërprerje drastike, me aristokracinë “e florinjtë” dhe “të argjentën” që kish mahnitur Evropën më se njëqind vjet më parë dhe do krijonte letërsinë e shekullit të teneqejtë, me tam-tamët e kuqe, në një shtërpëri të paparë shkretinore.

Kështu lindi metoda e re krijuese, e ashtuquajtur nga estetët e kuq të tipit të zhdanovit e të Gorkit, “Metoda e Realizmit Socialist” që në fakt, rezultoi në të gjithë Lindjen e kuqe si metodë antiartistike, madje antirealiste e antisocialiste.

Kjo metodë së pari u pompua si metoda më produktive revolucionare, dhe si çdo revolucion nisi me mohim dhe me dhunë. U mohua “shekulli i argjentë” dhe përfaqësuesit e shquar të poezisë së madhe ruse, do të vriteshin, internoheshin, burgoseshin ose do të vrisnin veten. Ja fundi i disave:

U ndalua dhe u linçua poetja A. Ahmatova, lirikja më e brishtë e poezisë ruse. Më 1921 i pushkatuan të shoqin, Guminovin, edhe ky poet i shquar së bashku me të birin u zhduk me plumb; më 1920 u arratis dhe vdiq në mërgim Balmont, poet simbolist; vdiq i internuar e i izoluar në dëshpërim të plotë A. Bllok, poeti i talentuar që me poemën “Të dymbëdhjetët” i kish kënduar Revolucionit të Tetorit; arratiset M. Cvetajeva më 1922, kthehet përsëri e dy vjet më vonë, në mjerim dhe zhgënjim të thellë, vari veten; më 1925 var veten në një hotel, liriku më i madh i shek XX, Sergej Esenini (Të dhënat e fundit flasin se e zhduku KGB-ja); pesë vjet më vonë, më 1930, vrau veten poeti më i fuqishëm ruso-sovjetik, Vladimir Majakovski; më 1935, autori i “Doktor Zhivogos” Pasternaku? nderohet me çmimin “Nobel” dhe nuk mundi dot ta merrte se ndalohet nga pushteti sovjetik…

Kalvari kundër shkrimtarëve nuk do të ndalonte këtu. Ky qe vetëm fillimi. Shpejt do t’u vinte radha poetëve dhe shkrimtarëve të realizmit socialist që, me metoda fashiste, do të zhdukeshin nga skena letrare dhe jeta qindra e qindra. Vetëm nga viti 1930 deri 1953, kur vdiq diktatori, u burgosën, u internuan 1500 poetë e shkritmarë, 500 prej të cilëve nuk u dihet varri. Midis tyre edhe shumë të njohur brenda dhe jashtë Rusisë si Pastërnaku, Isak Bobeli, Sollxheicini, Ilia Erembugu etj. etj., shumica edhe për motive jashtë letrare. Ata që mbeten gjallë u bënë puthadorës të regjimit, madje, dhe më të talentuarit do pranonin devizën e turpshme të Jevtushenkos se : “Kontrolli i ndërgjegjes është më i rëndësishëm se ai i trupit”. Ndonjë tjetër si M. Shollohov, i ngritur nëpër ingranazhet e shtetit, me talentin e tij,do t’u nxirrte ujë të zi bjellogardistëve dhe armiqve të revolucionit e të kolektivizimit e do të fitonte imunitetin e mos goditjes e njëkohësisht do realizonte një prozë të madhe tërë ankth e me karaktere të fuqishme bardhë e zi.

Kjo tablo do të ishte e njëjtë nëpër të gjithë Lindjen komuniste dhe pikëpërpikë e me egërsi të pashoqe,do të zbatohej edhe tek ne, sepse më i egër na kish qëlluar Stalini ynë. Natyrisht, ne si vend i vogël dhe i prapambetur, nuk kishim traditën ruse në letërsi dhe arte. Gjuha e shkruar shqipe ishte e re e shkrimtarët i kishim të paktë. Kjo e bën edhe më absurd goditjen kundër shkrimtarëve dhe inteligjencës shqiptare në një vend ku rreth 90% e popullsisë 1.5 milionëshe ishte analfabete.

Sipas modelit rus, shpejt e shpejt u mohuan dhe etiketuan si armiq Fishta, Koliqi, Konica, Pashko, Poradeci, Malëshova; Me pikësynime djallëzore do të lidhej tradita e letërsisë së Rilindjes me realizmin socialist, që i bashkonte filli patriotik, gjoja kombëtar e baza folklorike; do të hidhej një ganxhë te Migjeni i viteve 30 si realist dhe antifetar e nëpër vite do të çensuroheshin edhe të vdekurit e vjetër De Rada, Dara, Naimi, Çajupi për kufizime ideore e fetare.

Kështu metoda e re lindi si mohim dhe në vitet 50-60, bërthama e vogël e poetëve partizanë e këngëtarë të tipit Shuteriq, Shefqet, Kolë, Fatmir, Siliq etj. do të shtohej me dhjetra të tjerë nga inkubatori i kuq; do të spikatnin Kadareja e Agolli e pas të tretit (Fatos Arapit) do rreshtoheshin të gjithë të tjerët që i përkisnin komunizmit.

Pikëpërpikë si në Rusi do të zbatohej edhe kalvari i goditjeve kundër shkrimtarëve të RS dhe ne do të kishim poetë para plumbit, poetë nëpër burgje e kampe përqendrimi. Kështu u godit inteligjenca e shquar shqiptare, ajo e vjetra që kish mbaruar universitetet e Evropës, do zhdukej pa mëshirë, dhe e reja, që po lindte me lopatë, do të ishte nën kontroll të plotë dhe do mbahej gjuhëprerë; do rrafshoheshin vlerat dhe talente të lindura do shpërbëheshin e do këndonin vetëm në vrimën e fyellit që donte partia.

Në këtë këndvështrim unë jam kundër mendimit të estetit e kritikut të shquar Ali Aliu që thotë se në vitet 50-60 lindi brezi i artë i letërsisë shqipe. Jo, profesor!, i them – po të qe i artë, nuk do ndryshkej për 10 vjet… Ai brez, vërtet i talentuar, nuk e ka të drejtën e trashëgimnisë veçanërisht në ar.





*     *    *

Në këtë dukuri të njohur natyrshëm lindin disa pyetje ku secili mund të ketë përgjigjet e veta.

1. A ishte letërsia e RS vazhduese e traditës me të mirë krijuese?

Përgjigjem: Përderisa ajo lindi si mohim, afirmoi fillimet e veta me pak shkritmare e shumë pak vepra. Fillimi u plotësua edhe me hartime të dëshmorëve Q. Stafa, Gjik Kuqali, Themo Vasi etj., vazhdoi me këngët partizane, marshet e brigadave, këngë kushtuar heroizmave, “u pasurua”me përshëndetjet e udhëheqësit e luftës nëpër thirrje e trakte, kujtime ditore, etj. Pra bëhet fjalë për fillimin. Realizmi socialist filloi nga zeroja.

2. A do të përbëjë produkti letrar 50 vjeçar (qindra libra, romane, tregime, poezi, drama) një hallkë të natyrshme si traditë dhe risi imitimi për letërsinë e pas viteve ’90?

Përgjigjem: Ky libër tenton t’i përgjigjet kësaj pyetje.

Mendoj se është problem mjaft kompleks dhe çdo përgjigje s’mund të marrë përsipër barrën e të gjithë të vërtetës. Unë u futa në këtë valle dhe duhet ta heq ashtu si di.

Mendimi i shprehur se këtë përgjigje do ta japi koha dhe lexuesi i ri, është më i lehti, më oportuni dhe s’bën gjë tjetër, veç shton pluhurin në këtë bibliotekë kolosale. Mohimi kategorik është gjithashtu i gabuar dhe si çdo mohim, jo vetëm që e mbyll analizën dhe debatin, por presupozon një fillim të ri, që për mendimin tim në letërsi dhe kulturë, kurrë nuk mund të fillojë nga zerua. Letërsia e re dhe kritika do të afirmohet me prurje cilësore edhe udhëkryqeve të debateve dhe analizave gjithashtu cilësore. Është tjetër gjë nëse nostalgjikët e batalionit të D. Agollit do këmbëngulin që këtë letërsi të na i paraqitin si periudhën e lulëzimit të letërsisë shqipe. Mendimi i shprehur nga I. Kadare se… megjithë këtë pas mureve të realizmit socialist zhvillohej një letërsi e kategorisë së parë, është plotësisht i diskutueshëm. (Me siguri Ismaili ka parasysh Ismailin se diku gjetkë pranon që ishte i vetmi shkrimtar cilësor) Ndërsa mendimi i të djathtëve se kësaj letërsie i duhet vënë kryq e të harrohet një herë e mirë, - mohon një përvojë kolosale të dhjetra kryesve, të qindra veprave në poezi e në prozë, në teatër e në kinematografi, në pikturë, skulpturë, muzikë që, pavarësisht nga kufizimet ideologjike, ekzistojnë edhe si dëshmi artistike të mirëfillta, dhe si dëshmi e persekucionit të fjalës së lirë, gjithashtu edhe si letërsi dhe art që tregon se si nuk është letërsi dhe art i vërtetë. Mohimi kategorik gjithashtu do të rrëzohej edhe për faktin tjetër të padiskutueshëm: shumica e veprave të botuara pas viteve 90 (nuk po flas për amatorë dhe bejtexhijtë) janë vepra të botuara nga po ata që ishin. Kjo është e natyrshme dhe normale. Disa prej tyre, madje, kanë arritje cilësore në poezi, tregime, më pak në romane dhe dramaturgji. Dhe është gjë e mirë që po bien mitet.

Letërsinë e dobët nuk e shpëton nga harresa as përkujdesi prindëror i disave, që duke i favorizuar edhe xhepi, kanë filluar ta ribotojnë veprën e tyre dhe, veshur me fustan të ri, e shesin udhëve të Tiranës apo Athinës, duke mos kuptuar se tani njerëzit nuk influencohen vetëm nga emri, reklamat e shpëlara, dhe pazari i botuesve që s’ka të bëjë me vlerat artistike.

Letërsia e re pas vitet ‘90 ka filluar që të bëjë një trysni të fuqishme mbi letërsi e RS, që jo për moshën, ndihet e vjetër dhe e harrur. Lexuesi cilësor, pothuaj e ka braktisur atë edhe nga dyndja e letërsisë së zgjedhur botërore, dikur e ndaluar. Ballafaqimi me këtë letërsi, që na vjen nga të gjitha kontinentet, zhvleftëson letërsinë tonë të penguar e të kufizuar nëpër kallupet partiake. Megjithëse ka dhjetra vjet  letërsia perëndimore, fatkeqësisht, tek ne asimilohet si zbulim i natyrshëm, influencon pozitivisht edhe për krijuesit sadoqë me shumë vonesë.

Letërsia e re po jep prova vlerash në prozë dhe në poezi, me emra të njohur, por sidomos me të rinj. Të vjen keq, që botimet e shumta pa kërkesa të njëmendta artistike nga botues matrapazë, mungesa e kritikës, indiferentizmi i vetë krijuesve ose pamundësia e reklamës, bashkon në një treg edhe bykun edhe grurin. Lexuesi e ka të vështirë të gjejë atë që duhet dhe shkon pranë librarive indiferent, madje dhe me përçmim se tani në çdo lagje ka pesë poetë e çdo krahinë ka Lidhjen e vet të shkrimtarëve, të paktën sa i gjithë rrethi më parë…

Le të shpresojmë se ky mish-mash në botime dhe në tregun e librit, madje dhe në panairet e organizuara e të fryra me pompë, është çështje kohe. Rëndësi ka krijimtaria cilësore. Vetëm kjo do ta plotësojë dhe zëvëndësojë natyrshëm vertebren plastike. Natyrshëm prurjet e reja do të lidhen me damarët e vjetër të letërsisë parasocialiste dhe së bashku me atë ç’ka më të mirën letërsia e realizmit, sidomos në përvojën e teknikave, sistemin e figuracionit, sintaksën poetike, pasurinë e gjuhës shqipe etj., etj., do të krijojë atë bashkim të privuar vërtebrin pa dhimbje të mëdha frakturash.

Në ballafaqimin e vlerave dhe antivlerave, është prezent edhe presioni i nostalgjikëve të RS, për të mbrojtur me çdo kusht veprën e tyre (Fatkeqësisht kjo edhe ne më të shquarit që nga kreu i listës deri në fund), është prezent edhe amatorizmi dhe mania për të qënë origjinal e për të imituar jo në mënyrë krijuese letërsinë perëndimore.

Për t’ju përgjigjur pyetjes që shtrova në fillim po e tjerr mendimin tim edhe në kapitujt vijues. Në vlerësimin e fjalës së shkruar shpesh fjala është e pafuqishme të shërbejë si balancë drejtësie.





VI

Kritika letrare


Kritika letrare për letërsinë e Rilindjes ishte krejtësisht afirmuese. Si dhe vepra letrare (kryesisht poezia), kishte specifikën që synonte, jo vetëm iluminizmin e shoqërisë shqiptare, por shkëputjen nga Turqia, krijimin e shtetit shqiptar. E tillë ajo i mëshonte afirmimit të traditave heroike të lashta dhe të reja, bëmave të Skënderbeut, motin e madh, gjithmonë ballafaquese me armikun pushtues. Kritika si e tillë për atë letërsi, kryesisht shkruhej nga shkrimtarët e prandaj ishte dhe cilësore, e prandaj influenconte me profesionalizëm në zbërthim të veprave. Misioni i saj ishte roli i veprave ndaj atdheut, jo vetëm si edukim estetik, por mbi të gjitha për patriotizëm, për atdheun, çlirimin, gjuhën ,shkollën.

Kritika letrare e realizmit socialist, erdh e u përqendrua në një dorë njerëzish (edhe jo shkrimtarë) dhe ishte totalisht një gardiane e specializuar në dorë të partisë për të mbrojtur rreptësisht letërsinë e realizmit socialist, për të goditur çdo shmangie, sado të vogël nga parimet e metodës dhe filozofisë marksiste-leniniste.

Në Evropë kritika e re letrare lidhet me emra të mëdhenj shktimtarësh si Didro, Bodler, Prusti, Sartri etj. dhe letërsia e fuqishme është shoqëruar me mendimin e poetëve për poetët, andaj dhe kopetente.

Në Rusi ajo njohu gjithashtu emra të mëdhenj që nga Plehanovi, Çernishevski deri te Bjelinski dhe erdh e degjeneroi gradualisht, në plotësisht partiake, me Zhdanovin, Gorkin, Fadajevin e kompani.

Këta të fundit u morën model imitimi edhe nga kritika jonë dhe diktatura komuniste krijoi një dorë kritikësh të aftë si A. Uçi, D. Shapllo, A. Kallulli, R.Brahimi, J.Bulo etj., etj., që, megjithëse nuk ishin shkrimtarë të mriëfilltë, kontribuan në analiza veprash me kopetencë. Fatkeqësisht ata nuk mund të shmangeshin nga kërkesat e metodës dhe, me dashje apo pa dashje, u kthyen edhe në çensorë.

Dhjetra të tillë drejtonin në vite shtypin letrar, redaksitë e shtëpisë botuese, Lidhjen e shkritmarëve, Këshillat artistike, sektorët e kulturës nëpër zyrat e partisë-shtet deri në më të zgjedhurit të tipit “Kondo” pranë udhëheqjes së partisë.

Të gjithë së bashku përbënin një zinxhir hallkash e filtrash, që vigjilonin për pastërtinë ideologjike të krijimtarisë letrare deri në qeliza, e midis tyre gjeje edhe spiunë ordinerë që e shpinin gojën jo kopetente në veshë kopetentë. Është thënë se kritika është krijimtari e veçantë dhe se i ndriçon udhën lexuesit. Ndoshta! Sidoqoftë nocioni i kritikës ndryshon nga ai i krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Edhe kritiku më i zoti, nuk mund të përjetojë temperaturat e poetit e të shkrimtarit, nuk mund të skriptojë atë ankth, atë emocion ethesh, atë dhimbje shpirti, atë entusiazëm e magji, që provon krijuesi deri në mohim të vetvetes, ai s’mund të zbresë në humbellat e krijuesit për të gjetur trishtimin, dhimbjen, dashurinë dhe urrejtjen as në ato shkëndijime të veçanta që ngjizin formën e veprës letrare. Paninia e gatshme, e pjekur keq ose mirë, nuk e ka temperaturën e furrës, as cilësinë e lëndës së parë. Edhe kritika më e specializuar e ka të pamundur mosrënien në subjektivizëm dhe, jo rrallë, qëllon jashtë tabele. Ajo e ka më të lehtë të flasë jashtë kapakëve të veprës letrare, për autorin, parimet ku është mbështetur, shijet e masës, traditën etj., etj., që, ndoshta autori nuk i ka patur fare parasysh.

Kritika e letërsisë socrealiste ishte plotësisht partiake, plotësisht afirmuese dhe plotësisht servile. Nuk di ndonjë kritik që të ketë afirmuar e vlerësuar veprat e quajtura të gabuara, ato të “brumatriçes” që ktheheshin pas. Dhe nëse kish ndonjë kokëkrisur, kur “gabimet” e veprës bëheshin publike dhe zyrtare nga partia, të nesërmen, ky kokëkrisur bëhej “kokëbutë”, mohonte veprën dhe vetveten, bashkohej me turmën zyrtare në kor tashmë i frikësuar dhe i etiketuar se… dikur, diku paska folur e shkruar ndryshe! Pa le kur fliste shefi i madh si në rastin e “Njollave të murrme”!… apo, si në rastin e “Dimrit të madh”, që kritikëve të shquar e të pashquar u duhej të ndërronin shënjestrat plotësisht, që nga qendra deri në një fshat të humbur, që nga akademiku deri te studenti apo ushtari. Pa le kur mblidheshin Pleniumet e KQ për letërsinë që duhet të dridheshin të gjithë shkrimtarët si para gijotinës!!

Nga ana tjetër këta kritikë ishin hijerëndë. Të pamëshirshëm, ndaj vlerave letrare, kur nuhatnin si qentë e gjahut ndonjë shkarje ideologjike, ose se ndonjë “X” zyrave të larta të partisë, nuk e kish pëlqyer veprën. Asnjëherë nuk ka qenë e pavarur kritika letrare. Asnjëherë nuk guxoi ta krahasonte letërsinë shqipe me letërsinë e madhe evropiane për t’i hapur udhë të reja vetvetes dhe letërsisë, përkundrazi, çdo krahasim me të, me të ashtuquajtura izma, ishte  vrastare për veprën dhe autorin. E vetmja busull ishte estetika M-L e Zhdanovit, plenumet e partisë dhe fjala e shokut Enver.

Kur goditej ndonjëri, në shumicën e rastit nga Fatos Arapi e poshtë, (nga numëri tre e poshtë) askush nuk pipëtinte të mbronte të drjetën universale të letërsisë e të shkrimtarit që të ishte i lirë, të shprehej e të realizohej lirshëm, për të kryer misionin e vet si shprehja më elementare e ndërgjegjes artistike të çdo kohe. Kjo kritikë shponte, mashtronte e lëvdonte me gjithë pafajësinë dhe paaftësinë e saj. Ajo e bënte ajrin të rëndë për poetët e vërtetë qoftë edhe për një metaforë të bukur, për një gjetje apo një simbol të guximshëm; ajo përgjonte dhe spiunonte frymëmarrjen e poetit dhe në vend të stilografit rekomandonte gërshërën që, shpesh nuk priste letër e lesh por gjuhën e poetit. Kritikët majmeshin e u ngriheshin supet kur hapnin gropa, e kapardiseshin kur në grep të tij binte ndonjë bretkocë, që kish guxuar të këndonte ndryshe në moçalin socialist.

Kritika letrare e RS ishte kritikë servile, steriotipe, kritikë e klisheve, skenave e zgjidhjeve të gëzueshme e me fitoren e personazhit pozitiv dhe zgjidhjeve të kontradiktave sipas ideologjisë së partisë. E mbushur me sllogane, përsëritje, citime nga klasikët apo nga Enveri, ajo krijoi një çoroditje të plotë në letërsi, arte, drama, pikturë, muzikë dhe i ngurtësoi këto vetëm brenda mureve të realizmit socialist.

Karakteristika kryesore e Kritikës letrare ishte lëvdatomania, vlerësimet superlative të kryeveprave të RS, veçanërisht për kryesorët, Ismailin dhe Dritëronë. Epitetomania e paargumentuar, “i madh, i shquar, i shkëlqyer, hyjnor, gjenial”, etj., etj., ishte pjesë përbërëse e analizave bajate e të shpëlara, duke u dredhur e spërdredhur me servilizëm ndaj autorëve më në zë që i kish qejf partia, por edhe ndaj të tjerëve që punonin nëpër redaksi botuese, gazeta, revista letrare, zyra partiake, a institute akademike.

Nuk mbaj mend që ndonjë autor kaq i shquar nga kritika t’i ketë kthyer pas trëndafilat shumë ngjyrëshe të saj. Letërsia e fuqishme s’ka nevojë për paterica, qofshin këto dhe të florinjta. Letërsia e fuqishme është e tillë sepse edhe e disktueshme, sepse dhe e kritikueshme, sepse duke qënë një novacion ideo-estetik, njëherazi shoqërohet dhe me reaksionin përkatës të shoqërisë, e cila është e prirur të mos ta vlerësojë, të mos ta kuptojë. Vjen një kohë, pavarësisht nga trysnia e opinionit, që lëvdatat mbarojnë e ato kthehen në brez me gjëmba në trupin e autorit, dhe që shpojnë edhe pasi i heq, sepse gjëmbat e lavdisë ngulen thellë në trup dhe nuk dhëmbin kur futen, por kur nxirren.

Duhet ta pranojmë që kurorat e lavdisë janë thurur për pushtetarët e letërsisë edhe për vepra të dobta, që falë emrit e famës e kritikës, kanë zënë vend në të gjitha veprat e zgjedhura, në tekste dhe në antologjira, autorë të së cilave ishin njëkohësisht edhe pjesëmarrësit më të mëdhenj. Nuk di nëse jehona pozitive e veprave të dobta ka arritur të prekë ndonjëherë sedrën dhe ndjenjat e vërteta të poetëve të shquar, që shpesh bëhen edhe sherretë e egoistë dhe vërsulen me pa të drejtë kundër atyre që i kundërshtojnë ose s’i kanë fort në qejf. Sinqerisht shpreh mendimin se talenti i fuqishëm i Kadaresë, nuk ka patur nevojë për kritikë puthadorës që shpesh e kanë futur autorin, përgjithësisht serioz e të heshtur në punët e tij, nëpër salla e “meçlizë” që dinë vetëm të duartrokasin. Ndër ta fus edhe ndonjë kritik të huaj si Alen Boske apo shqiptaro-francezin A. Zoto etj., që e marrin autorin si me zor prej krahu për ta paraqitur para pasqyrave narciste.

Dashamirësi Alen Boske, poet dhe kritik padyshim, i ka bërë mirë njohjes së letërsisë shqipe, veçanërisht Kadaresë në Francë e ngjetkë. Për këtë duhet t’ia dijë për nder kultura shqiptare, por s’ishte  e nevojshme ta fuste nëpër pozicione që dhe autori e ka patur të vështirë të dalë pa u mburrur.

“Që prej viteve ’70, ju jeni i vetmi shkrimtar i vendit tuaj”!! “Biseda me Alen Boske” f. 85

“..se ky lloj lirizmi është diametralisht i kundërt me objektivat e partisë…” f. 84

“se ju nuk keni qënë kurrë disident, apo i persekutuar në kuptimin e vërtetë të fjalës…”

“se bëhet fjalë për 5-7 vepra të ndaluara e pothuajse të gjitha të kritikuara”!!

“(se, përgjigjet autori) Nuk ka patur asnjë lexues shqiptar, me përjashtim të budallenjve, që të mos dinin se një pjesë e veprës sime ishte e ndaluar, se ishte gjykuar se ishte në një mënyrë apo në një tjetër kundër shtetit” f . 86.

…Ndërkaq “Kjo vepër ishte e rrokshme gjithkush mund ta gjente dhe ta lexonte.”!?

“Qëllonte që tirazhi i parë prej 30000 kopjesh shitej brenda një ore, madje brenda disa minutash…”

“Taktika e tij (E. Hoxhës) ishte që të mos dënonte kurrë shkrimtarët e shquar…”

Më 1995, Ismaili zbulon nga Parisi se që kur ishte 14-15 vjeç, qenka lemerisur nga “Nëna” e Gorkit dhe që në këtë moshë (!) i tha vetes: “Unë do të isha në anën tjetër të ledhit, me mjegullat gjermane dhe hijet e Shekspirit, kundër kësaj drite shterpë”.

Në faqe të tëra Alen Boske duke e nxitur autorin të rrëfehet për të gjithë krijimtarinë e tij, gjen rastin ta krahasojë me Shekspirin e Gëten, Servantesin e Kafkën, Folklezin dhe Borgesin,…

“Hë, doni më për Belulin?”



Kritika superlative e pamerituar u bën dëm në radhë të parë autorëve dhe shpesh ka shërbye edhe si strehë ekzistenciale për delexhinjtë e letërsisë që nuk e kanë për gjë të bëhen edhe shollë këpuce për të tjerët.

Lëvdatomonia, veçanërisht, kur përputhej me ato të partisë, pra me kritikën zyrtare, i pret rrugët e dialogut dhe shmang obcionet e analizës së vërtetë shkencore.

Kjo kritikë servile profesioniste i dinte pikat e dobta ku kilikosen të mëdhenjtë dhe pikërisht tërhiqnin kënaqësinë e autorëve, “kilikosjen” e tyre drejt mediokritetit të opinioneve masoviste.

Për fat të keq, sot kritika letrare është shumë e zbehtë për të mos thënë e vdekur.

Nostalgjikët ose heshtin, ose dhe kur hedhin ndonjë fishek, barutin e kanë të vjetër dhe e ndezin me fitilat e lagura të depove të dikurshme që,më së paku, shpërndajnë tym mbi letërsinë e sotme. Ku janë dhjetra e dhjetra shkrimtarë, poetë, profesorë të letërsisë, katedrat, akademikët estetët? Ndonjë zë i sinqertë si i V. Zhidit, i F. Murtajt, i L. Stanit, S. Bejkos,Collakut, Shllakut apo Ali Podrimës, është i pamjaftueshëm për të shpërndarë tymin e heshtjes. Shëmbulli më tipik i kritikës letrare mediokre ishte diskutimi gazetaresk i të “ashtuquajturës” poemë “Pashallarët e kuq”. Procesi i turpshëm për goditjen e Kadaresë më 1975, organizuar nga Dritëro Agolli, ishte tjetër gjë e vlerat e poezisë fantazmë tjetër gjë. Gjithë ajo alibi tullumbacesh për të zbuluar me çdo kusht disidentin e dikurshëm i bënë dëm autorit edhe për faktin e thjeshtë se ajo poezi nuk ishte aspak përfaqësuese në korpusin e veprës së Kadaresë. Të tjerët, stalinistët e vendosur treguan se kanë probleme të rënda me vetveten jo me autorin… Janë ata nostalgjikët që atëherë pëshpërisnin nëpër dhëmbë se Ismail Kadareja është properëndimor e tani janë po ata që ulurijnë se Ismaili ishte komunist…(!)

Ndonjë poet i sinqertë që i dhimbet letërsia dhe kultura shqiptare thirri: “Po dale, ç’bëni kështu? Po ra Kadareja kush na mbetet?!” Ja kështu jemi ne. Gjithçka fillon nga ne. Sidoqoftë unë jam optimist. Në shirjet, bykun dhe spekulimet e mëdha të botimeve, ka vepra dhe autorë të vjetër e të rinj me vlera të spikatura në poezi e në prozë.

Dua të besoj se një ndryshim po vjen. Letërsia e fuqishme do ta ketë edhe kritikën e saj, atë elitë të vërtetë që di të analizojë vetëm shkencërisht, vetëm e pavarur nga opinionet dhe ideologjitë, atë kritikën që nuk e njeh mikun as autorin, por veprën, vetëm veprën dhe artin





VII



Disidenca


Në kuptimin e parë të gjithë poetët dhe shkrimtarët janë disidentë. Ata janë të prirur, natyrisht me armët dhe mjetet e tyre, të kundërshtojnë mjedisin historiko-shoqëror, partitë, shtetin sepse edhe vetveten. Ata janë për rrugë të tjera, për shtigje të tjera, prandaj asnjë regjim nuk i ka qejf, nuk i do nga malli por nga halli. Ata janë gjithnjë një alternativë e kështu edhe të fuqishëm e të përhershëm. Ata janë oponencë edhe në regjimet demokratike sepse asnjë demokraci nuk është e përsosur. Ata, dhe kur janë në parajsë, kërkojnë njollat sepse njohin më mirë ferrin. Ata janë këngëtarë të dhimbjes njerëzore sepse kjo, pikërisht dhimbja, mundimi, janë dimensionet më të dukshme të jetës njerëzore. Duke qënë aleatët më të natyrshëm më të aftët e më besnikët ndaj njeriut, ata dhe vetëm ata, qëndisin shpirtin e tij dhe ua lënë brezave si vlera referimi duke u bërë pjesë e ndërgjegjeve të tyre kombëtare e universale.

Poetët janë më të fuqishëm se pushtetarët sepse janë pushtetarë të shpirtit, pra dhe të së përhershmes.

Poetët e mëdhenj i dëmtojnë  pushtetet diktatoriale edhe kur heshtin, edhe kur largohen, edhe kur vriten nga diktatura ose vetvriten, sepse autoritetet morale zotërojnë masën dhe vënë në pikëpyejte pushtetin amoral.

Së pari, vlera e poetëve dhe shkrimtarëve varet nga forca artistike e veprës së tyre që dhe më e paangazhuara është një kundërshtim me statuscuonë. Një vepër me vlera cilësore në poezi e në prozë përbën një agresion tepër komod ideor dhe estetik ndaj botës përreth e aq më tepër ndaj politikave shoqërore që gjithmonë janë të kondensueshme sepse çdo pushtet, dhe më demokratiku, e ka të pashmangshëm shtypjen dhe detyrimin mbi njeriun, madje dhe krimin.

Të gjithë mbretërit, shehlerët, perandorët, udhëheqësit, edhe duke mos qënë diktatorë në kuptimin klasik, që dhunojnë e ndalojnë fjalën e lirë, janë të prirur që t’i kenë me vete poetët dhe shkrimtarët. Ata nuk i kursejnë privilegjet ndaj tyre, madje u ofrojnë edhe vende të preferuara pranë oborrit të tyre. Shumica i pranon privilegjet sepse të gjithë e duan mirëqënien dhe famën edhe sepse janë qënie njerëzore që duan të ekzistojnë. Ata, të mëdhenjtë e fisit të poetëve, janë të prirur t’i thyejnë fenerët e kuq dhe portat e rënda edhe në oborr; të tjerët që, më së paku marrin fytyrën e pushtetit, bëhen më pushtetarë se i zoti dhe vrasin vetveten si poetë dhe të tjerët më poshtë. Diktaturat imponohen, ato kanë në dorë penalizmin dhe me frikën e goditjes deri në eliminim, me çensurën administrative mbi veprën artistike, diktojnë edhe ligjet e krijimtarisë edhe shijet estetike. Ato e duan letërsinë dhe artin pjesë të tyre, ingranazh në motorrin e pushtetit. Në mos…

Ata poetë dhe shkrimtarë, piktorë a muzikantë që u kundërvihen diktaturave me veprimtarinë e tyre përbëjnë disidencën. Këta shkrimtarë “fajtorë” lehtësisht cilësohen si armiq dhe ose burgosur ose zhdukur nga diktatura, ose largohen në vende të tjera ose vetvriten… Zakonisht bëhen disidentë poetët e fuqishëm, ata që nuk lëshojnë pe dhe s’bëjnë ansjë kompromis me veprën e tyre, ata që nëpërmjet artit shtrojnë probleme të fuqishme estetike ndesh me standartet që u imponohen, ata që ngrenë polemika të mprehta universal duke devijuar e mohuar standartet e njohura. Askush nuk i detyron të bëhen të tillë veç vetvetja krijuese, ata me gjenialitetin e tyre lindin dhe rilindin. “Nuk do të isha ende në botë, thotë Gëtja, nëse për të lindur do të kisha pritur të më jepnin leje.” Desidentët kanë një personalitet të fuqishëm moralo-shoqëror dhe, sipas vlerës së veprës së tyre, janë tepër kompleksë e natyrisht jo të njëvlefshëm vetëm se janë të tillë. Vlerat e tyre artistike, duke qënë “agresion” ndaj kulturave kombëtare diktatoriale, në vendet e tyre, shtojnë vlerat në kulturën botërore, e vjen, një kohë që rikthehen si monumente të mëdhenj (zakonisht pas vdekjes) andej nga kishin ikur, si fjala vjen Dostojevski, Kundera, Çeslar, Bukorvski, Xhojsi, Sallxhaicini e shumë të tjerë.

Letërsia shqipe nuk ka disidencë të mirëfilltë. Megjithëse diktatura komuniste ishte më e egra dhe më çnjerëzorja, predispozitë kjo për kundërshtim, duhet pranuar se, për shumë arsye, ajo u përqafua masivisht; ishte totale sepse u përkrah si iluzion shprese madje me entusiazëm edhe nga inteligjenca dhe shktrimtarët. Pakënaqësitë e shprehura aty këtu në surdinë, në rrethe familjare e në shoqëri me dy-tre veta, ishin një mërmërimë e parrezikshme për regjimin, madje dhe kjo e përgjuar, e kërcënuar dhe kontrolluar nga spiunët, që nuk mungonin as brenda familjes. Këndvështrimet e një inteligjence simbolike, sidomos nga kleri katolik, u shtypën mizorisht që në fillim dhe kështu duktatura përgjonte dhe vriste edhe ëndërrën edhe fjalën e qytetarit.

Disidenca letrare që mungonte nuk duhet të ngatërrohet me disidencën ideologjike edhe ndër persona me talent të tipit të Sejfulla Malëshovës, që ishte dhe kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve, por veprimtaria letrare e tij (poezia) nuk kish të bënte  fare me disidencën. Talente të tjera të shquara do të etiketoheshin sistematikisht nëpër vite si armiq e tradhëtarë e neni 55, për axhitacion e propagandë, do të mbushte burgjet edhe me qytetarë e fshatarë të thjeshtë, të cilët gjenin nëpër qelitë e tmerrshme të burgjeve të gjithë shtresën e vjetër të inteligjencës, të familjeve të mëdha, ish bejlerëve, tregtarëve, ushtarakëve e shkencëtarëve të të gjitha fushave, mbaruar nëpër universitetet evropiane, të destinuara të kalbeshin birucave, të mbetur edhe pa varr.

Kjo nuk ka të bëjë me disidencën letrare dhe nuk ka vend të krahasohet me krijimtarinë disidente në Rusi, Poloni, Çeki etj.

Duke u nisur nga specifikat e letërsisë dhe të artit, do jemi më të saktë, të pranojmë pjesë të saj, shfaqje të disidencës nëpër autorë dhe vepra të ndryshme. Kështu, letërsia ka mundësinë e kamuflimit të mesazheve dhe me mjetet e saj përcjell edhe fjalën e ndaluar; po kështu tingulli e ngjyra; përgjithësisht forma e veprës tinëzisht fliste për shfaqje të disidencës. Alegorinë, simbolin, metaforën, ngjyrën është e vështirë ta spiunosh; paralelizmat e qëllimshme, aludimet hisotirke, bëma të qëmotshme brenda e jashtë vendit, psikologjinë mesjetare, “arratisjen” e krijuesve nëpër trojet e miteve e baladave, kompleksin e Trojës, të ndëshkimit, të tradhëtisë etj., etj., është tepër e vështirë t’i goditësh. “Arratisja” nga realiteti për t’i folur realitetit, ishte një çadër mbrojtëse për krijuesit dhe autorë të shumtë fshiheshin në polisemantizmin e veprës. Pra, krijuesi kurrë s’është 100% besnik e kurrë i kulluar. (Thoshte Sartri për Bodlerin: “Ju kam thënë më vjen të pështirë t’i quaj artistët e kulluar”.) Ata, në drejtime të ndryshme përbëjnë faj e tingëllon tepër hipokrite t’i quash poetët të virgjër.

Shfaqje të disidencës kishte jo vetëm në korpusin figurativ, por edhe në moszbatimin harmonik e të plotë të parimeve të realizmit socialist, por gjithsesi, nuk arriti të bënte divorcin me të. Përpjekjet për dalje nga skema pati në të gjitha gjinitë e në dhjetra poetë e artistë, por përpjekja për dalje s’është dalje. Diku, ndonjë mëshonte më tepër se e lejueshmja në jetën e njeriut (personalisht), diku kanarina (dhe kanarinat janë të rralla) duke përfituar nga kafazi i saj brenda oborrit ose afër tij, këndonte edhe ndryshe sepse shigjetat e kritikës nuk goditin drejt oborrit; diku ndonjë kanarinë kish dhe kthetra të holla që rrezikonte duart e zonjës kur e ushqente, dhe zonjës, jo për faj të saj, i duhej ose t’i priste kthetrat ose kokën. Prerjen e kthetrave deri në përgjakje e provuan shumë krijues, artistë, regjizorë, këngëtarë, piktorë. Herë pas here hanin ndonjë rryp dhe më të shquarit që tufa të mbahej në zap. Natyrisht më të njohurit si Agolli e Kadareja, nëpër vite, pranë oborrit duke u mbajtur edhe në fre, duke i lëshuar edhe të hanini bar pa shkop – erdhën e u bënë të famshëm nga vetë partia shtet, duke fituar edhe imunitetin e mosgoditjes si talente të njohura brenda dhe jashtë vendit.

Natyrisht që s’janë njëlloj. Agolli, i zgjedhuri me dorë nga lart si kryetar i shkritmarëve dhe artistëve, i zgjedhur dhe i përkëdhelur në instancat më të larta të partisë dhe të shtetit, me një grup specialistësh pa personalitet krijues, do të vihej në ballë të çensurës, si hetues e prokuror, e, veçanërisht pas Shuteriqit si kryetar do bëhej më i besuari i diktaturës për të goditur pa mëshirë çdo shmangie nga skena e RS, dhe fjalën, dhe ngjyrën, dhe tingullin. Më vjen keq që asnjëherë s’është distancuar prerazi nga ky pozicion i imponuar, i turpshëm i papajtueshëm me figurën e poetit – fakt ky i mjaftueshëm që kultura shqiptare nuk ia fal – faj ky i bërë, jo vetëm i diktuar nga zyrat e larta të shtetit, por me ndërgjegje të plotë, madje duke marrë dhe inisiativën e zbulimit të çdo shfaqjeje disidente në letërsi e art. Fakti tjetër që kudo nëpër rrethe kishim Agollë të vegjël në krye të shkrimtarëve dhe artistëve, gjithmonë të drejtuar nga zyrat e partisë që nga kooperativa bujqësore, qyteti e rrethi deri në njëqind filtra çensurimi e spiunimi në qendër, bëri që, veçanërisht pas 1974, të krijohet për letërsinë dhe artet fryma më mbytëse dhe asfiksuese për çdo shfaqje disidente. Shkrimtarët e kishin pas veshit frikën e burgut, qarkullimit në fshat, riedukimit dhe, pothuajse, asnjëri nuk i shpëtonte dot syrit vigjilent të Partisë dhe sigurimit të shtetit.

Pra, nuk i bihej murit me kokë. Shfaqjet e disidencës erdhën e u zbehën dhe letërsia jonë u shpëla totalisht duke u kthyer në një letërsi puthadorëse.

Përsa i përket veprës së Ismail Kadaresë, shprehur nga vetë ai, nga kritika pozitive e entusiaste brenda dhe jashtë vendit, se ishte një krijimtari që zhvillohej në drejtim të kundërt me realizmin socialist, pra, disidente, kam mendimin se lyp analiza dhe hulumtime specialistësh të paanshëm.

Do t’i rikthehem këtij problemi në faqet e këtij libri për të shprehur mendimin tim modest.

Si më i talentuari ndër shkritmarët e realizmit socialist, Ismaili, në pjesën dërrmuese të vepër së tij, faktikisht, ka një arratisje nga atdheu socialist. Preferenca e tij është letrarizimi i historisë. Ai jetonte në Shqipëri dhe shkruante për burgje të tjerë, të largët nga Shqipëria (Turqia, Kina, Egjypt, Rusia) për ta larguar Shqipërinë në Turqi a në Kinë, a për ta afruar Turqinë a Kinën brenda Shqipërisë. Baladat, mitet ballkanike, mesjeta shqiptare, historia e saj e lashtë dhe e re, aktualizohen gjithnjë si shtigje të diskutueshme artistike, por dhe si ombrellë e rrufepritës për ta mbrojtur nga realiteti.

Gjithsesi kjo është një zgjedhje e tij dhe nuk duhet paragjykuar, por edhe ai e ksihte ngrënë karemin “Arratisja” nga realiteti i Shqipërisë ku jetonte, e pajisi me ide e mesazhe gjithnjë të mjegullta, por e la pa personazhe, pa lëng jete. T’i heqësh Kadaresë mitin, lashtësinë, baladat, ferrin, pra historinë reale apo të sajuar, do të thotë ta lësh bosh, njëlloj sikur t’i heqësh Xhek Londonit përvojën e Alaskës. Paralelizmat, hamendjet, aludimet janë kaq të largëta e kaq të afërta, shpesh kaq të lodhëshme e monotone, sa të duket se ke të bësh me historianin që sajon historinë pa protagonistët e saj, ose filozofinë që tjerr ide për një botë të fosilizuar.

Zbritja e tij në realitetin shqiptar, jo dokudo, por bash në oborr të mbretit si te “Dimri i madh” apo “Shqiponjat fluturojnë lart” që një taks kaq i rëndë, një kontratë kaq dëmprurëse si artist, një manovër kaq djallëzore, sa jo vetëm i siguroi ekzistencën, por e bindi Enverin të mos goditej nga Enveri. Ndër këto e në të tjera, ai i veshi vetes një lëkurë kaq të trashë partiake, sa që dhe kur shkruajti më vonë “Pallatin e ëndrrave” “Qorrfermanin” etj., Ramiz, Dritëro, apo Konda nuk i hynin dot në lëkurë.

Ndërsa rrufetë e lëshuara prej tij në adresë të diktatorit dhe diktaturës si te “Piramida” dhe në të gjithë publicistikën e tij, padyshim i kanë bërë mirë demokracisë shqiptare, por nuk e bëjnë disident dhe burrëror, sepse pas mortum. Edhe arratisja e tij, këtë herë faktike më 1989, drejt Parisit, u krye me llogari të ftohtë, kur diga kish marrë të çara të pariparueshme dhe rregjimi komunist po sistemohej nga dita në ditë në arkivolin e vet.





VIII

Brumatriçja


Po e quaj “brumatriçe” veprën letrare që kthehej pas për t’u bërë karton, atë vepër që për një arsye a për një tjetër ndalohej të qarkullonte shpesh edhe për arsye jashtë letrare. Gjithmonë urdhëri i ndalimit vinte nga lart, nga zyrat më të larta të partisë-shtet, nëpërmjet mashës së Lidhjes së Shkrimtarëve, Ministrisë së Kulturës apo Bibliotekës Kombëtare.

Ndalimi i librit është akt vrastar ndaj fjalës e në atë diktaturë vrasjet ishin në natyrën e saj. Dhe procesi nuk mbaronte këtu. Me ndalimin e një libri synohej të ndalohej autori dhe sipas shkallës së “agresivitetit” të librit përcaktohej dhe gjyqi për autorin. Më e pakta ishte ndalimi i të drejtës së botimit, qarkullimi i autorit për edukim e shkohej deri në internim, burg, apo pushkatim. Natyrisht duke i lidhur ndëshkimet kapitale edhe me ndonjë kleçkë biografike. Kështu diktatura impononte shijet e saj dhe mbante në kontroll e në zap letërsinë dhe artin, metaforën dhe simbolin, gdhëndjen në dru apo në mermer, derdhjen në bronz apo allçi, ngjyrën, ajrin dhe ëndërrën.

Në një vend të vogël si i yni – sipas një studimi të artistit të famshëm Maksi Velo – rezultojnë 141 shkritmarë dhe artistë të zhdukur, prej të cilëve një i varur në litar, 26 të pushkatuar, 4 të vdekur nga torturat në hetuesi, 12 të vdekur nëpër kampe, akuzë kjo, e paapelueshme jo vetëm për udhëheqjen komuniste por edhe për Lidhjen e Shkrimtarëve me në krye Dhimitër Shuteriqin dhe sidomos Dritëro Agollin.

Së pari diktatura ndaloi, persekutoi, mohoi dhe zhduku (të vdekurit ose të gjallët e mëdhenj), ajkën e patriotizmit dhe kulturës shqiptare: Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Mithat Frashërin, Martin Camaj, Mitrush Kutelin, Ernest Koliqin, Anton Arapin, Branko Merxhanin, Ismet Toton, Tajar Zavalanin etj.

Diktuaturat nuk mund të mbijetojnë po nuk pastrojnë rrugën nga kundërshtarët dhe po nuk mohuan në mënyrë drastike edhe personalitetet e ndërgjegjes kombëtare para saj. Ditkaturat fillojnë nga zerua dhe përfundojnë në vetvrasje. Ato lindin armiq dhe kur bien janë të rrethuar me mjedisin armiqësor.

Le të kthehemi te “Brumatriçja”

Dhjetra e dhjetra libra të kthyera në karton, heqja nga qarkullimi e qindra të tjerave për motive të ndryshme, (deri te biografia e shkrimtarit), domosdo kanë një shkallë më të lartë disidence, pa përmendur heqjen e të drejtës së botimit, me dhe pa vendim, për dhjetra e dhjetra të tjerë.

Janë ndaluar disa libra të Kadaresë “Zhurma e erërave të dikurshme” të Agollit, “Kur zunë shirat e vjeshtës” të N. Priftit, “Çezma e florinjtë”, “Tuneli”, i Dh, Xhuvanit, “Tokë e lashtë njerëz të rinj”, e Bilal Xhaferrit, “Rrethimi i bardhë”, “Një emër në katër udhë” e Petro Markos, tregime të Koço Kostës, Faik Ballancës poezi të Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Sadik Bejkos, (Faslli Halitit) e shumë e shumë të tjerë. Ndalimet kishin kapur edhe skenën si “Njollat e murrme” të M. Jeros, damat e Fadil Paçramit, Ibrahim Uruçit, regjizorë dhe aktorë të shquar si Kujtim Spohivoglie Edi Luarasi, muzikantë si Sherif Merdani, piktorë të shquar si Maksi Velo, ndalimet arrinin deri në festivale të këngës, spektakle, ekspozita etj. (Kërkoj të falur që, për momentin nuk po më kujtohet ndonjë emër më i rëndësishëm, ndërsa artistët e ndaluar me burg si Kasem Trebeshina, Visar Zhiti, Maksi Velo, Ali Oseku etj., dhe të pushkatuarit nga poezitë si Xhagjika, Leka, Blloshmi etj., përbëjnë kulmin e persekutimit dhe një shembull për të mbajtur në terror të vazhdueshëm poetët dhe artistët e tjerë).



*   *   *

Kam mendimin se me përjashtime shumë të rralla, veprat e kthyera pas për në brumatriçe, ose të ndaluara nga qarkullimi, ose heqja e të drejtës së botimit, nuk përbën disidencë letrare të mirëfilltë. Motivet e ndalimit ishin të ndryshme, edhe jashtë letrare; ato synonin terror mbi fjalën, më tepër si mësim për të tjerët dhe u shtrinë në kohë që nga fillimet e diktaturës deri në fund.

Nuk di ndonjë vepër letrare që të ishte në kundërshtim të plotë me udhëheqjen e rregjimit apo plotësisht t’i kundërvihej metodës së realizmit socialist. Ato janë vepra që atakonin direkt ose indirekt orientime të partisë në kuadrin e luftës për të “krijuar njeriun e ri”, ato janë vepra më realiste se të tjerat, më pak enthusiaste se të tjerat, ato aludojnë, por nuk kundërshtojnë, ato trajtonin varfërinë apo njollat tej kufirit të lejueshëm, ato trajtonin ndonjë temë apo problem para se ta thoshte udhëheqësi, atakonin ose lëvdonin ndonjë person historik që partia e kish vulosur ndryshe etj. etj.

Vepra e ndaluar synonte rregullime brenda regjimit komunist dhe asnjëherë për ta përmbysur atë; në më të shumtën e rasteve ato zhvelftësonin parimet e metodës, një apo disa, dilnin jashtë skemës sidomos në formë; ato etiketoheshin si formaliste, hermetike, moderniste, ekxistencialiste, impresioniste, kubiste ejt., etj.

Nuk mund të them se veprat e ndaluara përbënin vlera të shquara artistike në nivelin e disidencës së mirëfilltë. Duke qënë fatkeqësi ekzistenciale për autorët, ndalimi i veprës është nderi më i madh për të dhe për autorin. Nuk duhet të ngatërrohet kritika e veprës me ndalimin e saj. Kritika që fatkeqësisht, tek ne bëhej menjëherë zyrtare dhe komandohej nga lart, nuk do të thotë se vepra ishte disidente. Një vepër që nuk kritikohet nuk diskutohet me të kundërtat e saj dhe që nuk pëlqehet nga masa, gjithashtu, nuk do të thotë se është disidente.

Janë vlerat, vetëm vlerat e veçanta artistike ato që i japin pasaportën librit. Librat e ndaluara tek ne quheshin “libra të verdha”, të cilat kërkoheshin dhe lexoheshin më tepër, por kjo s’do të thotë se ishin dhe disidentë. E shumta ato ishin vepra më të lira, më realiste që u kishin shpëtuar filtrave të çensurës.

E keqja ishte se këto vepra që ktheheshin pas, që kritikoheshin nga partiakët e sipërm, nuk analizoheshin dhe nuk mbroheshin pikërisht për ato shkëndijime të domosdoshme të disidencës nga kritikët tanë. Ata, shumica, dhe më seriozët, luanin rolin e bodigardit të paguar të metodës së RS, dhe, jo vetëm që s’kishin bithë (gjirokastritçe) t’i mbronin shkrimtarët, por, sapo merrnin sinjalin se X vepër nuk e ka pëlqyer Sh. Nexhmie e shoku Ramiz a shoku Dritëro apo dhe çensorët më të vegjë të tipi Tona, Lazri a Kondo, vërsuleshin mbi vlerat e veprës si qentë që donin të copëtonin librin dhe autorin.

Tani autorët mbrohen e lëvdohen me “brumatriçen” si dhe kritikët që e pëlqyen atë deri te momenti kur s’kish folur akoma udhëheqja e letërsisë.

Përsa u përket atyre veprave të ndaluara të I. Kadaresë, mendoj se rreth tyre është spekuluar jo pak. Ngatërrohet kritika me urdhërin e ndalesës. Nuk di në jam i gabuar po unë veprat e Kadaresë i kam blerë në Pazar dhe asnjë bibliotekë nuk i kish ndaluar ato. Ndoshta kjo ka qënë e përkoshme, punë javësh apo muajsh; për ndonjërën si “Përbindëshi” është heshtur, dhe nuk di të jetë bërë karton as Gjenerali, as Pallati, As Koncerti, as… as…. (Dritëroi thotë, asnjë libër s’i është ndaluar Kadaresë). Ndoshta, veprat më të fuqishme të Kadaresë, i mbrojti, në mos Enveri e Nexhmia, emri i vetë autorit, fama e tij dhe sidomos jehona pozitive ndërkombëtare që kish fituar Kadareja. Propozimet ekstreme të Agollit për ta ndëshkuar përfundimisht kolegun e tij, më të shquar se ai e se të tjerët, kur gjeti rastin më 1975 me “Pashallarët e kuq”, si duket e kanë gjetur portë të mbyllur në udhëheqjen më të lartë të partisë. Sidoqoftë ajo akuzë që të kujton pretenca prokurorësh është në turpin e ish kryetarit të Lidhjes dhe në turpin e marrëdhënieve midis poetëve. Po të kisha unë në dorë atë poemth nuk do ta botoja se ishte i dobët. Vetëm kaq.



*  *  *

Diku thashë se ndalimi i veprës së fuqishme letrare është nderi i parë që i bëhet nga mjedisi. Këtë fat kanë patur shumë vepra dhe autorë, jo vetëm në regjimet diktatoriale. Veprat e mëdha jo vetëm që vuajnë nga moskuptimi, nga aludimet, paralelizmat por së pari ato atakojnë dhe bien ndesh me standarte të vjetëruara të moralit, elitës, kulturës, politikës; me polisemantizmin e tyre, me të veçantat e të përveçmet dukuri jetësore që pasqyrojnë, ato mbeten të tilla nëpër breza dhe futen kështu në fondin e artë të letërsisë dhe kulturës botërore.

Poetët e vegjël dhe të mesëm s’ka përse ndalohen, as vepra të dobëta të shkrimtarëve të mëdhenj.

Përvoja letrare në shekuj dhe në vende të ndryshme të botës tregon se janë ndaluar pikërisht veprat e mëdha. Është ndaluar Lisistrata e Aristofanit që është shkruar mijëra vjet para, është ndaluar “Dekameroni” e Bokaçios nga veprat e para madhore të Rilindjes italiane e evropiane, janë ndaluar kryevepra si Uliksi i Xhojsit apo “Fije bari” e Uitmanit, është ndaluar Volter (me Kanditin) e Rusoi me autobiografinë e tij, e kështu plot e plot të tjerë si Shosteri, Daniel Defo, Torkuato Taso, Xhek Londoni, Bodleri etj., etj.

U ndaluan nga shoqëria e kohës dhe pas vdekjes së autorëve apo regjimeve, sepse mendja e ngushtë e mjedisit, nuk i kapte dot majat; ndaloheshin kryeveprat se së pari ato përbënin një kthesë historike në mendimin estetik të shoqërisë. Dhe, pikërisht, ato të ndalurat e mëdha, u qëndrojnë shekujve duke u kthyer nga brezi në brez në monumente të fjalës së shkruar.

“Brumatriçja” shqiptare ka vlera relative jo vetëm sepse u kundërshtua nga diktatura, por, prej sa, nuk mund të piqeshin “bukë” të vlerave të mëdha në nivelin e disidencës së vërtetë. Shpesh, ato ishin vepra edhe më të dobta se vepra tjetër e lejuar për qarkullim. E shumta ajo (“brumatriçja”) është dëshmi e terrorit komunist mbi fjalën e lirë.











IX

“Un-i”dhe “Ne-ja”,  ose vetmia e shumësit


Un-i poetik është një pasaportë që plotëson identitetin poetik në laboratorin e poetit, në vetmi. Kjo pasaportë bie ndesh me kërkesat e metodave imponuese krijuese dhe me që është domosdoshmëri, me që të duhet patjetër “viza e shoqërisë”, mbijetesa si qytetar dhe krijues, un-i vetanak dhe i përveçëm, kthehet në “ne-në” e shumësit. Shkrimtari i realizmit socilist është i përcaktuar në diagramën midis un-it dhe ne-së, është një mesatare ekzistenciale që ha vetveten e shquhet vetëm po të jetë në numërin shumës. Ky reduktim dëmton poetin. Nga qënie individuale ai kthehet në qënie shoqërore. Talentet që tentojnë ta prishin këtë marrëdhënie, natyrisht duke paguar taksën e komformizmit, gjejnë një strehë në vetminë e shumësit dhe nëse gjejnë forcë për të mbajtur ndezur kandilin e un-it, tentojnë deri në disidencë. Un-i poetik është ndërtimi i vetvetes. Duke qënë i përveçëm, të duket se është i rrokshëm, sikur është shkruar në ballin e poetit, por, për të ardhë deri këtu, ai ka kaluar në një proces të ndërlikuar e përbërës, gjithnjë i rrezikuar nga shumësi uniform.



1.       Misteret e Un-it.



Te poeti, (këtë term e përdor dhe për shkrimtarin dhe për artistin) ekzistojnë dy un-e, un-i biologjik, që jeton në një mjedis të dhënë shoqëror dhe un-i si poet. Është mirë që këtë të dytin ta përfytyrojmë si një shpirt të veçantë që gjallon thellë brendësive të un-it të parë. Un-i poetik është i lindur, disa i thonë dhunti, disa madje e quajnë si një dhuratë hyjnore që strehohet tek un-i biologjik dhe tenton jetën e pavarur deri në shkëputje, deri në mohim dhe jo rrallë nëpër talente të mëdha, deri në sakrifikim. Mediokriteti i mjedisit synon që këto dy un-e t’i bashkojë, t’i harmonizojë duke i dhënë përparësi un-it bioshoqëror. Kjo mendësi pretendon që për të kuptuar veprën poetike duhet të njohësh dhe të kuptosh hollësisht intensitetin e jetës së poetit. Duke ngatërruar rrethanat e jetesës me esencën e krijimtarisë, mediokriteti gjen shprehjen e vet adeguate tek diktaturat, të cilat synojnë forcërisht ta mbajnë në zap këtë produkt shpirtëror. Kështu, duke e gozhduar poetin me gozhdët e ekzistencës, mirëfilli, drejtojnë krijimtarinë artistike në favor të diktaturës. Këtu lind kontradikta e madhe midis poetit dhe shtetit.

Por poezia, muzika, piktura (libri dhe arti), janë vetëm dhe vetëm produkt i un-it tjetër, qënies shpirtërore personale. Vepra artistike s’është e thënë të përputhet me jetën e artistit, madje devijon kaq shumë, sa duke mbajtur lidhje ekzistenciale me të, kthehet në “të ndryshëm” dhe shpesh “në të kundërt”. UN-i poetik është si mjalti, produkt i bletës dhe i miliona luleve. Po laboratorin “krijues” as bleta as lulja s’janë mjaltë. Kur ha një lugë mjaltë, nuk besoj se të shkon mendja te bleta…

Mjediset e vogla si Shqipëria jonë, kanë treguar qartazi, madje si të domosdoshme, prirjen biografike të veprës. Kush e ka shkruar? Cili është ky? Nga vjen? Ku ka lindur? Ç’shkollë ka? Me kë është martuar? Ç’duhan pi? etj., etj. Provinca karakterizohet nga spiunimi i përpiktë i gjërave. Ajo do të dijë çdo hollësi të jetës së autorit dhe e lidh arbitrarisht veprën me autorin duke çorientuar vetveten dhe poetin. Ne shqiptarët dimë çdo hollësi të jetës personale të artistëve, të të gjallëve e të të vdekurve, të qëna e të pa  qëna, lagjen, fshatin, babanë, nënën, gruan, dhëndërrin, krushkun, veset, zakonet, shoqërinë e kafes, prirjet ideologjike, sëmundjet, rakinë apo verën që pi…

Prirjet provinciale tymojnë nga oxhaqe të ulëta kasollesh. Kjo i ka lodhur shumë artistët shqiptarë dhe është një tendencë miope që kërkon dominimin e rrethanave mbi veprën letrare. Është dukuri mediokre që e largon deri në absurd misterin e krijimtarisë dhe un-in poetik. Fetishizimi i rrethanave, është, njëlloj të themi, të shikosh maternitetin jo foshnjën që lind.

Misteri i krijimtarisë është kaq i veçantë sa është e vështirë ta përcaktosh me fjalë. Në këtë mister nuk mund të depërtojë as dokumentimi kalendarik i jetës së shkrimtarit. Biografitë e shkrimtarëve, madje dhe autobiografitë, mund t’i afrohen disi kësaj enigme, por kurrë nuk mund të depërtojnë në esencën e veprës, e aq më pak të barazohen me të.

Prusti i madh është tepër kategorik në të veçantat e misterit të krijimtarisë. Në librin “Kundër Saint Beuve” ai shkruan: “Në të vërtetë publikut i jepen vetëm të fshehtat e UN-it të brendshëm, të shkruara në vetmi dhe vetëm për veten. Ajo çka njeriu bën e thotë për jetën private në biseda… apo në essetë e shkruara në sallon (në këmbë) e jo në dhomën e punës (të letërsisë), nuk janë gjë tjetër, veçse biseda me shkrim, janë produkt i një uni krejt të sipërfaqshëm.”.

E pra, ai un-i tjetër, i padukshmi, misteriozi, pacienta ku rritet embrioni i veprës, vetë procesi “i fekondimit” është tjetër gjë. Ai shfaqet duke e mënjanuar botën rreth tij e duke u lindur i tillë, vetëm duke hyrë e dalë nëpër botë si “send” tjetër, duke e mohuar mitrën, dhe, ashtu i pavarur si një fëmijë që e admrojnë për pamjen e tij, bota nuk e vret mëndjen te procesi i ngjizjes së tij dhe te “materniteti”.

Pa dyshim Un-i poetik është i lidhur me talentin, me atë mundësi të veçantë që kanë disa, për t’i dhënë pamjen un-it. Mund të të lindi një ide e bukur brenda vetvetes, mund të dëgjosh brenda vetes një melodi të vagëlluar, mund të të lindi dëshira të përfytyrosh me sytë në mjegull një profil, një portret një re që lëviz, mund…, por akoma ke ajrin në grusht. Talenti të bën që atë vagëllimin e brendshëm, idenë, profilin…, ta realizosh siç ta ka dhënë shkrepëtima e frymëzimit. Vetëm kur këtë kujtesë, THELLËSISHT personale e materializon në letër, në pëlhurë apo në pentagram, atëherë themi se ke realizuar një vepër arti. Kjo realizohet vetëm me intuitë dhe fantazi dhe s’ka të bëjë me mobiljet përreth, me rrethanat personale të qënies, të cilat mund ta pengojnë ose ta shpejtojnë lindjen e veprës.

Ky është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar. Duke qënë i tillë ai s’mund të realizohet me ndërhyrjen e mjedisit dhe veçanërisht me imponimet e shoqërisë e aq më pak të komandohet nga shteti.

Fatkeqësisht mikroambjentin tonë e kanë ushqyer edhe vetë shkrimtarët dhe artistët, duke u bindur apo duke u komformuar me ligjësi të jashtme, duke pranuar si primare rrethanat e veprës, madje duke e biografikuar atë.

Të vjen keq që në këtë kurth ka rënë edhe I. Kadareja, më i famshmi i shkrimtarëve tanë. Biografitë dhe autobiografitë mund të justifikojnë vetëm veprën e dobët. Vetëm ato kanë nevojë për paterica e për justifikime rrethanash. Kjo, ndoshta, ka ardhur edhe si trysni e keqe e gardës lëvdatomadhe që e ka rrethuar autorin, e cila, shpesh edhe në udhë provokative, e ka nxitur atë ta shohë veprën në pikëtakime biografike e ideologjike në një kaos iluziv e aludiv. Të duket sikur vepra e tij ka ecur paralel me dozën e drogës ideologjike dhe veprat më të mira të tij janë rezultat i kurimit intensiv për të dalë nga rrethanat.

Sa për faktin tjetër se autorin tonë të shquar e ka shqetësuar pengu i moskuptimit, do ta sqarojmë në një kapitull të veçantë. Gjithsesi edhe ai peng ka qënë i tepërt për t’u shfaqur. Vepra kur del nga dora e shkrimtarit, s’është më e tij dhe shkrimtari, më kot, mundohet t’i tregojë udhët veprës së tij, kur të shkojë e si të shkojë, si të lexohet e si të kuptohet…



2  Honet e vetvetes


Nëpër këto hone ngjizet nëpërmjet një procesi të ndërlikuar vepra letrare.

Estetët e realizmit socialist me zhdanovet, gorkët, uçët e agollët, nuk e kuptonin ose s’i linte partia të kuptonin se vetmia e poetit nuk është larg të tjerëve, larg botës. Vetmia e poetit nuk nënkupton izolimin, zhdukjen nga mjedisi. Ajo e bën poetin të niset nga  vetvetja si nga një qendër e botës. Qënia është thellësisht e fshehur e njëkohësisht në nivelet e botës së jashtme, e gatshme për pohime dhe mohime të mëdha e të veçanta. Maurice Blanchot shikon në këtë rast, punën dhe kohën e, pikërisht kështu “qëniet përmbushen dhe njerëzit ngrihen në lirinë e “unë – jam-it” … ajo që më bën “Unë”, është ky vendim për të qënë si i veçuar nga qënia, për të qënë pa qënie – domethënë krejtësisht “UNI”, ose krejtësisht i PLOTI.”

Të gjithë talentet e mëdha janë të lirë nga qënia të ndarë prej saj. Po të perifrazoj Blanchotin rezulton se vetmia e “unë-jamit” zbulon mekanizmin magjik të krijimit. Ky “unë - jam” krijon pushtetin e vet, shungullimin e ankthit krijues. Ky mungestar i qënies ndërgjegjësohet për atë që mban thelbin e tij për të mos qënë e për të qënë gjithkund. Krijuesit pohojnë vetveten me pushtetin e të mos qenit – domethënë – ata reagojnë, flasin kuptohen me të tjerët që nuk janë, që i takojnë historisë ose vdekjes. Hegeli paska thënë: “Me vdekjen nis jeta e shpirtit” Pra, bëhet fjalë për një fillim. Nëse vdekja nis me një fillim, ajo kthehet në forcë; e pra, për ta patur botën, për ta patur qënien ajo duhet “të vdesë”, të mungojë. Kështu njeriu kthehet në tërësisht historik. Kjo do të thotë se në qetësinë e jetës së përditshme krijuesi operon me të fshehtën e tij. Kjo e fshehtë është tërësisht personale dhe priret të mohojë. Është pikërisht rruga që të çon tek e vërteta, tek të tjera të vërteta, ose në një realitet tjetër. Kështu fshehtësia, tani, fillon të duket e të konkretizohet pikërisht, si rezultat i qënieve të munguara. E, kur flasim për mungesa, dalim tek thelbi i qënies. Në këtë proçes “mungese” e krejtësisht vetmitar krijohen veprat artistike. Lexuesi nuk do të dijë për to, ai edhe pa filozofuar rreth këtij procesi, ka përpara lehtësinë e shfaqjes së veprës; atij i pëlqen të zhytet në këtë realitet tjetër plot enigma, informacione e makthe njerëzore, dyshime, supozime, të vërteta e përralla pa fund, madje, ai e di që këto nuk janë të vërteta por ai e përpin librin, pikërisht se është i tillë. Ëndërrat ose taktikat e mashtrimit janë alternativa magjepsëse të artit.

*   *   *

Në një shoqëri diktatoriale si ajo e jona, kur dhe fjala dhe ajri ishte i kontrolluar, as nuk bëhej fare fjalë që shkrimtari dhe artisti të zbriste në honet e vetvetes, të nxirrje në dritë të fshehtat e vetvetes si un, si origjinalitet, përkundrazi:

Ti je qenia shoqërore, ti i ke borxhe partisë e shoqërisë (!) Si njeri shoqëror duhet të krijosh në gjirin e masës e për masën. (!) Kjo është ligjësi e metodës. E kupton tani se liria brenda vetes nuk ekziston? E kupton, që të zhytesh tek vetvetja, domethënë, të zhytesh në boshllëk? (!) Në këtë boshllëk e në vetminë egoiste mbijnë shumë barëra të huaja… (!)

Ti mund të thuash se kjo është e keqe për qënien krijuese, unë them është e mirë. Aspirinë dhimbjeje që përtypet bashkë me të tjerët. E rëndësishme për metodën tonë (RS) është që të mos jesh kurrë “unë - jam” por “ne jemi”. Ti je i detyruar të krijosh psikologjinë e shkumësit, shpirtin e përfaqësimit të klasës, ose të një grupimi shoqëror të lejuar. Të jesh i vetmuar, do të thotë, të jesh i rrezikuar. Vetmitarët krijojnë një bashkësi problematike për rendin, ndaj zbrit në masë! Atje merr pulsin e vetëm të frymëzimit. Vepra jote është produkt shoqëror… ajo s’është vetëm jotja…

-    Po dale!…

Si janë krijuar kryeveprat e letërsisë botërore? Në ç’numër (gramatikor) është Dante Aligeri, Shekspiri, Servantesi, Tolstoi, Dostojevski, Kafka, Verdi, Rembrandi, Shardeni…(?) Shumësa ishin Naimi, Migjeni, Lasgushi… etj.

-    Jo, nuk më duhen këto.

Llogjika dialektike e M-L njeh vetëm vetveten. Dhe artistët e talentuar duhet të bëheshin Agollë (shumës), të zbukuronin fitoret historike, e të bojatisnin fasadat. I duhej të bëhej Kadare; ta pranonte filozofinë M-L dhe metodën, por, tinëzisht e djallëzisht ,aty këtu, të përpiqej të dilte jashtë saj…

Shkrimtarët mesatarë, jo vetëm që duhet të përballonin shumësin, por edhe trysninë e famës së njëshit e dyshit e treshit mbi ta. Sidoqoftë edhe shkritmarët e dobët, bashkë me të shquarit e mesatarët, ndjeheshin të kënaqur si ishin “ ne “, pra dhe ata ndjeheshin shkritmarë. Brenda mureve shtypës dhe izolues, intelektuali kthehet nga emër në numër…; e, nëse je numër, Partia të do, bile krenohet me ty. Dhe ti krenohesh me të…

Në këtë hapësirë komformizmi, brenda mureve, sidoqoftë, liria e krijimit, ka një dozë pavarësie. Është liria që të mëson të mos rrezikohesh. Ata që e njohën këtë “liri” ekzistuan, janë. Të tjerët bënë një zgjidhje tjetër, prandaj nuk janë, ose janë edhe të vdekur.

Nëse shtrohet pyetja: Pse artistët e talentuar (kam parasysh këtu Ismailin dhe Dritëron) nuk i kaluan caqet e lirisë së kufizuar për t’u bërë shembuj të lartë të disidencë? , pra, për të përqafuar lirinë me një arratisje, burg, apo vetëvrasje, unë do kisha këtë përgjigje: Jo. Sepse ata s’kishin predispozita ta mbronin artin e madh me një sakrificë ekstreme, sepse asgjë nuk do ta ndryshonte as regjimin, as librin, teatrin, filmin, ekspozitën, festivalin; sepse, veçse dështohej një i vdekur në listën e të shumtëve; sepse – e kjo është më e rëndësishmja – ata të dy, ndjeheshin të shquar midis të gjallëve, (pse të shquheshin midis të vdekurve? !)

Kush e mohon se jeta me famë nuk është e bukur? Sidoqoftë ata ishin emra. Dhe kur bëheshin listat për rreshtim ata ishin njëshi dhe dyshi. Bërrylat për t’i shmangur nga kreu i listës i priste partia nga lart dhe masa nga poshtë. Kjo statusquo ishte zyrtare, protokollare… dhe kish hijen e gurtë të piramidës.

Sidoqoftë ata ishin emra. Ti mund të thuash emra të mëdhenj ose relative, ose numëra… Unë përgjigjem duke u larguar nga ata: Akti krijues është akti më i lartë i intelektit njerëzor; është akt i shenjtë midis ekzistencës dhe inekzistencës, është akt i njerëzve të përveçëm e trima që realizohen në vetmi, që lartësohen duke e kundërshtuar realitetin dhe çdo gjëndje statuscuoje, është akt i njerëzve të lirë, pa shtysa, porosi e komandë; është imperativ i brendshëm për të ngritur realitete të tjera, është rruga që të ngre te NJERIU…



2.       UN- i i njëshit dhe dyshit





Un-i i Ismailit ishte i tillë sa herë ai zbriste tek vetvetja. E ka njohur poetin “Gjenerali”, “Kronika”, “Pallati”, “Qorrfermani””Prilli”,”Natae sfinksit” e ndonjë tjetër. Nuk janë pak. Poetët e mëndenj nuk kanë kaq ne numur. Vetvetja e tij në udhën e gjatë e të përpjeta të thikta, shpesh do të plagosej, hallakatej e mpakej sepse me copa mishi prerë nga vetvetja, duhet të ushqente shkabën që kërkonte të hante sipas paktit që kish nënshkruar poeti me shtetin. Sidoqoftë ai mbeti emër sepse tinëzisht falë disa rrethanave, shkaba mundi t’i hante mishin, por jo kockën, jo zemrën. (Unë nuk pajtohem me mendimin ekstrem se ky autor e kishte shitur edhe shpirtin). Jo, ai nuk mund të krahasohet me kolegun pas tij. Midis njëshit dhe dyshit kish ndryshime esenciale, si artistë dhe si militantë të regjimit.

Sidoqoftë ata ishin emra. Disa i quajnë princa të letërsisë shqipe. Agolli, padyshim, figurë e zëshme e kulturës shqiptare në këto 60 vjet, Kadareja personaliteti më i shquar i saj. Por vitet ’90 shënuan një tronditje tërmetore në shoqërinë shqiptare, rrjedhimisht edhe në kulturë, e pra, dhe në krebilitetin e figurave kryesore të saj. Nuk ranë vetëm suvatë e regjimit, por edhe muret edhe kollonat. Ishte, padyshim, fillimi i agimit më të madh historik, ku, për herë të parë edhe kombi ynë mori udhën e vërtetë drejt Evropës demokratike. Godina e re, nuk mund të mbahet vetëm në ish figurat, as në ish personalitetet e dikurshme. Natyrisht letërsia shqipe, nuk mund të fillojë nga zerua si një fabrikë jo rentabël, por megjithatë dhe jo si vazhdim. Është në dorë të ish figurave e ish personaliteteve nëse do të jenë vazhdim. E që të jenë të tillë ata duhet të japin prova krijimtarie cilësisht me kahje tjetër, e domosdo, duke mohuar edhe ishin brenda vetvetes.

Më poshtë po mundohem të jap disa mendime rreth karakteristikave kryesore të dy dekadane të letërsisë së Realizmit socialist, me syrin e sotshëm. E thashë. Nuk bëj pjesë në ata që u përulen idhujve. Un-in e dy figurave të shquara të letërsisë e shoh plotësisht të diskutueshëm. Dhe kjo nuk ka të bëjë me dobësitë e tyre, siç shprehen disa, por dhe me vlerat.



*   *   *

Agolli është poet popullor dhe partiak. Kulminacioni i tij u duk tek “Devoll, Devoll”, ku poeti kish marrë baltën e vendlindjes dhe e kish prurë në një torbë në Lidhjen e Shkrimtarëve (Poezia “Shën Pjetri”, një paralele e vonuar e “Devoll, Devoll” s’arrin të kumtojë një informacion të ri. Shën Pjetri i letërsisë cilësore nuk e njeh mëshirën dhe s’ta hap portën e Parajsës me poza lotuese: “Po jam poet, kam ardhur te ky prag / Me vete mbart mëkatet në një trastë / Do përlotet Shën Pjetri plak / dhe unë do hyj i falur në Parajsë”… Pendesa e rrëfimi i sinqertë është inventar i fakteve… Ç’mëkate ke në trastë, poet? Ç’shpirtra ke infektuar? Ç’“Lidhje”  ke zgjidhur e drejtuar?”) Që atëherë kjo “Lidhje” u bë “Zgjidhje”. Qytetari i bukur Agoll, veshur me kollare e kostum evropian, gjithmonë do të kthehej në fshat, ku gjithmonë do ta gjente frymëzimin atje poshtë… Që atëherë asfalti i poezisë qytetare do të shtrohej me baltrat e ugareve e që atëherë ky poet, i nxitur nga Partia, do të vetmashtrohej me enthusiazmë e do bëhej poeti më i dashur i zonave rurale, duke rënë kështu plotësisht në kurthin e simpative masoviste. Talentin e tij e kish mbërthyer dialektika marksiste-leniniste; kjo metodë skematike nuk i çoi poetët shqiptarë në të vërtetat e ditës së njeriut shqiptar, por u pa si eksperiment sakrifice për ideale partiake e vetëm si material historik.

Agolli më i sinqertë në iluzionet e tij komuniste do të vilte duartrokitje popullore e do gradohej nga Partia në të gjitha instancat më të larta të Partisë, shtetit e letërsisë, e, si më i besuari, do të vigjëlonte edhe kundër kolegëve të tij.

Ismaili, me tërësinë e mjeteve artistike në kërkim, do diferencohej gradualisht si poeti i lexuesit intelektual, do ta kishte më të ftohtë entusiazmin e metodës zyrtare dhe, nikoqir si gjirokastrit, do t’i bënte “yzmet” emrit të tij me hapa të sigurtë. I trembur nga diktatura, do të futej në pazare me të e njëkohësisht do ngrinte rrufepritësa për t’u mbrojtur nga Zeusi.

Te Agolli, në poezi e në prozë, shpesh do afroheshin deri në përputhje, letërsia me prapagandën, ai do cënohej si poet e do ngrihej si partiak, i sigurtë, sepse të keqen dhe urrejtjen do ta shkarkonte përtej barrikadave. Kështu pëlqehej nga gjithkush ndërsa Ismaili, më i sigurtë si shkrimtar se si partiak, pëlqehej nga pakëkush që dinte të lexonte. Kjo udhë e çoi tek njëshi dhe vetëm në ndonjë “grip partiak” do rreshtohej pas Agollit. Por gripi nuk vazhdon gjatë. Ai ishte njëshi. Vepra e Agollit, tretësirë e tejngopur, e Ismailit ngjizej në gjëndje kristalore nëpër kryqëzime ngjarjesh historike e mitesh gadishullore.

Tek “dyshi” kish nevojë për drenazhime të thella tek “njëshi” kish etje e metafora kërciste në boshllëk. Edhe duke qënë në krye të listës së shkrimtarëve, të dy i ruheshin rrëshqitjes. Ata e dinin fort mirë se arti i vërtetë është e përpjetë e rrëshqitshme, por ata nuk rrëshqitnin; brenda metodës e shpesh kundër saj, atyre, si balerina të zgjedhura, ua kishte bërë partia këpucët me thumba…

Është e natyrshme se në krijimtarinë e gjerë e të shumëllojshme të dy të kishin edhe vepra të dobta. Problemi qëndron se dhe për vepra të dobta, thellësisht partiake e skematike, ata kurrë s’e kanë mbushur gojën të distancohen nga to, përkundrazi, përpiqen t’i justifikojnë e t’i mbrojnë me çdo kusht. Ata duan të jenë dekanë të letërsisë shqipe, për inercinë e emërimit si të tillë, në një kohë tashmë të përmbysur.  Ata duan të mbeten të gjallë të shquar edhe për pjesët e tyre të vdekura dhe u mungon guximi moralo-qytetar për t’i mohuar pjesët, që i shitën me dëshirë ose u detyruan t’i shisnin. Ata kurrë nuk u tunduan për ta flijuar arsyen krijuese të komanduar nga ideologjia partiake. Ata e kishin frikë lakuriqsinë e realitetit të njeriut shqiptar dhe kurrë nuk e panë të arsyeshme të heshtnin kur, nën ingranazhet e RS, gjenia e tyre kish arritur pikun e s’mund të thoshnin asgjë më. Ata ishin lumenj të zakonshëm që ecnin drejt rrjedhjes si të gjithë lumenjtë që shkasin në det. Uji i tyre i bollshëm, kurrë nuk eci kundër rrjedhës për kah burimi i artit të madh.

Lënda e letërsisë është fjala e lirë. Realizmi partiak socialist e kufizon përmbajtjen e saj dhe i trembet trajtësimit të lirë. Kështu fjala ishte e penguar, e belber. Asaj i kufizohen mundësitë e pakufishme në mjediset socialiste, anipse, kështu rrafshohet uni poetik, ai kompleks mjetesh e teknikash që e bëjnë iks poet e artist të ndryshëm nga tjetri. Un-i poetik brenda metodës nuk mund të ngadhnjente në kapriçiot e pafundme të fjalës e të shprehjes. Por letërsia si ndërtim specifik i shpërfill dimensionet e kallupeve; ajo, intuitivisht krijon lidhje të veçanta me botën. Llogjika e poetit është mbret i çudirave që s’i kap dot syri i zakonshëm. Kështu të themi, në llogjikën e pavarur relative, ai ndërton të veçantën e tij, un-in – si domosdoshmëri për ta evidentuar si poet e për ta dalluar nga të tjerët. Realizmi socialist nuk e honeps këtë “Un” dhe krijon e dikton “Un-in” e “Ne-ve” ose emëruesin e përbashkët, duke dëmtuar më tepër talentët e fuqishëm. “Ne-të” poetike ose shumësi i Un-ëve, vrasin letërsinë origjinale duke e nënshtruar të veçantën të këndojë në kor, nën thuprën e dirigjentit.

Duhet të pranojmë se njëshi dhe dyshi, komodë në rreshtimin portokollar të vlerave, ishin më të lirë, më me imunitet e kjo i bëri edhe më të guximshëm, jo vetëm në lehtësinë e botimit, por në ndërtimin e emrit të tyre, ose në Un-in poetik.

Un- i tyre u përcaktua midis poetit dhe autoritetit moral. Ai ishte i privilegjuar sepse më i mbrojtur. Të kritikoje Dritëro Agollin domethënë të kritikoje anëtarin e KQ, deputetin dhe kryetarin e Lidhjes. Të kritikoje Ismailin, domethënë të kritikoje njëshin diktatorial të pushtetit letrar, por njëkohësisht më të mirin dhe më cilësorin nga të tjerët.

Autoriteti i tyre mbajti nën hije, për të mos thënë nën shtypje, dhjetra talente të tjera në të gjitha gjinitë. Kështu do mbeteshin në hije tregime shumë të mira të Faik Balancës, Zija Çelës, Koço Kostës, Vath Koreshit, Nasi Lerës,Shefqet Tiganit, etj., etj., do nëpërkëmbeshin poezi të mrekullueshme të Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Bardhyl Londos, Frederik Reshpes, Faslli Halitit, Sadik Bejkos Ndoc Paplekës, Hiqmet Meçes… etj., etj.; për të mos përmendur të vjetrit që, gjithashtu, do të përbuzeshin si përfaqësues të traditës pa shkëlqime cilësore në letërsi, por të portokolluar nga Partia si njerëz me merita luftarake e patriotike. Mbi  të gjitha Un-et poetike ngrihej “un-i” i partisë dhe i udhëheqësit si autoritete absolute.

Nëse të urtët e poezisë i thonë njeriut “Bëhu si unë” (Brodski), shqiptari nuk kish guximin të thoshte bëhu si Ismaili ose si Dritëroi por “bëhu si partia, si klasa punëtore”.

Le të shohim më nga afër Un-in e tyre: Natyrisht te I. Kadareja ky është më i dukshëm dhe më origjinal. Ndoshta nga shkrimtarët e rrallë në Shqipëri që Un-i i tij nuk u bë “ne” e “kooperativave të tipit të lartë”.

*  *  *

Dhe megjithatë “Un” i plagosur…

Objektet dramatike që fokuson Ismail Kadareja në prozë janë të sferës intelektuale. Historia e letrarizuar,  mithet, aktualizohen në kryqëzime dilemash të njeriut shqiptar. Vepra e tij shtron pyetje, afron zgjidhje dilemash e është e ngjeshur me ankth, ndëshkime, drama fatalizëm në një fushë absurdi e kaosi. Ai na detyron t’i shohim sendet tona larg nesh, në kohë të tjera e vende të tjera. Njeriu i tij (shqiptari) është në ferr, në qiell, dhe në tokë në dhera të tjera, Rusi, Turqi, Persi, Kinë, Egjypt… Me këtë largim objekti, ai ishte më larg fenerëve të kuq, partishmërisë proletare realizimit karakterit kombëtar e popullor e dokrrave të tjera të RS.

Po ta marr të saktë mendimin e E. Poe-s se “në trajtesa të tilla gjej mendimet e kohës” do të shtoja, në rastin Kadare, se këto mendime nuk iu kundërvunë kohës e rrjedhimisht nuk mund t’i flisnin të ardhmes shqiptare, busullën e së cilës nuk e kish në dorë poeti. Mesazhet e tij përgjithësisht merren edhe ashtu dhe kështu, dhe pro dhe kundnër e, njëkohësisht tabela qitjeje dhe parzmore mbrojtëse në gjoksin e tij si autor. “Pallati i ëndrrave”, p.sh., përshkruan një irralitet të një sulltani në Turqinë e hershme. Organika administrative e mbledhjes dhe e seleksionimit të ëndrrave të miletit, për t’ia paraqitur Sulltanit, që ky të shikonte rrezikun e pastaj të organizonte mbrojtjen, kupto goditjet e rafinuara të tij, të kujtojnë, mirëfilli, goditjet e Sulltanit shqiptar kundër grupeve armiqësore, që, më tepër se armiq realë, ishin gjithashtu të ëndërruar nga vetë ai (kryeëndërra)… Ky pallat të kujton pallatin shqiptar (KQ) ose redaktorët e veprave me kapak të kuq… “E, jo – mbrohet autori – është thjesht një divan turk…” S’është faji i autorit që daullet bien për ato që kanë veshë… “Edhe fjala më e bukur, thotë Gëtja, kthehet në moçal nëse ai që e dëgjon e ka veshin të shpuar…

Ose “Kështjella”. A është kronikë lufte në rrethim, ku ndrit heroizmi i qëndresës shqiptare në shek XV, apo aludimi kompromentues i Kështjellës së pamposhtur socialiste? Sidoqoftë si kështjella e parë me mure të murrme dhe e dyta me mure banderolash, kanë rezultuar jo kështjella, por gërmadha. Është pjella e entusiazmit heroik mesjetar, që gjithmonë e gjithmonë, na ka lënë pas shijen e hidhur të humbësave të mëdhenj.

Heroizmi, nëpërmjet epiko-lirizmit, nuk i ndahet Kadaresë. Edhe simbolet, edhe paralelizmat, mbirë dendur në veprën e tij, nuk e kanë shpëtuar nga jehona e moteve të mëdha” të eposit ose të bëmave të Skënderbeut me të cilët Migjeni kish bërë divorcin e prerë në vitet ’30 për të hapur udhë të reja të njeriut shqiptar. Unë pyes: Pse e riktheve Dorontinën, poet?

Ne e dinim kush e solli atë. Për mendimin tim, shvidhoset legjenda e vjetër. Teknika e të shkruarit si libër dedektiv, nuk i shton gjë legjendës. Edhe mesazhi i saj, afruar në fund të shek. XX, gjithsesi është i dyshimtë. Pse duhej rikthyer ajo? Dëshira kolektive popullore, ëndërra, mezi e kish martuar atë larg, si mundësi force biologjike dhe morale. Dhe mesjeta e lashtë e kthen atë duke e vulosur aktin e besës deri në absurdin metafizik. Nuk mjafton kjo? Pse duhet ta shkatërrojë jetën Dorontina? Pse duhet t’ia hipi kalit të vdekur, me vëllanë e vdekur për të vdekur?! Kjo Dorontinë e Kadaresë, më duket më e zbehtë se ajo e popullit. Ajo tingëllon edhe më e stisur edhe më hipokrite sepse fosili i besës, tani dalë boje, kish vërtetuar katërcipërisht se shqiptari është dhe i besës dhe i pa besë, dhe fisnik dhe i poshtër, më saktë: si të gjithë.

Të njëjtat shqetësime më lindin edhe për legjendat e tjera për ndërtim kështjellash (Rozafa) apo urash, për mite apo balada që autori i ka mjelur deri në pikën e fundit të qumështit. Shpesh flijimi në eposin shqiptar e më vonë, është montuar edhe mbrapsht. Ai flijim kundër jetës që bëhet thjesht si pozë bese apo pozë heroizmi e ngarkon ëndërrën me terr të panevojshëm. Gjaku i shqiptarit është derdhur Xhaba dhe ai ka kushtuar më pak se lëngu i gelqeres.(!) (Më duket më realist R. Qosja te drama “Beselam, pse më flijojnë”, ku personazhet e tij ndeshen për flijimin dhe përcaktohen si njerëz realë për të ndërtuar kështjella e mure izolues, apo ura lidhjeje?) Të mos harrojmë se flijimi ishte koncept bazë i psikologjisë komuniste. Fli për Partinë, për Enverin, për idealin, për të ardhmen etj., etj., ishtë slogan i përditshëm. Aq më keq kur virtytet ose mosvirtytet e një bashkësie, apo populli, jepen si kumte qiellore e fatale, kur dihet, se dhe vetë hyjnitë janë të dyshimta dhe ato bëhen reale në mos ekzistencën  e tyre. Asnjëherë këto kumte, nuk kanë treguar udhët e progresit. Ndaj lexuesi i Kadaresë futet në mendime e ndjehet i ftohtë. Kjo ka të bëjë edhe me tharmin e fuqishëm letrar, sidomos në aftësinë magjike që ka autori në përdorimin e fjalës, por edhe në kërkim të një strehe komode që të mos arrijnë shigjetat e kritikës.

Është interesante një dukuri midis Ismailit dhe Gjergj Fishtës. Nga të shquarit e letërsisë këta e kanë shkruar veprën duke banuar brënda, në Shqipëri. Gjergj Fishta operon me njerëzit që e rrethojnë. Është kaq e dukshme kjo sa përsonazhet e tij identifikohen me njerëz realë e historikë. Kjo ka përcaktuar edhe problematikën e njeriut shqiptar, kryesisht në marrëdhëniet me armiqtë tradicionalë, serbët dhe osmanët.

Ndërsa Ismaili, duke qendruar në mes të Tiranës e ka gjetur shqiptarin larg brigjeve shqiptare, larg kohës së tij duke e përthyer atë në pasqyra të tjera. Duke peshkuar në zonat dramatike, gjithsesi të mbështjella me mjegull, ai kërkon modele të njëjta me fate të njëjta, ankthe e fate të njëjta, virtute e vese përçudnuese. Kadareja është shkrimtar i rezonancave dhe i dilemave të botës shqiptare. Natyrshëm në një letërsi të tillë lindin disa pyetje: Jehona dramatike e historisë së shqiptarit mos është rezonancë e dikaturës gjysëm shekullore komuniste? Mos drama e njeriut shqiptar, ngujuar në një regjim antinjerëzor, është e njëjtë me ato që njëqind apo njëmijë vjet të shkuara dhe historia riciklohet me të njëjtat fate me personazhe të reja? Njeriu shqiptar i Kadaresë është i zhytur kokë e këmbë në dramë. Ai është dhe dhunues edhe viktimë, shkaktar dhe pasues; më i gatshëm të përqafojë një akt tragjik se sa një akt lirie, një vdekje të bujshme se sa një kompromis paqeje. Ky moral i kohëve primitive të shpatës dhe të dyfekut, nuk mund të shërbejë si moral i kohëve të reja. Apo mos është një trill për t’i gjetur strehë një mesazhi aktual? Ndoshta! Tragjeditë janë të denja për tiranët, që pasi kanë ngritur piramidat e tiranisë, përgatitin fundin e tyre, varrin piramidal. A thua, Keopsët, sulltanët, stalinët janë të njëjtë? Sidoqoftë një çadër për të mos u lagur nga shiu i realizmit socialist…

Mund të thuhet se arratisja e shqiptarit në veprën e Kadaresë është gjetje e tij subjektive. Dakord, shkrimtari nuk paragjykohet në gjetjet e tij. Madje unë shtoj se ai kërkonte lirinë e të shprehurit, fjalën e lirë, atë që i mungonte. Bukur fort. Por pse dhe në veprat e mëvonshme, shkruar në liri, vrapon pas mitit, legjëndës?

Kam parasysh tre-katër vepra të shkruara pas 1990. Duket se kjo i është bërë mani. Duke e larguar shqiptarin në kohë e në hapësirë, larg tokës së tij ku punon, ha e urinon, vetëm e vetëm që të rrjedhin prej së shkuari, prej së larti, prej së largu mesazhet dhe idetë, aluzimet dhe deziluzionet e tij, mendoj se ka krijuar edhe një pengesë në narracionin e lirshëm, duke mos e shmangur dot stilin e njëjtë, monotoninë dhe zvarritjen. Shpesh hamendësitë e tij filozofike e rëndojnë letërsinë. Ai përshkruan pistat e dramës e të krimit, më tepër se njeriun me një fytyrë të individualizuar, që e ka dramën mbi shpinë. Ai gjendet midis Sartrit filozof dhe Sartrit shkrimtar, ndaj i mungojnë personazhet. Ai i flet të sotmes nga e kaluara e vdekur, nga trojet inekzistence të ferrit apo parajsës, nga retë e dendura të baladave. Ky është një akt mosbesimi. Atdheu i Kadaresë (vetëm në veprën letrare) zbulohet pjerrtazi në histori, në stacionet e dramës në mesjetën e egër ose dhe më larg në shtratin e miteve të Ballkanit. Si kronikan i ftohtë m’i bën mëngjeset të akullt. Kjo është preference e tij që s’mund të them si shumica enthuziaste se qenka gjeniale. Mjafton të them origjinale. Atdheu i tij është sajesë çapërrlyer baladash të gjakta. Letërsia e tij nuk iu shmang dot heroizmit dhe epizmit. Dhe nëpër oazet lirike, që çel aty këtu nëpër shkretinën e njeriut, letërsia e tij ka një frikë të brendshme; sythet e gjelbra të njeriut janë të mbuluara me brymë. Aludimet kundër regjimit komunist në veprën e Kadaresë arrinin vetëm tek një pëllëmbë ironike. Me veprat e tij regjimi mund të jetonte edhe njëqind vjet, pa i hyrë gjëmb në këmbë. P.sh. : Te “Ura me tre harqe” (1975) një murg katolik i shek. XV tregon nga altari i kohës “për rreziqet, dhe gjëmat që e presin këtë vend” Bukur fort! Pse ke frikë?! Justifikimi i autorit se “në një vend komunist vetëm udhëheqësit kishin të drejtë të flisnin për këto gjëra”, më duket i tepruar. Frikë e kotë. Është fjala për 4-500 vjet para… Pastaj, dhe e pranon tmerrin që shkakton imitimi i hyjnisë, nëpër poza atë që bëri Folkleri a Borgesi, nga ana tjetër dridhesh se duhet të bësh një flijim. Për njerëzit e penës së hollë, vetë procesi i krijimit është dhe proces flijimi, (jo në kuptimin e Rozafës) por poeti që vendos të shpallë fjalën është nisur vetvetiu në bejlk të trimave.



*  *  *

Un- i Agollit noton me elgancë në sipërfaqe, i kënaqur se duartrokitet nga masa. Ai është shprehës direkt, lehtësisht i lexueshëm se personazhet, vendet, veprimet idetë apo mesazhet janë të veshura me kostum kombëtar, të ndriçuara nga mësimet e partisë. Ai është fort i mbështetur në traditën folklorike, apo poezinë e Rilindjes, prandaj dhe “i pagabueshëm”. Që në fillesat e tij si poet, përqafuar me iluzionet komuniste, mbeti i tillë dhe nuk u tundua nga zhgënjimet. Me ndershmëri primitive e burrërore ai pranon ta pijë deri në fund gotën e verës pa le të vejë në djall. Mendësia konservatore e provinciale voton në favor të tij. Un-i i tij si poet u formua duke mjelur me ustallëk poetë të mëdhenj si Esenini, Bërnsi, Lorka etj., ose Naimin dhe Santorin tonë. Proza e tij të kujton qindra romane të letërsisë sovjetike me karaktere të prera për luftën, qendresën, në përleshje me armiqtë e klasës. Përsonazhet e tij komisarë, partizanë, njerëz  të popullit a të klasës me mesazhe të stërnjohura “të fitores” “të të përbashkës”. Se Memot janë të të gjithëve dhe nderin e kanë në mes të fshatit. Në prozën e tij ka personazhe të spikatura që kanë një fizionomi origjinale. Kapedanët e tij, pleqtë e tipit Mere a Mato kanë mish e lëng shqiptari, paçka se konservatore, me mustaqe, takie a poture të leshta që grinden me gratë. Bashkohen me kritikën se romani më i mirë i tij është “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Autori ka meritën se e ngriti shigjetën kundër një punonjësi të lartë të administratës dhe parodizoi burokracinë e paaftësinë nëpërmjet një humori të shëndoshë popullor. Ama, gjithsesi në kuadrin e luftës kundër shfaqjeve të huaja, ama gjithsesi në kuadrin e mësimeve të partisë.

Pozicioni i tij në krye të partisë dhe të letërsisë e bëri poetin komunist të vendosur (në vepër flasim), të guximshëm dhe të sinqertë në iluzionet e tij. Ai ka meritën se në një libër tërësisht të kuq, si “Komisari Memo” na dha figurën e Sali Protopapës si ballist trim, jo si ballistët e Sh. Musarajt, frikacakë e personazhe kotecesh për të ngrënë pulat e popullit. Është tepër shpifarake e neveritëse, parodizimi i një figure gjiganteste siç qe Mithat bej Frashëri, në penën e ngjyer në shurrën e partisë. Unë desha ta justifikoja D. Agollin si poet të lindur, me një “Un” të veçantë por… Poezia e tij për fshatin, për natyrën, njerëzit dhe kafshët është poezi e ndjerë. Ai ka lirika shumë të bukura, ku duket sikur këndon, jo sikur shkruan. Adhurimet e tij emocionale për lulet, gjethet, myshqet, kulprën, fluturën, erën, lumin, deshët, cjepët, kalin a sorkadhen; ajo ëmbëlsi fjalë e ngjyrë zbulon befasinë e bukurisë dhe të gjitha së toku, të kujtojnë një simfoni të çuditshme të natyrës e fshatit shqiptar, sa e bën poetin vëlla me mua e me ty, por edhe me fluturat, erën dhe burimet. A mos vallë donte të shmangte hallet e asaj shoqërie të marrosur që kish marrë revan ndaj së keqes? Nëse do të ishte kështu atij do t’i mbeteshin lirika edhe më të mira edhe se të Lasgushit.

Disa nga tregimet e tij të viteve ’60 e deri në më të mirat tregime të prozës shqipe të viteve ’80 që të kujtojnë Koliqin apo Kutelin, D. Agolli eksploron mjeshtërisht në shkakësi e pasoja përtej sociales e në mënyrë të beftë me gjetje origjinale ndriçon mistere të botës së njeriut. Por, …fatkeqësisht për atë si poet ai ishte në krye të së keqes. Ai me të njëjtin afsh i këndon partisë, komunizmit, Luftës së klasave partizanëve e komisarëve, njeriut të ri… Këtu nis tatëpjeta e poetit. Dritëroi na njeh me “baballarët” tanë e “Nëna Shqipëri” nga pozita thellësisht partiake e konservatore, me një epiko-lirike, të pompuar fasadash heroike. Dreqi ta hajë! Babai dhe nëna e shqiptarit s’ishin njerëz që hanin, grindeshin, punonin e pillnin… por vetëm që luftonin e fitonin, që e paskan zënë topin nga gryka… Dreqi ta hajë! Me barut janë ushqyer baballarët tanë?! Dua të besoj se këtu nuk fliste poeti por partia. E kur flet partia me gojën e poetit mbaron poeti e rron partia. Amin!



*  *  *

Të kishe un-in tënd të shikonin vengër zyrat nga lart por dhe cmira e verbër nga poshtë. Subjektiviteti i pasqyrimit artistik, shoqërohej me telashe e kalonte rrezikshëm nëpër fenerë të kuq. Karambalet (poet-shtet) ishin të egra e i plagosuri ose i vrari ishte gjithnjë poeti.

Ç’të bënte poeti? Të komformohej apo të karambolohej? Atij i afroheshin kallupe, skelete parafabrikatesh e në këto i duhej të derdhte personazhet e tij, njerëzit e zgjedhur të klasës porositur e prerë në kantieret estetike të zhdanovit e që me aq sukses, sipas atij modeli, ne kishim zhdanovikët tanë në punishtet tona. Nëse personazhet e tij nuk përputheshin me madhësinë e kallupeve, shkurtojua këmbën a krahun a trupin, nëse personazhi yt është më i vogël se kallupi, atëherë fryje gjymtyrësh, që të afrohet me punëtorin e uzinës, muskuloz e i fuqishëm si klasa! E keqja ishte se këto masa modelesh, duhet t’i kishe llogaritur vetë pa t’i thënë redaktori i cili, gjithashtu do ta kalonte në filtrat e veta, para se të botohej libri. Në këtë raport autoçensurë e çensurë duhet të përcaktohej un-i yt e nëse ishe i talentuar, por larg kupolës letrare të RS, ishe i destinuar të shigjetoheshe ose të harroheshe. Të tjerët, mesatarët ose të dobtit, bëheshin numëra dy-tre shifrorë.

Mbi të gjitha ti si shkrimtar duhet të çensuroje, ose të gjymtoje cilësinë e lëndës, shpirtin e njeriut shqiptar, që gjithsesi kërkohej të kishte shpirtin e klasës apo të shtresës që përfaqësonte… Atij (personazhit) i ishte ndaluar qënia, individualja; ai duhet vetëm të jetë përfaqësues – njëfarë qënie mesatare shoqërore ku lexuesit duhet të gjejnë vetveten.

Kështu na erdhi njeriu shqiptar me veprën e realizmit socialist, sakat e shëmtaraq, i montuar, sajuar leckash e kockash. Dhe është i lumtur, i shkreti! Punon, djersin, copëtohet edhe të dielën e pushimit, për ditën e Enverit apo ditën e festës… Dhe është dhe duhet të jetë i lumtur se po sakrifikon për shoqërinë, për revolucionin, për brezat…

Të paktën Kadareja nuk ra në këto pozita. Ai e ruajti seriozitetin e shkrimtarit dhe un-in e tij më me dinjitet se të tjerët. Por ama, po të krahasoj dhe me të mirat vepra të asaj kohe me letërsinë moderne perëndimore, nuk mund të them se ishte as madhështore as gjeniale.

Nëpër qindra personazhe edhe në veprat e ashtuquajtura të shkëlqyera e gjeniale të RS nuk mund të gjendet një Romeo, një Don Kishot, një Faust, një Karamazov apo një Uliks.

Edhe përsonazhi ynë më i mirë ishte i privuar të dehej nga bukuria e vërtetë e njeriut, i privuar të çmëndej në atë kohë ku marrëzia ishte bërë normë, i privuar të puthte, të bënte seks, të vriste veten, të mendonte me kokën e tij… se truri ishte pronësi e partisë dhe e udhëheqësit.

Andaj them se poeti s’mund të zbriste në honet dhe misteret e krijimtarisë së lirë, ai s’ishte vetvetja. Dhe më i fuqishmi s’mund të mbetej pa u plagosur. Dhe më i fuqishmi, që s’pranon të ketë ushtruar mbi të ndikimi i edukimit komunist, është i pabesueshëm sepse ai ishte ajër, frymëmarrje e detyrueshme ekzistenciale e s’mund të ishte steril me kundragazin ditë e natë në hundë. Ndaj epitetet e pakursyera të kritikës puthadorëse ndaj njëshit e dyshit duhen thjeshtuar e kuptuar vetëm në relativitetin e tyre.

Dua të pranoj se realizmi i Kadaresë i ngjan atij të M. Shallohovit – refuzimit të kanuneve orthodhokse të metodës, ose Pastërnakut që, gjithsesi, nuk arrit në kontestime të qarta sepse narkoza e iluzioneve kish lënë gjurmë në organet vitale.

Duke qëndruar pranë Olimpit ai ka meritën se i pa me dyshim punët e Zeusit. Në të gjithë shefat e shtetit me emra faraonësh, sulltanësh e pashallarësh lexuesit të Kadaresë i përqaset fytyra e diktatorit shqiptar.

Duke mos qënë megjithatë Promete, ai voton kundër Zeusit dhe bëhet palë me njerëzit që duan lirinë dhe përparimin. Kjo është sfida e tij, ndoshta më e zgjuara nga të gjithë poetët e lindjes. Me mençurinë dhe dinakërinë e tij, ai gjeti një pozicion që i buzëqeshte me dashamirësi Zeusit dhe nga ana tjetër i përgatiste demaskimin dhe rrëzimin. Kjo s’ka të bëjë me moralin e besnikërinë por me krijimtarinë, artin. Sidoqoftë aty këtu dyshimi të gërryen: kur iluzionet e tij u kthyen qartazi në deziluzione, nuk duhej që t’i kushtonte ditirambe shkaktarit, që kish plagosur e vrarë, jo vetëm iluzionet e tij, por ëndërrën e të gjithë bashkësisë shqiptare. Nuk ishte akti i pagimit të një takse oportune për vazhdimësinë por akt pseudopersonaliteti, ose humbjeje.





X
Shteti dhe poeti


Shteti dhe poeti janë dy nocione të dashura të Kadaresë. Raportin midis tyre ai e ka temë të preferuar të krijimtarisë së tij dhe një nga kryebisedat e viteve pas diktatoriale. Shteti diktatorial tek ai etiketohet si bishë, si hijenë… ose vrasës me thikë në dorë, ose shkabë që do të hajë mish njeriu…

Kadareja disa herë ka bërë radioskopinë e mushkërive të shtetit diktatorial e me të drejtë analizon se ky lloj shteti priret nga kërcënimi i përhershëm ndaj qytetarit, për ta mbajtur atë në zap, të kontrollueshëm e të ndëshkueshëm deri në më të egrat ekstreme si pengimi dhe marrja e jetës. Frymëmarrja e diktaturës është e frikshme. Mushkëritë e saj hapen e zgjerohen kur mbyllen të tuat. Tërësia e mbledhjeve, diskutimeve, thirrjes diku në zyrat e komitetit apo të Degës, kritikat, autokritikat, qarkullimet, heqja nga shtëpia ose nga qyteti, largimi nga puna etj., etj., ishin veprimtari të zakonshme ndaj qytetarit në përgjithësi e ndaj intelektualit në veçanti. Në këto marrëdhënie, spiunimi u bë normë morale, besnikërie, nderi, zgjuarsie e patriotizmi të “kulluar” e synonte goditjen e qytetarit. Në këto marrëdhënie qendronin bazat e regjimit. Ai shtet arriti të ketë në pasqyrën e vet pamjet më të lakuriqta të ligësisë, egërsisë, cinizmit njerëzor. “në këtë shëmti – thotë Kadareja – ka vendin e vet Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve, qytetari dhe krijuesi”. Fatkeqësisht kështu!

Kështu shteti dhe poeti kanë frikë dhe e përçmojnë njër-tjetrin. Shteti heton, urdhëron, vendos. Poeti s’ka asgjë në dorë, veç ëndërrën dhe bindjen. Të bindësh do të thotë të hash diçka nga vetja “si copa mishi që duhet t’ia futësh shkabës në gojë”; nëse s’bindesh, më keq, atëherë bën siç thonë, përshtatu,  konformohu, mbaj iso në kor!…

Në krijimtari autoçensura ishte më vrastare se çensura dhe vjen e bëhet një hije e përhershme si e policit hetues, një intrigë e ëmbël që ledhaton vetveten, një parahelm imuniteti para se të helmojë. Pasojat dihen: “vepra të përçudnuara”. Dhe më e keqja është se “pastaj duhet të fillojë t’i dojë këto hibrite monstruoze, pa kokë, pa trup, pa organe…” “Dhe ti i quan vepra të arrira” (Thojzat të I.K.)

Plagët e poetit nuk janë në trup, por në shpirt, në vepër. Shteti të vriste veprën pastaj të kërkonte gjyqin fizik. Kështu poeti e përthyente vetveten nga çoroditja e përgjithshme, nga verbëria dhe marrëzia kolektive… Nuk të shpëtonte as “heqja dorë nga letërsia” as heshtja se ishe i detyruar të justifikoje statusin e vetvetes si krijues. Ishe i detyruar që fytyrën e poetit ta mbulojë me maskën e shtetit deri sa maska bëhet pjesë e lëkurës dhe poeti s’është më. Lufta dhe përpjekjet e qindra poetëve për të ruajtur fytyrën e vet, pa e braktisur maskën, ka qënë një golgothe që ka ngrënë shumë talente. Ata që i rezistonin poetit, dilnin nga vetvetja, harronin fytyrën e poetit dhe bëheshin “të shquar”, “të preferuar” me maskë, ose si të tërë.

Unë dëshiroj ta ndaj poetin nga vepra, t’i jap veprës atë pavarësi nga autori konkret deri në të drejtën kushtetuese që ka autori (si deputeti) për të mos mbajtur përgjegjësi për ato që thotë. Por, siç kam theksuar diku në faqet e këtij libri, mendësitë provinciale e mediokre i lidhin domosdoshmërisht bëmat në vepër me bëmat e poetit. Në këtë kurth ka rënë dhe autori ynë i shquar, duke i hapur një telash të madh vetvetes.

Them kështu sepse kronika e tij në shtet flet për të si njeriun e zgjedhur nga shteti dhe, duke qënë në llozhën e shtetit totalitar, me ndihmën e pakursyer të tij, ai bëhet shkrimtari më i famshëm i vendit.

Ja kronika e poetit në shtet. Pa koment.

-    1958, student në institutin “Gorki”

-    1965, jo vetëm ishte i zgjedhur i shtetit, por edhe kritikat ose ndalimet e përkohshme të ndonjë vepre, nuk synonin goditjen e tij.

-    1965-68, (Vitet më të rënda për shumicën e shkrimtarëve), por ai me “Gjeneralin” ishte bërë gjeneral i letërsisë, me dekorata edhe nga të huajt.

-    1968. Ismaili do shkruante: “Për herë të parë kuptova qartë se ç’tmerr është të jesh i njohur në një vend stalinist, që drejtohet nga një tiran sa i egër aq dhe dinak dhe që, për fat të keq, e mbante veten për shkrimtar”.

-    1969-72. vite mjalti se shkruhej “Dimri i madh”. Nën këtë imunitet absolut shkruhen “Kështjella” dhe “Kronika”

-    1970, deputet.

-    1972, anëtar i PPSH.

-    1975, incidenti i “Pashallarëve të kuq”.

-    Në prag të viteve ’80, shkrimtari më i njohur brenda dhe jashtë vendit!

(Dhe kur përbrenda përgatitej ndonjë dackë për ta mbajtur në fre, ai kthehej nga Franca si princ, mbuluar me lëvdata nga metropoli i kulturës evropiane).

-    Më 1988, “për shkak të njohjes isha i paburgosshëm.” (Frika për të kundërtën, alibirat më përndjekës e sigurimës, lidhja e frikës me eliminimin e M. Shehut, K. Hasbiut etj. më duket se janë pjellë e fantazisë).

-          1989, arratisja spektakolare në Francë.

-          1990 e vazhdim, gjithnjë pranë shtetit e larg shtetit, në krye të propangadës për shtetin e ri shqiptar dhe një nga figurat më të zëshme të demokracisë së brishtë shqiptare. Ky është qytetari Ismail Kadare.

“Maskat ia vrasin fytyrën tiranit”, por dhe shkrimtarit.







A - Pranë kopshtit të Edenit


Koha e terrorit Stalinist ishte mbretëria e poetit të varur. Në një bisedë të shkritmarit amerikan Filip Roth me të shquarin Milan Kundera, ngrihen probleme për regjimin komunist dhe letërsinë, të njëjtat për çdo vend. Ashtu si “Ferma e kafshëve” e Oruellit. Derrat ishin kudo identikë. E thotë populli ynë: të gjithë derrat kanë një turi. Ai regjim ishte i mbërthyer në kontradikta të papajtueshme. E çuditshme është si jetoi aq gjatë, megjithëse e prezantoi veten që në Rusinë e Leninit si ferr i popujve. Kundera spjegon : “Totalitarizmi nuk është vetëm ferr, por edhe ëndërr e Parajsës, maska e dramës së vjetër të botës”. Nëse totalitarizmi nuk do premtonte mirëqënien, lumturinë, Parajsën që kishte rrjedhur si shpresë brenda njeriut nga besimet mijëvjeçare, kurrë nuk do kish mundur të tërhiqte miliona njerëz. Ai u rrënjos si besim si një besim i madh dhe i shenjtë i barazitizmit, madje dhe kur ra, megjithëse fjala “komunist” sot nuk thotë asgjë, në miliona njerëz, së brendshmi ka mbetur shpresa në të, besimi, si fosil i mendjeve të palëvizshme.

Leninstalinistët, kudo, me të ardhur në pushtet premtuan të ulnin Parajsën në tokë, u vetshpallën udhëheqës të saj dhe, nga punët e para të lavdishme që bënë, pranë kopshtit të Edenit, (në atdheun e lumtur socialist) ndërtuan një vend të vogël burgimi apo internimi. Atje në krah të Edenit, ta zëmë në Kalanë e Gjirokastrës që u grumbulluan kundërshtarët e parë, të destinuar për zhdukje. Pastaj siç dihet “Kalaja e Gjirokastrës” burgu i rëndë mesjetar, polli burgje të reja kudo. Kopshti i Edenit u zvogëlua u vyshk e u zvenit, u zvogëlua dhe mbeti vetëm një ëndërr për nesër… Harta e krimit rrethoi “Kopshtin” rreth e rrotull e në vend të pemëve “të së mirës” u mbollën pemët “e së keqes”. Të gjithë, pa përjashtim, ishin gati të mëkatonin, dhe “molla e ndaluar” ishte dhe fjala, e kryesisht fjala, fjala e lirë, e sidomos fjala artistike.

Ka një libër M. Kundera, ku tregohet se poeti i madh francez Eluardi fluturon mbi Parajsën e ëndërruar dhe kudo sheh burgje, kampe përqendrimi, e fshatra internimi… Po ç’ndodhi? Në vend që poeti i madh të vinte ulërimën, braktisi surrealizmin dhe u bë altoporlant i totalitarizmit. Poeti naiv, rob i iluzioneve…, midis Djallit dhe Zotit… “Djalli qesh sepse bota e Zotit i duket pa kuptim; Ëngjëlli qesh me gëzim sepse gjithçka në botën e Zotit i duket me kuptim”, e pra, midis tyre ai zgjodhi rrugën e Djallit… I shkreti poet! U këndoi sinqerisht iluzioneve, që penetronin me emra të sheqerosur, paqe, vëllazërim, lumturi, miqësi, gëzim, harmoni… (si të gjithë Agollët tanë). Por… Më 1950, sundimtarët e “Parajsës” dënuan me varje poetin surrealist Zalvis Kalandra, mikun e madh të Eluardit… Dhe poeti i madh (si Dritëroi ynë) e miratoi ekzekutimin e mikut të tij. Xhelati vrau, poeti këndoi. (Ndërsa poeti ynë i madh, jo vetëm që miratonte por merrte dhe nisiativa akuzuese, natyrisht, në emër të Partisë dhe të Kauzës) natyrisht ndaj u pushkatuan Xhogika, Blloshmi, Leka, ndaj u var poeti… ndaj u vetvra Qurku dhe Ballanca, ndaj u dënua Petro Markua dhe i biri, ndaj u burgosën Visarët, Velot, Halilët, Xhaferët,Gjinët ndaj u u mohuan Fishta e Koliqi, Kuteli e Lasgushi, e dhjetra të tjerë nga ajka e inteligjencës, sidomos katolikë…

Shifrat janë alarmante. Në një territor prej 28.000km2, në trupin e parajsës shqiptare, u çelën mbi 100 burgje e kampeburgje të punës së detyruar. Për motive politike u ekzekutuan 5037 burra e 450 gra, u burgosën 26788 burra e 7367 gra, u internuan 48217 burra e 10792 gra, u dëbuan nga qytetet 11536 familje, u pushkatuan dhe vdiqën në burgje 64 shtetas të huaj e u burgosën 1255 të tjerë; u pushkatuan 950 kosovarë e mijëra të tjerë u izoluan nëpër kampe, u dënuan rreth 800 çamër etj. Dhe të gjitha këto kur Shqipëria numëronte rreth 1 milion banorë. Vetëm gjatë 1946-1977, brenda 10 muajsh u arrestuan më shumë se 600 intelektualë të shquar, shumica e të cilëve ose u pushkatuan ose vdiqën nga torturat, kur dihet se mbi 90% e popullatës ishte analfabetë. Arqipelagu shqiptar mori përmasa apokaliptike duke shkelur edhe ligjet e vet sistemit komunist në kohë paqeje. Historianët flasin se këto ishin pasoja të lidhjes së ndyrë të sigurimit serb me sigurimin shqiptar, ku planet ogurzeza dilnin nga koka kriminele të tipit Rankoviç, nën uratën e Titos dhe të Enverit…

Kështu iluzionet ishin një çmenduri e  një periudhe delirante kolektive të paparë. Kopshti i Edenit mori fytyrën e ferrit. Letërsia, arti, e gjithë propaganda, këtë lloj kopshti, me pemë tragjike e paraqiti si sukses e si fitore, si domosdoshmëri për ecjen e shoqërisë përpara. Asnjë poet e shkritmar nuk e dënoncoi me emrin e vet këtë masakër genocidiste, përkundrazi, të gjithë me përjashtime, të papërfillshme dhe kur preknin temën e luftës së klasave, do dënonin “armiqtë” që kish dënuar partia; ligji i luftës së klasave do të trajtohej si motorri që vë në lëvizje shoqërinë, sepse kështu e paraqitnin dhe shkrimtarët sovjetikë me Stalinin në krye. Sipas filozofisë, dialektika e sendit u përshtat dhe në shoqëri e në mendim dhe u bë normë morale, që kjo shoqëri nuk mund të ekzistonte pa eliminimin e kundërshtarit. Deri në familje, duhet të dënonte nëna të birin se “kishte folur” kundër partisë, duhet të ndahej burri nga gruaja për kleçka biografike dhe spiunimi u bë normë patriaotike e morale, besimi e ndershmërie. Pasoja të një revolucioni përçudnues. Esenca e tij është sa e çuditshme, aq dhe satanike. Revolucioni është i bukur. Ai pjell terror dhe fitore (!?) Djalli tani ishte kudo i pranishëm. Ai kish pushtuar edhe zonat e së bukurës, edhe zonat e ëndërrës, ai duhet të vinte vulën në shpirtin e njeriut, ai duhet të bëhej përsonazh dhe ndërtues i jetës dhe, djallëzisht, “njeriu i ri” duhet të bënte ekzaminimin e esencës së parajsës, nga e cila e kishte origjinën (?!)

Kopshti i Edenit u rrethua me tela me gjëmba, bunkerë dhe armë të rënda, ai që tashmë i kish mbushur parcelat me pemët e së keqes, u izolua totalisht dhe duhej të mbrohej nga kërkebilët që villnin rrufe.

Ndoshta kalova cakun e objektit tim, por desha të dilja në një problem tjetër të rëndësishëm edhe për shoqërinë demokratike. Sot është e lehtë të dënosh “Luftën e klasave”, burgjet dhe të gjithë presionin djallëzor që bënte shteti mbi njeriun. Madje këtë e dënojnë edhe komunistët pedantë duke thënë se po, u kalua masa, u dënuan shumë dhe… etj, por është tepër e vështirë, për të mos thënë, e pamundur, të dënosh poezinë dhe artin totalitar, që shoqëronte burgun, internimin dhe persekucionin e njeriut. Askush nuk ka denancuar publikisht mijëra poezi për partinë e për Enverin që, pothuajse, ishin tematika të detyrueshme në çdo vëllim poetik; nuk janë mohuar nga autorët mesazhet e luftës së klasave, mijëra këngë e potrete të njerëzve të inkriminuar; përgjithësisht është dënuar metoda e RS, por jo vepra, e cila pranohet në heshtje, duke nënkuptuar se qe kundër metodës. Sot, pothuajse nga kushdo, dhe nga mbeturinat e komunistëve të tipit “Millosh” dënohen burgjet politike por (e çuditshme) akoma ka njerëz në të gjithë spektret e partive politike që hipnotizohen nga poezia totalitare; akoma ka njerëz të spektrit të majtë që me ritmet e atyre këngëve të marshojnë drejt burgjeve të reja… (Në ngjarjet tragjike të 1997 u kënduan këngë revolucionare që bënin thirrje për luftë e për përmbysje). Akoma nuk është dënuar “Internacionalja” me ritmet e saj luftarake, nën kambanën e së cilës regjimi komunist kreu krime të përbindëshme deri në genocid. Dhe Bashkim Evropian antikomunist akoma hesht dhe nuk e prish terezinë për të hapur, të paktën një “Nuremberg” moral për miliona viktima në territorin e saj. Dhe sot në Evropë mund të grmbullohen miliona nostalgjkë stalinistë e neostalinistë të tipit Papariga. Ndërsa ish të burgosurve u dhëmbin akoma brinjët e shumë familje këkojnë nëpër ish kopshtin e ferrit eshtrat e njerëzve të tyre, të tjerë, njerëz të prononcuar dhe si antikomunistë, pëlqejnë “Shqiponjat fluturojnë lart” ose këngët e kompozuara nga Pol Eluardi, Ricosi, Aragoni e Miqis Theodhoraqis…. Akoma duartrokitet vdekja e njeriut nga njeriu… Vdekjet dhe vrasjet janë shumë e gjithçkaje që kujtojnë dhe kronikat e nekrologjive flasin për shumë vrasje. Analistë gjak hallë  thonë se diktatura vriste me komandë, demokracia po vret në kaos. Janë pasojat e katastrofës, vazhdon dhe pasurohet inventari i saj pa çrregjistrim. Pothuajse është zyrtarizuar heshtja e jeta e njeriut kushton shumë pak, ajo mund të jetë dhe pazar i vrasësve të paguar, politikë apo ordinerë. Një shoqëri që nuk denoncon krimet është tërësisht e inkriminuar. Dhe krimet nuk parashkruhen, nuk duhet të harrohen, në të kundërt, nga memorja do të na aviten arkivolet që kërkojnë drejtësi. Harresa është formë e vdekjes, gjithmonë e pranishme, pa jetën. Askush nuk mund të imponojë harresën. Harresa është privim lirie. Një shoqëri, si jona, që e ka të plagosur memorjen, do ta ketë të vështirë të ndërtojë reflekse të reja evropiane.

Harresa është si bora që mbulon gjithçka. Edhe rrugët, edhe pemët, edhe gropat, edhe burgjet, edhe kockat… Sepse pranë kopshtit të Edenit shqiptar… Samarago ma preu fjalën. Kot e kam. “Gjithçka është thënë dhe unë jam i lodhur”…





                                                                 B      Dyzimi


Kur poeti hipën në kalin e politikës nuk vrapon dot si poet. Kali i politikës është i penguar dhe i detyruar të tërheqë pas karrocën e masave. Kali i poezisë ose Pegosi është kalë ajror. Ai kullot në livadhe të pacak, në tokë, ajër, nën dhe, në ferr a parajsë. Ndaj poetët janë të humbur. Pegasit politik i priten krahët e vjen e bëhet kalë toke. E shumta mund të lozë me mençuri në një lojë shahu, krahas ushtarëve dhe mbretit ndërsa poezia krijon “shahe” të tjera dhe vepron edhe kundër mbretit të vet.

“E vetmja çka ka të përbashkët politika dhe poezia – thotë Brodski – janë gërmat “p”.”.

Në regjimin totalitar politika është alfa dhe omega, kryeradhë referimi dhe terapi. Kjo politikë sundon të gjithë jetën materiale dhe shpirtërore të njeriut, dhe bukën dhe hekurin, dhe lindjen dhe vdekjen; dhe poezisë ajo i jep drejtimin e frymëzimin duke e detyruar të luajë me baltën jo me ajrin. Kërkesat politike i ulin kërkesat cilësore, jo vetëm të poezisë e të artit por edhe të gjuhës. Ato e ulin pjacën e reduktojnë modelin e referimit, atë model të pakufishëm me të cilin krijesat njerëzore caktojnë sistemin e vlerave.

Pa përjashtim shkrimtarët e realizmit socialist e kishin politikën në plan të parë. Ajo ishte “P”-ja e madhe, poezia ishte “p”-ja e vogël.

P≠p. Politika është ndryshku që e ha metalin special të poezisë. Midis “p-ve” kërkohej një aliazh, një shkrirje, të themi, ku tunxhin e kambanës e jepte politika. Në “p-në” e vogël mund të kalonin dhe gabime, në P-në e madhe kurrë. Gabimet politike njihnin vetëm dyert e burgut. Aliazhi midis politikës dhe poezisë, është një soj shkrirje, ku poezia e ka tepër të vështirë të ruajë karakteristikat e veta. Ashtu, në alizh, ajo është poezi e broncifikuar. Kjo ishte rezultantja. Dhe kjo ishte shumë e rëndë për letërsinë dhe artet. Politika depërtoi në qelizat e tyre dhe partia diktonte ritmet e poezisë, nuancat e ngjyrave, tingujt e pentagramit. Dhe më të shquarit nuk i shpëtonin dot dyzimit. Nderi i tyre ishte të ishin poetë politikë, “burije partiake” prandaj krijimtaria artistike nuk i kapërcen dot ngushticat e atij botkuptimi. Zogjtë nuk i njihnin shtegëtimet dhe ishin të detyruar të këndonin në stinën e dimrit. Dhe bilbilat këndonin me grykë pa e artikuluar brengën. Metafora e tyre ishte hymn, festë, miratim, dënim, tallje, mohim, kundërvenie. Dihet se flamuri i vetëm i poezisë është liria, liria e pasqyrimit, liria e kundërshtimit. Kritika është arsyeja kryesore e të qenit art; është arma dhe njëkohësisht plagët. Këto janë krejtësisht të papajtueshme me politikën, me diellin përvëlues të doktrinës.



*   *   *

Natyrisht dyzimi tek rasti i Kadaresë dhe Agollit nuk ka qenë i njejtë. Agolli e ndiene vetë princ në kalin e politikës. Tek ai politikani dhe poeti u shkrinë dhe në kambanën Agoll, tunxhi i politikës ishte kumbues e mbisundues. Nëse në këtë aliazh faqja e poetit ishte  e verdhë dhe faqja e politikës e kuqe, ai, gradualisht u bë tërësisht faqekuq, dhe tërë jetën provoi se poeti është i suksesshëm, vetëm po të jetë politik. Këtu qendron drama e tij. Kambana e tij aspak nuk lajmëronte për shtrëngata as në politikë, as në poezi. Ai e dinte fort mirë se rrufetë ishin pronë e Zeusit. Ai luante me to si me tespie. Poeti e ndihmoi diktatorin që ishte i lirë në lojën e rrufeve e këto të binin edhe mbi kokën e poetëve dhe artistëve. Ky ishte faji i tij. Por Agolli është poet i talentuar dhe, me siguri, brengosja e tij ka qënë e brendshme dhe e përpiktë, por ai s’e shkruante dot brengën, ai nuk qante dot, ai nuk ankohej dot. Se loti është dhe ankim dhe akuzë. Kështu, në krye të partisë e të pushtetit, duke e mposhtur brengën dhe rrezatimet e lira të talentit, ai e pa veten edhe në krye të letërsisë e të artit, në një kohë, kur partia kish ndërmarrë një luftë të ashpër kundër poetëve dhe artistëve. Zyra e tij, LSHA, tempulli i shtenjë i bukurisë njerëzore, bashkë me redaksitë e organeve letrare e artistike, shtëpinë botuese, këshillat artistike në qendër e në rrethe, u kthyen në zyra karavidhesh, meskinitetesh e, me në krye kryetarin e LSHA, më i nderuari ishte ai që hetonte një çikë, e spiunonte një çikë e kur e shikonte të arsyeshme kryetari, paraqitej në zyrat e kuqe nga ku lëshoheshin rrufetë. Ndërkohë Dritëro Agolli botonte lehtësisht gjithçka që shkruante. Ai kish hijen e udhëheqjes së partisë dhe fronin e kryetarit të shkrimtarëve dhe artistëve. Lexuesi “hante” prej tij grurë e kashtë, fruta e gjethe, byk e marmalatë e… me një fjalë të gjitha asortimentet që prodhonte politikani poet me garancinë se ishin produkte të atij që partia e kishte në krye të armatës së krijuesve, ose në krye të krahut të djathtë të partisë për edukimin e njeriut të ri. Në shkretëtirën e përgjithme të letërsisë partiake veprat e tij sillnin kënaqësi ideoestetike. Dyzimi i tij ishte djallëzisht i zgjuar. Ai përfitoi të gjitha nderet, çmimet dhe titujt e mundshëm dhe, duke spekuluar zyrtarisht në shijet masoviste, ndërtoi projeksionin e vetvetes, pa kaluar kurrë në filtrat që afirmojnë artin e madh. Përgëzimet masoviste, privilegjet partiake, një grup i përhershëm servilësh rreth e rrotull tij, atë e zvenitën gradualisht si peot ashtu, midis mirësisë së poetit e ligësisë e kryeneçësisë së një beu klasik, atë e bënë një diktator të zakonshëm të tipit të kolkozëve sojetikë. Partitë janë me fat që kanë shërbëtorë të tillë poetë. Letërsia është e pa fat që ka politikanë të tillë bejlerë.

Edhe kur, aty këtu, kthjellohej poeti, e ai instikt i brendshëm i talentit do të shihte edhe “fytyrën e dytë” të njeriut, edhe “thinjat” apo kur dëgjonte ndonjë “zhurmë të erërave të dikurshme”, beu do hante ndonjë kritikë, që më tepër do t’ia ngrinte famën, e do falej të nesërmen, se, ç’t’i bëjmë kali i kuq e ka një huq.  Ai ishte besnik i iluzioneve statike komuniste dhe fatkeqësisht, sikur të mos i mjaftonin dy “P-të” (politika dhe poezia) ngriti, jo rrallë, edhe gishtin e prokurorit. Kështu me tri “P” (politika, poezia, prokuroria) ai kish të drejtën që ta padiste poezinë e shokëve. Nuk dua t’i kujtoj viktimat. Këtë duhet ta bëjë ai vetë dhe, nëse i ka mbetur diçka e mirë dhe fisnike nga të qenit poet, publikisht, duhet t’u kërkojë të falur.

Rasti i Agollit mund të jetë i rrallë edhe në Evropë. Ai bëri “hajër” në politikë dhe në poezi. Ai u mundua dhe arriti në opinionin shqiptar të imponohej edhe si politikan duke qenë i kuq i shquar dikur, e i kuq i reformuar pas viteve ’90. Fakt është se si dikur në krye të PPSH edhe tani në kryet të PSSH, Agolli falë talentit dhe famës së trashëguar si poet, si gojtar e si një personalitet me kulturë, u bë zëri më i mençur i partisë së vet, duke u mundur të grasatojë sadopak strkuturat staliniste të të majtës shqiptare. Por ai nuk mund të dalë mbi vetveten. “Djalli komunist që ka në bark” (fjalë të tij), jo vetëm që i ka ndrydhur në mënyrë të pariparueshme poetin, por ka thyer edhe politikanin. Dhe, kështu kompleks, duke i mbajtur nga pak gjallë edhe poetin, edhe politikanin, edhe inatin e prokurorit, ai është një figurë në kulturën shqiptare që me kalimin e kohës do t’i shtohet fjala (jo mohuese) “ish”, ish bilbili i një stine me dëborë.

Dyzimi i Kadaresë është i ndryshëm. Hipur në kalin e politikës, fillimisht me hir, ai pa se s’qëndronte dot në galopin e tij dhe u mundua që të zbriste me dinakëri e me pahir. Kadareja nuk e hoqi maskën e politikës nga fytyra e poetit, por ajo, mendoj, se nuk iu bë pjesë e lëkurës si te Agolli. Poeti gjallonte drithërueshëm nën këtë maskë e në një sërë veprash do ecte kundër kalit të politikës, ose më saktë i bërë i njohur në samarët e atij kali, ai do galoponte me fytyrën kthyer në drejtim të kundërt. Këtë ia lejonte edhe politika, që herë pas here, jo vetëm do ta kuptonte pozicionin “mbrapsht” të Ismailit, por do t’i jepte edhe ndonjë rrip brinjëve në ndonjë mëngjes, për ta përkëdhelur përsëri në darkë.

 Ai e kish fituar imunitetin. Ai ishte i paburgosshëm, i pagoditshëm. Ai e kish paguar taksën.

Kam vënë re që si njëri dhe tjetri nuk para e honepsin këtë punën e dyzimit e të maskave, madje hidhen edhe në sulme jo të denja e kundërakuza të pabaza.

Më fisnikë princër! Më tolerantë! Më poetë! Pa e humbur ndjesinë e indinjatës ndaj shtrembërimeve, që mund t’u bëhen, mos harroni se s’jeni më princër oborri, mos harroni se jo të gjithë ata që ju kundërshtojnë, janë kundërshtarët tuaj. Borgesi e konsideron artin si dialog midis unëve të ndryshëm e mjet për tejkalimin e vdekjes. Për poetët e mëdhenj bota është metamorfozë e përhershme. Dhe ju, nëse jeni të këtij fisi, duhet t’u kujtojmë se çdo poet i madh ka vlerat dhe antivlerat e tij. Në thesarin e shtetit depozitohen vetëm metalet e rralla me formulën “Au” ose “Ag”. Në “sportelet e këmbimit të monedhës” dhe në kambizmin e rrugës “made in Albania” qarkullojnë edhe para të pista, edhe të falsifikuara…

Dhe tregu i shpifjeve edhe ndaj poetëve është mjaft i pasur. Në këtë treg hyjnë edhe pohimet edhe mohimet kategorike.

Poetët janë vlerë kombëtare. Nuk duhet harruar se në një pikë të nxehtë të historisë shqiptare në ’90 ai popull, që është i prirur të godasë edhe vlerat e tij, manifestoi udhëve me portretet e dashura të poetëve të vet, Nolit, Kadaresë e Qoses.



                                                              C    Shkabofobia


“Ne nuk ishim budallenj sa të ishim të çiltër me ju… Ju s’ishit njerëz po bisha e kur bisha të del përpara, njeriu ka të drejtë të mbrohet. Ju ishit vrasës me thika në duar.”.            

                                                                                                                        I. Kadare



Pasi është dashuruar me shtetin, pasi është grindur me të në një duel akuzash të ndërsjellta, poeti ngre akuzat për divorc. Nuk u paraqit në gjyq, por iku befas duke e lënë shtetin të përpëlitej në agoninë e tij. Dhe tha se ikja e tij ishte prologu i lirisë për shtetin dhe për njeriun shqiptar. Dhe tha se ikja e tij ishte një grusht nokauti për kundërshtarin që kish vite ngritur në ring e që vazhdimisht qëllonte e të shtrinte përdhe. Dukej se ishte lojtar i pathyeshëm. Si dhe poeti. Të dy, shteti dhe poeti, në dashuri dhe urrejtje të përhershme përgatiteshin për goditjen e fundit. Poeti zgjodhi lirinë dhe goditi fort. Ai kish folur në emër të atdheut. Ndërsa shteti i shqiponjës ishte bërë shteti i shkabës. I shkabës që ha. Që ha njeriun dhe poetin. Simboli i kish zhveshur pendët dhe kish treguar kthetrat. Dhe krenaria anonte nga poeti. Se shkaba hante zogjtë e vet.

“Shkaba” u shkrua në Paris më 1995 dhe ka kostumin e lirisë.

S’kemi të bëjmë me një humbje të drejtëpeshimit të qytetarit, por me Ferrin dhe shefat që kanë në dorë çelësat e tij, nuk është Ferri dantesk, por jeta e përditshme në një qytet provincial, shkëputur nga lumturia e përgjithshme socialiste. Një kënd i terrtë pranë kopshtit të Edenit, populluar nga të internuarit, që vinë nga lart, të dënuar me moskthim. Maksi, heroi i tregimit, ka shkelur në një dhogë të kalbur dhe bije në humnerë. (Në atë dysheme të kalbur, lyer me vernik, kush nuk mund të binte? Mund ta hajë për një fjalë, për një buzëqeshje pa vend, për një gabim të vogël njerëzor, për një heshtje apo një fjalë të thënë para kohe, për një poezi… e për ata që peshonin më tepër, dhogat ishin të gjitha të kalbura)…

Qytetari Maks, s’ka bërë ndonjë faj… Fajin e ka dhoga, por ai është tashmë atje poshtë. Ç’do të bëhet me të?

Dhe poetit i vjen në ndihmë legjenda. Edhe andej nga trojet e lirisë, në Paris, ai kërkon legjendën. (Në veprat e shkruara para 1990-ës, kisha menduar se Kadareja arratisej nga realiteti mëkatar drejt miteve e legjendave për të pasqyruar mëkatet e ditës, por ai dhe në liri vraponte drejt tyre si këtu dhe te “Lulet e ftohta të marsit” e gati në të gjitha veprat). Me sa duket letërsia e tij s’mund të gjallojë pa pirë sisët e legjendës… Punë e tij, gjetje e tij. Vazhdojmë: Maksi, i rënë plasur në humnerë, është i dënuar më rëndë se Kostandini i legjendës. Kostandini mund të kthehej edhe nga trojet e vdekjes për të realizuar mesazhin e madh të botës së gjallë, Maksi jo. Maksin e ka dënuar shteti me moskthim; Akeroni i tij është kapërcyer vetëm një herë dhe ai tashmë duhet të përshtatet atje poshtë…; por qerosi në botën e poshtme e kish gjetur një zgjidhje… Ai përpiqet të arratiset nga nëndheu me anën e një shkabe (vini re: shkabë, jo shqiponjë). Por kjo e shkretë shkabë ka huqe të rënda: që të dalë sipër në dritë ajo duhet të kalojë honet e tmerrshme të nëndheut duke u ushqyer me mishin e kalorësit të vet. Kalorësi mund të lerë krahët, këmbët, brinjët, mëlçinë, zemrën… Maksi i di mirë kushtet dhe niset për daljen fatale nga skëterra.

Që të ngrihesh duhet të japësh diçka, që të ringrihesh duhet të japësh shumë, S’është fjala për një autokritikë, a një stash në prodhim, as për një gojëmbyllje të mëtejshme, (ndoshta më e rënda për poetët); mund të sakrifkosh talentin, pasionin, domethënë, shpretkën, zemrën – ose shpirtin të tërë.

Po pastaj? Pastaj s’je ti. Metamorfoza ka mbaruar. Tjetërsimi është i plotë deri në i kundërt i vetvetes. Në shtetin e shkabës s’ka ngritje pa u bërë zog shkabe dhe puplat të mbijnë mbrapsht. Kjo rihipje në fakt është rizbritje e mëtjeshme… ose një zhbërje si para seksit… “Ja, unë do zbres, domethënë, do ngjitem… në këtë gropën tënde të errët.” “- Rrëzohu shpirt… fluturo, - i tha vajza, duke u mbështjellë me krahët e saj.” E vajza, atje poshtë, i kujton Maksit kur qe, atje lart. “Atëherë kur ulërinit e nxirrnit shkumë kundër nesh, s’u shkonte në mendje se do të mbështilleshim bashkë rras e plas në të njëjtin furrik.”. Rënia është domosdoshmëri, gati si ligji i gravitetit, që një forcë të tërheq nga poshtë lart. Diktatori duhet t’i shihte të tërë të rënë, mundësisht të tërë bllokmenët në robër e pastaj të tërë robmenët në përpjekje për t’u ringritur, d.m.th., për t’u zhdukur… Përbindëshi shtet, me shpendin grabitqar në emblemë pas çdo  “krrau-krrau” kërkon më tepër, më tepër dhe sqepin e ngul në mish. Ka ndodhur diçka tragjike në këtë shtet, në vetë emblemën e tij: në pasaportën e qytetarit shteti ka vënë vulën e vet të frikshme – shkabën me një yll përsipër si një goditje thike…

Vjen e ngrihet një antagonizëm i egër midis shtetit dhe qytetarit. Maksi niset për ringritje. Bashkë me një torbë me mish që merr me vete për të ushqyer shkabën, ka dhe mishrat e trupit të tij rezervë, dhe një thikë për ta goditur nëse i mbarohen të tëra e shkaba do t’i kërkojë zemrën. Dueli ka filluar. I rëndë. Makabër. Honeve të humnerave. Vriten të dy. Dhe shkaba dhe njeriu. Marrëveshje tjetër s’ka. Ligji është i egër. Kështu ka qënë, kështu është… Qytetari duhet t’i bindet shtetit, në mos… ai shpend kishte një mijë vjet që e bënte atë udhë. Ecejakja e njeriut kaluar mbi shpinë të shkabës është ankth, jerm, përpëlitje në sqep e krah vdekjeje.

“..Në atë ecejakje humnerike ai vuri re se ktheheshin shkaba të tjera me kahje të kundërt… Mbi shpinën e njerës dalloi skeletin e njeriut. Kockat si një varse rreth qafës.”. Për atje lart duhet të ecësh nëpër kërkëllimë kockash… Ose, jepe! Jepe dhe zemrën dhe shpirtin e shkaba të nxjerr lart. Në dritë? Ndoshta. Ndoshta të dalin puplat e nën shalët e shkabonjës ngrohesh e bëhesh zog përsëmbari. E dalëngaldalë e mëson atë këngën e njohur “krrau, krrau”…

Në mos… shteti të godet me aqep në sy, poeti me thikë në shpinë të shtetit. Të dy të vdekur nën një pellg gjaku e pendrash.

Hamendjet janë të tepërta. Asnjë pyetje s’merr përgjigje: “Mendoni se njeriu e ka vrarë kafshën, apo e kundërta? Apo të dy bashkë janë grirë ndërsjelltas? Apo një moskuptim? Përçatje? “Deshi të më hante zemrën!” Vetvrasje? E kryer përbri një shpendi që përfaqësonte emblemën e shtetit?

Apo përgjakja e simbolit të shtetit prej vetë shtetasit? Mëmëvrasje? Atvrasje? A thua qytetari i ka kërkuar diçka shtetit (p.sh. Lermë të lirë!) dhe shteti s’ia ka dhënë ose shteti e ka urdhëruar për diçka e robi nuk i është bindur?

Një gjë është e sigurtë: Të dy, shteti dhe poeti i kishin kërkuar të pamundurën njëri-tjetrit. … Lirinë e krijimit ose thikën në qafën e shtetit…  … Ja dhashë të gjitha… dhe mishin dhe brinjët, por shpirtin, jo. Shpirti nuk shitet. Për ata që kanë shpirt, ai mbrohet me thikë… edhe kundër shtetit, dhe kundër nënës e babait… Moskuptimi ka qënë. Nga ana e shtetit dhe e qytetarit. Qytetarët e përveçëm, që nuk e shesin shpirtin, në një shtet ku shkaba bën “krrau-krrau”, barazohen me një varr të vogël 2x1.5m. Shumica janë emra të përgjithëm. Maska. Dhe kur maska bëhet pjesë e lëkurës shoqëria butaforeske gëzon e krrau-krrau! Të merr malli për një trim me fytyrë njerëzore.



*   *   *

Mendoj se Ismail Kadareja nuk është si pjella e tij Maksi. Ai e ka realizuar ikjen (ose ngjitjen, ose ringjitjen, ose zhbërjen “para seksit”) para ikjes së tij spektakolare në Francë. Kjo ishte një ikje me biletë të porositur, që natyrisht luajti një rol pozitiv në mendësinë shqiptare për domosdoshmërinë e rënies së regjimit. Ndoshta ishte një thikë në shpinë të shkabës, por shkaba “me atë yllin sipër” e kish marrë tatëpjetën. Ajo i kish ditët të numëruara. Ajo ra nga vetvetja. Kishte ngrënë aq shumë qytetarë të vet sa në fund hëngri vetveten.

Poeti ikën e vjen, zbret e ngjitet qindra herë nëpër humnerat e ndërgjegjes së tij. Ai i di udhët e fshehta, i di shtigjet e daljes, di ta zbuti e ta egërsojë shkabën. Shqiptari e ka parë shkrimtarin e shquar vetëm presidiumeve të shoqërisë. Lexuesi e ka parë në udhët humnerike të veprave të tij, përthyer në dhjetra personazhe, që bëjnë e ç’bëjnë e shigjetat i drejtojnë kundër Zeusit. Personazhi i tij është i lashtë e mesjetar, me shpatë e shigjetë në duar, por që lexuesi nuk e ka të vështirë ta veshi me kostumin e kohës dhe Zeusin ta thërrasë me emrin e përveçëm. Ismail Kadareja përbën një preçendent jo në disidencën e tij, por në “marrëveshjen” me shtetin…, ai, duke menduar kundër shtetit, njoherazi ishte në llozhën e shtetit, madje, i zgjedhuri i kryetarit të shtetit. Ai ishte ngritur.  Ai nuk e njihte humnerën. Duke e imagjinuar atë, ai u zgjati dorën, njerëzve atje poshtë. A është e mundur të mos biesh kur loja jote e preferura është me shigjeta?  A është e mundur të qëndrosh atje lart, ose të ringrihesh pa u tjetërsuar? Në përgjigje mbetën vetëm pikat e marrëveshjes, më saktë të marrëdhënies. Ai dha që mori. Ai mori sepse dha. Dikush thotë se dha shumë mish nga vetja, dikush thotë dha brinjët, dikush dhe shpirtin ia sheh të shitur. Kjo është çështje ndërgjegjeje. Shpirti s’ka masë e peshë ta shkojmë në “ziq”. Sidoqoftë ai bëri letërsi e, krahas kolltukut në llozhën e shtetit, kishte kryefronin e tij në pushtetin letrar. Kolltuqet bien bashkë me llozha e pushtete. Fronet e letërsisë jetojnë më gjatë, ato mbeten edhe si dëshmi e natyrës së pushteteve dhe është mirë t’i kemi në numërin e shumës, por dhe si dëshmi e dështimit të letërsis socrealiste.





XI

Nostalgjikët



Çesllav Millosh, nobelisti polak i vitit 1980, për të ilustruar mendimin statik të nostalgjikëve pedantë, kujton në një film të Lorelit dhe Hardit, këtë truk tragjiko komik “Loreli, ushtar amerikan në Luftën e Parë Botërore, caktohet nga komandanti të rrijë pranë një mitrolozi kundërajoror si roje. Në rrëmujën e ngjarjeve të luftës e harrojnë Lorelin tek ai pozicion luftimi dhe e gjejnë pas njëzet vjetësh. Loreli besnik qëndron tek ai mitroloz dhe qëllon një avion tregtie që kalon atypari…”

I shkreti Lorel! Ai ka urdhër të qëllojë kur të kalojë avioni armik dhe s’mund të kuptojë që ky avion është diçka e ndryshme… e se lufta ka njëzet vjet që ka mbaruar.



*   *   *

Nostalgjikët i kemi të shumtë. Ata nuk janë vetëm 60-70 vjeçarë. Ka dhe të rinj, nipër e mbesa të tyre që orintohen me orët e baballarëve dhe gjyshërve. Ata janë të pozicionuar, jo vetëm në kuptimin e një komande luftarake të Lorelit, por qëndrojnë pranë “mitrolozit” të dikushëm në të gjitha mendësitë dhe vepritmaritë e tyre.

Nuk duan t’ia dinë se “Lufta ka mbaruar”, se komunizmi ra, se dështoi politikisht, ekonomikisht në të gjitha frontet në mënyrë të turpshme e të pakthyeshme. Në këtë pozicion ata gjuajnë “çdo avion” që shfaqet në copën e qiellit të tyre. Qafa e tyre është e ngrirë, sytë i anë të vendosur pas koke dhe majat e këpucëve në thembër. Ata njohin vetëm “ishin” brenda tyre dhe tek të tjerët; tek ata mungon “jami” dhe folja ka kuptim vetëm kur zgjedhohet në kohën e shkuar…

Këtu hyjnë edhe një pjesë jo e vogël e inteligjencës krijuese. Ka plot poetë dhe shkritmarë (dhe të talentuar) që e kanë të vështirë të vlerësojnë prurjet e reja moderne e postmoderne në letësinë shqipe të këtyre 15 vjetëve, ka plot kritikë, që s’ndahen dot nga mendimi kritik i realizmit socialist e, të çoroditur nga proceset demokratike edhe në letërsi, thonë se ishim më mirë atëherë kur ishim më keq me metodën e realizmit socialist si busull krijuese.

Ata nuk kanë veshë të dëgjojnë. Ata kanë vetëm gojë të kritikojnë. Po daullet bien. Pamvarësisht.



*  *  *

Është e çuditshme si ngjiti miopia komuniste tek ne shqiptarët, që nga natyra jemi dyshues të mëdhenj që, tek ne edhe qytetërime qindra e mijëra vjeçare kanë qënë terrene të rrëshqitshme. Le ta quajmë epidemi. Dhe le të kujtojmë pak… justinian Marina, një patrik rumun paska deklaruar. (Ç. Millosh): “Krishti është njeriu i ri. Njeriu i ri është njeriu sovjetik; pra krishti është njeriu sovjetik.”. …Diku kam lexuar një poezi që tregon se krishti u ringjall dhe shkoi në Rusi “në vendin e vet”. Fatkeqësisht e vrau një polic…

Megjithëse fallsifikimi “rreth Krishtit dhe njeriut të ri” është tepër i trashë, duhet të pranojmë se: Marksizëm-leninizmi u mbështet te “fukaraja”, duke spekuluar djallëzisht mbi barazitimin njerëzor; njeriu (dhe njeriu shqiptar) ka patur profetët e vet që kanë lënë gjurmë mbi mendësitë e tij, këtë radhë, profetë të tjerë të largët shumë iu ulën në sofër e iu varën në mur, me emra të huaj: Marks, Engels, Lenin, Stalin; Këta iu imponuan kulturës shqiptare me autoritetin e Biblës. Kristiani shqiptar nuk e njihte Biblën, as myslymani shqiptar kuranin, siç njihnin leninizmin. Atij iu ndaluan profetët dhe njeriu shqiptar u katandis t’i falej fjalës së satanait, i zhveshur dhe i pangrënë. … (Më kujtohet shitse Fatiria në Gjirokastër, me e njohura shitëse, sepse shiste brekë e kanatiere. Gruaja ime e kish vështirë të merrte dy palë, ndërsa motra plus çmimit i jepte dhe një torbë me lakra…, kam dëgjuar që Enver Hoxha, në vend që të lëvdonte një zëvendësministër tregëtie që kish gjetur disa ton gjalpë, e kritikoi rëndë (më vonë e futi në burg) duke i thënë: “Pse me gjalpë do ta mësojmë këtë popull”(?!)… Më kujtohet vjehrra ime që erdhi në shtëpi një mëngjes me bërryl të çarë, se e kishin shtyrë e shkelur kur u hap dyqani i qumështit dhe s’kish marrë dot një shishe për djalin njëvjeçar, megjithëse ish ngritur që në tre në natës…)

Letërsia e RS, që pretendonte se ishte realiste kurrë nuk iu qas jetës së mjeruar shqitpare, halleve, bukës, strehimit, sëmundjes, burgut, internimit, tufëzimit, pronës, vdekjes.

Letërsia shqiptare e RS, po, po, edhe letërsia, ka pjesën e vet të fajit në atë sugjestionim kolosal kolektiv që i bëri njeriut. Edhe letërsia dhe arti u bë pjesë e gënjeshtrës së madhe partiake dhe e zvetnimit shpirtëror.

Kultura shqiptare kurrë nuk ka patur një nënshtrim, me hir e me pahir si gjatë metodës së RS.

Nostalgjikët nuk e njohin zhgënjimin e iluzioneve. Ata, megjithëse të tronditur e të çorientuar nga pluralizmi, megjithëse mund ta kenë edhe djalin deputet a biznesmen, janë të kënaqur të vdesin besnikë të Enverit e të komunizmit. Duke qënë njëkohësisht tragjikë ata janë edhe molepsës e frenues të proceseve demokratike. Edhe në letërsi, edhe në arte, edhe në kritikë.

Shkrimtari ynë popullor “Nderi i kombit” logjikisht “Nderi i fshatit”, ka kënaqësinë se e “ka në bark djallin komunist” dhe se “nuk i ka qejf njerëzit që ndërrojnë 20 flamurë.”… Natyrisht rreth tij janë sot të gjthë Lorelët e shkretë me kapele e pa kapele, kryesisht fshatarë, që, këta të rinjtë e pluralizmit, edhe të krahut të majtë, i quajnë “tradhëtorë”. Për ta shqiptarët ndahen në komunistë e autokomunistë. Megjithëse kjo ndarje sot, kudo në Lindje, është pakuptim, ata qëndrojnë “te mitrolozi i tyre” leninist “o me ne, o kundër nesh”. Saktësisht kjo u takon njerëzve që ishin në kalë, jo ushtarëve të tipit Lorel. Të zbritur nga kali, ata e kanë të lehtë të mobilizojnë “Lorelët” e “me heroizëm” janë gati ta djegin Shqipërinë, siç provuan më 1997. Në këtë kategori, që e kanë në gen hakmarrjen dhe përmbysjen, natyrisht nuk futen nostalgjikët e tipit Dritëro ose Dalan, por unë këtu e kam fjalën për nostalgjikët e artit socialist. Intelektualë me kulturë të gjerë të këtij rangu, s’ka përse të shprehen se “gjatë RS lulëzoi letërsia shqiptare”. Ata nuk duan ta dallojnë letërsinë e vërtetë nga letërsia partiake. Dhe thonë: për hir të së vërtetës, ashtu e kështu…, duke u bërë mbartës të së vërtetave e njëkohësisht pronarë pedantë të slloganeve jo vetëm të pavërteta por tërësisht të diskutueshme e të rrëzueshme.

Le ta ilustroj mendimin vetëm me një shembull. Shoku Dalan Shapllo, kritik i njohur, nuk pranon atë që thotë Tefik Çaushi se kritika letrare e epokës së partisë ka qënë rakitike. Bashkohem me Xhezair Abasin se “ajo (kritika) ka qënë jo vetëm rakitike, por dhe krejt banale.” Dalani shqetësohet se paska autorë që kanë prirjen për të gjetur të meta edhe Marksit edhe Engelsit. Pse jo, shoku Dalan? Jo vetëm në problemet estetike, që ata pranonin vetë se nuk u kanë kushtuar vëmendje të veçantë, por pse jo dhe për problemet e tjera filozofike që, për nostalgjikët, këto paskan vënë vulën përfundimtare në konceptet për shtetin, dhunën klasore, kombin, fenë, familjen etj., etj. Askush pa përjashtim edhe shkencat ekzakte, dhe ligjësia e disiplinave matematike, nuk mund të shprehen për të vërteta absolute.

Më vjen keq ta krahasoj Dalanin e nderuar me Lorelët që mbrojnë ish qiellin e tyre, por nuk është faji im. Ai ishtë nostalgjik i metodës së RS, që s’ishte as realiste, as socialiste e kudo rezultoi si një metodë antikrijuese. Ajo nuk mbrohet me: … “Atë nuk e shpiku Stalini por e solli koha…, madje e kishte pranuar edhe Plehanovi e Lenini…, pastaj dhe vetë Gorki që e paraqiti dhe e lançoi në Kongresin e shkritmarëve sovjetikë… E këto – vijon (D. SH) nuk janë gjëra të thjeshta e çudi (?!) Si shoku Tefik hedh baltë mbi realizmin socialist”. Është e tepërt të them se as Plahanovi, as Lenini, as Stalini e Zhdanovi nuk i rezistuan dot mendimit kritik e estetik të zhvillimeve botërore. Ora e nostalgjikëve ka mbetur te Zhdanovi, dogmatiku më i madh i estetikës M-L, varrmihësi i artit bashkëkohor evropian e rus, që fatkeqësisht polli shumë të tillë “letërsi vrasëse” kudo në lindjen komuniste.

Një nostalgjizëm i tillë te “Labirinthet e modernizmit” (400 faqe) se “me modernizmin, me këtë armik të rrezikshëm, jemi ndeshur e do të ndeshemi vazhdimisht e se në këtë luftë duhet të shkojmë të armatosur mirë” u shkon për shtat fytyrave të vrerosura që, nga pozicioni i bunkerëve të RS shqiptar, kanë ngritur artileritë donkishoteske kundër letërsisë perëndimore. Dhe ka në brendësi të këtij “bunkeri” ashpërsi e ligësi miopi e akuza e pozicione luftarake, ka kaq shumë baltë komuniste, sa s’ka guxuar të ketë as Stalini, as Zhdanovi, në “rregulloret” e metodës luftarake të realizmit socialist.

Fusha e letërsisë, të dashur nostalgjikë, edhe për letërsinë e madhe e cilësore, është e diskutueshme, jo më për letërsinë partiake e jo më për një metodë antikrijuese. Në këtë drejtim nostalgjikët tanë ua kalojnë edhe peshkopëve fanatikë. Asnjë peshkop nuk mund të jetë 100% dakord me doktrinën e krishterë. Ndërsa “Lorelët” tanë, të armatosur edhe me prefiksa “prof” e “dr”, besnikë të filozofisë M-L, janë mësuar që edhe ai që është 99% dakord, konsiderohet si armik, pikërisht në shmangien prej 1%. Kjo marrëzi intelektuale s’ka si spjegohet ndryshe veç me marrëzinë e doktrinës, veç me të qenit plotësisht nën neurozën komuniste patologjike.

Nostalgjikët nuk kanë veshë të dëgjojnë po t’u kujtosh se ne ndërmorëm një luftë të ashpër kundër çdo elementi të ri në veprën letrare e artistike, ne goditëm me dorë të hekurt çdo poet e shkrimtar e piktor që provonte të krijonte ndryshe. Metoda e RS nuk lejoi të shkrinin akujt që kishin mbërthyer shpirtin e krijuesve tanë. Si në të gjitha fushat e tjera, ne nuk lejuam asnjë shfaqje revizionizmi. Çdo tentim për verifikim vlerash e shtigje të reja ne e barazuam me rrezikun imperialistorevizionist. Dhe kur ramë, të befasuar, ramë si shkëmbinj akulli të shkëputur nga Antraktida, pa e njohur lëndën e lëngshme “H2O”, që duhet të rridhte brenda nesh. Ylberi i krijimtarisë sonë kishte vetëm një ngjyrë e ky ishte ylberi kanceroz i letërsisë dhe arteve të RS.

Ismail Kadareja nuk ka rënë në këto pozita. Është nga shkrimtarët avangartë që në vitet postkomuniste të demokracisë sonë, ka folur e shkruar me ashpërsi kundër notalgjikëve të metodës së realizmit socialist. Në rastin “Kadare” unë kam pritur dhe pres që Kadareja të dalë edhe kundër nostalgjikëve të veprës së vet. E kam fjalën për të gjithë ata kritikë, krijues e estetë, shqiptarë ose të huaj që ngrenë në maja edhe veprat e dobta të tij. P.sh: A nuk të çudit mendimi i Alen Boskesë për romanin “Dimri i madh”? Sipas tij: “Duke mos qënë në pamje të parë dhe i sipërfaqshëm kritik i rendit (romani) është i tillë, bile mjaft i egër, po të thellohesh mirë.” Është fjala për “romanin taksë”, faturën e pagimit ndaj diktatorit. Fshati që duket s’do kallaus. Sado që të thellohem unë – thelbin e romanit nuk e kuptoj dot si Alen Boske. Akuza ndaj komunizmit hrushovian (revizionizmit) është akuzë që bën Enver Hoxha nga pozita e komunizmit ultra orthodhoks për të mos ta ndryshuar në asnjë presje doktrinën komuniste. Cilin komunizëm mbron E. Hoxha? Të Marksit në letër, të Leninit që, që në pelena, u mbyt me gjakun e popullit të vet, apo të Stalinit, shëmtinë më makabre të marksizëm leninizmit, që e shndërroi këtë filozovi në stalinizëm, domethënë, në dhunë dhe gjak milionash, (?!) apo në komunizmin paranojak alla “Hoxha”?

Unë s’mund të pajtohem as me mendimin e A. Boskesë për “Kështjellën”. Pa argumenta, nostalgjiku i Kadaresë, apriori, e përqas romanin me “shkretëtirën e Tartareve” të Dino Buzatit, një kryevepër e letërsisë evropiane. Krahasimet e nostalgjive të Kadaresë me Kafkën, Folklerin, Borgesin, Dostojevskin, Servantesin e Shekspirin, më së paku i bëjnë dëm autorit tonë. Le t’i falim nostalgjikët botues që i bëjnë reklamë fitimit të tyre. Shpesh nëpër kopertina librash botohen citate të shkëputura superlative apriori. Edhe në romanin e fundit të Kadaresë, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, në kopertinën e pasme ka nën të citime nga autorë të huaj. Ja disa: “Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjithë gjuhët.” Bruce Bawer.

“E kemi thënë më parë dhe do ta themi prapë: Kur do ta njohë Stokholmi kalibrin e jashtëzakonshëm të këtij shekulli?” Figaro Litteraire.

“Ismail Kadare është padyshim shkrimtari më i shumanshëm i kohës sonë” A. Bosquet. Ose “Çdo vit, pothuaj gjatë një dhjetëvjeçari, Kadareja u ka dhënë lexuesve të vet nga një roman, që i befason dhe i shtang ata, i prek në shpirt, u ngjall ndjenja e mendime të thella. Ka ardhur koha që Kadareja ta marrë çmimin që meriton… Jepjani Kadaresë çmimin Nobel!” Magazinë litteraire

Jepjani, bërtas edhe unë, por kjo nuk do të thotë që lexuesi të mbylli gojën e t’u falet miteve. “Nobeli”, mendoj se nuk krijon as idhuj as mite, por e ngre shënjestrën e vlerësimeve në një objektivitet gjithnjë të diskutueshëm, madje dhe të kritikueshëm. Atë çmim e kanë marrë dhe shkrimtarë mediokër. Unë nuk besoj se nostalgjikët e Kadaresë do vazhdojnë të flasin pas “Nobelit”. Ata s’kanë ç’të thonë. Të gjitha superlativitetet janë konsumuar kaq shumë, sa Kadareja s’ka nevojë për atë çmim. Tek lexuesi shqiptar emri dhe fama e autorit e ka bërë punën, më mirë se vepra e tij. Nostalgjikët e përjashtojnë dialogun si domosdoshmëri të qarkullimit të vlerave. Ata flasin për emrin jo veprën.

Dhe Ismaili duhet ta gjejë veten në kritikën serioze, në ato analiza shkencore që ndjehet i diskutueshëm. Në letërsi s’ka përsosmëri e të vërtetat artistike janë gjithmonë relative.





XII

Propoganda vrastare



Propoganda e etëhershme e partisë e ktheu nazizmin në një çmenduri kolektive e kur në Gjermaninë e pas krizës së viteve ’30, u zhduk shpresa e socializmit, nazistët u shndërruan në bisha të egra, të pa parë në historinë e njerëzimit. Propaganda e bëri nazizmin të pranohej si domosdoshmëri totale e absolute të dominimit të racës gjermane. Propaganda komunsite e paraqiti komunizmin si shpëtim për botën për dominimin absolut të klasës punëtore.

Hamendesoj se opinioni shqiptar akoma nuk e pranon përgjasimin teoriko-praktik midis fashizmit dhe komunizmit, as përplasjen midis tyre nëpërmjet dhunës që kishin propaganduar klasikët  e M-L që te “Manifesti komunist”, 1848 e në vazhdim dhe që u muar si kopje gati autentike te vepra “Mein Kamp” e Adolf Hitlerit.

Siç dihet Marksi trashëgoi teori të fuqishme nga filozofët gjermanë dhe në vend që ta interpretonte botën, siç bën çdo filozofi, ndërtoi programin për ta ndryshuar botën nëpërmjet dhunës revolucionare, nëpërmjet një aleance midis filozofisë dhe proletariatit. Kur në skenën historike erdhi revolucionari profesionist V.I. Lenin, përvetësoi pikërisht esencën e kësaj aleance dhe me dhunë e përmbysje do ta çonte Rusinë nga Carizmi feudalo-borgjez në socializëm.

Adolf Hitleri u përcaktua kundër ideologjisë bolshevike duke marrë prej sa instrumentin themelor, dhunën. Prej këtij momenti hyn në histori pretendimi absurd i disa individëve për të bërë historinë, merr krah propaganda për të manipuluar njerëzit, indentifikohet personi me funksionin, fatkeqësisht në modelet më të përçudnuara të Hitlerit dhe Stalinit. Propaganda naziste e komuniste ngriti në qiell idhujt e vet si shpëtimtarë dhe rrëzoi nga qielli idhujt shpirtërorë të njerëzimit Krishtin e Muhametin. Pa atë propagandë të gjithanshme duke zbritur deri te qytetari i thjeshtë, ata nuk do të gëzonin atë popullaritet të padiskutueshëm. A. Hitleri u servir si përfaqësuesi më i spikatur e më moderni i Gjermanisë bashkëkohore; J.V.Stalini, jo vetëm si shpëtimtar i Rusisë por shpresë e mbarë njerëzimit. Ideologjia epidemike e organizimit të forcës do të sillte pangjermanizmin racist e pas përplasjes me njëra-tjetrën, do të shpallej socializmi e komunizmi si rend botëror prespektiv. U gërshetua mjeshtërisht propaganda dhe dhuna; propaganda hipnotizoi miliona njerëz dhe e sajoi Stalinin si udhëheqës botëror. Gërshetimi mesjetar midis masës dhe kryetarit (Hitlerit ose Stalinit) ishte shumë larg nga gërshetimi midis nderit dhe besnikërisë. Himleri thoshte: “Nderi im e ka emrin besnikëri ndaj Fyrerit.” Koha provoi se pikërisht dyshimi dhe frika për këtë besnikëri i bëri të gjithë hitlerianët e stalinistët të futeshin në një gjakderdhje të pashembullt dhe brenda tyre. Forca përmbysëse, pushtuese, me luftë e dhunë u ngrit në vlerë universale, duke rrafshuar çdo vlerë demokratike që kish krijuar njerëzimi që nga antikiteti i tij “Lufta është nëna e të gjitha gjërave – do shkruante A. Hitleri – Njeriu nuk mund të qendrojë përmbi botën shtazore në sajë të parimeve të njerëzisë, por vetëm nëpërmjet një lufte të egër.” Të dyja këto ideologji ekstremiste shkatërruan kombet e tyre, paçka se Hitleri pranonte se “forma moderne, normale e shoqërisë globale është kombi” (nënkupto kombi gjerman). Propaganda fashiste do të mburrej se shkatërroi internacionalizmin proletar, ndërsa ajo komuniste do të mburrej se kombin e zëvendësoi me internacionalizmin (kupto në bazë të kombit rus).

Të dy, si Stalini dhe Hitleri, kishin nevojë për armiq. Dhe kur nuk i kishin, i sajonin. Çifutët ishin të domosdoshëm për Hitlerin dhe armiku i klasës ishte i domosdoshëm për Stalinin. Kjo propagandë e ngritur mbi kryqe të thyera e drapërçekanë, theu çdo normë drejtësie e çdo vlerë njerëzore. Rezultati: Shkatërrimi i racës gjermane dhe i klasës punëtore revolucionare.

Fashizmi u përmbys brenda një dhjetëvjeçari me kundërvënie e përplasje të pashembullt botërore. Komunizmi ra si gërdallë e kalbur nga vetvetja. Pasojat, miliona të vrarë. Fashizmi vrau miliona të pafajshëm duke e shpallur luftën, komunizmi vrau miliona duke shpallur paqen. Propaganda naziste u varros së bashku me nazizmin. Propaganda komuniste e justifikoi deri në fund “paqen e përgjakur” dhe në emër të pluralizmit gjallon aty këtu edhe pas përmbysjes së perandorisë ruse. Të dyja, të prirura për ringjallje.

Stuhia histerike hitleriane rrafshoi vlera të mëdha të kulturës botërore dhe së bashku me lulëzimin dhe rënien e komunizmit i dhanë fytyrën më të gjaktë shekullit të XX. Ato u shoqëruan edhe me një letërsi dhe art të bollshëm por letërsia nazifashiste ra si turpi i kulturës gjermane e italiane, letërsia komuniste nuk ra së bashku me regjimin dhe nuk i ka të paktë nostalgjikët.



*  *  *

Propoganda komuniste kish nevojë për letërsinë komuniste dhe, mjeshtërisht, e bëri atë pjesën më vitale e më cilësore të saj. Jo më kot shkrimtarët dhe artistët u cilësuan si krahu i djathtë i partisë në edukimin e njeriut të ri. Letërsia socialiste mbushi libraritë e bibliotekat, teatrin dhe kinemanë, dhe ishte lënda e parë e mijëra shtëpive e vatrave të kulturës, shkollave, reparteve ushtarake cep më cep territorit shqiptar. Natyrisht, preferencat i kishin shkritmtarët e shquar Ismaili dhe Dritëroi që masivisht u programuan si lexim i detyruar. Në atë kohë, kur kanalet e informacionit e të kulturës ishin të pakta dhe vetëm e vetëm shqiptare, kur mendimi unviersitar ishte i vonuar dhe gjithashtu partiak, kur mungonte akademia dhe institucione të tjera të larta, shkrimtarët u kthyen në simbole të përparimit dhe më të shquarit u bënë kulte me funksione akademike, që kishin në popull autoritet moral dhe estetik shumë të madh. Ata ishin të zgjedhurit e të dashurit e partisë dhe gëzonin dashurinë e popullit.

Por punët e letërsisë e të artit të vërtetë janë më të holla më komplekse e përvoja krijuese kudo në botë, tregon se letërsia nuk është propagandë ideologjike, madje, sa më larg dhe e pavarur të jetë, aq më të mëdha i ka fushat e vlerave të veta.



*   *   *

Romani “Dimri i madh” i Kadaresë nuk është vetëm romani i krenarisë shqiptaro-komuniste të izolimit (vetmisë së madhe), por dhe lapidari më i bukur që i është ngritur diktatorit. Romani u prit me entusiazmë nga opinoni shqiptar dhe nga grupet komuniste kudo në botë. Ndonjë vërejte për të, më tepër si matje pulsi, ishte për faktin se ky lapidar për sh. Enver, mund të ishte më i madh (!) dhe se Shqipëria komuniste nuk është e izoluar (!), përkundrazi, avangardë e luftës kundër imperializmit amerikan dhe socailarevizionizmit rus. Romani menjëherë u bë pjesë e propagandës së partisë; u ribotua nga shteti disa herë me tirazh të lartë, u përkthye nga shteti në disa gjuhë, dhe u fut në programin e detyrueshëm shkollor. Romani u dramatizua nga autori dhe u xhiura si film artistik nga regjizori ynë më i mirë. Të gjithë shqiptarët krenoheshin me aktin heroik të udhëheqësit të vet që heroikisht ia kish mbledhur kryerevizionistit Hrushov. Asnjë kritik nga kokat e mëdha të kritikës nuk vuri ulërimën se pas këtij akti të pa përgjegjshëm e aventuresk, popullit të shqiponjave do t’i duhet “të hante bar”!

Me këtë roman autori ynë i shquar, u shqua më tepër dhe i siguroi vetes një pasaportë diplomatike paprekshmërie brenda dhe jashtë. Enver Hoxha kish dhënë garancinë se askush nuk dota prekte tash e tutje shkrimtarin e vet. Ma do mendja se edhe kur D. Agolli, A. Kondo e co; (ndoshta dhe Ramiz Alia) tentuan më 1975 në “Pashallarët e kuq” që ta godisnin përfundimisht I. Kadarenë, i kishin bërë llogaritë pa hanxhinë. Ka qënë Cari që i hoqi litarin nga gryka. (Kështu në çastet e fundit kishte shpëtuar Dostojevski, kur litari iu hoq nga gryka me urdhër të Carit)…

Dhe megjithëkëtë romani është i preferuar i nostalgjikëve dhe autori është vërdallisur ta mbrojë e ta justifikojë romanin e tij…(!) se lexuesi perëndimor paska nostalgji për atë qendrim të Shqipërisë… se është kurjoz të dijë për ish çarjen e madhe të kampit… e hamendësitë se E. Hoxha do të pritej si hero, ndoshta më tepër se J. Titua në perëndim etj., etj., më duket se nuk janë bindëse. Faktet treguan se komunizmi i revizionuar i Hrushovit kritikohej nga komunizmi ortodoks i Enver Hoxhës për të ruajtur komunizmin stalinian … se Hoxha e prishi me Lindjen për t’u bërë më lindor, se e prishi me Bashkimin Sovjetik për t’u lidhur me Kinën dogamtike të Mao Ce Dunit akoma më larg psikologjisë shqiptare…

Edhe romani “Dasma” që u prit mirë në perëndim deri në një dramatizim propagandistik të BBC-së prestigjioze … vë në dyshim vlerësimin superlativ të kritikës perëndimore (sidomos franceze) për Kadarenë. Të paktën për “Dasmën” është distancuar autori, por unë çuditem se këto lloj taksash që i duhej të paguante ndaj regjimit dhe direkt diktatorit, ishin taksa të rënda, për të mos thënë falimentuese, të shpallura me dëshirë deri në vetsakrifikim… Një taksë të tillë do t’i quaja edhe vlerësimet sipas korit komunist të Kadaresë ndaj Gj. Fishtës dhe E. Koliqit. Kjo taksë rëndoi jo vetëm kolegët e tij të mëdhenj të mbuluar me baltë, të mohuar varresh e kockash, por edhe vetë autorin.

Sidoqoftë, çdo nostalgji për këdo e nga kushdo s’ka të bëjë me vlerat e njëmendshme e të qendrueshme të letërsisë e të artit dhe kjo nuk mund të shërbejë si rrufepritës për autorin në dy regjime të kundërta shoqërore dhe as si prapavijë betonarmeje e gardës servile rreth autorit.



*  *  *

Paska shkruar shkrimtari 75-vjeçar nga Hollanda, Herri Mulish, një roman për Adolf Hitlerin e qenka më i shitshmi në Gjermani e Hollandë. Vini re ndryshimet:

Tirani i madh (A. Hitleri), personazhi i romanit trajtohet në anë të padukshme të tij, marrëdhëniet e tij si burrë me Eva Braun, lindjen e djalit të tyre “bjondit të bukur” Zigfrid.

Romani nuk është lapidar për A. Hitlerin, por lapidar i hiçit, i frikës dhe i boshllëkut. Karizmi i tij në esencë është produkt i hiçit të Hajdegerit, produkt i nihilizmit të Niçes, apo i pesimizmit të A. Shopenhauerit. Zigfridi i bukur është pjellë e një dashurie midis një bishe njerëzore me Eva Braun-in, mbyllur në një kështjellë mesjetare, besnike absolute e gjarprit të vet bashkëshortor që jashtë kështjellës, falë aftësive të tij hipnotike, në sy të masave kthehej në një gjeneral gjenial.

“Karizma e tij, siç thotë autori – ishte një forcë e vërtetë ose një katastrofë e natyrës” [Ashtu si Stalini, do shtoja unë – si Mao Ce Duni apo E. Hoxha ynë]. E pra, romani në fjalë nuk është pjesë e propagandës fashiste, por e një muniteti historik me emrin Adolf Hitler është fjala e një shkrimtari mbi traumën naziste të shek XX që bota e pagoi me lumenj gjaku, është personifikimi diabolik i së keqes, mishërimi i një hiçi, ardhur aksiedentalisht në udhëkryqet e historisë.

Ka plot nostalgjikë që e pëlqejnë edhe Hitlerin edhe Stalinin, jo vetëm kur shkrimtarët u ndërtojnë lapidare këtyre, por edhe kur masat i gremisin humnerave. E keqja, që kristalizohet në portretin e këtyre njerëzve gjithë blozë e  helm, fatkeqësisht, pëlqehet, ka gjithnjë simpatizantë, siç ka dhe Hitleri i ditëve tona me emrin Usama Bin Laden.



XIII

Sisët e eposit dhe të historisë


Shumë krijues shqiptarë i kanë mjelur sisët e eposit shqiptar e ballkanik. Qumështi i tyre ka ushqyer fort mirë letërsinë më të fuqishme të trojeve shqiptare. Jo vetëm Kadareja por edhe M. Kuteli, F. Arapi, Dh. Shuteriqi, N. Prifti, M. Zeqo, S. Drini etj., etj., tek eposi e mitet kanë gjetur material të bollshëm, të cilësisë më të lartë e me të kanë qepur kostumet e veprës së tyre, jo gjithnjë të cilësisë së lartë.

Unë nuk mendoj se shfrytëzimi i miteve ka patur synim gjallërimin e traditave heroike e patriotike, siç janë shprehur mjaft kritikë e studiues, e aq më pak vazhdimësinë e përtëritjen e tyre në kushtet e reja të ndërtimit të socializmit. Mendimi pompos e irreal se shqiptarët janë Promethenj, Halila, Gjergj Elezë e Omera, Mic Sokola, Azemër e Isa Buletina, më duket jo vetëm irreal por edhe naivitet. Qumështi i miteve është koncentrat e, edhe i mbytur në ujë, e ka ruajtur të bardhën e tij. Personazhet e mitit, inekzistentë, s’mund të na vijnë nga lashtësia si ekzistentë në kohët tona. Dhe mesazhet e tyre të qendresës, heroizmit e të një korpusi të tërë virtytesh, s’mund t’i jepnin njeriut shqiptar as busullën as tingëllim të ri. Ato, mitet, e shumta, kanë shërbyer si dekor i largët dramash të reja e përralla edukative për të tëra moshat; ata janë një letërsi e mrekullueshme fantastike e krijuar nga breza anonimë, e pse jo dëshirë e njeriut shqiptar për të qënë madhështor, në ëndërra. Pa dyshim eposi shqiptar, nga më të ndriturit në Evropë, është dëshmi autentike e gjenisë krijuese të popullit të vet. Në këtë ëndërr madhështore kolektive, tashmë të vendosur në altarin e kulturës shqiptare, krijuesit tanë janë përpjekur të ndërtojnë ëndërrën e individit duke tonuar mesazhet kuptimplota që rrjedhin nga lashtësia.

“Mjelësi” më i talentuar që i ka shtrydhur të gjitha sisët e mitit, eposit, baladës, e historisë së lashtë e mesjetare është Kadareja. Nuk besoj se ka dashur të depërtojë në burimet e brendshme të qendresës dhe heroizmit, as për të ndierë rezonancën e ideve të mëdha, jo. Më duket se autorit kjo tematikë, kjo shtresë qiellore e shpirtit të shqiptarit, atij si krijues, i ka shërbyer si Gjetje artistike e gatshme. Duke qënë i prirur të meditojë e të filozofojë, me një gjetje artistike brenda gjetjes, ai lehtësisht ka operuar me mesazhet. Kjo “gjetje” atij i ka dhënë tiparet e një narracioni filozofik. Kadareja duke zgjatur dorën  nëpër mite, ka gjetur të gatshme lëndën e parë, fantazinë e ndezur, irrealen, qendresën e përhershme, tragjizmin e përhershëm, pikëllimin, fatalitetin etj, elemente këto të artit modern e me të gjitha, si magjistar i Delfit, lexoi në ballin e njeriut të lashtë shqiptar, ato që po ndodhin sot.

Në veprat e Kadaresë lexuesi njihet me marrëdhënie të panatyrshme rrethanash, bëmash, kumte të gjallësh e të vdekurisht që zbresin nga trojet e parajsës apo këlthasin nga ferri; ai luan me to, ndërton ngrehinat e veta plot me hetime e dyshime në një sfond  mjegullor si në përralla. Kompleksi i Trojës, Kadmi, Prometheu, Zeusi, Dorontina e Rozafa, Qerozi e Centauri etj., etj., rrezatojnë me fatalitetin e njeriut shqiptar që, fatkeqësisht jeton dhe entusizmohet më tepër me rrezëllimet e netëve të tij, se sa me mëngjeset që pret.

Atje në shtresat qiellore të mitit, sidomos të eposit shqiptar, bota është statike; me të njëjtit heronj, atje bota është ideale me monumentet e gjalla e të vdekura qyshkur të Mujit, Halilit, Gjergjit, Ajkunës e Tanushës, Omerit e Bajlozit e Krajlit; paralel me ta ose më vonë, baladat tona drithëruese e sfondi heroik i luftrave, përleshjeve, vdekjeve, ringjalljeve, hakmarrjeve, mbi të cilat ndritin yjet e pashuar të besës, nderit, burrërisë, mikpritjes; një botë e tërë hijesh të larta ahesh e bredhash e malesh që e sotmja nuk i nxë. Atje, në lartësinë e reve që puthin qiellin, fantazia e ndezur e poetit popullor, ka qendisur madhështoren si kategori estetike e morale, e si metër për të matur dimensionet e njeriut tokësor; atje orët e vitet lëvizin pas e përpara, atje heroi bëhet burrë për shtat vjet. Ai fle qindra vjet e zgjohet sikur ka fjetur disa orë; atje ngjarjet zhvillohen në lartësi të mëdha, nën dimra të egër me borë, me bllokime udhësh e malesh, me ngrirje e shkrirje burimesh e lumenjsh; atje nuk i dallon dot njerëzit e zakonshëm nga gjysmëperënditë, atje orët e zanat, ëngjëjt e gjarpërinjtë të kujtojnë eposin homerik me bëmat  në tokë e në qiell.

Mendoj se Kadareja e ka njohur në qeliza mitin dhe eposin ballkanik e prej tyre është frymëzuar me të jashtëzakonshmen të përveçuar si vlera të letërsisë moderne e bashkëkohore. Prej andej ai ka marrë konflikte të gatshme me karakter universal e duke i aktualizuar me kostumin e vet krijues, ka mundur të pikturojë edhe fytyrën e bashkëkohësisë. Koncepti “kohë” në epos, e ka ndihmuar autorin që ta lëvizë ngjarjen, ta ngrejë, apo ta ndryshojë në funksion të mesazheve të reja, në hapësira të papërcaktuara të shesheve të luftës. Për Kadarenë koha, vendi, lëvizja plastike e ngjarjeve të ngrira, ndoshta janë elemente të ekzistencës së dramës shqiptare të pazgjidhura edhe në fund të shek. XX. Drama e tij, në kuptimin e konfliktit në vepër, lëviz nëpër shtete e kontinente të tjera, me emra të tjerë, zbret nga qielli e ngrihet nga varri dhe lexuesi nuk e ka të vështirë ta njohë Keopsin, Zeusin, Prometheun, Edipin, Maon, Akilin, Helenën etj., etj.. Preferenca e tij është konflikti në korpusin Zeusian, në të cilin mban anën e viktimës dhe herë-herë njësohet me Prometheun. Ai realizoi në letërsi atë që s’mundet në jetë, më saktë të kundërtën e dashurisë me Zeusin. Herakliu i legjendës së lashtë, heroi i pavdekshëm, vdiq sepse veshi zhgunin e përgjakur të vikgimës së vet, centaurit Nesus. Ndoshta, sipas tij, këtu ai ka parë fundin e diktaturës komuniste, mallkimin e rëndë të viktimës, krimet masive, hakmarrjen popullore… Është fjala jo për viktimën por gjakun e saj, duart e papastruara të Makbethit, njësimin e kriminelit me viktimën. Manteli i Centaurit është manteli i veshur nga autori për të çarë rrugën e mundimshme të disidencës.

Pas vitit 1975, siç thotë Kadareja, kish ndodhur e kundërta e asaj që priste shteti nga ai. Poeti “nuk ra në gjunjë, nuk u fut në shtrungë si të tjerët”. Më tepër se autori për këtë flet vepra. Enigmat mbeten gjithashtu për autorin dhe veprën e tij. E çuditshme se si Enver Hoxha e ka mbrojtur Ismail Kadarenë nga Enveri. Zgjidhjen e kësaj enigme unë nuk e pres nga zbardhja e arkivave të diktatorit dhe segmenteve të gjalla staliniste. Unë i besoj arkivave të pazbardhura të poetit dhe veprës së tij. “Pashallëqet”, “Komisioni i festës”, “Kamarja e turpit”, “Ura me tre harqe”, “Nata e sfinksit”, “Pallati i ëndërrave”, “Koncerti”… ngërthejnë një botë të lemerishme plot tradhëtira, vrasje pabesi, koka të prera, kurthe, masakra shtetërore, vrasje e gjak midis anëtarëve të Byrosë Politike, Lin Biao, Mao Ce Dun, Mehmet Shehu, Kadri Hasbiu etj., etj., e pra kjo botë s’kish të bënte aspak me ato që kërkonte realizmi socialist.

Këto ngjarje dite, ku më shumë e ku më pak janë të veshura me këmishën e lashtë, zgjedhur nga miti e eposi dhe kanë vulën e realitetit duke qënë atje, diku, dikur. Janë këtu dhe atje, sot dhe dje me një taktikë për t’u mbrojtur nga çensura e nga metoda partiake e ideologjike.

Dhe diçka tjetër: ka atje në eposin tonë një dritare plot dritë, që jo vetëm fokuson në jetën tonë, por e lidh fatin e njeriut shqiptar me zgjidhjet tolerante e demokratike të Evropës. Halili i Eposit, për mendimin tim, është heroi që ka shkuar që atëherë në Evropën që synojmë të shkojmë sot.

Halili, vëllai i Mujit hedh dashuri me Tanushën të bijën e Krajlit, armikut shekullor dhe e rrëmben atë. (Rrëmbimi i nuseve është i lashtë në eposin ballkanik. E përmend edhe Herodoti, kur kujton rrëmbimin e Helenës nga Paridi dhe mbi këtë motiv është shkruar një nga kryeveprat e lështësisë, “Iliada” e Homerit).

E çuditshme si u ka shpëtuar “sisa” e martesës së Halilit shkrimtarëve shqiptarë e veçanërisht Kadaresë! Ajo e bukura Tanusha bija e armikut, që të vret me sy e vetull, futet në krejt eposin tonë si një frymë e ngrohtë për të zbutur dimrat e egra, bjeshkët e akullta dhe urrejtjen prej mali. Bukuroshja zbut të gjithë gjendjen, edhe Mujin edhe detin që hedh erërat e buta për të shkrirë dimrin, që mbush barkun e reve e shkrijnë orteqet, e ikën bora, e zbutet era, e hapen udhët për të kaluar dashuria. Kjo dashuri është oazi më i kaltër i eposit dhe tregon psikologjinë madhëshore estetike e tolerante që ka populli ynë për bukurinë dhe dashurinë. Eposi ynë, ai i lashti, qenka më liberal se “eposi” socialist. Mos kjo dashuri e ndaluar do të zbusi sadopak urrejtjen e shkëmbëzuar midis kampesh kundërshtare? Mos është një dallgë deti që lëviz e thyen shkëmbinjtë e palëvizshëm të urrejtjes me atë që “në mëni të njëri-tjetrit kemi lê”?

Ndërsa “Tanushat” shqiptare të realizmit socialist, me që qenë të “krajlit” ishin rreptësisht të ndaluara të dashuroheshin “nga njerëzit tanë”, sepse ato ishin të armikut të klasës, sepse ato duhet të treteshin kampeve të punës pa martuar, jo me një hero si Halili, por as me një sakat. Se dhe sakati prishte biografinë.

(Gjatë vitit 1999, kur po shkruaja me Primo Shllakun librin “Kosova, saga e Ballkanit”, ndieva se isha i rrezikuar të mos i shmangesha urrejtjes – ishim të detyruar të vizatonim edhe udhët e gjakta nëpër hartën e urrejtjes ballkanike. Pas librit ndieva një boshllëk të tmerrshëm e shkrova në epilogun e librit kapitullin “Kambana e paqes”. Nuk u mbusha e një natë shkrova poezinë “Shkëmbi dhe dallga”. Më lejoni t’ua them një fragment, botuar te vëllimi “Vdekja e trëndafilave”

… Një kërcell i brishtë

i dredhoi dallgës

u hodh nga orteqet e eposit heroik

Dhe si Halili

Vajzën e detit kërkoi për nuse.



….



Baladat e bardha

Me gjak të ftohtë

Të rralluara si dele kokëulura

Aty këtu kullosin në bjeshkë



Çdo mëgjes, në breg të detit

Hyn e del Tanusha

Me gjinj të ujtë

E flokët prej shkume)



*  *  *

Paralelja tejtër, ndoshta më e rëndësishmja, që vizaton Kadareja, është ajo e natës osmane, ajo e gërdallës gjigante mbushur me vezirë e pashallarë, kudo që ka vënë putrën perandoria. Prej andej kemi marrë plot fosile të zeza e me to si prej bloze kemi ndërtuar shtatin tonë, shtatin tonë anadollak kundër shtatit tonë të natyrshëm evropian. Prej andej kemi marrë huqet e pista e gjakatare të sulltanëve aziatikë e, në më se 500 vjet, kemi ndërtuar portretin e drejtuesve shqiptarë që nga bejlerët e provincave deri te kryministra e presidentë (rreth 70 të tillë që nga 1920-a) që pamvarësisht nga meritat, trimëria e gjakut shqiptar, kurrë dhe asnjëherë nuk i ka shpëtuar imitimit të sulltanatëve.

Po ndalem pak më tepër tek një nga novelat më të mira të Kadaresë.



                                                                     Qorrfermani



Shkruar më 1984, një vit para vdekjes së diktatori shqiptar. Veprimi në Stamboll ose në Tiranë. Është fjala për një fushatë spastrimesh nga më të llahtarshmet, nxjerrjen e syve. Nga odat e Sulltanit ka dalë fermani më i zi për veprim në të gjithë perandorinë, nxjerrjen e syve, jo vetëm të syrit të lig por edhe për sytë që shohin qartë e më larg dhe për sytë që e hedhin vështrimin në zonat e ndaluara. Qorrfermani vret sytë e armikut të klasës ose atij që mund të bëhet armik i klasës, armikut brenda nesh. Qorrfermani është tregim për frikën, ankthin, tmerrin që vjen së sipërmi nga shteti. “E akullt, impersonale, pa përmasa, me një bosht të madh tejpërtej… ajo (frika) nisi të përfshinte, me mekanizmin e saj, qindra mijëra njerëz…” U hapën zyrat e verbimit ose të edukimit, apo të ndëshkimit makabër, apo të drejtorisë së dytë, a të ministrisë së terrorit shtetëror. Torturat në procesin e edukimit do të jenë të tmerrshme: Sytë do nxirren me hekur e gjilpëra, me shtypje gurësh mbi stomak për të shkaktuar daljen e kokërdhokëve, me djegie me acid apo me terr deri në shuarjen e plotë të dritës.

Pas këtij prezantimi të mynxyrshëm, në qendër një familje me origjinë shqiptare (në Stamboll a në Tiranë) që ka një lidhje me familjen qeveritare të Qyrpllinjve e që duket si e lumtur sepse dhënduri i saj i ri, i fejuari i Maries është emëruar në komisionin qendror të nxjerrjes së syve. Skena seksi i të dy të fejuarve. (Natyrisht të palejuara këto nga RS… por në fund të fundit këta s’janë njerëzit tanë (!) Tutje, Anadollit ndodhin edhe këto akte imorale).

Dy të rinjtë mbërthehen nën krahët e epshit të parakoshëm, me një ankth të brendshëm e tmerr kobzi sepse dikush ka spiunuar për antarin e komisionit, dhëndërrin simpatik që po përgatitet të ndahet nga shalët e bardha të nuses e për t’ju nënshtruar nxjerrjes së syve…  Askush nuk është i imunizuar nga goditja, sepse të gjithë ndjehen fajtorë se kanë sy, se kanë gjuhë, se kanë vesh… Ka në ato pak faqe edhe një poet, poeti i shquar Tasim Kurtogllu (ose Ismail Kadare) që do t’i nënshtrohet hetimit të qorrficit. (Me që është poet i shquar, nuk po thirret në zyrën qendrore, por aty pranë, fjala vjen, në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve). Poeti paska botuar dy javë më parë vargjet: “Më vrau harku jo shigjeta” e pastaj: Vini re procesin hetimor: “Me datën shtatë të këtij muaji me ca miq, ke thënë se “ferri i botës do të shtohet me këtë verbim të madh…” Me datën 12 ke thënë në një kafene se “ka një drejtpeshim mdisi ditës e natës, dritës dhe errësirë… dhe se ky drejtpeshim do të prishet” ke thënë gjithashtu, dhe kjo është më e keqja, se shuma e të gjitha syve të njerëzve në botë, rreth një miliard e ca, përbëjnë sipas teje, atë që quhet syri i njerëzimit mbarë, dhe se ky sy dobësohet kur verbohen një pjesë e njerëzve, sidomos, kur verbohen (vini re ju të tjerët), kur verbohen sytë më të ndritur…” No koment”.

Ka një klithmë “Qorrfermani” që ngrihet në ajër e rri pezull, si klithma e një zogu të plagosur, që përpiqet të qendrojë në ajër, pa zënë baltë: Përse? Përse? Përse?

Përse? – pyet Maria të dashurin që pas pak do t’i nxjerrin sytë.

Përse? Përse? Përse?

-    Ti po pyet “përse” – tha ai duke shkaktuar në fytyrë një nënqeshje të hidhur…

-    Përse?

-    Ne jemi dëshmitarë të shumë gjërave që duhet të harrohen… Sytë tanë kanë parë shumë gjëra që s’duhet t’i shihnin, më kupton. Ne ishim fare pranë mekanizmit. Rrotat dhe rrypat e tij gati sa s’na preknin… Dhe listat e goditjes vinin të gatshme drejt e nga lart…

Përse? Përse? Kanë klithur mijëra e mijëra viktima pas mbledhjeve të partisë, të kryesisë, të plenumeve, pas vendimit të gjyqit, pas mbledhjeve të kryesisë së LSHA, natën në gjumë. Përse, përse? Në birucë, në burg, në galeritë e minierës, para skuadrës së pushkatimit: Përse, përse?, këlthasin eshtrat nga varret. Klithma mbetet pezull. Mos prisni përgjigje! Ishte  një badërdi e paparë që shfrynte si stuhi mbi shtetin e madh (dhe të vogël) që thyente e rrafshonte pemët majtas e djathtas, ishte denoncimi i popullit kundër popullit, ishte nata e sfinksit të madh që dridhej nga frika e krimeve të tij.

O Zot, pa dëgjoni ç’thonë disa të verbuar: “Bota u dukej më e bukur tani që nuk e shinin dhe se në vend që të shihnin errësirë, prkundrazi kishin më shumë dritë në kokat e tyre…”

“Qorrfermani” nuk ka të bëjë me realizmin socialist si metodë e njëkohësisht ka të bëjë me epokën e komunizmit anadollak që, që në ditët e lindjes e deri në ditët e vdekjes kishte ekzistuar vetëm me qorrfermane. Skajshmërisht në brigjet e veta këtu shteti dhe poeti janë tepër larg. Ka ndodhur ajo që pritej, divorci. “p-ja” e vogël (poeti) e plasi enën e vet dhe tretësira, atje përbrenda vetes, ngujuar prej shumë kohësh nën zhgunin e “P-së” së madhe (politikës) treti dhe avulloi maskën. Divorci ish shfaqur më herët, por duket se u konkretizua në vitet ’80 në prag të vdekjes së sulltanit. E ai sulltani ynë kish vite që shikonte ëndërra të këqia e “nata e sfinksit” ashtu dirthëruese nën mankth, paskej qënë shumë e gjatë. Diktatorin, autorin e qorrfermaneve e hëngri nata e vet. Manteli i Centaurit, fatalisht kish goditur mbi trupin e tij. Shtesa e fundit e tregimit është i tepërt. (Me siguri taksë për çensorët) Antiferman ose dritferman nuk pati kurrë. “Dreka e pajtimit” është e pamundur; është drekë helmi pas varrimit. Diktatorët qorrojnë vetveten. Sytë e ndritur të poetit Tasin Kurtogllu janë të përhershëm si drita. Edhe pas vdekjes. Në Anadoll. Dhe në Tiranë.

*  *  *

Ndryshe e mjel eposin Fatos Arapi. Prej andej nga miti e balada, ai merr tharmin poetik, ato shkëndijime të moçme që i sheh të njeriu shqiptar i të gjitha kohërave si simbole krenarie dhe fataliteti. Poet i trishtuar, vazhdimisht i trishtuar, që e përfytyroj gjithmonë me dhimbje kokë e me aspirinë nën gjuhë, Fatos Arapi ndërtoi poezinë e sinqertë të tragjizimit shqiptar.

Onomastika, toponimia e lashtë e eposit vinë e bëhen në vargjet  e tij  simbole që na ofrojnë Olimpin, Dodonën, Trojën, Uliksin, Pashalimanët, Ajkunën, Vlorën e lashtë e të re, gjenezën e shqiptarëve… Një botë e tërë emocionale plot drita e hije, plot dëshpërim e vdekje. Arapi e pa fatin e njeriut shqiptar faqe me faqe me tragjedinë e dëshpërimi, është lënda e poezisë së tij. Edhe me të dashurën edhe me bukuritë e detit. Edhe puthja edhe pejzazhet madhore të bregdetit, të Zvernecit e të Vlorës, janë qendisur me penjtë e padukshëm të trishtimit. Poezia e tij që nuk e di pse është mbuluar me heshtje, është poezi e violinës së parë në poezinë shqipe. Realist deri në dhimbje e romantik eterik, ai është diagrama e njeriut të sinqertë pa maska e poza, që s’di të dridhet e të përdridhet, por të jepet i tëri ashtu siç është. Glorias shqiptare, heroizmit anakronik ai i thirri ashtu siç është: “Gloria victis” domethënë, lavdia e humbësit. Fatos Arapi, i sinqertë në fillimet e iluzioneve komuniste, mbeti i sinqertë dhe në aludime, e plotësisht poet i klasit të parë në diziluzionimet e tij. Është poeti që nuk i vjen turp nga rinia e tij e realizmit socialist, atij i ka lezet edhe krenaria për të, edhe flakja pa hezitim e asaj vetveteje zhgënjyese, edhe poezia postkomuniste, gjithashtu e trishtuar, gjithashtu tragjike, sepse “Tirania është mbushur me tiranë”, sepse atje edhe liria të vret.

Intelektual fin e patriot i kulluar, lidhur natyrshëm me rrënjët e tij e të familjes, atje ku fillon atdheu, Fatos Arapi ngre zërin poetik kundër pseudo-demokratëve e ish protokollarëve të partisë e të poezisë dhe u bën thirrje që sa më shpejt të dalin nga pika e vdekjes, nga ajo pikë e ngrirë që pjell diktatorë. Poet i guximshëm ai hulumton edhe atje ku bloza ka qënë ose është shtresa-shtresa.

Kompleksi i Vllasit (vëllait të tij) është thellësisht shqipar. I pastër në iluzione e kundërshtar i rreptë ndaj së ligës e antikombëtares, fisnik e rrebel ai flet për dramën e të gjithë atyre patriotëve e nacionalistëve shqiptarë, që nuk u pajtuan me krimet e komunizmit dhe u zhdukën barbarisht nga regjimi…

Dhe pastaj deti i Fatosit, deti plot enigma dhe pastaj ai mall i pashuar për njerëzit e rrënjët. Dhe pastaj një frikë njerëzore që vjen nga njerëzit e tij. Dhe pastaj ai “udhëtimi” i përhershëm që bëjnë poetët për “t’u kthyer” në atdhe si Uliksi drejt Itakës. Dhe pastaj dhimbja. Dhe pastaj malli. Malli dhe dhimbja që ndërtohen në ëndërra e nuk thuhen dot…

Klithma e Fatos Arapit: “Çdo të bëjmë me lirinë” është një klithmë poetike që duhet të administrohet nga pushteti demokratik… Në mos…

Fatos Arapi është nga ata poetë ballëlarë që s’mund të kurvërojë as me eposin, as me baladën, as me historinë. Për veprat e tij të tipit rrenasocialist, për taksën e rëndë të pagimit, unë shpreh vetëm keqardhjen time. Jam i sigurtë se ai dhe kur e ka shkruar “I përkasim komunizmit” e dinte ,se ne asnjë herë nuk i përkisnim murtajës…



XIV

MURET



Njeriut shqiptar, i dalë nga muret e shpellës mijëra vjet më parë, në shekullin e XX, i duhej të jetonte përsëri brenda shpellës së vet. Atij, që u kishte rënë kontinenteve kryq e tërthorë, që kish bërë luftra, trimëri, tregti e histori, atij që kishte qytete të lashta sa Roma, atij që ishte ndërtues në monumente të kulturës botërore në perandorinë ilire, romake, bizantine e turke, atij që kishte një emër të njohur në lirinë e të tjerëve si Turqisë, Egjyptit, Greqisë, Rumanisë e Italisë (por s’e kishin lënë të ndërtonte lirinë e vet) atij që..., befas, mesi i shekullit modern (XX) i vuri para muret. Para syve të tij, në tokë, det e qiell, regjimi komunist i ngriti muret izolues duke e ndarë nga bota. Në rreze të mureve do vendoseshin ushtarët, mitrolozët telat me gjëmba, qentë. Brenda mureve që nga kufiri tokësor e deti, rrathë rrathë, deri në zemër të shtetit, do ndërtoheshin qindra e mijë bunkerë betonarmeje e brenda barkut të kodrave e maleve do hapnim tunele mbrojtëse kundër botës mbarë. Izolimi u bë total e robi i gjallë s’mund ta hidhte këmbën më tej, zogu s’mund të fluturonte më tej, as peshku të notonte i lirë... Mbi shpinën e këtij populli të vogël e të varfër do eksperimentohej ndërtimi i një lumturie tragjike. Do ndërtohej vetëm me hekurin shqiptar, do lirohej toka me traktorin shqiptar dhe buka dhe qumëshi dhe mishi dhe kënga dhe vallja do të ishin 100% shqiptare. Ishte realizuar kështu ngujimi gjigand i një populli të tërë, ishte realizuar liria e tij brenda mureve... Portet tona të hapura të para me sy lakmie që në lashtësi nga Lindja e Perëndimi do ndryshkeshin për një vaporr e shqiptari i ngratë prodhues dhe tregtar i lashtë i mishit, qumështit, djathit, leshit, lëkurëve në tregjet e botës, do katandisej pa një gotë qumësht për fëmijët, pa një thelë mish në javë... U eksperimentua me entusiazëm se indet e gjalla të jetës mund të rezistonin pa proteinë.

...Dhe ishin të lumtur (!) I preknim muret me gishta dhe krenoheshim, i lyenim fasadat e mureve me gelqere dhe këndonim.

... Dhe ishim të lirë (!)  Lepujt vraponin brenda mureve nga një shkurre te tjetra e qentë gajaseshin me lirinë e tyre nga bedenat.(!)

... Dhe ishim të qetë (!) Se të liqtë armiq të klasës dhe hajdutët i kishin burgosur e internuar.

... Dhe ishim të ndershëm e të moralshëm (!) se nuk gënjenim, nuk vidhnim, nuk kurvëronim.

... Dhe laheshim një herë në 15 ditë (!) se kishim skaltabanjë me vajguri e në banjë gatunim edhe gjellën...

... Dhe bënim festivale, aksione, festa e zbore...



*  *  *

... Dhe kishim libra që lexoheshin masivisht: kishim filma, poetë, shkrimtarë, dramaturgë, piktorë, muzikantë, aktorë...

Ç’i duhej më tepër njeriut? Pse ka fytyrë tjetër lumturia?

... Andej, tutje, matanë mureve është armiku ynë - bota e kapitalit mbërthyer në kriza e që vuan për bukë.... e që nën ura flenë e vdesin njerëz të mjeruar...

Të gjithë kishim hipur në një tren, që qe nisur drejt majave të historisë e që drejtohej nga një trenist, më i sprovuari në botë... (Natyrisht vagonat e trenit kishin edhe dhoma të kategorisë së parë a të dytë, por diferencat e jetës luksoze qenë të pakta). Ne nuk e kuptuam se treni ynë po ecte duke gulçuar e frenuar për të mos rënë në humnerë. Ata që panë humnerën, u hodhën nga dritaret dhe mbetën të vrarë.

Çesllav Milloshi: “Kjo situatë të kujtonte Çarli Çaplinin në kasollen e vet te filmi “Dyndja drejt arit” ku, i shkreti Çaplin merrej përpikmërisht me punët e shtëpisë, pa e ndjerë se banesa e tij kish kohë që lëkundej e po anohej duke shkajtur në greminë”



*   *   *

Dhe, pa dëgjoni!

Paska shkruar Ismail Kadareja: “në këtë Shqipëri të mjerë e të mbyllur me tela gjëmbash, krijohej ndërkaq letërsi e klasit të parë” (!)

A thua dhe shkrimtari ynë i shquar ishte pjellë e rrethimit dhe gënjeshtrës?

Ajo ideologji e mureve dhe e bunkereve e mësoi poetin dhe artistin të gënjejë. Frymëzuesja e saj partia komuniste lypte kudo dashuri dhe enthusiazmë. Ajo mori atributet e nënës, e një nëne të çuditshme që “të trajtonte” si bir e nëse nuk e doje të priste kokën. Dhe nëse nuk doje duhet të shfaqje dashuri. Ti ishe më i ndershëm po të gënjeje. Se do ishe më i rrezikshëm se gënjeshtari e mashtruesei nëse do tregoje të vërtetën. Si poet e artist, po të shkruaje me realizmë jetën dramatike të punëtorit e fshatarit, menjëherë ishe i rrezikuar. Ti si poet e artist ëndërroje diçka tjetër, të bukur e njerëzore, dramatike apo tragjike për këta njerëz të duruar më tepër se guri, por ëndërrën nuk e shkruaje dot... se ëndërra të hidhte dhe matanë mureve..., se matanë tyre mund të prekje edhe lirinë por... por ajo ishte e njëjtë me vdekjen; ti si piktor, falë talentit tënd, vjedhurazi në tablo mund të fusje ndonjë ngjyrë të errtë në punët e kooperativistëve ose të punëtorëve të kombinatiti..., ti ëndërroje bukuri të tjera, mund ta cekje lirinë e krijimit, metafizikën e njeriut, por do ishte i rrezikuar, se qielli ynë duhet të skuqte fasadash si sfond...

Sidoqoftë gënjeshtrat artistike e ruajnë disi ëndërrën. Këto gënjeshtra, ndërthuren bukur me ca të vërteta që s’e dëmtojnë ideologjinë M-L, vinë e përshtaten në kohë si një liri brenda lëkurës e ti thua: Kjo ideologji është e mirë. Kjo më lejon që brenda mureve të saj, të punoj e të krijoj. Ideologjia M-L krijon frikën për të ruajtur lirinë. Frika është vaksinim që ti të mos gabosh. Atëherë në këtë përshtatje s’mbetet udhë tjetër: Zbukuroji muret! Lyeji fasadat. Xhagjika, Blloshmi, Leka, Trebeshina, Camaj, Qyrku, Ballanca etj., bënë zgjidhje të tjera. Dhe plumbi; dhe burgu, dhe arratisja, dhe vetvrasja ishin gjithashtu një zgjidhje  artistësh të shquar...

Frika merr fytyrën e lirisë dhe ta mbron ëndërrën, atë të gënjeshtrën...(!)  Ajo të drejton penën, gjuhën, syrin, veshin dhe ti dukesh poet e artist i lirë. Ti nuk ishe budalla të shkoje te polici duke e braktisur frikën e lirisë. Jo, jo! Liria e frikës është e sigurtë. Para se të përplasesh me çensurën, përplasu me vetveten. Polici është brenda teje. S’të kushton gjë. Nëse këmbët të hanë për vrap, ndalu! Nëse syri të sheh prapa sendeve mbylli sytë! Nëse mendja të çon në lëndina të ndaluara, luaj të paditurin! Mendja, kureshtja, kundërshtimi s’kanë të bëjnë me lirinë e rrethuar. Tavani mbi krye është gjymtyrë e lirisë dhe nëse do të provosh tjetër liri, bjeri me kokë!

Brenda mureve bëhet punë, krijimtari, lindje vdekje të qeta. Shteti të paguan dhe shpenzimet e varrimit. Dhe nëse je besnik pamvarësisht nga aftësitë, mund të punosh dhe në zyra të larta. Pa le të jesh poet a artist i besuar! Pa le të ketë besim shefi i madh tek ty... (!)



*  *  *

Unë nuk i fajësoj ata poetë që shkruanin edhe për diktatorin. As Agollin, as Kadarenë, por të vazhdosh t’i mbrosh akoma ato vepra, edhe jashtë kompromisit të dikurshëm për ekzistencë, vë në pikëpyetje edhe lirinë e sotme. Mickieviçi e urrente aq shumë Carin sa i kushtoi një poemë lavdie. Kjo dredhë i shërbeu për arratisje. Oruelli në fillimet e tij kishte iluzione komuniste. Kur e pa se ç’qe komunizmi në Rusi, nuk e vrau veten si Majakovski, por shkroi një kryevepër antikomuniste rreth 100 faqe e u shpall shkrimtar I shquar antikomunist. (Ferma e kafshëve). Dritëroi  nuk e urretnte dhe nuk e urren diktatorin. Punë e tij. Zgjidhje e tij. Ismaili e ka dashuruar nga frika atë. Dhe frika i rrafshon parimet morale dhe estetike. “Dimri i madh”, është dëshmi shpirtërore. Artistikisht ai roman është shkruar fort bukur për atë që do, si dhe “Shqiponjat fluturojnë lart” që u mësua përmendësh nga të gjithë shqiptarët.

Veç kompromisit për mbijetesë, ndoshta kjo ishte edhe një taktikë për tejkalimin e mureve. Ismaili siguroi lirinë absolute në relativitetin e jetës krijuese brenda mureve. Po. Pranohet. Dija është pushtet. Edhe arti është pushtet. Në atë kompromis djallëzor të Kadaresë me Shefin e madh, pushteti i tij u forcua dhe shteti diktatotiral, që kish nevojë për autoritete artistike, gjeti te Kadareja njeriun më të përshtatshëm për të prezantuar “lirinë e krijmit” edhe jashtë mureve të tij. Më vonë krijimtaria e tij, siç thotë vetë, do ecte kundër metodës e kundër regjimit diktatorial. Ai të kujton agjentët e mëdhenj, të privilegjuarit e mëdhenj, që pasi kanë bekimin e qendrës, në kontakt me “armikun” e gjoja kundër tij, punojnë kundër qendrës... Gjithmonë të dyzuar, nën kllapinë e frikës, nëpër krahët e famës e lavdisë së përfaqësuesit të madh. Kjo gjendje nën neurozë ka përcaktuar krijimtarinë e tij dhe ai erdh e u prezantua si autoriteti më i lartë i letërsisë shqipe. Sidoqoftë ai nuk hoqi dorë nga letërsia që të fut në mendime. Ai nuk e uli pjacën dhe e ruajti më me dinjitet se të tjerët mistikën e artit. Siç dihet, veçanërisht pas 1974, mbi krijimtarinë artisitke u ushtrua një trysni e rreptë e shteti kish hapur portat e burgjeve edhe për krijuesit. Poezia dhe proza e puthadorësve u drejtua përsëri nga temat tona të luftës e të heroizmit e u mbush me akuarele mbi malet, pemët, lulet, kuajt, cjepet, pleshtat që nën motive e rima folklorike të kujtojnë kupletet e estradave të kooperativës. Propaganda partiake mori revan. Askush nuk parashikoi krizën e regjimit e aq më pak rënien e tij. Këtë psikologji e ndihmoi edhe letërsia dhe militantizmi i shumicës së shkrimtarëve që s’e kishte për gjë të spiunonte te Dritëroi për vepra e shfaqje të huaja. Po eksperimentohej si në Kinë shpërlarja e ndërgjegjes, fletë rrufetë, kontrolli mbi trurin dhe ëndërrën. Ndërmerret ndaj figurave të dijes dhe të artit një nga presionet më absurde, që do hapte udhën për të goditur “të gjitha grupet armiqësore” në ushtri, ekonomi, tregti, sigurim, arsim, kulturë. Të drejtuar nga njëshi, nën një luftë të egër brenda llojit për të ruajtur pushtetin, shteti po përgatiste aktin e fundit apokaliptik për të ngrënë vetveten.

Inteligjenca u vuvos, u ndrydh e u kërcënua e një pjesë e saj mori në dorë kamzhikun e diktatorit. Solidariteti komunist ishte forca më hipokrite që luhej në radhë të parë kundër vetë komunistëve e u lëshuan të gjithë kundër të gjithëve. Tek secili mund të shikoje spiunin dhe hetuesin, katilin dhe viktimën. Ishin vitet kur njeriut shqiptar u katandis jo vetëm “pa brekë e këmishë legjendare në trup” si te Migjeni, por u bë baltë, baltë, ku mund ta shkelje për hiçgjë. E mira dhe e keqja, që përbëjnë shtyllat etike të njeriut, i rrafshuan kufijtë e njohjes; i vetmi kriter vlerësimi ishte interesi i partisë dhe i gjithë kontributi letrar artistik u reduktua në aspektin moral dhe ideologjik e spiunllëku u bë mënyrë jetese.

Muret e vigjilencës u ngritën edhe më lart dhe u ndaluan dhe të mëdhenjtë e botës që më parë njiheshin aq mirë në Shqipëri si Shekspiri, Ibseni etj., etj. Shkrimtarët dhe artistët duhet të realizonin vetveten në një treg të seleksionuar rreptësisht. Ky treg të detyronte të hiqje copa mishi nga vetevetja. Inteligjenca krijuese ishte më e brishta sepse shteti e kish më të lehtë të godiste indet e buta të shoqërisë e të ngrinte gjymtyrët kockore e shterpa në drejtimin e vet.

Në këtë nëpërkëmbje u bënë fir edhe talente të mëdha. Sa për shembull: të gjithë kujtojmë me dashuri këngëtaren brilante Vaçe Zela, që u konsumua aq keq me çmimet e para për këngët për partinë, për kongreset e për udhëheqësin.. E nga ai zë magjik na mbeten aq pak, aq pak. Pa dyshimin më të vogël them se, nëse, Vaçe Zela do kishte fatin të këndonte p.sh. në Spanjë, Meksikë apo Argjentinë, sot do të kishte disqe të arta në tregun botëror të këngës... Po kështu, sa poetë të talntuar nën njëshin e dyshin, sa piktorë, sa regjizorë, sa aktorë... u bënë fir brenda mureve nën një eklips hijesh e gurësh. Më të shquarit e letërsisë, gjithashtu nën eklips, u bënë pjesë e trysninë shtetërore të tipit Agoll por dhe pjesë të tipit F. Arapi apo Xh. Spahiu e një liberalizmi relativ krijues, që futej në faqet e librit, falë specifikave të letërsisë. Ata duhet të botonin dhe të mos goditeshin, të pëlqeheshin nga shteti dhe njëkohësisht të ngjiteshin nëpër të përpjetat e rrëshqitshme të artit.

Jeta nën mure kish relativitetet e veta. Kish dhe mëndje të shëndosha që bënin letërsi, art, shkencë, kërkime historike, folklorike, arkeologjike etj., brenda caqeve të pranueshme edhe brenda aprovimeve partiake. Nga të burgosurit politikë Gj. Shllaku e P. Gjeçi letërsia do pasurohej me  kryevepra të letërsisë botërore , brenda atyre mureve do të punote profesor Eqerem Çabej, më i madhi shkencëtar i kohërave, por që pushteti nuk ia botonte veprën, brenda atyre mureve do punonin mëndjet e ndritura të L. Poradecit, Vedat Kokona, Skënder Luarasi, Abdurrahim Buza, Odhise Paskali, Dh. Anagnosti, Aurel Plasari e sa e sa të tjerë në të gjitha fushat, që hijet e rënda të eklispit nuk mund t’i mbulonin dot.

Çmimi i izolimit ishte tepër i rëndë veçanërisht për krijimtarinë e mirëfilltë. Ndaj saj trysnia arriti deri në përcaktimin e temës e të mesazheve veçanërisht në teatër ku njëqind duar i futeshin në hak autorit, regjizorit e aktorit. Nëpër zyra kishte krijues, kritikë, instruktorë e redaktorë që vigjëlonin, që dinin të lexonin dhe simbolin e paralelet që vinin nga ferri apo nga mesjeta, madje dhe nga fantazia e letërsisë fëminore. Shteti u “aftësua” deri në planifikimin e krijimtarisë, deri në nevojat që kish edukimi i njeriut, ai diskutonte dhe vendoste për ç’ngjyra ka nevojë syri i njeriut, për ç’drama ka nevojë teatri, për ç’vargje ka nevojë populli e për ç’këngë ka nevojë salla. Të fusje lirinë e vetvetes në këto plane, d.m.th. t’u qaseshe demonëve të frikshëm të psikologjisë, ankthit, mistereve të pasqyrimit estetik... Altoporlantët partiakë i mbytnin zërat e vetmuar.

E torra fjalën për të dalë në përfundimin e thjeshtë se dhe më e mira vepër, në poezi, prozë, teatër rezultonte si mbijetesë e plagosur bashkë me të zotin. Ndaj besoj se ka bërë shaka zoti Ismail kur thotë se... “krijohej ndërkaq letërsi e klasit të parë...”

Pastaj, muret tona ishin edhe më të larta se muret e tjerë të kampit socialist. Ai kish rregulla më të forta e specifike edhe se “Ferma e kafshëve” të Oruellit. Disa qenë edhe të pashkruara p.sh. “Ndalohet shtegtimi i zogjve, ndalohet puthja, ndalohet ngjyra e manushaqes, ndalohet buka e grurit dhe ëmbëlsirat, ndalohet vdekja, ndalohet Krishti e Muhameti...”(!) Lejohet vetëm poezia për derrat!



                           EPILOG I TRISHTUAR



                                [Muret]



.

Rrëzimi imureve

 zhurmshëm po bëhej

Nën kamera televizive.



M’u desh ta murosja dhe unë të dashurën time

Si kurban

Veshur me vello të kuqe nusërie

prerë nga perëndimi i gjaktë

i atij dielli vdekatar që na zhgënjeu.



Në anën time të murit

Ushtarë metalikë

ruanin të mos fluturonte asnjë zog

të mos mbinte asnjë karafil,

asnjë bisk manushaqeje

Në anën time

Në zonën e vdekjes.



I zbërthyen kapakët e rëndë të betonarmesë

me duar të çelikta dashnorët,

me gishta eshtrash pleqtë e ndarë.

Karafilat dhe manushaqet e kaltra

Kishin mbirë mbi rrudha të thella gurësh

Dhe gurët u çanë.



Unë vrapova i pari

Me buzët thela-thela nga etja.

Në luginën e qumështit

Binin copa të bardha gjiri

Dhe zogj të verbuar nga drita.



Asnjë nga ndërtuesit e tij

nuk zuri muri nën vete.

Përsëri orakujt dhe strategët e mi

U thanë grave të tyre

Të mos ta sillnin bukën atë mëngjes.



Nëpër rënkime të mbytura

nëpër gurë rrënojash

Përsëri e dashura ime qe vrarë

Kish vrapuar para meje

Me një sandale të hollë në këmbë

Me vello të bardhë nuserie

Spërkatur me manushaqe

Mbirë fshehtas

Mbi plasa gurësh të rëndë.



Nga vëllimi “Dritaret e shiut”



XV



Eklipsi i heroizmit



Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj, sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë... Kudo kështu: në miqësi,në dashur, në shpresa... Të gjithë na kanë faj dhe askush... Zemra jonë është mollë e artë dhimbjeje... Ne njohim vetëm lavdinë e popullit, sepse vetëm ne jemi të vërtetë...(!)

Ky zbulim poetik i Fatos Arapit, i këtij poeti që i dhëmb shpirti për fatet e kombit shqiptar, kështu trishtueshëm siç shprehet, ka përbrenda të vërteta të dhimbshme dhe tepër shqetësuese.

Historia e Shqipërisë, që nga Kosova në Epir, ësht ëmbushur me akte heroike, të shkëputura dhe masive. Beteja dhe luftra që kanë tronditur shtete e perandori. Por pas tyre, gropa heshtjeje dhe një gjendje më keq se e para. Dhe pastaj me emra heronjë, prapë ringritje, prapë luftë, prapë humbje. E na mbante gjallë gjaku i derdhur. E ngrohnim duart në lavdinë e humbësit. E varret ishn më të gjallë se shtëpitë tona. E të vrarët më të fuqishëm se ne. E duket se, “ashtu faqe më faqe me tragjedinë”, do shkonim në të ardhmen e lumtur me arkivolet tanë në sup. Dhe historia jonë, rrallë, ka pranuar në gjirin e vet katastrofat, humbjet e mëdha, shkatërrimin total të qyteteve dhe fshatrave, ikjeve të mëdha. Dhe tash e mbrapa mbetet ajo konstantja e njohur që gjithsesi duhet të na bëjë të mendohemi: Ne, nga të parët në luftë kundër Turqisë, me aktin aq brilant të Gjergj Skënderbeut (për ne e për Evropën), të fundit në Ballkan u çliruam prej saj, ne, nga të moçmit në luftë me sllavët, të fundit u çliruam nga serbët; ne, të fundit u çliruam nga komunizmi, ne, vendi strategjik e nga më të pasurit në Ballkan, ku kryqëzoehn interesat e Perëndimit e të Lindjes, të fundit do pranohemi në Evropën e Bashkuar...

Me sa duket jemi të parët në ëndërra, në dëshirat tona, që na janë larguar nga aventuarat tona. Dhe kemi fituar fundin, egoizmin, pasojën e hidhur, jo shkakun e marrjes ose jo të vendimeve jetike. Dhe heroikisht ndërtojmë jetën në eklipset e heroizmit, ashtu siç e ndërtojnë të fundit. Nën hije. Larg dritës e diellit që për momentin mund të ishin dhe dëmprurës, por jeta duhet llogaritur nën diell pa u përveçuar nga të tjerët, në eklips. Ne kemi pompuar vetveten dhe egoizmi primitiv, jo rrallë na ka çuar në tehun e ekzistencës e jo rrallë historia jonë ka shënuar jo vetëm vite por dhe shekuj të mbrapshtë. Edhe popuj shumë më të mëdhenj e të fuqishëm se ne, e kanë njohur humbjen, por kanë ditur ta administrojnë dhe ta tjekalojnë atë. Historia jonë është histori humbjesh, humbjesh të mëdha. Dhe na është dukur se, edhe të humbur, do jetojnë nën dritën e simboleve, të flamurit, të Skënderbeut të majëmaleve, të miteve..

Dhe sot, kur njeriu shqitpar i çoroditur plotësisht pas katastrofës së regjimit komunist, dhe sot kur ka fituar të drjtën e fjalës, jo rastësisht merret edhe me simbolet e tij, do të lëvizë edhe ata gurë të heroizmit shqitpar që nuk mund të lëvizen. I kemi fetishizuar kaq shumë këta sa tani, nën një stres ekzistencial na duket se na i kanë fajet simbolet dhe heronjtë.

E kam fjalën për një mungesë të theksuar realizmi. Të prirur për të shkuar në skajshmëri të problemeve, na ka munguar pragmatizmi për t’i zgjidhur ato. Le t’i lëmë simbolet në vendin e tyre të shenjtë!

Në lojën e simboleve dhe heroizmit, fatkeqësisht, është angazhuar e gjithë kultura jonë artistike. Që nga fillesat e letërsisë shqipe, këtu e 400 vjet të shkuara e deri sot, kryesisht,a jo ka qënë epiko-heroike, ka qënë poema e vdekjes, poema e motit të madh të heroizmit (Lufta e Skënderbeut) e më pas, poema e moteve të vogla me beteja e luftra e varre e këngë morti për të rënët. Me përjashtim të Faik Konicës dhe Migjenit për mendimin tim,që kanë qënë më realistët në puët e shqiptarit, ansjë poet e shkrimtar tjetër, ku më shumë e ku më pak, nuk i ka shpëtuar fetishizimti të heroizmit dhe baladës, d.m.th. vdekjes. Një popull që nuk i trembet vdekjes, historinë e ka në varre dhe, pse jo, është i rrezikshëm për të tjerë e për vete. “Me e ba vdekjen si me le” (!) sot tingëllon si anakronizëm. Problemi shtrohet si të jetosh, jo si të vdesësh.

Të kuptohemi: shpesh historia jonë kalon përciptas në vlerat dhe njohjen e përsonaliteteve të ndritura të kulturës sonë shekullore që duhet t’u transmetohet brezave pse jo, për të ngjallur krenarinë kombëtare siç bën çdo popull i emancipuar dhe merr poza narciste për një akt me kobure që mund të zëvendësohej me një akt fjale e diplomacie më efikase. Tek ne më tepër se heronjtë e penës vlerësohen heronjtë e dyfekut. Ne e kemi kthyer edhe luftën që humbasim në krenari e legjendë. Unë nuk jam kundër “dyfekut” kur ai të imponohet, por dihet më së miri kur, më tepër se armët, kultura shqiptare i ka ruajtur kombit tonë frymën, shpirtin, karakterin - kjo dhe vetëm kjo, duke qarkulluar në vetvete gjakun e pastër, atë hov e pastërti moralo-etike, e ruajti këtë gjak vital prej shqiptari që të kish mundësi ku e kur duhej të shpërthente nga zemra e heronjve; nëpër doke e zakone, gjë e gjasa e përralla, mite e balada, kallzime, këngë e valle e veshje - kultura shqiptare gojore dhe e shkruar ruajti me një qendresë të pashoqe “ata damarë” më denjësisht se kështjellat e luftës, për të mbrojtur gjuhën shqipe, së pari, e pastaj ato ndriçime të virtytit njerëzor si besën, nderin, mikpritjen e burrërinë e shqiptarit.

Askush nuk mund ta mohojë se burrëria e shqiptarit është sulmuar egërsisht, por nuk ka rënë sepse “bedenat” e saj ishin ndërtuar me elementë të veçantë shpirtërorë, nderin dhe besën, jo vetëm në kuptimin individual, por ngritur në institutcion shoqëror. “Dy gisht nder në lule të ballit na i njiti i madhi Zot”. Me besën, apo për besën, apo me besa besën, shqiptari ndjehej shëndeplotë dhe i fuqishëm, në një imunitet gati gjenetik, i gatshëm të realizohet në ekzistencën e tij deri në aktet ekstremem të sakrificës edhe duke u shkrirë me plang e shtëpi, edhe duke u shuar me far e fis.

Kjo krenari, vetiake e kolektive, ishte një aorte e fuqishme kombëtare, e trashëgueshme brezash e sidomos kështjella e gjuhës shqipe, i ka rezistuar shfarosjes që nga fillesat në trojet e veta.

Por ekzistencat etnike, mbërthehen edhe me ligjësi e përplasje të tjera të egra e armët shpirtërore janë të pamjaftueshme. Nderin, besën, mikpritjen, trimërinë nuk e vërtit dot mbi armikun. Dorontinën dhe Kostandinin nuk e mobilizon dot si ushtar. krenaria me vdekjen s’është afatgjatë dhe erotizmi heroik fut në objektin e vet dhe atdhera të paqëna. Askush nuk mund të krijhet në asgjesimin e vet... E mburrjet historike se ne shqiptarët paskemi bërë Turqinë, Egjiptin, Romën apo Greqinë, e zvenitin edhe atë kontribut, që kemi dhënë për ta, kur qartazi s’kemi bërë dot të voglën tonë, Shqipëri. Shkrimtari i spikatur S. Godo i dy librave madhore “Skënderbeu” e “Ali Pashë Tepelena” i trajton saktësisht këto probleme. E te Ali Pasha, thotë mirë se në atë kohë shtatë pashallarë shqiptarë kishin në dorë gjithë Mesdheun e mund ta bënin njëqind herë Shqipërinë por ... Dhe vazhdojmë të jemi më problematikët në Evropë. Dhe nga 50.000 km2 tona, kemi më pak se gjysmën.... “O Zot, si na shkoklohet kështu ndër duar / hiri i fatit sapo prekim pak dritën...” “Fatet shqiptare si mushka të ngarkuara buzë greminës...” Fatos Arapi ka të drejtë.

Koha, esenca tragjike e qënies është e pamëshirshme. Ajo rrjedh e rrjedh dhe ne, ja tek jemi, ashtu siç ishim më të copëtuarti në Evropë, më të varfrit, më problematikët... Diagnoza është e qartë: E kemi matur veten me hijen e mëngjesit, kemi jetuar aventurën, jemi mbrojtur nga armiqtë, mbrojtje i thënçin edhe kësaj, dhe kemi harruar të mbrohemi nga vetvetja. Po po nga vetvetja, shqiptari duhet ruajtur nga shqiptari. Ka ardhur koha e verifikimit të vetvetes dhe e simboleve dhe e heroizmit... e të gjitha atyre elementeve patologjikë. Ka ardhur koha të jemi më realistë edhe ndaj koncepteve tabu si “vendi i shqiponjave, atdheu, patriotizmi, karakteri shqiptar, kufiri”. Mjaft i kemi rënë më qafë flamurit e shqiponjës dy krenare! T’i lëmë simbolet në vendin e tyre e të merremi me vetveten! Të merresh me vetveten, kurrsesi nuk do të thotë të hedhësh baltë mbi simbolet as mbi heronjtë kombëtarë e aq më tepër kundër Skënderbeut e gjakut të pastër arbëror. Në këtë stres ekzistencial dhe tollovitje të përgjitëhme kanë ngritur krye, madje, dhe disa  nostalgjikë për baba Sulltanin e baba Enverin - bishtra klanesh e individësh këto, kryesisht fshatarë e të indokrinuar, pseudo-intelektualë të përgatitur nëpër labirintet e mbijetesës së xhepave të pistë...  Jo më kot mohohen e sulmohen prushet historike të qëndresës shqiptare para sllave e para turke të Kosovës si njësi e veçantë kishtare dardano arbërore. Tymnajat çoroditëse synojnë të errësojnë dhe të shtrembërojnë shtyllën vertebrale Shqipëri-Kosovë, tymnaja shumë të rrezikshme sot, kur tashmë, është përcaktuar prerë orintimi i kombit shqipar drejt një të ardhme evropianoamerikane.



*  *  *

Kultura shqiptare (dhe letërsia e artet) duhet të verifikojnë kujtesën.

“Ne burrat e dheut

Të çmësohemi nga përrallat e fëmijëve

Të lozin aktorët dhe role nga antika

në Teatrin Kombëtar

Pak gjëra ndërruan nga gazi i palaços.”

Ky konstatim i dhimbshëm i poetit të talentuar Ali Podrimja bën thirrje për një kthesë dramatike, por gjithsesi të re për ndryshimin e gjëndjes. Duhet ta shkarkojmë historinë nga përrallat, historia është dramë e kjo jona, e egër e zhgënjyese, është historia e humbjeve, e mosbërjes...

Gjysmë shekulli i kuq shqiptar shkatërroi e shoi dhe ato prushe historikee historike që trashëgonim me dhimbje nga brezi në brez. Besa, nderi, burrëria, trimëria u kthyen nëë të kundërtën e tyre. Dhe njeriu shqiptar në vitet ‘90, pa këto, ose më saktë i pabesë, i panderë, i çburrëruar e frikacak, i varfër, me dhëmbë të prishur, pa brekë e pa bukë, pikërisht kur preku lirinë, u largua masivisht nga “vendi i shqiponjave” sepse vendi ish kthyer në “vend të sorrave”, kështjella socialiste në një karakatinë e heronjtë, krenaria u bënë inekzistentë.

Sepse ne nuk e njohim humbjen dhe nuk na takon fitorja; sepse bashkësia jonë që përfshin dy breza e gjysmë i kishte mohuar të gjitha tiparet e fytyrës së njeriut, deri në mosnjohje. Katastrofa komuniste ishte koha e ritmeve festive, hipokrite e zhgënjyee e dëshpërimi, kultura e rrënimit, shkatërrimi i vlerave, na kishin mbirë në gjak.  Diktatura u ushqye me heshtjen, frikën, flijimin, d.m.th. me elementët e vdekjes së njeriut, dhe  dufet kundër regjimit i përplasën kundër demokracisë, barbarisht, siç dimë vetëm ne... E gjithë ish administrata e lartë e regjimit komunist dhe sigurimi i shtetit, janë përgjegjëse të shkatërrimit dhe të piramidave, dhe e vitit të mbrapshtë 1997. Katovica e Gorbaçovit, punon saktësisht ndjellakeqe, dhe tek ne. Sepse ne nuk e njohim humbjen.

Kur Napoleoni e humbi pushtetin u ishullua plot lavdi në Shën Elenë dhe plotësisht i humbur, në fokusin e dylbive të gjeneralit suprem, i kishin ngrirë betejat e humbura dhe kufoma të vrarësh... Shën Elena ishte dhe mohim i vetvetes dhe piedestal i përsosur moral, sepse ai kish dështuar, sepse bota nuk iu bind Francës dhe Franca kyrkomandantit të vet.



*  *  *

Kultura shqiptare duhet të verifikjoë vetveten. Le t’i lëmë gjysmëhënat dhe shqipet me dy kokë. Në duelin 500 vjeçar “shqipja” jonë u zgërlaq si mos më keq dhe arriti që zogjtë e saj t’i bëjë gjeneralë të vet, pushtues, vrasës e plaçkitës të popujve të tjerë.

Mjaft me krenarinë për racën! Historia ka treguar se jemi racë e fortë dhe e dobët trimërore dhe renegatë, sa fisnike dhe e ulët, identifikuar ekstremesh në gjithë diapazonin e fushës, nga vrasës në Nënë Terezë.

të lëmë të qetë Mic Sokolët e Isa Buletinët, Selam Musatë e Azem Galicët. Çdo gricje me ta lëshon shkëndija të panevojshme. Ka ardhur koha të çmohen heronjtë në fushën e shkencës, diplomacisë, letërsisë, artit, ekonomisë, ata, elita e vërtetë mund q’ t’i japë fytyrën Shqipërisë evropiane.

Mitet, eposi, përgjithësisht epika heroike në kulturën shqiptare mbaron me Migjenin. Letërisa rrenorealiste ngriti të tjerë mite, më të pavlerë se kultura epike anonime; mitin e udhëheqësit që identifikohet me historinë, miti i nënës parti që nëse nuk e do të vret, ngriti flijimin absurd në emër të qëllimeve absurde e utopike.



                                                       Diadema



 ose Viti i mbrapshtë, ndoshta është vepra më specifike e Kadaresë kur fatet e shqiptarit ravizohen nën Eklipsin heroik.

Më 1913, fatet e Shqipërisë nuk mund  të vendoseshin nga Gjergjët tanë se Bajlozët, ardhur gjthandej nga toka e deti (nga kancelaitë e Evropës e Ballkanit) e kishin fundosur keqas. Morkarët që nisën në luftë të shpëtojnë vendin, verbazi pa ditur si e ku, ashtu të mjegullt, udhëve plot baltë e gjak, janë gati të vriten po me kë të ndeshen?…, mos ndoshta kundër vetvetes! Në atë mish mash historik (1913 e 1997) nën një ankth, gjymtyrët e shtetit e të shoqërisë vrasin njëri-tjetrin.

Ishte turbullira islamike mbetur pas (1913).

Ishte turbullira sllavokomuniste mbetur pas (1997). Të dyja nën një qiell të zi, mbërthyer me mllefe, injorantë e rrebelë mesjetarë, zhytur në zhulin osmanokomunist – të tipit të Esat Pashë Toptanit e Haxhi Qamilit, shartuar me të kuqtë e Stalinit me pseudodemokratët në sfond…

Dhe një princ protestant me princeshën sterile, që e kalonte kohën në banjë midis parfumeve e pasqyrave për të adinistruar provizorisht shqiptarët… Një pirnc i tredhur sa të qetësohen pak shqiptarët, për të nisur intriga të reja kundër tyre.

(Mos, o Zot ai princi i Kosovës të na dalë i tredhur! Besoj të jetë vula e fundit që Evropa të rregullojë fajet historike që ka ndaj kombit shqiptar)

E pra, Ismail Kadareja, te “Viti i Mbrapshtë” 1913-14, la një mesazh të antiheroizmit; dhe për 1997, ishte zëri më i kthjelltë i inteligjencës shqiptare që paraljmëroi greminën.



*  *  *

Verifikimi “i heronjve” është i domosdoshëm  sidomos në letërsinë tonë. Pa përjashtim. Dhe për rilindasit e mëdhenj dhe për Migjenin, Nolin, Lasgushin etj. E para për të saktësuar e plotësuar vlerat e tyre, por dhe për këndëvshtrime më realiste për të mos i pranuar si tabu korifejsh të paprekshëm. Kurrsesi për të gjetur “kufizimet ideore” siç jemi shprehur nëpër historira akademikësh, por statusin estetik, që për këdo është i diskutueshëm. Ndërsa e gjithë letërsia socrealiste, me dekanët e saj në krye, muzika, filmi, teatri, piktura ka nevojë të shoshiten imtë nga mendimi profesionist. Duhen evidentuar edhe mjaft talente të spikatura të asaj kohe, të cilët nën këmbët e diktaturës, nuk e kanë ngritur kokën. Verifikimi i vlerave dhe antivlerave nuk mund ta bëjë vetëm masmedia qoftë dhe nga krijues të talentuar si Podrimja, Zhidi, Myrtaj, Bejko, Stani, Collaku, Tufaj, Leka etj., por të gjithë krijuesit. Kudo konstatoj një frymë enthusiaste, dashamirëse e superlative pa analizën shkencore e kritike të dobësive. Dashamirësia është cilësi poetësh dhe e domosdoshme, por, e pabazuar e kodra pas bregut, i bën dëm vet autorit dhe çorienton lexuesin. Ka një vershim botimesh që nuk plotësojnë as kërkesat minimale për t’u bërë publike e shoqërohen nëpër kopertina e parathënie me superlativa poetësh e kritikës nga më të zëshmit tanë.  (!)

Kultura shqiptare ka nevojë, jo vetëm të ngrejë nga balta vlerat e varrosura, siç po bën drejtësisht me Fishtën, Camajn, Koliqin etj., por edhe të harruar të tjerë të talentuar si Arapin, S. Hamitin, K. Mehmeti, Xh. Spahiun, A. Podrimën, Reshpen,V. Zhidin, P. Shllakun, Martikon, Aliçkaj, Paplekën, për të mos thënë një dorë e fuqishme të rinjsh, që po imponohen denjësisht në letërsi si A. Leka, A. Tufaj, Leshanaku, Ahmetaj, Çoçoli,Çollaku, Çapaliku, Klemendi,  Hadëri  etj., etj. (Në të gjitha rastet ,kur përmend emra , i sjell vetëm si ilustrim mendimi, pa pretenduar për njohje të saktë e aq më tepër për numurim vendesh në presidiume)

Pak shembuj ose një fjalë më tepër për debat: Pse heshti L. Poradeci gati 40 vjetët e fundit të jetës së tij? Mirë që se botonin, por askush nuk mund ta ndalonte të shkruante për vete. Heshtja nuk flet gjithmonë. Ose duhet të pranojmë që aq ishte qiriri i tij. Dhe kjo është e mjaftueshme për të mëdhenjtë që nuk flasin kur s’kanë ç’thonë më bukur. Por unë kurresesi s’mund të pranoj një akademik nga Kosova që thotë se poeiza e vërtetë shqipe fillon me Lasgushin. Po Naimi, De Rada, Mjeda, Santari, Migjeni, Fishta, para tij? Poza narciste kemi marrë edhe ndaj gjuhës shqipe, kur fort mirë dihet se është gjuhë e shkruar e vonët, rrjedhimisht edhe letërsia që fillon me Buzukun, Budin, Bardhin e Matrëngën në shekullin e 16-të. Historiografia jonë ka dhjetra shekuj heshtjeje dhe gjuha, letërsia, kultura jonë, asnjëherë nuk kanë njohur shkëlqimet e një qytetërimi solid. Në trajtesat tona ka fryrje dhe poza tej mase. Ne kemi bredhur pas miteve e kulteve dhe, përgjithësisht, mendimi kritik socrealist, është karaterizuar nga mohime ose pohime kategorike dhe ekstremiste. Edhe për rilindasit e mëdhenj Naimin, Çajupin, De Radën etj., ndërkohë që kemi kërkuar tek ta gjilpërën në kashtë, i kemi pranuar dhe si mite e korifenj të paprekshëm. Të gjithë se toku, veçanërisht letërsia e shek XIX e XX, e kanë trajtuar shqiptarin të njëanshëm, kryesisht si luftëtar të pashoq, patriot të pashoq dhe popullin shqiptar të pa cen e më heroikun në Ballkan po se po, por dhe në Evropë (!) A thua kemi lindur për luftë, prandaj s’e administrojmë dot paqen dhe nuk dimë ç’të bëjmë me lirinë?

Veçimi superlativ e imponues i vlerave individuale ose kombëtare e zbeh realizmin dhe krijon një gjëndje inekzistente. Është ndershmërisht të thuhet më mirë: “jemi si të tjerët” me vlera e antivlera, por faktikisht në fund të të tjerëve, në mënyrën dhe standartin e jetesës, të kulturës, etikës, politikës, ekonomisë dhe të gjitha këto kanë sjellë dhe një vizion të ngushtë për identitetin kombëtar dhe rrugën evropiane të zhvillimit.

Duke qënë për realizmë e pragmatizëm, unë nuk mohoj e njëkohësiht jam kundër kukuvajkave që kapin ekstremin tjetër: “S’bëhet Shqipëria, jemi të mallkuar etj…” Po. S’bëhet siç kemi bërë, se kemi mallkuar e dënuar veten duke e mbivlerësuar atë, se kemi ëndërruar vendin e parë duke e patur veten në fund. Në krijimin e këtij opinioni ka fajin e vet edhe letërsia., dhe sidomos mendimi akademik për të.



* * *



Akademiku Rexhep Qosja p.sh. e mban Fan Nolin si gjeniun më të madh të fjalës së shkruar shqipe. “Kur kam shkruar për Fan Nolin, më është kujtuar Zoti. Dhe tash atë mendim kam edhe për I. Kadarenë, i cili është Zoti Mida. Atë që e prek me dorën e tij krijuese e bën ar.”. Afërsisht këtë mendim ka edhe Kadareja për Qosen. Jo, zotërinj akademikë! Fan Noli s’është Zot, as i përsosur. Mjeshtër i vjershërimit në pesë poezi s’mund të jetë gjenial. Para tij e pas tij ka mbi dhjetë mjeshtra të fjalës shqipe (natyrisht jo Zota) që në shumë poezi janë mbi vjershërimin mjeshëror të Nolit si Mjeda, Naimi, Migjeni, Fishta, Camaj, Arapi, Agolli e plotë të tejrë. Edhe Noli, personalitet i shquar i kulturës shqiptare, erudit, përkthyes e gojtar si ai, i dështuar në politikë si dhe Qosja (dhe kjo s’është e metë për poetët), duhet vlerësuar dhe kritkuar më realist.  Boll me Zota të paqënë! Boll me mite e ëngjëj të paprekshëm ! Edhe nëpër duart e “Midës” Kadare, Qose etj., ka plot metale të bakërrta, madje, ndryshkur e kallaisur me të kuq..

Thuhet tani së fundi (pas pilafit) për figurën e Fishtës plot e plot… E bëjnë superemblemë të poezisë, i japin shkëlqim homerik etj. etj. Dhe lëvdohet më tepër atje ku është më i diskutueshëm. Tek ana epiko-heroike e tij… Për mua dhe Fishta mbështetur aq shumë në folklorin e pasur shqiptar dhe Camaj në shkollën e tij tradicionalohermetike, janë “pena ta arta” të poezisë, sepse të diskutueshëm. Edhe kalimi nga mohim ekstrem në pohimin ekstrem është pasojë e psikologjisë së heroikës që po diskutojmë dhe e nevojës për të patur me çdo kusht idhuj..

Profesori i njohur i Sent. Etienit, dashamirësi i letërsisë shqipe e shtrin njohjen e “Vendit të shqiponjave” nga Skënderbeu te Kadareja. (vini re fryrjen e fjalëve). Paragjykimi glorifikues duket haptazi në çdo majë që e vendos ai Kadarenë… Ai e trajton “Kështjellën” një himn për paqen dhe gjëninë krijuese të njeriut universal. (!) Për nostalgjikun A. Zoto “Gjenerali” dhe “Njeriu me top” u janë shmagur komformizmit të temës së luftës, Agolli me prirjen e tij lirike, Kadareja me prirjen e tij tragjike. I pari më afër Gionos dhe Steinbecut, i dyti më afër Kamysë e Kafkës. Nikelimit nuk i ka shpëtuar ky studiues dhe në analiza të tjera. Ai i sheh të dy dekanët e letërsisë sonë socrealiste si antikomformistë dhe del në përfundimin se talentet e vërteta (pra dhe Agolli) nuk u pajtuan me dogmat ndrydhëse dhe varfëruese të RS e shqiptaro francesit i paskan lënë shije të keqe nihilistët në Tiranë (1996) Edhe mua më lë shije të keqe ky perëndimor socialist që shprehet:

“Diktatura, pamvarësisht nga presioni i vazhdueshëm politik dhe ideologjik, nuk e shpërfytoi dot krijimtarinë letrare të gjysmë shekullit të kaluar” (!) Lexuesi i sotshëm, professor, letësisht ju kanalizon në nostalgjikët e tipit Zhdanov. Ka një këngë nga anët e mia që i drejtohet një vajtimtari që ngre në qiell vlerat e të vdekurit e gruaja realiste ia kthen: “Mos këndo larg e mblidhe po qaje sikundër qe”…

Flijimi të “Pesha e kryqit”, “Piramida”, “Ura me tre harqe” etj., është element i vdekjes dhe njëkohësisht kryemotivi i propagandës komuniste. Me këtë sakrificë që duhet të bënte njeiru ynë edhe me jetën e vet e të fëmijëve, përligjej më së mirë varfërimi, qarkullimet e pavend, mjerimi dhe krimi, izolimi dhe bunkerizmi i jetës shqiptare. Shpesh kokëkrisja, egoizmi, vetgjyqësia ka marrë tek ne përmasa absurde. Mania për të qënë i pari (dhe mbi vëllanë e mikun) etja për grada e karrierë deri në renegatizëm, gjakmarrja, kapriçoja kanë sjellë dëme të mëdha shoqërore e kombëtare. E për këto kemi ngritur këngë e balada duke ngritur një tymnajë të terrtë në shpirtin tonë. E vjen e na duket shqiptari i patundur, i patërheqshëm edhe nga një sherr banal; i palëkundshëm në të tijnë, pa tërheqje pas e krenohet me mustaqe, me gjelin, me qenin e për një fjalë goje, dorën në kobure; dhe po e nxorri, ose do vrasë ose do vritet…

Kompleksi i lartësisë, i malit i njeriut të kanunit, madje dhe i ujit të ftohtë e bjeshkës, i oxhakut apo i fisit të dëgjuar, e ka lënë njeriun tonë primitiv e të pagdhendur e njëkohësisht të pabindur ndaj shtetit.

Në mijëra faqe të letërsisë shqipe të vjetër e të re, në asnjë rast, nuk kam gjetur një fjalë pejorative për racën dhe popullin shqiptar. Mos, o Zot! Ndërsa Dostojevski për popullin e tij thoshte: “Populli rus duhet rrahur, duhet rrahur se është i poshtër!”, ose Nekrasovi, në mos gaboj: “Edhe e madhe edhe e vogël, je ti, nëna Rusi”.

Ndërsa populli ynë është heroik, madhështor i lavdishëm… sepse vetëm ne jemi të vërtetë. (!)





                                                         

                                                          XVI



                                                         ELITA



Mjerisht populli ynë ka rezultuar gjithmonë i varfër sepse gjithmonë nuk ka mundur të ketë studime shkencore e pragmatiste për burimet e jetës. Një vend me tokë të begatë ku rritet edhe portokallja dhe gështenja, me det e mal piktoresk, qiell e diell, me nëntokë të pasur, asnjëherë s’ka mundur t’i marrë natyrës begatinë e saj; kjo, sepse, asnjëherë nuk e ka ditur vlerën e pesë gjashtë njerëzve të shquar në çdo fushë të marrdhënieve të nejritu me progresin. Mungesa ose më saktë, nëpërkëmbja e elitës, ka vulosr primitivitetin e jetës materile e shpirtërore, mungesën e standarteve të larta e të qendrueshme, qytetërimin e njeriut shqipar. Mungesë qytetërimi d.m.th., mungesë vizioni politik kombëtar për të manaxhuar e vënë në efiçencë maksimale burimet e jetës. Vizionet e plota i harton vetëm gjenia e racës, ata pra, pesë gjashtë personalitete elitare që i duhet prodhimit dhe tregut për të marrë mbroth; Vetëm ajo përbërje cilësore intelektuale ngërthen shpirtrat e lira që mund të shkundin nga vetja paragjykimet masoviste e të zbulojnë të vërtetën e mbuluar, duke lënë të lirë individin të prodhojë e të fitojë ligjërisht.

Sapo ishte shpallur Shqipëria indipendente, Faik Konica, beu i ditur, intelektual i rrallë e elitar si ai, shkroi ato dy fjalë: “Është nevoja t’i japim shpirt kombit shqiptar... Shqipëria ka nevojë për elitën e saj”

Idetë e qarta e të fuqishme i përpunon elita e mendimit, jo vetëm në filozofi..., e kam fjalën për filozofët e bujqësisë, të kromit, të naftës, të tregtisë, të financave etj., etj. Duket sikur këto nuk kanë lidhje me objektin tim në këto shënime, por mua më vjen në ndihmë sociologu i shquar NOVICOË, që thotë se elita nuk përpunon vetëm idetë e një shoqërie, por dhe ndjenjat e saj. Dal kështu te shpirti, tek shpirti i kombit, tek ajo domosdoshmëri vlerash, ku marrin jetë idetë e fuqishme, ndërgjegjia kombëtare. Nëse, metodikisht, idetë i quajmë të jashtme e ndjenjat e brendshme, vimë në atë unitet të domosdoshëm të të dyave. Ndjenjat vijnë e peshojnë edhe mbi idetë e një shoqërie, ato krijojnë psikologjinë shoqërore. Ndjenjat e zbehta e të plagosura i zbehin dhe i plagosin idetë, ndërsa edhe idetë më të dobëta gjallërohen  nga ndjenjat e fuqishme. Idetë në udhën e tyre, marrin forcën e përshtatshme përmes ndjenjave. Idetë e vjetëruara anakronike e kanë edhe shpirtin shterpë, zvarrisen e bien...

Përvoja e shoqërive të civilizuara tregon se një shoqëri (komb, shtet a përbërje shtetesh e kombesh) nuk mund të zhvillohet vetëm nga faktorët materialë, qoftë edhe të domsodshëm, si toka, uji apo burimet energjitike etj., por edhe nga nivele të larta shpirtërore. “Një vend-shkruan Remani - nuk është grumbulli i njerëzve që e përbëjnë, por është një shpirt, një ndërgjegje, një princip i gjallë”. “Ndërsa realiteti i historisë, shkruan Ernesto Sabato, e ka vazhdimin e tij në estetikë. Çdo epokë ka një vlerë dominuese - fe, ekonimi METAFGIZIKË - që i jep ngjyrë e ton gjithë të tjerëve”



*  *  *

Në këto vite pasdiktoriale që po kalojmë, megjithë ndryshimet esenciale politike e ekonomike, pas viteve ‘90, megjithë qarkullimin e madh të parave e të njerëzve, ne përsëri figurojmë në listën e vendeve shumë të varfra. Shkak, nga më kryesoreët, është mungesa e elitave, nëpërkëmbja e saj nga politikat primitive e klanore. Vendit tim i mungojnë idetë progmatiste për të rritur prodhimin, i mungon shpirti, idealizmi i atyre njerëzve cilësore, martirë për të gjetur udhët e zhvillimit me punë të ndryshme, i mungojnë një grusht shtetarësh që nuk mund të spekulojnë me atdheun.

Në vitet e ngrira të tranzicionit, shpesh akuzohen autorët e rinj, për mua, është thjesht inventari i katastrofës 50 vjeçare. Hapur befas, shoqëria shqiptare u gjet pa busull, e çoroditur nëpër gërmadha, në vend që të qendronte së bashku me lirinë ajo, duke u rrotulluar në kaos, i ktheu sytë nga deti dhe qe kaq e traumatizuar, sa u nis më këmbë për t’u larguar nga liria... asaj i mungoi elita edhe për të prishur ato që duhet të prisheshin, pa le për të ndërtuar. Liria ra në boshllëk dhe u thye. Vulgariteti i turmës e dominoi realitetin, i ndershmi e i urti u penalizua, imperativët moralë që drejtojnë shoqërinë dhe ndërtojnë konstitucionin moral të saj, ishn në dorë të njeriut të rrugës, i gatshëm për shkatërrim dhe kaos. Sepse regjimi totalitar e kishte zhdukur elitën, sepse të gjitha fatet e shoqërisë materile e shpirtërore ishin përqendruar në një dorë partiakësh që drejtoheshin nga njëshi, “kompetent” për bukën dhe qumështin, ushëtrinë dhe sigurimin, naftën dhe krimin, peshkun dhe mandranozin...,sespe ai drejtonte me dorë të hekurt edhe punët thellësisht të holla e elitare siç janë letërsia e arti, tingulli e ngjyra, dekori i teatrit dhe veshja e këngëtares...

Kosa e diktaturës ra mbi inteligjencën si mbi jonxha të njoma. Kjo përbën aktin më të rëndë kriminal të atij regjimi.

Nëpër vite u krijua një inteligjencë e madhe, që shumë mirë mund të drejtonte fatet e prodhimit e të kulturës, por mediokriteti partiak nuk do ta linte; inteligjenca e re pajisur me një diplomë do të vlerësohej nga besnikëria ndaj partisë e më tepër se notat e universitetit, do influenconte xhaxhai që kishte qënë partizan, ose tezja që punonte në komitet. Kështu bisqet e reja elitare do të rrafshoheshin për t’u barazuar me degët apo trungjn e klasës punëtore.

Asnjëherë nuk ka munguar inteligjenca krijuese. Nga dhjetra e qindra poetë, shkrimtarë muzikanë, piktorë, aktorë, këngëtarë, në të gjitha degët, kishte një elitë, spikatën talente të mëdha që mund të konkuronin nëpër skenat e Evropës, por që nuk mundën me peshën e tavanit mbi kokë. Kam rastin të përulem me nderim ndaj të gjithëve, që bënë aq sa mundën, në letërsi e arte; Dëshmi krenarie janë emrat e inteligjencës krijuese, të Ismailit, Dritëroit e Fatosit, të Anagnostit e Manit, të Vaçe Zelës e Mulës, të Ramës e Paskalit etj., etj., e sidomos më të vjetërve: Faik Konicës, Gj. Fishtës. Sh, Gjeçovit, Nolit, Branko Merxhanit, Mithat Frashërit, De Radës, Camajt, Ernest Koliqit, etj., etj., elitare të rangut më të mirë evropian/

Edhe në vitet ‘90 Shqipëria do të rezultonte me një grusht njerëzish elitarë në të gjitha fushat e prodhimit e të kulturës, të gjithë të plagosur - papërjashtim të plagosur -  të nëpërkëmbur nga putrat e politikës, të rrezikuar për bukë dhe këmishën e trupit.

Është vërtet pikëllimtare kur sheh inteligjencën e ndershme në Tiranë poetë, shkrimtarë, aktorë që mund të ishin dikushi, t’u dridhet dora të pinë një kafe në lokalin luksoz, që ka hapur hajduti, është shumë e trishtueshme kur sheh qindra talente rrugëve të Greqisë, Italisë, Gjermanisë apo Amerikës, që rropaten në punë të rënda ordinere për të siguruar bukën dhe qiranë e shtëpisë.

Janë pasojat e katastrofës... Dhe të pasurit e rinj, edhe ata pak artistë a krijues, që janë pasuruar jo ligjërisht, qofshin deputetë apo zv/ministra, gjithashtu janë inventar i katastrofës... Është mungesa e atyre pesë-gjashtë njerëzve elitarë, të domosdoshëm për të drejtuar shtetin, ekonominë, letërsinë, kulturën...

Kur, kur do të kemi, të paktën një president një kryeministër apo një ministër kulture, që kuptojnë se poetët dhe artistët janë thesar i kombit... Unë nuk pres shumë prandaj po shprehem I trishtuar, por jam  i sigurtë se vepra e intelektualit të ndershëm nuk humbet kurrë, se kështjella e shpirtit të kombit shqipar, e ndërtuar me aq mund, nuk do të prishet kurrë, sepse kollonat e saj kanë mëndjen dhe shpirtin e elitës.

Dihet se Shqipëria është mbajtur si komb dhe nuk është asimiluar në sajë të kulturës (sidomos gjuhës) pra, atyre njerëzve, brez pas brezi, me të cilët identifikohet esenca e vlerave kombëtare, qenësia, thelbi shpirtëror i ekzistencës. Përplasja e kësaj inteligjence elitare me vulgaritetin e turmës dhe të politikës, rrezikon atë vlerë të domosdoshme historike që ka mbajtur gjallë kombin. Vetëm kjo inteligjencë elitare nuk do ta lejojë shoqërinë shqitpare që të degradojë vetëm në një iluzion demokratik. Vulgariteti i turmës dhe i politikës rrezikon ta shkelë inteligjencën, ta përdorë si dekor të së keqes; Kështu inteligjenca bëhet kokë turku dhe vihet përballë evazionit të barbarisë që, me egërsi të pashoqe ndërton vetveten duke shkelur mbi çdo vlerë e bukuri njerëzore, duke prodhuar sundimtarë të rinj.



                                     1.  Lexuesi cilësor dhe poeti



Të lexuarit s’ka gjithmonë lidhje me të kuptuarit. Jo të gjithë lexuesit mund të zbulojnë vlerat unike të një vepre letrare. Leximi është pjesëmarrje, vizitë e lirë në galerinë e hapur, bisedë me autorin që i mungon. Nëse lexuesi krahas pyetjeve të autorit, ngre pyetjet e veta, nëse duke shfletuar libirn ai gjen përgjigje e me mëndje përgjigjet edhe vetë nga ngacmimet, kënaqësia, e moskënaqësia që provon, themi se ky lloj leximi është edhe pjesëmarrja edhe qëndrim. Ai mund të aprovojë ato që shkruan autori me një “po” të sinqertë e të tejdukshme duke pëshpëritur me admirim për poetin, por mund të reagojë edhe me një “jo” të ftohtë kur nuk e gjen veten dhe e ka të vështirë të futet diku midis fateve të tjera njerëzish që i parakalojnë para syve, të ndryshëm nga ai. Leximi të fut edhe në zona të rrëshqitshme. Sidoqoftë në të dyja rastet, të “Po-së” dhe të “Jo-së”, ai është pjesëmarrës në një bisedë intelektuale, kërkon të jetë i barabartë në bisedë me autorin, madje, ta kundërshtojë atë dhe, nëse është i zoti t’u gjejë bukuritë bukurive (nëse vepra ka), themi se kjo ka të bëjë me nivelin intelektual të lexuesit, pra, me thelbin e leximit. Në këto raste midis lexuesit dhe autorit ndërtohen marrdhënie elitare. Autori ka nevojë për këtë lexues dhe verifikon vetveten. Vetëm në këto raste leximi bëhet pjesë e kënaqësisë shpirtërore dhe akti më inteligjen e i domosdoshëm për qarkullimin e vlerave. Përvoja e leximit të veprave të mëdha me plot enigma, veprime, ngjarje, ankthe, dilema që ngërthejnë gjithçka të besueshme e të pabesueshme, reale e ireale, por që i përveçojnë ato nga të zakonshmet, ka treguar se këto vepra i qendrojnë kohës me vlera të pakundërshtueshme. leximi dhe kuptimi i këtyre veprave afirmon vlerat e veprës. Ky lloj leximi është pozitiv, thlebësor e krijues edhe pse nuk krijon asgjë.

Lexuesi cilësor mund të kuptojë thlebet e pranishme në një vepër letrare, por dhe thelbet që mungojnë e që duhen marrë me mend. (autori i ka të pranishme dhe të qëllimshme thelbet që mundojnë). Ky intelekt në të lexuarit si pjesëmarrje është aftësi e një numëri të paktë lexuesish. Pikërisht ky lexues duhet të jetë gjykatësi i veprës. Ndër ta gjenden edhe kritikët e vërtetë, elita e të kuptuarit të veprës që marrin përsipër t’i përçojnë e t’i publikojnë vlerat e saj duke u rreshtuar në krah të autorit në një dialogim intelektual me të, duke nënkuptuar në radhë të parë kundërshtitë e pastaj aprovimin e vlerave.

Përgjithësisht lexuesi është pas autorit. Sa më e madhe të jetë diferenca midis tyre, aq më tepër bërtet lexuesi kundër autorit që i duket se autori, jo vetëm që është mëndjemadh e nuk e kthen kokën nga ai, por nuk ka as veshë. (Natyrisht në marrëdhënje bashkëjetese  e bashkkohore) Fatkeqësisht opinionet rreth veprës letrare i bën lexuesi i mesëm ose i dobët, që të munduar nga moskuptimet, kërkojnë të imponohen. Ky fond lexuesish përbën shumicën dhe është i prirur të zhurmojë qoftë në afirmimet e padrejta, qoftë në kritikat e padrejta ndaj veprës dhe autorit. Mendimi yrtar, partiak e mbështet këtë opinion, e përpunon duke spekuluar me shumicën dhe interesat ideologjike, duke u futur kështu në një kotradiktë (të hapur ose të fshehur) me autorin. Në regjimin diktatorial opinioni zyrtar ndaj veprës ishte subjektiv, pozitiv ose negativ, dhe përbënte pasaportën plastike të veprës letrare, duke ngritur dhe ulur kështu poetët dhe shkritmarët sipas interesave partiake. Prandaj rreshtimi protokollar i tyre është i dyshimtë; e përsëri i mbetet detyrë elitës krijuese, kritikës serioze dhe lexuesit cilësor të verifikojë vlerat. Sot vlerat e dyshimta, “idhujt pa krena” janë të destinuara të bëjnë fir, sepse lexuesi cilësor lehtësisht i ballafaqon me vlerat e letërsisë moderne evropiane e botërore.



*  *  *

Krijimi i opinioeve pozitive ose negative ndaj autorëve dhe veprave letrare nga lexuesi masovist, gjithmonë ka qënë i rrezikshëm. Ajo masa, apo turma,që të do ose të urren edhe pa të lexuar veprën, lehtësisth të hipën e të zbret në kalin e keqkuptimeve.

(Në romanin tim “Lotët e diellit” kam një personazh episodik “gadra-burda”. Në vitin e mbrapshtë 1997, ai akuzonte Kadarenë... S’kishte lexuar asnjë libër të tij dhe bërtiste se ai (Kadareja) nuk ka bërë asgjë për këtë vend, natyrisht në gjuhën e tij gadra-budra...(!) gadra-budra...(!))

Mediokriteti i lexuesit, në mungesë të argumentave, priret të vulosë e të krijojë opinonin. Opinioni (i pa qënë) tenton të përfshijë masën dhe krijon idhujt e saj të dyshimtë. Elita, lexuesi cilësor parapëlqen të përvëeçmin, ndaj poetët cilësorë janë të ftuar nderi të përhershëm në mjediset e të mençurve. Vetëm kësaj elite nuk i mungon dëshira për mirëkuptim, madje kjo të fal edhe të metat, ama, dëshiron që sendet të thirren me emrin që kanë. Elita respekton figurat, masa figurantët, ajo përsonalitetet masa bufonët e stisur opinionesh.

E keqja është se në mjediset ballkanike (sidomos shqiptare) këtyre vlerësimeve është e vështirë t’u shmangesh e krijohen lloj-lloj spekulimesh. Ky mjedis parapëlqen më tepër autoritetin moral të krijuesit se sa autoritetin artistik. Dhe nuk lëshojnë pe. Ky mjedis provincial nuk beson p.sh. se i urti Oscar Vilde ka thënë se “Jeta morale e njeriut krjion subjektin e artistit, por moraliteti i artit qendron në përdorimin e përsosur të një ambjenti të papërsosur (amoral)...”, se nuk mund të ketë artist me simpati etike; se masa s’mund të kuptojë që artisti rrezikon, se arti është dhe syprinë dhe simbol, se gjërat e sipërfaqshme që pëlqen masa i merr era, se ata që dinë të lexojnë simbolin, bëhen palë me poetin. Kështu vetëm lexuesi cilësor mbetet partneri më i qendrushem dhe avokati më i zoti i vlerave artistike, prandaj them se flugeri i veshëve të poetit duhet të drejtohet nga krahu që vjen ky zë e se, kur specialistët debatojnë për vlerat, artistit i takon të bjerë dakord me vetveten.

Jemi të vonuar. Dhe lexuesi cilësor është i lodhur dhe i vonuar. Akoma jemi të detyruar të flaim për Balzakun, Xhojsin, Prustin, Kafkën, Dostojevskin, Bullgakovin e dhjetra korifenj të tjerë të romanit si zbulime. Ndërkohë ata kanë dhjetra vjet që kanë hyrë në romanin klasik. E sidoqoftë, letërsia evropiane përbën kurdoherë një zgjim. Më duket Kundera thotë: “Letërsia ose është evropiane, ose nuk është fare letërsi”. Sot, më duket se ka pak edhe midis krijuesve që të kuptojnë se realizmi si metodë bazale e leteërsisë është dhe kufizim dhe stampë. Ajo i dha kryeveprat e saj e s’mund të jetë traditë e përhershme cilësore. Shpesh tematikat, problematikat, mesazhet apo idetë pengojnë shpërthimet e lira, nuk i kapin dot tejpamjet e ëndërrës e të abstraksionit. Letërsia jonë, edhe tek më të shquarit e saj, nuk është çliruar nga gjuha konkrete, nga semantika primare e fjalës, nga emërtimi direkt i sendit apo veprimit. Ajo vuan nga teknikat dhe rregullat e sintaksës së njohur. Letërsia e fuqishme e pranon sendin jo vetëm si send, por dhe si simbol, dhe si ngjarje. Vetëm me këtë sy letërsia përpunon realitetin nëpër filtrat e veta e krijon një realitet tjetër.Kjo botë i ka të gjitha sendet në vendin e vet, letërsia ka detyrë ta riemërojë botën.

Në artin e madh shumë përsonazhe mund të jenë më realë se në realitet. Don Kishtoi, p.sh., apo Uliksi, personazhe të  imagjinuara nga Servantesi e Xhojsi, janë më realë se përsonat realë, më realë se mjediset që i rrethonin kur u shkruan dhe sot kanë fituar pavdekësinë. Krahasimisht me ta, p.sh., “Kështjella” e Kadaresë mbështetur në ngjarje reale, duket si kronikë lufte mesjetare, që sa vjen e zbehet pikërisht nga realizmi.

Poetët dhe shkrimtarët  e mëdhenj janë edhe profetë që me gjeninë e tyre bëhen parashikues të së ardhmes. Ne u kemi thënë dhe Kadaresë dhe Agollit “gjenialë”. Siç e thashë diku, unë e kam të vështirë të gjej në veprën e tyre gjenialitetin e tyre, atë shpikje ose krijim universal, që ka shënuar një zbulim që t’i ketë rënë ndesh realitetit për të përmbysur një gjëndje statike për t’i dhënë njerëzimit një vlerë mbarënjerëzore estetike. ‘

Gjenialët tanë nuk e parashikuan as rënien e komunizmit. Në darkë, si dhe unë, ata dëgjuan lajmet e partisë së pamposhtur për të forcuar vigjilencën e në mëngjes ajo parti kish rënë bashkë me avokatët e saj.

Në letërsi, p.sh., Dostojevski, Niçe, apo Kirkegard panë se shekulli XIX, shekulli industrial me buisjen dhe shkëlzimin e mallit, shekulli optimist i zbulimeve të mëdha në Evropë etj..., ata pra, parashikuan katastrofën që e prishte njeriun e shek. XX, e, ky shekull, do të kishte korifejtë e saj të katastrofës së Luftës së Parë e të Dytë Botërore te Kafka, Sartri, Heminguej, Kamyja e dhjetra të tjerë me radhë.

Letërsia jonë nuk pati të tillë e, nëse patëm talente të fuqishme me rrezatime të përveçme të mrekullueshme (jo gjeniale) si te Fishta, Camaj, Koliqi, Trebeshina, Kuteli, P. Marko apo A. Pashko etj., fort mirë dijtëm t’u thyejmë brinjët burgjeve, t’i harrojmë apo t’i arratisim nga kultura shqiptare dhe nëpër pjedestalet e tyre të mbetura bosh, të ngrinim edhe “idhuj pa krena”.



                                                       *  *  *



Në fakt, Ismaili dhe Dritëroi, ishin më të preferuarit te lexuesi, se të preferuar i kishte dhe shteti, por edhe se ata, në atë treg domatesh, e ruanin më mirë cilësinë e mallit.

Është stërthënë, p.sh.: se vepra më e mirë e Kadaresë është “Kronika” ose “Gjenerali”, kjo s’ka rëndësi. Lexuesi cilësor vë re se pas moshës 35 vjeç, autori ynë i shquar, brodhi pas sasisë së vlerat e veprave të tij nuk ecën paralel me famën. Fama e tij, në vend që të vinte pas veprës, i parapriu asaj e në lexusin e thjeshtë sugjestionues ishte emri më tepër se vepra. Ndoshta mund të jetë rast unikal ku emri i ka çarë kaq bukur rrugët e veprës. Rruspa e tij përfshin gjithçka. Të gjitha gjinitë në poezi e në prozë, tematikë e gjerë, problematikë e pafund, mesazhe të panumërt; në të gjitha kontinentet nga poli në pol e nga ferri në parajsë… Por vlerat cilësore në eltërsi s’varen nga “kilometrazhi”, as nga temat, vendet, hapësira e koha. Në letërsi nuk pi ujë ligji fizik se ndryshimet sasiore sjellin domosdo ndryshime cilësore. Këtu sasia mund ta vrasë cilësinë.

Agolli, madje mburret edhe me numërin e faqeve. “Kam 3600 faqe poezi”, thotë. Dakord! Por, po ta lë mënjanë faktin se ai botonte çdo gjë që shkruante, sepse në dorë kish dhe vulën dhe firmën,… po ta lë mënjanë faktin se shumë vjersha e poema i ribotonte në kapakë e tituj të tjerë… prapë ka shumë. Ujërat kanë përmbytur të gjithë bimësinë e Agollit. Edhe sikur të mbledh bashkë të gjithë poezinë nobeliste, s’besoj se bëhen 3600 faqe, për të qënë sa të beut të fshatit tonë! Ç’t’i thuash? Ka dhe mijëra faqe në prozë, dhjetra përsonazhe tipikë në rrethana tipike, larë e zbukuruar me të kuqen heroike, një letërsi partiake e patriotike, ku plugu i luftës së klasave çan e paraprin situatat… Trojet e tij janë të përcaktuara, barrikadat të njohura, fituesit dhe humbësit gjithashtu.

Tek të dy krijimtaria e tyre e pas viteve ’90 nuk është në nivelin e më të mirave të botuara më parë. Ata kaurdisen në të njëjtat vajra, riciklojnë e arnojnë, dridhen e spërdridhen në të njëjtat stile, motive e teknika të rrahura prej tyre qyshkur. Emri i tyre vazhdon të paraprijë veprën (edhe xhepi natyrisht) dhe kanë “fatkeqësinë” të mendojë si Mida, që çdo gjë që kapte me dorë, e shndërrotne në ar. Sidoqoftë sot dy të shqurit tanë përbëjnë një nyje të pazgjidëhme në kulturën e re shqiptare. Kjo nyje kurrsesi s’mund të jetë gjithnjë majë për kulturën shqiptare. Duke qënë një nyje në lartësi ose nyje në “timonin e karrocës së lashtë” që ka fshehur fillin dhe fundin ajo vështirëson udhëtimin. As kunji s’i hiqet, as shpata s’e pret. Nëse autorët e saj do të bëhen udhë, ata bëhen pjesë e traditës, nëse s’hapin udhë bëhen, pjesë e problemit. Sidoqoftë zgjidhja e nyjes ka filluar vetvetiu (pa kunja e pa shpatë): Sot ka poeti e shkrimtarë që pretendojnë cilësi të reja, edhe nga “ishët” që numëroheshin pas tyre, edhe të tjerë të rinj që nuk pyesin ku e si, por, i kapërcejnë nyjet sepse e duan të lirë fillin e tyre.

Ndërkohë opinioni zyrtar (nëse ka të tillë), opinioni i lexuesit të rëndomtë dhe i vetë autorëve është se ata vazhdojnë lulëzimin. Pompa e famës dhe e emrit vazhdon t’i japë oksigjen veprës. Ata sundojnë panairet e librit dhe po bredhin edhe pas parasë. Lexuesi cilësor bën zgjedhjet e tij dhe elita e kritikës shkencore mungon. Duket sikur ata janë të kalcifikuar. Fjala kundër veprës së tyre kthehet pas e jonet e kalciumit nuk transmetojnë informacion të ri. Ata i dinë të gjitha. Të gjitha janë thënë e çdo mendim që bie ndesh me ta, është i pavlefshëm ose i papërfillshëm. Ata duhet t’i hapin udhë mendimit kritik dhe nuk nderohen, kur mendimet e kundërta, i barazojnë me kundërshtarët. Kultura shqiptare ka nevojë për dialog. Guximi për të menduar, për të pohuar e mohuar, vjen sot si një thirrje acute e qënies. “Mendimi kthjellohet dhe përgatitet të meditojë, pa paditur kundërshtimet, as pa duruar miratimet që nuk duan t’ia prishin qejfin askujt”, (Martin Heidegger). Koha nuk mund të ndalet. Të jesh i vjetëruar s’do të thotë të jesh vetëm i plakur. Mosha s’ka të bëjë me mendimet. Mund të jesh dhe i ri i plakur, dhe i plakur me mendime të reja. “Të jesh i vjetër – thotë M. Heidegger – do të thotë, të ndalesh në kohë, atje ku ideja e vetme e një mënyre të të menduarit, ka gjetur veten e vet dhe është strehuar”. Poezia e vërtetë është verifikimi i qënieve të ndryshueshme, ajo s’mund të vlerësohet nga turmat e opinionet e gatshme statike. Këtu, e në radhë të parë këtu, duhet dëgjuar zëri i elitës. Turma karakterizohet nga mungesa e ideve, ajo nuk i fal humbjet e idhujve të vet dhe, ashtu e verbër, ta hipën përsipër dhe të mohon aq lehtësisht sa të ka pohuar, ndërsa elita ta pret baltën e varrit në duar, e, nëse je vërtet në tempullin e vlerave, të mban përjetësisht të tillë.



                                                                   2. Po aKademia?



Ashtu si Lidhja e Shkrimtarëve Akademia e Shkencave vuan dramën e tranzicionit. E thashë më sipër se intelektualët tanë pas viteve ’90 rezultuan të plagosur, të gjithë të plagosur, për të mos përdorur fjalën “të tredhur”. Për faj të shtetit, por dhe për faj të kokës së vet, Akademia jonë bën gjumin e madh. Ajo nuk e ka fizionominë e re të një shteti demokratik shkencor dhe kaurdiset me vajin e ish regjimit komunist. Si e tillë përdoret keq nga pushtetet dhe, pothuajse është e papërfillshme në problemet e mprehta kombëtare. Ajo i ka të gjitha “nishanet”, të gjitha kapacitetet intelektuale në të gjitha fushat; fort mirë, ajo mund të përdorte 5-6 elitarë që nuk i mungojnë e të jepte tonin në ansamblin kaq konfuz të ideve që po përjetojmë. Nuk besoj se çalojnë vetëm problemet e organizimit. Dhe tradita nuk na mungon. Ne kemi pasë emra të shquar shkencëtarësh që njihen edhe në humanizmin evropian si: Leonik Tomeu, Marin Beçikemi, Gjon Gazuli, Marin Barleti, për të ardhur tek mendjet e ndritura të Rilindjes me Sami Frashërin, Kristoforidhin, rektorin e parë të universitetit të Turqisë Hasan Tasinin e të të tejrë si Bilal Golemin, Aleksandër Xhuvanin, Refat Frashërin etj., et.

Academia jonë e shkencave, që nga 1973, kur u krijua numëron brenda vetës 12 institucione e qendra kërkimore shkencore, numëron në vetvete dhjetra personalitete të shquara që mbulojnë të gjitha fushat e zhvillimit material, historik e kulturor. Ajo ka një senat prej 39 antërash, të gjithë me zë, profesorë e doktorë, shumica e të cilëve njihen edhe në Evropë si Aleks Buda, Eqerem Çabej, Shaban Demiraj, Kolë Popa,  Petrit Radovicka, Sotir Kunshka, Odhise Paskali, Fejzi Hoxha, Zija Këlliçi, Petrit Gaçe, Zef Kokonozi e shumë të tjerë. Në të bëjnë pjesë dhe akademikët e letërsisë Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Alfred Uçi, Bedri Dedja.

Asgjë nuk mungon në skeletin e saj. I ka të gjitha, e më duket, se i mungojnë shumë për të qënë ajo elita e vërtetë që përmenda më sipër. Akademia jonë si dhe Lidhja e Shkrimtarëve përngjan me kombinatin  “Çilku i Partisë” … E pra, në demokraci s’mund të drejtosh e të konkurosh me ide “të çelikta”… Fatkeqësisht ansambli i ideve të reja, platformave efikase, stili, prodhimtaria akademike, e kanë tavanin të ulët. Kjo ndoshta edhe nga indiferenca e shtetit për të financuar, por mendoj se ajo vuan sindromin e akademive lindore,për të mos thënë se një pjesë e tyre bien erë të kulluar enverizmi. Ajo është fajtore në moszbardjhen e historisë sonë para 1945, pas 1990 e, sidomos bashkëfjatore, në falsifikimin e historisë sonë gjatë viteve 1941-1990. Nuk mund të pranohet më mendimi akademik me retushimet ideologjike të botimeve të mëparshme; nuk mund t’i mbetet në dorë publicistikës subjektive, zbardhja e figurave të rëndësishme kombëtare nga radhët e nacionalizmt shqiptar, aq rëndë të goditur e të mohuar nga diktaturat; nuk mund të interpretohen ngjarjet e rëndësishme politico-shoqërore nga amatorizmi politik; nuk mund të kenë besueshmëri shkencore komisionet e stërkomisionet që punojnë për itnegrimin euro-atlantik të Shqipërisë, nuk mund t’i zgjidhë vetëm politika problemet e reformave, problemet e urbanistikës, demografisë, emigracionit, kulturës etj. Dhe së fundi cili është mendimi akademik për letërsinë e RS dhe korifejve të tij ?



                                                 * * *

Fatkeqësisht kontaktet e para të njeriut shqiptar pas viteve ’90, me Evropën, ishte njeriu i varfër, i mjeruar pa plang e pa shtëpi, por dhe njeriu problematik e mafioz. Dora e mafias rajonale e ndërkobëtare u zgjat drejt mafies shqiptare dhe, me sa duket, do të përbëjë problem për një kohë të gjatë. Opinionet për Shqipërinë në Greqi, Itali, Gjermani e gjetkë, fatkeqësisht nuk i përbëjnë mijëra e mijëra intelektualë të shquar por “shqiptari problematik” keqbërës e shpesh kriminal.

Megjithëse këto opinione (të sajuara edhe me keqdashje nga vendet pritëse) po ndryshojnë, përsëri preznatimi i intelektualëve, shkrimtarëve, poetëve, artistëve, shkencëtarëve, është i vonuar. Zëri i elitës në zhurmimin e rrugëve është i pafuqishëm e për të nuk ka vesh nëse dhe shteti hesht. Dhe shteti ynë hesht në mënyrë akademike.

Unë e shikoj ogurbardhë pjesëmarrjen e shkrimtarëve në Akademinë e Shkencae, por nuk më qesh buza se akademikët e mi Ismaili, Dritëroi, apo Alfredi kanë rënë në dashuri me vetveten dhe me fronin akademik. Gjithsesi ata mund të kontribuonin më tepër për problemet teorike të kulturës shqiptare, por edhe për përmirësimin e statusit të shkrimtarit në Shqipëri, të ligjit mbi botimet, të manazhimit në rang kombëtar të librit, të programeve shkollore për letërsinë, për përkthimet, autologjitë, kritikën elitare etj., etj.

Përçarjet e shkrimtarëve deri në mërira e urrejtje provinciale e partiake, mosevidentimi i veprave të spikatura, lakmitë e cmirat ndaj talenteve të vjetra e të reja, s’kanë të bëjnë aspak me mendimin elitar e akademik në tempullin e letërsisë. Në këtë tempull s’mund të hysh me këpucët me baltë, ky tempull i takon mirësisë, shpirtit, paqes, vlerave të shenjta e s’mund të livadhisësh me urrejtje, me intriga e me mohim. Ky tempull përbëhet nga vetmitë e talentuara, drejtohet nga elita shoqërore e krijuesve e mund të organizohet në mënyrë të tillë që ta detyrojë edhe shtetin të ketë sy e veshë.

Thashë: jemi të plagosur, inventari i katastrofës s’ka mbaruar. Mosverifikimi i saj ka edhe kontribut “akademik” e shtetëror.

Mua më mungon edhe pasaporta!!!

Dikush tha:(më duket Xhevahiri) “Kultura – një flamur në gjysmështizë”

Paska lënë të shkruar Mitrush Kuteli një grusht fjalësh që s’mund t’i shmangësh pa dhimbje shpirti:

“Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë, është hë për hë, një rrugë vuajtjesh; buka e tij është e hidhur. E hidhur them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët se u bën hije. Dhe kur u bën hije, do të thotë se nuk je i zoti për letërsi…”

                                                       

                                                           XVII



Letërsia e Realizmit Socialist dhe modernizmi



Modernizmi si prirje letrare plotësisht e lirë, subjektive dhe kaotike, larg përkufizimeve të sakta edhe nga teoria e letërsisë, është bërë synim për kijuesit. Modernizmi, rëndom, barazohet me të renë, por duke pranuar, pa diskutim, se letërisa botërore numëron dhjetra vepra, qindra dhe mijëra vjeçare, si vepra moderne që i qëndrojnë kohës, detyrimisht duhet të kërkojmë te modernja një TË RE tjetër, një konstante të lëvizhme të vlerave artistike, e cila s’ka të bëjë me kohën, pra as me të shkuarën, as me të tashmen, as me të ardhmen.

Në letërsinë shqipe të Realizimt Socialist, modernizmi është trajtuar dhe luftuar si rrezik për letërsinë, që i kundërvihet traditës, folklorit dhe politikës estetike të shtetit e prandaj, asnjëherë nuk u kristalizua si në vende të tjera në simbolizëm, hermetizëm apo impresionizmë, rrjedhimisht nuk pati pëfaqësues që t’i jepnin kësaj prirje letrare e artistike emrin e tyre. Mjaft poetë kosovarë si Azem Shkreli, Ali Podrimja, K. Mehmeti etj., më të lirë në krijimtarinë e tyre, se sa në Shqipëri, kanë rezultuar poetë të fuqishëm modernë. Edhe në Shqipëri, megjithatë, në mjaft poetë, ka dukuri të mrekullueshme moderne në dhjetra poetë, për të mos përmendur traditën me Migjenin e madh, për të mos përmendur ndoshta më modernin Martin Camajn e mërguar, për të mos përmendur të vdekurit dhe të ndaluarit e mëdhenj.

Sidoqoftë tek ne modernizmi është shoqëruar si dukuri eklektike dhe me shumë pasaktësira, sidoqoftë ishte “ilegal” sepse i ndaluar, sepse shteti proletar kishte frikë nga vjershat dhe nga ngjyrat në pëlhurë e për të mbrojtur kufijtë e vet kishte ushtarë dhe gjeneralë të specializuar kundër poetëve dhe artistëve.



*  *  *

Modernizmi edhe në vende perëndimore është kuptuar në mënyra të ndryshme. Në SHBA, me Uollt

Uitmanin dhe Edgar Alan Po-në, modernizmi u identifikua me simblizmin; në Gjermai, ku mori dhe emrin në vitet ‘80 të shek XIX, u kuptua si kundërvënie e poetëve të rinj kundër pozitivizmit në filozofi dhe realizmit në art; në Francë u identifikua me simbolizmin, impresionizmin dhe dekadentizmin dhe pati përfaqësues të madhërishëm si Sharl Bodlerin; në Austri pati një kuptim më të përgjitëhëm, (për mendimin tim më të saktin) se, pa u identifikaur me ndonjë rrymë konkrete, nënkuptonte vetëm individualitetin në art.

Mbi poetët modernë ndikuan, jo si trysni, por si preferencë, filozofë të mëdhenj irracionalistë, metafizikë e spiritualistë që nga Artur Shpenhauri, Fridrik Niçe, dy emërsonët (Rolf dhe Eduard), Bergson, kompozitori Rihard Vagner e deri te romancieri gjenial Dostojevski.

Pamvarësisht nga nuancat, ngjyrat, vendet e ndryshme ku u zhvillua, në esencë të modernizmit mbetet përjetimi dhe interpretimi individual i objektit të pasqyruar. Më thjeshtë: Secili të krijojë sipas mënyrës së vet se si e kupton ai botën dhe njeriun. Kjo kryefjalë e modernzimit, me përputhjet e veta, gjithandej është kristalizuar në domosdoshmërinë e ikjes nga realiteti. Për poetët modernë streha e fundit, e pagabueshmja, mbetet vetëm bota e brendshme, subjektivja, origjinalja e përveçmja, “imja”. Vetëm në atë strehë shpalosen lartësitë dhe humnerat e pa fund të shpirtit të njeriut, ajo hapësirë pa cak ndjenjash; nëpër këto hapësira, në atë strehën e vogël e njëkohësiht planetare, nisin rrugët pa fund te realiteteve të tjera me tendenca stilistike e teknika gjithashtu të pafundme.

(Shpesh poezia moderne dhe proza barazohet në vargje e rresha pa kokë e pa këmbë, pa shenja pikësimi, vetëm me shkronja të vogla, pa kryefjalë ose kallzues, duke e vështirësuar komunikimin në një mani formaliste. S’kemi të drejtë ta paragjykojmë sepse pranuam rrugën pa fund të komunikimit, pra dhe kaosin dhe moskuptimin, gjithashtu të pranueshme në këtë botë mbërthyer me plot enigma.)

Mund të thuhet: Po mirë, kur dhe modernistët më të shquar mbështeteshin dhe influencoheshin nga filozofi të ndryshme, pse të mos jetë moderne dhe leteërsia e realizmit socialist që kish udhërrëfyese filozofinë marksiste leniniste? Përgjigjem: Jo. Ndryshimi është esencial. RS dhe filozofia ML njohin vetëm vetveten si pronare e të vërtetave mbi botën, shoqërinë dhe mendimin njerëzor si e tillë dhe imponuese për çdo gjë, pra dhe mbi letërsinë dhe artin. Filozofët që përmenda më lart hapin udhët e njohjes përmes alternativash, madje dhe ato metafizike e irracionale.

Metoda e Realizmit Socialist, me parime e rregulla, të ngritura në ligjësi, d.m.th. në njohje të mbyllura estetike, i imponohet botës së brendshme të artistit, e ngrutëson atë në përputhje me interesat ideologjike të partisë shtet. Rrjedhimisht vepra letrare dhe artistike nuk është moderne, përjashto këtu vetëm disidencën ose shfaqjet e saj, që falë specifikës së artit, priret t’i tjekalojë filtrat e çensurës.

Për këtë arsye, asnjë shkrimtar i Realizmit Socialist, pamvarësisht nga shumë talente të spikatura, nuk pati kurrë një vizion gjenial si Artur Remboja, p.sh. që, që në moshën 16 vjeçare shkroi veprën “Anija e dehur” ku shpalos një hapësirë ndjenjash të pafundme me mistere e mesazhe krejt origjinale e të lira simbolike,  ku njeriu identifikohet me një anije të braktisur në fund të detit. Vetëm kjo vepër poetike dhe disa proza poetike të shkurtra vetanake e bënë atë një nga poetët më të mëdhenj të Francës. Asnjë shkrimtar shqiptar i Realizmit Socialist nuk mundi të ishte një Stefan Malarme, sepse asnjë si ai, nuk lejohej të pikturonte e të kompozonte koloritin magjik të botës së brendshme të njeriut; asnjë nuk arriti të prekë artin dekadent (të tmerronte që në term) si Pol Vërleni që me figurat e befta impresioniste mbeti modernist i shquar pikërisht nëpër hubmellat e artit dekadent; e së fundi, asnjë shkrimtar i Realizmit Socialist në të gjithë Lindjen Komuniste, nuk arriti gjenialiteitn e Sharl Bodlerit, poetit më kompleks, më enigmatik të poezisë franceze dhe evropiane. Sharl Bodleri, me lenten e tij poetike, formalisht dhe me një këmbë në formën tradicionale të parnaistëve, depertoi në errësirën e shpirtit të njeriut, duke i dhënë lexuesit mistere të tilla, liri të tillë krijimi, vetgjyqësi të tillë përgjegjësie për artin deri në sakrifikim, deri atje ku hapësirat e lirisë të çojnë përtej vetvetes. Ai ishte kaq origjinal, sa dhe rendi kapitalist në Francë, ku e drejta e lirisë së krijimit mbrohet si e drejtë universale, u çensurua përkohësisht e u dënua nga gjyqi .Për të “gjëja më qesharake në poezi është kur ajo synon të përhapi arësimin në popull...” Zbehjen e fuqisë poetike ai e shikonte në qëllimet etiko-morale  të saj. Veç kësaj Sh. Bodleri ishte kundërshtar përmanent i çdo statusi të arritur në letërsi, madje dhe në jetën si qytetar ai ishte edhe kundër vetvetes. Poeti i madh kërkonte gjyqin dhe mbeti thjesht dëshmitar i lirisë së pafund. Ai nuk shkroi për Lulet e jetës, as “Lulet e verës” as  lule të tjera të bukura që mbijnë nëpër kopertina libras, por kryeveprën “Lulet e së keqes”. Ai u bë më i shquar, jo nga lëvdatat si Ismaili dhe Dritëroi ynë, por nga kritikat, madje deri në “amoral” e satanik, e se, poezia e tij, jo vetëm që nuk zbukuronte realitete e ideologjira, por shigjetonte hidhur; poet i bashkëdyzimit të kundërshtive, në livadhet e gjerë të “Luleve të së keqes” ai u imitua nga qindra poetë në botë sepse ai shpalli se kjo palo botë mbijeton nëpër udhëkryqet e Zotit dhe të Djallit, të mirës dhe të keqes... Ndoshta edhe “Princi i reve” i Lasgushit tonë është frymëzuar nga “Albatrosi” i famshëm i Bodlerit.

Kuptohet, talente të fuqishme si Kadareja, Agolli, Arapi apo plot të tjerë, nuk i lanë të ishin të tillë, nuk deshën të ishin, pra nuk janë. Vepra e poetit të Realizmit socialist, paçka se me shkëndijime aty këtu moderne, gjitjsesi, për arsyet që po trajtojmë, mbetet vepër e mungesës.

Unë nuk i interpretoj dallimet si shënjë inferioriteti, nuk nisem thjeshtë nga termi “modernizëm” e “ postmodernizëm”, aq më pak ta quaj letërsi dhe artin shqiptar të prapambetur, jo, jo. Duke qënë objektiv në faktin se krijuesi shqiptar, nuk ishte i lirë të afirmonte talentin e tij, është më mirë të jemi pranë kësaj të vërtete për të mos ta matur veten me hijen e mëngjesit. Ndonjë dashakeqas, diplomat apo shkrimtar nga Shqipria apo Kosova, nuk besoj se peshon, fjala vjen, për të penguar “Nobelin” e Kadaresë. I përkthyer në 33 gjuhë, me shtrirje planetare, edhe nga një sërë rastësish edhe për faktin se vetëm ky u përkthye, pra vetëm ky njihej, i mbushur me një mal lëvddatash deri në ekstreme të tilla si: “ky vend ka nxjerrë një gjeni...” e “ta kurorëzosh kadarenë s’do të thotë të emanciposh atë, por do të thotë të emancipoheni vetë ju” ose “Kadareja njihet në të gjithë planetin, veç nuk është e sigurtë nëse dinë kudo si duhet t’i qasen për ta pëlqyer.” etj., etj. Nëse i marrim të vërteta këto, Ismaili ynë, duhet ta kishte marrë atë çmim, ose do ta marrë një ditë. Kjo do të ishte nder për kulturën dhe gjuhën shqipe, kjo do të na ngrinte supet të tërëve, por kjo, gjithashtu nuk e pengon askënd të shfaqë mendimet e tij edhe për “Nobelin”. Pa dyshim ky çmim, nga më prestigjiozët në botë, nuk do të thotë madje, se të gjithë nobelistët janë gjenij, dhe se janë absolutisht më cilësorët sepse kanë marrë këtë çmim. Shumë nobelistë janë bërë edhe sheptikë edhe më të përgjegjshëm pas çmimit, madje dhe e kanë kundërshtuar atë.

Në punë vlerash të vërteta dhe të merituara më duket më realiste i urti Huntington që thotë: “Ne e dimë kush jemi vetëm atëherë kur dimë kush nuk jemi, dhe shpesh, vetëm kur e dimë kundër kujt jemi.”

Në laboratorin krijues të Kadaresë, ose në atalinë e shkrimtarit, siç e quan vetë ai, ka ndodhur një erozion gërryes - ndoshta në përmasat e katastrofave që bën natyra mbi objektet e bukura të saj.

Që më 1990, kur botoi librin “Ftesë në studjo”, në atë vit, kur, ashiqare, po tundeshin nga themelet akullnajat e regjimit, mbajta disa shënime për vete dhe për t’iu përgjigjur pyetjve të shumta të studentëve të mi në Gjirokastër. Po i riprodhoj shkurtimisht:

“... Shkrimtari diçka humbet po të shkelë paktin, pra, në u rrektë të tregojë të patregueshmen” Pengesa e parë: Cila është e patregueshmja? Kush e ndalon? Me siguri e patregueshma është një e vërtetë e madhe, e patretshme në brendësitë e poetit por...

Më duket se nuk është fjala vetëm për artin në përgjithësi, për atë akt universal e ndoshta hyjnor, “thelbin e të cilit e përbën vetëm pamundësia e rrëfimit të plotë”... Këtu autori ka ndrojtje e frikë, ai s’ndjehet i lirë, rreth tij vigjëlojnë “ushtarë” që “mbrojnë kufinjtë”. “Ai vetë në njëfarë pike mund të rrëfejë për netët e tij me muzën e tij”... “Më tutje, atje ku nis thellësia, atje ku mjegulla dendësohet, ai ndalet.”

... A thua atë e pengojnë ligjet mbi artin?  Metoda e ngurtë e realizmit socialist? Ideologjia e partisë që po e shpëlante për ditë?

Cili art i madh u pengua nga ligjet e artit? Cili poet i madh nuk i theu ato? Cili poet i madh nuk i kaloi kufijtë, nuk kundërshtoi partitë e qeveritë e aq më tepër diktaturat? Nga magjepsja, hipnoza, “paktin me djallin, shkrimtarin mund ta çlirojë vetëm vdekja” ...E besoni ju këtë?

Shkrimtarit të RS, domosdoshmërisht, i duhej të bëntë të paktin, jo vetëm me vetveten, por dhe me pengesat jashtë tij. Në këtë drejtim ai e kishte gjithmonë barutin e lagur. Poetët e mëdhenj i kanë prishur paktet edhe me Zeusin për të qënë Premethe. Shkrimtarit të RS i duhej të bënte pakte dhe me Zeusin dhe me djallin për t’u bërë Kadare.

Vini re: “Në këtë rast, gjithmonë sipas një krahasimi të pasaktë, shkrimtari të kujton mbretëreshën e dikurshme që ishte e detyruar të lindte në sytë e oborrtarëve, përderisa foshnja trashëgimtare kishte lidhje me shtetin (nënvizimi im)”.

...“Pse e fshehta e shkrimtarit, ashtu si zbulesa e tij, s’mund të jetë, veçse e pjesshme”... “Pse ai duhet të dëgjojë ç’kërkojnë kureshtarët?”

A është vepra e I. Kadaresë një dilemë aludimesh? Sa e ka dëmtuar veprën e tij shqetësimi i tij se: “Si është e mundur që, ndonëse dua të them të vërtetën, ato që flas kanë të bëjnë aq pak me të?”

A thua vepra e Kadaresë është një shprehje për të mos u shfaqur, “për të mos u spjeguar”...

E pra, nëpër dilemën hamletiane të rrëfej atë që duhet, apo atë që kërkohet, përcaktohet plotësisht pamundësia e shprehjes. Shumica dërrmuese shprehu atë që kërkohej dhe u barazuan me kërkesat ideologjike dhe estetike të partisë. Ky pakt ishte ekzistencial. “Ta shkelje këtë... ishte fatale, ndoshta më fatale se ajo që ndodhi malësorit me zanën e vet.”

(Në atë prozë mitlogjike shqiptare tregohet për një malësor të ri që çdo natë nisi t’i vinte në kullë një zanë. Kjo zanë nuse do të bënte atë të lumtur me kusht që ai të mos fliste për të, ndryshe do të humbiste gojën... Malësori nuk e përballoi dot tundimin, (paktin) dhe çastin kur rrëfen për zanën e tij të bukur e zëvëndësoi me memecllëkune e përjetshëm...)

Nuk më duket i saktë mendimi i shprehur nga shumë analistë se I. Kadare nuk e ka afruar autoçensurën. Paçka se më i talentuar nga të tjrët, mua më duket se llogaritë i ka bërë në vrimë të gjilpërës; gjithnjë ka qënë i trembur edhe pse kish vendosur paktin me diktatorin.

*  *  *

   Fakti që veprat letrare moderne, janë shkruar shumë për përpara se sa termi “modernizëm”, ky s’ka të drejtë të identifikohet me të renë e domosdoshmërisht  me vlerat. Niveli i vlerës lëviz, ashtu si dhe niveli i vlerësimeve dhe lëvizja e shijeve estetike nëpër kohë nga brezi në brez. Çdo brez krijuesish mund të jetë modern krahasuar me një brez më të përparshëm, por edhe mund të mos jetë. P.sh. poetët e viteve ‘50-’70 të Realizmit Socialist, nuk ishin më modernë se Migjeni e Camaj. Nëse kriteri i vlerave matet me kënaqësinë estetike që krijon letërsia dhe arti, vetë kënaqësia, është e kondicionuar nga një sërë faktorësh subjektive dhe objektive; pra moderniteti si prirje me semantikë të lëvizshme, me përqafime a mohime rrymash, sidoqoftë mbetet një kërkesë dhe synim i krijuesve, drejt konsolidimit dhe shumësisë së shprehjes.

O. Paz i quan të parëndësishme këto, por e shikon modernizmin si ndikim të shkrirë me të tashmen. E tashmja, në kundërshtim me Folklorin, është lulja e tij supreme, sidoqoftë, thekson ai, simbolizmi i Bodlerit është magjepsës. Ai “zbuloi se modernizmi s’është gjë tjetër, veçse koha që thërrmohet në duart e tua” dhe se “që nga 1850, ai (Bodleri) ka qënë perëndesha dhe demoni ynë.”.

Miopia e Realizmit Socialist, e estetëve dhe e kritikëve të tij, nisi  në Rusinë “mëmë” dhe nuk pa se modernizmi dhe izmat e tjera, ishin dukshëm të pranueshëm edhe në letërsinë para socialiste, në atë të Rilindjes dhe të viteve ‘30, madje edhe në traditën e vjetër folklorike që nga baladat dhe mitet e lashtë.

Kjo bën që të mos ndërtohen urat e natyrshme të vazhdimësisë, sepse harqet e reja të modernizmit rrëzoheshin duke i rrafshuar vlerat vetëm në tabanin folklorik. Ndaj themi se letërsia e Realizmit Socialist është vertebër e ndërprerë në kulturën shqitpare; Shfaqjet e modernitetit, që siç thamë nuk mungonin, u luftuan me ashpërsi, nuk i dhanë jetë traditës, ndërsa kjo duke u identifikuar me folklorin, jo vetëm që nuk iu përgjigj së resë me thellësinë e rëndesës së saj, por degradoi në një pellg të ndenjur, kur detyroheshin të pinin të gjithë, edhe buajt edhe zogjtë që kërkonin qiell.

Objekti i letërsisë moderne është njeriu i ditës. Ajo i anashkalon të shkuarës dhe s’ka interes për të ardhmen që nuk e njeh. “Pema e kënaqësisë nuk rritet në të shkuarën as në të ardhmen” Prej këndej lind diversiteti ekstrem me letërsinë e Realizmit Socialist. Poeti modern nuk alarmohet nga vdekja, madje e trajton atë si jetësore, bashkë me të edhe trishtimin, dhimbjen, pikëllimin, fataliteitn, kotësinë etj. etj. Kjo përvojë estetike është e papajtueshme me atë të Realizmit Socialist, të cilët, kurrsesi nuk mund ta interpretonin të tashmen e njeriut socialist, pa dritën entuziaste ideologjike, por gjithsesi të përkohshmeme dhe me sakrifica në emër të së ardhmes së ndritur revolucionare, që do përfshinte globin. Poeti i Realizmit Socialist e largon lumturinë e të tashmes socialiste, nuk e njeh vdekjen dhe ashtu i çnatyruar, duhet ta shtrembëronte të tashmen e cila kurrë nuk u pa nga poetët si prani e mbrapshtë.

Prirja e shprehjes së lirë ose modernizmi është brenda poetit si lëndë shpirtërore dhe poezia përbëhet prej këtij stofi. Çdo gjë tjetër, me materiale të tjera, të themi plastike, e kufizon dhe e ngurtëson poezinë. Kjo tezë hedh poshtë teoritë mbi modernen, tendencat për periodizmin e saj, përfqësuesve më në zë dhe lë hapur parimin e madh të krijimtarisë artistike se moderne është vlera e poezisë të çdo kohe, ajo që paraqitet me kostumin e stofit shpirtëror, jashtë cdo shablloni është e sotmja dhe antikiteti, e nesërmja dhe fillimi i botës, është, siç thosteh O. Paz, - “një mijë vjet i vjetër e njëkohësisht pa lindur, një shumësi kohësh dhe prezencash” Si e tillë modernia është gjithmonë prirje e hapur; ajo nuk është një shkollë që mund ta mbarosh, por rrugë e gjatë, e pafund dhe, kur të duket se arrin në një stacion, tjetëri  të bëhet më i largët dhe më i panjohur si fillim. Modernia është një pemë me gjethe prej ere; prej erës që shoh të lëvizë në të tashmen e që konvergon të tëra dimensionet e bukurisë së lëvizshme.

Metoda e Realizmit Socialsit, si metodë imponuese dhe artificiale nuk ishte moderne edhe për faktin se përjashtonte dhe dënonte shpirtin kritik të poetit ndaj realitetit. Përvoja e historisë së letërsisë dhe artit tregon se asnjë periudhë krijuese nuk ka qendruar me këmbë pa qënë kritike. Arti i vërtetë ka të bëjë me shpirtin kritik e rrebel të krijuesit. Ai gjithnjë është alternativë, ndaj i papranueshëm nga mejdiset e ngurta qeveritare e ideologjike. “Kritika më e lartë, siç thotë Oscar Vilde, është regjistri i një shpirti”. Sensi kritik i krijuesit në një vepër letrare ose artistike “është e vetmja formë e qytetëruar e autobiografisë”.

Nisur nga këto mendime të njerëzve të shquar të letërsisë, krijuesit e realizmit socialist përjashtohen nga biografitë; ata, të detyruar të ndërtonin tipin dhe tipiken përjashtuan nga letërsia individualen, njeriun kompleks. Edhe kur, dhjetra poetë, piktorë, dramaturgë, regjisorë tentonin të ishin ndryshe pra “poetë”, atëherë “Kështjella”, që mbrohej nga gardianët e shumtë, thërriste në skenë, speciet e njëjta, që me llogjikën homogjene të turmës, shigjetonte atë që guxonte të dilte nga tufa, duke shmangur e anatemuar bukurinë e vërtetë që parapëlqen adhuruesit e vetmuar.

Te origjinaliteti dhe e përveçmja është magjia e artit modern botëror, që metoda e Realizmit Socialist, e ndaloi dhe e kufizoi si të dëmshme, dhe korifejtë e modernizmit të letërsisë klasike, madje dhe gjenialitetet i interpretoi nën filtrat ideologjikë të M-L. “Don Kishoti” i Servantesit, p.sh. hyri edhe në shek. XXI si romani më modern. Pse? Sepse është krejtësisht i veçantë, i përveçëm, mashtrues dhe enigmatik... Që në emrin e autorit “Servantesi” që është dhe s’është ai, që në personazhet irrealë që me veprimet e tyre komiko-tragjike, që në identitetet e rreme të ngjarjeve, njerëzve, mesazheve...

Hidalgoja “Don Kishoti”, u bë në shekuj, personazhi më modern, sepse ishte pa emër, sepse s’kish të dytë as në Spanjën e shek XII askund tjetër.

Ndërsa tekstet tona të universitetit edhe të shkretin “Don Kishotin” e vetmuar, e veshën me lëkurën e tipikës që përfaqësuaka (!) të gjithë hidalgot e Spanjës dhe të të gjithë botës që kanë rënë nga vakti... Si përfaqësues të një klase që, që... e budallëqe të tjera.



*  *  *

Modernia ose postmodernia, duke mos qënë e përkufizuar, bëhet edhe më tepër synim për krijuesit. Kjo prirje është njëkohësisht edhe realiste sepse është një qasje shkencore ndaj botës duke e ndarë botën nga mitet dhe duke e trajtuar metafizikën si vazhdimësi enigmatike.

Sot duhet të pranojmë se diagrama shpirtërore e njeriut,  në mos është në rënie drastike, është në krizë. Dhe kriza nuk është vetëm çështje vrojtimi.

Krijuesit modernë, që nuk mungojnë as tek ne në këtë periudhë të shkurtër 15 vjeçare të demokracisë kaq problematike, kanë guximin që të rrokin e të përshkruajnë edhe degradimin e njeriut, e njeriut njeri në tërë kompleksitetin e vet...

Letërsia jonë e re ka nevojë për këta vetanakë të trishtuar, për shpirtin rrebel e kund’rshtues ndaj çdo statusi të arritur. Nostalgjikët e tipit “Dalan” e co. që këshillojnë të mprehim armët kundër modernizmit, u takojnë nostalgjikëve të një stine të ftohtë. Për atë kohë,  nuk mund të përjashtoj dhe të dashurit e mi, Kadare e Agoll.





XVIII



Postmortem


Romani “Koncert në fund të dimrit”, sipas autorit, është romani më i guximshëm. Të më fali zoti Ismail, por mua nuk më duket kështu. Nëse romani do të ishte shkraur para 1978, në kohën e lulëzimit të marrëdhënieve shqiptaro kineze, po, por romani është shkruar “pas vdekjes” së marrëdhënieve. Lexuesi shqiptar nuk harron se shumë herë shkrimtarët shqiptar shkruanin, në zbërthim të veprës e “Udhëheqësit të lavdishëm”, si mbështehte ideoestetike ndaj veprës së tij, ose të ashtuquajtura plenume të fuqishme të partisë…

Koncerti është shkruar 10 vjet pas mortem. (Kujto se këtë zakon e kish dhe shkrimtari E. Hoxha. Pas mortem ai shkroi kundër Stalinit, Hrushovit, Titos… etj.)

Që më 1978, Enver Hoxha kishte bërë publike deri në kuadro të kategrosë së tretë “Shënime për Kinën” që çuditi shumë itnelektualë me vigjilencën dhe hipokrizinë e tij ndaj “mikut të madh kinez” dhe hutoi plotësisht lexuesin e rëndomtë për heroizmin e tij në çdo hap të marrëdhënieve “të shkëlqyera” Kino-shqiptare. (!). Tek ajo vepër. E. Hoxha përshkruante të gjithë romanin absurd me Kinën e Mao Ce Dunit dhe e vinte vetëm si parashikuesin më gjenial të lëvizjes komuniste botërore. Si në një serial filmi përshkruhen të gjithë intrigat dhe komplotet, të gjitha kinezeritë rreth Maos, Lin Bias, Ten Siao Pinit, Çu En Loit etj. Ishte një dyfytyrësi e pashoqe e E. Hoxhës që popullit i fliste çdo ditë me “Zërin e Popullit” për marrëdhënie të shkëlqyera e ndihmat kolosale kineze ndaj nesh… e që, në fakt, kanë qënë marrëdhënie të dhjera (më falni për shprehjen) dhe që çdo kinezëri është shoqëruar nga shqiptarët me barcaleta që qeshnin dhe sigurimsat.

Ndërkohë e paralel me ato shënime të plumbta kundër udhëheqjes kineze, Enver Hoxha hapi dyert e dritaret për kinezët, madje, dhe imitoi  një nga furtunat më të pështira kundër letërsisë e arteve sipas përçudinimit të revolucionit kulturor kinez, ku, jo vetëm poeti dhe artisi, por çdo njeri, po të kish fatkeqësinë të ishte intelektual, ose një soj kuadri, mund të shkelej, të përbaltej e të pështyhej nga masat revolucionare në mes të ditës. Ju kujtohen fletërrufetë, mijëra mbledhje analiza e plenume ku të tërë u ngrtën kundër  të tërëve dhe në gjyqin e përditshëm u vu vet ndërgjegjia kombëtare? Ju kujtohen qarkullimet, puna fizike, aksionet e fekaleve dhe ditët e Enverit??…

“Koncerti…” është më pak i guximshëm se të tjerët e ka me pak art se sa te “Dimri”, “Qorrfermani”, “Prilli i thyer”, apo “Pallati i ëndrrave”… Të mos harrojmë që “Kontinenti” kinez ishte mbushur me plot mister, simbole e kukulla, e valle politike, e lindje të kuqe dhe vetë gjuha kineze, më tepër se çdo gjuhë, është ndërtuar mbi simbolin, por për shqiptarët, si dashuria me të dhe urrejtja, ishte artificiale e largët e inskenuar nga udhëheqja komuniste. Ishte marrëzi e radhës e diktatorit, ishte aventura e dashursë dhe e urrejtjes, ishte një shkollë plot intriga e krime, e mistere, plus tonave, ala shqiptarçe  që i kemi patur edhe në superlativë.

Duke qënë se këto qenë të ditura “Koncerti” ngjan i zbardhur, pa fantazi dhe pa informacion. Edhe në këtë roman voluminoz duket e meta themelore e romancierit, mungesa e personazheve. Lexuesi nuk ka vetëm nevojë për ide, mesazhe, drejtësi apo këndvështrime të ndryshme ideologjike, por do të njihet me njerëz, fate, dhimbje të përveçme që të të drithërojnë me gjendjet e tyre. Letërsia s’është vetëm hulumtim, mendoj, por mbi të gjitha edhe emocion. Justifikimet se që më 1967 kur autori u dërgua në Kinë për të përfituar përvojën e Revolucionit të turpshëm kulturor kinez e se brenda “Koncertit” ka një vdekje romani (Dasma, ndoshta) e se vdekja e vogël do të lindte romanin e madh etj., nuk janë bindëse. (Më falni për një shembull vetiak: Në romanin “Intervistë me një gur” “Piramida prej mjalti”dhe “Dashnorja misterioze”, unë kam linçime poetësh e vdekje të librave brenda librit. I vdekur i Ismaili “Dasma” u mbajt gjallë, u përkthye nga disa gjuhë u dramtizua dhe nga BBC, të vdekurit e mi i shkapërtheva gjymtyrësh dhe çdo copë e shpërndava nëpër lagje që të kish disa varre… Nuk di nëse kjo quhet vlerë. Këtë nuk duhet ta thonë autorët. Vlerësimi, kritika i takon tjetërkujt.)

Personalisht, jam i bindur se Ismaili si intelektual i shquar i ka parë që në fillim me neveri e sarkazëm marrëdhëniet me Kinën e veçanërisht  paçavuret kulturore të atij revolucioni, por dhe shqiptarët përgjithësisht kështu i kanë parë. (Mbaj mend se nxënësit dhe studentët e mi, dhe brenda orës së mësimit i shoqëronin me të qeshura veprimet e “vëllezërve” tanë kinezë. Dhe ne duhet të qeshnim ose të heshtnim). Ndaj them se “Koncerti”, nuk është i guximshëm. Le të jem unë i gabuar, por shprehem se nuk është mirë që autorët bien në dashuri me vetveten. Dhe lexuesi nuk ka ndonjë borxh të mburret me mburrjet tona. E përsërit: … Në gojën e Kadaresë nuk tingëllin mirë se “ndikimi i saj te lexuesi shqiptar (d.m.th. i veprës sime) ishte më i madh se i krejt letërsisë tejtër marrë së bashku.” (!)

Pas mortem  mund të ketë edhe art por kurrsesi guximtarë. Dhe guximi është pjesë e artit të madh.

Pas mortem është shkruar dhe “Gjenerali”. Dhe spekullimet për të s’kanë qënë të pakta “Dalja e romanit shkaktoi nëj tronditje në letërsinë shqipe”, thotë autori. Me gjithë hipërbolën që ka këtu, esenciale është fakti se “Gjenerali” ishte një roman dinjitoz për një 30 vjeçar. Vërejtjet zyrtare për të ishin sporadike (se kish një klimë të zumtë ndryshe nga atmosfera festive e Realizmit Socialist, se kish mungesë të urrejtjes kundër armikut të klasës, se nuk përmendej partia etj.). Një gjë kuptoj unë: Autori në vitet 60-62, ka qënë më i lirë se në vitete 70-80. Çdo spjegim i autorit për romanin ma dobëson romanin. Tjetër gjë dua të them: romani përshkruan një ushtëri të vdekur, gjetjen amballazhimin (dhe organizimin ushtarak) të kockave të ushtarëve pushtues që duhet të transferohen nga toka jonë. Ka këtu të vërteta e gënjeshtra, cinizëm dhe humor, krenari dhe sfida… dhe çdo gjë të trishtueshme që shoqëron një ushtri të thyer. Por eshtrat s’janë ushtarë. Në varret e armikut ne s’mbjellim lule, s’ndezim qiri e s’bëjmë ceremoni kujtimi, por dhe nuk lozim me kockat. “Gjenerali” ka një lojë makabre me kockat, përmasat, amanetet. Ushtari ose oficeri i vrarë e ka mbaruar historinë e tij. Nderimi për eshtrat i takon vendit të ushtarit, por është dhe një e drejtë universale dhe mjaft e prekshme për njeriun. Kodi i vdekjes për njeriun ballkanas e shqiptar është më i shenjtë se dhe kodi i jetës. Gurët e varrit dhe gurët e kufirit, thotë Kanuni, janë të palëvizshëm Gadishulli ballkanik që është gadishulli më poetik në botë e që ka 3000 vjet që shkruan poezi mbahet kështu, sepse, pikërisht i ka kënduar vdekjes. (kujto ceremonitë e varrosjes së Patroklit  dhe të Hektorit dhe atë dhimbje aq njerëzore të njerëzve të tyre nëse cënohet kufoma, kodi i vdekjes).

Regjimi komunist e filloi jetën e vet duke vrarë jo vetëm të gjallë (e sidomos komuniste) por edhe të vdekur. (kujto shpërthimin me dinamit të varrit të nënës mbretëreshë). Kalvari i varrimeve, çvarrimeve, poshtërimeve të kockave (dhe të heronjve e të dëshmorëve), të armiqve të klasës e të burgosurve politikë s’ka të mbaruar akoma dhe përbën një dhimbje e krim të paparashkruar. Njeriu do ta dijë edhe vendin e qenit, jo më të babait, vëllait, djalit…, poetit kombëtar…

Natyrisht te “Gjenerali” i tij është i imunizuar për këto që po them, sepse ka të bëjë me eshtra pushtuesish (sipas kodit të luftës kundër fashizmit por s’besoj të ndjehet i qetë në kodin e njeriut, në kodin e shenjtë universal të vdekjes. Plaka Nicë, përsonazhi më i bukur i pikturuar nga autori, plotësisht shqiptare në vuajtjen dhe dhimbjen e saj, harron se zhvarrimi dramatik i eshtrave të kolonelit Zampa, nuk ia pakëson dhimbjen dramës së saj… por duke e rivarrosu në prag të derës… për ta shkelur, mban ndezur dramën e familjes së saj por dhe prushet e urrejtjes që historikisht erdhën duke u shuar e se vëllai, djali apo nipi i kolonelit Zampa, pas 60 vjetësh, erdhi i ngarkuar me bukë dhe ushtarë për të na mbrojtur nga vetvetja… Kështu është trazuar bota. Urrejtjet janë të përkohshme e harresa është e domosdoshme për brezin që do të jetojë pa luftra e vrasje… Ushtari i Dritëroi te “Njeriu me top” është fundi më i turpshëm i ushtarit pushtues, njëkohësisht djalë nëne dhe ai i mobilizuar si ushtar, e aq njerëzor, aq i qeshur e simpatik, tani argat i Mato Grudës, përsonazh tërë mish e gjak njeriu, aq i dashur e aq viktimë siç janë të gjithë ushtarët në botë. Jam i sigurët se ndërgjegja i shqiptarit (natyrisht pa pozicionet ideologjike) nuk i dënon eshtrat.

Eshtrat e kolonelit Zampa nuk janë koloneli Zampa. Eshtrat s’kanë emër dhe janë njëlloj si të miat dhe të tuat. Vdekja dhe mënyrat e saj janë tjetër gjë, dhe cinizmi gjithashtu. Pajtohem me autorin se mbrapshtia kryesore e çdo libri të Realizmit Socialist, nis që në fillesën e saj, d.m.th., në llogaritjen  për t’i shërbyer një teze. Këtu nis dështimi, humbja e veprës, këtij kurthi nuk i ka shpëtuar as ai vetë. Për mendimin tim, nëse zanafilla e romanit, do të ishte një prostitutë, siç thotë autori, apo më saktë kufoma e saj, eshtrat  e saj pas 20 vjetësh shtrirë midis eshtrave të qindra ushtarëve, do të ishte një perlë më vete e do shmangte ideologjizmat që shoqëron çdo luftë… Por s’mund të gjykohet shkrimtari për atë që s’ka shkruar e aq më pak sipas dëshirave subjektive, kam fjalën tek pas mortësi…

Pas mortem gjej shumë probleme të esseja e Kadaresë “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” botuar më 1991. Libri është mbushur me këndvështrime subjektive për të vdekurit e mëdhenj, shumica të ndaluar nga diktatura komuniste. Ka në të zbërthime interesante e me vlerë, hulumtime letrareske, risi e nostalgji, dedikime e kontradiksione, alibria e hamendje që për mendimin tim ka sjellë edhe çoroditje në kritikën letrare.

Sipas një leximi të dytë a të tretë (nga ata që ka qejf të rekomandojë Ismaili ynë), po shpreh telegrafisht mendimet e mia:

1-       Letërsia e Migjenit kështu ka lindur se një gjë e veçantë, një gjë tjetër lloj… “E dija (unë I. Kadare) se letërsia ime ishte tjetër lloj.”

2-       Pejzazhi letrar i viteve 20-30 në Shqipëri ishte mjaft i pasur dhe interesant e, njëkohësisht duke qënë shterpë në gjithçka, jepte letërsi të madhe. (?!)

(“Megjithatë pas këtyre mureve (të Realizmit Socialist), në këtë Shqipëri mjerane, shkruej letërsi e kategorisë së parë”).

3-       Konformizmi ishte, as më shumë as më pak, një prostitucion letrar. Jashtë kësaj kurvërie letrare, jashtë tufës, veçohet me të drejtë Migjeni…

Natyrisht nga kurvëria letrare e Realizmit Socialist, përjashtohen ata që mbajnë dekoratën e virgjërisë.

4-       Termi “letërsi reaksionare” në penën e Kadaresë më duket krejtësisht pa kuptim. Kjo gjuhë marksiste-leniniste, paragjykon dhe akuzon dhjetra shkrimtarë të mëdhenj brenda dhe jashtë vendit “reaksionarë”. Njëkohësisht ësht një thikë me dy presa për vetë Kadarenë sepse ai pranon që letërsia e tij shkonte në drejtim të kundërt me regjimin komunist dhe metodën socrealiste. Rrjedhimisht ishte letërsi reaksionare (!) (Ah, sikur të ishte!)

5-       Etiketimi i regjimit të A. Zogut, si regjim tiranik të kujton terminologjinë e kongresit të kuq të Përmetit dhe vazhdimësinë e propagandës komuniste që s’ka të pushuar as sot. Përqasja e këtij regjimi me diktaturën komuniste, ose siç thotë autori me Shqipërinë e re, bije në kundërshtim me mendimet e mëvonshme e të hershme të autorit për të dyja regjimet. E shkruar me 1991, në epilogun e diktaturës hedh një tymnajë të panevojshme për demokracinë që po lindte…

Kam mendimin se shkrimtari ynë i shquar e ka parë përciptas elitën letrare të viteve ’30, e ka zgjedhur prej saj përkimet me vetveten. Veç Lasgushit, Konicës, dhe Migjenit dhe trajtimit të gabuar të Gj. Fishtës janë lënë jashtë vëmendjes romani nihilist “Pse” i Sterjo Spases, romani “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit. Nuk vlerësohet Et’hem Haxhiademi që befasoi publikun e kulturuar me tragjditë klasike, shkruar me finesë të veçantë e të panjohura në skenën shqiptare… Pikërisht në atë regjim tiranik, siç e quan autori, për herë të parë u zhvilluan publicistika pluraliste profesioniste, që i shërbeu inforamcionit politik, kulturor dhe letrar. Dhe çensura e natyrshme si në çdo diktaturë, kurrsesi s’mund të krahasohet me çensurën dhe autoçensurën e tmerrshme të regjimit komunist.

Në atë regjim “tiranik” lulëzuan një mori revistash si “Hylli i Dritës” (1930-40) e Gj. Fishtës, “Zani i Shna Ndout” dhe “Leka” (1929-1944), “Minerva” (1932-36) nga Tajar Zavalani, Odhise Paskali, Nibel Çika, Stefan Shundi, të cilët i dhanë zë të veçantë edhe revistës kulturore “Iliria” (1934-36), ku botoi dhe Migjeni; pikërisht në atë kohë Branko Merxhani çeli revistën “Përpjekja shqiptare” (36-39), Petro Marko revistën “ABC” e mjaft e përhapur gazeta komuniste “Bota e re” (36-37) e Korçës, për të mos i përmendur “Shkëndija” e Ernest Koliqit (40-43), “Fryma”, “Revista letrare”, “Kritika”, “Demokratia” e Gjirokastrës etj., etj. Në këtë fjalë të shkruar kontribuoi e gjithë elita e kohës, që nga Fan Noli, L. Pogradeci, Gj. Fishta, E. Konica, Ernest Koliqi, Haki Stërmilli, Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani, Petro Marko, Branko Merxhani etj., dhe të gjithë së bashku, ashtu elitorë siç ishin, përbënin shpirtin e kombit. Veç të tjerash ky ishte një shtyp i lirë e për pak kohë do të ravizohej në dy rrugë ekstreme, komuniste e fashiste, dukuri kjo, në të gjithë Evropën e asaj kohe që do shpërthente Luftë e Dytë Botërore. Kjo elitë e përgatitur kryesisht në Universitetet e Evropës ka meritën se në ato vite, ku analfabetizmi ishte total, i dha kombit një letërsi moderne e cilësore që, siç dihet, regjimi tiranik i E. H., e mohoi ose shkeli me këmbë duke shkaktuar traumën më të madhe të vazhdimësisë së kulturës shqiptare. E gjithçka do të niste nga fillimi me letërsinë e kuqe.

Vlerësimet e autorit për Gjergj Fishtën janë thellësisht subjektive e të kujtojnë pikëpërpikë, vlerësimin mohues e vrastor të regjimit sllavo komunist ndaj tyre. Arrihet deri këtu sa: “Varrimi i Fishtës i organizuar me madhëshit nga qeveria kurslinge shqiptare, kleri katolik vendas e Vatikani i Romës, ishte njëkohësisht dhe varrimi i një epoke në letërsinë shqipe”. Jo, i dashur, Ismail epokat letrare nuk vdesin nuk varrosen, nëse janë vërtet “epokë”. Nuk është dhe nuk duhet varrosur as epoka e letërsisë së Rilindjes para Fishtës dhe unë nuk jam as për varrosjen e letërsisë socrealiste, letërsi e një epoke të vdekur. Më së paku, përjashto disidencën, ajo është letërsi kujtesë që s’mund të mohohet e që tregon se si nuk duhet të jetë letërsia e mirëfilltë. Nga ana tjetër, s’mund të gjykohet Fishta i vdekur sepse në varrim i paskan shkuar dhe reaksionarë (!) Kjo për vdekjen e dytë: zhvarrosjen dhe hedhjen e eshtrave në lumë… dhe më madhoshtore, ringjalljen e tij pas dy vdekjeve…

Gjergj Fishta, si një nga Gjergjët e mëdhenj të Shqipërisë, nuk ka nevojë për mbrojtjen time e veçanërisht tani pas ngjalljes së tij, por gjithsesi kish nevojë për mbrojtjen e Kadaresë.

Nga ana e tij do të ishte një akt prej të madhi kur dihej se Fishta ishte kandidat i parë shqiptar që propozohej për çmim nobel, i sulmuar afërsisht nga komunizmi kur ishte quajtur poet kombëtar e kontributi i tij patriotik, gjuhësor, kulturor, fetar e diplomatik e kishin ngritur në një monument të ndërgjegjes kombëtare. Raporti i Ismailit me Fishtën ilustron mendimin tim se të mëdhenjtë, sado që t’i kritikosh zmadhohen më tepër por, ama, baltën dhe mohimin askush nuk e pranon. Plaga që hapin poetët për njëri-tjetrin dhemb më shumë. Edhe mendimi për Ernest Koliqin, shkrimtarin e drejtimit evropian se “ishte shembulli tipik se si një talent mund të vritej nga përqafimi i ideve fashiste” është subjektiv dhe se duhet plotësuar se çdo përqafim politik i vret poetët veçanërisht përqafimi i politikave që mbështetet mbi dhunë si fashizmi e komunizmi. Por, megjithatë, bota letrare kujton me nderim edhe poetë pro fashistë të tipit të Erza Paundit, apo pro komunistë të tipit të Aragonit, Eluardit apo Agollit tonë, pamvarësisht nga firot e mëdha që u ka shkaktuar politika.

Nuk shkon cinizmi i autorit ndaj Koliqit se në dramën e tij “Rrënjët lëvizin”, Romë, 1967.., ai parashikon rënien e Komunizmit, riabilitimin e kishave dhe udhëtimin e vajzës së tij si turiste fill pas vdekujes së të atit, pikërisht ditën, kur kambanat e kishave, pas heshtjes tepër të gjatë po gjëmonin përsëri në Shkodër… Nga të dy parashikimet – shkruan me cinizëm Kadareja – u krye vetëm njëri : vdekja e tij që ndodhi vërtet në vitet ’70. Jo, i dashur! Parashikimet e Koliqit dolën saktësisht, ndoshta prej të vetmit shkritmar të lindjes komuniste. Komunizmi ra, e kambanat kumbuan… Ju personalisth e kishit parashikuar vetëm pas vdekjes suaj…ose të përjetshëm…

Megjithatë dhe profetët gabojnë. Nuk është ky treguesi i vetëm poetit.

-          I lashë për në fund alibitë për Migjenin: Që në titullin “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” lehtësisht lexohet: “Ardhja e Kadaresë në letërsinë shqipe” Përqasjet për gjeniun e vetmuar janë më të lexueshme se e zeza mbi të bardhën.

-          Frika se urrejtja apo zilia augustiane do të binte mbi gjeniun e vetmuar.

-          Ai (Migjeni!) ka paguar taksën si shkrimtar i madh!

-          Ka mposhtur joshjet e njëpasnjëshme të privilegjeve, posteve, nderimeve… (!)?

-          Frika e vdekjes (nga sigurimi, karamboele etj…)

-          “Lum ai, është aq i njohur sa diktatura s’ka ç’i bën…” dhe “Burgu i shton lavdinë!)”

Dhe hamendjet që të kujtojnë jermin patologjik të një tjetri: “s’duhet ta kishte lënë veten të bëhej shkrimtar i madh vetmitar, … duhet të priste të tjerët, ta frenonte talentin e tij, t’ia merrte frymën, ta mbyste po të qe nevoja, gjersa të mbrrinin të tjerët…, por të tjerët e kanë mbytur talenten për hir të mbijetesës…; flakjen e kurorës së shkritmtarit të madh (kjo ishte  e pamundur), budallapsja në kohë nga gjenial në mesatar, sklerorizuar, idiotizuar… Më mirë shkruaj keq. Mediokrizohu!” E diktatura e gëzuar: “Tani e hapi varrin e vet. Rrethi i fundit i Ferrit, dantesk për shkrimtarin etj. etj.”

Kontradiksionet janë brenda autorit:

Kur të vetmin libër “Vargjet e lira” ia ndaloi çensura, Migjeni qendroi dinjitoz siç qendrojnë të mëdhenjtë e fisit të poetëve; asnjë protestë, asgnjë ankim, asnjë përpjkje për ta çliruar libirn (Ai u botua pas vdekjes) “Dhe nuk bëri asnjë modifikim në artin e tij, përkundrazi, erdh e u zymtua edhe më.”

Pas mortem… Të vdekurit flasin më tepër dhe kur ngjallen seç kanë një dritëzim të veçantë, seç kanë një autoritet të frikshëm e sfidues.



*  *  *

I tillë është Migjeni. Ai u ngjall pesë vjet pas vdekjes (Vargjet e lira) dhe punët i ka me brezat e gjallë. Jo më kot e kanë quajtur Remboj-ja shqiptar. Disa rastësi të çuditshme ka midis tyre. Mosha e re e krijimtarisë, jeta aq e shkurtër… (nga një vëllim kanë të dy). Artur Remboja, i veçantë në poezi e në prozë si Migjeni ynë; mbi të gjitha niveli i lartë artsitik, ajo risi agresive e ideve të lira dhe simbolika çuditërisht e ngjashme. Edhe Artur Rembo shkroi vetëm një përmbledhje poetike “Anija e dehur” dhe pak proza të shkurtra brilante – e vetëm me këto sfidoi letërsinë franceze, e vetëm me një libër, u bë një nga poetët më të mëdhenj të Francës. Ahtu si Migjeni ynë.

Për Migjenin është shkruar shumë e në çdo  libër a artikull për të, duket sikur diçka mungon. Megjithëse e kanë imituar shumë ai diçka ka akoma, një rrezatim të çuditshmë në përmbajtje e në fermë. Pa dyshim fomula më enigmatike e letërsisë shqipe e njëkohësisht baza e një letërsie të re e kapërcyell për një vështrim të ri estetik të botës shqiptare; formulë gjithashtu e saktë dhe e mbyllur, tashmë me të vërtetat e një aksiome. Siç është e natyrshme për poetët e mëdhenj, ka edhe keqkuptime, aludime, (imitime po se po), por edhe moskuptime e vlerësime superlative të tipit “meteor i ndërprerë”. Migjeni i pa rrethinat e njeriut shqiptar sy më sy, i preku me dorë dhe i ndërroi drejtim letërsisë shqipe. Prej rreth 150 vjet të letërsisë shqipe e më se 350 vjet që nga fillesat, kultura letrare kishte mbetur pezull duke përsëritur vetveten me bëmat e motit të madh. Nëse Faik Konica mbolli i pari gjëmbat vaksinues të kritikës dhe të përgjegjësisë, nëse Gjergj Fishta e solli “motin e madh” në rrethinat e Lidhjes së Prizrenit, 300 vjet vjen më vonë, Migjeni, është ai talent i rrallë, që i ktheu plotësisht shpinën kësaj letërsie të mbushur me mithe, balada e heroizëm. Me Migjenin mbaron epizmi i letërsisë shqipe mbërthyer nëpër armatura jataganësh, shpatash e dyfeqesh që pasqyronin një jetë primitive nëpër pasqyra të thyera mbushur me aventura shqiptarësh.

Me guximin djaloshar Migjeni i tha “Stop” pa e mohuar poemën e madhe të De Radës, Darës, Naimit, Skiroit e Fishtës dhe, me një busull të re orientimi, tregoi njeriun bashkëkohor shqiptar. I lindur dhe i rritur në trojet e eposit që mëngjes e darkë mbante në dorë çiftelinë epike, ai “u arratis” nga realiteti inegsistent i zanave, i Gjergjëve e Bajlozëve, i heronjve nip stërnip të historisë dhe vuri duart në vesh për të mos dëgjuar më mbi idhujt e gjeti heronj të tjerë, midis njerëzve të vegjël që mbushin botën e përditshme. Ai shenjoi edhe letërsinë arbëreshe që, vërtet për arsye identiteti kish mbajtur gjallë botën arbërore, por tashmë po zbehej e duhet të zbehej, sepse arbëreshët dhe arvanitët në Itali e Greqi s’mund të jetonin me kreshnikët e me heroizmat e Skënderbeut, e cila në skemë, kjo,  riprodhonte prapambetje dhe heroizëm jo pragmatik.  Domosdoshmërisht kultura shqiptare duhet të aktivizonte të tëra shqisat. Kultura shqiptare, nëse do të hidhte shtat, duhet të kalonte nga telat dhe veshi i çiftelisë në sy, në dritaret e reja të mendimit të lirë, të librit. Idetë e reja, domosdo, do shkaktonin “një agresivitet” ndaj statusquosë e me rrëzimin e “idhujve pa krena” Migjeni, i vetmi trim në luftë, po rrezikonte shumë. Heronjtë kanë hije të rëndë dhe gëzojnë statusin e të paprekshmit, por poetët e fuqishëm shtrojnë të tjera pista heroizmi. Po t’i heqësh letërsisë shqiptare epicitetin, heroizmin, rrezkohet të mbetet një boshllëk e varfëri e madhe, prandaj Migjeni, pamvarëisht, se vdekja e mori në rininë e tij, vuri gurë modelarë në boshllëkun që hapi vetë. Ai solli në letërsi njeriun e zakonshëm të ditës. Nipat e fatosat, para se të jenë heronj e malësorë legjendarë, para se t’u vejë mendja te atdheu, lavdia, shqiponja e trashëgimia historike, duhet të hanë, duhet të punojnë, të shesin qymyrin a nderin për të siguruar bukën. Para mungesës së bukës, njeriu “i vogël” apo “heronjtë e dobësisë” nisin e mendojnë edhe për probmeleme të mëdha universale, për jetën, vdekjen, zotin, kishën, shtetin, moralin, fatin… Dhe ky “njeri i vogël” rrëzon mitet e zbulon vetveten… E Migjeni, për herë të parë hapi portat për këtë ënjeri që deri atëherë, jo vetëm që s’kish tërhequr vëmendjen e epikëve të mëdhenj, por s’kish vend nëpër faqet e poemave, sepse s’kish bërë ndonjë akt heroik… E galeria e përsonazheve që gjeti, ishte e jashtëzakonshme. Kalimi nga njeriu mitik e heroik te njeriu i zakonshëm, nga romantizmi aq pozant, në realizmin magjik kërkoi “mitin” e ideve të reja. Ky akt migjenian përbën një akt novator e kthesë në mendësinë shqipe aq rutinore. Pas këtij akti “Tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri”, e “përditë përndojnë zotat”.

Talenti i tij i fuqishëm nuk futi në objektin krijues konfliktin turko-shqiptar e iliro-sllav; ai la jashtë shkëlqimin abastrakt të prijësave lokalë që në ballë të grupeve lokale e rajonale ishin bërë të dëgjuar e kishin mbetur në lahutë me vrasje të guximshme e “kishin ba vdekjen si me le”…

Të bindet njeriu! Njeri i Niçes?  Trajtat e njeriut? Heroi i trishtimit? … Jo, jo! Të bindet njeriu i zakonshëm me moral të ri, me mendje të re. Kush do fitojë Sokrati i vuajtur apo derri i kënaqur? Kënaqësia e stomakut apo e mendjes së ndritur?

E ashtuquajtuar përgjegjësi para historisë e atdheut ka dhënë prova e pasuskesshme e të papërgjegjshme udhëheqësish me vështrim provincial. Migjeni propozon ringjallje, ndryshim, marrëveshje të re për të ndërtuar Kullën e Babelit, ec si njeri thotë Migjeni, jo si gaforre, vdis si njeri pa qënë mbinejri. Duke shmangur pozat e “përgjegjësisë para historisë”, njeriu i Migjenit merr pozicionin njerëzor për të përballuar jetën e përditshme. Euforinë kombëtare, tamtamet, himnet, mburrjet për prioritetin e racës e statujat e besës, nderit e burrërisë, Migjeni ua hoqi maskën dhe zbuloi fytyrën e një populli anakronik që “s’ndërton asgjë të re” por “kudo valojnë flamujt e një melankolie të trishtueshme”. Duke vënë para vetes një mal pengesash, Milloshi i ri ngriti grushtin për ta qëlluar malin, atë mal gatuar në shekuj e me fosile mesjetare e që, i kënaqur e lartësuar me fate tragjike ka ardhur koha të lëvizë. Psikologjia e malit, e ka ulur shqiptarin baltovinave të veseve dhe të prapambetjes deri në primitivitet mesjetar. Ai zbriti nga malet dhe u bë poet i lartësive të vërteta dhe si i tillë, gjithmonë, është një grusht i mbledhur kundër maleve sajuar me gjak fantazmash.

Migjeni pati mjaft imitues, sidomos në formë veçanërisht në poezi, por nuk pati pauses. Letërsia socrealiste që vazhdoi 50 vjet pas tij, në fakt ishte letërsi antimigjeniane. Realizmi magjik i tij u zëvëndësua me pseudorealizmin hipokrit socialist e personazhet e tij të lakuriqtë u bënë plastikë. Letërsia socrealiste krijoi të ashtuquajturën “njeriu i ri”, një fantazmë sajuar leckash ideologjike.



*  *  *

Zgjodha Migjenin si mësues dhe ndieva përgjegjësinë e fjalës. Ai më tregon me gisht trojet e letërsisë së vërtetë e më flet edhe për “këngët e pakëndueme”, që janë edhe të miat. I njoh përsonazhet e tij edhe i takoj çdo ditë, sot, në mes të Tiranës, Shkodrës apo Athinës, të gjitha pa përjashtim, 30 vjeçarët e papunë, Lulat e vegjët të Zenelit, të uriturit e të zbathurit lypsat dhe zotërinjtë e “zotit të dhashtë”, malësorët legjendarë, që bjerrin vetitë e veta doganave pseudoevropiane, nënat dhe motrata tona, që shesin nderin për hata e për para, studentë që heshtin për nderin e motrës se “vallaha” vinë nga Evropa, murgeshat dhe klerikët, Zotin dhe Djallin, të gjithë galerinë e ferrit.

Asnjë prej tyre s’mund të fshihet kulisave të demokracisë e të gjithë jemi të interesuar të lindet njeriu.

Flamujt e melankoleve të trishtueshme janë të përheshëm dhe poetët gjithashtu. Migjenit ynë është thirrje. Guxim. Dhe dinjitet.

o



XIX



Brenga


Ka dhimbje që dalin nga shpirti, qarkullojnë në trup e diku bëhen gungë. Ndoshta kështu në një proces të brendshëm heshtjeje shpirti çlirohet, lehtësohet. Nëse ngacmohet kjo gungë, ajo dhëmb më shumë, rigjallërohet e shpesh jep metastaza kanceroze.



*  *  *

Duke iu përmbajtur mendimit tim se poezia është e bukur kur më ngacmon një gjëndje shpirtërore, kur më bën të diskutoj e të futem në mendime, kur ajo si një trup i xhamtë më jep mundësinë e këndvështrimeve të ndryshme..., zgjodha nga Kadareja dy poezi që mua më duken më të mirat e që, fatkeqësisht, më krijojnë idenë e një gunge parazite, e një brenge të përhershme në krijimtarinë e tij, që mund të shmangej. Po shprehem, siç ma pret mua:

“DRERI”. Një dre i bukur, ikën e ikën e ikën i ndjekur nga qentë. S’është i zakonshëm, jo. “Sa herë kokën shkund, rrëzon prej qiejsh copa dëbore e kristalesh pikë-pikë”. Ç’më feksetijnë këto vargje plot muzikë, plot brishtësi aliteracionesh! Dhe befas dreri që krijon mendja ime shkëputet nga toka e bëhet qiellor, bëhet poet një poet me brirë të bukur që lërojnë në lartësitë e ngecin prore; “Fije viskoze yjesh e bryme kometash. Ethe agimesh boreale e horoskopë”...

Dhe “dreri” bën mirë që vrapon. Ashtu i brishtë siç është ai është i rrezikuar nga “qentë” që lehin e lehin e “Rreken ta rrëzojnë”. Me ta është gjithmonë i rrezikuar - turma mediokre dhe po s’të shqyen të shkel. Ky “dre”, i veçantë u takon lartësive, ka të bëjë me kometa e brymë yjesh e agime boreale e parashikime… Po të ulet poshtë, t’i zënë  këmbët dhe, ai është i humbur, ai s’mund të bëjë aleanca me ta, se, dhe sikur qentë të urtësohen, drerit do t’i dalin në hundë qime qeni e, pa dashur, do të mësojë të lehë e të kafshojë. Pozicioni tepër i qartë. Brishtësia poetike e drerit s’mund të jetojë në lluca e kasolle qensh... Por “dreri” ka një hall tjetër. Në ikjet e tij, në hipjet e tij drejt lartësive qiellore ai e sheh veten mospërfillës pikërisht nga yjet. Qielli është cinik. A thua kështu janë dhe të mëdhenjtë e shtetit? S’ka rëndësi. Gjithsesi janë forcat madhore, oborrtarët, perënditë ose dhe vetë Zeusi. Të gjitha forcat e sipërme janë cinike, mospërfillëse. Duket sikur ato shikojnë nga lart drerin që vrapon për t’u shpëtuar qenve dhe qeshin e gajasen sikur shohin një shfaqje të këndshme. (Ndoshta vetë ata kanë sajuar dekorin me turmë qensh!)... Ata së sipërmi gajasen se ky dre do të ngjitet drejt tyre lartësive (!) Kush e di si e di veten ky dre mëndjelehtë, e është kaq mendjelehtë sa harron se nuk ka krahë...

“Kjo mospërfillje qiejsh ty të pik”

(Vini re foljen “pik”, mrekullisht të krijon përshtypjen si pikë loti në sytë e drerit fatkeq.)

Po pse, pse?, pyes unë. Pse të jesh kaq i pikëlluar? Cili je ti, o dre që i ke dhënë vetes përmasa planetesh... Dre që vrapon në tokë e kokën nëpër yje(?).  Gjene ç’ka poezia e pranon edhe fluturimin dhe përgjithësisht punën e ka me ëndërra e me yje. Kjo do mjaftonte. Dhe profetizmi (horoskopi) ndoshta është tepër. Po s’ka gjë, poetët barazohen me yjet, me shpirtin hyjnor... Po ti s’ke të drejtë të ankohesh. Qentë kanë punën e tyre, yjet gjithashtu.... Ti shkund kokën, rrëzo nga qielli copa bore e kristale. Ti, me këtë, e ke kryer misionin tënd, plotësisht. Si poetët e mëdhenj. Pse kërkon të zvogëlohesh? Ti i mbolle farat e dritës, pse kërkon dekoratat? Poetët dhe profetët nuk kërkojnë buste e monumente ata i takojnë përjetësisë. Ç’kërkon nga bashkëkohësia? Ta them unë: Bashëkohësia është gjithnjë aleancë yjesh dhe qensh. Këto s’janë punë poetësh. Brenga e indiferentizmit dhe e mospërfilljes (në rastin Kadare) absolutisht nuk qëndrojnë. Mos të është ngritur nga shpirti  një gungë? Mos ti nga ky ankth delirant kërkon mbrojtje zyrtare nga qielli - domethënë nga shtetarët e lartë? E pra, dreri është i bukur jo vetëm kur vrapon, por veçanërisht kur rrëzohet..., profetë dhe poetët që s’e njohin rrëzimin, domethënë nuk njohin dhimbjen, vdekjen... Nga përleshjet tragjike të drerit, njerëzve u mbetet jo përleshja, por rënkimet e heshtura të drerit dhe lotët e kulluar që u varen nga sytë. Kjo dhimbje, të gjithëve ne na pik....

Nëse mospërfillja e sipërme parashikon dhe ndëshkimin ndaj aktit tënd të çlirimit, hajde de... Mbrojtja është njerëzore, por ama, rrufetë nisen nga lart poshtë, vertikalisht, jo paralelisht.. Ti je pjesë e qiellit, ti je një dre i veçantë, që kullot nëpër hapësira kometash e Zeusi i lëshon rrufetë prej andej. Mospërfillja e tij, mallkimi, madje dhe goditja, është pjesë e tij dhe ai njihet si idhnak edhe ndaj genit të tij, perëndive, që ekzistencën nuk mund ta përfytyronin pa cmirën dhe kundërshtimin e babait të tyre. Dhe ndaj teje.

LAOKONTI: Pikëllimi i poetit të “Laokontit” vjen e trashet, lëndëzohet e ngurtësohet në përmasat e një gurbrenge. Vizita në përmendoren e heroit trojan, në atë trup masë të përsosur mermeri a bronzi (nuk e di), pranë atij burri e babai që u mbyt nga gjarpërinjtë e dërguar nga të vetët, është skajshmërisht mbresëlënëse dhe tash, pas mijëra vjetësh. Laokonti është monumenti, i klithmës për syçelësi, monumenti i mosbesimit, aq i plotë e i vendosur, sa trupin prej bronzi a mermeri e bën të helmtë në të gjitha qelizat; ai është njëkohësisht pasojë e ndëshkimit fatal, viktimë e ndërgjegjes njerëzore, që nuk pranon kthjellimin, nuk i hap sytë ndaj tradhëtisë e dinakërisë greke, kudo e kurdoherë, në të gjithë jetët. Dhe kaq mjafton. Është një esencë poetike, vjelur nga një esencë mitologjike. Mithet e mëdha ose ëndërrat e mëdha, kolektive, dhe ashtu të ngurtësuara, si modele të papërsëritshme të artit të madh, e kanë një gjë prej mishi për të ushqyer me qumësht mbretëror artistët e çdo kohe. Poeti ynë di ku i zgjat buzët. Por... Diçka u pëshpërit në qarqe të kufizuara letrare (lexo nëpër mjediset e LSHA) e mori dhenë: Më shumë se brenga dhe katastrofa që solli Kali i tradhëtisë, që siç dihet botërisht, pas atij kali të drunjtë lindën mijëra e mijëra kuaj tradhëtie, dinakërie e ekspasioni si armët më efikase e të gjitha divizioneve luftarake që nga luftat antike deri në këto modernet e shekullit tonë... e pra, më shumë se kjo brengë, që ka zhuritur shumë Troja, më i helmët se helmi i kësaj përmendoreje, qenka brenga e vizitorit, e poetiti që kafshon veten me aj sepse me gjithë tragjizmin e tij, AI NUK PO KUPTOHET NGA MASA E LEXUESVE (nga vizitorët).

Këtu po ndalem pak. Pengu i moskuptimit te Ismail Kadareja përbën trishtimin e jetës së tij krijuese. Është vërtet një brengëgur, një sëmundje që nuk ka kapur poetët e mëdhenj, është një shqetësim i iriqtë që flë në një krevat me të.



*  *  *

Vite të shkuara më është dhënë rasti të debatoj nxehtësisht me studentë, mësues, pedagogë e krijues për veprën e Kadaresë. Mbaja gjithmonë anën e tij. Sikur zmadhohesha kur, më dukej, se e lexoja midis rreshatave dhe arrija t’u çelja sytë sibmoleve dhe metaforave të tij. Vazhdimisht deri më sot që po shkruaj këtu, shigjetat më vinë gjithandej pro dhe kundër tij, në masën më të madhe nga çati me tavan të ulët, nga harqe letrare e jashtë letrare. Shqetësimi i lexueve ndaj veprës letrare është shumë i vjetër, që nga Homeri, ndoshta e vazhdon deri në ditët e sotme. Nëse flasim për fisin fin të poetëve kam vërejtur se ata nuk duan të ballafaqohen me lexuesin dhe asnjë prej tyre nuk ndërton marrëdhënie akuze dhe përgjithësisht nuk mund të ndërtojë kontrata me të. Nëse, poeti e shkrimtari do të shkruajë që t’i pëlqejë ose jo aksh kategorie shoqërore, dhe nëse ai arrin, është i përkohshëm. Dhe nëse është i talentuar, vetë e shkel talentin e tij. Si krijim thellësisht vetiak, çdo krijim ka karakter të pavaruar dhe s’mund të ndërtojë kurrfarë marrëveshje me lexuesin. Përpjekjet e simpatizantëve të Kadaresë, duke futur këtu edhe studiues të mirëfilltë si B. Kuçuku, A. Zoto apo dhe publicisti i talentuar Sh. Sinani për ta përligjur shqetësimin e Kadaresë në pengun e tij të moskuptimit, për mua, janë të pa baza. Opinionet pro e kundra, thashethemet e përgojimet, moskuptimet apo keqkuptimet janë plotësisht normale në raportin poet-lexues. Dëshira për të korrur vetëm duartrokitje masive, shqetësimi i poetit që lexuesi nuk kupton ato që kam shkruar ose kam hamendësuar, është cilësi e poetëve të mbërthyer nga kthetrat e bashkëkohësisë, për të mos thënë cilësi e poetëve të vegjël. Masat anonime u ngjajnë hapësirave shkretinore të Saharasë që s’kanë të bëjnë me Nilin që shkon mes për mes në udhën e tij. Le të ishte ashtu. Le ta kishte fatin e moskuptimit apo të shumëkuptimshmërisë edhe Ismaili ynë! Këtë fat kanë patur Edipi e Fausti, Procesi e Uliksi e qindra të tjera kryevepra. Asnjë nga autorët e tyre nuk ka vuajtur pengun e moskuptimit, e shumta, daullet e mediokritetit që s’pushojnë kurrë, mund të shoqërohen me buzëqeshje autorësh, sa janë gjallë. Veprat e vogla kanë nevojë për mbrojtje e nuk mbrohen dot. Ato janë si të sëmurët që s’ka ç’u bën as doktori veç u shton ditët. M. Cvetajeva është më e prerë: “Të shkruash për çfarëdo gjëje që s’është vepra jote, është njëlloj si ta dënosh veprën tënde”. Krijuesit seriozë, në mos i përbuzin tamtamet ndaj veprës së tyre, janë indiferentë dhe nuk bien pre e publicitetit të cekët. Emri i autorit, fama, triumfi apo dështimi  veprës letrare, lulëzimi i ideve moralizuese, utilitarizmi e çdo gjë tjetër janë të huaja për veprën. Vlerat s’kanë të bëjnë as me reklamat. Kështu pyetjes “Përse shkruaj?” është vështirë t’i përgjigjesh. Ndoshta më saktë përgjigjet M. Cvetajeva: “Shkruaj sepse nuk rri dot pa shkruar”. Origjinaliteti i veprës, ajo përndritje e atij çasti të kulluar poetik, që kap esencën e një emocioni të veçantë, ka të bëjë me një shtytje të brendshme ultimative a të një klithme ekzistenciale që i ngjan një lindjeje. Ky çast që shumëkush e ka quajtur hyjnor (dhe Ismaili), nuk ka të bëjë me atë që do ta lexojë, e pra, as me garancitë e efikasitetit. Askush nuk e di çfarë do të ndodhi me veprën. Ajo s’është mall i porositur dhe s’ka të bëjë me ligjet e tregut. Poetët e kanë të vështirë, madje, të flasin edhe për çastet e frymëzimit dhe s’kanë të bëjnë me turmën e miqve ose kundërshtarëve. “Letërsia nuk është veçse një mjet pa shkak e pa fund - thotë F. Kafka - por... është  vetë ajo, pa dyshim, që përcakton vetveten.”

Spjegimi (dëshifrimi) i situatave, kohëve, ideve a mesazheve, aq më tepër zbërthimi i figurave. (Karakteristika këto të letërsisë së angazhuar, synon një sociologji krejt të jashtme dhe artificiale të institucionit letrar).

Masa shpesh i ngatërron kundërshtarët e veprës me kundërshtarët e autorit. Kush i kujton sot p.sh. kundërshtarët e Dantes, Shekspirit, apo Balzakut. E të gjitha hamendjet tona në raportin autor - vepër, bien plotësisht kur autori vdes, e mbeten të qëndrueshme vetëm raportet lexues - vepër.

G. Lorka shkon më tej: “Misteri poetik është mister që poeti duhet ta komunikojë. Nëse më pyesni përse them unë: “Mijëra dajre kristali plagosën agun” do t’u përgjigjem se i kam parë në duart e ëngjëjve dhe të pemëve, por nuk mund t’ju them më tepër, as të spjegoj kuptimin. Njeriu i afrohet përgjysëm poezisë, atij tehu ku filozofi dhe matematikani  kthejnë shpatullat në heshtje.”

Autorët e estetët kanë shprehur mendimin se kur shkruajnë, nuk mendojnë për lexuesin, se nuk e njohin dhe nuk duan të dinë për të. Dhe kjo ka llogjikën e vet se arti nuk konsiston në shfaqjen e të dukshmes, por në misteret, në fshehjen e saj, në shndërrimin në të padukshmen, enigmën që disa e kapin disa jo; thelbësore për të thënë esencën e të mistershmes është shfaqja e një forme.

Unë nuk arrij të kuptoj tendencën e Ismailit për të spjeguar veprën e vet, kur ai vetë ka shkruar se:

1) Çdo spjegim është ulje për shkrimtarin

2) Se sa më e thellë të jetë vepra e tij, aq më e pamundur është paraqitja e saj.

3) Sepse në botë, ftesa që i bëhet shkrimtarit për të dhënë spjegime është baraz me tërheqjen e tij në një truall të pabesë, ku ai s’mund të shpresojë gjë tjetër, veçse të goditet, veç në mënyrë të pabesë. (“Alen Boske” f. 134.)

Po. Plotësisht dakrod. Atëherë, me keqardhje shprehem se justifikimet për të justifikuar veprën e ulur pjacën deri në llumra; banalisht populli thotë “vetë e kruan” e se mania për të ditur; si të quajnë të tjerët, kush e pëlqen e kush jo iks vepër, pse i kritikojnë apo e lëvdojnë, kush tha ashtu, pse, kur, ku??? ejt., etj., kanë qënë kaq të lodhshme për autorin, sa në këtë thashethemnajë (term shumë i bukur i tij), sa nuk ka diferencuar edhe shkrimtarë e kritikë seriozë, por dhe atyre të pabesëve, duke iu përgjigjur pastaj po me metoda të pabesa. (Një filozof popullor nga fshati im ka mbetur proverbial se thosh: “Po dole në shoshën e pordhëve, pordhë do dëgjosh”?

Zoti Ismail shkon deri atje sa i sugjeron lexuesit disa lexime. Që të kuptohet drejt, fjala vjen, romani “Kështjella” leximet duhet të jenë:

1)       Lexim i drejtpërdrejtë (Rrethimi i një kështjelle mesjetare)

2)       Aludimi për daljen e Shqipërisë nga kampi socialist dhe Traktati i Varshavës… (Rrethimi i osmanëve i ngjan rrethimit komunist)

3)       Një lexim tjetër që i shkon për shosh Kadaresë rekomandohet nga kritiku i ri Adrian Veliu më 1993… Sipas tij, përpara se të kemi rrethimin e Shqipërisë prej perandorisë Osmane dhe prej kampit socialist, në kemi një tjetër rrethim; rrethimin e pjesës më të mirë, më fisnike të Shqipërisë prej pjesës më barbare të saj…

Frika se leximet e sugjeruara mund të merren si mësim pedagogjik a si mburrje, dyshim a zemërim, tek unë përcjellin pikërisht të gjitha këto. Nëse bëjmë fjalë për aludime, më kryesore për mua është aludimi se “Kështjella” s’është as mesjetare, as dalje nga kampi, e kurrsesi rrethimi i vetë Shqipërisë nga Shqipëria barbare,… por thjesht qendresa, Kështjella socialiste që qëndron e pamposhtur, aludimi i aktit heroik të kryekështjellarit… Veçanërisht është e papranueshme që autori të marri rolin e mësuesit që mëson se si duhet të bëhen detyrat e shtëpisë. Krejt tendeca e autorëve që duan të hapin kurse kualifikimi për lexuesit, mua më duket krejt e kotë. Dhe diçka: Leximi nuk kërkon dhuntinë e veshit muzikor apo syrin e prehtë për të kuptuar pikturën. Muzika dhe piktura kërkojnë më tepër talent se sa lexuesi i librit. Lexuesi është palë e jashtme, krejtësisht e pavarur. Ai e përjashton procesin krijues dhe nuk do të dijë fare për ethet e autorit, punën, ankthet e krijimit, ai nuk i di temperaturat e furrës, por ka në dorë bukën e pjekur mirë ose të papjekur… Asnjë furrxhi nuk të rekomandon si hahet buka.

Konsideratat, paramendimet për shkrimtarin, për emrin e tij e shumta mund të jenë valvul për shkarkimin e fajit. Lexuesi është plotësisht anonim, mosmirënjohës dhe raportet me autorin mund të jenë thjesht rastësi rrethanash, asgjë më shumë. Lexuesi qoftë cilësor, mediokër ose shumë i dobët, e kthen librin në “mall” të tij përtej autorit, përtej përvojës së shprehur në të. Lexuesi është dëshmi e ekzistencës së librit.

Maurice Blanchot i sheh raportet e autorit me lexuesin në një plan tepër interesant.

Vini re: “Një libër që nuk lexohet, është një libër që s’është shkruar. Të lexosh d.m.th. jo të bësh që ky libër të shkruhet sërish, por të bësh që ky libër të shkruhet këtë radhë, pa ndërmjetësinë e shkrimtarit, pa… askënd që ta shkruajë”. Veçanërisht po të kemi parasysh jetën më të gjatë të veprës se sa autorit, vepra afirmohet në kohë si send pa autor, pse jo si një statujë e përceptuar nga të gjithë “pa autor”.

Libri s’ka nevojë për katalog spjegues. Bukuria e tij i ngjan një qyteti ku turistët janë të lirë të qarkullojnë nëpër të si të duan e askuj s’mund t’i rekomandosh ç’të soditë. E qyteti i bukur matet edhe me sistemimin dhe manipulimin e plehrave të veta…

“Një libër që lexohet bëhet pis”. Ndoshta Maurice Blanchot ka dashur të thotë:

Libri është shkruar për t’u lexuar ose për t’u bërë pis…





                                                                              XX



                                                               K O N S E R V A T



Dikur diktatura ndalonte një kategori librash të vendit ose të huaja si të dëmshme dhe të rrezikshme. Këto quheshin libra të verdha, mbaheshin rezervat dhe, faktikisht qarkullonin më tepër se libri i lejuar. Letërsia e Realizmit Socialist ka filluar të jetë “rezervat” nëpër biblioteka shtetërore dhe në ato personale. Kjo, jo për vlerat e “librit të verdhë”, por për antivlerat, për kufizimet artistike, teprimet ideopolitike etj., ose thjesht se njerëzit nuk duan ta kujtojnë atë kohë të dështuar .

Ajo stinë që iku zgjati shumë dhe la pas plot fruta të kuqe, të reklamuara vitrinash të xhamta me konsum të detyrueshëm. Ishin më të mirat fruta e nga më i miri (dhe i vetmi) treg (!). E thënë troç këto fruta të ëmbla e të hidhura, majhoshe të papjekura, nuk i kishin shpëtuar dot krimbit përbrenda. Ishte ai krimbi i kuq i partishmërisë, i realizmit ose të vërtetës hipokrite të realizmit socialist, që (“fruti”) libri kish marrë që në lule si pjalm organik. Këto fruta seleksionoheshin ne njëqind filtra për të mos lejuar “frutat e kalbura” të etiketuara si reaksionare, fashiste, revizioniste, dekadentiste, moderniste etj., etj. Kopshtarët profesionistë qenë ndaluar ose mërguar, të tjerë do pushkatoheshin ose burgoseshin.

Në tregun socialist të librit, do kontrolloheshin imtësisht dhe rilindasit e ndritur, do çensurohej edhe poeti kombëtar N. Frashëri e të gjithë të tjerët e mëdhenj, në ato libra e pjesë, që mund të infektonin lexuesin shqiptar. Në këtë treg ishin kategorikisht të palejueshëm mjeshtrit e letërsisë evropiane, madje erdhi një kohë kineze që edhe Shekspiri do shikohej me dyshim sepse nuk e pëlqente “Mao Ce Duni” shqiptar.

Tani tregu i mollëve të kuqe u mbyll pa urdhër, ose “s’ka shitje”. Ky treg që kish penguar e sulmuar të gjithë sistemin e vlerave të vërteta artistike, tani është i sulmuar vetvetiu nga vërshimi i madh i librit të vendit dhe të huaj. Lexuesi shqiptar, pak i çoroditur, shikon se pikërisht libri, dikur i ndaluar, po konkuron në mënyrë sfiduese tregun e mëparshëm. Ata, të ndalaurit e mëparshëm, të vdekurit e mëdhenj u botuan të parët në fillim të viteve ’90 dhe u pa se mbi ta, pa qënë mëkatërë, diktatura kishte hedhur shumë baltë e ata të burgosurit si Kasem Trebeshina, Visar Zhidi, Pjetër Arbnori etj., paskan letërsi të bukur; për të mos përmendur letërsinë e huaj, që ka mbushur tregun e që po përkthehet me ngut.

Po libri është libër. Dhe më i dobëti ka vlerat e veta. Për mua libri përbën një kult dhe pa të do të isha tepër shkretan. Po të kisha në dorë, shkrimtarëve do t’u jepja rrogën e deputetit…, por …

E pra, çdo të bëhet me bibliotekën e madhe të realizmit socialist?

Duhet të pranojmë se qënka më e lehtë “të shpërdredhësh të përdredhurat” e dikurshme se sa të vlerësosh letërsinë e Realizmit Socialist.

Kategorikisht nuk duhet të hedhim autorë e vepra për gabime ideologjike. Do të binim në pozitat e diktaturës nëse ish shkrimtarët e Realizmit Socialist të gjykohen sot për vlera apo antivlera jashtë letrare. Të vjen keq që edhe shkrimtarët janë ndarë në palë ideologjike (socialistë apo demokratë) dhe, pamvarësisht, se pa bindje militantësh nga të dy krahët, ndarjet janë të dukshme. Ata i ka ndarë edhe qendrimi ndaj “ishëve” ose ndaj “bibliotekës” së realizmit socialist. Nostalgjikët i gjen më tepër në krahun  e majtë. Sidoqoftë preferencat partiake nuk duhet t’i ndajnë shkrimtarët. Preferencat midis tyre duhet të jenë vetëm artistike e nga kjo, s’duhet të trembemi nga grupime të vogla e klube të ndryshme. Çatia e kuqe e ish Lidhjes së Shkrimtarëve nuk mund t’i mbledhë më të gjithë bashkë, e, për mua, s’do ishte keq që të ekzistojnë 2-3 Lidhje apo klube kryesisht të njohur dhe të ndihmuar njëlloj nga shteti.

Mendimi i Kasëm Trebeshinës që periudhën e realizmti socialist e quan “shkolla e turpit për letësinë shqipe” më duket i skajshëm. Ajo ishte një periudhë që iu imponua shkrimtarit shqiptar dhe lindor, që me hir dhe me pahir duhet të ekzistonte si qytetar dhe shkrimtar. Kjo ishte një periudhë fatkeqësie, veçanërisht për talentet e fuqishme, pra një e keqe që s’mund të ndalej ashtu siç qe vetë komunizmi. S’mund të ishin të gjithë disidentë, s’mund të ishin të gjithë të burgosur apo të vdekur. Secili bëri zgjidhjen e vet. Dhe natyrisht, më mirë që jemi gjallë. Edhe vdekjet e mëdha të shkrimtarëve të shquar, edhe arratisjet, asgjë nuk do të ndryshonin në pushtetin totalitar; pra, biblioteka e Realizmit Socialist, ishte e pashmangshme, për të mos thënë një e keqe e domosdoshme, apo një mirësi e pavirtytshme.

Gjithashtu është i pasaktë dhe plotësisht i diskutueshëm nga disa krijues dhe kritikë, se letërsia socrealiste, qenka zhvilluar në kahje të kundërt me përpjekjet komuniste për luftën e klasës, izolimin, bunkerizmin, kolektivizimin, tufëzimin etj., etj. Nëse kështu fort bukur të denuarit e dikurshëm, kutelët, camajt, konicajt, trebeshinat, zorbat, zhidet, shllakajt, velot, xhaferrët, etj., na qenkeshin njëlloj të vlefshëm me të gjithë banditët e Realizmit Socialist. Sipas kësaj llogjika, duhet t’i qëndrojë kohës edhe letërsia naziste që pasqyroi dhe këndoi historinë gjakatare të fashizmit dhe që, pamvarësisht se qëndron si rezervat nëpër biblioteka muzeale, konsiderohet turpi i kulturës gjermane.

Sot nuk mund ta imponosh lexuesin për preferenca letrare, por mendoj se është akute puna me tekstet shkollore të të gjitha kategorive, që nga 8-vjeçarja deri në universitetet.

Historia e letërsisë shqiptare e Realizmit Socialist, botim akademik i 1987-ës është mbushur me shtrembërime të mëdha që nga fillimi në fund. Atje flitet “për epërsinë e pakrahasueshme të realizmit socialist mbi artin borgjez revizionist” dhe në shumë faqe zbërthehen dhe argumentohen vlerat e parimeve jetëdhënëse të asaj metode… që “paska shënuar bazën e sukseseve të veprave të asaj kohe” (?!). Dhe është botim akademik (?!) Dhe të gjitha antologjitë e tekstit përmbajnë “ishët” dhe mafja e sotme krijuese depërton edhe nëpër tendera librash e titujsh që i rekomandohen nxënësit e studentit duke shtrembëruar e kufizuar shijet e duke mbushur xhepin e “ishëve”. (sidomos në letërsinë fëminore)

Sot lexuesi cilësor e di fort mirë se vlerat e një vepre letrare nuk maten vetëm me tematikat, problematikat, përmbajtjen, idetë, moralin, etj. Vlerat artistike s’kanë të bëjnë as kur pasqyrohet vendlindja (Devolli apo Gjirokastra, fjala vjen), ose atdheu; Atë bibliotekë nuk e mbrojnë dot as spekullimet mbi patriotizmin, karakterin kombëtar e popullor, mbështetja në folklor etj., etj.

Gjithsesi jemi në një terren të rrëshqitshëm e të diskutueshëm sepse edhe kritikët e vlerësimet janë të tilla.

Autorë edhe kritikë të mëdhenjt të letërsisë kanë dhënë përcaktime të ndryshme në vlerësimin e veprës letrare si fenomenologjike, formaliste, strukturaliste, etj., por, e pandryshueshme mbetet peshorja e vetme e vlerësimit, niveli artistik, cilësia, ajo shtytje magjike që e nis poetin ose artistin drejt një të panjohure të veçantë drejt hapësirës së pafund të shpirtit njerëzor plot drama, drejt një zbulimi të sinqertë, pa shtytje të jashtme e imponim ideologjik, drejt ndërtimit të një realiteti tjetër.

Ishët e Realizmit Socialist e dinin fort mirë se me penën e tyre e grisnin të vërtetën, se s’mund të ndërtonin një të vërtetë artistike të pavarur, ata s’mund të përshkruanin njeriun, metafizik, ëndërrën; ata duhet të ndërtonin modelin e përsonazhit që u kërkohej.

Është vërtet naive kur dëgjon edhe nga autorë të shquar si D. Agolli që iks libër ka 50 a 100 faqe për Enverin… se po të kish një redaktor të mirë “Arka e djallit” (roman i tij) mund të ishte shumë i mirë, madje ai dhe ashtu si është, është më i mirë se romanet e N. Kazanxaqit… (!)

Vepra letrare nuk mund të gjykohet në 1/3 a në 1/5 e saj; ashtu siç del, vepra është unikale. Çdo veprim mbi të, e bën vetëm autori dhe ajo çka del më pas, jo vetëm që nuk i ka temperaturat e frymëzimit të parë, por duhet konsideruar si vepër tjetër. Sa për krahasimin me N. Kazanxaqin besoj se Dritëroi ka bërë shaka…Dhe ai është I këndshëm ,veçanërisht kur bën shaka.

Tregu i ri i librit, paçka se në kaosin e tranzicionit mëkatar antikulturë, është plot e më së miri tregon se ka mbaruar njëherë e mirë monizmi letrar; tregon se është absurde, po jo e pamundur të zëvëndësohet me ndonjë monizëm tjetër. Kam parasysh një dukuri që vërehet sidomos në prozë (tregim dhe roman): Duke pasqyruar ngjarje e përsonazhe nga ish koha komuniste, vë re se dhe autorë të njohur, nuk i janë shmangur pasqyrimit bardhë e zi; ish të bardhët nxijnë e ish të zinjtë zbardhin. E pra, kriter mbetet vetëm e vërteta artistike, jo e vërteta jetësore, e cila shpesh të mbërthen me tematikën, problematikën dhe mesazhet e reja që do të thuash, por bën firot e veta në vlerat estetike, nëse nuk arrihet te kompleksi i njeriut, pa i paragjykuar prirjet partiake dhe ideologjike.

Nëse PS e PD sot nuk u jep orientime shkrimtarëve si të shkruajnë, (Larg qoftë!), ato, me indiferentizmin e tyre për kulturën e veçanërisht për letërsinë, janë plotësisht fajtorë që s’kanë mundur të kenë një administratë cilësore për të vënë në lëvizje manazhimin e librit dhe të kulturës, legjislacionin e domosdoshëm, mbrojtjen e autorëve, shtypin letrar etj. etj. Na rrofshin edhe deputetët shkrimtarë që bëjnë gjumin e madh! Asfiksia e shtetit në këtë drejtim është vrastare për krijuesit.

Gjëndja e poetëve dhe e shkrimtarëve është e mjerueshme. Nuk do habitesha po të dëgjoja një ditë: Rrofshin hajdutët, poshtë poetët!

Tregu i librit, veçanërisht në Tiranë është plot. Ky treg ka shënuar edhe milionerët e parë. S’e kam fjalën për ta. Si çdo treg edhe libri do t’i nënshtrohet konkurencës së vlerave, dhe pangopësisë së tregëtarëve duke spekuluar me librin dhe krijuesit.

Ky treg ka fruta të freskëta dhe të konservuara. Konservat ose turshitë, s’kanë të bëjnë me plakjen e mallit. Një libër që është shkruar qindra vjet më parë, mund të jetë më i freskët se libri i këtij viti.

Letërsia e realizmit socialist është e re në moshë sapo jemi ndarë prej saj, por ajo ka filluar të mos ketë “kultin e librit” por fatin e raftit “rezervat” ose atë të frutave të konservuara., turshi.

Edhe “mollët” më të bukura që kuqëlonin nga jashtë kultivuar me kopshtin komunist kanë filluar të vishken. Të marrësh njerën “për ta ngrënë” duhet të heqësh ½, 1/3 a 1/5 për ta pastruar nga udhët ku ka shkuar e ka urinuar krimbi.



XXI

Koha e shkrimeve



S’kam parasysh një krijim të Kadaresë me këtë titull. Gjithnjë është koha e shkrimeve, domethënë dyshimeve dhe kundërshtimeve. Dhe tani. Dhe kryesisht tani në lirinë e fjalës dhe në lirinë e vlerësimit të vërtetë të cilësisë. Kur i ka lënë të 70-tat, Ismaili, gati në çdo vit, i jep lexuesit nga një roman. Duket se po përjeton rininë e krijimtarisë, thotë dikush. Jo. Nuk më duket kështu. Krijimtaria nuk ka moshë. Ka krijues të rinj shumë të mirë, siç ka dhe të moshuar. Dhe e kundërta, në rini mund të jesh një mediokër e të arrish një kryevepër në pleqëri… Është tjetër masë energjie ajo që përcakton vlerat e veprës artistike. Krijuesi i vërtetë pushon së shrkuari vetëm në qivur… e nëse ka qënë i vërtetë, jeton më tepër pas qivurit. Admiroj vullnetin e Kadaresë që tregon se ka qënë, është dhe do të jetë. Sot, ndoshta, nuk e ka fatin e vlerësimit superlativ brenda vendit të vet nga kritika zyrtare dhe jo zyrtare, sidoqoftë panairet e librit shesin më tepër veprën e tij, natyrisht edhe për inercinë e emrit. Nejse, kjo s’ka shumë rëndësi. Ka dhe vepra të tjera cilësore si të F. Kongolit, B, Mustafajt, Y. Aliçkës, Z. Çelës, Capalikut. Shllakut, Martikos, Podrimes, Meçes etj,etj e më të rinjve një grusht të talentuarish si Leshanaku,  Ahmetaj, Kokonozi, Coçoli, Graçi, Mehmetit etj,etj;  disa prej të cilëve të rangut evropian, por që akoma nuk e kanë akoma “emrin”, për arësyet që dihen.

Vë re me kënaqësi se romanet e fundit të Kadaresë, nuk e fshehin më të keqen brenda bodrumeve, brenda nesh, e jashtë nesh, por synojnë ta trajtojnë njeriun shqiptar në kompleksitetin e vet, edhe me veset, trishtimin, amoralin, aventurën, zhgënjimin… pra, me të gjithë përroin e ndërgjegjes së njeriut të zakonshëm.

Shqetësimi im, rreziku që ish personazhet e zinj e të tredhur dikur, të na shndërrohen në përsonazhe të bardhë e hamshorë sot, nuk qëndron vetëm te Kadareja por tek të gjithë.

Ekziston rreziku, jo i antiromanit, por e një realizmi të ri bardhë e zi, me një shpërlarje të re ideologjike, pa kaluar nëpër filtrat e vërteta të laboratorit krijues, të ëndërrës, të fantazisë, të formës. Gjeneralët e dikurshëm, aq pompozë që “sfiduan” superfuqinë ruso-sovjetike, kthehen në kapterrë mediokër pederastë, operativët e sigurimt nga njerëzit më të nderuar të asaj kohe, kthehen në kriminelë ordinerë në letërsinë e sotme, sekretarët e partisë, nga më të zgjedhurit e kohës (natyrisht sipas asaj mendësie), kthehen në anadollakë, pushtër e të pirë…, puthjen aq njerëzore, që, dikur në librat tanë, e përfytyronin pas tri pikave (…), po kthehet  në seks pornografik e homoseksualitet pështiriosës… Ca organe që perëndia i ka vendosur në vende të fshehta, dalin sheshit banalisht e duket sikur, atëherë të ndaluar, tani kanë fituar qytetërime “demokratike” madje si burim fitimi e sensasioni. Unë nuk jam dakord me M. Kunderën që thotë se baza e romanit është seksi. Letërsia cilësore mund të jetë edhe me seks, siç mund të jetë një paçavure me e pa sekse. Filmi seks, letërsia seks, drama e baleti seks, aq të përhapur në perëndim e banalisht të imituar në lindje, është treguesi më i saktë i krizës kulturore, i diagramës shpirtërore të njeriut në rënie e në llum, për të mos thënë baza e kriminalitetit të shoqërisë së sotme, me pasoja katastrofike. Kjo aq më tepër për ne shqiptarët që priremi drejt ekstremeve, bie fjala: nga një moral ekstrem në një amoral ekstrem. Poetët e fuqishëm dinë të bëjnë seks nëpër faqe librash e ashtu të lirë, siç janë tani kanë të drejtë të futen edhe atje ku s’futet dot djalli, por letërsia cilësore ka një mijë tregues për të mos ta çshënjtëruar vetveten. Letërsia mediokre vrapon për të zaptuar ekranet e, fatkeqsisht, mbush xhepat, sepse kjo qerrata bota është mbushur me konsumatorë mediokër. Nëse nuk frenohet prostitucioni dhe krimi, qytetërimi i sotshëm po përgatit humnerat e vetvetes, si çdo qytetërim që bashkëjeton me të kundërtat e vetvetes deri në shkatërrim.

Pa pretenduar për analiza të hollësishme po shfaq disa mendime për romanet e reja të Kadaresë, jo për superlativa lëvdatash e kritikë, por thjesht për t’ju përmbajtur boshtit të këtij libri:



                                                          …     Morali i një putane



Ose “Përballë pasqyrës së një gruaje” është embrioni i një romani. S’ka rëndësi gjinia. Është një tregim tërë nerva e ankth e tendosje për një periudhë të zymtë të diktaturës shqiptare në vitet ’60. Koha e marrëzisë kish filluar që kur lindi diktatura e do të vazhdonte dhe pas gremisjes së saj… Ishin vitet e kinezërive. Ose vitet e tredhjes masive. Pasi ishte tredhur i gjithë populli “heroik”, u erdhi radha shkrimtarëve, “këtyre borgjezve të pandreqshëm”. Kish ndodhur edhe gjetkë. Kish ndodhur pa metaforë. Studentët hindianë ishin tredhur vërtet pas thirrjes së Nekrusë për mosshtimin e popullsisë; nën një zjarrmi patriotike shoqëruar me muzikë dhe erë jodi…  kish ndodhur në të gjithë perandorinë e kuqe. E në “mënyrë krijuese” ndodhi edhe tek ne.

Kish mbetur pa u tredhur putana Margaritë që nëna i gjente klientët dhe natën ajo bënte punën e vet. Autori i ri e dashuron putanën. Ishte tipi i femrës që e tërhiqte “si krisje e gëzueshme akujsh” Ishte e bukur Margarita me një përpëlitje të dallandyshtë qerpikësh si Greta Garbo. Në këtë kohë e në këtë provincë tredhjesh, një akt civilizues simbolik e i guximshëm, ndërkohë kur sigurimi i njihte klientët e putanës…, zotërinjtë…

Njeriu ka nevojë “të nxjerrë sytë” por në këtë vend shkretan, gjëja më e ndërlikuar që ndodhte ishte pikërisht rreth… asaj të Margaritës.

Regjimi e paraqiste veten si më i moralshmi e më i ndershmi në botë. E kurvërira “nuk kish”. Këto punë më mirë i dinë poetët dhe kurvat. “Ju shkoni me ato të BGSH-së, plenumeve, unë me kurvat”.

Por poetët kanë shfaqje të huaja, bëjnë aventura e kanë ndikime nga letërsia dekadente. Morali ishte thembra e Akilit në psikologjinë e popullit tonë e diktatura e përdori mjeshtërisht e sipas udhëheqësit “degjenerimi moral një hap është ndaj degjenerimit politik.”… (S’ka gjë se përdorte dhe putanat për të kapur armiqtë!)

Partia tensionon situatën. Me mbledhje, ballafaqime analiza. Frika pushton të gjithë. Sektori i letërsisë gjithnjë problematik. Një gabim në shtypin e partisë a një poezi të kushton shumë, edhe jetën. Në prag të përvjetorit të vetvrasjes së Majakovskit (të Merlin Monrosë, Eseninit apo Hemingueit), partia është e shqetësuar se nuk po pasqyrohet mirë në shtyp letërsia kineze, vietnameze, kubaneze… (Më kujtohet kur isha student na detyruan të bënim nja gjashtë muaj kurs rreth poezive madhështore të poetit Mao Ce Dun. Ishin orët më të këndshme, plot humor, barcaleta e qyfyre.) E çuditshme. Diktatorët dëshirojnë të jenë poetë ose shkrimtarë. Dhe Stalini, dhe Hitleri, dhe Enveri, dhe Sadami janë poetë ose shkrimtarë! Ndoshta është sfera më e papushtueshme nga diktatorët, prandaj donin ta kishin të tyre edhe këtë sektor delikat…

Sëprapthi të gjitha. Dhe sendet nuk kanë emrin e tyre. Mbyllen kafenetë, pakësohen honoraret e shkrimtarëve. Pijet, gratë, muzika, feja, poezia hermetike, moda e veshjes, flokët s’janë tonat…, por të armikut.

Klasa punëtore (në fakt partia dhe udhëheqja) është e zemëruar me shkrimtarët… Një poeteshë e re, që flet dhe nëpër plenume, kurvëron fjalën më tepër se Margarita. Partia u bën thirrje shkrimtarëve “të shkunden”, domethën të tridhen. Poezia duhet të jetë “bombë e flamur”… Tredhja vazhdon. Një shkrimtar hindianoshqiptar me emocion e zjarrmi patriotike: Honoraret e mia ia fal shtetit. Një tjetër nga ata të porositurit, që flasin në fund, bën thirrje për qarkullim… se udhëheqësi paska shkruar një poemë madhështore për qarkullimin si shpëtim për vendin…

Dhe pa dëgjo! Veprat aq të shëndetshme plot diell pranvere, që përbën krenarinë e realizmit socialist shqiptar, janë krijuar nga njerëz, sipas autorit, me cene trupore, prostat, majazëll, dhjamë, shurrim në krevat, ekzemë, zgjebë, herdh të varurua me lemeri…( Pse ky cinizëm,usta ? Pse kjo urrejtje? Ata ishin shokët dhe miqtë e ty dhe nëse, nuk kishin vlera të mirëfillta letrare, ishin teper të nderuar për kohen. Ata vinin nga lufta. Donin dhe të këndonin… Merre me mend , nëse brezi i ri i talentuar sot , të na shanin ne edhe për prostatin dhe për…. Jo,jo ,kjo nuk është gjuhë poetësh…Pastaj, paçavure letrare u shkruan edhe nga ju, zoti Ismail, edhe nga kryetarë të Lidhjes, apo an;tarë të kryesisë. Ti duhet të pranosh që tredhja qe masive.) Qarkullimi ndodhi. “mirë t’u bëhet atyre borgjezëve (shkrimtarë)”! Kinezëri shqiptare. Heshtje. Vulosje e plotë. “Orizoreve”, kantiereve, fshatrave! Të kaliten. Të edukohen. Të sjellin prej andej përsonazhet që duhen.

Dhe kryetari i Lidhjes me çibuk në buzë. Ai i thërret në zyrë e me urtësi u tregon poetëve adresat e reja të banimit… Ai e ka zgjidhur dramën e vet dramatikisht. Studiuar në Francën perëndimore për t’u bërë lindor.(DH.SH.)Ndërsa autori studiuar në lindje për t’u bërë perëndimor (në ilegalitet, ose në vepër). Ky kryqëzim rrugësh ishte jo vetëm drama e poetëve por e të gjithë popullit, sepse fatkeqësisht nxituam për në Lindje. Busulla jonë kishte vetëm një akrep, lindjen staliniste e mauceduniste.

Tregimi i Kadaresë sfidon çdo skenë me realitetin e tij vrastar: Një sekretar partie bën seks me një kineze. Ajo e trembur nga barrosja tregon barkun e saj e pëshpërit: “Shok Kristaq, lutem jo aty, shok Kristaq!” Dreqo punë. Sekretari i partisë donte ta çonte spermën e vet në një hapësirë tjetër, të huaj, të pamundur… E ka detaje e budallallëqe të guximshme që të skandalizojnë si në letërsinë e madhe. Paska dalë parfumi “Haxhi Qamili” (!) e “Djersa e kooperativistes” (!) e prezervativi i markës shqiptare me emrin “Skënderbeu”(!) e pra, prezervativi duhet të jetë i fortë, të mos çahet…si simboli i qendresës. E poetesha e re, ikën e turpëruar e e skuqur faqesh nga ato që dëgjon nga autori…

Tredhja vazhdon. Edhe pas qarkullimit. Me një tredhje tjetër. Ndoshta e dyta, përfundimtarja. Prerja e herdheve është shoqëruar me hollim zëri, me rritjen e shenjave femërore: Falenderojmë partinë që na hapi sytë. Premtojmë vepra të reja me punëtorë, fshatarë; jemi kundër nxirjes së realitetit kundër çoroditjes së ngjyrave te piktorët tanë… kundër ritmit të këngëve …Shkrimtarë qafëhollë, me jaka këmishash të gjëra, me kollaro të kuqe mjeranësh… Ndërkohë shpërthejnë talente të reja në të gjitha fushat, nga klasa punëtore, shoferë, mekanikë, gjeologë, nga fshatarësia kooperativiste, nga ushtarët, nga oficerët… “ndoshta dhe të rinj që i fuste sigurimi midis nesh”…

…Por poeti s’ka vdekur. Thellë tij vetvetja gjallon. Në orën tre pas mesnate një trokitje. Ishte hëna në dritare, një ndriçim i lakuriqtë, i huaj si prej qelqi… Paska dhe hënë të plotë?! Një drithërimë e thellë ëndërre. Ndoshta një shkëndijim projekti për të shkruar diçka… Dhe një pështjellim i sinqertë dhe i guximshëm. Natën në gjumë. “Vetëtishëm si nën ndriçimin e një katastrofe, në trurin tim u pështjelluan një flamur mbi pirgun presidencial, gjithfarë emblemash rreth tij, dhe shkaba dhe zharatiera të zeza grash…

… në mungesë të emblemave të tjera, atyre të Dukagjinëve, të Kastriotëve, të Angjeisneve me gjithfarë shkabash, të bardha, të zeza, me gjarpër në sqep, me kurorë zambakësh ose kryq… Kisha gjetur një emblemë të re: atë që rasti më kish sjellë përpara, zhartierat e zeza të Margaritës (!)… Ndriçimi që i bënte në fytyrë sikur i merrte maskën mortore.” ”

Burracakët shkrimtarë dhe kur ktheheshin në Tiranë, në shtëpitë e tyre për festën e Vitit të Ri, fshiheshin në një ilegalitet të turpshëm nga frika.

Autori më trim me jakën e palltos të ngritur e me rrufe del udhëve të trishtuara për të takuar shokun e tij të ish zyrës.

-          I hoqën dhe ato, nënë e bijë…

… Po hiqeshin me ngut prostitutat, kumarxhinjtë, homoseksualët.

-          …

-          Tragjedi?, pyeta – tragjedi e kujt? Fol më qartë.

-          Margarita me të ëmën, tha, kanë vrarë veten.

I kishin hipur në një kamion me laçka e plaçka e i kishin nisur në një katund të Lushnjës, të punonin në kooperativë e të banonin në një barakë të vogël… Ato të heshtura kishin vajtur në shitoren e kooperativës “për të blerë” ca plaçka e në mes të tjerash kishin blerë dhe një litar e sapun. Natën kishin varur veten. Kaq. Putana Margaritë nuk e duroi dot tredhjen. Heroina Margaritë gjen forca e varet në litar. Asnjë nga shkrimtarët e Realizmit Socialit nuk e vari veten… dhe ankoheshin për një rrufë… S’kishim asnjë Majakovsk, asnjë, të mohonte vargjet e vetvetes “bombë e flamur”. Godina e LSHA, ngjante si godinë inkuzicioni… Fshehën brenda saj shumë kurvëri e gjurma krimi. Përballë saj autori ngre barakën e një putane, larg humbëtirave, madhështore si katedrale. Letërsia shqiptare nuk i dha asnjë ngushëllim Margaritës, Margaritave, njerëzve të thjeshtë me vese njerëzore. Se ata nuk ishin tanët “Përkundrazi, si një grua që gjer në fund vetëm jepte, ajo i kish dhënë letërsisë diçka…”

Akti i një putane ngrihet kështu më lart se i shkrimtarëve. Pas 40 vjetëve një përshpëritje për Margaritën. Gjene çka! Më mirë vonë se kurrë! Një pëshpëritje e tillë është dhe një pëshpëritje për vetveten, është dhe një qiri i ndezur mbi buzëvarrin e shkrimtarëve të RS, që akoma vazhdojnë të jenë të tredhur.Ky është një akt sinqeriteti krijues, ose një pozë e poetëve të mëdhenj..., pamvarësisht se pos mortem të RS e të heroinës Margaritë….



... Kronika e trishtimit



Romani “Lulet e ftohta të marsit” është një kronikë trishtimi për njeriun shqiptar në kapërcyell të regjimit komunist. Le t’i themi sipas traditës, roman me temë dite. Të porsadalë nga diktatura, e pamë veten në një kaos e ankth e në luftë për ekzistencën elementare e erdhëm vërdallë si somnabula. Janë të ftohta lulet e marsit. Ndoshta pranvera erdhi befas e plakat e marsit i vrau bora e re. Njeriu shqiptar nuk ishte i përgatitur për sfidat e reja të demokracisë dhe e shpërdoroi lirinë sapo ra në kontakt me të. E liria e njerëzve tmerrësisht të varfër, prodhon pranga të reja.

Nuk çuditem që romani, me sa di unë, u prit ftohtë nga qarqet letrare në Tiranë.  Ndoshta si zhgënjim i marsit të ftohtë! Ose prisnim më tepër nga shkrimtari i shquar  në liri. “Jepni Çezarit ato që i takojnë”….. Nejse, unë dua ta shikoj romanin “brenda Kadaresë” një vepër të veçantë, një risi kundër çdo skeme e morali, sidomos në predispozicionin kriminal të një shoqërie:

Ngjarjet zhvillohen në një qytet verior e përndizen në ftohtësinë e tyre me një gjuhë poetike për ta patur zili.( kombinim i mbrekullueshëm do të thoshja i dy dialekteve tanë). Ngjarjet dridhen e përhidhen në një agoni epileptike. Në studion e piktorit Mark, ku duket ndonjë fragment nudoje dhe seanca seksi, në kafene, në polici, në familje, në zyrë, gjithçka dhe sendet dhe fjalët dhe ngjarjet e provincës, përjetohen si prishje ekuilibri. Një shoqëri kaotike ku njerëzit vërdallosen si mjeranë. Informacionet godisnin njëri-tjetrin dhe njeriut i ka humbur orientimi dhe instikti i përshtatjes. Vjedhja e bankës, vrasja e Mirian Shkrelit, ringjallja e Kanunit, vrasja e dikurshme e kryeministrit… e krimi sheshit. Janë të pandëshkuara krimet e dikurshme e, këto të rejat, sikur ligjërohen duke e krimininalizuar plotësisht rrethinën. Përpjekja për t’iu shmangur të keqes e për të justifikuar krimin duke e adresuar në pista të tjera, është e vjetër dhe e re. Gjithçka nën një ankth e nën mjegulla muzgu ku fytyrat e njeriut nuk dallohen. Dhe ashtu i çoroditur, pa u orientuar në ditën e re, (regjimin e ri) i drejtohet natës së tij, të kaluarës së largët, thellë e më thellë Kanunit, akoma më tej, krimit fillestar. Ka qënë një urdhër vrastar olimpik i pandëshkuar e që vazhdon të jetojë në memorjen e njeriut i fosilizuar, por i pa harruar. Dhe krimi ndjek krimin që kur është krijuar bota, sidomos në trevat ballkanike me reliev dramash të mëdha. Ky trishtim gadishullor na ndjek si fatalitet. Autori nuk merr asnjë pozicion. Duket sikur ngjarjet e përsonazhet e marrin prej dore, pa asnjë përpjekje për të treguar se kjo rrugë është e verbër e të çon vetëm në kaos e një rrebelizëm primitiv. Ka ikur koha e moralit dhe e pozicioneve ideologjike. Shpëtimtari i shoqërisë nuk është Ismail Kadareja… Ai veç shton një poemë të re për rrudhat e tyre, të vjetra e të reja. Poeti ka detyrë vetëm të shprehet. Kronikan gjakftohtë dhe “i pamëshirshëm” ai ndjek fatet e njerëzve dhe udhët përsëri e çojnë te legjenda. Nën një qiell mjegullor, ai mediton për mithin, për origjinën e vjedhjes e të krimit, e si filozof, jep kronika të mistershme për vazhdimësinë e pakëputur të së keqes. Fantazmat duket se janë pjesë e jetës e mbushin natën e njeriut ose ëndërrën…  Legjenda e martesës së vajzës me një gjarpër, prishja e paktit, arkivi i fshehur diku në mal, zëri mesjetar i Kanunit, vjedhja e parë, Prometheu i zjarrit ose Tantali i pavdeksësisë; Otrantua, mbytja e Titanikut… e pra, të gjitha ngjarjet që kanë trodintur botën ose bashkësinë, kërkojnë simotrën e vet në një krim të ri ose të vjetër deri te gjeneza e krimit të shpellës, deri te froni i perëndive, kudo e kurdo krimi ka mbetur i pandëshkuar, i fshehur, ndoshta, në genin e njeriut. Lexuesi nuk gjen zgjidhje për asgjë dhe nuk duhet të gjejë – vetëm letërsia socrealiste ishe përgjigje për botën dhe e futi në allçi frakturat e saj. Kaosi nuk ka formë e çdo ngjarje ashtu pa trajtë ndryshon, lëviz, tjetërsohet dhe nën një erë meteorike, rezullon një çast e zhytet në lëvizjen kaotike duke i shtuar edhe më enigmat… Gjithçka troket te krimi i parë. Të gjithë, edhe shteti, dhe partitë, shoqatat, feja nxitojnë të gjejnë krimin fillestar. Dhe putanat arrijnë deri te inçesti për të justifikuar mëkatin e tyre me atë të gjenezës, fëlliqësinë brenda gjakut… Bëne, pra krimin e parë! Dhe diktaturat ta japin mundësinë orë e çast duke inkriminuar çdo qelizë të jetës… A është vrasës shefi i ri i shtetit, fill pas vdekjes së diktatorit të madh? Nuk e di, as autori as unë… Dikush thotë: “Keni parë ish shefin e porsaemëruar të shtetit, të fotografohet me revole në dorë, duke shtirë mbi trupin e një ish anëtari të Byrosë Politike?” Edhe ai kërkon në një gropë arkivin e krimit të parë. Të të tjerëve? Të paraardhësit? Jo, jo të vetin.

Romani “Lulet e ftohta të marsit” ngërthen paktin e njeriut me të keqen. Si i tillë është i ftohtë, eklektik, është poezia e ngjyrave të akullta në jetën e njeriut, pa nuanca e përzierje por ashtu të ftohta, të trasha pranë njëra-tjetrës si një veshje ngjyrash që i shkon më mirë një arkivoli të bukur. Autori e ka zgjedhur vetë zonën e akullit, atje ku gjërat ballafaqohen e bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës, me bardhezinë e tyre në kufijtë ekstremë. Dhe vezullimet e borës së zezë nuk mungojnë. Paktet. Marrëveshjet. Detyrimet përkatëse. Përgjegjësitë e dyanshme… por jo për të mirën… është fjala për paktet me të keqen te tjetri dhe brenda vetes. Ka një bishë të egër njeriu përbrenda, një korb me kthetra, një panterë ose një gjarpër që duket jeton me të e gjallojnë të dy sipas një pakti. Një risi e guximshme kjo në letërsinë shqipe, jo vetëm për këtë dukuri por, më e rëndësishmja, prishja e këtij pakti me të keqen, sjell një gjëndje tjetër më dramatike… lexuesi ynë, i mësuar me letërsinë moralizuese të Realizmit Socialist, e ka të vështirë ta pranojë këtë, ngre supet, pyet çoroditës: Ç’djall ka dashur të thotë Ismaili me këtë? Dhe shtrimi i kësaj pyetjeje tregon një vlerë. Diçka shqetësuese që e bën të mendojë. Përgjigjet janë subjektive dhe e shtojnë polisemantizmin e veprës. Unë them vetëm kaq: perëndoi koha hipokrite e jetës së lumtur, e ngjyrave të gëzimit e brohoritjeve e përsonazheve të porositur jashtë laboratorit krijues. Jeta i ka të gjitha ngjyrat e jeta është dramë: E zeza, e shëmtuara, e keqja, jo vetëm që si kategori estetike e pasurojnë pamjen e botës, por në rrethana e rrethinash të caktuara, dominojnë jetën e njeriut, për të mos dalë në konkluzionin teologjik, se kjo botë është e mbrapshtë, mëkatare dominuar gjithandaj nga djalli. (E ky djall, djalli në këtë vendin tonë sikur ka patur shtëpinë e vet!).

Autori në këtë roman nuk e largon të keqen, si dikur në dhera të tjerë të largët, apo bodrumeve tona në terr, përkundrazi e legalizon, i jep udhë dhe e poetizon si gjymtyrë të jetës, madje në demokraci. Nuk mund t’i shmangemi asaj dhe poeti, si murg, që përgjon shpellat e krimit, polemizon me malësorë të zakonshëm, grupe, parti, shtete e perëndi të kriminalizuara. Jemi në trojet e së keqes; ajo fle në shtratin tonë e gjithçka shkon së prapthi… Një vajzë martohet me një gjarpër që natën në krevat tjetërsohet në një djalë bukurosh… (!). (Përsëri legjenda te Kadareja. Po shtoj diçka që e kam trajtuar te “Sisët e eposit”: Nëse nën diktaturë ai kërkonte mitin e legjendën si rrufepritës, po tani në diktaturë nga se ruhet? Mendoj se përpunimi laboratorik i lashtësisë mitike e legjendare, është preferencë e tij. Atij i duhen forcat e errëta supreme. Ai nuk rri dot pa diktatorë. Është gjetja e tij. Ndoshta kjo është letërsia. Një kostum doku, dok është; me një grand stof kostumet janë më të çmuara. Dhe ky rrobaqepsi ynë di fort mirë të qepë.) Kur vajza e merr dhe e djeg lëkurën e gjarprit që ta kishte burrin edhe ditën, prishet pakti e drama kthehet në tragjedi. Ankthi i ditës shtohet me vjedhje, me vrasje, me përdhunime. Mirian Shkreli vritet me kanun për një gjak të pamarrë, ka ndodhur gjëma në Otranto, “një ditë më parë” nga një ajzberg i shpërfillur mbytet Titaniku, policët 100 – a 1000 vjeçarë kërkojnë librin e krimeve mbetur pezull qyshkur; Prometeu e Tantali në thellësitë qiellore bënë të pamundurën, i pari vodhi zjarrin, i dyti pavdekësinë. Krimi s’është gjetur e ndëshkimi është alibik… E Kadareja : Diku, dikur perënditë dënuan Tantalin që u mori thesarin e tyre, pavdekësinë… “Tani do quhen të tillë (të pavdekshëm) vetem poetët, ushtarakët dhe putanat e mëdha…”

Libri i krimeve që fshehin diktaturat, gjoja për të ndëshkuar fajtorët e për t’i prerë udhën krimit, nuk do të gjendet. Krimi, ka qënë, është dhe do të jetë… E trishtueshme, vëlla, por autori ka të drejtë. Ai na bën me dije. Njeriu ka nevojë të gjejë në letërsi edhe kronika të trishtuara si kjo.



...  Teatri i mortit të fshehtë



Në mikroromanin “Kalorësi me sqifter”, si në sekuenca të shpejta televizve, të kalojnë ngjarje e fytyra që kanë tronditur botën për 60 vjet. Duket sikur në disa minuta në sy të mbeten pushtimi fashist nga italianët, nga gjermanët e, në një hapësirë 50 vjeçare, regjimi komunist deri në ditët tona, pa luftra e beteja, pa ushtëri. Dy tre penelata hedhur si me shpejtësi e lexuesi ndërton vetë gjithë ngrehinën e katastrofës kate kate, rrokullisur tashmë të gjitha. Tregimi është ndërtuar mbi një simbol. Një pikturë e Rembrandit ose e Rubensit, ose një kopje e tyre, tregon një kalorës me një sqifter në sup. Konti Çiano, ish ministër i jashtëm i fashizmit italian, ka porositur pikërisht këtë pikturë për ta vendosur në murin e bujtinës së gjakut në Lezhë pranë Kënetës. Piktura misterioze kish një shenjë misterioze që parashihte vrasje, vrasje misterioze të bujshme, me figura të mëdha të krerëve të fashizmit e komunizmit, me hetues specialistë për të fshehur gjurmët e krimit e të kurtheve historike si në një teatër antik. Pikturën e kërkuan gjermanët pas kapitullimit të Italisë fashiste, e kërkuan dhe komunistët, por ajo ishte zhdukur si çdo gjurmë krimi. Ajo hiqej e vihej në mur sa herë që hetuesit ndërtonin ngjarjen, domethënë fshihnin gjurmët e një vrasjeje për të planifikuar vrasje të tjera në skena të tjera e kjo shfaqje teatrale, me vrasje mesjetare e kurthe, vazhdoi 60 vjet…(Përqasja e krimeve të fashizmit me krimet e komunizmit, për mendimin tim, është një risi e guximshme në letërsinë e Ismailit, problem ky, që mendësia shqiptare ,akoma e inkriminuar me apendikset e komunizmit, nuk e “honeps” dot.)

Në godinën e gjahut në Lezhë ku konti ftonte “për gjah” personalitetet më të larta, nëpër ato dhoma enigmatike, ku bujtnin të ftuar me emra të tjerë, kontesha e putana, nëpër netët e pagjumë janë parashikuar vrasjet e Musolinit, Jakomonit, A. Zogut, E. Hoxhës… Ky i fundit regjizor dhe aktor i kurtheve vrastare, kish dërguar në Lezhë dy herë sozinë e tij, i bindur se do ta vrisnin, sipas skenarit të përfytyruar nga vetë ai.

Kohë diktaturash, kohë e prodhimit të krimit. … Në fund të pranverës vdiq arqitekti i madh që kish ndërtuar godinën enigmatike të gjahut, konti Çiano vritet me katër plumba nga vjehrri i tij, Duçja… Kapitullon Italia e piktura zhduket; nën ata sy enigmatikë të kalorësit, Konti, a dreqi e merr vesh, kishte planifikuar vrasje të tjera ndoshta dhe të vetvetes.

Flamuri shqiptar i plagosur e i ndryshuar. Në fillim me dy shpatet e Liktorit në krah të shqiponjës, pastaj, nga komunistë, me një yll të verdhë në mes të krerëve të saj. Gjermanët premtuan ta pastronin flamurin, të lënë origjinalin, ngjyrën e gjakut në fushën e vet dhe zinë në ngjyrën e shqiponjës…

Komunizmi e bëri pjesë të “Dajtit” “rezistencën e gjahut” të Lezhës. Të ftuar të tjerë, (armiq të tjerë) planifikojnë vrasje të tjera. Tani në skenën e mortit lëviznin fantazma të tjera, Tito, Rankoviç Gjilas… dashuri me ta e sherr pastaj e krimi është atje, në çdo skenë. Hetuesit, si në kohën e fashizmit zhdukin gjurmët e gjakut. Vritet nga sigurimi I shtetit përkthyesi i bisedimeve me jugosllavët. Kufoma e tij, që kullon ujë dhe baltë, tërhiqet zvarrë e zhduket, e hetuesit nxitojnë të krijojnë alibinë e re të krimit…

Simbolet flasin më tepër se ngjarjet. Krimi rrugëton nga skena në skenë, nga fashizmi te komunizmi, i njëjtë, me ngjyrën e gjakut e aktet e dramës janë po ato, misterioze, primitive, mesjetare, duke vënë shenjën e barazimit midis rregjimeve ngritur mbi dhunën, shpatave të Liktorit dhe yllit, kryqit të thyer e drapërçekanit…

E kjo Shqipëria jonë e vogël “paska qënë si sfungjer, një vrimë e zezë…” Kishte gëlltitur gjakun e vet, kishte parë aktet e vdekjes së vet gjithë atë zi… dhe tani po nxiton ta nxjerrë…



*  *  *

Ngaj është koha e shkrimeve. Ashtu belbane ajo s’mund të tregonte të vërtetën e gjëmës së vet, ashtu e verbër, ajo s’mund të shihte aktet e mortit, që luheshin aq mizorisht në shtëpin e vet. 60 vjet në mes të dramës ne u bëmë bij tragjikë, pa e kuptuar e njohur saktësisht dorën vrastare. Duhet rindërtuar historia. Ndoshta historia e viktimave (ose e gjithë bashkësisë shqiptare), do të jetë më e vërtetë, se historia që shkruajnë fituesit e pushteteve ose dhe humbësit e tyre të dhunshëm.

Besoj më tepër tek ndërgjegjia artistike. Kjo përbën thelbin e humanizmit të njeriut dhe kombit shqiptar e shpesh është më e vërtetë se historia.

Ndaj është koha e shkrimeve. Letërsia e fuqishme ka dritën polihistorike të ekzistencës. Kjo do të thotë se duhet të njohësh mirë teknikën e elipsit, artin e kondesimit. Si një bisturi çudibërëse, shpesh pena e hollë e poetit, të pastron plagët e thella e të shtyn drejt thelbit të dukurive. Kjo letërsi, që fatmirësisht, po duket në disa krijues, po jep shenja serioze për ndriçimin e ekzistencës, në përmbajtje e formë, në harmonizimin e mendimeve filozofike, ngjarjes reale dhe endërrës. Ndaj fjalën e ka romani modern. Të ashtuquajturat rrethana tipike e përsonazhe tipike, ta ndalojnë ëndërrën. Novalis është i ndërgjegjshëm kur mbron ëndërrat. “…na mbrojnë nga monotonia e jetës, na çlirojnë nga serioziteti…”



                                                               XXII



(Çeta e profetëve ose të pandehur që duhen mbrojtur)



- EPILOG-



Lasgush Poradeci, që për mendimin tim, mori në varr këngë e melodi të pakënduara, kur fliste me vete – në ato “veprat” e paçensuruara – thoshte se nëse, nuk je perëndi, je poet. Ai që e sitte fjalën me miell perëndish, ishte i ndërgjegjshëm se poeti është vetëm vetvete, gati gati pamundësi. Ndaj heshti dhjetra vjet. Ndaj ishte i kënaqur me vdekjen e tij dhe poetët e paktë që vizitonin “kufomën” e tij prej kënge të pashprehur, pak ose aspak mësuan nga profeti i gjallë. Letërsia shqipe nuk ka mundur kurrë të tjetërsojë njeriun shqiptar – nuk është ky funksioni i saj -, megjithatë ajo vazhdimisht synon ta ushqejë këtë iluzion me përpjekje të admirueshme, si një shtet shpirtëror alternativ, e bash për këtë, si çdo letërsi, mbetet një lluks shoqëror i padëshiruar nga pushtetet politike, njëfarë opozite që e ka shpesh autoritetin më të fuqishëm. Ndaj poetët janë të lodhur e të përthyer. Kur nga çeta e poetëve arratisen disa për në ingranazhet e shtetit, bëhen edhe më shtypës se shteti… Shteti totalitar i trembej kësaj çete dhe e shpartallonte duke e bërë pjesë të vetevetes. Askush nuk i shpëtoi dot kësaj ngasjeje e shumë prej tyre u angazhuan e ndonjë që u bë kryetar, dha prova të kualifikuara në shtypjen e kolegëve. Çdo dele që dilte nga tufa do provonte ballit, së pari, krrabën e krybariut të vet..,se zotnia ishte pas derës.

Arti është mëkat i munguar. Ai, veçanërisht poezia, janë të dyshimtë në shfaqjet e së dukshmes dhe të sigurtë në fshehjen e saj, në shndërrim në të padukshme. Për këtë thelbësore është forma. Arti e sfidon botën reale duke i dhënë thelbet e saj në një formë të veçantë alternative dhe shpesh poezia preket nga realizmi dhe pozon nëpër pasqyra  e fotografi të sendeve pa krijuar sende të tjerë, realitete të tjera, në daç thuaj, atdhera të tjera, ku poetët e ndjejnë veten më mire se në atdheun e tyre. Atdheu, në kuptimin klasik, është i ngushtë për poetët dhe shpesh nuk i njeh profetët e vërtetë. Shumica e poetëve të mëdhenj shqiptarë, i kanë kënduar nga larg atdheut të vogël dhe janë kthyer tek ai për ta bërë më të madh e më të begatë, ose dhe të mëdhenjtë si Fishta e Kadare, apo Arapi e Agolli që e shkruan veprën duke qënë në atdhe, natyrisht me këndvështrime të ndryshme, u munduan, por nuk arritën të krijojnë një Shqipëri tjetër. Në rastin e Martin Camajt, raportet e fërkimet e tij me atdheun që u detyrua ta merrte të tërin me vete si gurin e Martinit, shkaktojnë xixa, ky sytë e atdheut janë më të turpëruar se të poetit. Poetët në mërgim zvogëlohen më tepër se të mërguarit e tjerë si njerëz e rriten si poetë sepse përjetojnë atdheun si dhëmbje. Si dashuri e munguar. Shkretëtira që jetohet nga lexuesi ose nga njerëzit e thjeshtë së pari është shkretëtirë brenda shpirtit të poetit. Avantazhi më fatlum i poetit, nuk është të krijojë një botë të bukur, por të jetë i zoti ta gjejë bukurinë edhe nëpër thellësitë e të shëmtuarës. Sepse hapësirat e dashurisë janë të pjerrta. Sepse fatet e njeriut shqiptar kanë rrjedhur fatalisht tragjike. Sepse shqiptarët, të vonuarit e këtij shekulli evropian, të stërlodhur e të stërmunduar nga vetvetja e nga prijësit e vet, çoroditshëm, tepër çoroditshëm si somnabul, kanë hedhur hapat andej nga nuk duhej. E sot vjen e duket i papërcaktuar e problematik. Ashtu si shumica e poetëve të vet që duhet t’i drejtohen kujtesës për dashuri të dështuara, për të mos thënë të pista në këtë gjysmë shekulli. Me dhimbje, vëlla, me dhimbje! Trishtimi është qielli i botës. Është plotësisht e mundshme të thuhet se pesimizmi është gjymtyrë e njeriut, se fundi i njeriut është i pashmangshëm, por poeti i vërtetë duhet të ndiejë se ka një jetë, fizike dhe metafizike që lëvrin brenda vdekjes - kjo është poezia, shpresa.



                                                      * * *



Dhe poetët shqiptarë bënë aq sa mundën. U formuan të tillë brenda asaj Shqipërie, asaj metode. Jeta e tyre përkoi me sundimin e egër të diktaturës Komuniste, talenti i tyre me një metodë klimëthatë. Dhe mbijetuan. Njeriu dhe poeti. Në një jetë “inekzistente”. Gjithmonë gjendet një vrimë oksigjeni për frymëmarrje. Për të dy. Njeriun. Dhe poetin. Një shteg përtej rrethimit, një fjalë për t’ia thënë tjetrit.Poezia është një dorë e shtrirë, ose një puthje, ose një flutur si letër e palosur që kërkon një  një lule, një adresë. Vërtet s’mund të dilnin kundër atdheut socialist, por atdheun e kishin të tyre, me male e fusha, me pemë e ferra, me kafshë e milingona...; e tyrja ishte toka dhe balta, qielli dhe deti.. Vërtet u hallakatën e u zhgënjyen me produktin e epokës, njeriun e ri, por nuk u zhduk njeriu shqiptar, geni i racës dhe i historisë... Dhe këto elemente të ekzistencës bënë që të t’i jepnin shpirtin e vet fjalës, fjalës poetike, të merrnin udhë dhe kur shtigjet u zunë, të gjenin vetveten dhe në rrethim, ta kapnin lëvizjen dhe në pikën e vdekur. Dhe mbijetoi njeriu dhe kënga. Ashtu si qendresat e brendshme, shpesh të paprekura nga ngricat ideologjike; ashtu në fragmente lirie e ëndërre edhe në birucat e burgut, dhe midis seancave të gjyqit dhe në gjumë. Letërsia dhe artet dolën nga lufta të raskapitura, por mbijetuan, falë talenteve, edhe si kronikë e një ndërgjegjeje të plagosur artistike. I mbajti gjallë veçanërisht prushi i gjuhës shqipe, i pashuari shekullor, elementi më vital e më i papushtueshëm nga çdo sundim që, nën penën e poetëve më të mirë, erdh e u pasurua e tregoi mundësi të jashtëzakonshme shprehjesh e figurash që mund t’ia kenë zili edhe gjuhët më të kultivuara që shkruhen nga qindra milionë njerëz.

Mbijetesat e arritura në liri e fillojnë nga e para. Ndaj duhen mbrojtur. Ndaj duhet ndihmuar të gjejnë vetveten edhe në këtë kaos demokratik ku akoma shteti dhe poeti kanë probleme me vete të pabëra. Krijues është ai që kërkon të bëhet, jo më pak se çka qënë. Për poetin, dhe arti dhe vetë njeriu, është simbol. Realizmi i jetës artistike është thjeshtë vetëzhvillimi, përsosmëria e simbolit. Ne tash  akoma kemi një komb të pabërë, dhe një komb letrar gjithashtu problematik.

“Sendi dhe universi, sipas Mallarme-së, nuk mund të ketë tjetër objekt, veçse prodhimin e një shprehjeje të plotë të vetvetes. Bota është bërë për të përfunduar në një libër të bukur” E kështu fjala merr krahë e bëhet qënia më enigmatike e universit tonë me përgjegjësinë e pamatshme për të krijuar një botë tjetër. Në këtë drejtim arti është shenjtëruar para të gjithë shenjtorëve e, pa të, njerëzimi do të ishte shkretinë. E ndaj është i xhamtë e i thyeshëm e unik në kuptimin e vet. Arti e fyen shenjtërinë e vetvetes, atje ku është i komanduar, pra atje ku mungon e vetështiret si i tillë, aq më tepër kur degradon në një mall që t’i pëlqejë një kategorie lexuesish e pikëpamjesh. Këta poetë janë të paditur e të rastësishëm në tempull.



*  *  *

Tek poema “Menopauza e ëngjujve”, poeti Primo Shllaku vëren me trishtim se çeta e ëngjëjve ose e poetëve cilësorë po pakësohet. Kudo dhe në botë. Arti si burim parash është matësi i krizave kulturore e tregues i diagramës së njeriut në rënie shpirtërore. Ata ëngjëjt e Shllakut janë të rraskapitur, kardiakë, lëkurëhollë, këmbëdobët si dallandyshet e të brishtë si flutur. S’ka gjë se po pakësoheni u thotë poeti, shihni vetëm NORDIN, fjalën, atë të ndritshme, që tejkalon sendin dhe gjen vetveten, atë magjinë thurur me rreze drite që s’thuhet dot me fjalë. Tek ai nord vetanak është shpresa e “në stacionin e zemrës, gjaku si tren i madh do të nisë me ecë...”. Sakrifica e kësaj race të pakur në këtë botë të mbushur edhe me mallra të pista, është tejet e prekshme, deri në mungesa elementare të ekzistencës, deri në flijim. Por poetët jetojnë kudo në sqep zogu, në ajër. Dashuria e tyre ka përbrenda livadhe lulesh e gjelbërim, paçka se mbin mbi dete të shterrur. Realiteti është i ashpër, tmerrësisht i ashpër ky i yni, (drithërohem kur takoj miqtë e mi poetë në Tiranë me një xhaketë të vjetër në supe, e të tjerët në Athinë që me punë të rënda orindere vetvrasese, me buzë të pjekur nga lodhja, mblidhemi rreth një kafeje të varfër e flasim dhe për poezinë. Ose vetëm për poezinë.) Ky shekulli ynë shqiptar i ka mbushur mushkëritë me gëlbazë. Fillimi i tij murtajor na ndau nga Evropa e fundi i tij s’po na pranon akoma. Besoj nuk gaboj të them se nëse politika dhe ekonomia shqiptare janë përgjegjëse  të vonuara, letërsia shqiptare me çetën e vet të peotëve që nga fillimi i shekullit është futur në Evropë, edhe me privimet e shumta, edhe të atyre viteve me vetvete të paqenë... Sot polariteti i theksuar, ku shpërndarjen e vlerave materiale e bën politika e xhepit dhe rrugaçëria e institucionalizuar, frikshëm po rritet shkretina e shpirtit, moralit, hipokrizisë, makutërisë; po goditet njeriu i ndershëm me varfëri, po cënohet rëndë familja, marrëdhëniet njerëzore po bëhen plastike e po vdesin trëndafilat... E megjithatë çeta e poetëve, ashtu e paktë dhe e përbaltur nga shteti e shoqëria, vazhdon punën e saj, me të bukurat e saj, e pagojë, elitare, e idealiste e patriotike. Ky është fati i esencave. Ndoshta këtë ka patur parasysh G. Lorka kur thosh: “Poeti duhet t’i lërë degët e zambakëve dhe të futet në llum për të ndihmuar ata që dëshpërimisht kërkojnë zambakë”. Gjithnjë është koha e dramës, e letërsisë jo vetëm për ta pasqyruar realitetin por, sot, për ta skandalizuar atë. Çeta e poetëve shqiptarë e ka të vështirë të mos kujtojë kohën e provave të laboratorit me “kavjet” e imponuara të socrealizmit... Ne vimë nga ai laborator e kujtesa është e plotfuqishme, aq sa dhe e aftë, të gëlltiti jetën e krijuesit. Është kujtesa mëkatare që mbush e frenon personalitetin e lëkundur nëse ajo nuk frenohet... Ajo rrezikon menopauzën, shpterpësinë; është kujtesa ku lëvizin idhuj të rremë e arkivole shumë; është ndërgjegjia krijuese çarë e copëtuar nga përrenjtë e një dimri të egër. Të ecësh më tej, duhet të kalosh mbi vetveten. Me guxim. Me vetmohim. Prandaj thashë: “të pandehur që duhen mbrojtur”, pse jo, “të pandehur” që duhet të gjykojnë gjykatësit, më saktë pjesën tonë mëkatare. Kjo të çon tek vazhdimësia, tek lindjet e reja. Menopauza është mohim i species. Dhe fund. Detyra e poetit është lindja, rilindja, shpresa edhe përtej arkivolit të tij. Ecni, thotë poeti për poetët, ecni nëpër udhët e këtij fati fatal e mortor. Ky është nordi. Pa këmishën tënde endur me pëlhurën e trishtimit e të dhimbjes, ti nuk mund të jesh nga soji i esencave, e aq më pak ëngjëll.... Mjafton vetëm liria, liria e krijimit. Gjumi i shqetësuar. Dhe vetmia.



*  *  *

Poetët, shkrimtarët, muzikantët, piktorët, aktorët, dhe më i dobëti prej tyre, bën pjesë në mobiljet e bukura të botës. Dhe nëse ngrita tonet aty këtu në këtë libër, fola midis të bukurve për të bukurën, fola kundër asaj vetveteje që nuk ishte e jona...

Ishte ajo bohçja e trandafilit që digjej, digjej e në qymyr shndërrohej... Se ajo, jo për faj të saj, nuk arriti të ketë shpirtin e vërtetë të kohës; veçanërisht ajo nuk arriti të jetë kundër kohës, asaj kohe të mbrapshtë me erë e ngrica që vazhdoi gjysmë shekulli. Natyrisht ata bilbila që kënduan në atë dimër për t’u treguar të tjerëve se bora, era e ngrica nuk janë borë, erë e ngricë, i humbën meloditë, nuk e kanë sqepin e këngës për stinën e pasme.... fatkeqësisht shumica prej nesh, ishte kronika e atij dimri.

Bilbilat që s’kënduan dot në atë dimër, s’janë më.

 Asnjë, ose pothuajse asnjë nga të tjerët që mbetën gjallë, nuk arriti ta kundërshtonte e ta skandalizonte kohën, nuk arriti të çmëndej në atë kohë të çmëndur.

Prandaj ajo boçe, që s’arrit të çelët, po digjet dhe duhet të digjet.

Kjo është shenjë e mirë.

Ekzistojnë disa lloj agimesh…



Një kohë tjetër erdhi. Gjyqet vazhdojnë e udhët e reja të artit janë lumë vetëtimash...



Në shenjë dashurie dhe respekti për të gjithë krijuesit.

 Ky libër për ju.

Për të pandehurit shkrimtarë e artistë, që dua t’i mbroj me sentencën e F. Niçes: “Na falni, për virtytet tona”!





Pirro Loli



Athinë, tetor 2000- dhjetor 2002



                                       pirrololi@hotmail.com

6 comments:

  1. Jam shumë i lumtur të ndaj këtë dëshmi timen fantastike.
    Emri im është Eden dhe emri i burrit tim është Eduardo nga Shtetet e Bashkuara.
    Eduardo më la për një grua tjetër dhe për ta mbajtur të shkurtër historinë, kontaktova me Dr.Ellen-in me një kazan magjik dhe jeta ime ka ndryshuar plotësisht në 48 orë. E shikoj veten në pasqyrë dhe buzëqesh. Unë besoj në veten time dhe aftësitë e mia për herë të parë në jetën time. Unë e kam kthyer burrin tim në jetën time, me ndihmën e Dr.Ellen. Eduardo tha se i vinte keq për 48 orë pas krijimit të shqiptimit. Eduardo tha se e kuptoi se kurrë nuk donte të shpërthente, se nuk mund të merrte bagazhin emocional që po transportonim vazhdimisht. Ai tha se mendonte se ishte një ndikim negativ në jetën time dhe mendonte se ishte më mirë. Ai tha se ishte e vështirë të flisje gjatë gjithë kohës për të kaluarën. Të dy i fala. Unë kam para në xhep, që më në fund jam unë. (Çeku im i kompensimit erdhi sepse më thanë se kishin muaj të tërë.) Unë jam prova e gjallë e asaj që Dr.Ellen mund të bëjë ... Faleminderit shumë Dr.Ellen për punën e mrekullueshme që keni bërë në marrëdhënien time. ne të dy ndihmuam për të parë dhe thënë të vërtetën me njëri-tjetrin. Nuk e kisha menduar kurrë që një magji mund të ndihmonte një çift përpara se ti të ishe shumë i lumtur. Unë ju kontaktova dhe nisa që e gjithë kjo të ndodhë. Kushdo që ka një problem marrëdhënieje mund të kontaktojë Dr.Ellen me email ellenspellcaster@gmail.com
    nëse keni ndonjë problem në këtë çështje në vijim
    (1) Nëse e doni ish-in tuaj prapa
    (2) nëse keni gjithmonë makthe.
    (3) Ju dëshironi të promovoheni në zyrën tuaj.
    (4) Nëse dëshironi një fëmijë.
    (5) Kujdesi bimor
    (6) Ju dëshironi të jeni të pasur.
    (7) Ju dëshironi ta lidhni bashkëshortin tuaj që të jetë i juaji përgjithmonë.
    (8) Nëse keni nevojë për ndihmë financiare.
    (9) Lërini njerëzit t'i binden fjalëve tuaja dhe të bëni atë që dëshironi
    (10) Rezoluta e E.T.C.
    kontaktoni Dr.Ellen përmes emailit të tij: ellenspellcaster@gmail.com
    Whatsapp:
    +2349074881619

    ReplyDelete
  2. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish-dashnorin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa trup që të qëndronte pranë meje dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë të caktuar ta takova këtë magjistari i fuqishëm Dr Ediomo, pasi i tregoi atij për situatën time, ai bëri gjithçka që ishte e mundur për të parë që i dashuri im të kthehej tek unë, në të vërtetë pasi bëri magji, ish i dashuri im u kthye tek unë më pak se 48 orë, erdhi ish i dashuri im kthehu duke më lutur se nuk do të më lërë më kurrë, 3 muaj më vonë u fejuam dhe u martuam, nëse edhe ju jeni duke pasur të njëjtën situatë. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * magji dashurie
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtjeje
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
    faleminderit shumë zotëri që më ktheve tek unë ish-dashnorin tim, emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefononi/whatsapp:+2349132180420
    +2348155926512

    ReplyDelete
  3. Nuk kam parë ndonjë gjë kaq të përsosur si magjia DR WALE, po e shkruaj këtë artikull për të falënderuar DR WALE, magjistarin e fuqishëm që më ndihmoi kohët e fundit të rikthej ish të dashurin tim që më la për një grua tjetër pa asnjë arsye për të kaluarën tetë vjet. Pasi pashë një postim në internet nga një zonjë e quajtur Kate Adams që thoshte se si u ndihmua nga WALE, vendosa gjithashtu ta kontaktoj për ndihmë sepse nuk kisha zgjidhje. Gjithçka që doja ishte që të ktheja të dashurin tim me vete. Pasi kontaktova me DR WALE, më thanë të paguaja për të gjitha materialet e nevojshme për të kryer magjinë që pagova për gjithçka. DR WALE më tha se pas disa javësh burri im do të kthehet me mua. Lajmi i mirë këtu është se pas disa javësh burri im u kthye tek unë. Për habinë time më të madhe, burri im u kthye në shtëpi në gjunjë se unë duhet të gjeja një vend në zemrën time për ta falur, unë u habita dhe u trondita vërtetë kur i dashuri im u gjunjëzua duke u lutur për falje dhe që unë ta pranoja atë. pak shprehje, dhe nuk e di sa të të përcjell vlerësimin tim DR WALE, ti je një Zot i dërguar për të rivendosur një marrëdhënie të prishur, Dhe tani unë jam një grua e gëzuar, DR WALE është përgjigja për të gjitha problemet. Të dhënat e kontaktit të tij janë: WhatsApp/Viber: +2347054019402 ose Email: drwalespellhome@gmail.com

    ReplyDelete
  4. A keni probleme për të rikthyer ish-dashnorin tuaj, keni probleme martesore, infertilitet, paqëndrueshmëri financiare. Pse po e kufizoni veten në lidhje me ndarjen nga i dashuri/burri/gruaja juaj, është koha që t'i zgjidhni të gjitha problemet tuaja me ndihmën e fuqive të DR WALE PERMANENT SPELL CAST. Jam i specializuar në të gjitha llojet e magjisë si p.sh
    Magji dashurie (për të rikthyer ish të dashurin, burrin ose gruan tuaj)
    Spell Lotarie
    Magji për paratë
    Drejtshkrimi i shtatzënisë
    Drejtshkrimi i punës/kontratës
    Drejtshkrimi i shëndetit
    Magjia e pasurisë
    Fat i mirë Spell
    Drejtshkrimi i Jetës
    Spell shpirtërore
    Bukuria / magjia e formës
    Mashtrimi i magjisë
    Drejtshkrim Fantazi
    Magji për të fituar çështjet gjyqësore
    DR WALE është gjithmonë i gatshëm t'ju ndihmojë të zgjidhni të gjitha problemet tuaja dhe t'ju plotësojë të gjitha dëshirat tuaja të zemrës përmes fuqive të tij magjike.
    DREJTIMI I PËRHERSHËM i tij është 100% i garantuar. Njihuni me të për t'ju ndihmuar të zgjidhni problemet tuaja. Kontaktoni me të në Whatsapp/Viber/Telegram: +2347054019402 ose në email: drwalespellhome@gmail.com

    ReplyDelete
  5. Një dëshmi e mahnitshme për një magjistar që ma ktheu burrin tim. Jam martuar për fat të mirë me një burrë të dashur dhe të kujdesshëm me dy fëmijë. Një problem shumë i madh ka ndodhur në familjen time shtatë muaj më parë, mes meje dhe burrit tim. aq e tmerrshme sa e çoi çështjen në gjykatë për një divorc. tha se nuk donte të qëndronte më me mua dhe se nuk më donte më. Kështu që ai doli nga shtëpia dhe më bëri mua dhe fëmijët e mi të kalonim dhimbje të forta. Kam provuar të gjitha mjetet e mia të mundshme për ta kthyer atë, pas shumë lutjesh, por pa rezultat dhe ai konfirmoi se kishte marrë vendimin e tij dhe nuk donte të më shihte më. Kështu një mbrëmje, teksa po kthehesha nga puna, takova një mikun tim të vjetër që e pyeti burrin tim. Kështu që i shpjegova gjithçka, kështu që ajo më tha se e vetmja mënyrë që mund ta ktheja burrin tim është të vizitoj një magjistar, sepse kjo është ajo që bëri edhe ajo për të rifituar të dashurin e saj. Pastaj ndoqa këshillën e saj dhe ajo më dha kontaktin me DR WALE WhatsApp :+2347054019402. menjëherë i dërgova DR WALE një mesazh WhatsApp dhe i tregova për të gjitha dhimbjet dhe problemet me të cilat po përballem. DR WALE më tha të mos qaja më dhe se unë e përdora relaksoj mendjen time. Pas shumë diskutimesh me DR WALE, bëra pagesën për të gjitha materialet dhe artikujt e nevojshëm për të bërë magji, dhe magjistari më siguroi se do ta kthej burrin tim pas një jave. Çfarë deklarate e mahnitshme!! Kështu ai foli me mua dhe më tha gjithçka që duhej të bëja. Pastaj javën tjetër ishte aq befasuese sa burri im, i cili nuk më telefonoi për shtatë muajt e fundit, më telefonoi për të më informuar se po kthehej. Aq e mahnitshme!! Kështu ai u kthye në shtëpi me shumë dashuri dhe gëzim dhe kërkoi falje për gabimin e tij dhe për dhimbjen që më shkaktoi mua dhe fëmijëve të mi. Pastaj që nga ajo ditë marrëdhënia jonë ishte më e fortë se sa ishte më parë me ndihmën e DR WALE. Unë do t'ju këshilloj atje të kontaktoni me mirësi DR WALE WhatsApp/Viber +2347054019402 ose me email: drwalespellhome@gmail.com

    ReplyDelete
  6. Zoti e bekoftë DR WALE për punën e tij të mrekullueshme në jetën time, unë isha i ndarë me burrin tim për pesë vjet tani dhe nuk isha i kënaqur që kisha nevojë të ktheja burrin tim sepse jeta e vetmisë ishte shumë e tmerrshme për mua dhe të treve të mi. fëmijë Kërkova për ndonjë magjistar të mundshëm që mund të rikthejë dashnorin dhe më pas takova DR WALE pashë një koment për DR WALE, si i bashkon ai të dashuruarit me magjistarin e tij, kontaktova me të dhe ai më udhëzoi. Unë kërkova zgjidhje, ai filloi ilaçin për magjinë time, kërkoi disa informacione që ia dërgova dhe gjithashtu më tha se duhet të blejmë disa artikuj që magjia të funksionojë për mua dhe të cilat i ndjeva atij paratë pas disa javësh burri im më thërret dhe filloi të më lutet për falje për gjithçka që ndodhi. Jam shumë i lumtur tani që jemi kthyer sërish si një familje për cilindo që mund të ketë nevojë për ndihmën e magjistarit të madh. Mund të kontaktoni WhatsApp: +2347054019402 ose Email: drwalespellhome@gmail.com

    ReplyDelete